SOKOL BYLYKBASHI: KEQ-QEVERISJA LOKALE

(Prishtinë, 10. 04. 2012) – Mendësia e mbrapshtë e partive politike ka bërë që të kemi keq-qeverisje jo vetëm në nivelin qendror, por edhe në atë lokal. Partitë politike që qeverisin në komunat e ndryshme kanë dhënë shembullin më të keq se si duhet qeverisur në nivelin lokal. Pushtetarëve komunalë, përveç që iu mungon vullneti dhe aftësia për të hartuar politika gjithëpërfshirëse zhvillimore, ata në mënyrën më përfide zhvatin resurset dhe paratë publike. Buxhetet e komunave nuk hartohen për të përmirësuar jetën e qytetarëve, por për të rritur luksin dhe komoditetin e atyre që i udhëheqin komunat.
     Pushtetet komunale i kanë tejkaluar kufijtë e neglizhencës, keqmenaxhimit dhe keqpërfaqësimit. Pushtetarët komunalë nuk marrin parasysh kërkesat dhe vullnetin e qytetarëve. Këta pushtetarë janë të shkeputur tërësisht nga qytetarët në aspektin politik, madje edhe fizik. Kryetarët e komunave, drejtorët dhe këshilltarët e asambleve komunale pothuajse kurrë nuk i vizitojnë lagjet dhe fshatrat për tu konsultur dhe njoftuar me qytetarët për problemet dhe hallet e shumta që i kanë. Pushtetarët lokalë i vizitojnë qytetarët kryesisht në zgjedhjet elektorale për të kërkuar votën e tyre.
     Komunat nuk i zbatojnë mekanizmat e demokracisë se drejtpërdrejt, dhe në këtë mënyrë i përjashtojnë qytetarët nga vendimarrja. Peticionet dhe iniciativat qytetare për çështje të interesit të veçant, nuk merren parasysh nga pushtetarët komunalë. Për më tepër, pushteti lokal ia pamundëson qytetarëve dhe organizatave joqeveritare të marrin pjesë në Komitetet Konsultative. Kjo qeverisje lokale, ku qytetari nuk degjohet dhe as nuk pyetet, por vetëm shtypet, tregon qartazi se korrupsioni dhe dukuritë tjera negative janë të pranishme në të gjitha komunat. Këtë e verteton çdo vit Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportet e saj. 

_______________________________

     Zyra e Auditorit të Përgjithshëm në raportet vjetore të pasqyrave financiare të komunave evidenton keqpërdorime dhe parregullësi të shumta. Identifikimi i magesive dhe dobësive nga ky institucion janë të ngjashme për të gjitha komunat. Këto probleme kanë të bëjmë kryesisht me natyrën e kontrollit të prokurimeve, kontrollit financiar, mangësit në aspektin e raportimit, cilësia e informatave dhe dobësitë në menaxhimin dhe regjistrimin e pasurive komunale. Në të gjitha këto fusha pushtetarët komunalë duke shkelur ligjet dhe aktet tjera nënligjore janë pasuruar tejmase.
     Në projektet e pakta kapitale që i realizojnë komunat që kryesisht janë në infrastrukturë, verehen defekte serioze në cilësinë e tyre. Kjo ndodh përshkak se mjetet e distinuara për projekte të ndryshme ndahen në një përqindje në mes pushtetarëve që i japin tenderet dhe kompanive që i marrin ato. Materiali që përdoret në projekte kapitale sipas faturave, zakonisht është më i shtrejti dhe më i miri. Ama vetëm në letër, sepse në praktikë futet material që është më i liri dhe më i dobëti.
     Një sektor tjetër ku pushteti lokal ka mundësi dhe hapësirë të madhe për keqpërdorime të ndryshme, padyshim është arsimi. Ky sektor ka numrin më të madh të punëtorëve publik nëpër komuna. Pranimi i punëtorëve arsimorë në komuna, në masë të madhe bëhet në baza politike. Ka shkelje të mëdha të kriterëve në punësimin e mesimdhënësve dhe stafit drejtues në shkollat fillore dhe të mesme. Bëhet pranimi i mesimdhënesve në lëndet, ku atyre iu mungon përgatitja profesionale. Sa i përket stafit drejtues, respektivisht drejtorët e shkollave, emërohen në këtë dëtyrë pa përvojën dhe aftësinë e duhur që kërkohen nga aktet nënligjore.
     Sektori i shëndetësisë në të gjitha komunat është i lënë pas dore. Qytetarëve nuk i afrohet sherbime të mira në këtë sektor. Në qendrat apo shtëpitë e shëndetit mungojnë aparaturat, barërat esenciale dhe materiali shpenzues. Pacientët presin gjatë për shërbimet mjekësore sepse mjekët nuk vijnë më kohë në punë, apo zgjasinë pauzat e tyre. Ka raste që mjekët iu “rekomandojnë” pacienteve që të trajtohen në klinikat e tyre private. Dihet fare mirë se pacientët nuk mund të përballojnë koston e lartë që kanë trajtimet mjekësore në klinikat private.
     Qytetarët e Kosovës pavarësisht se cilës komunë i përkasinë, kanë shumë arsyje për të qenë të paknaqur dhe të zhgënjyer. Paknaqësia që qytetarët e kanë ndaj pushtetit qendror edhe atij lokal duhet të jetë arsyje për tu organizuar dhe mobilizuar për të kundërshtuar fuqishëm këto pushtete jodemokratike dhe antiqytetare. Qytetarët duhet që të përdorin të gjitha format demokratike të veprimit politik për të ia pamundësuar pushtetit keqpërdorimet dhe padrejtësitë. Tubimet, peticionet, grevat, aksionet politike, protestat, demonstratat dhe zgjedhjet elektorale janë mjetet demokratike që mund t’i heqin këta politikanë nga pushteti, të cilin e kanë vjedhë nga qytetarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura