(Wien, 31. 01. 2013) – Studim mbi lidhjen pellazgo-iliro-shqiptare mbështetur tek të dhënat gjuhësore – Studimi trajton temën e lidhjes pellazgo-iliro-shqiptare, e cila ka tërhequr shpesh vëmendjen dhe interesin e publikut shqiptar vitet e fundit. E reja që sjell ky studim qëndron në trajtimin e kësaj teme nga këndvështrimi gjuhësor, duke u mbështetur tek një numër i madh studimesh të gjuhëtarëve dhe historianëve të huaj, si Thumser, Pauli, Norden, Busolt, Brandenstein, Krahe, Pokorny, Georgiev, Kretschmer, Hesselmeyer, Lochner-Hüttenbach etj., prej të cilave janë nxjerrë fakte deri tani të panjohura për publikun shqiptar.
Pothuaj të gjithë studiuesit e huaj kanë pranuar, që territoret në të cilat banojnë sot grekët kanë qëne fillimisht të banuara nga popullsi të tjera të ndryshme etnikisht prej grekëve, për emërimin e të cilave është përdorur më shpesh emri Pellazgë dhe që grekët kanë ardhur shumë herë më vonë në këto vise. Për të mbështetur dhe provuar këtë përfundim ata sjellin fakte të ndryshme dhe të shumta gjuhësore, historike, arkeologjike, të cilat do t´i gjeni në studim.
Para së gjithash gjuhëtarët i mbështesin këto përfundime në analizën gjuhësore të emërtimeve gjeografike të antikitetit, të shpërndara në të gjithë territorin e Greqisë, në ishujt e Egjeut dhe në Azinë e Vogël, të cilat janë përcaktuar si emërtime që i përkasin gjuhës së popullsisë së lashtë paragreke, pellazge, pasi ato nuk mund të shpjegohen dot me anë të ligjeve gjuhësore të gjuhës greke. Numri i tyre është kaq i madh, thotë Kretschmer, saqë emërtimet greke pothuaj humbasin në këtë mori.
Emërtimet gjeografike, emrat e lumenjve, të maleve, të vendbanimeve si dhe emrat e fiseve kanë një rëndësi të veҫantë për studimet gjuhësore, pasi ato arrijnë të mbijetojnë mijëravjeҫarët dhe mbeten në përdorim edhe sikur popullsia e një vendi të ndryshohet disa herë duke u bërë kështu dëshmi e gjuhës dhe etnicitetit të popujve që kanë jetuar në treva të caktuar në një periudhë të caktuar të historisë.
Studiuesit e huaj kanë pranuar gjithashtu që shumë prej këtyre emërtimeve, që i përkasin periudhës paragreke shfaqen përsëri në territoret e banuara nga fiset ilire në Ballkan dhe në Gadishullin Apenin, Itali, si dhe në vise të ndryshme të kontinetit Europian. Për këtë arsye ato janë përcaktuar prej tyre si emërtime ilire. Në këtë mënyrë është vendosur lidhja midis pellazgjishtes dhe ilirishtes. Në studim do të gjeni një numër të madh shembujsh të këtyre emërtimeve, që mbështesin përfundimet e nxjerra nga studiues të ndryshëm.
Nga analiza gjuhësore e këtyre emërtimeve, gjuhëtarët kanë arritur në përfundimin që në një periudhë të hershme të historisë vendbanimet e fiseve ilire kanë qënë të shtrira në hapësira shumë të gjera të kontinetit Europian, duke filluar nga Azia e Vogël, ishujt e Egjeut dhe në të gjithë Greqinë, duke vazhduar në të gjithë Ballkanin, në pjesë të gjera të Gadishullit Apenin, Itali, Gjermani, Zvicër, Austri, Poloni deri në Detin Baltik në Verilindje, në jugperëndim nga Franca deri në Gadishullin Iberik, Spanjë, Portugali, dhe në veri deri në ishullin Britanik, Angli.
Një hapësirë me përmasa imponuese, thotë Krahe.
Studiuesit e huaj kanë pranuar gjithashtu që kjo popullsi e lashtë paragreke, zotëronte një kulturë shumë të lartë dhe grekët e ardhur do ta merrnin kulturën pikërisht prej kësaj popullsie. Sipas tyre pothuaj të GJITHË EMRAT E HYJNIVE TË MITOLOGJISË SË LASHTË DHE TË HERONJVE TË POEMAVE HOMERIKE nuk janë emra grekë, por i përkasin gjuhës së popullsisë pellazge, që banonte në ato territore në të cilat do të vinin më vonë grekët.
Në studim trajtohet edhe tema e ngjashmërisë që tregojnë disa fjalë të gjermanishtes me fjalët e shqipes së sotme dhe është trajtuar sfondi historik që ka ҫuar në këto ngjashmëri. Fakti që fiset ilire kanë qënë në kohët e hershme banorë të Gjermanisë, Austrisë, Zvicrës dhe i shtrinin vendbanimet e tyre deri në detin Baltik, mbështet tezën e afërisë së disa fjalëve të të dy gjuhëve, të cilat do të kenë mbetur në gjermanisht nga kjo kohë e hershme e historisë. Kjo tezë përforcon njëkohësisht edhe lidhjen pellazgo-iliro-shqip. Në studim do të gjeni një listë të fjalëve të të dy gjuhëve, që shfaqin ngjashmëri.
Ky studim është një përpjekje për t´i sjellë publikut shqiptar mendimin e studiuesve të ndryshëm të huaj mbi këtë temë, për të pasuruar njohuritë e tij në këtë fushë, për t´i përcjellë atij fakte të ndryshme, të cilat kanë mbetur deri tani të panjohura për botën shqiptare. Libri është shkruar me një stil të thjeshtë, që të mund të jetë i kuptueshëm për masën e gjerë të lexuesve që kanë interes të dinë më tepër për historinë tonë të lashtë të lënë në heshtje.
Librin mund ta gjeni në shitje tek libraria „Adrioni“, Pallati i Kulturës, Tiranë.