FATBARDHA DEMI: RICIKLIMI I TEZAVE ANTI-SHQIPTARE TË SHK. 19 NË MASMEDIAN SHQIP-SHKRUESE

Tiranë, 26. 01. 2913 – (Mjer’ ai që i jep puthjen e tradhtis’ kombit të vet, Mëmëdheut dhe të birit të të lartit Zot në qiell! (Naim Frashëri «Dëshira e vërtetë e shqiptarëve») – Është vënë re, në harkun e viteve të fundit, mbi bazën e metodës «moderne» të shtjellimit të Historisë dhe në emër të “së vërtetës historike”, në fakt lexojmë shpalosjen e tezave anti-shqiptare të dy shekujve të fundit (19-20) mbi historinë e popullit, figurat e shquara dhe Shtetin Shqipëtar. Këtë dukuri, na e zbulojnë edhe disa shkrime-analizë të autorit Pirro Priftit si: «Lidhja e Prizrenit – Lidhja që zgjoi shqiptarizmin por copëtoi territoret shqiptare»(1), «Rrënimi i ‘Shtëpisë së Pavarësisë’ – një goditje e pabesë ndaj Rilindasve» (2) «Censusi – Një Atentat kundër Komunitetit Ortodoks shqiptar » (3), «Patriot, Ali Pashë Tepelena!? Kjo është butafori politike» (4)
Boshti rreth së cilës shtjellohen këto shkrime është: Shqiptarët janë fajtorë për copëtimin e trevave të tyre, për urrejtjen, shovinizmin dhe genocidin e ushtruar nga fqinjët e tyre, se Shteti shqiptar po bën një luftë të fshehtë ndaj komunitetit fetar ortodoks, dhe «politika bizantine shqiptare… ka reminishencat raciste, osmane në kuptimin e drejtimit të vëndit dhe të marëdhënieve me jashtë » (3) Përfundimisht, vlerësimi i autorit për vendin tonë është: «me sa duket po vërtetohet historia e fshatit të pasur që pinte ujë nga burimi i ujit që të bënte të çmendur. Çdo njeri që vinte të punonte dhe të banonte në atë fshat, duhej ta mendonte se, donte s`donte do të çmendej dhe budallallepsej si fshatarët e fshatit. Kjo është Shqipëria»! (4) Për hir të së vërtetës, burimi i kësaj «fabule» vjen nga ish-kryeministri dhe presidenti i Greqisë Kostandin Karamanlis, i cili e përshkruante vendin e tij si një “azil i madh të çmendurish” (Robert D.Kaplan – Vepër e cituar, f.40).(5)
Përse duhet t’iu kushtojmë vëmendje shkrimeve që haptas janë sajesa dhe s’kanë asnjë mbështetje të fakteve historike ?
Siç shprehej studiuesi i metodës historike Marc Bloch, edhe në shkrimet ku shtrëmbërohet historia, studiuesi mund të gjej fakte që plotësojnë pasqyrimin e realitetit të kohës. Në këtë kënd-vështrim, dobia e trajtimit të këtyre shkrimeve, është se këto ide, vërehen edhe në disa shkrime, debate televizive dhe media elektronike të autorëve të tjerë shqiptarë dhe të huaj. Pra është një realitet i sotëm i medias dhe ideve që qarkullojnë në shoqërinë shqiptare dhe më gjerë. Sikurse edhe në shkrimet e lartpërmendura, ato shpesh trazohen, si kashta me grurin, me data dhe ngjarje historike (shpesh jo të sakta), por të shkëputura nga zhvillimet politike ndërkombëtare dhe të vendit, të kohës në fjalë dhe të komentuara së prapthi. Sipas analistit të shquar italian Marco Travaglio, kjo dukuri ka qëllime thjesht politike, sepse „Duke luajtur me fjalët mund t`i manipulosh faktet dhe në përfundim, të gjith memorjen kolektive” (6)
Tezat që shpalos autori mbi figurat dhe ngjarjet historike të shqiptarëve, pasqyrohen në shtypin dhe dokumentat historike, që i përkasin periudhës së shk19-20 mbi “Çështjen Shqiptare” të përdorura nga shtetet fqinj dhe Fuqit e Mëdha. Për rrjedhojë, në të gjitha shkrimet e lart-përmendura nuk ka asnjë “trajtim modern të temës historike”, por kemi thjesht një riciklim të tezave të vjetra anti-shqipëtare, që janë përdorur për qëllimin e copëtimit dhe të zhdukjes së Shtetit dhe popullit shqipëtar.

Një nga tezat qëndrore është ajo e «fajësise» së shqiptarëve si bashkë-punëtorë të forcave pushtuse. Kjo tezë nuk është e panjohur për popullin tonë, për faktin e thjeshtë se për këtë «arsye» edhe në ditët e sotme, një pasuri e madhe (në kohën e genocidit të Zervës, e vlerësuar në 20 deri 30 milion franga ari) (letër e M.Frashërit dërguar MPJ, Tiranë F.142 “Dokumente për Çamërinë”) në monedhë, tokë dhe ndërtesa, pa llogaritur donacionet milionëshe të shqiptarëve për Kishën e tyre Autoqefale ortodokse, akoma shfrytëzohet, jo nga pronarët e ligjshëm, sipas konventave të BE-së, por nga fqinji ynë jugor, anëtar i BE-së. Nuk lejohen të qarkullojnë të lirë banorët autoktonë çamë, e drejtë e aprovuar nga BE-ja dhe mbi të gjitha, mbajtja me kokë-fortësi e «Ligjit të Luftës » (28 tetor 1940) dhe ideollogjisë shoveniste «Vorio-epirote» (ku shqiptarët paraqiten si pushtues të tokave greke) midis dy anëtarëve të të njejtit bllok ndërkomëbetar ushtarak NATO-s, gjë që na bën të mendojmë, se qënja në BE apo organizma ndërkombëtarë, nuk garanton TË DREJTAT E NJERIUT dhe të Shtetit Shqipëtar.
Në shërbim të kësaj teze, autori në mënyrë të përsëritur mundohet të na ndërgjëgjesojë për shkakun e “vërtetë” të genocidit ndaj shqipëtarëve, të popullsive sllavo-ortodokse: «se klasa e pasur shqiptare e lidhur kokë e këmbë me Perandorinë osmane, është fajtore si për cungimin (e trojeve) dhe urrejtjen ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë… sepse këta pashallarë në krye të sanxhaqeve ushtruan dhunë edhe ndaj popullatave sllave, rumune dhe greke» (4)
Njohja me historinë e popujve të Europës dhe ata ballkanik, do ta ndihmonin autorin të mësonte se, fiset aziatike osmane ishin numerikisht të papërfillshëm në krahasim me popujt dhe vendet që pushtuan. Se këta ndoqën të njejtën metodë, si fiset kalorës (Gotet, Burgundet, Franket, Avarët etj.) të para dhjetra shekujve në Europën Veriore dhe Qëndrore, të cilët shfrytëzuan popujt që pushtuan, për “material” njerëzor, ushtarak dhe administrative, duke i vënë në shërbim, apo si skllevër të tyre. Kësaj praktike, nuk i ka shpëtuar as populli ynë i pushtuar. Në fakt, kjo metodë u përdor, pa asnjë ndryshim edhe në shk 19-20 ndaj trevave dhe popullsisë shqipëtare, nga Mbretëritë dhe Shtetet sllavo-ortodokse me ndihmën e paçmueshme të faktorit fetar, islamo-ortodoks.
Dëshmi të vlefshme se si funksiononte administrata turke, na e ka sjellë Edith Durham (e ripohuar edhe nga Faik Konica në botimin «Ju rrëfej grekët»): “Sulltani (çështjen e fesë) ia shiti ofruesit më të lartë (Patriarkanës greke në Stamboll-shën im). Shuma të mëdha qenë paguar (nga grekët) dhe këto nxireshin prej tagra-mbledhësve kishtarë nga turma të mjera, të cilët dridheshin nga këta tagrambledhës më shumë se sa nga Turqia” (7) Shumë dëshmorë të luftës çlirimtare si, Petro Nini Luarasi, por edhe bashkë-luftëtarët besimtarë ortodoksë shqipëtare si Papa Kristo Negovani, i vëllai Papa Theodhosi dhe nipi Vasil Gjergji, At Stath Melani, At Naum Cerja, Jani Vellaraj, Vasil Gjergji etj, janë shprehje e kundërshtimit të këtij bashkëpunimi anti-shqiptar të institucioneve fetare me Perandorinë Osmane. Njohësi i dokumentave arkivore mbi historinë mesjetare të popujve ballkanik, Veis Sejko, duke folur për qëndrimin kolektiv të klasës sunduese të tyre, ndërmjet shëmbujve të tjerë, pohon se: “Paria sërbe historikisht ka qënë në shërbim të të huajit. Nuk është rastësi që krye-kreshniku popullor serb i epikës serbo-kroate, Kraleviç Marku është tradhëtari më i madh i atdheut” (8)
Autori i shkrimeve, nxjerr përfundimin “llogjik” se edhe vendimet e Kongresit të Berlinit janë një rrjedhojë e natyrshme, sepse “ky bashkë-punim me Sulltanin”: «Krijoi një mosbesim të thellë tek fqinjët kristianë ballkanas (por sigurisht edhe tek anëtarët e Kongresit të Berlinit) për shkak se po ata bejlerë e pashallarë shqiptarë që i shërbenin Perandorisë turke deri para humbjes së luftës (ruso-turke shen im) dolën papritur si `anti-turq` por thjesht për të ruajtur privilegjet dhe tokat duke iu servilosur vendeve perëndimore dhe Rusisë» (lidhja) Për rrjedhojë, vendimi i Fuqive të Mëdha “Automatikisht pa dashje, copëtoi tokat shqiptare të cilat identifikoheshin si toka të Perandorisë turke nga Rusia, vendet perëndimore dhe fqinjët ballkanas”. (lidhja). Autori na siguron (gjithmonë pa fakte arkivore apo studimore) se “klasa sunduese shqiptare sundonte edhe popujt e tjerë të krishterë të Ballkanit si `dora e fortë` e Sulltanit”dhe «për popullatat jo shqiptare ballkanike, shqiptarët nuk shiheshin si popullatë e pushtuar, por si popullatë që së bashku më boshnjakët shiheshin si bashkë-pushtues ».(1) Gati-gati të krijohet bindja se sundimi afro 500 vjeçar i popujve të Ballkanit, ka qenë osmano-shqiptar dhe të gjitha këto për faj «të klasës së pasur shqiptare »!
Mirëpo faktet historike, që për fat të keq në tekstet mësimore pasqyrohen shumë të reduktuara apo të seleksionuara, ku mungojnë statistikat e krimeve dhe dëmeve, si dhe i rëshqasin autorsisë së atyre që i kanë kryer, dëshmojnë se “Kongresi i Berlinit (13qershor-13 korrik 1878) u mbajt pikërisht për të harmonizuar, interesat e ortodoksisë dhe katolicizmit, duke e shndëruar Shqipërinë etnike, atë kohë me rreth 114.728 km², në gjah të Rusisë…” (9) Ky fakt mbështetet edhe nga tej-zgjatja kohore, 35 vjeçare qe ju desh Fuqive të Mëdha “të merreshin vesh ndërmjet tyre”, nga kundërshtimi i armatosur shqiptar, si dhe nga emrat dhe arsyet e përfituesve kryesorë të këtyre vendimeve. Përfundimisht, në arenën ndërkombëtare “Çështja shqiptare” u mbyll me Konferencën e Ambasadorëve (dhjetor 1912 – gusht1913) ku Sërbia përsëri “u rrit me 39.000 km² , duke i marrë Shqipërisë 1.290.000 banorë, ose 55% te banorëve të saj. Mali i Zi u rrit me 7.000 km² dhe mori 260.000 banorë, duke dyfishuar popullsinë e vet. Greqia u rrit me 51.300 km², duke marrë edhe 1.624.000 banorë.”(10) Atëhere, përse akuza absurde e “fajësisë” se shqiptarëve, është përdorur në dokumentet historike të shk 19-20 nga ana e fqinjëve të saj, dhe ka nxjerre kryet edhe në shk 21?
Përdorimi i akuzës së fajësisë, në të gjitha kodet penale lidhet me përgjegjësinë, pra edhe me dënimin e fajtorit
Gjithashtu terrmi «fajtor» lidhet me termin «rrezik» për të tjerët, pra justifikon “të drejtën” e tjetrit për «sigurinë e vetes». Të gjitha këto qëndrojnë, në rast se bëhet fjalë për FAKTE TË VËRTETA. Por, sipas një thënie të Çurçillit: “sa të vesh e vërteta pantallonat, gënjeshtra ka bërë xhiron rreth botës” dhe ky është rasti i fqinjëve tanë. Në kohën që u Krijua Lidhja e Prizrenit, si organizëm politik dhe ushtarak për të mbrojtur trevat dhe krijimin e një Shteti shqiptarë, “Gazetat zyrtare shkruajnë se tani Serbia po kërcënohet më shumë se asnjëherë nga Perandoria Osmane (nënkupto shqiptarët). Lidhja qe kanë bërë shqiptarët (e Prizrenit) po trajtohet si një gjë shumë serioze dhe shumë e rrezikshme për serbët”. (11) Për tu mbrojtur nga ky “rrezik” dhe për “sigurinë” e të gjitha vendeve ballkanike “Greqia mori inisjativën e krijimit të një Lidhjeje Ballkanike (18.8.1912 ). Ajo u propozoi qeverive bullgare, serbe e malazeze, themelimin e një aleance katër-palëshe që do të kishte si synim “frenimin e pretendimeve shqipëtare” (12) (nënkupto, kundërshtimin e armatosur të shqiptarëve e udhëhequr nga Lidhja e Prizrenit). Sami Frashëri, në kohën kur Fuqitë e Mëdha trajtonin «Çështjen Shqiptare» (1878-1913), në shkrimet e tij në shtyp, e ngre lart zërin për këtë politikë mashtruese të fqinjëve: “Në telegramet që janë dërguar nga Korfuzi dhe që janë botuar në gazetat e Europës, flitet për të krishterë që qënkan therur (!) nga mysylmanët në rrethet e Janinës dhe sidomos në kazatë e Margëlliçit e të Paramithisë, dhe për zullumet dhe padrejtësitë (!) që qënkan duke u bërë në ato vise. Banorët e kazasë së Margëlliçit janë të gjithë mysylmanë (shqipëtarë-shën im), edhe ajo pakicë të krishterësh që ndodhen në këtë kaza, si dhe të krishterët e kazasë së Paramithisë janë shqipëtarë. Ashtu si në të gjitha viset e tjera të Shqipërisë, edhe këtu myslimanët shkojnë si vëllezër me bashk-atdhetarët e tyre… grekët nuk gjejnë dot mënyrë tjetër për të fituar të drejtën që të marrin këto dy kaza, veçse duke trilluar shpifje të këtilla » (13) Arkivat e shteteve ballkanike, dhe ato të Fuqive të Mëdha, kanë dëshmi të shumta të masakrave masive mbi shqiptarët dhe nuk kanë asnjë dokument për të kundërtën: ”Vetëm në dy prefektura të Shqipërisë (më 1915), të Korçës dhe Gjirokastrës u dogjën 250 fshatra; dhjetra të tjera u plaçkiten dhe mijra shqiptarë u vranë. Në Tobol, Luadh e Cair, “u dogjën të gjallë, në shtëpitë e tyre, dhjetra dhe qindra familjarë; burra, gra, fëmije e pleq…” (14)
Letra e “rrezikut shqiptar” është luajtur gjithmonë në tavolinat ndërkombëtare prej shteteve fqinje, për t’iu paraprirë kërkesave për pushtim edhe në shk.20. Kështu “viktima” greke, ju kërkonte Fuqive të Mëdha ta lejonin ta shtynte kufirin e saj deri “në malet Akrokerune, ne vijen qe kalonte ne distriktin « grek » te Himares dhe qe vazhdonte ne lindje deri ne Liqenin e Ohrit…dhe një shkëmbim të popullsive “greke dhe shqipëtare në kushte humane dhe të barabarta” … (por) si variant më të mirë, sugjeronte krijimin e shtetit federativ greko-shqiptar, si “minimumin e pranueshëm” nga “epirotet” për ruajtjen e paqes në Ballkan” (15)
Miti i “fajësisë” së shqiptarëve, ushqehej jo vetëm nga letërkëmbimi i dipllomacisë sërbe apo greke, por edhe nga institucionet arsimore dhe kulturore të këtyre shteteve. «Më 29 qershor 1945 Akademia e Shkencave greke deklaronte: Populli grek nuk mund të rrijë indiferent kur grekët e Vorio-Epirit vazhdojnë të masakrohen, të asgjësohen nga një popull që është ende në fazën parahistorike të zhvillimit, pa as një literaturë dhe pa asnjë shkencë, ka vetëm një alfabet që e ka marrë hua… ».(16) Siç vërehet, “fajësia” nuk qëndron vetëm tek “masakrat” (asnjëherë të dokumentuara) të kryera nga shqiptarët por edhe sepse janë “një popull i prapambetur…”, që zbulon thelbin e teorisë raciste që qarkulloi në Europën e fund-shekullit 19 dhe u zbatua në shtetin nazist gjerman. Ky “faj”, qe i mjaftueshëm për zhdukjen e një populli, pikërisht një muaj mbas shkatërrimit (maj 1945) të një mekanizmi ushtarak racist, që shfarosi miliona njerëz.
Çdokush që do të kërkonte në materialet që trajtojnë termin “genocid”, “etnocid”, “spastrim etnik”, “racizëm”, “krime kundër njerëzimit”, “shkelje të të drejtave të njeriut” apo kronikat historike që përfaqësojnë këto emërtime, përveç veprimeve çfarosëse të kryera nga shteti serb i Milosheviçit, asnjë emërtim i sipër-përmendur nuk përfshin ndonjë ngjarje të Kombit tonë gjatë shk 19-20. E në fakt, mbi Kombin shqiptar është ushtruar genocid i pandërprerë.
Mjafton të kujtojmë dëbimin masiv të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit dhe rajoni i Toplicës,( 1878-1912), për të parafytyruar këtë genocid kolektiv kundër shqiptarëve në Ballkan. “Serbia, përmes dhunës dhe terrorit të organizuar shtetëror, ushtroi gjenocid dhe spastrim etnik mbi 700 vendbanime dhe mbi 300.000 shqiptarë, të cilët asokohe jetonin në trojet e veta etnike, apo në një hapësirë sa territori aktual i Kosovës. Vetëm në Luginën e Nishit gjatë kësaj periudhe u vranë dhe u masakruan 35.000 shqiptarë. Kjo u arit me përkrahjen morale, politike, diplomatike e ushtarake të Rusisë Cariste e të Evropës. Burimet e kohës flasin për rreth 70.000 shqipëtarë të therur, të vrarë e të pjekur në zjarrin e shtëpive në rreth 600 fshatra shqiptare të rrafshuara me zjarr vetëm më 1877/1878.” (17) Fundi i këtyre masakrave u shënua në Kosovën e vitit 1999. Nuk ka Shtet në Europë, që të ketë mbritur në shk 21 , i rrethuar me bashkë-kombësit e tij (kjo dukuri edhe për shtetin shqipëtar të Kosovës) dhe të jetë tkurur nga ana territoriale në 1/5 e hapsirës së tij natyrale. Nuk ka popull ballkanik, që duke qenë historikisht në numër, më i madhi në rajon, të vijojë të tjetërsohet edhe në ditët tona. (“Në vitin 1844 – Shqipëtarët populli më i madh në Ballkan me 3 900 000 banorë!” www.pashtriku.org)
Në Historinë e Kombit tonë, nuk bëhet fjalë për krime në një periudhë kohore apo për një krahinë të caktuar, por për një veprimtari të pandërprerë dy shekullore, të disa shteteve apo Mbretërive, veçmas dhe në bashkë-punim me njeri-tjetrin, me mbështetjen e Fuqive të Mëdha, Marrëveshjeve politike e veprimeve ushtarake, kundrejt një populli të vetëm. Shqipëtaret kanë dëshmi të shumta të genocidit të të gjitha llojeve, që përfshihen në Konventat e sotme europiane,(18) të ushtruara në vijëmsi gjate dy shekujve mbi Kombin tonë, por nuk kanë DORË t’i shkruajne në gjuhët e tjera, që të njihet e VËRTETA HISTORIKE, e cila është memece për popujt europianë e botuar vetëm në shqip. Shqiptarët nuk kanë ZË t’iu kërkojnë dy shteteve të tyre, që ky genocid dy shekullor, të dënohet zyrtarisht në forumet ndërkombëtare historike dhe politike, dhe të shprehet me shifra, shëmbuj e autorsi, në tekstet shkollore brënda vendit të tyre.
Riciklimi i tezave dhe qëndrimeve shoveniste të shk 19 në epokën e BE-së
Risjellja e “fajësisë” së shqiptarëve të kohës osmane, bëhet për të krijuar lidhjen historike të veprimeve “kriminale” të popullit tonë, me ditët e sotme. Në mungesë të dokumentacioneve, shfrytëzohen “romane horor” që shkruhen edhe nga personalitete europiane, siç ka qenë: Transplantimi i organeve të robërve serbë, krimet e shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës (1998-1999) (Karla del Ponte e Dik Marti) dhe sidomos “goxhda e ndryshkur e Nastradinit”- diskriminimi i minoritetit grek në jug të Shqipërisë. Mbi bazën e kësaj letërsie të lloit racist «Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritar grek që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre.»(19)
Për të treja këto akuza, me gjithë gjyqet, komisionet dhe verifikimet e ndërkombëtarëve, nuk është dëshmuar asnjë fakt.
Përse shk. 21 ka nevojë për këtë lloj letërsie? Sepse, që kur Revolucioni francez përmbysi një mbretëri nga vetë banorët e saj, që kur për drejtimin e vëndit u vendos praktika e zgjedhjeve dhe kur teknollogjia e shtypit dhe masivizimi i shkollimit, e detyruan Rendin e Ri e të plotfuqishmëve të llogariste edhe forcën e masës popullore, u pa e nevojshme të krijohen ”mite” (në kuptimin letrar dhe jo historik) të ndryshme. “Faji” i shqiptarëve është një prej tyre. Qytetarët europianë e më gjerë, konsumues të masmedias dhe deklaratave të papërgjegjshme të disa politikanëve apo funksionarëve, ndikohen nga “fjalët” dhe askush nuk ju dëshmon të kundërtën, në po atë gjuhë dhe me po ato mjete. Shteti ynë mjaftohet me rolin e mik-pritësit të komisioneve hetimore dhe jo të përfaqësuesit të një populli të damkosur, që kërkon përgjegjesinë e prishjes së imazhit në arenën europiane dhe botërore. Për rrjedhojë, viktima (me cytjen e BE-së) ulet e çnderuar përballë kriminelit të papenduar e të pandërgjegjësuar dhe këndohen hymne fetaro-shtetërore, të “bashkjetesës në kohën moderne” dhe kopeshtit të Edenit ballkanik, megjithëse gjaku i “fajtorëve” shqipëtarë, në barkun e nënës, i të rinjve, burrave, grave e të moshuarve, akoma nuk është tharë. Historiani Sheradin Berisha dëshmon se “Gjatë luftës në Kosovë (1998-1999), forcat militare dhe paramilitare serbe kanë vrarë e masakruar në forma më mizore, rreth 15 mijë shqiptarë dhe 90% prej tyre qenë civilë të pa armatosur. Në këtë periudhë kohore janë përdhunuar mijëra femra shqiptare… janë rrembyer mbi 3 mijë shqiptarë dhe pas luftës afër 1000 mijë prej tyre u gjetën nëpër varrezat masive në Serbi (Peruqac, Petrovo Sello dhe Batajnica 1, 2 dhe 3), ndërsa akoma nuk dihet për fatin e 1.800 shqiptarëve të tjerë që konsiderohen si të zhdukur … Edhe pse emrat e kriminelëve që kryen mijëra masakra, janë identifikuar nga njerëzit që mbijetuan, deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e EULEX’it, as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, por as institucionet tjera ndërkombëtares dhe as ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar as më të voglin interesim, për t´i ndjekur e arrestuar këtë mori kriminelësh.” (20)
Figura e shquar e Parlamentit Britanik, Aubrey Herbert (lobimi i të cilit e bëri Shqipërinë anëtare të Lidhjes së Kombeve në dhjetor 1921), që në maj 1913-ës, në Dhomën e Komunave shprehu idenë e kushteve për bashkëjetesë të europianëve: “pas çdo konflikti, stabiliteti i vërtetë vjen vetëm nga arritja e një paqeje të drejtë, dhe se drejtësia kërkon dy gjëra: respektimin e dëshirave themelore të popullit dhe bërjen dhe ekzekutimin e gjykimeve morale për kriminelët dhe viktimat e tyre. (Aubrey Herbert, Mons, Anzac dhe Kut, cd. Edward Melotte, Barnsley 2009). (21)
Shqipëria Natyrale dhe Dosja Çame – fundi i një Miti dhe Pavarësia e vërtetë e Shqipëtarëve
Në shkrimet e sipër-përmendura, Piro Prifti nuk lë pa analizuar edhe “fajet” e shk 21 të “klasës drejtuese shqiptare”. Sipas autorit, përveç fobisë që ajo ka ndaj fqinjëve dhe luftës ndaj ortodoksisë shqiptare, sot kërkon Shqipërinë natyrale: «në kohën që duhet të integrohemi dhe të marrim statusin e shtetit-kandidat ri-fillojnë avazin e politikave të harruara të Pashallarëve të dikurshëm nën shërbimin e Perandorisë Osmane për Shqipërinë etnike?»(3)
Për hir të së vërtetës, “klasa drejtuese” shqiptare, nuk e ka në planet dhe as në dëshirën e saj çështjen e Shqipërisë natyrale. Këtë e dëshmoi qartazi Kryeministri ynë, në vizitën e tij në Mal të Zi para një viti (25.01.2012), ku u shpreh se “zërat e ekstremistëve, ngjajnë me klithma të një të shkuare që nuk e do më askush” (22)
Por me qënëse jemi në vitin elektoral, mund të dëgjohen edhe fjalë apo premtime, që shumë shpejt, mbas ditës së votimit “do të thahen si vesa nën diell”.
Po kështu, të parët që e luftuan ortodoksinë shqiptare dhe shkatëruan çdo objekt fetar shqiptar (përpara regjimit enverian si kohë) qenë fqinjët tanë sllavo-ortodoks. Më 22.11.1940 kur grekët pushtuan Korçën “u vërtetua një veprim sistematik dhe i qëllimshëm i shkatërimit të kishave dhe të xhamive të shqiptarëve në zonat ku u fut ushtria greke. (AUSSMEI relacion i komandës së korparmatës IV për Zyrën Informative të Armatës XI mbi dëmet e shkaktuara nga ushtria greke për tempujt e kultit fetar në Korçë më 30.06.1941) (23) Cili ishte “faji” i objekteve të kultit? Vetëm se ishin të shqiptarëve dhe ju shërbenin atyre.
Përse shqiptarët kërkojnë Shqipërinë Natyrale?
Shqiptarët historikisht kanë qenë paqe-dashës dhe nuk kanë patur shprehje raciste ndaj popullsive të tjera, brënda dhe jashtë kufijve të tyre shtetëror. Këtë e kanë dëshmuar edhe të huajt: “«Sllavët, thotë një gazetë shqiptare, janë një popull trim; ata mund të kenë shumë cilësi të mira. Shkaku është diçka tjetër. Urrejtja jonë nuk shtrihet në individë, as në grupe nacionale, por tek shpirti i agresionit, në fanatizmin fetar dhe dredhive të ulta politike, të njohura me emrin e Pan’Sllavizmit » (24)
Burimi i kërkesës së shqiptarëve, mbështetet tek fakti historik, se në Kuvëndin e Vlorës më 28 Nëntor 1912, Shqipëria Natyrale u shpall me vullnetin e të gjithë krahinave, por në mbledhjen e ambasadorëve në Londër në vitet 1912-1913, u trajtua si kërkesë e një populli kolonial.
Në Francën mesjetare, mbreti dhe fisnikëria, duke u mbështetur në idenë e kohës së Jul Qezarit, e quante popullin (dmth galët) skllevër dhe veten, francezë sundimtarë. Frankët, si pushtues gjermanikë (më sakt, pasardhës të luftëtarëve “të lirë” që kishin pushtuar Galinë në shk V) pretendonin se kishin fituar të drejtën e tyre për të mbretëruar. Galët, që e kishin humbur lirinë e tyre, nuk kishin të drejtën e vetëvendosjes. Rrënjët e kësaj ideje vinin prej një tradite të përpunuar në Mesjetë, që e justifikonte skllavërinë, me anën e një sërë metodash intelektuale, që e katandisnin popullsinë në një gjendje të mjerueshme jetësore, që trashëgohej brez pas brezi. Në shk e XVIII, Revolucioni francez ndryshoi rrënjësisht këndvështrimin e së kaluarës (25) dhe lindi idea e: “Lirisë-Barazisë-Vëllazërisë!” që e gjejmë të mishëruar në Projektin e BE-së, për ardhmërinë e popujve europian. Por si mund të triumfojë kjo ide në Ballkan, kur shqipëtarët e shk. 21 jetojnë në vendet fqinjë në kushtet e galëve mesjetarë? Si mundet politikanët europianë, të bëjnë thirrje “bashkjetese” në shtete, ku ata trajtohen si popull i skllavëruar dhe jetojnë në kushtet e mohimit të të drejtave elementare të njeriut dhe të kërcënuar vazhdimisht në ekzistencën e tyre?
Për shqiptarët-galë të Maqedonisë: “që prej vitit 1991 deri më sot, nuk është bërë asnjë investim ekonomik nga ana e shtetit… Tetova me dy universitete, duket si një qytet i shkretë. Pa ujë të pijshëm, pa bibliotekë, pa teatër, pa objekt për organizimin e panaireve, pa librari bashkëkohore, pa sallë sportive… Prej vitit 1991 deri më sot, të gjitha investimet ekonomike janë bërë në Shkup dhe në pjesën juglindore të Maqedonisë. Në periudhën 2006-2012, qytetet shqiptare në Maqedoni, në aspektin ekonomik u shndërruan në geto. Çdo ditë në Shkup bëhen ndërtime nga më të ndryshmet. Shqiptarët ndërkaq duhet të kënaqen me betonin që shtrohet buzë ndonjë rrugë dhe me asfaltimin e gropave. (26) Shqiptarët-galë, trajtohen me të njejtën psikollogji mesjetare edhe në Mal të Zi, Serbi, Greqi dhe hije të kësaj ideollogjije për problemin e Mitrovicës, shprehen edhe në Shtetin shqiptar të Kosovës.
Kongresmeni Joseph J. DioGuardi, me 25 Korrik 2008 në Kongresin e ShBA pohon se: “Është ironike që plani i Ahtisaarit u jep serbëve në Kosovë të drejtat më të mira të minoriteteve si askujt tjetër në Evropë, për gjerësa ende kemi shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Mal të Zi që jetojnë nën kushte të aparteidit edhe sot” (27)
Popullsia e shteteve fqinj, ushqehet psikollogjikisht në shkolla, media dhe shpesh nga personalitetet shtetërore, me ndjenjën e agresionit racist ndaj shqiptarëve autoktonë, fakte të ndodhura në vënde anëtare dhe pretendente për tu anëtarsuar në BE.
Europianët që e kanë kaluar këtë përvojë në kurrizin e tyre, nuk e kanë të vështirë të pranojnë, se zgjidhja më reale për Ballkanin është pikërisht vendosja e popullsisë së Kombit shqiptar, në kushte të barabarta me popujt e tjerë ballkanikë dhe europianë. Pra, t’iu jepet e drejta e vetë-vendosjes dhe e drejta e shfrytëzimit të trevave të tyre autoktone. Shqipëria Natyrale dhe zgjidhja e Pproblemit Çam, do t’iu jap fund riciklimit të MITEVE raciste të shk 19-20 të shteteve fqinjë, por edhe në masmedian shqipfolëse dhe do të kurorëzojë Pavarsinë e vërtetë te Kombit tonë. Ky veprim, do të sjellë frymën europiane të Revolucionit francez në Ballkan, që shënoi epokën moderne të shoqërisë njerëzore, e mëshiruar në projektin e BE-së për bashkjetesën paqësore.

Fatbardha Demi – 26. 01. 2013

______________________

Bibliografia:

1- www.zemrashqiptare.net/…/Pirro_Prifti:_Lidhja_e… -12.06.2012
2- www.forumishqiptar.com/…/144978-Rrën… – 29 Gusht 2012
3- www.revistadrini.com/…/pirro-prifti-censusi-–nje 10/12/2012
4- Gazeta «sot » online 2012-12-29).
5- “Populli dhe kombi grek, një popull dhe një komb shovinist në qëndrimin ndaj kombit shqiptar”Prof Dr Eshref Ymeri 17.12.20012
6- Marco Travaglio f.229 “La scomparsa dei fatti” v.2006
7- Edith Durham f.46 « Brenga e Ballkanasve» v.2000
8- Veis Sejko f.173 «Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptaro-arbëreshe dhe serbokroate» v.2002
9- Nuri Dragoi f150-51, “Shqipëria dhe Greqia” 2009
10- f 182 po aty
11- Sami Frasheri f198 (”Shënime politike” 2.09.1878) Vepra I, Tiranë 1989
12- Beqir Meta f13, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
13- Sami Frashëri (gaz “Terxhuman Shark” 7.08.1878) f192Vepra I,Tiranë,1989
14- Nuri Dragoi f 192 , “Shqiperia dhe Greqia” 2009
15- Beqir Meta f101“Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)” shtepija botuese GEER , Tirane 2002
16- Arben Puto “Lufta italo-greke” f 255 Botimet Toena, Tiranë 2011
17- Serbia theri 70.000 shqiptarë dhe dogji 600 fshatra shqiptare …shekulli.com.al/web/p.php?id=13817&kat=87
18- Kapitulli i 2-te i Konventes per parandalimin dhe ndeshkimin e krimit te genocidit nga ansambleja e pergjitheshme e BE-se me 9.12.1948 (-↑ Convention pour la prévention et la répression du crime de génocide [archive], approuvée et soumise à la signature et à la ratification ou à l’adhésion par l’Assemblée générale dans sa résolution 260 A (III) du 9 décembre 1948, entrée en vigueur le 12 janvier 1951, conformément aux dispositions de l’article XIII) dhe e ripohuar ne Kapitullin e 6-te Statutit te Romes me 17.7.1998 qe eshte Kapitull baze, per Gjukaten Penale Nderkombetare (Statut de Rome sur le site de l’ONU[PDF] [archive]. Wikipedia génocide)
19- «Greqia në sulm për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria në mbrojtje të vetvetes së saj» Arben LLALLA 16.11.2012 gaz «Tirana observer»
20- www.Pashtriku.org 20. 01. 2013
21- Aubrey Herbert në Dhomën e Komuneve në maj 1913 – Noel Malcolm 20. 01. 2013 «Nacional»
22- Berisha në Mal të Zi: Ata që kërkojnë bashkimin e trojeve shqiptare, ekstremistë, 25.01. 2012 TemA Online
23- Beqir Meta f51, “Tensioni greko-shqipëtar(1939 – 1949)”
shtepija botuese GEER , Tirane 2002
24- Edith Durham f72, « Brenga e ballkanasve » v.2000
25- Patrick J. Geary f34-35 “Il mito delle nazioni” Carocci, 2002
26- xhelalzejneli.com/ceshtja-shqiptare-ne-maqedoni ,18.9.2012
27- Ky artikull është bazuar në ligjërimin e autorit (i cili ishte ligjërimi kryesor i konferences) në Washington, DC, më 14 Korrik në konferencën mbi të ardhmen e Shqiptarëve në Ballkan, e cila ishte organizuar nga divizioni për intelegjencë të jashtme të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve dhe Agjencisë Qëndrore të Intelegjencës (CIA). Joseph J. DioGuardi 25 Korrik 2008, Çështja Shqiptare në Kongresin e SHBA « Albanian American Civic … blog.aacl.com/ceshtja-shqiptare-ne-kongresin-e-sh…)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura