Shqiponjat e Tërbaçit dhe Grupi i Pilurit nderojnë Heronjtë e Topanasë, në Vlorë
Nga Msc. Albert HABAZAJ
drejtues artistik i Ansamblit të Vajzave të Tërbaçit “10 Shqiponjat e Tërbaçit”
Një veprimtari e veçantë, shumë domethënëse dhe me simbolikën e dinjitetit të stafetës së kujtimit në breza, në kohë dhe hapësirë për dëshmorët e lirisë së Atdheut u zhvillua në qytetin e Vlorës, ku 18 tetori i vitit 2022 u quajt Dita e 4 Heronjve të Topanasë. Shumë emocionues ishte nderimi nga “Shqiponjat e Tërbaçit” me këngën “Trima të radhës së parë: 4 Heronjve të Topanasë: Hajredin Bylysh Tërbaçi, Mumin Selam Kallarati, Bajram Tushi Vërmiku dhe Hiqmet Buzi Tepelena 15 vjeçar në veprimtarinë përkujtimore me rastin e 80 vjetorit të rënies, ku artistet popullore intrepretuan me aq hijeshi në skenën e teatrit “Petro Marko” Vlorë.
Shumë simbolike qe kënga e dytë: “Shaminë e zezë e preva shqiponjë“, kur Grupit tonë iu bashkua krejt natyrshëm dhe aq bukur grupi i njohur i Pilurit me drejtues artistik poetin, studiuesin dhe folkloristin Kristo Çipa “Mjeshër i Madh”. Po paraqesim për lexuesit tanë të dashur dy tekstet e kënduara.
Kënga e parë:
TRIMA TË RADHËS SË PARË
4 Heronjve të Topanasë
Teksti Albert Habazaj
Këndon Grupi i Vajzave “Shqiponjat e Tërbaçit“
Marrëse Evgjeni Habili Seferaj
Kthyese Shpresa Kapo Çelaj
Hedhëse Vito Shiroku Veraj
Iso: Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj
U vijmë në tetëdhjet’ vjetor
Me këngë e zemër në dorë.
Kemi ardhë se na kanë ardhë
Trimat e radhës së parë
Hajredin Bylysh Tërbaçi
I pari dëshmor i fshatit.
Mumin Selami Kallarati
Në liri e shkroi fatin.
Bajram Tushi i Vërmikut
Dragua ballë rrezikut.
I Tepelenas Hiqmeti
I vogël, po ballë tërmeti.
Të katër zjarr e furtunë
Mbi fashistë e mbi spiunë.
Se Heronjtë e Topanasë
Tek yjet gjejnë përmasë.
Ata vadisin përditë
Eshtrat e lirisë me dritë.
Kënga e dytë:
UNË SHAMINË E ZEZË E PREVA SHQIPONJË
Epiko – lirike
Kënduar nga grupi “Shqiponjat e Tërbaçit”dhe Grupi “Bejka e Bardhë” i Pilurit
Teksti Kujtim Mici
Marrëse Shpresa Kapo Çelaj (Tërbaç)
Kthyes Dhimitraq Bala (Pilur)
Hedhëse Vito Shiroku Veraj (Tërbaç)
Në iso: Liljana Rrapi Kapo, Meme Ribaj Habazaj, Evgjeni Habil Seferaj, Flutura Nanaj, Lavdie Goxho Xhakaj, Hava Çelaj Muçaj (nga Tërbaçi); si dhe Polikseni Mërkuri, Leni Mërkuri, Valentina Gërdhuqi, Foto Leka, Agron Kreku, Petraq Gërdhuqi dhe Kristo Çipa “Mjeshtër i Madh”(nga Piluri).
Pushkën gjyshi yt-ë
birit ja kish lënë
tyja ta la baba
hasmit për t’i rënë.
Dyfekun pas supit
dhe yllin në ballë
mezin se ç’e mbushe
bomba dhe gjerdanë.
I the Shqipërisë
“Nënë do të ruaj
se jam bir shqiponje
gjak nga gjaku juaj”.
Natën ti e zbardhe
Me flakë të dyfekut,
Bora të qe bërë
E motr’ e dyshekut.
Eshka kur të lagej
borës pas armikut
cigaren e ndezje
në grykë të belçikut.
Nga armë e armikut
një copë metali
rrugën se ç’ta preu
xhan, o djalë mali!
Ti grise këmishën
e ngjeve në gjak-ë
ma dërgove nënës
ta qëndis bajrak-ë…
Unë shaminë e zezë
e preva shqiponjë,
ia qepa flamurit
shokëve t’ua dërgojë.
Në skenën e Teatrit “Petro Marko” Vlorë, 18.10.2022