BUSHATLLINJTË E PANJOHUR, SI E KTHYEN SHKODRËN NË QYTET TË BEGATË
Nga Ferdinand Dervishi
Në mesin e shekullit XVIII, ose tri shekuj pas epokës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, historia do të njihte një tjetër shqiptar të famshëm që do të shfaqej edhe me pamjen edhe me furinë e një Skënderbeu të Ri.
Ishte Mahmut Pashë Bushati, i njohur edhe si Karamahmut Bushatlliu, i cili do të vinte në krye të Pashallëkut të Shkodrës në vitin 1778, saktësisht 300 vjet pas rënies së qytetit në duar të osmanëve, në epilog të rezistencës legjendare të Skënderbeut dhe bashkëluftëtarëve të tij.
I lidhur në aleancë me krerët e Shqipërisë së Veriut, edhe me katolikët edhe me myslimanët, njëlloj si paraardhësi i tij, ai do të kthente në një fortesë të pathyeshme Kalanë e Shkodrës, duke i mbijetuar dy rrethimeve dhe duke përdorur e zhvilluar të njëjtat taktika luftimi si edhe Skënderbeu.
Nga ana tjetër, falë zgjuarsisë dhe reformave, Shkodra dhe rrethinat njohin një bum ekonomik, tregtia me Evropën Perëndimore dhe Lindore shënon kohëra të arta, e, për pasojë, shqiptarët do ta kujtonin këtë periudhë si epokën e bollëkut, kur konsumoheshin dreka vezirësh.
Gjithçka po ndodhte kishte lidhje edhe me dobësimin e Perandorisë. Një situatë, që rreth 20 vjet më parë, ishte nuhatur dhe shfrytëzuar me mjeshtëri nga i ati i Mahmutit – Mehmet Pashë Bushati, i pari i dinastisë shqiptare të Bushatllinjve të Shkodrës.
Mehmet Bushati e shpalli veten drejtues të Sanxhakut të Shkodrës në vitin 1757. Sigurisht që Porta e Lartë, apo Qeveria Qendrore, nuk mund të binte dakord me veprimin e tij. Ai nuk mund të vetëshpallej drejtues sanxhaku, pasi ky atribut prej shekujsh i takonte qeverisjes qendrore në Stamboll.
Por, historia thotë se, megjithë paligjshmërinë, Mehmet Bushati u emërua edhe zyrtarisht Guvernator i Shkodrës. Ndërsa, historianët nuk kanë një version të unifikuar që shpjegon se si ai arriti ti mbushte mendjen Qeverisë qendrore. Kështu, një historian italian i quajtur Arturo Galanti, shkruan se Mehmeti përdori një dredhi të ngjashme me atë që tre shekuj më parë Skënderbeu kishte përdorur për të marrë Krujën. Sipas tij, Mehmeti kishte marrë peng një Pashë të ri të cilin Porta e kishte dërguar të shuante grindjet e lindura mes dy lagjeve kryesore të qytetit, Tabakëve dhe Terzinjve. Duke e mbajtur të mbyllur në shtëpinë e tij, ai e detyron Pashën e ri t’i shkruante një letër Qeverisë Qendrore, ku thuhej se askush tjetër nuk mund të ishte aq i denjë e aq i aftë që të sundonte Shkodrën sa Mehmet Bushatlliu. E vërteta thotë se Mehmet Bushati arriti të merrte një emërim zyrtar nga Porta e Lartë falë mbështetjes që pati kryesisht nga populli dhe sidomos nga tregtarët shkodranë. Të bindur se Mehmet Bushati ishte njeriu i duhur në mbrojtje të interesave të tyre, duket ata ndikuan që autoritetet qendrore të mbyllnin një sy duke firmosur emërimin e tij.
Pasi konsolidon pushtetin në Shkodër dhe rrethina, pasi pastron apo dëbon të gjithë kundërshtarët e drejtpërdrejtë apo të mundshëm, Mehmet Bushati bën plane për zgjerimin e pushtetit. Forcërisht ai arrin të bashkojë Sanxhakun e Dukagjinit me të Shkodrës dhe përmes presionit arrin që të emërojë dy nga djemtë e tij në krye të sanxhaqeve të Ohrit dhe të Shkupit.
Porta e Lartë nuk shfaqet kundër në asnjë rast. Kjo për faktin se në këtë periudhë Shkodra vendosej në një pozicion strategjik, pranë frontit të operacioneve ushtarake me austriakët dhe rusët. Nga ana tjetër, Porta e Lartë ua kishte shumë nevojën ushtarëve që Mehmet Bushati rekrutonte e dërgonte në vijën e luftimeve. Pikërisht kjo situatë oportune e ndihmoi Mehmet Pashën të zgjeronte territorin, të negocionte për emërimet e djemve, duke hedhur themelet e Pashallëkut të Shkodrës.
Mehmet Pasha ua dinte pikat e dobëta osmanëve. Ai shfrytëzon disfatën e flotës osmane në betejë me flotën Ruse, të ndodhur në afërsi të ishullit grek Kios, në korrik të vitit 1770, për t’i bërë Portës së Lartë një kërkesë të guximshme: Ti jepnin titullin e lartë vezir dhe ta emëronin në krye të flotës së re ushtarake, që ai vetë merrte përsipër ta ndërtonte në bregdetin shqiptar.
Ëndrra bëhet realitet. Në mars të vitit 1772, kur Porta i jep Mehmet Bushatlliut titullin e lartë të vezirit, i dërgon një shumë të madhe të hollash për të ndërtuar anijet dhe njëkohësisht emëron Mahmudin, të birin e tij të preferuar, si guvernator të Shkodrës.
Historia thotë se pasi mori titullin e Vezirit, Mehmet Pashë Plaku nisi të injorojë detyrat e dhëna nga Porta e Lartë. Ajo që ra më tepër në sy ishte fakti se ai po zvarriste pafundësisht nisjen e trupave të tij kundër rebelëve shqiptarë të Moresë në Peleponez – një operacion që duhet ta kryente në kuadër të asistencës që i duhej dhënë Qeverisë Qendrore.
Por, edhe Porta e Lartë e kishte gjithmonë një çelës për dobësimin e fuqive të të pabindurve. Formula e vjetër romake “përça e sundo” kishte rezultuar e suksesshme edhe për Perandorinë Osmane. Kështu, me qëllim për t’i futur në konflikt, Porta e Lartë ua heq Bushatllinjve dhe i kalon Ahmet Kurt Pashës së Beratit mbledhjen e taksave dhe kontrollin e Portit të Durrësit. Kaq do të mjaftonte që të plaste lufta.
Pikërisht në këtë periudhë të vështirë, në korrik të vitit 1775, në rrethana të panjohura, Mehmet Pashë Plaku humb jetën. Sipas Elena Gjikës, njohur si Dora D’Istria, publiciste dhe shkrimtare rumune me origjinë shqiptare, e cila ka jetuar në shekullin e 19, Mehmet Pasha ishte vrarë nga osmanët.
“Porta e Lartë nuk mund të mos shihte pa u shqetësuar një dinasti shqiptare të vendosej në Shkodër. Mehmeti u vra me urdhër të padishahut. Mustafai, fëmija i parë i tij, pati edhe ai një fund tragjik, sepse e helmuan në More dhe djalit tjetër, Ahmedit, ju pre koka me urdhër të Serasqerit të Rumelisë”.
Pas vdekjes së Mehmet Pashë Plakut, Porta e Lartë nxiton të emërojë në vendin e tij një pasha të huaj, por shkodranët nuk e pranojnë. Pushteti i kalon Mustafait, djalit të madh të Mehmet Bushatlliut, që arrin të ruajë pozitën e Pashallëkut, por që nuk shquhet si udhëheqës i fortë.
Mbërritur në krye të Pashallëkut të Shkodrës, vetëm Mahmud Pasha, vëllai i tij do të ngjitej në lartësinë e të atit, Mehmet Pashë Plakut. Vetëm Mahmudi do të demonstronte personalitetin e një luftëtari dhe politikani të niveleve që rrallë qëllonin në territoret e Ballkanit. Por kush ishte ky njeri?
Sipas kujtimeve të një prej kujdestarëve të tij, klerikut katolik, Patër Balneo, Mahmudi qysh në rini të vet ishte mirë i arsimuar duke marrë njohuri në dy krahët, edhe nga kultura perëndimore edhe nga ajo e lindjes, ndërsa historia që e trondiste më tepër ishte ajo e bashkatdhetarit të vet – Gjergj Kastriot Skënderbeut. Po prej Patër Balneos, kemi edhe porositë që i ati, Mehmeti, i kishte lënë amanet të birit.
“Gjithmonë kujtohu se njerëzit duan të jetojnë në paqe, prosperitet dhe drejtësi. Kjo është arsyeja pse unë jam përpjekur të jem i drejtë dhe i paanshëm për çështjet fetare dhe ato të fraksioneve. Për mua njerëzit janë të gjithë të barabartë qofshin të pasur apo të varfër, qytetarë, fshatarë apo malësorë, të krishterë apo myslimanë. Unë i kam luftuar barbarët dhe ata që i mbështesin. Kam siguruar rrugët tokësore e detare, sepse përmes tyre qarkullon jeta dhe pasuria.”
Në fakt, vlera e vërtetë e Pashallëkut të Shkodrës do të matej me zhvillimin ekonomik. Dokumente të vjetër vërtetojnë kohët e arta të Bushatllinjve dhe sidomos zhvillimin e tregtisë. Vetë Mehmet Pashë Plaku pretendonte se Shkodra ishte zhvilluar aq shumë ekonomikisht, sa që vetëm Stambolli mund ta kalonte dhe se familja e Bushatllinjve, si dhe tregtarët e Shkodrës, kishin pasur të ardhura të bollshme.
Po le të sjellim disa shifra domethënëse. Tregtarët shkodranë që shisnin mallra në Venedik dhe importonin produkte të kërkuara në tregjet e Pashallëkut të Shkodrës ishin gjithsej 804 nga të cilët 128 të fesë kristiane. Sipas disa burimeve historike, tregtarët shkodranë u bënë aq të fuqishëm, saqë nisën ta ndikonin tregjet e Venecias, nga importonin kadife, produkte qelqi, copa mëndafshi të prodhuara në disa ngjyra dhe letër.
Mahmud Pashë Bushati shfaqet si një lider energjik. Ai jo vetëm që zgjeron kufijtë e Pashallëkut në territoret ku kishte pasur zotërimet i ati, por shtyhet më tej, sidomos drejt veriut.
Historinë më të plotë të kësaj dinastie, mund ta shikoni në dokumentarin “Bushatllinjtë e panjohur, si e kthyen Shkodrën në qytet të begattë”. /abcnews.al/
***
Bushatllinjtë e panjohur, si e kthyen Shkodrën në qytet të begatë| ABC Story