Gjakovë, 04. 02. 2013 – (Letër e hapur për Presidenten Jahjaga, nga “Thirrjet e Nënave” – Gjakovë.) – E respektuar zonja Presidente, ju lutemi ta pranoni e ta lexoni këtë letër që ne, anëtaret e shoqatës “Thirrjet e nënave” po ndihemi të detyruara t’jua shkruajmë, për t’ju kërkuar të mos pranoni takim me presidentin e Serbisë, antishqiptarin Nikoliq, për të bërë edhe një herë të qartë atë që e di gjithë bota.
Zonja Presidente,
shtypi na ka informuar se ju do të takoheni me presidentin e Serbisë, Tomisllav Nikoliq, përfaqësues dhe pjesëmarrës i regjimit të tmerrshëm që na ka shkaktuar fatkeqësitë më të mëdha, humbjet pa gjurmë të të afërmve tanë. Ju jeni vetë grua, jeni një nënë e ardhshme dhe ne nuk jua urojmë kurrë të provoni asnjë të njëmijtën e kësaj që po përjetojmë ne. Por i bëjmë thirrje ndjeshmërisë suaj, dhe përgjegjësisë suaj ndaj çështjes së nënave që ende nuk e dinë se ku i kanë bijtë e tyre, të rrëmbyer prej regjimit të antishqiptarëve si Millosheviqi, Nikoliqi apo Daçiqi.
Ende nuk është vënë drejtësi për krimet në Kosovë. Ju e dini mirë se mijëra gra janë dhunuar prej paramilitarëve dhe ushtarëve pushtues të ndikuar nga ideologjia fashiste e raciste e vetë Nikolliqit. Refuzojeni këtë takim zonja Presidente, sepse nuk është në nderin e një gruaje, në nderin e një përfaqësuesje dhe kryetareje të Kosovës që të takohet me një kriminel që para 15 vjetësh mbronte publikisht tezën e shfarosjes së shqiptarëve përmes virusit të SIDA-s.
Kthejini sytë nga populli juaj, zonja Presidente, kthejini sytë nga problemi jonë që s’po gjen zgjidhje, dhe kërkojini fuqive ndërkombëtare që të na ndihmojnë për të gjetur drejtësi. Pa u kthyer të pagjeturit që janë familjarët tanë, bijtë e bijat tona, nuk do të shërohen kurrë traumat e kësaj shoqërie. Ne nuk jemi kundër marrëdhënieve fqinjësore me të gjitha shtetet, po nuk mund të ketë marrëdhënie të shëndosha kur këto shtete vazhdojnë të mos na njohin qenien tonë, kur nuk i pranojnë krimet pasojat e të cilave ende i vuan i gjithë populli, dhe mbi të gjitha, kur zgjedhin në krye njerëz si Daçiqi dhe Nikoliqi, dy fashistë nga më të këqijtë.
Është në nderin dhe përgjegjësinë tuaj të mos e takoni Nikolliqin dhe të bëni të ditur edhe arsyet pse. Ne kemi besim tek ju, te fuqia dhe ndjeshmëria juaj si grua. Dëgjojeni thirrjen e nënave shqiptare, siç do të dëgjoje thirrjen e nënës tënde.
Me respekt!
Nusrete Kumnova
“Thirrjet e Nënave” – Gjakovë
Kontakti – [email protected]
…………………………………………..