Në 30 vjetorin e themelimit të Fondit “Vendlindja Thërret“
FUNKSIONIMI ADMINISTRATIV I FONDIT “VENDLINDJA THËRRET” (1993 – 1999)
Nga Sejdi Gega, Zvicër, më 03.12.2023
LPK hapi fondin «V.TH» më 4 dhjetor 1993, dedikuar forcave çlirimtare në Kosovë. Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPRK) deri në fund të vitit 1989, Dega Jashtë Vendit, klubet dhe shoqatat e pavarura që kishin shkëputur lidhjet me përfaqësuesit e RSFJ-së, bartën barrën kryesore edhe në disa fusha për të cilat nuk ishin të thirrura, jashtë programit të tyre direkt dhe çështjen e ndihmave financiare e materiale për popullin në Kosovë.
Lëvizja Popullore e Kosovës, kurbetçarët në përgjithësi, si pjesë e pandarë e popullit tonë në Kosovë e viset e saj, do ta shprehin solidaritetin aty ku ishin me forma e metoda më të drejta që mund t’i kontribuojnë luftës për të drejta, barazi, liri e demokraci.
Gjatë viteve të okupimit klasik nga Serbia (1989-1999) ishim populli më i organizuar e solidar brenda e gjithandej botës në përpjekjet tona për liri e shtet.
Lëvizja Popullore e Kosovës para se të hapte fondin „Vendlindja Thërret“ ka mbledhur mjete për t’i ndihmuar radhët brenda vendit për realizimin e programit të vet, ka bartuar armë, për të cilat anëtarët e saj kanë vuajtur dënime me burg edhe në shtete të tjera (Ali Rashani). LPK ka ndërmarrë aksione financiare edhe para fondit në radhët e veta për t’i ndihmuar aksionet në Kosovë dhe për t’i forcuar radhët e veta. LPK-ja ka dhënë çka është e mundur, që mbrojtja dhe përpjekjet për çlirim të jenë më të suksesshme.
Meqë gjatë viteve 1991/1992 dhe 1993, anëtarët e LPK-së bënë disa veprime të armatosura kundër trupave policore në Kosovë, shumica e anëtarëve të Këshillave të Rretheve e ato Popullore të LPK-së militonin në krahun ushtarak që më vonë do të quhej Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
Për të realizuar programin e vet, Këshilli i Përgjithshëm, Dega Jashtë Vendit ndryshon rregulloren financiare, ku anëtarësia prej 20 Fr.CH në muaj, rritet në 60 Fr.CH (ajo ndahej: 20 Fr.CH për financimin e Degës së LPK-së, 10 për financimin e aktivitetit të veprimtarëve në Kosovë dhe 30 Fr.CH për financimin e mbrojtjes).
Arka e financimit të veprimtarisë së Degës Jashtë Vendit ishte e centralizuar dhe administrohej nga arkëtarët e K.Rr-ve, arkëtarët e Nëndegëve të LPK-së në Zvicër, Gjermani, Austri, Francë e në shtet tjera evropiane dhe përgjegjësi financiar i Degës Jashtë Vendit.
LPK hapi fondin «V. TH» më 4 dhjetor 1993, dedikuar forcave çlirimtare në Kosovë
Në zbatim të vendimeve të Mbledhjes së katërt të Përgjithshme, mbajtur në Prishtinë (më 26/27 korrik 1993), me propozimin e Kryesisë së LPK-së, Këshilli i Përgjithshëm i Degës së LPK-së-Jashtë Vendit, në mbledhjen e datës 4 dhjetor 1993, në Zvicër, mori vendim dhe themeloi fondin e veçantë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, pra, Fondin «Vendlindja Thërret», dedikuar forcave çlirimtare në Kosovë. Po këtë ditë, Këshilli i Përgjithshëm i Degës së LPK-së Jashtë Vendit, mori vendime dhe për aksionin me nga 1.000 Fr.CH (DM) për Fondin «Vendlindja Thërret», veç anëtarësisë nga 60 Fr.CH në muaj. Vendime të tilla për ta ndihmuar çlirimin e Kosovës përmes fondin “V. Th” me nga 1.000 Fr.CH e më shumë, apo 1.000 DM janë marrë për çdo vit nga Këshilli i Përgjithshëm i Degës së LPK-së Jashtë Vendit. Shumë anëtarë të LPK-së dhanë edhe nga 10.000 e më shumë Fr.CH.
Anëtarët e LPK-së pas vitit 1992, do ta paguajnë 3% e më shumë për Republikën e Kosovës, po, në konto-numrin e Fondit «Vendlindja Thërret». Për realizimin e aspiratave shekullore të popullit shqiptar dhe synimeve programore të sajë, që plotësisht përputhen me ato aspirata dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Për herë të parë LPK-ja do ta publikojë konto-numrin e Fondit “Vendlindja Thërret” për të gjithë simpatizantët e LPK-së dhe bashkatdhetarët, në Organin e LPK-së, në “Zëri i Kosovës”, nëntor 1993.
Dega e LPK-së jashtë vendit për të ndihmuar UÇK-në përmes Fondit „V. Th“, merr vendim që, në çdo vit, edhe këtë vit, çdo anëtar i LPK-së të ndihmoi me nga 1.000 e më shumë Fr.CH (DM). Fondi për financimin e mbrojtjes, ishte centralizuar për tërë Degën e LPK-së Jashtë Vendit, i administruar fillimisht nga grupi: Musa Xhaferi, Rexhep Halimi dhe Xhani Shala, nga viti 1996 i administruar nga Jashar Salihu.
SCHWEIZ BANKVEREIN
8010 ZÜRICH
SBV ZH-STAUFFACHER
NC-171,247.0 320
VENDLINDJA THERRET
POSTFACH 9263
8036 ZÜRICH
Konto … 80-456-8
Më 29 qershor 1996, në Mbledhjen e KP të Degës së LPK-së Jashtë Vendit, pas shqyrtimit të raportit në mes dy mbledhjeve, u morë vendim për zgjerimin e këshillave financiar në tërë shtetet e Evropës ku ka shqiptar, me theks të veçantë, se këto këshilla të kenë lidhje drejtpërdrejtë me Këshillin Qendror të Fondit „Vendlindja Thërret“.
Pas margjinalizimit të çështjes shqiptare nga konferencat e njëpasnjëshme të mbajtura për zgjidhjen e problemeve të shkaktuara nga agresori serb mbi popujt tjerë në ish-Jugosllavi, LPK-ja do të dalë më komunikatë dhe thirrje për masat popullore: „TA FINANCOJMË ÇLIRIMIN E VENDIT“.
Më 2 shkurt 1997, Mbledhja e Pestë e KP të Nëndegës së LPK-së për Zvicër, mori vendim për të zbatuar vendimin e KP të Degës së LPK-së Jashtë Vendit që të gjithë Këshillat e Rretheve dhe ato Popullor të LPK-së, që nuk i kanë formua Këshillat e Financimit të Fondit «V. Th», t’i formojnë sa më parë. Pra, Themelimi i Këshillave të LPK-së ishte parakusht për hapjen e Fondit „V. Th“.
Në numrat pasues të “Zërit të Kosovës” do të njoftohen mërgimtarët edhe për kontot e reja të Fondit „Vendlindja Thërret“ në shtetet e Evropës dhe botë pas hapjes së tyre.
Më 12 dhjetor 1997, Nëndega e LPK-së në Zvicër, në mbledhjen e saj, do të lëshoi udhëzime për Fondin «Vendlindja Thërret», lëshuar dhe aprovuar nga KP i Degës së LPK-së Jashtë Vendit.
Më 14.12.1997 Këshilli i Nëndegës së LPK-së për Zvicër për koordinimin e punëve në terren me Këshillat e Financimit që po krijoheshin nga bashkatdhetarët për të ndihmuar Fondit „Vendlindja Thërret“ formoi Këshillin Qendror për administrimin e Fondit „V. Th“, në këtë përbërje:
1. Dinë Ahmetaj, 2. Xhevat Zekaj, 3. Fahri Makolli, 4. Xhavit Bajraktari, 5. Ilaz Thaçi, 6. Tahir Murtezi, 7. Sahit Krasniqi, 8. Halit Zeqiri, 9. Ragip Shala, 10. Xheladin Gashi, 11. Reshat Salihaj.
Këshilli Qendror për Administrimin e Fondit „Vendlindja Thërret“ nxori Udhëzime për Këshillat Lokal të Financimit të Fondit “VendlindjaThërret”.
Në Bonë të Gjermanisë hapet zyrë pune e Këshillit të Fondit „V. Th“, i cili ishte regjistruar në organet përkatëse të Gjermanisë qysh në vitin 1995, pran Gjyqit Komunal (Amstgericht në Sigburg dhe mban shifrën e regjistrit: AG Siegburg VR 2008/95. Po, sipas ligjit përkatës, ky Fond ka fituar statusin e bamirësisë (Gemeinützigkeit) nga enti financiar e tatimor (Finanziamt) i Sigburgut dhe mban shifrën: 220/0101/1511.
Ndërsa në Zvicër, me kërkesën e përsëritur të Ministrisë së Jashtme Jugosllave, shteti zviceran e bllokon konton e Fondin „Vendlindja Thërret“. Më 25 maj 1998, në Cyrih, Këshilli Qendror për Administrimin e Fondit “V. Th“ pas prishjes së kontratës me SchweizarischBankverein, nënshkroi kontratën me një bankë tjetër në Zvicër (Alternativ Ban ABS), për derdhjen e mjeteve nga bashkatdhetarët tanë në Fondin “V. Th”, dhe fton që tash e tutje mjetet e tyre dedikuar çlirimit të Atdheut t’i derdhin në këtë konto-numër.
Alternativ Bank ABS
4601 Olten
VENDLINDJA THËRRET
Postfach 8263 Zürich
Konto 46-110-7
Çeçet për këtë konto do të shpërndahen nëpër Këshillat Financiar në tërë Zvicrën.
Më 25 korrik 1998, Prokuroria Federale e Zvicrës ka marë vendim të plot dhe ka bllokuar konto-numrin e parë të Fondit „Vendlindja Thërret“. Ndërkohë pas këtij akti, më 27 korrik 1998, në mëngjes do të arrestohet Agush Buja dhe do t’i bastiset banesa e tij, do të bastisen edhe Shaban Muja dhe Mehmet Bislimi. Ndaj këtyre do të hapen hetime.
Mjetet e grumbulluara në këtë fond, që nga themelimi janë përcjellë vetëm për veprimtari çlirimtare në Kosovë. Përveç kësaj, fondi në disa qytete të Zvicrës, të shteteve të Evropës, SHBA dhe Austri ka autorizuar veprimtarë, të cilët ishin kompetentë të pranojnë ndihma në dorë, duke lëshuar në atë rast faturë të vulosur e të nënshkruar. Për ata që nuk posedonin çeqe, ose që nuk kishin kontaktet me veprimtarë të autorizuar, ndihmat për Fondin «V. Th» mund t’i paguanin në konto-numra të Fondit, të cilat konto-numra i kishin në çdo numër të «Zërit të Kosovës» që nga nëntori i viti 1993. Për të gjitha të hyrat, qoftë edhe për 1 Fr.CH apo Dm, Këshilli Qendror për Administrim të Fondit, falë punës së palodhur të Ilaz Thaçit e Haki Morinës, i ka dërguar çdo donatori një fletënjoftim për mjetet e derdhura në fond.
Më 12 dhe 13 shtator 1998, në Wützburg të Gjermanisë KP i LPK-së Dega Jashtë Vendit, i jep gjithë mbështetjen e tij Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe të gjithë atyre që luftojnë për çlirimin e Kosovës dhe Pavarësinë e sajë. Pas shumë diskutimeve për përqendrim të Fondit në diasporë dhe në Tiranë, Këshilli i Përgjithshëm i LPK-së Dega Jashtë Vendit do të diskutojë Projek-Rregulloren e hartuar nga përgjegjësi financiar i LPK-së, Dega Jashtë Vendit-Sejdi Gega, do ta miratojë njëzëri dhe për ta zbatuar këtë do të emëroj edhe dy përfaqësues të LPK-së me detyra të rëndësishme në Tiranë: Halil Selimin dhe Ramiz Lladrovcin si përfaqësues të LPK-së dhe për menaxhim të mirë të Fondit „V. Th“ dhe të logjistikës. Ky është sektor që Këshilli i Përgjithshëm po e krijonte në Tiranë, për centralizim të mjeteve të Fondit në Shqipëri.
Po në këtë mbledhje, KP i LPK-së Dega Jashtë Vendit, kryetar të Këshillit Qendror për administrimin e Fondit „V. Th“ e rizgjodhi Jashar Salihun, nënkryetar-Xhemajl Fetahun (Dëshmor), anëtar: Xhevat Bislimin, Agush Bujën, Binak Berishën, Ibrahim Kelmendin dhe Nesim Haradinajn.
Më 23 tetor 1998, Kryesia e Këshillit Qendror të Fondit „V. Th“-CH, duke pasur parasysh rritjen e nivelit të punës, mobilizimit më të mirë në përkrahje të UÇK-së dhe çlirimit të vendit, mori vendim për t’i riemëruar përgjegjësit e Këshillave Kantonal të Fondit „V. Th“. Janë dy faqe të dokumentit
Në vazhdën e strukturimit dhe të rikostruimit të UÇK-së, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, me 14 nëntor 1998, mori vendimin që, administrimi i Fondit «V. TH» të kalojë në kompetenca të Drejtorisë Financiare të Shtabit të Përgjithshëm.
Kryesia e LPK-së Dega Jashtë Vendit, më 24 nëntor 1998, në Gjermani, do të merr dhe do të shqyrtoj vendimin e posaçëm të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, të datës 14 nëntor 1998 ku thuhet që: Administrimi i Fondit „V. Th“, të kalojë në kompetenca të Drejtorisë Financiare të SHP të UÇK-së.
Më 12 dhjetor 1998, në Gjermani, KP i LPK-së Dega Jashtë Vendit, me shumicë jo shumë dalluese, do të votoj pro kalimit të fondit «V. Th» në Drejtori Financiare të UÇK-së. (Katër anëtarë ishin kundër dhe 6 anëtarë abstenojnë). Ky fond ishte krijuar nga LPK-ja për të mbështetur veprimtarinë çlirimtare. Fondi kaloi në Drejtorinë Financiare pa ndonjë raport dhe komision nga LPK-ja dhe Drejtoria Financiare e Shtabit të Përgjithshëm e UÇK-së.
Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së në kuadër të rikonstituimit të Drejtorisë dhe sektorëve të UÇK-së (22.01.1999), ndër të tjera do të vendos për emërimin e anëtarëve të Këshillit Qendror të Fondit “V. Th” në diasporë, dhe për emërimin e anëtarëve të këshillave të fondeve nëpër shtete. Për këtë UÇK-ja do të del me Komunikatën nr.77. Më 10 shkurt 1999, SH.P. i UÇK-së për listën e Fondit do të lëshojë Komunikatën nr. 74. dhe 77.
Në diasporë do të rritet aktiviteti akoma më shumë për të ndihmuar çlirimin e Kosovës, për këtë Këshilli Qendror i Administrimit të Fondit “Vendlindja Thërret” për diasporë, shpall si obligim, që të gjithë bashkatdhetarët të japin kontributin prej 500 Fr.CH ose DM. Ndërkohë, me vendim të SHP. të UÇK-së, në Zvicër nga Këshilli Qendror për Administrim të Fondit “V. Th” do të formohet Shtabi për Mobilizim të Vullnetarëve në Zvicër…
Më 21 qershor 1999, Fondi „V. Th“ për Gjermani, njofton, se pushon veprimtarinë e vet, gjegjësisht, pushon pranimin e ndihmave financiare dedikuar këtij fondi. Fond ky që zyrtarisht është administruar nga Bashkësia Demokratike e Shqiptarëve në Gjermani (LPK-së). U bën thirrje të autorizuarave me blloqe të Fondit, që t’i kthejnë deri më 15 korrik 1999, në mënyrë që të bëhet shkarkimi përfundimtar i tyre.
Shteti gjerman e bllokon xhirollogarinë e fondin “V. Th”për Gjermani dhe merr të gjithë dokumentacionin nga Zyra e Fondit.
Qeveria e Përkohshme e Kosovës, në kuadër të aktivitetit të saj do të hap edhe “Fondin e Kosovës” në Gjermani dhe, do të del me njoftim për bashkatdhetarët dhe obligon të gjithë të ngarkuarit me blloqet e fondit “Vendlindja Thërret”, në të gjitha nivelet, si kantonale, rajonale, që duke filluar nga data 1 e deri më 15 gusht 1999 të bëjnë shkarkimin dhe barazimin e mjeteve me raport pranë drejtorive të “Fondit të Kosovës” në shtetet përkatëse. Njoftimin për këtë e bën përgjegjësi për informim pranë Ministrisë së Financave për Diasporë, Mehmet Bislimi.
Hapen fondet tjera të Qeverisë së Përkohshme të emëruar si “Fondi i Kosovës” dhe publikohen në “Zërin e Kosovës”.
© Pashtriku.org
___________________
Në 30 vjetorin e themelimit të Fondit “Vendlindja Thërret“
SI U KRIJUA FONDI MBARËKOMBËTAR DHE KËSHILLI KOORDINUES I SUBJEKTEVE POLITIKE NË ZVICËR – NË VITIN 1991
Nga Faik Racaj