KRESHNIK AHMETI: ARSIMI PA PAGESË ËSHTË I MUNDUR!

Prishtinë, 09. 05. 2013 – Në artikullin e gazetës “Tribuna” (f.9), të datës 07.05.2013, ku flitej për pagesën e padrejtë të semestrit me të cilën ngarkohen studentët, rektori i Universitetit të Prishtinës kishte deklaruar se “Askund në botë nuk besoj që ka universitet, që e ka çmimin e studimeve më të ulët se UP-ja me 50 euro për semestër” dhe “…për t’u ofruar mësim cilësor, sigurisht se ne kemi nevojë që semestri të rritet. Por, nuk kemi aso kërkesa që ta rrisim semestrin e studentëve, por edhe për ta zvogëluar nuk jemi të gatshëm.” Edhepse një deklaratë prej dy rreshtave, janë tri momente të cilat i prekë rektori, e të cilat tregojnë për qasjen që regjimi ka ndaj arsimit në përgjithësi, në Republikën e Kosovës.
Së pari, rektori nuk beson që diku në botë ka Universitet me pagesë më të ulët për studentët se sa UP-ja. Problemi i parë këtu është që rektori mendimet i bazon në besimet e tij, e jo në njohuri. Unë dua t’i tregoj rektorit se ka vende të cilat nuk kanë pagesë të semestrit, e vetëm disa nga ato janë:
1) Gjermania – e cila ofron arsimim pa pagesë dhe deri në vitin 2005 ofronte arsimim pa pagesë edhe për studentët e huaj që shkonin për të studiuar atje,
2) Skocia, e cila ofron arsimim pa pagesë për studentët e saj. Nëse këta studentë vazhdojnë studimet në Angli, atëherë shteti atyre ua paguan shpenzimet e arsimit,
3) Uellsi – njëlloj sikurse Skocia ofron arsimim pa pagesë për studentët e saj dhe nëse ata vazhdojnë studimet në Angli, shteti ua paguan shpenzimet e arsimit,
4) Finlanda – ku studentët mund të ndjekin arsimin e lartë pa pagesë, dhe jo vetëm ata që janë shtetas të Finlandës po gjithë studentët e BE-së.

Prof.Dr. Ibrahim Gashi, Rektori i UP-s.

Deri në vitin 2010, secili studentë, edhe ata të huaj të cilët nuk vinin nga vendet e BE-së, e kishin të drejtën për arsim pa pasur nevojë për pagesë. Pra, rektori duhet të ngritet nga niveli i besimit dhe të fillojë hulumtimin e ta njoh botën rreth tij.
Momenti i dytë në deklaratën e rektorit, tregon se si i sheh ai studentët dhe Universitetin e Prishtinës. Rektori tregoi se ngritja e pagesës së semestrit është vetëm një “kërkesë” larg, përderisa heqja e kësaj pagesë nuk vjen në shprehje. Studentët janë shndërruar në klientë në UP dhe në Universitetet e tjera që po hapen nëpër Kosovë. Kjo u pa edhe në vitin 2010 kur rektori Mujë Rugova tentoi ta ngrisë pagesën e semestrit në 95 euro. Për këtë reagoi Lëvizja Studentore për Barazi STUDIM KRITIKË VEPRIM me aksione direkte dhe protesta, të cilat bënë që administratorët e UP-së të tërhiqeshin. Gjithmonë thuhet se UP-ja ka nevojë për buxhet dhe nuk mund të funksionojë pa pagesën e semestrit. Por, nga kjo pagesë Universiteti fiton vetëm 8.3 milion euro për buxhetin e tij, një shumë e cila do të mund të mbulohej nga shteti pa kurrfarë problemi. Por, duke qenë pjesë e pushtetit, ish zv. ministri Ibrahim Gashi nuk është i interesuar që të vihet përballë Qeverisë, por vihet përkrah saj e përballë studentëve.
Çështja e tretë e cila ngritet nga ana e rektorit është ideja se nuk mund të ketë arsim kualitativ pa pagesë të semestrit nga ana e studentëve. Besoj që tash e 14 vite është vërtetuar e kundërta. Sot, e kemi nivelin më të ulët të cilësisë së arsimit që kemi pasur ndonjëherë që prej se është themeluar UP-ja. Edhe në kohën e represionit serb të viteve ’90-të, kemi pasur arsim më cilësor se sa sot. Dhe sot kjo ndodhë për shkak se institucionet e arsimit tek ne janë konceptuar si gjeneruese të profitit dhe rehabilituese të militantëve të pushtetit, të cilët mbeten pa pushtet në Qeveri. Për të kthyer cilësinë e arsimit në Universitetin e Prishtinës dhe për ta larguar pagesën e semestrit, ju ftoj që ta konsultoni vetëm pikën 9 të programin studentor të SKV-së, e cila e parasheh: funksionalizimin e instituteve në të gjitha fakultetet, të cilat do të ndihmonin në ngritjen e përvojës së studentëve dhe në ngritjen e fondeve për fakultetet përkatëse. Për realizimin e këtij projekti, që jo vetëm se do ta ndryshonte konceptin e arsimit në Kosovë, por edhe do ta pavarësonte Universitetin nga fondet shtetërore, duhet vetëm një investim nga ana e shtetit dhe pastaj Universiteti do të mund të funksionojë në këmbët e veta.
Nuk mund të kalohet ky artikull pa u vërejtur edhe deklarata e senatorit të UP-së, Adnan Thaçi. Ai, edhe pse e pranon se gjendja ekonomike në Kosovë është e rëndë, thotë se duhet të bëhet pagesa e semestrit sepse Universiteti nuk paska buxhet të mjaftueshëm. Por, ai duhet t’ia përkujtojë vetes se studentët nuk janë aty për të mbushur buxhetin e UP-së, ata janë aty për të studiuar. Pastaj ai shprehë pajtimin e tij me faktin që një kategori e studentëve duhet të lirohet nga pagesa, dhe ky pajtim nga ana e tij bëhet shumë i arsyeshëm kur të kujtojmë se anëtarët e kaluar të Parlamentit Studentor, që të gjithë, janë liruar nga pagesa e semestrit.
Këtij regjimit i mungon vullneti për t’i krijuar mundësitë dhe kushtet që të gjithë të rinjtë të studiojnë, sikurse që i mungon vullneti që të rinjëve të cilët i kanë mundësitë për studime, t’u krijohen kushtet për të studiuar. Universiteti Publik i Prishtinës do të duhej të bënte presion në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës për rritje të fondeve të tij dhe për rritjen e investimeve në të, e jo që buxhetin e tij ta mbushë nga studentët. Shembujt dhe modalitetet ekzistojnë, por mungon vullneti sepse në këtë mënyrë iu cenohet interesi si studentëve të Rektoratit, po ashtu edhe vet Rektorit.
– Autori është Student në Fakultetin e Ekonomisë – UP dhe Aktivist në Lëvizjen Studentore për Barazi SKV.

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura