Nga Albert HABAZAJ
Me miq të penës, të kulturës, arsmit dhe atdhetarë të Vlorës, të hënën e shenjtë të 25 dhjetorit 2023 kaluam së bashku 4 gëzime në një ditë me poetin lirik Hiqmet Mehmetaj
- KRISHTLINDJET GËZUAR!
- Gëzuar 80- vjetorin e ditëlindjes së poetit, që sa bukur i rastis sot, si me bekim!
- Gëzuar përurimin e vëllimit poetik “Lirika” me poezi të zgjedhura të autorit!
- Gëzuar Dekorimin e mësuesit dhe drejtuesit 40-vjeçar në arsim, poetit dhe veprimtarit atdhetar Hiqmet Mehmetaj me diplomën dhe dekoratën: “Mirënjohja e Labërisë”!
***
Ndoshta të tjerë ndjejnë dimër,
Për ne po çel e bën pranverë,
Njerëz të zakonshëm përditë lindin,
Poetë nuk lindin çdo herë…
Sot ditëlindjen ka Poeti,
Mbushim gotën me lule sinqeriteti.
Nëpërmjet këtyre vargjeve të dëlira i dhuroj një buqetë me lule shkrimore lirikut të Vlorës Hiqmet Mehmetaj, njeriut të ndershëm, qytetarit të denjë, prindit shembullor, mësuesit shembullor (edhe përtej 40-vjetëve të domosdoshëm zyrtarisht), drejtuesit model në arsim, veprimtarit të përkushtuar dhe atdhetarit të devotshëm, armikut të mburrjes dhe mikut të thjeshtësisë.
Hiqmet Sulo Mehmetaj, lindur në Drashovicë të Vlorës, më 25 dhjetor 1943, i përket atij brezi fatlum, (për vete dhe për stafetën e brezave që morën mësim nga të atillë mësues të lartë), arsimuar në Normalen e famshme të Elbasanit, e cila, për kohën, ishte për shqiptarët universitet mbi universitete. Edhe në shkollën e lartë Hiqmeti i shërbeu fatit që e ndoqi, sepse e nisi dhe e përfundoi në Shkodër (1972-1975), ku përvetësoi mjeshtërinë e edukimit, pedagogjisë dhe psikologjisë në shkollë. 40 vjet dha mësim nxënësve dhe kolegëve, që edhe kur e drejtoi nuk e humbi thjeshtësinë, komunikimin etik dhe punën në grup. Hiqmetin nuk mund ta shikosh një ditë pa veshjen e tij karakteristike, klasike – aristokrate, mbajtur pastër e për merak: me kostum, kollaro, këpucë të zeza që shkëlqejnë, po ashtu i rruar për ditë. Nga ana tjetër, ai urren fort shfaqjen tullumbacore të njerëzve që kërcasin si kokoshkat në zjarr; urren “poetërinë me kollaro” mbi tavolinë, “Belulët” në biseda, diskutime, promovime etj., që s’i lë hunda e gjatë e mendjemadhësisë boshe të shikojnë më tutje, se i pengon “Pinoku” etj.
Kujtojmë që në vitin 1957, Hiqmeti i vogël përfaqësoi Vlorën në spartakiadën dhe olimpiandën e botanistëve dhe natyralistëve të vegjël zhvilluar në Tiranë. Ishte vetëm në klasë të shtatë, truplastar, hijeshuar me shami pioneri në qafë, me ëndrra të kaltra për dijen. Diploma që fitoi, firmosur nga ministri i kohës nuk i bëri nder vetëm atij apo shkollës së Drashovicës, por patjetër dhe Vlorës, saqë dhe sot e kësaj dite ne e kujtojmë me respekt.
Bir Drashovice, nxënës, mësues dhe drejtor i shkollës së Drashovicës deri ditën që doli në pension, Hiqmet Mehmetaj e deshi dhe e do me shpirt vendlindjen. Ai krijoi Shoqatën Kulturore – Atdhetare “Drashovica” dhe e drejtoi atë për disa vjet. Si idealist i përkushtuar dha ndihmesë edhe si sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdheare “Labëria” për Vlorën dhe në një periudhë të vështirë, kur ajo pak kohë kishte që kishte lindur…
Hiqmeti ka ushtruar profesionin fisnik të mësuesit të Gjuhës shqipe dhe Letërsisë. Ndërkohë, përveçse poet i lindur (gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për poezinë e kultivuar.
Hiqmeti ka dhe një familje shembullore, me bashkëshorten e devotshme Nazon me profeson farmaciste, që për respekt të shërbimit të saj të kulturuar dhe të papërtuar ndaj banorëve në Drashovicë, Peshkëpi, Llakatund e Vlorë i flasin me mirënjohje “Doktoresha”. Ata kanë dy djem të mrekullueshëm, Neritanin dhe Drinin. Neri, pasi përfundoi shkollën e mesme artistike “Naim Frashëri” shkëlqyer për pikturë, kreu studimet e larta për regjisurë në universitetin “La sapienza” Romë. Ai është dhe piktor i librave të babait të tij e lirikut të Vlorës. Ka ndërtuar familjen e tij model shumë të mirë me zonjën Alfrida, një nga juristet më seroze e korrekte të qytetit dhe kanë dy djem si pëllumba, Andrin dhe —, Ka punuar si specialist në DRTK, Vlorë për rreth 9 vjet, sot emigrant në SHBA. Djalit të vogël, Drinit ne i flasim kompetenti, spese është bujar dhe i zoti, ndërkohë financier i botimeve të vëllimeve poetike të babait. Ai është emigrant prej shumë vitesh në Angli
Edhe sot e kësaj dite, ai studion me kujdes teori letrare. Nuk nxiton të kërkojë motive, ato i vijnë vetë, nga natyra, nga njerëzit që njeh. Nuk mbytet në lumin e fjalëve, por noton dhe e zgjedh fjalën, e kursen përdorimin e saj të tepërt, se nuk do ta shpërdorojë të shenjtën e nënës.
H. Mehmetaj është poet 100% lirik dhe ka botuar gjashtë vëllime poetike: “Shqipëri, pse s’të zë gjumi?” (poezi, 1996); “Ëndrrat e trëndafilit”, (poezi, 1999); “As dielli s’më përshëndet”, (poezi, 2001); “Nata e lofatës”, (poezi, 2008); “Vajza e ujëvarës”, (lirika, 2012), si dhe librin me poezi të zgjedhura me titullin e thjeshtë “Lirika”, 2014. Të pesë librat i ka botuar në Tiranë dhe ç’ka na bën përshtypje pozitive, në rrafshin e virtytit e besimit të autorit, redaktor ka patur qysh në fillimet e tij botuese prof.dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, të cilin nuk e ndërron me tjetër. Libri më i plotë tij është “Lirika”, Tiranë, Dudaj, 2014, në 152 faqe, ka një strukturë poetike ngritur mbi katër kate lirike. Katin e parë e ka quajtur “Lirika shoqërore” me 33 poezi; kati i dytë është “Lirika peizazhi” me 13 poezi”; i treti “Zambakët e dashurisë” me 6 poezi për frymëzimtarët e tij: Omar Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin dhe xha Aliun, Ali Asllanin tonë. Katit të katërt të ndërtesës poetike “Lirika” i ka vënë emrin “Lirika dashurie”, ku përfshihen 71 poezi, të cilat hapen dhe mbyllen me çelësin magjik të poezisë, për të vijuar udhëtimin e ndjenjës pa nxitim, bukur, kënaqshëm e menduar. Me këtë natyrë burimore, pena e tij ka gjetur veten dhe ka krijuar profilin e autorit në poezitë e zakonshme dhe sidomos në tingëllima. Ndjenja dhe koherenca shkojnë bukur në harmoni në poezinë lirike të Mehmetajt, secila në vendin e vet hierarkik të llojit poetik të autorit. Veçoria e tij tematike është flora dhe fauna (bota bimore dhe bota shtazore e Lumit të Vlorës, krahinës së vendlindjes së tij e më gjerë). Së pari, ai shkruan se ndjen diçka që do ta shprehë me gjuhën e metaforës, do të kënaqë veten dhe miqtë e letrave. Pavarësisht nga natyra e tij tërësisht lirike e bujare, është shumë kritik ndaj krijimtarisë së tij. Poezia e tij, edhe pse ai nuk rend për ta reklamuar, ka tërhequr vëmendjen e miqve të poezisë, të studiuesve dhe të kritikëve të letërsisë.
Dritëro Agolli ka shkruar për poetin vlonjat: “Lirikat e Hiqmet Mehmetajt janë të sinqerta dhe kanë thjeshtësinë e këngës. Ato nuk janë rritur në serrat e librave, por në livadhet e natyrës. Me këtë dua të them se autori e ka asimiluar pasurinë shpirtërore të popullit dhe si nektar e ka shpërndarë në vargjet e tij. Dhe ky nektar u ka dhënë çiltërsinë e natyrshme, jashtë skenave libreske”.
Nuk mund të le pa përmendur mënyrën e shkrimit të Hiqmetit, aq të bukur, të rregullt dhe e qartë; bukurshkrim i vërtetë, model për mësuesit e sotëm.
Veprimtaria shumëpërmasore u zhvilluanë mjediset e Bibliotekës shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali” Vlorë të hënën e datës 25 dhjetor 2023, ora 11:00 me miqtë e penës dhe shpirtit artistik të qytetit, me miqtë e arsimit dhe Labërisë, tanët e të mësuesit veteran Hiqmet Mehmetaj , duke kaluar 45′ të gëzuara, të këndshme dhe mesazhe të larta qytetare, arsimore, kulturore, letrare dhe atdhetare.
Veprimtaria 4 gëzime në një ditë me poetin lirik të Vlorës Hiqmet Mehmetaj, ndër to përurimin e librit të zgjedhur me poezi të autorit: “Lirika” u zhvillua sipas këtij programi me kumtesa, diskutime, përshëndetje të lira, muzikë, recitime të poezive të autorit dhe kushtuar atij:
Moderator: Albert Habazaj
Veprimtaria çelet në një atmosferë të ngrohtë me pjesë muzikore me violinë nga Elisabeta Aliaj (supriza e takimit)
Fjala e hapjes dhe kumtesa e parë: Msc. Albert Habazaj, përgjegjës iBibliotekës Shkencore “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë dhe Kryetar i Shoqtarës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë: “Hiqmet Mehmetaj, poeti lirik i Vlorës që thur tingëllima”;
Lejla Gorishti, mësuese veterane e gjuhës dhe letërsisë shqipe, redaktore: Lirikat e peizazhit
Andrea Petromilo, përkthyes, gazetar dhe shkrimtar me përvojë 55-vjeçare në botën shkrimore:Zambakët e dashurisë
Enrieta Sina, poete, shkrimtare, botuese, redaktore: Lirikat e dashurisë
Eqerem Canaj, poet, shkrimtar, sekretar i Shoqtarës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko” Vlorë: Lirikat shoqërore
Delo Isufi, poet lirik, përkthyes, avokat, pilot
Prof.dr. Bardhosh Gaçe, albanolog
DEKORATA
Ahmet Demaj – mësues veteran, publicist, shkrimtar, kryetar për degën e Vlorës i Shoqatës Atdhetare – Kulturore “Labëria” – “Nderi i Kombit”:Mësuesi, atdhetari, poeti Hiqmet Mehmetaj dhe Dekorata
Përshëndetje të lira: nga Remzi Gjika – mësues veteran, shkrimtar;Gjolek Runa -poet popullor nga Drashovica, vendlindja e autorit: Luto Memokondi – ekonomist,fabulist, studiues; Anila Toto – mësuese, poete; Laureta Petoshati – poete, shkrimtare, gazetare dhe Zigur Bizhaj, ish – nxënës i Hiqmetit…
Falënderime nga autori Hiqmet Mehmetaj
Pra, diskutimi i sotëm, për pjesën e përurimit të librit ishte i profilizuar, ku secili nga kumtuesit e diskutantët kishte një rubrikë të caktuar, për të mos përsëritur njëri-tjetrin.
Unë, Albert Habazaj, u ndala veçmas tek tingëllimat e autorit:
Hiqmet Mehmetaj, poeti lirik i Vlorës që thur tingëllima
Mendoj se vlen të përmend se për poezinë lirike të autorit kanë shkruar personalitete si Dritëro Agolli me autograf, 1998; prof. Fatmir Terziu në revistën “Albanian Post” shkrimin “Specifika e Diskursit të lirikës së poetit Hiqmet Mehmetaj”, Nr. 54, shkurt 2023, f. 20-21; Mihal Kalia në librin studimor “Përqasje e çoroditur”: “Hiqmet Mehmetaj (në vëllimin me poezi “Lirika”, Tiranë”; Dudaj, 2019; f. 481- 508, si dhe prof.dr. Bardhosh Gaçe dhe MSc. Albert Habazaj në gazetat “Telegraf” dhe “Labëria”.
Dy fjalë për tingëllimën. Tingëllima ose soneti nuk praktikohet shumë nga poetët e sotëm shqiptarë. Është fjala për poezinë lirike me katër strofa, prej të cilave dy të parat kanë nga katër vargje e dy të dytat nga tre apo dy vargje, zakonisht njëmbëdhjetërrokëshe e me sistem rimash të ndryshme. Botërisht njihen dy modele shkrimore të poezisë lirike të tingëllimës, sonetet e Petrarkës dhe ato të Shekspirit.
Soneti është një lloj i veprës së shkruar letrare në vargje. Fjala sonet rrjedh nga fjala italiane “soneto”, që do të thotë “këngë e vogël, këngëz”. Qysh nga shekulli 13-të, soneti shpjegohet si vjershë lirike prej 14 vargjesh, e ndarë në katër strofa, dy të parat prej katër vargjesh dhe dy të fundit prej tre vargjesh, zakonisht njëmbëdhjetërrokësh e me rima të gërshetuara në mënyra të ndryshme; në shqip i themi tingëllimë. Soneti në letërsinë evropiane është përhapur falë poezisë italiane, sidomos pas suksesit të madh të veprës së famshme “Canzoniere” (rreth viteve 1351-’53), të Françesko Petrarkës, e ndërtuar nga një tufë poezish lirike, në formë sonetesh që lëvdojnë një grua, të cilën ai e quan Laura. Shekspiri (William Shakespeare: 1564-1616), shkrimtari dhe dramaturgu i famshëm anglez, përveç tragjedive dhe komedive të mëdha, ka shkruar edhe sonete (nga vitet 1595 deri vitet e para të 1600-ës). Struktura shekspiriane e soneteve është kjo: janë tre strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rima ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG, gjë që e bën lehtësisht të dallueshëm prej strukturës së soneteve të Petrarkës.
Hiqmet Mehmetaj ka ushtruar profesionin fisnik të mësuesit të Gjuhës shqipe dhe i Letërsisë. Ndërkohë, përveçse poet i lindur (gjenezën poetike e trashëgon nga nëna), ai fatmirësisht njohu dhe mësoi mirë teorinë e letërsisë, çka i dha ndihmesë për poezinë e kultivuar.
Tingëllimat lirike të Hiqmet Mehmetit sipas modelit të Shekspirit. Për t’u fokusuar sadopak tek soneti i tij, mund të themi se Hiqmet Mehmetaj, me ndjenjë, me kulturë, me durim ka realizuar një punë prej artisti në gjetjen e rimave e në ndërtimin e strofave, në kërkim të ritmeve dhe në kujdesin për të tërën dhe të mjeteve shprehëse. Vërehet vëmendja që ka për strukturën e tingëllimës dhe në stilin e tij nuk ka imitim të lëvruesve të sonetit nga autorë të huaj apo shqiptarë. Ka ndikim formësor nga Shekspiri në të 35 sonetet e shkruara deri më sot nëpër vëllimet poetikë që ka botuar, por ende jo në një vëllim më vete. Poezia e Hiqmet Mehmetaj ka karakter lirik romantik, po në mjaft tingëllima spikat prirja drejt realizmit, përmes trajtimit të motiveve shoqërore, qortimit të veseve dhe falënderimit poetik të virtyteve humane. Mehmetaj, sot për sot, ende është lëvruesi i vetëm i modelit poetik të sonetit lirik ndër autorët e Vlorës, por, mesa dimë edhe në qytetet e tjera nuk duket se soneti është në modë, ndoshta ngaqë këron një mjeshtëri me shije të hollë artistike dhe disiplinë të rreptë letrare të teknikave poetike. Pikërisht tipologjinë shkrimore të poezisë së Mehmetajt e dallojmë sidomos në tingëllimat e tij. Ato janë të tëra të bukura, ndërtuar sipas strukturës shekspiriane të soneteve: me tri strofa e gjysmë, domethënë, tri strofa njëmbëdhjetë rrokshe (quatrains) me rimën ABAB, CDCD dhe EFEF dhe dy vargjet e fundit (couplet) me rimë të puthur GG por, këtë prezantim të parë të tij me lexuesin, do të veçoja 11 sonete, nga të cilat: “Të kërkoj ndihmë”, “Brengë”, “Një ambiciozi”, “një pusht-etari”, “Lulishtari”, “Hëna e lajthive”, “Liria” janë lirika shoqërore; “Natë dimërore” – lirikë peizazhi; “Rrëfim rinor”, “Lustraxhiu” dhe “Në dasmën e putanës” – lirika dashurie. Mendoj se misioni im i thjeshtë si moderator i prezantimit tim në gazetë të tingëllimave të lirikut të Vlorës e mbyll këtu ciklin, për të vijuar me shijet artistike dhe estetike që do të shkaktojë tek lexuesi dashamirës i letërsisë së bukur.
Me të drejtë shprehet poetja Elma Rama: “Miqësi fjale dhe respekti ky takim”
Lejla Gorishti për lirikat e peizazhit:Me “Lirika” veç të tjerave, Hiqmet Mehmetaj, ka shpallur qysh në titull kredon e tij poetike, duke spikatur mes poezive me hepatitin e hënës, viruset e psherëtimave, ofshamat e mallit dhe nostalgjinë e tij, duket sikur thotë: “Jam një poet me këmbë në tokë, i përkas bashkëkohësisë, patjetër e përfshij romantikën, dashurinë, por mëtoj se misioni krijues, ashtu si vetë ndërgjegjja racionale dhe ajo emocionale e shoqërisë së sotme, është mjaft komplekse.
Prej këtu buron edhe veçoria e parë e krijimtarisë së tij. Ndoshta prandaj, në raportin autor – lexues, personalisht them për Hiqmetin se; e lexoj me endje, me kërshëri, me gjithë qejf, dhe me përqendrim. Po përse me përqendrim? Me përqëndrim sepse dua të zbuloj ku qëndron shkasi që e ka çuar poetin të krijojë këtë poezi. Hiqmeti nuk shkruan asnjëherë pa një shkak.
Pasi zbuloj këtë, kuptoj se poezia e mirë ka kimi të veçantë, ajo lexohet duke ia dorëzuar jo vetëm shpirtin, por edhe trupin.
Së dyti, dua të theksoj faktin se frymëzimin e vërtetë, romantiku Mehmetaj, e sheh si një dukuri me forcë të veçantë, që buron në mënyrë spontane dhe kryesisht nga bukuria e jetës dhe e natyrës. Pjesën e dytë të librit të tij që poeti e ka titulluar “Lirika peizazhi” e çel me poezinë “Fllad” kushtuar Drashovicës, fshatit të tij të lindjes, aty gjejmë vargje përmallimi, për natyrën, miqësinë dhe njerëzit.
…“Nga yjet e gjithësisë/ Veç një yll në shpirt më ndrin,/ Është yll’ i zemrës sime,/ Që më fshin çdo ëndërrim”
Në këtë poezi, ku jepet koloriti i Drashovicës, kemi një idilizim të jetës në fshat, diktuar kjo nga ndjenja të përmalluara. Te poezia “Më zgjon ndjenjat” kushtuar Vlorës, që në titull lexuesi e kupton se poetin e pushton melankolia. Ndjejmë në këto vargje ndikimin e romantikëve, prej së cilës merr shkas frymëzimi i poetit.
Së treti: Për merita të veçanta frymëzimi, për vetitë komunikuese dhe muzikalitetin e vargut poezitë kushtuar stinëve “Fillim pranvere”, “Tri stinëve”, “Dëborë e grisur” dhe “Ti pranverë” apo “Fund vjeshte” ku përzihet malli, admirimi, krenaria, me një bukuri figurash letrare stilistike dhe ëmbëlsia gjuhe, e çojnë poetin në “Përhumbje”
“Pi ëmbël lëngun e afshit që mbjell,/ Dehem, përhumbem në pellgun ëndërrim…”
Mendimi lirik i poetit, përcjell më se njëherë shprehje emocionale të vetvetishme. Teknika e saktë përcjell shprehje të zgjedhura figurative, në të cilat mbizotëron metafora, krahasimi, epiteti, i mbrujtur me nostalgjinë e poetit. Poeti ka një stil të shtruar, me një notë pak a shumë të dukshme nostalgjie, fjalori i tij poetik është përgjithësisht i zgjedhur dhe me shije.Vetia kryesore e poezisë së tij është lirizmi, ndjenja e ngrohtë që përshkon vargun”.
Andrea Petromilo në kumtesën e tij u ndal tek lirika dhe stilistika në penën e poetit, sidomos tek cikli “Zambakët e dashurisë”. “Zhvillimet në fushën e letrave, në këtë periudhë emëruar pstkomuniste, jan ëtë vrullshme në të gjitha zhanret. Por kjo nuk do të thotë se në shtrirje qoftë horizontale apo vertikale, në masën e duhur, gjejmë vlera cilësore. Në sfondin poetik, firmat me sa vëzhgohet, përbëjnë përqindjen më të madhe, pasi, me sa kuptohet, konsiderohet një zhanër më i thjeshtë në thurje, paçka se të shkruash poezi, duhet të njohëshligjësitë dhe elementët e saj, si ritmin, masën, ndjesinë emocionale, mesazhin, figurcinin artistik, detajin dhe këndvështrimi ndaj tij, etj. Në podin e saj cilësor, janë të paktë ata që ngjisin shkallët jo vetëm falë talentit, por edhe njohjes së këtyre elementëve, e për më tepër kur flasim për poezinë klasike, nëse do ta përcaktonim kështu, e në veçanti për lirikën që nuk mund t’i afrohesh lehtë. Ata që krijuan maja në kët sort, që jo vetëm i rezistuan kohës, por emrat e tyre u bënë rrëfimtarë për këdo që do të shkelte nëpër ato shtigje falë talentit e mjeshtërisë. Poezia lirike është e lehtë – puplore, është flladore, por e nginjur me ndjenjë shpirtërore, të rrëqeth emocionalisht, të lëbyr vështrimin nëpër rrjedhat e saj. Dua të them, aj nuk pranon tepëri, nuk pranon zhgarravitjen. Që të shkruash poezinë lirike apo erotike kërkon”guxim”, flas për një krijues sedërlli, që poezinë e quan poezi, prodhim të shpirtit të tij e jo një stisës vargjesh bajate deri në vulgarizim, që nxiton të hedhë në feis buk (facebook), për t’u kënaqur me ato klkime… Pikërisht ai, poeti sedërlli ka një individualitet, i cili ka formuar portretin e tij në poezinë lirike. Me sa e çmoj, poeti ynë Hiqmet Mehmetaj, që sot na vjen në këtë veprimtari mes katër gëzimesh, e ka manifestuar me dinjitet këtë ‘Guxim’. Ai, madje u përkushton ndjenjën e brishtë poetike kolosëve të këtij sorti, prej të cilëve ka rrëmbyer aromën, veçse aromën, dhe për secilin, ashtu siç e përjeton ai, u qëndron besnik nga ana stilistikore. Kur lexon poezitë kushtuar Khajamit, Eseninit apo Bërnsit, e po kështu lirikëve tanë si Lasgushit, Ali Asllanit apo Çajupit, poeti ynë lirik Hiqmet Mehmetaj, krijon përngjashmërinë me individualitetin dhe bukurinë e vargut. Ja si shprehet Hiqmeti: “Mbrëmjeve prehem mbi vargjet e tua/ nga brigje të thera ti zë e më flet/ për verën brusko dhe çupëzat mua/ më bën ziliqar dhe në atë jetë”. Sa origjinal! E si mesazh respekti, ai e mbyll poezinë: “Eh, dashnor i ngjyer në çupa,/ vaditur me poçen e verës Azi/ më ndez dhe mua “të Shuarin” me kupa/ mbi varr do vij të t’nde znjë qiri”.
Pa asnjë plagjiaturë, mjeshtërisht nga ana stilistikore, poeti ynë, kuptohet se ka arritjen pa stonaturë duke përdorur disa detaje individuale të poetit të madh. Kur lexon vargjet si: “Si kallami në mes të lumit/ e shkove jetën rrahur prej tufanit,/ veç vajzat i ngroh në ëndrrën e gjumit/ si ato të dyshekut e jorganit”.
Kush e njeh poezinë e Bërnsit, a nuk thotë se enkas në ngjashmërinë stilistikore, poeti ynë ka përcasktuar teknikën e këtij poeti të madh skocez? Në poezinë “Huliganët” me vargjet: “Veç atje ku prehesh ti, o mik, s’e di/ që ka “Huligan” dhe në Shqipëri?”
Poeti flet shqip dhe me lirikun e madh rus. Poeti ynë zotëron lirikën me gjithë tekinaën e tij, prandaj si një xhongler i mirëfilltë ai nuk hoziton të provojë sortet që nga ana stilistikore bëjnë dallimin në përcaktimin e individualitetit. Le të lexojmë vargjet e tij: “Kënga e lirës mendimtare/ buzëqesh në vargun argjëndor,/ pikon në zemrat lozonjare/ ylli i mëngjesit pranveror”. Dhe thua, ja adhuruesi i lirikut tonë të madh Poradecit, si i këndon me gjuhën dhe stilin e tij: “I plagosur, i drobitur/ në brigjet e tua larg/ mes helmesh e dëshpërimesh/ pena të pikoi gjak”. I drejtohet Çajupit, pa iu shmangur stilit çajupian.
Hiqmet Mehmetaj është një poet lirik i mirëfilltë, që ligjësitë strikte, q ëi japin finesë, tipiken e këtij sorti që të ngacmon emocionalisht me rrjedhën e qetë të kënaqësisë, është Zot i saj. I shpreh urimet më të mira dhe suksese. Arriftë e kaloftë të 100 vitet për të na dhënë freski vargjesh!
Enrieta Sina për lirikat e dashurisë: Të lexosh vargjet për dashurinë të poetit Hiqmet Mehmetin shpirti dallgëzon e veten e gjen në ëndërrime dhe emocione të bukura drithërruese të jetës. Kësaj ndjenje që lind dhe rilind njerëzimin, që shkumon brenda teje si dallgë derisa puth bregun, i kanë shkruar dhjetra e qindra poeti në botë nga kohët e hershme e në vazhdim në ditët tona.
Nga brezi në brez shumë vargje apo thënie të mëncura nga filozofë apo sociologë por dhe në perifrazim nga shkrimtar të njohur që janë shfaqur ndër breza kanë mbetur në kujtesë dhe jo vetëm, janë shpërndarë me aromën e tyre jetësore në botë. “Dashuria sundon gjithçka dhe ne vetë i nënshtrohemi dashurisë” – shkruan Virgjili. Dhe po kaq bukur shkrimtari që përshkruan në veprat e tij botë shpirtërore të personazheve që lyhen me penën e ylbertë forcën e kësaj ndjenje, Leon Tolstoi citon: “E mira e njeriut qëndron te dashuria, siç qëndron në rrezet e diellit fruti i një peme”. Thënia e Tagorës: “Le t’u lëmë të vdekurve lavdinë e përjetshme, le t’u japim të gjallëve dashurinë e pavdekshme”, do të thotë shumë.
Dashuria është dhe mbetet poezia më e përsosur e natyrës. Është mëkat që lulëzon vetëm një herë si dhe disa lule të rralla, por dashuria nuk mund të jetë e thellë nëqoftëse nuk është e pastër dhe mund të them dhe se një dashuri e kufizuar është një dashuri e mbaruar. Druajtja është një mëkat i madh ndaj dashurisë sepse zemra derdh tërë afshin e saj në cdo gjë që dashurojmë.Në lirikat e tij të mrekullueshme, të njohura nga unë qysh para tridhjet viteve emocionohesh dhe gjen të bukurën në jetë, atë pa të cilën jeta nuk do të kish kuptim. I gjithë libri përshkruhet bukur dhe ideoet nga kjo ndjenjë.Tek poezia “Amaneti i ëndrrës” prezantohet kjo ndjenjë fuqishëm qysh në strofën e parë: “Në ëndërr një miku i zemrës më tha:/ “Mos hiq dorë nga çupëzat, im vëlla/ Lodro. Harlisu, puthi, qerata/ Se në botën tjetër ku fle unë, s’ka”…
Më poshtë:
“Dhe atëherë i qetë do të rri/ Kur t’ia përmbush mikut këtë porosi/ Me vashat hyjnore në vargjet e mia/ Si lëndinë prilli të çelë poezia”…
Dhe vërtetësisht në këtë cikël për dashurinë kënaqësia është ajo që të shoqëron në çdo poezi, strofë dhe varg. Përdorimi i figurave letrare në funksion të idesë dhe ndjenjës të shpalos një botë të pasur tek e cila mbetesh i mrekulluar.
Tek poezia “Rrëfim rinor” veçoj: “Pashë një pyll si rrallë ndonjëherë/ Peizazhe, pemë, fruta erë parfum/ Pashë syrin tënd, hapësirën qiell/ Në atë natë pranverore fatlumë!”
Gëte, Gibran, Esenin, Berns por dhe shumë poetë shqiptar të periudhës së Rilindjes deri më sot do ndalnin e do të lexonin vargjet për dashurinë nga poeti yne Hiqmet Mehmeti.
Tek poezia “Ti më ike” dashuria tregon dhimbjn që lë: “Kaluan stinët, unë i vetmuar/ U kota për aromën e pjeshkës/ Nga pritja e gjatë u ndjeva i gjymtuar/ Si drurët gjetherënë të vjeshtës”`
Interesante poezia “Në dasmën e putanës”: “Ai ujë që zgjodhe për t’u futur/ Ty në atë filaqi do të çonte/ Epshi yt i papërmbajtshëm, i shthurur/ Trupin brilant bloza do ta mbulonte”.
Poezitë në vijim si: “Ti dashuri”, “Cigania”, “Inati i pyllit”, “Vejusha lozonjare”, “Zemër e shkulur”, etj. përmbajnë ide të përshkruara me art që përcjellin të tjera emocione dashurie,
Dhe në fund të shprehjeve që përcolla për këto vargje aq të ëmbla dhe plot jetë e dritë po e mbyll me: “Përmbi gjoksin tënd shtëpinë kam ngritur/ Kjo botë pa ty nuk më vlen asnjë grimë/ Ndjesë pastë Khajami shpirtndritur/ Për aksiomën që nuk do vërtetim…”
Eqerem Canaj u përqëndrua tek lirikat shoqërore, që si cikël përbëhet nga 33 poezi në 44 faqe. Sipas Canajt, në ciklin e lirikave shoqërore, i cili, natyrshëm është më i rëndësishmi i vëllimit, spikasin tre tipare: 1. Ndjesitë estetike: Duke lexuar të 33 poezitë me temë shoqërore, kuptova ca më mirë ndjesitë poetike të autorit mbi njeriun dhe marrëdhëniet e tij me prodhimin, ku ky i fundit si concept filozfik, ka karakter shoqëror. Pra, sipas kësaj analize, poeti ynë me një koncept të qartë filozofik mbi jetën dhe njeriun si pjesë e shoqërisë, e cila paraprn zhvillimin, autori i ka kushtuar domosdoshmërinë poetike, si te poezitë, veçanërisht: “Çelësi”, “Kënga ime”, “Bilbili”, “Atdheu”, “Vesi”, “Pendim”, “Pseudomiqtë”, “Një pushtetari”, “Lulishtari”, “Të gjitha vonë”, “Me turkeshën e Ditëroit” etj.
Thotë poeti: “Jetën e lava me lotin e dëshpërimit/ Në detin-lot u mbyta si askush tjetër/ Veç çelësin magjik të stinës së trëndafilit/ E ruajta në arkën time të vjetër” … te poezia “Çelësi”.
Kësisoj, në mjaft poezi, që përbëjnë tipiken e autorit në fjalë, ndjesitë estetike tundojnë mbi ndjenjat e lexuesit të gjerë.
2. Përsosmëria poetike, si shprehe e modernitetit bashkëkohor: Sipas konceptit tim poetik, poezia modern ngrihet, zhvillohet mbi standardin poetik të vjershërmit të traditës, duke shpërfillur teprimet standard në lidhje me vargun, rrokjet, pikësimin, duke rinovuar sistemin figurative në shërbim të ndjesive shpirtërore te lexuesi. Mendoj se kjo tufë poezish, që përbëjnë pjesën e parë të lëndës poetike të autorit Mehmetaj, elementët e modernitetit poetikbëjnë dukje pozitive në tematikën e larmishme e të veçantë njëkohësisht, në përsosjen e teknikës shkrimore, stilin e figuracionin. P.sh., poezia “Të gjithë vonë”: “U lodha për të tjerë/ martesa vonë/ fëmijët vonë/ telashet s’më mbaruan/ mbase dhe vdekja/ do të vijë vonuar/ që të shijoj/ vonesën e vonuar”. Pra kjo poezi, me një mesazh të fuqishëm e tronditës (pasi prapa fjalëve të thjeshta zbulohen dramat kohore), një paraqitje moderne e pastër. Kështu nënvizojmë idenë e mësipërme: përsosmëria poetike mbetet dukuri e poezisë bashkëkohore. Ky vëllim, mendoj, meriton qenësinë e poezisë bshkëkohore.
3. Kapja poetike dhe stilistika: Poeti Hiqmet Mehmetaj, duke shfrytëzuar jetën moshore, si dhe influencën bashkëkohore, realitetin faktik, të përthitur si sfungjeri ujin, përmes vetëdijes krijuese, e ka derdhur artistikisht në lënëdën që po trajtojmë. Kapja e tij poetike ka qenë përzgjedhëse, analitike dhe motivuese, çka mirëpritet me interes tek lexuesit dashamirës.
Delo Isufi ushpreh: Lexoj vargje tek të tjerët dhe ka raste që i kthehem vargut, në disa raste për të gjetur mesazhin, ndërsa për poezitë e Hiqmetit, kthehem për të shijuar melodinë e vargut. Me poezinë e tij, ai lodron nëpër lule, shetit nëpër yje dhe, jo pak raste e xhelozon edhe hënën: “I thashë hënës: “Mbylli sytë”/ Fola fort të më dëgjonte./ “A kupton që sytë e mikes/ të verbojnë dhe ty sonte?”. Poeti e ngjyen penën në ujin e kristaltë të detit të Vlorës dhe me të qëndis vargje në kartën e qiellit. Poezia e tij është pranverë.
Bardhosh Gaçe bëri një diskutim mbi botën letrare në Vlorë dhe vendin e autorit në këtë detashment të dritës shkrimore. Ai tha: “Në botën letrare të Vlorës, përgjatë një shekulli, Vlora ka spikatur në një livadh të madh e të blertë të shpirtit të vet lirik. Në këto lëndinapoetike, kahas Ali Asllanit, Fatos Arapit, Nexhat Hakiut, Eqerem Canajt, Delo Isufit, Albert Habazajt, Thodhori Babes, Theodhori Prokos, Pajtim Xhelos, Namik Jahajt dhe Enrieta Sinës, si një trëndelinë në shkëmb buzë lumit të Shushicës, ka qëndruar përherë poeti i talentuar Hiqmet Mehmetaj.
Pas kaq vitesh krijmitari, edhe pse pa asnjë thinjë në lirikën e tij të dashurisë, ai vjen para nesh, po m eatë nerv idilik, po me atë shpirt fisnik, po me atë verb poetik, të një frymëzimi që flladitet san ë poezinë tonë popullore, sa te krojet e Ali Asllanit, aq dhe te harku i ylberit të Eseninit, apo Saadiut dhe poetëve persë, që ai i ka për zemër.
Mbi të gjitha, Hiqmet Mehmeti është një poet original, i cili i ka folur kohës dhe njerëzve me zërin e vetë. Herë-herë, vargu i tij poetik më duket se rrjedh si krojet, pa zhurmë, por me shushurima. Në këtë cast më sillen ndërmend disa fjalë të mësueses së parë poetike, Feridesë, nënëns sëë tij, jo sit ë gjitha nënat, por nënë që kuvendonte me bashkëfshatarët në Drashovicë dhe me të huajt nga Italia, Anglia e Norvegjia, me filozofinë e thellë popullore, por edhe në gjuhë të huaj – italisht: “Njeriu, more bir, lind e rrit fëmijë. Po fëmijët janë si burimet. Sa nxjerrin kokën nga mali, marrin rrëketë e shkojnë në lumë. Ata e gjejnë rrugën për të vajtur në det me mendje…”
Kështu edhe lirika e Hiqmet Mehmetajt ka kohë që shtegton në gojën e nxënësve që dha mësim 40 vjet, në gojën e kolegëve, poetëve, por edhe dashamirësve të tjerë të letrësisë dhe artit.
Bota motivore dhe tematike e këtij liriku është e gjerë dhe e thellë. Vetëm 6 vëllime poetike ka nxjerrë në dritë poeti: “Shqipëri, pse s’të zë gjumi”, “Ëndrrat e trëndafilit”, “As dielli s’më përshëndet”, “Nata e lofatës”, “Vajza e ujvarës” dhe “Lirika”. Një punë e kursyer, me vargje të gdhendura si me daltë, (dihet që në Drashovicë ka edhe gurore, edhe mjeshtra të mëdhenj të gdhendjes së gurit), por siç duket mësuesja e vjetër ka vdekur, redaktorja e re është pak sqimatare [kumtuesi e ka fjalën për bashkëshorten e autorit, farmacisten Nazo Arapi; shën. im: A.H] . Habitem me Albert Habazin, ai sa herë kanë ditëlindjen poetët, përuron ndonjë libër të ri, po kësaj herë, siç duket, i bën homazh nderimi një monumenti lirik, duke lënë në pritje vëllimin e ri…
Hiqmet Mehmetaj është lirik në të katër horizontet e jetës, edhe kur u këngëzon stinëve, kur bisedon me valët e lumit a të detit, kur përqafohet me flladin, në fund vjeshte a në dimër.
Në shpirtin e poetit qysh në adoleshencë kanë çelur “Zambakët e dashurisë” me Omar Khajamin, Robert Bërnsin, Eseninin, Lasgush Poradecin, Çajupin, Ali Asllanin, ku baret me amanetin e ëndrrave, por edhe të zhgjëndrrave. Ai përqafohet si Ali Asllani, puthet si Omar Khajami, rebelohet si Esenini, por përherë shfaqet “me buzën në gaz, me ledhe e pekule” jo vetëm për të gjallët, por edhe për të vdekurit.
Lirika e Hiqmet Mehmetit s’është si ajo e ca poetëve të tjerë, që shpejt bien në “grackat e laraskave”, pse leqet e metaforave dhe personifikimeve, shpesh e shohin bukurinë të përlotur, apo në ikjet e “braktisjet”, “Ti më ike në rrugën pa kthim/ vjeshtën gjetherënë le si kujtim”. Poetit i pëlqen “Strehëza e lofatës”, “Lisi i veshur me gjethe”, “Inati i pyllit”, “Vejusha lozonjare”, “Cigania”, “Hëna e lajthive”, “Turtullesha”, “Lotët e shpresës”, i mungon Rrufeja, nënë Rrufeja në Llakatund, etj.
Një tipar tjetër qytetar i lirikës së Hiqmet Mehmetit është lirika shoqërore dhe ajo e peizazhit. Frymëzimi i poetit flladitet në zallin e bardhë të Shushicës, brigjet me ullinj të Drashovicës, tek-tuk ka edhe ndonjë fyell, zile, këmborë… ka meditime e përhumbje, ka gjahtarë dhe netë dimërore, por e pranishme është edhe Vlora me detin magjeps, dhe ju lutem mos e bëni Hiqmet Mehmetin si në kohën e Zef Seremben që humbiste në fshatrat Kalabrisë, pra është më modern.
Drashovica ka nxjerrë kapedanë, luftëtarë, mësues populli, blegtorë, agronomë, mjekë, ekonomistë, oficerë, por ajo ka nxjerrë edhe poetë si Hiqmet Mehmetaj, Pelivan Barjamaj, Gjolek Runa, dhe Ermal Hoxha. Ne i falënderojmë të gjithë këta.
Anila Toto: Libri i tij “Lirika” promovohet sot nga miq e krijues, njerëz që e duan artin, poezinë, njerëz të penës. Natyrisht ka një kontraditë ose një afri midis Ditës së Krishtlindjeve dhe promovimit të librit të z. Hiqmet, ose rrugët e Zotit janë të pafundme! Të pakufishme, humane! Gjithsesi… Ky libër me 145 lirika e rreth 150 faqe, me redaktim të prof. dr. Bardhosh Gaçe, me muzë aktoren e mirënjohur Hajrie Rondo, mban brenda vetes disa botë në një botë. Kemi lirika shoqërore, lirika peisazhi, zambakët e dashurisë, lirika dashurie, dhimbje, natyrë, shpirt.
Në lirikat shoqërore libri nis me poezinë “Çelësi”. Autori duket se pas një periudhe dëshpërimi kërkon në rrugët shpirtërore për të mbijetuar. E ndalesa e tij është poezia. Çelësi magjik që zbërthen ndjenjat më të bukura, romantikën shpirtërore, estetikën poetke. Pastaj autori vazhdon me poezitë “Kënga ime”, “Udha e lotit”, “Poçja e brengës”, “Nëna”.
“Ngushtë ndihem të thurr vargjet e tua/ se para Eseninit nuk mund të flas dot./ Veç ti je kënga, e madhërishme për mua,/ hyjnore perëndeshë në këtë botë”.
Kemi një thyerje me poezinë “Gjysmëshekulli im” dhe “Brengë”:
“Me fijen e brengës dergjem i mekur/ Një fije shprese a kam për ta gjetur?!”
Me këtë retorikë autori na jep mesazhin se ai dyshon tashmë. Gjithë këto dhimbje që ka kaluar në jetë, kjo botë me kaq shumë probleme të pushteteve, keqësi dhe çnjerëzim a do të bëhet vallë ndonjëherë një botë më e mirë?
Prandaj kalon tek poezia “Bilbili” …ku ai nëpërmjet simbolikës dhe paralelizmit figurativ, kërkon të ndihet një shpend i lirë.
“Vetëm me zërin tënd pylli sigurisht/ do ta ndiente veten tepër të trishtë”.
“Ah, Atdhe/ Je diell, je sofër/ Je ëndërr, je lot./ Je gur, je gur/Je baltë, je baltë,/ Shtroje përjetshme/ Ku do të shtrij krahët”.
Sido të jetë Atdheu është shtrati i ndjenjave tona më të bukura, është shtëpia jonë. Pastaj vijojnë lirika e peizazhit të bukur natyror.
“Ju falem juve ullinj paqësorë/ Ju limona portokalli, er’kundërmim./ Ty o det i kaltër i syrit tim gaztor,/ Ju o fllade dhe kopshte të shpirtit tim”.
Si dhe poezia “Vala”: “Rrëmbemë o valë, o muza ime,/ Ma vish brengën me mantelin kujtime!”
“Mallkuar qofsh, o gjahtar tinëzar/ Që atë muzgmbrëmje të përgjumur/ Godite kaprollen në brinjë, o zuzar,/ Dhe gjymtove rëndë pyllin e bukur! / Tok me të qau dhe pylli i shkretë / Vajtoi gjatë për drenusha e pastër/ Nga ti o shpirtlig që more një jetë/ Me dorën tënde vrastare, të ashpër”.
Ka një botë shumë të ngarkuar në këtë libër. Dhimbje, fenomene shoqërore që lënë dhimbje, ndjenja të prekura e të lënduara, pafuqi për të ndryshuar realitetin. Etje, dashuri për jetën, lumturinë e munguar, paqen, botën. Por, në botën e autorit duket që kanë ndikuar autorët Kahjami, Bërns, Esenin, Poradeci, Çajupi, Ali Asllani etj.
Poezitë e dashurisë vijnë të çiltra, të thjeshta me ndjenjat e tyre djaloshare.
“I thashë hënës: “Mbylli sytë“/ fola fort të më dëgjonte,/ “A kupton që sytë e mikes/ të verbojnë edhe ty sonte?”/ Zemra nuk më qetohet/ Natën i lutem një ylli/ Syri i ndezur më verbohet Nga një manushqe prilli./ Do t’ia mbledh pikat e vesës/ Në një gotë do pi të dehem,/ Dhe nëpër lotët e shpresës/ Mëngjesit do të ushqehem”.
Poeti vazhdon me poezinë “Loti i qerpikut”, “Vajza e ujëvarës”, “Nëpër ëndërr”, “Ju vajza që ëndërroni”, “Dashurisë”, “Xhelozisë”, “Tradhëtisë” e kështu me radhë. Dashuria e poetit për natyrën, pemët, qiellin, tokën, detin, njerinë, femrën, gotën…
“Me syrin e qelqtë ajo qesh me lot:/ Mik nuk je gabuar, jam binjakja gotë”!
Hiqmeti ka punuar mësues Gjuhë – Letërsie, por pasioni për poezinë është e kuptueshme që nuk e ka lënë kurrë të qetë. Duket sikur është binjakja e tij, shoqja, këndi ku qetëson shpirtin. I pakursyer në figurat letrare shumë të zgjedhura dhe të lëmuara me kujdes e dashuri. Libri ka edhe tek – tuk përsëritje të vogla apo poezi që duhen koncentruar, por ndjenja të bukura e hyjnore përcjellin çdo faqe e të zbukurojnë shpirtin. Vlora nuk shterr nga poetët!
Ahmet Demaj u shpreh se me krijimtarinë letrare të Hiqmetit është njohur para 5-6 vjetësh nëpërmjet një botimi të mësuesit të dalluar të Vlorës Mihal Kalia, një përkushtim shumë dinjitoz dhe një studim shumë bindës për mua që e njoh pak letërsinë.
Nga ajo që kam lexuar tek Hiqmeti dhe nga ajo që lexoj tek shkrimtarë të tjerë, mua më pëlqejnë këto kritere tek letrarët: – Nga njerëz të mirë pret krijimtari të mirë. I tillë ëshë Hiqmeti, që e lexoj dhe e respektoj. – Nga njerëz qytetarë pret një letërsi dhe krijimtari edukuese, që të ndikojë sadopak me ndjenjat dhe me mesazhet që jep qytetarëve të tjerë, ndoshta edhe ne që jemi të moshës së Hiqmetit, e aq më shumë tek brezi i ri. Sepse bën një letërsi, prandaj Hiqmeti respektohet.
Mendoj që në fund, gjithë krijimtaria e një krijuesi shpreh botën e brendshme të tij. Bota e Hiqmetit, mua më duket shumë e pastër, prandaj dhe poezia e tij është shumë e kapshme, nuk ka nevojë të bësh përkthim për përkthimet në shqip, (shqip – shqip), siç ndodh ca poetë të tjerë. Prandaj edhe për këtë kriter dhe krijimtari të Hiqmetit, ne e falënderojmë.
Ne, si shoqatë “Labëria”, jemi një shoqatë atdhetare kulturore dhe për të gjithë ata njerëz pa bindje politike, pa përkatësi fetare, por për njerëz që nxitin aktivitetet patriotike dhe kulturore, ne pranojmë propozimet për t’i nderuar si shoqatë “Labëria”. Është ky qëllimi ynë i sotëm, që në pragun e 80- vjetorit, duke i uruar një ditëlindje të gëzueshme dhe një jetëgjatësi të devotshme si lab, është vlerësimi që i bëjmë sot si Labëri, mësuesit, veprimtarit të shoqatës “Labëria”, sepse ka qenë i angazhuar dhe vazhdon të jetë në të gjitha veprimtaritë tona”.
Propozimin për nderimin e merituar, por të vonuar të këtij personaliteti të njohur në fushën e letrave, të arsimit dhe edukimit atdhetar në Vlorë me kontribute të dukshme në veprimtari kulturore, letrare dhe atdhetare në Gumenicë, Drashovicë, Kotë, Vlorë e gjetkë, e ka bërë kohë më parë Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë. Zoti Ahmet Demaj, kryetar i degës së Vlorës për shoqatën “Labëria” i dorëzon çertifikatën dhe dekoratën “Mirënjojha e Labërisë” me motivacionin: “Z. Hiqmet Sulo Mehmetaj. Për kontribute të shquara në fushën e asrimit si mësues dhe drejtues për 40 vjet. I dalluar në veprimtaritë e Shoqatës Atdhetare – Kulturore “LABËRIA”, si aktivist dhe i zgjedhur në drejtimin e saj. Është i njohur në LABËRI si botues i 6 vëllimeve me poezi. Kryetari prof.dr Ago Nezha”
Remzi Gjika, ndoshta është i vetmi që e ka njohur Hiqmetin që në fëmijërinë e hershme, prandajshprehu gëzimin e tij për mikun e vjetër, bashkënxënësin, kolegun, me të cilin ka komunikim këtu e 60 vjet, falë Drashovicës, vendlinjdes së dytë.
“Unë e kam dalluar nervin e tij letrar – tha Gjika- , sepse ai ishte i afishuar në ato këndet letrare të klasave dhe shkollës “Letrari i Ri” dhe ai shkruante. Kishte nerv shumë origjinal deri sa erdhi në këtë kohë si personalitet i lirikave. Hiqmeti është njeri me shumë kulturë dhekjo duket, ai me lirika e tij i ka rënë tërë kontinenteve mbarë e prapë, sepse iu është reflektuar shumë krijuesve të botës. Unë një gjë dalloj tek Hiqmeti, te koncepti i tij filozofik: Zoti është në qiell dhe njeriu është zot në tokë. Këtij koncepti i është përmbajtur dhe ka vënë në fuqi një mekanizëm universal që është dashuria, sepse dashuria është universale dhe është motori i jetës. Prandaj, duke iu referuar këtij koncepti të tij filozofik, ai ka bërë që të bisedojë me bimët, të flaës me lulet; t’u japë atyre zë, t’u japë atyre mesazhe, që është një gjë e veçantë në lirikat e tij dhe shumë e këndshme. Atyre, t’u kthehesh disa herë, nuk mërzitesh, sepse janë me një gjuhë të thjeshtë e me shumë kulturë. Është tamam ajo që ka përcaktuar Agolli, që ky nuk është një krijues i serave, por është një njeri që ka lindur atje, është rritur me frymën e dashurisë, dhe siç buronte ai, lumi i Shushicës, ashtu dhe këtij buronin mendimet. Fati e pruri që nga bashkënxënës të bëhemi dhe kolegë. Unë i kam pasur gjithnjë marrëdhëniet me të, sepse ky është një njeri shumë, shumë i respektueshëm dhe bën që të rezervosh për të një respekt të veçantë. Unë jam shumë i gëzuar që marr pjesë në këto gëzimet tij dhe shpresoj që ai do t’i sfidojë vitet dhe do të shkruaj në këtë linjë që ka, për ta bërë dashurinë vërtet një motiv dhe për të dhënë atë mesazh që njerëzit të jetojnë jetën ashtu siç vjen, me të gjitha, patjetër ashtu siç meritohet.
Unë kam veçuar disa nga poezitë e tij që më kanë bërë përshtypje,por do të citoj atë ku Hiqmeti trajton personalitelin e vetë : “Jam një bredh në shpat mali/ nuk jam myshku i kënetës,/ por jam këngë, muzik’ e gjallë/ jam nektar i së vërtetës”. Me të vërtet, ky mbetet një njeri krenar, nuk është njeri që zvarritet, por është një njeri me personalitet dhe kjo e bën atë ndër lirikët më të nderuar.
Luto Memokondi ia njeh qysh herët poezinë e Hiqmetit, se i ka lexuar të gjitha librat e tij dhe, me humor, u shpreh: “Te “Lirika” ka shkruar edhe për arixhofkat e Llakatundit. Kujdes, mik i dashur, kur shkruan, se ha gol në minutën e fundit…”
Zigur Bixhaj bëri përshtypje me fjalën e tij mirënjohëse për autorin dhe tha se Profesor Hiqmeti ka qenë mësuesi im shumë i nderuar, por nuk është vetëm ish-mësuesi im, ai është ende mësuesi im edhe sot e kësaj dite, që jam vetë me thinja…
Falënderimi i autorit: “Të nderuar miqtë e mi! Së pari, ju uroj ditën e shenjtë, Krishtlindjen! Së dyti, ju falënderoj për nderin dhe kohën qq më kushtuat me pjesëmarrjen tuaj në përurimin e librit tim përmbledhës me titull “Lirika”.
Në këtë sallë jemi mbledhur shpesh dhe kemi shkëmbyer mendime, kemi përfituar nga njëri- tjetri, ndaj këtë sallë e quaj faltore, kishë, xhami apo teqè, si bekim i Zotit. E përmend këtë fakt se janë disa njerëz, humanë në universitetin “Ismail Qemali” Vlorë, që na i kanë krijuar këto mundësi.
Falënderimet i kam të shumta, por emocionet që më kanë kapur me këtë rast, nuk më lejojnë të shpreh ato që ndjej. Falënderimi i parë shkon i takon atij që e quaj “Dora e ngrohtë”, ku para 30 vjetësh më zgjoi nga gjumi i gjatë letargjik, më përmendi dhe, jo vetëm kaq, por më bëri mik me miqtë e tij, me të mëdhenjtë e letrave shqipe, si me Kadarenë, Agollin, Fatos Arapin, Xhevahir Spahiun etj. Ky njeri që më përmendi është Profesori i nderuar Bardhosh Gaçe. Faleminderit profesor, redaktori i 6 librave të mia poetike.
Në rrugëtimin tim të poezisë, kam pasur edhe një “çekiç”, ku me daltën e tij është munduar të më gdhendë, por përsëri mbeta i pagdhendur, ndaj kam marrë prej tij edhe titullin “Dembeli i talentuar”. Ky personazh quhet Albert Habazaj. Faleminderit Berti, do ta plotësoj dëshirën me një vëllim poetik me titullin “Dembeli i talentuar”.
Koha s’është e mjaftueshme për t’u falënderuar një për një, por dua sa më shkurt të përmend disa që më kanë dhënë frymëzim në krijimtari, sidomos miqtë e mi intelektualë:
– Falënderoj Profesor Mihal Kalia për profesionalizmin e analizës së thellë të poezisë sime.
– Falënderoj organizatorin, mikun tim Albert Habazaj që ka qenë aq i vëmendshëm ndaj meje, si dhe mikun tjetër poet, avokat, poliglot Delo Isufi.
– Falënderoj poeten lirike të shquar znj. Enrieta Sina.
– Falënderoj profesoren e nderuar Lejla Gorishti, si dhe mikun tim të vjetër shkrimtarin Eqerem Canaj
– Falënderoj shokun tim të fëmijërisë e rinisë, mësuesin intelekual Remzi Gjika, që më ngjalli nostalgji në kohë të ndryshme.
– Falënderoj të nderuarin Andrea Petromilo, dashamirësi im i lirikave.
– Falënderoj miqtë e kolegët Ahmet Demaj, Lejla Kripa, Anila Toto, Alma Sinan Feruni, Laureta Petoshati, Zamira Agalliu, Luto Memokondi, Nuredin Veshaj, Fatmir Kreshpa, Fatbardha Troqe, Elisabeta Aliaj e Vjolla Aliaj.
– Respekte për pjesëmarrjen e ish – nxënësve dhe kolegëve të mi, që më resektuan në këtë takim të mrekullueshëm.
Falënderoj bashkëfshatarët e mi: Luter Nuraj, Zigur Bixhaj (ish nxënës), Remzi Bushaj, Gjolek Runaj, Maksim Runaj, Myzafer Zanaj që me praninë e tyre në këtë takim të bukur e me vlerë më dhuruan kënaqësi të veçantë.
Një falënderim i veçantë i shkon redaktorit tim i të 6 librave të mi, prof. dr. Bardhosh Gaçe.
– Falënderoj gjithë të pranishmit, të cilët morën pjesë në përurimin e vëllimit poetik me titull “LIRIKA”, si dhe datëlindjen time dhe vlerësimin!
– Falënderoj Shoqatën Atdhetare – Kulturore “LABËRIA” me qendër në Tiranë, për dhënien e titullit: “Mirënjohje e Labërisë”!
Mirënjohje familjes sime, bashkëshortes Nazo dhe dy djemve tanë Neritan dhe Drini, (Neri është edhe piktor i librave të mi).
Ju uroj nga zemra festa të gëzuara dhe viti 2024 qoftë viti i realizimit të dëshirave tuaja! Gëzim e lumturi pēr çdo familje! 2024-a bleroftë në zemrat e çdo shqiptari!
Edhe një herë Ju faleminderit!”
Udhëtim të mbarë, të këndshëm e të kënaqshëm drejt lexuesit, o Liriku ynë i tingëllimave, i poezive të dashurisë e të zambakëve të saj, të peizazhit e të lirikave shoqërore! Begati shëndetësore, letrare, patjetër dhe financiare, o mësues dhe poeti i lirikave sqimatare Hiqmet Mehmetaj!
____________
SERVILËT
Nga Albert HABAZAJ
I
Nga të parët na ka ardhë
Nëpër paqe nëpër luftë,
Nëpër halle, nëpër dallgë
Si kujtesë fjala e urtë:
“Qëngji i urtë pi dy nëna,
qëngj’ i egër s’ pi as t’ ëmën,
servili pi gjithë kopenë
dhe pastaj të shikon vrëngër…
[Regjistroi: Kujtesa Sociale; Somitkë, Tërbaç, 20. 03.1960]II
Zot, o Zot, ç’më zuri koka nga servilët
Më keq se në det notarin zën’ kandilët.
Me servilë, me rrezilë, të tillë bandillë,
Zvarrë- zvarrë, pa skelet, si kërmill.
Duke u lëpirë e ngjitur prapa shefit
Cipëplasur rrojn’ e bëjn’ kokrrën e qejfit.
Ta pështirin të paburrët pa fytyrë
Si s’e lanë një dit’ të shkretë pa bërë mynxyrë?!
Derdimenë qenë e mbenë, dallkaukë
Ha aty e nduk këtu palo kopukë…
Të shpëlarët ia fëlliqën cipën jetës
Por jo shtyllën vertebrore së vërtetës…
Lepuj bëhen me eprorin për në tavë
Si bisha i turren vartësit, gjallë ta hanë…
Zullumqarëve me shtatë maska, (sa të varfër!)
I ngrohtë u vjen zullumi, që ka taksiratin afër.
Ngjyrat e servilëve ndryshkin dhe sahanët që lëpijnë
Zbehur e ndotur si leckë kur këpucët shefit fshijnë…
Sa të shtirë, aq të shpifur dhe të shëmtuar…Për Zotin!
Që me ngjyrat lajkatare mbrapa lenë kameleonin.
Janë më të liq se armiku, bëjnë qivure
Veçse s’kanë bajoneta, janë kobure…
Gjithë trupi, e ç’trup lumi? është veç gjuhë
Gërmojnë si urith e s’bëjnë as ah, as uh!…
Të fusin në dhe të gjallë, gjetën anën
Me gjallesa si ata mos ma derdhni fjalën…
Nga servilët veç të zeza prit çdo ditë
Dinjiteti i tyre është hale, qelb dhe pikë.
Vlorë, e enjte, 28.12.2023