Prishtinë, 15. 02. 02. 2013 – (Në 10-vjetorin e ndarjes fizike nga gjiri familjar e kombëtar të mësuesit veteran të arsimit kombëtar shqiptar) – Njerëzit, të cilët tërë jetën e vet, punën dhe veprimtarinë edukativo-arsimore dhe atdhetare ia kushtojnë popullit dhe atdheut të vet, nuk vdesin kurrë. Ata janë të përjetshëm, sepse vepra e tyre flet edhe pas vdekjes. Një meritë të tillë e kishte edhe mësuesi veteran – Jetish B. Vishi.
Jetish Vishi, me punën e tij të palodhshme me vullnetin e çeliktë për të përhapur rreze dijeje në fushën e arsimit, me sakrificat që bëri për çështjen kombëtare, na bën borxhlinj që me rastin e 10-vjetorit të ndarjes fizike nga gjiri familjar e kombëtar ta kujtojmë me respekt e admirim për punën e tij dyzetvjeçare në fushën e arsimimit dhe emancipimit të gjeneratave të reja, që sot përbëjnë një armatë intelektualësh të profileve të ndryshme të veprimtarive politiko-shoqërore, ekonomiko-arsimore e shkencore. Dhe nëse çdo send apo objekt inorganik vjetërohet e amortizohet dhe në fund asgjësohet, puna e mësuesit, e edukatorit të arsimit nuk asgjësohet kurrë, por vetëm shumëfishohet, ndaj vepra edukativo-arsimore e veteranit të arsimit në treva të ndryshme shqiptare, madje edhe tejoqeanike, nëpërmjet nxënësve të tij është shumëfishuar, është shtuar dhe avancuar dhe është përhapur gjithandej në kohë historike e në hapësirë gjeografike.
Jetish B.Vishi (1 maj 1914 – 15 shkurt 2003)
Jetish B. Vishi, u lind më 1 maj 1914 në fshatin Vërban të Anamoravës, në një familje të varfër shumanëtarëshe patriarkale, por me tradita të pasura kombëtare. Ndaj si i këtillë u shkollua në kushte tepër të vështira të Jugosllavisë monarkiste SKS, duke i ndjekur mësimet fillestare në gjuhën serbokroate, ndërsa gjatë viteve 1932-1939 ndoqi mësimet në medresenë “Isa Beu” të Shkupit. Këtu ai u pajis me dituri e kulturë të gjerë njerëzore. Por mbi të gjitha ai u edukua dhe u vetëdijësua edhe me dije atdhetare. Mbante takime të shpeshta dhe lidhje të ngushta me konsullin shqiptar në Shkup, duke zgjeruar kështu horizontin e dijes në fushën e historisë kombëtare shqiptare, ai lexonte vijimisht vepra në gjuhën shqipe qysh kur ishte nxënës i medresesë. Nga konsulli shqiptar atëbotë, Hamit Kokollari, me kureshtje, me dashuri e interesim të veçantë lexoi veprën: KOSOVA DJEP I SHQIPTARIZMIT, duke mësuar të vërtetën historike për popullin e vet, mësuesi Jetish, tërë jetën do të përpiqet që në procesin mësimor të mbjell e të kultivojë te nxënësit e vet dashurinë për popullin e atdheun e tyre. Jetish Vishi, punën në lëmin e arsimit e filloi qysh gjatë Luftës së Dytë Botërore, pikërisht më 1 qershor 1943, në vendlindjen e vet në Vërban. Në atë kohë kur njerëzit, që dinin shkrim-lexim në gjuhën amtare ishin shumë të rrallë, ndaj hapja e shkollës shqipe ishte një ngjarje me rëndësi të madhe e të veçantë që përhapte rreze dijeje në jetën kulurore-arsimore në tërë Anamoravën. Mësuesi Jetish, ndonëse ishte përgatitur për hoxhë, në momentin e nevojshëm ai vendosi të hap shkollën e parë shqipe në Vërban, duke u bërë mësuesi i parë shqiptar i saj, që mësimet i zhvillonte në gjuhën e ëmbël amtare shqipe.
Hapja e shkollës shqipe në Vërban, më 1 qershor 1943, ka odisejadën e historikun e saj të gjatë, e cila u hap me përpjekjet mbinjerëzore të patriotëve Zeqë Vërbanit dhe mësuesit të ri – Jetish Vishit, të cilët duke intervenuar në Qeverinë e atëhershme kuislinge të Tiranës, arritën të ndërrojnë vijën kufitare bullgaro-italiane, e ta hapin shkollën e parë shqipe. Dekreti vjen nga Tirana, nga ministri i atëhershëm i arsimit – Ahmet Duhanxhiu, e nëpërmjet Selami Hallaçit, i dorëzohet Jetish Vishit, duke e emëruar mësues të parë në këtë shkollë. Ndaj me rastin e kremtimit të 50-vjetorit të kësaj shkolle, më 1 qershor 1993, rapsodi i mirënjohur popullor, Hashim Shala, kësaj ngjarjeje të rëndësishme të shkollës së parë shqipe të fshatit Vërban i këndoi:
“Jetish Vishi, pika djalit,
Zeqë Vërbani sokol mali;
Jetish Vishi mësues i ri,
Zeqë Vërbani burrë dai;
Për Tiranë këta ia kan mësy
Me hap shkollë, me ndrrue kufi…”
……………………………………….
HASHIM SHALA: KËNGË PËR VETRERANIN E ARSIMIT JETISH B.VISHI
Kështu, mësuesi Jetish, u quajt edhe mësues që hapte shkolla shqipe, i cili përhapte rreze dijeje edhe në shkolla tjera si: në fshatin Rashçe të Dërvenit të Shkupit (1945), në fshatin Zhelinë të Tetovës (1945-1947), e madje arriti të hapte shkollën shqipe edhe në Amerikën tejoqeanike (1973-1977). Punoi në shumë shkolla të Kosovës, të Maqedonisë, derisa pas dyzet vjet pune në arsim, kur u pensionua, më 1973 në Shkollën fillore të Kastriotit, ku edhe sot jetojnë e veprojnë pasardhësit e tij, djali (Fatmiri) e nipat (Kushtrimi e Lisi) e tij.
“Jetish Vishi e deshi popullin e atdheun e vet. E deshi arsimin shqip, ndaj kurrë nuk u nda nga ai deri në pension” – tha z.Mehmet Gjevori, kryetar nderi i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit Shqip të Kosovës me rastin e varrimit të mësuesit të mendjes dhe të veprës, Jetish Vishi, i cili u përcoll në amshim, por në jetë mbetën veprat, të cilat do të mbahen mend gjatë-shkroi Hamdi Tovërlani (“Bota sot”, 24 shkurt 2003, f. 19).
I pakënaqur me rrjedhat e ngjarjeve të ripushtimit dhe aneksimit të Kosovës nga Serbia e Jugosllavia moniste, Jetish Vishi u inkuadrua në Organizatën NDSH, që nga viti 1945, duke e ngritur lartë moralin dhe ndërgjegjen kombëtare, aktiviteti i të cilit ra shpejt në sy të organeve të OZN-ës dhe më 9 shtator 1946 u arrestua dhe u dënua me 7 vjet burg të rëndë politik.
“Jetish Vishi tërë veprimtarinë politike dhe patriotike e zhvilloi në organizatën e Komitetit Nacional-Demokratik Shqiptar. Komiteti Qendror i Organizatës NDSH që në fillim kishte formuar bindjen dhe besimin për Jetishin, duke i besuar detyrat më të rëndësishme. Këtë e dëshmon fakti kur Jetishin e ngarkuan që vendimet e Mbledhjes së Dytë të Organizatës, mbajtur në korrik të vitit 1946 në Shkup, t’ia dërgojë ambasadës anglo-amerikane. Këto konkluzione ishin me interes të posaçëm për çështjen kombëtare, ndaj edhe duhej të përcilleshin nga duar të sigurta dhe nga njeriu i besueshëm i organizatës në fjalë”. (M. Halimi, Bujku 14 maj 1994).
Ky, në vija të trasha, ishte portreti i atdhetarit dhe arsimdashësit Jetish Vishi, i cili tërë jetën e vet punoi si mësues, por duke mos e lënë anash edhe veprimtarinë e tij patriotike për çështjen kombëtare, sepse ato ndërlidheshin dhe ndërplotësonin njëra tjetrën.
Si mund ta çmojmë e ta nderojmë veprën madhore të këtij mësuesi veteran të arsimit kombëtar dhe atdhetar të dëshmuar të çështjes kombëtare! Vetëm duke e përkujtuar e nderuar me rastin e përvjetorëve të veprave të tij arsimdashëse e atdhedashëse, datat e ngjarjeve të rëndësishme, të lindjes e të ndarjes së tij prej nesh, etj.
Madje me rastin e 10-vjetorit të ndarjes nga jeta, mësuesi Jetish Vishi meriton të kujtohet e nderohet me një përmendore në vendlindjen e vet, ku ai mplaku motet, ku ai derdhi mundin e djersën, e pikërisht në vendin, ku ai ngriti dhe ndërtoi shkollën e parë shqipe, ku edukoi e mësoi nxënësit e vet në ndërtesën, e cila ishte në oborrin e xhamisë së sotme. Ish nxënësit e tij, fshatarët e vendlindjes së tij të Vërbanit, duke pasur parasysh veprën kolosale të arsimtarit e atdhetarit Jetish Vishit, duhet të kenë mirëkuptim e respekt t’ia sigurojnë këtij luftëtari të dritës e të lirisë dy metra katror për një pllakë përkujtimore, sepse nderi matet me nderë.
Kush nderon tjetrin, nderon veten.
Të nderuar qytetarë Vërbanas keni rastin ta nderoni mësuesin tuaj dhe ta nderoni veten.
Me respekt
Mehmet Halimi, Anëtar korrespondent i ASHAK-ut.
*) Mehmet Halimi, lindi më 1937 në Cërnicë të Gjilanit. Është personalitet i pakontestueshëm i kulturës shqiptare. Vjen nga një familje atdhetare – arsimdashëse dhe është doktor i dialektologjisë. Ai shpallet qytetar nderi i Gjilanit më 2005 nga Kuvendi i Komunës. Ndërkaq në dhjetor të vitit 2012 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
……………………………………
Zbulimi i Lapidarit të Zeqë Verbanit (I dhe II)
* * *
===============================
(ILUSTRIMET I PËRGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)