KUSH SI VOTOI PËR KOSOVËN NË KËSHILLIN E EVROPËS?

KUSH SI VOTOI PËR KOSOVËN NË KËSHILLIN E EVROPËS?

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 29 prill 2023

Komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës, në seancën e mbajtur më 24 prill të vitit 2023 vendosi të ngrihet procedurë për shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për t’u pranuar në këtë organizatë.

Për këtë propozim votuan 33 shtete:

Andora, Austria, Belgjika, Britania e Madhe, Bullgaria, Çekia, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Holanda, Irlanda, Islanda, Italia, Kroacia, Letonia, Lituania, Lihtenshtajni, Luksemburgu, Mali i Zi, Malta, Maqedonia e Veriut, Monako, Norvegjia, Polonia, Portugalia, San-Marino, Sllovenia, Suedia, Shqipëria, Turqia, Zvicra.

Kundër këtij propozimi votuan 7 shtete: Azerbajxhani, Gjeorgjia, Hungaria, Qiproja, Rumania, Serbia, Spanja.

 Abstenuan në votim 5 shtete: Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Moldavia, Sllovakia dhe Ukraina.  

Nuk votoi 1 shtet – Armenia.

*   *   *

Komiteti i ministrave të Këshillit të Evropës ka 46 shtete anëtare.

Kërkesa e Kosovës do t’i përcillet Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

  Votimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës mund të realizohet brenda një viti. 

*    *   *

Ish-zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme dhe i Punëve Evropiane i Sllovakisë, Peter Stano (1975- ), tani zëdhënës i përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme¸ Zhozep Borel (Josep Borrel Fontelles, 1947- ), deklaroi se institucionet e Brukselit janë në dijeni se Serbia votoi kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 
Hungaria është një shtet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës. Është për t’u ardhur keq sesi ky shtet, i udhëhequr nga kryetari Viktor Orban (Viktor Mihály Orbán, 1963- ), votoi kundër propozimit që Kosova të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq (Ivica Dačić / Ивица Дачић, 1966- ) ishte zemëruar tej mase për votën e Malit të Zi, në favor të Kosovës, ndërsa kryeministrja Ana Bërnabiq (Ana Brnabić / Ана Брнабић, 1975- ), në shenjë proteste dhe hidhërimi për abstenimin e Greqisë në votim, si duket nuk do të marrë pjesë në Forumin VIII Ekonomik që mbahet në Delfi të Greqisë më 26-29 prill 2023.  

*   *   *

Këto ditë Uashingtoni dhe Brukseli mbështetën drejtësinë:

– Kosova do të fitojë liberalizimin e vizave;

– I njohën zgjedhjet në veri të Kosovës; dhe

– Votuan me shumicë që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës.

*   *   *

Vota e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës për anëtarësim në  Këshillin e Evropës paraqet shkelje të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve që Kosova dhe Serbia arritën gjatë vitit 2023.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 27 shkurt të viti në vazhdim, u pajtuan në Bruksel për një marrëveshje që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ndërkaq, në takimin e mbajtur në Ohër më 18 mars të viti 2023 këta u duk sikur u pajtuan për Shtojcën e zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

Sipas nenit 4 të kësaj marrëveshjeje, Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare. Rrjedhimisht, vota e Serbisë kundër aplikimit të Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, paraqet shkelje të nenit të lartpërmendur. 

*   *   *

Thirrja e autoriteteve të Beogradit drejtuar serbëve të Kosovës për të mos dalë në votim në veri, është në kundërshti të plotë me parimet e demokracisë.

Për sjelljet destruktive të sipërthëna, Uashingtoni dhe Brukseli duhet të marrin masa ndëshkuese ndaj Serbisë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

SAMI BABA!

SAMI BABA! Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 28 tetor 2021 Derisa kemi këso SAMI BABASH në politikë shteti shkon…