SI U HAP SHKOLLA E PARË SHQIPE NË TETOVË NË QERSHOR 1941
Nga Ismail ARSLLANI, Tetovë – 4 mars 2023
Shkolla e parë shqipe në Tetovë u hap në qershor të vitit 1941, me mbajtjen e kurseve intensive nga mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani, ndërkaq viti i parë shkollor filloi më 1 shtator 1941.
– Kush e solli Abetaren e parë në gjuhën shqipe nga Shqipëria në Tetovë.
–Në shkollat e para në gjuhën shqipe në Tetovë dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të cilëve 30 nëpër fshatra, kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000 nxënës të fillores, në 22 paralele. Janë këto të dhëna që i ka prezantuar z. Abedin Qafjani, tashmë i ndjerë, funksionar i dikurshëm shumëvjeçar për Çështje të Arsimit në Tetovë.
Në periudhën mes dy Luftërave Botërore, interesimi për gjuhën, shkollën dhe kulturën shqiptare në trevën e Tetovës ka qenë vazhdimisht i pranishëm, sidomos mes viteve 1935-40, kur një grusht intelektualësh dhe arsimdashësish shqiptarë ishin angazhuar edhe konkretisht në këtë rrafsh. Me një sërë aktivitetesh, madje edhe me sakrifica personale, për aplikimin e gjuhës shqipe nëpër shkollat e këtushme, veçmas janë dalluar Selim Shehabi (themelues dhe kryetar i organizatës ilegale “Besa”), Ismail Xhaferi – Terziu, themelues dhe anëtar i “Besës”, nga dyqani i të cilit u hoq me dhunë nga një shovinist flamuri shqiptar, më 22 dhjetor 1968, kur në shenjë revolti shpërthyen demonstratat në Tetovë), Hysein Xhaferi (themelues dhe anëtar i “Besës”, babai i Arbën Xhaferit, ish-kryetar i PDSH-së), Idris Ibrahimi – Cërcëri e disa të tjerë, ka deklaruar shumë vite më parë, në një bisedë me autorin, z. Abedin Qafjani, tashmë i ndjerë, funksionar i dikurshëm shumëvjeçar për Çështje të Arsimit në Tetovë (në kllapa janë vërejtjet e autorit).
ABETAREN E PARË NGA SHQIPËRIA E SOLLI SELIM SHEHABI
Në radhë të parë, duhet veçuar veprimtaria patriotike e intelektualit shqiptar Selim Shehabi (filozof), i cili solli për herë të parë nga Shqipëria, Abetaren e parë në gjuhën shqipe në Tetovë, që u shënua si një ngjarje e madhe arsimore, në vigjilje të hapjes së shkollave të para shqipe, si dhe solli edhe disa tekste të tjera, me qëllim të përhapjes së librit shqip, të shkrimit dhe të leximit në gjuhën amtare. Në këtë aspekt ka kontribuar shumë edhe Konsulli i Shqipërisë në Shkup, i cili, po ashtu, ka bërë të mundur futjen e librave shqip në këto treva, ka vërë në pah, z. Qafjani.
Shkolla e parë shqipe në Tetovë është hapur në verë të vitit 1941, gjatë muajve qershor-gusht, kur janë organizuar disa kurse speciale për parapërgatitjen e nxënësve për fillimin e vitit të parë shkollor në gjuhën shqipe në Tetovë. Në këto kurse, sidomos punohej në aftësimin e nxënësve në fushën e gjuhës amtare. Për këto kurse ishin caktuar mësuesit Mithat Cami nga Dibra dhe Vasil Dhimitriu nga Elbasani.
SHKOLLA E PARË MORI EMRIN “SKENDERBEU” MË 1 SHTATOR 1941
Më 1 shtator të vitit 1941 do të shënohet një ngjarje me rëndësi historike në fushën e arsimit shqip në Tetovë, pasi që pikërisht në atë ditë, për herë të parë, do të fillojë viti i parë shkollor me mësim në gjuhën shqipe. Për sigurimin e kuadrove arsimore në këto shkolla, me vendosjen e administratës së Shtetit Shqiptar edhe në këto troje, Ministria e Arsimit e Shqipërisë do të emërojë një numër të madh mësuesish të dalluar e me përvojë nga Shqipëria, kryesisht normalistë të Elbasanit, që të punojnë në trevën e Tetovës e më gjerë. Në shkollat e para në gjuhën shqipe në Tetovë dhe rrethinë u angazhuan nja 50 mësues nga Shqipëria, prej të cilëve 30 nëpër fshatra, kurse 20 të tjerë në qytet, ku u përfshinë më se 1.000 nxënës të fillores, të ndarë në 22 paralele, ka theksuar, z. Qafjani.
Ai ka shtuar se procesi i mësimit zhvillohej në disa objekte të qytetit, si në atë “Skënderbeu” (pas Luftës së Dytë Botërore mori emrin “M.Tito”, kurse pas pavarësisë së RM-së “G. Dellçev”), ku drejtor u emërua Beqir Kllojka nga Peqini, kurse në ish-objektin e Shkollës së Mesme të Mjekësisë, ishte shkolla e quajtur “Tajar Tetova”, ku drejtor ishte Qemal Haxhihasani nga Elbasani. Inspektor i arsimit për këto shkolla ishte emëruar Mexhait Bekteshi nga Kavaja.
Sipas z. Abedin Qafjanit, në mesin e mësuesve të parë të shkollave të para në Tetovë, me sukses kanë punuar Rrustem Ismailati, Hysen Hoxha, Josif Todi, Fatbardha Çaushi, Kadri Hoxha, Abedin Faja, Vasil Dhimitriu, Xhafer Narazani etj. Një plejadë e tërë mësuesish kanë punuar edhe nëpër fshatrat e Tetovës, si Murteza Peza, Dhimitër Shuli, Murtezan Kazadei, Azem Morana (nga ana e Shkupit), si dhe Vehap Kadriu nga Shqipëria, Idriz Idrizi nga fshati Gajre i Tetovës e të tjerë.
GJIMNAZI I ULËT “HAXHI TAHSINI” ME SALI ÇAUSHIN NGA KORÇA
Prej personaliteteve më të shquara në mesin e mësuesve nga Shqipëria, që punuan në këto anë, individualiteti i theksuar arsimues-edukativ i Jonuz Ballës është i pranishëm edhe sot në mesin e kuadrove që i nxori ai, sikundër që ishte edhe personaliteti i shquar arsimor i Qemal Haxhihasanit. Mësuesi Jonuz Balla nga Elbasani, nga prilli i vitit 1944 emërohet drejtor i shkollës “Skënderbeu” të Tetovës nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë. Shkolla në të cilën u angazhua ky si drejtor, shpejt u shndërrua në një vatër të vërtetë arsimore. Numri më i madh i nxënësve të kësaj shkolle vazhduan mësimet në gjimnazin e ulët “Haxhi Tahsini” të Tetovës, si dhe në shkollat e tjera të mesme e të larta të Maqedonisë. Në Gjimnazin e Ulët të Tetovës ka pasur 5 paralele, me gjithsej 165 nxënës. Drejtori i kësaj shkolle ka qenë Sali Çaushi nga Korça, ndërsa profesorë kanë qenë Zeqiria Spahiu nga Tirana për lëndën e biologjisë dhe Vasil Naqi nga Elbasani, për gjuhë dhe letërsi shqipe e të tjerë, ka thëë z. Qafjani.
JONUZ BALLA EMËROHET INSPEKTOR I ARSIMIT
Sipas tij, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Jonuz Balla mbetet në Tetovë, ndërsa Ministria e Arsimit e Maqedonisë, më 1945 do ta emërojë atë për Inspektor të Arsimit në Bashkinë e Tetovës. Në periudhën 1944-1945, në Tetovë kishin mbetur nja 10 mësues nga Shqipëria. Jonuz Balla do të kontribuojë mjaft për sigurimin e kuadrove, duke i angazhuar njerëzit që dinin shkrim e lexim nëpër kurse pedagogjike, që organizoheshin në kuadër të Ministrisë së Arsimit dhe kishin rangun e shkollës normale për mësues.
Në vitin e parë të pasluftës, më 1 shtator 1945, nëpër shkollat e Tetovës dhe rrethinës angazhohen mbi 100 mësues kursistë, të cilët ishin kuadrot e para shqiptare vendase, që bartën peshën e arsimit për brezat që vinin. Kurset pedagogjike zhvilloheshin në muajt e verës, kur nuk kishte mësim nëpër shkolla, për katër vjet rresht, ndërsa pas kryerjes së kurseve merreshin edhe diplomat përkatëse, ka vërë në dukje, z. Qafjani.
Seksioni i Arsimit i Këshillit të Rrethit të Tetovës kishte angazhuar nga kursistët në punë nëpër shkolla shqipe mësuesit e parë vendës, si Qerim Arifi, Rifat Vela, Abedin Qafjani, Rrahman Besimi, Hasip Krasniqi, Ystref Mahmuti e shumë të tjerë, ndërsa në disa fshatra të Shkupit nga Tetova ishin angazhuar mësuesit Nizamedin Bajraktari, Salajdin Hyseini dhe Abdulla Buklla. Në Tetovë kishin mbetur edhe disa mësues nga Shqipëria, si Veronik Lora, Ana Sopi, Zija Sadiku, Vehap Kadriu etj., ka thënë, ndër të tjera, z. Abedin Qafjani, njëri nga mësuesit e parë vendës në Tetovë, i cili më vonë ka pasur disa poste me rëndësi në fushën e arsimit të Tetovës.
Prof. Abedin Qafjani lindi në Tetovë, më 15 qershor të vitit 1929. Rrjedh nga një familje me veprimtari tregtare-zejtare. Sipas fjalëve të të birit të tij, dr. Naser Qafjani, mësuesi Abedin gjatë vitit 1943 e ka pasur mësimdhënës në shkollën fillore Qemal Haxhihasanin nga Elbasani, njërin nga prijatarët e mësuesve që erdhën nga Shqipëria në Tetovë. Pastaj kreu Gjimnazin e ulët në Tetovë, sikundër dhe kurset pedagogjike në rang të shkollës normale për mësuesi. Më vonë diplomoi në Fakultetin Filozofik, në Shkup. Gjatë karrierës së tij punuese ka ushtruar këto detyra: mësues në shkolla fillore, edukator në Shkollën Normale, inspektor i Arsimit, kryeshef i sektorit për Arsim dhe Kulturë në komunën e Tetovës, profesor në Gjimnazin e Tetovës dhe në Shkollën e Mesme të Mjekësisë etj. Ka shërbyer 40 vjet në veprimtari arsimore, deri në pensionim. Ndërroi jetë më 14 dhjetor 2006, në Tetovë.