SI U KRIJUA FONDI MBARËKOMBËTAR DHE KËSHILLI KOORDINUES I SUBJEKTEVE POLITIKE NË ZVICËR – NË VITIN 1991

Në 30 vjetorin e themelimit të Fondit “Vendlindja Thërret“

SI U KRIJUA FONDI MBARËKOMBËTAR DHE KËSHILLI KOORDINUES I SUBJEKTEVE POLITIKE NË ZVICËR – NË VITIN 1991

Nga Faik Racaj

Diskutim në Tryezën e mbajtur nga Shoqëria «Lëvizja» – Dega në Zvicër, në vigjilie të 30 vjetorit të formimit të Fondit «Vendlindja Thërret»

Derisa nuk mëson nga përvojat, mbi të gjitha pasojat e paraardhësve, rrizikon të të përsëritet e kaluara, e gjithë historia. I shtyrë nga kjo premisë, si njohës i shumë rrethanave dhe përjetimeve të tilla të paraardhësve, si dhe si një, vëzhgues i zhvillimeve historike, periudha në të cilën po kalonim, fillimisht në vetëbindje, pastaj me biseda me tjerë, në këtë rast me bashkënismëtarët, bindshëm, ishte e domosdoshme një nismë, si gjithënjë, fillimisht simbolike për të arrit deri tek një qëllim më madhor. E, Qëllimi Madhor, ishte tejkalimi i moskuptimeve qoftë nga papërvoja, rastësore, deri tek ato të qëllimshme me prapavijë subverzive të elementëve që gjenin hapësirë në rrethanat e ndryshimeve jo vetëm ndëshqiptare, por dhe më tej në agjendat e qarqeve ndërkombëtare. Një supozim, një konstatim, një përvojë nga e kaluara veç sa kishte filluar që të shtrihej dhe gjente terren në hapësirat shqiptare.

Domosdo, si komb, ende larg homogjenizimit territorial, politik, demografik e me trashëgimi shumëideologjike të divergjencave kulturore me interesa nga më të ndryshme, shpërbërja e Bllokut të Lindjes dhe hapja e horizonteve të reja për interesat vitale të shqiptarëve, për secilin nga shqiptarët, që nga individët, organizimet grupore, deri tek institucionet akademike e shtetërore ishte një terren që u imponua për të gjithë, anise, që të gjithë individualisht, e në organizime të lartcekura ishte një pikë fillestare e papërvojë, deri tek sfida që secili duhej, gjithësesi të kishte kujdesin, anise koha tregoi se nuk u përfill.

Nga ky këndvështrim, jo vetëm nga unë dhe dy bashkëveprimtarët e mi, kishte dhe ka pasur nisma të harmonizimeve bashkëvepruese, e bashkëpunuese. Megjithatë, për arsye qoftë të moskuptimeve, qoftë të rezervave, qoftë, deri tek kapriçiot e grupeve të organizuara politike të kohës, një gjë e tillë ka përfunduar vetëm në nisma fillestare vullnetmira.

Padyshim, në distanca të kaluara kohore, për secilin, në këtë rast edhe për mua, tashmë është e lehtë të flas, shkruaj, e nga ndonjëri edhe mund të thotë moralizimmbajtës! Pse mos mund të jetë, e jenë këto konstatime sa dyshuese, poaq edhe të vërteta. Se, një gjë të domosdoshme, jo vetëm që e kam ndier atëkohë, gjykuar e mbi të gjitha parashikuar, domosdoshmërinë e bashkëharmonizimeve për të përballur kohën që kishim përpara, domosdonë e koordinimeve ndërshiptare kundrejt armikut gjeografik, deomografik, politik, nacional e mbi tjera presionit të dinamikës së zhvillimeve gjeostrategjike e politike të hapësirave që popullonin, e popullojnë shqiptarët.

Ndryshimet në fillesat e shpërbërjes së Jugosllavisë Titiste, shqiptarët i gjetën me pak organizime kryesisht klandestine, e që kishin shtrirje të ngushta në bazë numerike, por mbi të gjitha të fuqishme për vet vendosmërinë në arritje të synimeve. Derisa, disa organizime që ndër vite synonin të ishin të kinse ideologjisë së djathtë sa ishin fiktive, poaq pa ndikim, ishin tre organizime tjera që kishin origjinën e përbashkët në Lëvizjen për Republikën Socialiste të Shqiptarëve në Jugosllavi, e që në rrethana të caktuara brenda zhvillimore ishin ndarë.

E thash më lartë, se në përbashkime të tyre ka pasur tentativa të herëpasherëshme, por të gjitha përkundër vullnetit të mirë të nismëtarëve, kanë përfunduar vetëm në nivel dëshirash!

***

Fundvitet e ’80-ta ish-Jugosllavinë e gjejnë përballë presioneve sa nacionale e ekonomike përbrenda saj, poaq edhe presioneve nga jashtë në radhë të parë për mosaftësinë e saj në drejtimet ekonomike deri në shlyerjen e borgjeve të jashtme si dhe rrethanave tjera ndërkombëtare, kryesisht zhvillimeve që sa vinin e imponoheshin në Evropën e ndarë në dy bloqe politiko-ushtarake.

ShBA përmes mekanizmit të saj qoftë formal dhe faktik Fondit Monetar Ndërkombëtarë, Qeverisë Federative përveç shumë kushteve tjera në mbështetje, ia imponoi edhe si kryeministër inxhinierin kroat Ante Markoviqin.

Markoviqi përballë situatës së përgjithshme ekonomike e politike, përveç veprimeve tashmë të imponuara nga zhvillimet e brendshme, në opinion njifet si Kryeminitri që krijoi hapsirë për pluralizëm mendimi e organizimi politik, si dhe si, Kryeministri i fundit i Jugosllavisë së Versajës.

Në këto rrethana, shqiptarët, krahas popujve tjerë, konform legjislacionit juridik Jugosllav tashmë të aprovuar dhe hyrë në fuqi, krijuan organizimet politike të tyre. Domosdo, gjithë organizimet politike, konform legjislacionit duhej të regjistroheshin në organin kompetent, në Beograd.

Në hapësirat shqiptare nën ish-Jugosllavi, fillimisht (dhjetor ’89) u krijua Lidhja Demokratike e Kosovës, për të vijuar pranverë ’90-tën Partia për Prosperiteti Demokratik me seli në Tetovë, pastaj organizime të tilla në Ulqin e Mal të Zi si dhe në Kosovën Lindore (Preshevë, Bujanoc e Medvegjë).

Këto organizime ndërshqiptare në kushtet e reja të krijuara masivisht u krijua hapësirë të shkëputin shqiptarët nga strukturat e Lidhjes së kmunistëve Jugosllavë dhe poashtu nga Lidhja Socialiste Jugosllave.

Deomos duhet kujtuar se me lejimin e organizimeve të «lira» politike, Legjislacioni Jugosllav suprimoi edhe paketën e ligjeve për vepra penale që deri atëherë njifeshin si «… kufizime të fjalës së lirë dhe të tjera në kuadër të të Drejtave të Njeriut»!

Pranvera e vitit 1991, organizimeve tashmë që veç ishin krijuar, sikur iu dha fuqi lirimi i deritanishëm i ish-të burgosurve politikë të cilët të etur për veprime dhe aktivitete në interes të Kombit dhe çështjes Shqiptare, masivisht iu bashkangjitën organizimeve tashmë veç të krijuara dhe deridiku të strukturuara me organe drejtuese.

Gatishmëria e ish-të burgosurve politikë për të dhënë dhe vazhduar kontributin në rrethanat e reja, tashmë strukturat përbrenda subjekteve tashmë të krijuara dhe organizuara me një prejardhje organizative nga Lidhja e Komunistëve dhe Socialistëve Jugosllavë, vullnetin e tyre e thyen pikërisht këta kundërshtarët e deridjeshëm që tani veç kishin ndërruar librezën politike, por jo mentalitetin, praktikën e punës, dhe në jopak raste edhe ideologjinë. Divergjencat përbrenda gjithë këtyre organizimeve shpejt dolën në skenë. Sa vinte dhe kalonte koha, ato u thellonin dhe krijuan ndasi të patejkaluara.

Krahas gjithë këtyre organizimeve tashmë të krijuara dhe lejuara në veprime konform Ligjeve Jugosllave, anise vet Jugosllavia ishte në shpërbërje të pakthyeshme, me një dobësim të veprimeve praktike në terren, përkundër përpjekjeve për unifikim dy LPRK-të nuk arritën të shkrihen në NJË! LPRK-ja me «kontakt-Adresë», në Nëntor 1990 deklaron shkrirjen në LDK, ndërsa LPRK-ja «pa-dresë» vendos vazhdimin e Veprimtarisë. Komiteti për Informimin e Opinionit Botëror, vazhdon punën e deritanishme, anise jo pa vështirësi.

Edhepse në dukje, organizimet e reja, si dhe ato të vjetra, në vend që të shfrytëzonin rrethanat e reja për koordinime në veprimtari, elementë dhe grupe të interesit që tashmë ishin tranformuar nga LKJ-istë në demokratë, në perfiditet me sllogane të reja dhe prapavijë të vjetër kundër individëve dhe kujtdo tjetër që nuk ishin kompatibil në mendime dhe veprime brenda dhe jashtë partive të tyre legale konform legjislacionit legal Jugosllav, përfitonin në hapësirë dhe kohë në «rehabilitimin» individual dhe grupor në kurriz të Kombit dhe Çështjes shqiptare!

E, sigurisht, në rrethana të tilla, si organizime politike, si nisma të grupeve shoqërore, a individ, ndërmarrjet në rrethana, kohë dhe hapësirë të caktuar kanë synime qoftë për interesa të grupeve të interesit, qoftë si ndërmarrje që për qëllim ka interesin e çështjes shqiptare si në rastin konkret, ishte jo e lehtë anise në dukje nga distanca kohore ka refleksion tjetër. Në kuadër të polarizimeve me agresivitet të paspjegueshëm, poashtu tani nga këndi i kohës së shkuar gjithënjë në rritje, unë vendosa të reagoi, për këtë, fillimisht interesi im si nxitës, fillimisht përzgjodha jo rastësisht bashkënismëtarët Shefit Xhaferi  dhe Rizah Bajrami, ishte vetëm qetësimi dhe evitimi i kundërthënjeve brenda shqiptare, tejet agresive në kohë, pra në vitin 1991.

Pas përgatitjeve, konceptuale, dhe kontakteve me bartësit e organizimeve, vendosëm që mbledhjen e parë ta mbajmë në Lozanë me 6 prill 1991.

Për të bërë një fillim të tillë është dashur rreth 1 muaj zhvillim kontakte, biseda, telefonata të shumta, sqarime se kush ishim, për ç’qëllim kishim, e sqarime të pafundme. Megjithatë, për një nismë të tillë, atëkohë në dijeni ishte edhe vet kreu i LDK-së, Fehmi Agani, Xhemajl Mustafa e tutje, subjektet tjera politike, si dhe vet ish-Kreu i kuvendit në egzil Ilaz Ramajli i cili ishte edhe vet prezent.

Edhepse dy të «mëdhenjtë», Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia për Prosperitet Demokratik e shqiptarëve nën Maqedoni, me maniret e tyre, hilet dhe huqet, vendosmëria e pjesëmarrësve të mbledhjes së 6 prillit, për të vazhduar tutje me takime të tilla, ishte vendimtare që në kohën sa më të shpejt të mundur të organizohet takimi tjetër i radhës. Dokumenti me emërtim simbolik «Njoftim», që u nxor, sikur i obligoi LDK-në dhe PPDSH qoftë formalisht të jenë prezent në takimet tjera, herë me drejtuesit e qendrës në Zvicër, qoftë edhe me të deleguar formal, pa kompetencë nënshkrimi dhe aprovimi në ndonjë dokument, pra në opinion njifen si «vëzhgues»!

Nuk mund të anashkalohet fakti se, fillesa e takimit të parë si qëllim kishte vetëm qetësimin e kundërshtive që veç kishin arritur kulminacion deri edhe në simulim të incidenteve për të pasur hapësirë dhe kushte për akuza nga më të ndryshmet deri në banalitet. Takimi i 6 prillit, në njoftimin e saj përveç tjerash nxori dhe konkluzionin, që «Pjesëmarrësit në takim u mjaftuan që Ti drejtohen subjekteve të organizuara në Kosovë dhe degëve të tyre në mërgim në mënyrë që këto momente të vështira për popullin tonë ta themelojnë një udhëheqje UNIKE* (forum Demokratik, apo terma tjerë me të njëjtin funksion), e cila do të koordinonte gjithë veprimtarinë me interes të përgjithshëm kombëtarë». Nga këtu, doli dhe angazhimi për të vazhduar me takime të tilla, e që pjesëmarrësit i ngarkuan grupin inicues.

Në rrethana, dhe kushte të tilla, mbledhja e radhës u mbajt në Bernë më 21 prill, mbledhje që mori karakter gati gjithëpërfshirës që me diskutime dhe qëndrime sikur vulosi vazhdimësinë e takimeve, në të cilat përveç qetësimit të kundërthënieve, në takimet e radhës nxorën edhe qëndrime, të shoqëruara me vendime në formë të dokumenteve.

Nga tani e tutje janë mbajtur edhe 8 takime tjera, në të cilat në bazë të harmonizimeve dhe punëve të përbashkëta, përveç tjerave janë nxjerrë edhe dokumente që kanë qëndrime shumë të rëndësishme, dhe poashtu edhe aktivitete poashtu tejet me peshë kombëtare për kohën. Dokumenti në fjalë ka datën e 24 gusht 1991.

Dokumenti përmban: Krijimin e Fondit të përbashkët, që në opinion njifet si Fondi Gjithëkombëtarë, krijimi i Këshillit Koordinues, foormimi i Një Qendre për Informimin Ndërkombëtarë për gjithçka ndodhte në e rreth Kosovës, si dhe regjistrimin e Mërgatës që ishin organizim i këtyre niveleve, madje edhe para organizimeve të tilla ose të ngjashme në Kosovë dhe vise nën pushtim.

Kuptohet, për temën që po shqyrtojmë nuk ka ndonjë aktivitet që vlen të theksohet veçanërisht në distancën kohore, me përjashtim që ishte një nismë shumë e rëndësishme, e që për fat të keq dështoi nga subverzioni dhe bojkoti i vet kreut të LDK-së.  Jetëgjatësia e këtij Fondi ishte në më pak se gjysmë viti. Arsyet, e dështimit ose të shpërndarjes dhe marrjes nën mbikqyrje nga Qeveria në egzil e Bukoshit ishin veprime arbitrare me diktat miopësh shtetëror, e kombëtarë, gjë që pas pak viteve u vërtetua.

Ndërsa, sa i përket organizimeve të përbashkëta, i pari do mbahet me rastin e Përvjetorit të Parë të 7 Shtatorit- Shpalljes së Kushtetutës që njifet si Kushtetuta e Kaçanikut, e dyta ka të bëjë me një regjistrim kinse të Mërgatës Shqiptare, e cila ishte dhe është fare e pavlerë, në të paktën ishte jashtë çdo norme të grumbullimit të të dhënave demografike dhe e treta, Demostratën disaditore të mbajtur në Gjenevë nga 27 janar deri më 1 shkurt 1992.

Fatkeqësisht, këto vendime që janë marrë dhe të dokumentuara në rreth 50 faqe materiale të nxjerra dhe aprovuara, nuk gjetën zbatim dhe jetëgjatësi në saje të sabotimeve të pandërprera, e përsëris, të e nga vet Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në bazë të kujtimeve dhe përjetimeve të kohës di dhe dua të them se për dështimin e këtyre organizimeve dhe nismave, fatori dhe shkaktari kryesor dhe i vetmi është megalomania e vet Kreut të LDK-së, gjë që në vitet pasuese u pa dhe u provu në zhvillimet që pasuan.

Për t’mos e zgjatë diskutimin dhe për të lënë hapësirë edhe eventualisht ndonjë sçarimi ose plotësimi rreth kësaj teme, dua të them vetëm dy çështje;

E para: Se përkundër dominimit «Perandorak» të hapësirës shqiptare nën ish-Jugosllavi nga LDK-ja, alternativa e mendimit ndryshe që në këto rrethana për pjesën dominuese të opinionit ishte dhe konsiderohej deri në herezi, koha e mëtejme e vërtetoi si «Rruga» e vetme që dërgoi deri në Çlirimin e Kosovës dhe dy luftërave tjera, e që përfaqësohej atëkohë nga LPRK-ja, më vonë si LPK, si dhe

E dyta: Pavarësisht rezultateve të Njëkohëshme, asnjë individ, grupacion a organizim politik në rrethana, kohë e hapësirë nuk duhet të ketë dhe përjetoi vetëmjaftueshmëri përballë tjerëve. Në këtë drejtim, përvojat që secili nga ne kemi përjetuar dhe kemi qenë qoftë si vëzhgues, pjesëmarrës, a protagonist në zhvillimet që kemi lënë pas, duhet të jetë si detyrë e gjithësecilit që këto zhvillime jo vetëm t’i kujtojmë, por edhe që t’ua bartim brezave pas nesh që të nxjerrin mësim për aq sa duan të marrin nga këto përvoja! Përndryshe, do jenë trashëgues përballë sukseseve që do nxjerrin, po aq edhe pësues në përsëritje të Historisë.

Faleminderit për vëmendjen!

3 dhjetor 2023

Würenlos Aarau-CH

Faik Racaj

===========================

Një vit më parë!

Përmbledhje e punimit «Nisma, formimi i Këshillit Koordinues i subjekteve Shqiptare në Zvicër, veprimtaria e Këshillit, sfida dhe kontributi i

LPRK-së»

Kumtesë

Në këtë kumtesë përfshihet, formimi dhe veprimtaria e Këshillit Koordinues në Zvicër. I tërë punimi i zgjeruar që do jetë në disponim të Shoqërisë «Lëvizja», është bazuar në dokumentet autentike origjinale të Këshillit. Gjithashtu kam qenë dëshmitarë direkt i pjesës dërmuese të takimeve që nga nisma deri në finalizim të Këshillit.

Viti 1991, «pluralizmi» nën pushtim, indiciet brenda faktorit shqiptarë në vendlindje dhe sidomos në diasporë, si dhe gjithandej hapsirës ku jetonim, nën ish-Jugosllavi, qartazi tregonin se në javët, muajt dhe vitet e ardhmë do jenë sfidues për gjithë shqiptarët.

Përballë gjithë kësaj klime politike, e organizative të shqiptarëve, si dëshmitarë i vëmendshëm, në pakënaqësi të thellë, fillimisht si ide, dhe ndërkohë edhe si nismë në përbashkim të mundshëm të synimit themeltar përballë pushtuesit, qetësimit të situatës kundërthënëse brenda mërgatës, kryesisht në Zvicër, kisha fituar bindjen të ndërmerrja një nismë në këtë drejtim.

I bindur, se koha kalonte, e marrëdhëniet acaroheshin, fillimisht, këtë die e diskutova me mërgimtarin nga Gostivari, Shefit Xhaferin, për ta biseduar pastaj edhe me Riza Bajramin, poashtu i mërguar nga Peja. Të dy, më mbështetën dhe filluam veprimin.

Pas kontakteve (përmes telefonit) me drejtuesit e të gjitha subjekteve politike, si dhe konsultës disaditore, vendosëm të thërrasim një takim të strukturave drejtuese të organizimeve politike, sindikale, e tjera.

Takimin e parë e kemi mbajtë në Lozanë, më 6 prill 1991. Premtimet e përfaqësuesit të Degës së LDK-së (Lidhjes Demokratike të Kosovës), poashtu edhe të PPD (Partia për Prosperitet Demokratik), nuk muarën pjesë. Poashtu, edhe disa subjekte, përkundër përpjekjeve t’i kontaktonim dhe ftonim nuk arritëm. Megjithatë, përveç tjarëve, pjesëmarrës ishte edhe ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Ilaz Ramajli, përfaqësuesi i studentëve të UP-së Shaip Muja, si dhe përfaqësuesit e LPRK-së KKIOB-së, PDSH-së nga Presheva, BSPK-së, si dhe gazetarë të mjeteve të informimit shqip.

Nga ky takim, që nxori një «Njoftim», me detyra dhe qëllimin e vazhdimit të takimeve të tilla, në harmonizimin e qëndrimeve me thirrjen subjekteve dhe organizimeve jo vetëm në diasporë, të «…themelojë një udhëheqje UNIKE…» me synim në, e për viset e pushtuara, si dhe të vazhdojë kjo nismë.

Nga këtu e tutje, janë mbajtë edhe 9 (nëntë) takime tjera. Mbledhjet, kryesisht janë mbajt në Lozanë, dhe Zürich, me përjashtim të një takimi që është mbajt në Bernë.

Qëllimet themelore të kësaj nisme ishin tre:

– Amortizimi i kundërthënjeve në meset e mërgatës në Zvicër ;

– Përbashkimi i veprimeve përballë nevojës kombëtare në kundërvënie pushtetit pushtues, dhe

– Krijimi i mekanizmit të përbashkët financiar në shërbim të rezistencës.

Për këtë, ekzistojnë mbi 50 dokumente origjinale.

Përkundër rezervave, hezitimeve dhe manisë së të «madhit» – LDK-së, në saje të diskutimeve, harmonizimeve dhe pëlqimeve, është arrit të nxirren dokumente të përbashkëta.

Janë nxjerrë njoftime, deklarata, komunikata dhe në fund është finalizuar Rregullorja e Këshillit Koordinues i subjekteve Shqiptare dhe tjera që vepronin në Zvicër.

Në pak muaj, nga «Njoftimi» i dt. 6 prill, në takimin e 3 (tretë) të mbajtur në Zürich, u nxor Dokumenti përmbajtësor për nevojën e koordinimit të aktiviteteve të mërgatës, në formimin e një Këshilli Koordinues, ose të ngjashme. Në kuadër të kësaj bëhej thirrje që sa më parë diçka e ngjashme, qoftë me emërtim tjetër, por me funksion të njëjtë të formohej edhe në Kosovë.

Pas 9 (nëntë) takimeve u finalizua edhe vet Rregullorja e punës.

Duhet të vihet në spikamë, se e gjithë kjo ndërmarrje synim themeltarë kishte ndihmimin e «… veprimtarive me interes të përgjithshëm kombëtarë», e që në vetvete kishte çlirimin e Shqipërisë së pushtuar në «… realizimin e aspiratave historike të kombit shqiptar…», thuhet në Deklaratën e 8 Qershorit.

Kështu, bashkarisht, në kuadër të fushëveprimtarisë dhe si rezultat i rregullores së Këshillit, u krijua edhe Fondi Gjithëkombëtarë. Në këtë dokument, bashkëformuas, gjithashtu bashkëkontribues e bashkëmirëmbajtës me të drejta dhe detyrime të barabarta ishin LDK, LPRK, PShDK si dhe dy partitë e Luginës PVD dhe PDSH.

Përveç kësaj, Këshilli Koordinues, zhvilloi edhe aktivitete dhe veprimtari të përbashkëta. Filloi me festimin e 7 Shtatorit, Referendumin për Pavarësi, zgjedhjet për Kuvendin e Parë, Regjistrimin e Shqiptarëve në Diasporë, si dhe Manifestimin e përbashkët para Selisë së OKB-së në Gjenevë, nga 27 janari deri më 1 shkurt 1992 me rastin e Sesionit të 48-të të OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Përkundër fërkomeve të brendshme, e rezervave, sikur Manifestimi në Gjenevë përmbylli një punë dhe veprimtari të përbashkët. Mbase, suksesi dhe puna tejet e frytshme, organizimi shumë përmbajtësorë, kontributi shumë domethënës i të «vegjëlve» bashkë me të «madhen» LDK, sikur e tremben këtë të «madhen», dhe pavonuar braktisi gjithë punën dhe gjithë veprimtarinë e përbashkët në vijim.

Gjithësesi, pse jo deomos duhet thënë, se përaq sa funksionoi, me gjithë kundërthëniet, fryma e nismës deri në krijimin e Këshillit Koordinues, në mërgatën shqiptare në Zvicër, e jo vetëm, i përafroi bashkëkombasit, i qetësoi kundërthëniet politike, e ideologjike, dhe ndikoi në një frymë bashkëpunimi. Ishte tejet i pakuptim veprimi minues i përfaqësuesve të LDK-së, që në fund e shkatërroi të gjithën. Ska dyshim, përkundër kërkesës së bashkëatdhetarëve mërgimtarë, nevojës imediate të bashkërendimit dhe bashkëpunimit në nevojat,e synumet kombëtare, sfida kryesore nuk u arrit. Në mos bashkërendim të veprimtarisë së subjekteve e organizimeve shqiptare dhe drejtuesve të tyre, bartësi kryesorë është vet Kreu i Degës së LDK-së. Në këtë dështim, fatkeqësisht, nga vet përvoja ime që kisha kontakte intenzive gjatë gjithë kohës së themelimit të Këshillit dhe më pas, në dështim, bashkëpjesëmarrës, në mos kryesori është vet Kreu i LDK-së në Prishtinë.

Atëherë, për më tepër, shiquar nga distanca kohore, gjithë veprimtaria tejet dinamike e Këshillit, në më pak se 1 (një) vit, kontributi i LPRK-së, qoftë si bazë organizative në teren, qoftë përmes të deleguarve të saj, që nga takimi i parë, ishte shumë domethënës.

Kontributi domethënës, diskutime përmbajtësore, ofrimi i ideve, përvojave në hartimin e dokumenteve fillestare deri në finalizimin e Rregullores së punës, ishte frymë e përfaqësuesve të LPRK-së. Pa gjithë kontributin e LPRK-së, krijimi dhe funksionimi i Këshillit do të ishte i pamundur, edhepse vet përfaqësuesit e LDK-së, edhe atëherë kur merrnin pjesë në takime a veprimtari të përbashkëta, synim parësorë kishin formalizime me synim zhbërjen e Këshillit qoftë si nismë në fillim, qoftë si përbërje më pas. Kjo, u pa në praktikë. Pas Mandatit të Parë të drejtuar nga LDK-ja, radhën e mori LPRK, e përfaqësuar nga Gafurr Elshani, si Kryetar. Gjatë tremujorit rrotativ, dinamikën aktive të drejtuar nga z. Elshani u bënë aktivitete tejet doethënëse për kohën. Derisa LDK-ja, kishte përfunduar Mandatin e Parë drejtues, tani si pjesë e Këshillit, mbajti qëndrim subverziv, që përfundimisht ndau jo vetëm mërgatën. Mentaliteti i tillë, praktika e tillë, përballë gjithë zhvillimeve përgjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar, vazhdoi pandryshim sikurse gjithë viti 1991, madje edhe kur në gjithë Kosovën bëhej Luftë.

Mendoi se gjithësesi duhet të cek edhe emërat e pjesëmarrësve, përfaqësues të organizimeve politike në takime;

Ilaz Ramajli, ish-Kryetar i Kuvendit të Kosovës;

LPRK-në e kanë përfaqësuar: Fazli Veliu, Emrush Xhemajli, Xhavit Haliti, dhe Gafurr Elshani;

LDK-në: Shaip Latifi, Nazmi Peci, Maliq Sopaj, Shaip Kastrati, Demë Jashari;

PPD-në: Shaip Bilalli, Alajdin Demiri, Rauf Ramadani, Ekrem Islami, Feim Xhambazi;

PShDK: Lazër Ukxhini, Zejdi Ismajli, Shefki Ajvazi, Ahmet Asani;

KKIOB: Xhafer Shatri, Shyqeri Ukshini, Ymer Cacaj;

BSPK: Xhavit Hoxha, Vaxhid Sejdiu, Shefit Bajraktari, Demush Zefi, Selim Gashi;

PVD- Preshevë: Avni Veliu,

PDSH-Preshevë: Nexhat Hyseni, Ibrahim Shaqiri, Remzi Salihu;

Shoqata e Studentëve të UP-së: Shaip Muja;

Shoqata «Nënë Tereza»: Nikë Toplanaj, Marash Berisha, Pashk Xheloshi;

Shoqata «Kadri Zeka»; Ismail Qazimi;

Shoqata «Naser Veliu»: Kamer Azizi, Jetish Ejupi;

Shoqata «Qendresa Kopër»: Safet Sadiku;

Shoqata «Qendresa» St. Gallen-Zvicër: Brahim Avdyli

Radio Tirana: Antoneta Dhimitri dhe Luiza Musta ;

Gazeta «Zëri i Kosovës»: Avni Dehari, Ismet Rashiti, Musa Xhaferi

Ndërsa në cilësi të kontribuesve në takime, kanë marrë pjesë edhe: Ahmet Haxhiu, Hysen Gega, prof. Muhamet Mehmeti, Fehmi Kelmendi, Sami Kurteshi, Mirvete Dreshaj dhe Adem Grabovci;

E gjitha kjo është një përmbledhje e punimit më të gjatë, në më shumë faqe, e mbështetur në dokumentet të nxjerra gjatë takimeve, që të njëjtat atëkohë i janë përcjellë secilit subjekt pjesëmarrës, e nënkuptohet se të njëjtat duhet t’i kenë në arkivat e tyre, si dhe një kopje e disponon edhe vet autori i punimit në fjalë.

Për fund, duke ju falenderuar për vemendjen, dua të falenderoi konstruktivitetin e përfaqësuesve të LPRK-së, qoftë në Këshill në nivel të Zvicrës, qoftë strukturat në terren që dhanë kontribut për mbarëvajtjen e punëve të përbashkëta gjithandej.

Padyshim, edhepse nuk marrin pjesë në këtë simpozium, nuk mund t’i anashkaloi bashkëpunëtorët e mi Shefit Xhaferin dhe Riza Bajramin që më mbështetën dhe ndihmuan gjatë gjithë kohës.

Prishtinë, 22 dhjetor 2022

Faik Racaj

© Pashtriku.org

————-

FONDI „LIRIA KOMBËTARE“ – VAZHDIMËSI E FONDIT „VENDLINDJA THËRRET“ (DËSHMI ARKIVORE)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura