JASHAR ALIA – FIGURË E RËNDËSISHME E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

Jashar Alia – figurë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare

Nga Xhevat Zekaj

Ideali është forca shpirtërore e cila lidhi dhe motivoi veprimtarët e devotshëm në betejat gjatë veprimtarisë kundër pushtuesve gjakatarë jugosllavë. Prandaj edhe ishte i fuqishëm zëri dhe jehona e veprimtarisë patriotike dhe revolucionare e Lëvizjes Kombëtare të popullit tonë, sidomos kur kemi parasysh kushtet dhe rethanat në të cilat u zhvillua kjo veprimtari e Lëvizjes tonë patriotike ilegale, në kushtet e një terrori të egër, survejimi, burgosje, vrasje dhe zullume tjera të rënda. Por, është edhe një gjë tjetër shumë e rëndësishme që e karakterizon këtë levizje ilegale, e ajo është vendosmëria për të vepruar, kontinuiteti i panderprërë i veprimatrisë gjatë tërë kësaj kohe, d.m.th. te veprimtarët e lëvizjes tonë ilegale ekzistonte një vetëdie e lartë dhe vendosmëri për të vepruar e goditur pushtetin okupator dhe levat e tij në Kosovë dhe vise pavarësisht pasojavet. Prandaj edhe pse burgoseshin, vriteshin, veprimtaria vazhdonte, pra, kjo vazhdimësi e veprimtarisë antipushtuese nuk u ndërpre asnjëherë.

Edhe formimi i personalitetit politik e revolucionar të atdhetarit Jashar Alia kalon dhe përbën atë simbiozën, pra, gjendjen në të cilën ndodhej populli i jonë, si dhe atë përpjeke e qëndresë të tij ndër vite e shekuj për liri e bashkim kombëtar, karakteristikë kjo si në rrafshin e traditës familjare të tij ashtu edhe të shembullit të heroizmit të popullit tonë të robruar. Kalitja dhe edukimi i thellë patriotik-politik dhe ideoligjik i dedikohet veprimtarisë së organizuar ilegale të organizatës, Grupit Revolucionar të Kosovës, e më vonë OMLK, ku ai militoi dhe u angazhua, si dhe të kuptuarit herët se Kosovës së robëruar mund t’i dilet zot vetëm të organizuar siç duhet.

Prandaj nuk ishte i rastësishëm angazhimi i Jashar Alisë qysh në fillim të viteve 70-ta (të shekullit të kaluar) në organizatën çlirimtare ilegale Grupi Revolucionar i Kosovës, por edhe duhet bërë e ditur së veprimtarët e kësaj organizate përbënin themelin e tërë veprimtarisë organizative kundër pushtetit okupatorë të Jugosllavisë titiste deri vitin 1981, kur rinia studentore më 11 mars u ngrit në demonstrata e protesta me kërkesën për Kosovën Republikë e që më vonë u shnëdrruan në protesta e demonstrata gjithëpopullore.

Ne, brezi më i ri i veprimtarëve të organizuar, burim frymëzimi kishim këta veprimtarë, emrat dhe figurat e tyre i mbanim të skalitur për ideal të veprimtarit, ata na motivuan sadopak por me përkushtim në brazdën e atij rrugëtimi që ata përfaqësonin e që kishin arritur të mbjellin në gjeneratën tonë, bile edhe programet dhe platformat e grupeve ilegale që themeloheshin, bazoheshin në platformën dhe programin e OMLK-së.

Veprimtari Jashar Alia një jetë të tërë, si askush tjetër, u qëndroi bisinik përcaktimit politik e ideologjik si dhe betimit të dhënë për luftë e përpjekje në shërbim të lirisë së Kosovës e bashkimit të saj me Shqipërinë. Këtë ideal dhe përkushtim të tij e mbajti të palëkundur deri më sot, duke realizuar edhe atë për çka ai kishte luftuar tërë jetën, luftën e armatosur kundër Serbisë pushtuese, duke u radhitur në radhët e Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare të Kosovës, lufta e së cilës ishte faktori determinues i çlirimi të Kosovës nga Serbia fashiste dhe krijimi i shtetit të pavarur.

Për ne veprimtarët e rinj të trevës së Istogut në veçanti, Jashar Alia, Xhafer Shatri, Nezir Myrtaj e Sefer Muzliaj ishin platforma e punës dhe orientimit në veprimtarinë tonë kundër Jugosllavisë pushtuese.

Krahas figurave tjera të mëdha kombëtare si Adem Demaçi, Kadri Osmani, Mehmet Hajrizi, Hydajet Hyseni etj., Jashar Alia është shembulli më unikat i një perkushtimi e gatishmërie për sakrificë. I arrestuar dhe dënuar disa herë me shumë vite burg, por duke patur një përkrahje e mbështetje të madhe të familjes, të nënës Zukë, kësaj gruaje të brumosur me ndjenjën e lirisë dhe të mbështetjes të rrugës së bijve e bijave të saj, të cilët Jashari i kishte krahë të fortë në organizimin ilegal.

Pas demostratave të Pranverës Shqiptare të marsit 1981 në Prishtinë dhe kur vala e këtyre demonstratave e përfshiu tërë Kosovën, imperativ ishte që në të gjithë Kosovën veprimtarët të angazhoheshin në organizimin e demonstratave gjithandej, që titistëve t’u bëhej e qartë se kishin të bënin më një popull të tërë dhe se kërkesat e studentëve ishin kërkesa të popullit dhe së kërkesa Kosova Republikë mbështetej nga populli.

Edhe për organizimin e demonstratës që do ta organizonim më 30 prill 1981 në Istog, vendimtare ishte porosia dhe instruksionet e rëndsishme të cilat më erdhën nga Jashar Alia që kjo të organizohej, i cili në atë kohë ndodhej në ilegalitet të thellë i strehuar në një bazë në Prishtinë, instrukcione këto të ardhura përmes Ismet Avdylajt, më të cilin ishim të organizuar e i cili mbante lidhje më Jashar Alinë. Bile Jashar Alia na kishte sugjeruar edhe disa lidhje të tij që ai kishte pasur në komunën tonë e të cilët veprimtarë na ndihmuan shumë.

Të gjitha këto copëza, të gjitha këto lidhje dhe e gjithë kjo veprimtari e pandërprerë dhe me një përkushtim të madh kanë burimin e vetë, e ai burim ishte në radhë të parë tek mbështetja që Shqipëria dhe udhëheqja e saj në krye me Enver Hoxhën i dha popullit të Kosovës dhe LNÇ-së së saj, Lëvizje e cila nëpër etapat e saj ka protagonistët dhe heronjtë të cilët i ka nxjerrur nga gjirri i saj e të cilët u kalitën dhe u brumosën me idealet e larta të luftës, duke përçuar në popull vetëdien e lartë patriotike e revolucionare; se liria arrihet me veprimtari të organizuar deri te lufta e armatosur.

Prandaj Jashar Alia duke qenë njëri ndër kuadrot dhe veprimtarët e rëndësishëm të Lëvizjes Kombëtare ka pasuruar faqet e historisë së lavdishme të popullit tonë në luftë për liri dhe bashkim kombëtar. Veprimtaria e tij dhe e shokëve të tij do të mbetet shembull i mirë që do t’u shërbejë gjeneratave që do të vijnë për mobilizime e organizime kur atdheu kërkon. Prandaj atdheu do t’i nderojë gjithmonë këta veprimtarë.

___________________

Ky shkrim është shkruar dhe lexuar nga Xhevat Zekaj, me rastin e promovimit të librit të Agim Sylemanit „Nëpër shtigjet e luftës“, intervistë me veprimtarin e GRK-OMLK Jashar Alia!

14.01.2024, Jona / St.Gallen

______________

HERONJTË E HESHTUR SI JASHAR ALIA!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura