GANI ILJAZI, MËSUESI I PARË I TËRBAÇIT
Drita atdhetare e mësuesit dhe luftëtarit Gani Iljaz Habazaj edhe në gazetën “Drita” të Gjirokastrës
Albert Habazaj
Kush flet dhe shkruan për Gani Iljaz Habazaj, mësuesin atdhetar, kronikanin e Epopesë së Njëzetës, fisnikun e mesazheve të shqiptarizmës së Rilindjes kombëtare është i bekuar nga Mali i Çikës dhe Drita e Diturisë! Thjeshtësia e tepërt është e dëmshme, sepse shfaqen të liqtë, liliputët, zullumqarët. Nuk jemi ne që ndriçojmë figurën e Babë Ganiut, sepse Ai e kishte ndezur vetë dritën e diturisë për Atdhe e për shqiptarë. Ne e pohojmë. E rithemi atë të vërtetë siç ka qenë, mundësisht pa të tepërta, pa të pakta.
Ndjej krenari dhe përgjegjësi tek shkruaj këto radhë me mallin e gjakut për babë Ganiun njërin nga pishtarët e dritës për liri dhe përparim, që nxorri fisi i Habazajve në Tërbaç, një bir i thjeshtë i të cilit jam edhe unë që mendoj se vijoj Udhëtimin e bekuar dhe nën uratën e tyre.
Gani Ilias Lulo Habazaj ka lindur në Tërbaç dhe prehet në Tërbaç (16.04.1896-23.09.1969). Rrjedh nga një familje e shquar atdhetare dhe arsimdashëse, rreshtuar në ballë të historisë për liri, pavarësi e përparim. Është nip i kapedanit të Tërbaçit, Lulo Habaz Mehmetit. Gjyshi i tij njihet në histori si një ndër udhëheqësit e kryengritjeve antiosmane (Tanzimati, 1847) të Shqipërisë së Jugut, në krah të Gjolekës, Cane Miftarit, Dervish Aliut, Rrapo Hekalit, Çelo Picarit, Tartar Memushit e kapedanëve të tjerë. Është ndër 10 mësuesit e parë të Tërbaçit; ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit më 6 shtator 1913, ku u “lutej të gjithë atyre që janë të zotët të bëhen mësonjës që të mos e kursejnë veten”. Në takimin që pati me Ministrin e Arsimit Luigj Gurakuqi dhe Jani Mingën, u shprehu gatishmërinë e tij për t’i shërbyer Atdheut në përhapjen e arsimit shqip.
Me vendim të Ministrisë së Arsimit, Gani Ilias Habazaj u emërua mësues në Tërbaç, ku më 16 shtator 1913 u hap shkolla e parë shqipe, njëra nga 10 të parat në krahinën e Vlorës. Gani Iliazi është mësuesi i parë i Tërbaçit. Në vijim, kontributi i tij la gjurmët e veta tek breza të tërë nxënësish në Lumin e Vlorës, si: në Gjorm, Kropisht e Brataj. Në vitin 1917, së bashku me Avni Rustemin, Halim Xhelon, Ibrahim Kushtën, Muço Delon, u kualifikua për mësues në Shën Mitër Korona të Kalabrisë (Itali). Nën ndikimin e Murat Tërbaçit e Halim Xhelos, mori pjesë në formimin e shoqërisë “Mbrojtja shkollore”, që më von mori emrin “Shtizat e qytetërimit” (1919).
Gjatë Luftës së Vlorës, 1920 u caktua me detyra ndërlidhjeje nga Komiteti “Mbrojtja Kombëtare”. Ka qenë korrespondent i gazetës “Drita”, që botohej në Gjirokastër nga Veli Harshova. Mbas Luftës së Vlorës u emërua sekretar i prefekturës së Vlorës. Ka qenë anëtar i shoqërisë “Bashkimi”, ku bashkëpunoi me atdhetarë e intelektualë të ndritur vlonjatë etj. Njihet si antizogist dhe në burgoset në vitin 1932, sikurse dhe patriotë të tjerë vlonjatë. Në vitet ‘40 ka punuar në administratën shtetërore herë si nënprefekt në Gusmar, Himarë, Bicaj, kryetar komune në Shijak, Vuno, Dukat, Brataj e më pas prefekt në Kukës e Prizren. Ka punuar si një pishtar i ndezur për dritë atmëmëdhetare për mësimin e gjuhës shqipe në Kosovë. Ai ka shkruar artikuj e ka thurur vjersha, mbrujtur me ndjenja të zjarrta atdhedashurie, ku spikatin ciklet poetike për Kosovën dhe Çamërinë. Në epistolarin e kujtimeve të tij, ka lënë më shumë se 500 faqe dorëshkrim. Në vitin 1995, nën kujdesin dhe redaktimin e studiuesit Bardhosh Gaçe, boton librin “Lufta e Vlorës në kujtimet e mia”
Gani Iliaz Habazaj, luftëtari dhe korespondenti i gazetës “Drita” për Luftën Kombëtare të Vlorës, 1920, ishte modeli i mësuesit të kohës, që edhe sot duket, shpërndan mesazhe përparimi ndër ne.
Po të lexosh kronikat e gazetës “Drita” të Veli Harshovës që botohej në Gjirokastër, ndalojmë tek faqet kushtuar Epopesë së Njëzetës dhe dallojmë se nëpër llogoret e kësaj lufte në Vreshtat e Mëdha, Drashovicë, Babicë, Kaninë, Shashicë, Bestrovë e gjetkë, aty mes luftëtarëve, në ballinat e luftës janë dhe gjurmët e Gani Iljazit me Muço Delon, Toto Hosin, Sali Muratin, Selman Hysenin e Selam Habazin.
Gazeta filloi t’i komentojë dhe pasqyrojë ngjarjet e Luftës Kombëtare të Vlorës 1920 më 29 maj, dhe më tej në datat 6, 16, 23 qershor, 10, 15, 16, 31 korrik, 14, 21 gusht dhe 5 shtator 1920… Nga fronti i luftës korrespodenti gazetës “Drita”, Gani Abazi katër ditë pas sulmeve të datës 22-23 korrik (më 27 korrik) njoftonte me anën e një relacioni redaksinë e gazetës në Gjirokastër mbi zhvillimin e luftimeve. Në këto kronika, Gani I. Habazaj shënoi edhe letrën e të të plagosurve luftëtarë në spitalin e Kotës, të cilët u bënin thirrje luftëtarëve të tjerë, të vazhdonin betejat për çlirimin e Vlorës nga pushtuesi. Gazeta trajtoi edhe temat që rrokte shtypi i huaj në lidhjem me luftën Kombëtare të Vlorës, sidomos qëndrimin e socialistëve italianë ndaj kësaj lufte të drejtë. “Drita” e Luftës së Vlorës “pati sukses të jashtëzakonshëm dhe popullariteti i saj u shtri në gjithë prefekturën e atëhershme, në Korçë, në Vlorë e Tiranë, -shkruan historiani Shyqyri Hysi. – Këtë sukse e provoi redaktori i saj V. Harshova, i cili, i shoqëruar prej korrespodentit të tij Gani Abazit (Iljazit), vizitoi frontin, spitalin [në lartësinë 115 Mavrovë. [Shën. im: A.H] dhe qendrën e Prefekturës Kombëtare në Drashovicë”. “Hysi, Shyqyri: Lufta e Vlorës në faqet e gazetës “Drita” e Veli Harshovës” në librin “Lufta Kombëtare e Vlorës: Rilindja e Pavarësisë: Konferencë shkencore kombëtare, Vlorë, 2 shtator 2020, Tiranë, Onufri, 2020 f. 173).
Qëndrimi dhe veprimi atdhetar i Gani Habazajt vijoi dhe mbas fitores së Luftës së Vlorës. Kujtojmë Organizatën e Fshehtë të Vlorës (1931-1932), një lëvizje intelektuale antizogiste e kohës, me ide të guximshme e përparimtare, që kishte marrë përmasa në Vlorë për revoltën ndaj regjimit. Ajo cila u zbulua dhe u dënua nga Gjykata e Lartë Mbretërore. Dënimet u bënë sipas shkallës së rrezikshmërisë që paarqisnin për monarkun. Në grupin e parë që morën dënimin kapital: me vdekje, me varje ishin gjashtë intelektualë atdhetarë: Beqir Sulo Agalliu, Qazim Kokoshi, Tare Libohova, Skënder Muço, Hysni Lepenica dhe Murat Miftar Tërbaçi, xhaxhai i Gani Iljazit.
Për lexuesin tonë po publikojmë për herë të parë dy dokumente të viti 1935, ku njihemi me korrespondencën e Prefekurës së Tiranës me Ministrinë e Punëve të Brendshme mbi lëvizjet e Gani Abazit nga Tërbaçi i Vlorës, takimi i tij me Murat Miftarin, i burgosur politik. Në tekstin e parë shkruhet: “Mbretnija Shqiptare, Ministrija e Punëve të Mbrendshme, Zyra Sekrete, Tiranë, më 3.8.1935. Nr. 1088 Regj. KONCEPT Lënda: Prefekturës Tiranë Gani Abazi nga Tërbaçi i Vlorës i paragjykuen për çështje politike, ka ardhë këtu. I përmenduni të mbahet nën vëzhgim të mirë, por të pakuptueshem. Të na tregohet se me cilët persona vjen në kontakt e ç’ka flet e pse ka ardhë. Ministri i P. të Mbrendshme”
Teksti i dytë, ai i dokumentit që Prefektura e Tiranës i kthen përgjigje Ministrisë së Brendshme është si vijon: “Mbretnija Shqiptare, Prefektura e Tiranës, Tiranë, më 5.8.1935. Nr. 175 Regj. P. T. Ministrisë së Punëve të Mbrendshme, Zyrës Sekrete Këtu Lënda: Mbi Gani Abazin. Përgjigje e Urdhërit nr.1088/ 2 datë 3/8/35. Kemi nderin t’ju njoftojmë se, ai mbas njoftimit që na bën Komanda e Gjind. Kryeqytetit, ai i quajtuari Gani Abazi nga katundi Tërbaç i Vlorës ka ardhë në këtë qytet dhe asht takue në burg me xhajën e tij Murat Miftarin që asht i burgosun politik dhe dje ka ikë për Durrës. Kontakt ka pasë me Seit Muçon e Hasan Kokoshin si dhe me Doktor Hajdarin. Prefekti (vula firma). Është dhe një dokument tjetër në dosjen Korrespondencë e Drejtorisë së Policisë me Kuesturën e Gjirokastrës për masat e marra për Abas Shehun, ku skeda 11 shënon: “Njoftime të Kuesturës së Tiranës mbi aktivitetin e Gani Abazi zëvendësprefekt i Kurveleshit dhe bashkëpunimi i tij me komunistët Gani Gusmari, Bexhet Mema, Tahir Kadareja, Bedri Spahiu, Qemal Karagjozi të gjithë kryetarë të çetave partizane”
Ja dhe faksimilet e këtyre dokumenteve, origjinalet e të cilave gjenden në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Arkivi Qendror Shtetëror:
[Shih faksimilet bashkëngjitur shkrimit që po ju nis]Në një bisedë me xhaxha Iljazin, djalin e madh të babë Ganiut, i cili na mundësoi edhe këto faksimile të këtyre dokumenteve nga dosja Gani Abazit, që ruhet në Arkivin e Shtetit, i thashë: “Është shumë e rëndësishme për ne e brezat – ti, xhaxha Iljaz dhe unë, si vijues i gjakut tuaj kemi mundësinë dhe përgjegjësinë t’u lëmë parardhësve tanë, historinë e shkruar të Habazajve të njohur në historinë lokale dhe kombëtare të shqiptarëve, në rastin konkret të Babë Ganiut – mësuesit atdhetar, idealistit të kombit që shndrit si një yll i bukur në plejadën e emrave të lartë të fisit tonë bujar.
Llambë e ndezur qe Gani Iljazi që ndriçoi fshatin me atë zërin e dashur atdhetar, të ëmbël e dhembshur, që tërbaçiotët e patën në zemër e në shpirt, se u edukuan nga ai, në gjurmët e të parëve me dashuri për Atdheun dhe etje për dijen. Babë Ganiu nuk qe thjesht një mësues shumë i mirë dhe i zoti, por edhe një guximtar i gjuhës së bukur shqipe, që Mëmëzonja e identitetit tonë të fluturonte si shqiponjë e lirë në krahët e dritës ndër banorët e vendlindjes; sepse kërkonte në ato kohë të zeza për Shqipërinë të na e zbardhte faqen gjuha shqipe; sepse kërkonte të mësohej shqip e të flitej shqip ndër shqiptarë, siç kishte folur Naim Frashëri e korifenj të tjerë të gjuhës shqipe.
Kujtojmë këtu protestën e njohur që bëri mësuesi Gani Habazaj kundër politikës shkollore për italianizimin e shkollave shqipe ende të brishta dhe konkretisht, duke ngritur zërin me forcë kundër mësuesit italian që jepte historinë e Shqipërisë dhe gjeografinë e këtij vendi. Mësuesi italian ua mësonte shtrembër historinë nxënësve, prandaj protestën Ganiu ia bëri direkt Prefekturës së asaj kohe, fakt që gjendet dhe i dokumentuar. Kopja e protestës që bëri mësuesi Gani Iljazi ka qenë e afishuar edhe në shkollën 8-vjeçare “Halim Xhelo” të Tërbaçit, dokumenti origjinal gjendet në arkiv të shtetit. Në atë dokument shkruhet: “Mësuesi i Tërbaçit proteston, se mësimi i historisë dhe i gjeografisë duhej t’i përkiste atij dhe jo mësuesit italian që i jepte të shtrembëruara”. Pati bujë të dinjitetshme dhe frymëzuese qëndrimi atdhetar dhe protesta ndaj mësuesit italian të historisë dhe gjeografisë së Shqipërisë.
Gani Iljazi kishte si lajtmotiv të veprimtarisë së tij arsimore dhe atdhetare: “Ideali kombëtar dallon shqiptarët nga pseudoshqiptarët”. Ai qe zëdhënës i një brezi të kulturuar, që jepën ia kushtoi me shpirt zhvillimit të arsimit dhe shpirtit të idealit kombëar, që nga Tërbaçi, në Vlorë e deri në Prizren. Sikurse Halim Xhelo, Muço Delo, Nuro Ahmeti, Rakip Rroko, Brahim Aliu e Abaz Hoxha, edhe Gani Iljazi mësoi gjuhën shqipe për të ndërgjegjësuar bashkëfshatarët, bashkëkrahinasit e bashkëkombëtarët që të shpëtonin Shqipërinë nga robëria osmane pesëshekullore, për t’u ndezur dritën kombëtare vëllezërve dhe motrave shqiptarë, lindur, rritur, plakur e vdekur në errësinën e pushtimit të tejstërgjatur.
Kështu, nga vitet 1908-1910 e vit pas viti, Ganiu po ravijëzonte portrtin e tij me dritë; ai tashmë qe shkolluar me ndihmën e atdhetarit të shquar, kushëririt të tij Murat Tërbaçit (Murat Miftar Habazaj) dhe nën ndikimin e klubit Atdhetar “Labëria” në Vlorë, kreu shkollën qytetëse të Vlorës. Dha prova si mësues idealist, që pas kualifikimit pedagogjik në Shën Mitër – Korona e deri sa rrojti jetoi e veproi si një marathonomak i fjalës shqipe dhe diturisë. Mësuesi hero Muço Delo, në një bisedë të hershme në Tërbaç, midis të tjerash ka thënë: “Tërbaçi, Vlora dhe Labëria kanë të drejtë të krenohen me figura të tilla atdhetare dhe kombëtare si: Murat Tërbaçi, Halim Xhelo, Gani Iliazi etj., të cilët punuan për atdheun, kur e ishte rrezikun në sy…”.
Ndër djalërinë e Tërbaçit e të krahinës, Gani Iljazi kishte shumë cilësi, por ai shquhej për zgjuarsi natyrale dhe për një kujtesë të mahnitshme. Ai ishte gjykatës i thellë i proceseve politike e shoqërore të kohës. Gani Iljazi njihej siç qe: burrë zotni e fisnik që mbronte me dinjitet interesat historiko-atdhetare dhe të edukimit qytetar të vendlindjes dhe kombit tonë…