DR.JAKUP KRASNIQI: ME GJYSMË TË VËRTETA NUK BËHET SHKENCA (II)

 Prishtinë,11. 02. 2013 – (III) Në kapitullin e tretë, edhe pse të titulluar “Kosova si protektorat ndërkombëtar (1999 – 2008)”, Oliver Jens Schmitti kryesisht merret me “fajet” e UÇK-së dhe fare pak me Administrimin Ndërkombëtar të Kosovës, si barrë apo si lehtësim për zhvillimin e demokracinë për një vend të porsaçliruar. Autori ynë sikur e ka për ëndje ta demonizojë skajshmërisht Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe “mbase” shumëçka që është bërë në emër të saj edhe në vitet kur ajo nuk ka ekzistuar. Nuk mund ta ngarkosh me faje UÇK-në (si organizim politik dhe ushtarak) për kohën kur ajo nuk ka ekzistuar, edhe nëse keqbërës të ndryshëm kanë vazhduar t’i keqpërdorin ato tri shkronja që shndërritën dhe do të shëndërrsin gjithmonë. Për faktin se pjestarët e UÇK-së kanë kryer një mision të rëndësishëm kombëtar, aspiratën e brezave për çlirim kombëtar. Këtë Schmitti do të duhej ta dinte! Por jo vetëm kaq, autori sikur ka marrë, të paktën, njëfarë misioni çudibërës për t’i barazuar krimet dhe gjenocidin e regjimit serb të Millosheviçit me “krimet” e “kryera” pas luftës në Kosovë nga UÇK-ja e demilitarizuar, atëbotë (mbase më saktë: tashmë!) nën ombrellën e UNMIK-ut. Dhe jo vetëm e demilitarizuar, por edhe çdo organ i saj, në të gjitha nivelet e saja ishin të shpërbëra dhe aspak nuk ishin funksionale. Pse ajo vazhdonte të ishte një “gogol” i imagjinuar, nuk është çështje apo “dobësi” e saj, sa të stigmatizohet koti.
Për ta përforcuar edhe më këtë, dua të them se për periudhën në fjalë edhe unë kam pasur vërejtje të shumta, të shfaqura edhe publikisht, po ashtu edhe për shtrembërimet që u bëheshin idealeve të çlirimtarëve qoftë nga komandantët e luftës apo ata të pasluftës, por që gjithsesi nuk ishin veprime të UÇK-së. Për këtë çështje Oliver Jens Schmitti shkruan: “UÇK-ja filloi me dëbimet gjithëpërfshirëse të serbëve dhe romëve; këta të fundit u akuzuan për bashkëpunim me autoritetet serbe. Edhe kësaj here pala shqiptare e Kosovës u tregua si imituese e politikës serbe” (faqe 263). Pa dashur t’i mohoj veprimet individualiste të njerëzve të frustruar nga fatkeqësitë që ua kishte sjellë lufta dhe pushtimi i gjatë e i egër i politikës shoviniste të qeveritarëve në Beograd, ato veprime që i thekson autori në asnjë formë nuk kanë qenë organizim i ndonjë politike shqiptare dhe as i politikës çlirimtare të UÇK-së. Dhe si të tilla në asnjë formë ato veprime nuk mund të quhen “si imitim i politikës serbe”, siç konstaton autori. Është e vërtetë që ka pasur krime ordinere, tepër të dëmshme e jocivilizuese mbi pjesëtarë të komunitetit serb e rom në Kosovë dhe jo vetëm mbi ta, por jo ashtu si thotë autori. Gjithashtu, është e vërtetë se ka pasur serbë e romë të larguar dhunshëm nga shtëpitë e tyre, por edhe një pjesë e tyre, duke qenë nën psikologjinë e peshës së fajit, së bashku me ushtrinë dhe policinë serbe janë larguar nga Kosova. Prandaj Republika e Kosovës, në hallin e saj financiar, është duke financuar në riatdhesimin e qytetarëve të saj që nuk kanë qenë pjesë e veprimeve kriminale. Sikundër ka financuar në riparimin e dëmeve të kryera në ngjarjet e marsit 2004 gjë e ditur kjo botërisht. Ndërsa Serbia, për dëmet e shumta që u ka shkaktuar shqiptarëve, dhe dëmet janë kolasale, nuk ka paguar asnjë qindarkë.

Kopertina e librit: ‘Kosova, histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike’.

Në faqën 268 të librit, Schmitti sikur nxjerr një konstatim politik të thënë në kafenetë, zanzibaret e tymosura të Prishtinës, apo meihaneve që veç ai i di, kur konstaton: “Gjatë kultivimit të imazhit të saj UÇK-ja pretendonte se NATO-ja kishte qenë forca e saj ajrore dhe ajo, jo NATO-ja, e paskësh arritur fitoren kundër Serbisë. Sado i pavërtetë që është ky përfundim, sepse UÇK-ja në luftë me armatën serbe do të ishte mposhtur si në vitin 1998, prapëseprapë UÇK-ja e mbështeste pretendimin e saj për pushtet në mitin e suksesit të saj ushtarak. Në vijim lartësimi i ‘martirëve’ të UÇK-së mori përmasa pothuajse religjioze. Me mitin për fitoren në fushëbetejë guerilja u pozicionua jo vetëm në shoqërinë shqiptare të Kosovës, por edhe kundër KFOR-it. Kështu që në fillim të pretektoratit të Kombeve të Bashkuara ajo paraqiste një sfidë të hapur.” Konstatoj se në këtë paragraf autori ka grumbulluar pasaktësi të shumta, të cilave duhet t’u shkoj me radhë. Nuk e di nga cili burim e nxjerr autori këtë konstatim dhe a i lejohet nivelit të këtij shkencëtari përfundimi se “UÇK-ja pretendonte se NATO-ja kishte qenë forca e saj ajrore.” Kush është ai fëmijë, qoftë edhe me shkollë fillore që nuk e di dhe nuk e njeh fuqinë ushtarake të NATO-s, sidomos tani pas shpërbërjes së Paktit të Varshavës? Është fakt që NATO-ja e ka arritur fitoren, por sa do të lëvizte NATO pa veprimet luftarake të UÇK-së dhe a ka ndodhur ndonjë veprim i tillë i NATO-s në gjithë historinë e saj të ekzistimit? I gabuar është edhe konstatimi i prerë se “armata serbe do ta mposhte si në vitin 1998” UÇK-në, ndërsa UÇK-ja mobilizimin e saj më të madh e ka pasur në vjeshtën e vitit 1998. Për shqiptarët dhe pjesëtarët e UÇK-së më e rendësishme madje do të thoja edhe tepër jetike ishte çlirimi i Kosovës nga pushtimi i gjatë. Ata ishin të kënaqur, së pari, që ishin të lirë dhe, së dyti, pse kishin arritur të bënin aleatë siç ishin NATO-ja, SHBA-të, BE-ja dhe Bashkësia Ndërkombëtare. Autori heziton ta thotë edhe një fakt, pse komuniteti ndërkombëtar nuk e lejonte bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare? Prej nga e nxjerr autori këtë përfundim? Pastaj, autorin e shqetëson edhe fakti i lartësimit të “martirëve” të UÇK-së!!! Po cili popull i robëruar i botës nuk i ka lartësuar dëshmorët e vet. Le ta thotë qoftë edhe vetëm një fakt? Ndërsa unë mendoj që është tëpër vështirë të gjesh edhe një rast në botë që të jenë më mosmirënjohes të vetvetes sesa te shqiptarët. Madje të rënët, edhe kur ka ndodhur kjo në luftërat pushtuese, kombet e botës edhe europerëndimorët, jo pak herë u bëjnë nderime edhe pas dekadave të përfundimeve të aksioneve ushtarake. Kujtoni dhe nderimet që populli amerikan ua bën luftëtarëve të Vietnamit, veç kësaj për shumë vite në SHBA edhe kandidatët për president gëzonin respekt nëse ishin pjesëtarë të luftës së Vietnamit. Lufta nën flamurin amerikan, kurdo e kudo merrej si përparësi. Përse neve duhet të vepronim ndryshe? Ndërsa, në literaturën politike e ushtarake, UÇK-ja është konsideruar e konsiderohet guerilja më e suksesshme në historinë e të gjitha guerileve botërore, ndonëse UÇK-ja ishte më shumë se guerile. Gjatë gjithë këtyre viteve, as populli shqiptar e as UÇK-ja, jo vetëm që nuk kanë qenë kundër KFOR-it, por kanë pasur dhe kanë konsiderata të larta për të. Gjithashtu edhe përsa i përket Administrimit Ndërkombëtar, shqiptarët dhe ish-pjesëtarët e UÇK-së, kanë vazhduar për vite të kenë qendrim inferiorë. Prandaj asnjë nga konstatimet e përmendura të autorit nuk u bëjnë ballë fakteve historike të realitetit të Kosovës. Natyrisht që, jo vetëm ish-pjesëtarët e UÇK-së, por asnjë shqiptar nuk do ta pranonte, pas gjithë atyre viktimave dhe dëmeve të shumta të shkaktuara nga regjimet e Beogradit për gati 100 vjet, ta riniste jetën sërish nën Serbinë e Millosheviçit dhe të trashëgimtarëve të tij.
Mbase ia vlen ta shohim se si e kanë vlerësuar UÇK-në edhe autorë të tjerë të huaj. Pasi ata vlerësimet i kanë pa emocione dhe si të tilla, gjithsesi janë më realiste apo kuptohen si të tilla. Ta shohim se çka thotë Misha Glenny në librin e tij “Historia e Ballkanit (1804-1999)”. Ai shkruan: “Politika e vetëpërmbajtjes e ndjekur nga Rugova bëri që Kosova të mbetej në paqe gjatë gjithë kohës së luftërave në Kroaci e Bosnjë. Mirëpo kjo paqe u shoqërua nga një gjendje stanjacioni politik dhe nga vazhdimi i shtypjes sistematike mbi shqiptarët”. (Faqe 653). Më pas autori vazhdon: “Mësymja serbe në Drenicë pati tri pasoja, që Millosheviçi thuajse me siguri i kishte parashikuar. Së pari, UÇK-ja erdhi duke u bërë dita-ditës më e fuqishme, sepse mijëra të rinj shqiptarë mbushën radhët e saj. Së dyi, Evropa Perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara u përfshinë më shumë në çështjet e këtij konflikti. Së treti, stabiliteti rajonal u turbullua nga polarizimi i shoqërisë malazeze dhe nga ngritja e tensionit në vendet fqinje, sidomos në Shqipëri e në Maqedoni”. (Faqe 655). Një konstatim mjaft interesant e gjejmë te libri i Raymond Detrez “Kosova – luftë e shtyrë”, ku thuhet: “Ndoshta edhe UÇK-ja vetë nuk besonte të ishte në gjendje të ‘çlironte’ Kosovën, përfshirë qytetet e mëdha dhe thjesht provonte atë taktikë që në Ballkan ishte provuar me dhjetëra herë – disa herë me sukses: organizimi i një kryengritje të armatosur, kur dihet se kundërshtari do të kundërveprojë me dhunë të jashtëzakonshme, duke synuar kështu ndërhyrje nga jashtë, që sjell zgjidhjen e pritur politike”. (Faqe 137). Për rolin e UÇK-aë në çlirimin e Kosovës, ndoshta vlerësimin më të saktë e jep Serge Metais në librin e cituar, “Historia e shqiptarëve – nga ilirët deri të pavarësia e Kosovës”. Ai shkruan: “Sigurisht, opinioni publik perëndimor ishte i ndjeshëm ndaj padrejtësisë që po u bëhej shqiptarëve, mirëpo për të ky nuk ishte veçse një nga rastet e panumërta të padrejtësive në këtë botë. Dhe, për sa kohë që nuk kishte përleshje të përgjakshme, Kosova nuk kishte as sesi të zinte faqet e para të gazetave, as sesi të mallëngjente me të vërtetë ndokënd. U desht të shpërthente një luftë e re në ish-Jugosllavi (dhe pamjet e saj të përhapura përmes televizionit), në mënyrë që udhëheqësit perëndimorë të bindeshin se kësaj radhe nevojitej të ndërhyhej ushtarakisht. Kjo luftë u nis nga UÇK-ja në pranverën e vitit 1998”. Ndërsa për Noel Malcolmin, si për shumë autorë të tjerë, “meritat” për formimin e UÇK-së i përkisnin politikës shtypëse të Sllobodan Millosheviçit. Ai në parathënien e librit të cituar “Kosova – një histori e shkurtër” (botimi i dytë), shkruan: “Politika serbe nxiti shtimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ekzistimi i së cilës atëbotë, u mor si pretekst i fushatës serbe të shkatërrimit të fshatrave të Kosovës në verën e vitit 1998. Së këndejmi, përpjekjet e qeverive të Perëndimit për ta ndërmjetësuar një marrëveshje, bazë e se cilës ishte rikthimi i autonomisë së Kosovës, dolën të pasuksesshme”. Në këtë rrafsh, ndoshta më i qarti është John G. Stoessinnger, i cili në librin e tij “Përse kombet shkojnë në luftë”, shkruan: “Nuk është për t’u çuditur që pas çdo barbarie radhët e UÇK-së shtoheshin në numër dhe me vrull. Nga pikëpamja historike Millosheviqi mund të dukej fare mirë si shef rekrutimi pa dashje i UÇK-së”. (Faqe 153). Nëse kështu flasin shumë autorë që kanë bërë emër në fushat e dijes dhe vlerësimet e tyre janë shumë të përafërta, atëherë cila është mundësia e barazpeshimit të dhunës e krimeve të qeveritarëve të Beogradit me atë të shqiptarëve të Kosovës?! Dhe shumica prej tyre i konfirmojnë meritat dhe sukseset që natyrshëm i shkojnë, kujt tjetër veçse Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe politikës së saj të vendosur, liridashëse dhe largpamëse. Veprimet individualiste me nota të theksuara kriminale, qofshin ato të pjesëtarëve të vërtetë apo të rremë të pas Luftës Çlirimtare apo kushdo qofshin ata, nuk i japin askujt të drejtë t’i përdhosë apo nëpërkëmbë idealët e dëshmorëve e as idealet e kombit shqiptar për liri, pavarësi e demokraci. Qoftë ky edhe një shkencëtar i madh. Historia na ka mësuar se edhe shkencëtarët e nobelistët e mëdhenj kanë gabuar. Nga gabimet nuk duhet pretenduar të largohet askush, jo më kotë thuhet se “kush punon gabon”.
Për rrugën e shtetndërtimit të Kosovës është marrë edhe Marc Velleri, profesor dhe studiues i të Drejtës ndërkombëtare, pjesëmarrës i Konferencës Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën dhe këshilltar ligjor i Delegacionit të Kosovës në bisedimet e Vjenës. Pra kemi të bëjmë me një njohës të mirë të së Drejtës Ndërkombëtare dhe angazhimit ndërkombëtar për Kosovën. Ai, në librin e tij “Shtetësia e kontestuar – Administrimi ndërkombëtar i luftës së Kosovës për pavarësi”, shkruan: “Përmbyllja e Marrëveshjes së Daytonit pa u përmendur Kosova në të, në thelb e minoi besueshmërinë e qeverisë Rugova (Bukoshi – J.K.). Haptazi rezistenca pasive kishte dështuar […] Në këtë klimë dekurajuese, ata që kishin insistuar për zgjidhje ushtarake menjëherë u bënë me ndikim”. (Faqe 144). Autori për drejtuesit e UÇK-së, të cilëve jo pak herë, kundërshtarët politikë dhe armiqtë e lirisë së Kosovës ua mvishnin petkun ideologjik, ai thotë se “qasja e tyre ishte më pak ideologjike e më shumë pragmatike”. (Faqe 145). Sipas autorit të përmendur, “jo të gjitha mjetet që po mblidhte diaspora shqiptare po shkonin për të financuar fushatën e armatosur të UÇK-së”. (Faqe 145). Përveç kësaj, Veller thotë: “Shqipëria iu nënshtrua një trysnie të madhe që ta kufizonte kontrabandën e armëve për në Kosovë dhe që t’i mbyllte bazat e trajnimit dhe të furnizimit të UÇK-së në territorin e saj”. (Faqe 147). “Me gjithë presionin e madh ndërkombëtar, qeveria shqiptare nuk u dakordua që komuniteti ndërkombëtar ta monitoronte kufirin e Shqipërisë me Kosovën.” (Faqe 148). “Ndoshta përvoja e kishte mësuar për të avancuar kauzën e shqiptarëve të Kosovës”. (Faqe 149). Janë shumë interesante disa konstatime të Mark Vellerit për luftimet e pranverës së vitit 1998, e sidomos ofensivën e verës së së këtij viti. Ai thotë: “…Duke e zhvendosur UÇK-në nga disa zona për të cilat thoshte se i kontrollonte. Thuhej se ky veprim nuk ishte kundërshtuar ndërkombëtarisht, sepse qëllimi ishte të evitohej që UÇK-ja të kishte një rol dominues në negociatat që po vinin”. (Faqe 158). Dhe qellimi i asaj strategjie, gjithnjë sipas autorit ishte “që UÇK-ja të mos ishte në pozitë për ta penguar marrëveshjen të paraparë nga bashkësia ndërkombëtare”. (Faqe 159). Ngjashëm me këtë, shkruan edhe James Pettifer në librin e tij “Ekspres Kosova”, ku autori shkruan: “Në Perëndim komentatorë, si Carl Bildti, gjithnjë kishin kërkuar një forcë kontrollimi të kufirit për ta vënë nën fre dhe për ta mbyllur hesapin me UÇK-në”. Ja pse shqiptarët dhe UÇK-ja nuk patën mundësi ta çlironin vetë vendin e tyre të pushtuar. Por riorganizimi i shpejtë i UÇK-së në vjeshtën e vitit 1998 dhe kthimi i territoreve të humbura gjatë ofensivës së verës, bëri siç edhe konstaton autori që: “UÇK-ja dhe palët që e përkrahnin, tash haptazi po e sfidonin legjitimitetin e qeverisë së Rugovës (Bukoshit, J.K), duke thënë se ajo, në të vërtetë, kurrë nuk ka ekzistuar”. (Po aty).

Situata e krijuar në terren, sulmet e policisë e të ushtrisë serbe mbi popullsinë civile, kriza humanitare që po dukej në horizont, kishte bërë që Këshilli i Sigurimit të miratonte Rezolutën 1199. Një ditë më vonë, “më 24 shtator 1998, Këshilli Veriatlantik miratoi ACTWARN-in – vendimin për një operacion ajror të kufizuar dhe një fushatë ajrore të përshkallëzuar në Kosovë, duke e shpënë NATO-n në një nivel më të lartë të gatishmërisë”. (Faqe 173). Ndoshta është e saktë ajo që thotë Schmitti se: “UÇK-ja në luftë me armatën serbe do të ishte mposhtur si në vitin 1998”, edhe pse ky konstatim vetëm pjesërisht mund të jetë i saktë, ndonëse askush deri më sot nuk e ka kontestuar gatishmërinë e pjesëtarëve të UÇK-së, e cila, siç thotë James Pettifer: “UÇK-ja është popullsia e Kosovës, as më shumë e as më pak. Ajo përbëhej prej idealistësh, cinikësh, burrash, grash, pleqsh, të rinjsh, të dëshpëruarish dhe shpresëmëdhenjsh. Të tilla janë të gjitha lëvizjet e rezistencës […] Shekspiri na tregon se hakmarrja disa herë mund të jetë e vetmja formë e drejtësisë”. (Faqe 281). Ndërsa, konkretisht, për gatishmërinë e njerëzve të UÇK-së shkruan: “Gatishmëria e ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e njerëzve që punonin me ta për të dhënë jetën kishte arritur brenda dy vjetësh më tepër sesa Lidhja Demokratike në dhjetë vjet”. (Faqe 304). Nga të gjitha këto që na i thonë autorët e ndryshëm, janë një dëshmi e pakontestuar, se ishin bërë jo pak përpjekje ndërkombëtare për të penguar ngritjen dhe forcimin e UÇK-së me qëllimin e vetëm për t’i ofruar popullit shqiptar të Kosovës një zgjidhje autonomiste dhe pengesë kryesore për këtë ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Këtë e konfirmon, madje edhe mbshtetësja më e madhe e shqiptarëve të Kosovës, ish-Sekretarja e SHBA-ve, zonja Albricht në librin e saj “Zonja Sekretare”, e cila thotë: “Ne kërkonim të bindnim shqiptarët e moderuar, duke nxitur dialogun me Beogradin, që kishte për qëllim rivendosjen e autonomisë së Kosovës, dhe nuk donim që UÇK-ja të gjente mbështetje në Botë. Gjithashtu kërkonim rrugë të reja për të ndihmuar forcat që ishin për demokracinë në Jugosllavi sepse besonim se problemet e Kosovës dhe të rajonit nuk do të zgjidheshin përpara se Millosheviçi të largohej nga pushteti”. (Faqe 443). Mjaft ngjashëm për këtë çështje flet edhe Presidenti Bill Clinton në librin e tij “Jeta ime”, kur thotë: “Ibrahim Rugova, kreu i qeverisë-hije, ishte një njeri fjalëbutë, që kishte zakonin të vinte një shall rreth qafës. Isha i bindur se mund të arrinim një marrëveshje paqeje me të, por nuk isha aq i sigurt për fraksionin tjetër kryesor kosovar, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”. (Faqe 713). Kur njeriu i ka parasysh të gjitha këto që u thanë, s’ka si të mos e krijojë bindjen se sido që ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës, me të mirat e të metat e saj, ishte faktori kryesor që Kosovës dhe popullit të saj ua hapi perspektivën e lirisë e të pavarësisë. S’ka gjë më të ligë, kushdoqofshin ata, që pretendojnë t’i ngatërrojnë e unisojnë idealet çlirimtare të pjesëtarëve të UÇK-së, me veprimet kriminale a babëziste, të kujtdo që ka shfaqur veprime të tilla në vitet e pas luftës çlirimtare. Janë këto gjëra kaq kundërthënëse dhe është më shumë se absurditet çdo tentim për t’i bashkuar gjërat që nuk mund të bashkohen dot. Dhe me këtë të vërtetë të pakontestueshme historike, në asnjë mënyrë nuk mohohet roli i Aleancës Veriatlantike, në lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Unë, si qytetar i Kosovës, nga fshati dhe qyteti i Kosovës nuk po mund ta di nga cili standard evropian e ka nxjerrë këtë ndarje të njerëzve dhe çfarë kuptimi ka nga kjo ndarje, fshatar – qytetar, siç e bën akademiku Schmitt. Ta shohim se si e shfaq, ai këtë ndarje, kur thotë: “Ushtarët e UÇK-së me origjinë nga fshati shkelën dhe flakën shumëçka që ishte arritur në emancipimin e femrës në kohën e Jugosllavisë”. (Faqe 270). Kjo që e thotë Oliver Schmitti në librin e tij, unë nuk mund të besoj se është përfundim shkencor i akademikut Schmitt, ndërsa mënyra se si është futur në këtë qorrsokak, nuk është puna ime që ta nxjerr nga ai. Le ta nxjerrin ata që e kanë futur, nostalgjikët e Jugosllavisë Socialiste. Thënia se ushtarët e “UÇK-së flakën shumëçka që ishte arritur në emancipimin e femrës në kohën e Jugosllavisë”, thënë më se buti është gënjeshtër e turpshme dhe nuk besoj që i beson edhe vetë autori i nënshkruar. Shqiptarët e Koosvës, pas luftës çlirimtare, sigurisht që kanë probleme të shumta të trashëguara, ka ndoshta edhe ndonjë tendencë të vetëfundamentalizmit mjeran, të shkëputur nga tradita kombëtare shqiptare dhe vlerat që afron kjo traditë, që nuk marrin vesh apo s’duan t’ia dinë rolin e emancipimit të gruas e njeriut përgjithësisht, por kjo assesi nuk mund t’i mvishet UÇK-së. Ushtarët e UÇK-së, mbi 2000 pjesëtarë të saj janë flijuar vetëdijshëm për lirinë, për emancipimin, për arsimin kombëtar, për shtetin ligjor dhe demokratik. Andaj, të më falë akademiku i nderuar, unë nuk mund t’i konsideroj këto “xhevahire” të arritura shkencore.
Oliver Jens Schmitti, për t’ua bërë qejfin studentëve të tij serbë, kur flet a shkruan edhe për shqiptarët jashtë Kosovës, siç është rasti për shqiptarët e Kosovës Lindore dhe ata të Maqedonisë, kujdeset shumë për të “drejtat” e “liritë” e tyre të avancuara (faqe 273). Por ai nuk gjen rast për të folur për të drejtat e avancuara të serbëve dhe të komuniteteve tjera pakicë në Kosovë. Për ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve në Republikën e Kosovës. Atij, ia ka ënda të flasë shumë, kryesisht e vetëm për ekstremizmin shqiptar, pastaj shqiptarët i ndan në pesë-gjashtë shoqëri shqiptare (faqe 293). Si duket ka harruar të flasë edhe për shoqërinë shqiptare në diasporën perëndimore, atë në Turqi, në Greqi dhe në Itali. Madje, përse të mos krijohen shoqëri shqiptare kudo ku është edhe një shqiptar i vetëm. Sigurisht që në secilin komb mund të ketë shoqëri të ndryshme (siç ka edhe në Zvicër, Gjermani, Austri, Francë, Itali etj.), që i përkasin një kombi. Tanimë kombi, siç e përkufizon çdo fjalor elementar, është një bashkësi gjuhësore, ekonomike, historike, territori dhe bashkësi e një trashëgimie kulturore e psikologjike. Të gjitha këto elemente i plotëson kombi shqiptar në Ballkan, madje nuk është e domosdoshme t’i këtë të gjitha këto që i përmenda. Po ta lëmë të flasë vetë autori ynë, Oliver Jens Schmitt, si i sheh ai ato të drejta dhe pozitën e tyre shoqërore në shtetin e Serbisë e të Maqedonisë. Jens thotë: “Shkupi, BE-ja, NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara i dhanë fund luftës civile me Marrëveshjen e Ohrit, në të cilën Maqedonia i bëri lëshime të mëdha pakicës shqiptare (13 gusht 2001)”. (Faqe 273). Gjëja e parë që shihet, vërehet dhe nuk shkon në këtë fjali është se, ai nuk e pranon rolin, jo vetëm të përfaqësuesve të popullit shqiptar në Maqedoni, por as rolin tepër të përmbajtur të liderëve të Shqipërisë e të Kosovës. Si duket, Oliveri gjithë liderët shqiptarë i sheh si pjesë e “krimit të organizuar dhe ekstremizmit politik shqiptar”. (Faqe 273). Pasi jo pak herë në librin e tij e stigmatizon Shqipërinë, historiografinë shqiptare, madje edhe internetin për përhapjen e nacionalizmit shqiptar. Dhe për të gjitha këto, ne duhet ta falënderojmë zotin “akademik”, që po na i hap sytë, të mos i duam të arriturat tona, qofshin ato politike apo shkencore. Dhe kështu po na mëson, se jo vetëm politikës, por edhe shkencës (historisë dhe gjuhësisë) t’ia nisim rishtazi, nga e para. Bukur po na mëson që t’ia fillojmë nga 2013!!! Populli ynë, i “përbërë nga shumë shoqëri”(?!), siç thoni ju, e ka një fjalë të urtë e cila thotë: “Kur gjen shesh, bën përshesh”, ose tjetra: “mih në ujë, se lehtë e bën rrokopujë”!
Zoti Oliver Jens Schmitt, sipas botëkuptimit dhe formimit tim, besoj që ma jepni të drejtën ta kam këndvështrimin tim! Këto që i thashë deri më tani ishin disa nga anët e dobëta të librit tuaj, ndonëse jo të vetme, por unë konsideroj se gabimi më i madh dhe të cilin nuk kam pritur ta bënit, është qasja juaj ndaj rënies heroike të Adem Jasharit, që ne me të drejtë e quajmë: Legjendar. Me shpalljen e tij legjendar (ku e kam edhe unë hisen time të ndriçimit të përkushtimit të tij, pa asnjë ekzagjeim, deri në përmasa biblike) kemi pasur për qëllim, jo ta himnizojmë, por që të tregojmë përmasën e lavdisë njerëzore të Adem Jasharit për liri, drejtësi e demokraci. Mos harro, për një flijim biblik, bota e krishtere që 2000 e më shumë vjet i nënshtrohet deri në përulje Jezu Krishtit. Victor Hugoi thotë se lavdia është e kushtueshme. Këtë e konfirmon më së miri rënia e Jasharëve dhe se ajo (lavdia) nuk i përket atij që e kërkon, por atij që e meriton. Dhe Adem Jashari e meritoi atë dhe askush nuk mund t’ia marrë. Ndonëse edhe te ne, në Kosovë, ka përpjekje të tilla “intelektuale” për ta rrembyer disi një lavdi. Ju i nderuari akademik sigurisht që e dini se sa mundohen autoritarët e diktatorët për të fituar lavdi dhe sa u kushton ajo popujve. Madje, edhe ju flisni në librin tuaj për autoritarizmin në Kosovë, përçka nuk e kam asnjë kundershti. Sigurisht se ne nuk jemi as të kënaqur, as të lumtur që qe dashur të sakrifikohen mbi 13 mijë jetë njerëzish për një vit lufte. Do të dëshironim, do të ishim të kënaqur dhe të lumtur që Evropa, së cilës i përkasim historikisht, gjeografikisht e kulturalisht, të na mundësonte ta arrinim pa luftë këtë që e kemi sot edhe me ndihmën e saj e të SHBA-ve- pavarësinë. Sepse na janë bërë padrejtësi që nga Kongresi i Berlinit, vitet 1912, 1914-1918 e tutje. Do të dëshironim që shpërbërja e Jugosllavisë të bëhej në mënyrë paqësore, siç ndodhi me bashkimin e dy Gjermanive, siç ndodhi ndarja e Çekosllovakisë (Çeki, Sllovaki) si dhe ashtu siç ndodhi me Republikat Baltike etj., të cilat u ndanë nga Rusia Sovjetike. Pastaj, ju, i nderuari akademik, e dini fare mirë se shqiptarët e Kosovës nuk e pranuan lehtë luftën si zgjidhje. Ajo na është imponuar. Dhe këtë më së miri e konfirmon rezistenca aktive e pasive e viteve 1981-1997, por politika serbo-jugosllave ishte symbyllur e veshdyllosur për kërkesat e popullit shqiptar të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë e të Malit të Zi.
Ju, zoti Schmitt, nga fundi i librit tuaj shkruani: “Ky kult (kulti për Adem Jasharin, nënvizimi im, – J.K.), ka pretendim hegjemonist të interpretimit të ngjarjeve të luftës dhe drejtohet edhe kundër elitës qytetare përreth LDK-së”. (Faqe 285). Vërtet, nuk e kam të lehtë ta kuptoj se për çfarë hegjemonizmi është duke folur profesori dhe akademiku Oliver Jens Schmitt?! A mund të jetë hegjemonist ky njeri, legjendari Adem Jashari, i cili me jetën e tij, me jetërat familjes së tij që aq shumë i ka dashur, për çka ka masivizuar e mobilizuar popullin e rininë në luftën për liri, liri të cilën e gëzojmë sot, dhe ç’është e vërteta, më shumë po i gëzojnë qytetarët sesa fshatarët, pasi kështu ju po i ndani qytetarët e Kosovës! Autorin Oliver nuk e di se për ç’arsye e pengon nderimi dhe respekti që i bëhet Heroit të Kombit, i cili popullit të vet ia ktheu dinjitetin, veçse nëse i vjen keq pse atë, dinjitetin, nuk ia ktheu “pacifizmi i Rugovës”. (Faqe 285). Sigurisht që ky pacifizëm nuk kishte mundësi edhe ta demokratizonte Serbinë e Millosheviçit, edhe shqiptarëve t’ua kthente dinjitetin. Atë e bëri vetëm UÇK-ja e legjendarit Adem Jashari. Ndërsa autori Jens harron se edhe në Evropën demokratike, pacifizmi vazhdon të jetë minor. Gjithashtu, autorin e pengon edhe fakti pse “Prekazi u bë vend pelegrinazhi, tempull kombëtar panshqiptar”. Prekazi nuk është vend pelegrinazhi vetëm për shqiptarët, por për të gjithë ata që ia dinë vlerën flijimit për liri. Një nga evropianët, që ishte edhe kryeadministratori i parë i saj, Bernard Kushneri, në librin përkujtimor në Prekaz ka shkruar: “Po të kishte Çmim Nobel për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij”.
Historianit Schmitt i duket se ka thënë pak. Ndaj vazhdon, por nuk tregon se me cilën gjuhë shkruan, me gjuhën e shkencës apo me atë të politikës së “qytetarëve” të Kosovës apo me dioptrinë? Kur thotë: “Kjo është shprehje e pretendimit për pushtet të katundit mbi qytetin, e meshkujve të armatosur nga katundi, e familjeve tradicionalisht komplekse (anëtarët e familjes Jashari, përfshirë gratë, u përfshinë në këtë kult) përballë strukturave shoqërore urbane”. (Faqe 286). Vërtet, është e çuditshme si një intelektual evropian, njeri i shkencës së historisë e akademik, profesor i sa universiteteve, e pengon sakrifica e një familjeje fshatare, që ai e sheh dhe e quan të katundit, fjalë që ka kohë që nuk e përmendim apo e përmendim kur i japim konotacion negativ, e cila ka sakrifikuar tre breza të familjes për lirinë e gjithë shqiptarëve të Kosovës, të fshatit dhe të qytetit. Ai do të duhej të përulej para asaj sakrifice dhe se vetëm ashtu do t’i tregonte vlerat e tij qytetare. Jam duke e pytur veten, cilat janë arsyet që këtë intelektual evropian e pengojnë? Librat, që shkruhen për UÇK-në dhe Adem Jasharin? Këngët, që kendohën për të? E pengon shtatorja e Heroit Legjendar në Skënderaj? Apo fotografia në një plato në Prishtinë? Nuk e di, mbase e pengojnë edhe Jasharët e ripërtërirë, filizat premtuese të atyre që u shkrinë për ta e për të drejtën divine njerëzore (lirinë!) në Prekazin “katundaresk”?! Por, autori Schmitt, i qytetëruar tej mase, nuk mjaftohet me këto që ka folur e shkruar, ai vazhdon dhe e tepron deri në racizëm “urban”, kur thotë: “Të arsimuarit e shohin atë si katundar (historiani duhet të faktojë e jo të bëjë gazetari mediokre – J.K.), ata tërheqin vërejtjen se Jashari (Adem Jashari – J.K.) gjatë rënies së tij mori me vete gati gjithë familjen, mes tyre pleq dhe fëmijë të vegjël”. (Faqe 286). A s’është ky recidiv më shumë i një politikani anues sesa i një historiani, kur me një analogji të thjeshtë mund të thuhet se hebrenjtë nuk i futën nazistët në dhomat e gazit, por me vetëdëshirë ata u futën aty, duke i marrë edhe familjarët e tyre, pleq e fëmijë!!! Shumë paqësorë këta serbët e Oliver Jens Schmittit, që dogjën, prenë e vranë…
Fundja, unë kurrë nuk besoj se në Kosovë ka të arsimuar të mirëfilltë e të edukuar në frymën moderne a tradicionale kombëtare, që për flijimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij të flasin me ketë gjuhë barbare, aspak njerëzore. Por kjo nuk është më e rënda! Më e rëndë, më e papërballueshme dhe që s’hahet dot është tendenca që ky akademik ta amnistojë krimin më të rëndë të mundshëm të makinerisë kriminale të Millosheviçit! Ta amistojë krejt atë makineri kriminale, bashkë me kriminelët e faji t’i mvishet Adem Jasharit, për të cilin familja ishte gjëja më e shtrenjtë e mundshme në këtë botë! Dhe një hakmarrje të tillë, Adem Jashari nuk do ta ndermerrte mbi asnjë familje të botës pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Dhe këtë nuk mund ta dijë askush më mirë së unë. Pasi e di kërkesën që ia kam bërë që të jetonte sa më larg familjes dhe përgjigjen që kam marrë. Një përgjegje të tillë mund të jepte vetëm një njeri me tipare tepër të veçanta. Ndoshta faji i tij i vetëm ishte, pse më shumë se jetën në robëri e donte vdekjen për liri. Dhe këtë nuk e kam dëgjuar e as lexuar ta mohojnë as mendjet më të ndritura të Evropës në veprat e tyre kapitale për dashurinë për jetën, lirinë dhe atdhedashurinë. Do të përpiqesha ta kuptoja akademikun Oliver, sikur kjo të ishte masakra e parë, e vetme apo e fundit serbe në Kosovë brenda një viti lufte tepër të pabarabartë. Dhe vërtet nuk po mund ta di, prej nga dhe pse Oliver Jens Schmitti shqiptarëve më shumë ua preferon jetën qoftë nën Perandorinë Osmane, qoftë në atë serbo-jugosllave?! Të cilat jetë vetëm në robëri na paskan qenë kohë të arta!
O akademik, në Kosovë kanë ndodhur dhjetëra masakra, mbi 13 mijë njerëz nuk jetojnë më!
Për një gabim tjetër që e bën në faqen vijuese të librit (287), nuk dua të them asgjë, pasi kam respekt për Evropën dhe Amerikën Veriore, jo për autorin. Por dua t’i përkujtoj autorit se europerëndimorët dhe amerikano veriorët kanë më shumë respekt për qytetarët e tyre, si për të gjallet ashtu edhe për të vdekurit. Dhe të tjerët nuk mund të krahasohen me ata, e më se paku kjo mund t’ju thuhet shqiptarëve. Edhe pse autori, sidomos për rastin e Adem Jasharit dhe të familjes së tij, veçanërisht mënyra se si ai e trajton këtë tragjedi të kombit tonë, nuk lë vend për asnjë respekti.
Në fund, do të doja t’i diskutoja me zviceranin Oliver Jens Schmitt jo duke e pandehur si levantin apo që bazohet në mendimet e levantinëve “intelektualë”, “qytetarë” e të “arsimuar” të Prishtinës se unë “katundari” Jakup Krasniqi ndjehem i fyer, jashtëzakonisht i fyer që një i huaj përdhosë heronjtë e mi kombëtarë me shprehjet mesjetare “fshatar” a “katundar”. Fundja a s’është racizëm ky, i pashpejguar as nga shkenca psikanalitike frojdiane apo jungiane për një nivel të tillë shekncor “vlerësues” për legjendarin Adem Jashari dhe secilin pjesëtar të UÇK-së së shenjtë?
A thua, a do të gjindej në Evropën e vlerave kulturore evropiane një intelektual, shkencëtar apo akademik që do të merrte guximin për të përdhosur heroinën kombëtare franceze Jeanne d’Arc, botërisht e ditur, e lindur katundare. Jo, këtë s’mund ta bëjë askush që posedon ca vlera civilizuese, nga më elementaret. Evropa Perëndimore, jo, nuk e njeh këtë gjuhë, së paku jo nga koha qëkur u vendosën themelet e BE-së. Nuk besoj, që kjo do t’i ketë shkuar ndërmend ndonjë parizieni?!
A thua, cili historian do të përdhoste heroin kombëtar zviceran Wilhelm Tell, duke e quajtur katundar e shkuar katundarit? Por Zvicra ka dhe diçka tjetër. Ka një shkrimtare të adhuruar jo vetëm në Zvicër, por në gjithë botën: Johanna Spyri, e lindur në katundin zviceran Hirzel (që sot s’ka më shumë se dy mijë banorë, pale sa ka pasur më 1827, kur ka lindur ajo?!). Romani dhe heroina e saj Heidi janë të pakapërcyeshëm për çdo lexues e fëmijë të botës, por askujt kurrën e kurës s’i shkon ndërmend të injorojë apo nënvelrësojë “katundarinë” e tyre, pse ajo nuk ishte nga Berni.
Për zviceranin Oliver Jens Schmitt, legjendari ynë Adem Jashari është veç një katundar! Nuk e di mbi cilën njohuri shkencore, akademiku e ka bërë këtë ndarje të qytetarëve të Republikës së Kosovës.
A thua, cili profesor universiteti do të merrte guximin që të përdhoste heroin kombëtar anglez me përmasa legjendare, Robin Hood, duke e quajtur atë as më shumë e as më pak se katundar! Si do ta ndienin këtë britanezët? Jo, kjo nuk mund të ndodhë kurrën e kurrës. Secili njeri i kësaj bote kur e dëgjon emrin e tij, përkulet me pietet. Për të janë xhiruar filma të shumtë e të kushtueshëm. Nuk besoj që Robin Hood të ketë qenë qytetar londinez.
A thua, cili akademik evropian apo amerikan do të merrte guximin për të përdhosur heroin kombëtar meksikan Emiliano Zapata, i cili lindi si katundar një vit pasi Kongresi i Berlinit copëtoi tokat shqiptare, pra më 1879? Për Zapatan thuhet ndër të tjera: “Ashtu si shumë idealistë karizmatikë, Zapata u bë një martir, pas vrasjes së tij të pabesë”! A duhej të akuzohej Zapata pse e vranë armiqtë e lirisë?! Kur lehtas mund t’i nënshtrohej robërisë që intelektuali Schmit ua preferon shqiptarëve?!
A thua, cili shkencëtar i historisë do t’i hynte punës për të përdhosur heroin kombëtar serb Karadjordje, i lindur katundar, por që vuri themelet e kësaj Serbie shumë të dashur nga zvicerani Oliver Jens Schmitt. Për më tepër, kokën e tij vetë serbët ia dorëzuan pashait turk në Kalemegdan… Kur jemi tek serbët, a s’është babai i gjuhës së tyre Vuk Karadzic veçse një katundar i Tërshiqit, bile edhe i çalë, por askujt s’i bie ndërmend as katundaria as çalamania e tij.
Kur zvicerani Oliver Jens Schmitt trajton shqiptarët, po, vjen në shprehje katundaria! A thua përse? Ndoshta për dashamirësi?!
Dhe krejt në fund: Oliver Jens Schmitt në parathënien e botimit shqip, ndër të tjera thotë: “Enver Robelli ka bërë shumë më tepër, përveç përkthimit brenda një kohe të shkurtër; ai ka bërë vërejtje të rëndësishme, të cilat ndihmuan në korrigjimin e gabimeve dhe nuancimin e vlerësimeve mbi trazirat e vitit 1981.” (Faqe 13). Nëse është kështu, dhe duhet të jetë kështu, meqë e thotë vetë Oliver Jens Schmitt, përse s’thuhet se tani botimi në gjermanisht duhet hequr nga qarkullimi, meqë paska pasaktësi të pafalshme?!
Tjetra: Kushtimi “Studentëve të mi shqiptarë dhe serbë” është spekulativ, sepse mbase rastis që ndonjë student shqiptar mund të jetë katundar!
Uroj që këto venerime të miat të merren paq nga Oliver Jens Schmitt, duke u bindur se me gjysmë të vërteta nuk bëhet shkencë!

– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
– FUND –

*   *   *
– LEXONI PJESËN PARË –
DR.JAKUP KRASNIQI: ME GJYSMË TË VËRTETA NUK BËHET SHKENCA (I)
https://pashtriku.org/index.php?kat=60&shkrimi=1222

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura