HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (8)

Se ç’ndikim pati themelimi i Komitetit të Deçanit të LNÇKVSHJ te Jusuf Gervalla, disa vjet më vonë do të shkruaj Kadri Rexha në librin monografik për Jusuf Gërvallen “Fati i Luleve”, si më poshtë: “Gjatë kësaj kohe, pra në muajt e parë të vitit 1980, në jetën politike të Jusuf Gërvallës hyn edhe një ngjarje tjetër shumë me rëndësi, e cila në aktivitetin e tij të palodhshëm do t’ia plotësojë një boshllëk, do ta angazhojë edhe më tepër, sidomos kur të kihet parasysh se në mes Jusuf Gërvallës dhe organizatës së tij LNÇKVSHJ ende nuk ishin vënë kontaktet e pritura. Ismail Haradinaj, arsimtar i edukatës fizike, nga fshati Gllogjan, KK i Deçanit, në të vërtetë burrë i ndershëm nga një derë e njohur për tradita të larta patriotike, me anë të një letre, të cilën ia dërgon përmes një studenti, e njofton Jusuf Gërvallën se në rrethin e Deçanit ekziston një grup patriotik revolucionar mjaft aktiv. Ai përmes letrës shpreh gatishmërinë e vet dhe të shokëve të tij për luftë të pakompromis për atdhe. Prandaj, në mes të tjerash, e lut Jusufin që të jetë në kontakt të vazhdueshëm me ta, në mënyrë që t’u gjendet sa më pranë me këshilla dhe udhëzime. Kësaj lutje dhe kërkesave që i erdhën nga ky grup, Jusuf Gërvalla iu përgjigjet pozitivisht dhe menjëherë fillon nga puna. Sa për fillim, atyre ua ofron Statutin, materialet e LNÇKVSHJ-së dhe mënyrën e organizimit të saj, të cilat ata i pranojnë me entuziazëm të madh. Pas përqafimit të Statutit, ky grup, më parë gjysmë i organizuar, i riorganizon radhët e veta dhe fillon një aktivitet me hov të ri. Tash e tutje ky krah i ri i LNÇKVSHJ-së do të quhet “Komiteti i Deçanit” dhe pothuajse të gjitha territoret e Rrafshit të Dukagjinit si dhe Universiteti i Prishtinës pikërisht nga kjo degë do të mbulohen me trakte, si dhe me materiale të tjera patriotike. Nga puna dhe aktiviteti i suksesshëm i këtij krahu, Jusuf Gërvalla do të marrë impulse të reja, edhe pse me vështirësi të mëdha materiale dhe pa bashkëpunëtorë, do t’i hyjë punës individualisht dhe gjatë verës së atij viti do të fillojë me nxjerrjen e revistës së përdymuajshme “Lajmëtari i lirisë”.

VEPRIMTARIA E KOMITETIT TË DEÇANIT

I çliruar nga ankthi i atyre dy muajve, në gjysmën e korrikut, me veprën e Lasgushit dhe me disa të tjera, në të cilat gjuhëtarët shqiptarë e kishin trajtuar gjuhën e stilin e këtij apo atij poeti, u ngjita në bjeshkë për t’ia shtuar ndonjë rresht punimit të magjistraturës. Një parantezë: Pas zahireve, Isufi i solli edhe tre numra të gazetës “Rilindja”, në njërin prej së cilës ishin publikuar dënimet që ua kishte shqiptuar Gjykata e Qarkut në Prishtinë tetë veprimtarëve të LNÇKVSHJ-së. Nuk mund të mos përqendrohesha në ata rreshta. Pyetjes së Isufit se mos e njihja ndonjërin prej tyre iu përgjigja: Isa Demajn  e kam pasur shok klase katër vjet në Gjimnazin e Pejës. Ndërkaq, e di se në fshatin Dubovik është një lagje me emrin Gërvalla dhe nga ajo lagje është një gazetar që punon në “Rilindje”, Jusuf Gërvalla quhet,  por unë nuk e njoh askënd prej tyre. Vazhdova edhe pak: këta që paskan shkuar, ndoshta, kanë lënë dikë pas vetes…! E kuptoi se i thashë diçka, por bisedën na ndërpreu një fqinj yni. Temës iu kthyem në mbrëmje në bregun afër stanit ku ishte një pod i vogël i rrafshët dhe na shërbente për të veneruar Rrafshin e Dukagjinit mbrëmjeve të kthjellëta. Meqë e shihja se bluante diçka në vetvete, vendosa që t’ia hapi pak rrugën, prandaj as Jusufi nuk ngurroi: Përmes një shoku të klasës e kam takuar disa herë Hysen Gërvallën në vjeshtën e vitit të kaluar… Statutin e Programin i kam të fshehura në tavanin mbi odën e burrave. Ato që m’i tha më detyruan që t’i them edhe unë diçka djalit të vëllait tim,  të cilin deri para dy muajve e kisha edhe nxënës sikur se edhe shokët e tij: Njëri nga ata që i kanë lënë pas vetes jam edhe unë, i thashë. Me sa vërejta, nuk u befasua, prandaj heshtjen e theva me pyetjen: a pajtohesh që të vazhdojmë rrugën? Pasi i shoshitëm të gjitha dhe ia hapëm letrat krejtësisht njëri-tjetrit, u pajtuam që të punojmë bashkë në kuadrin e Lëvizjes. Por meqë data për të shkuar në shërbimin ushtarak ishte shumë afër, edhe me dëshirën e Isufit u pajtuam që me pseudonim dhe të tjerat të vazhdojmë menjëherë pas kthimit nga shërbimi ushtarak… Por dora e zgjatur e UDB-së , në majin e vitit ’81 e kishin arrestuar në Carrabreg. Meqë kishte ardhur për një pushim të shkurtër që u takonte në atë kohë të gjithë ushtarëve, nuk iu shpëtoi as ai atyre kthetrave. Meqë “as me të mirë” e aq më pak me të keq nuk kishin arritur të nxirrnin asnjë fjalë, e kishin liruar. E kishin liruar në stacionin e policisë në Pejë, por në kazermën ushtarake iu kishte dashur të përballej me sigurimin ushtarak – shërbimi informativ i ushtrisë. Edhe atje, përkundër të gjitha trysnive, rezultati kishte qenë zero, Isufi nuk burgoset, por si shumë shokë të tij e vazhdon veprimtarinë në ilegale e deri edhe pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nën hijen e molikës ku punoja, pranë vetes e kisha edhe një radio të vogël. Në një nga emisionet e pasdites Radio – Prishtina e dha lajmin e hidhur – ishte ndarë nga jeta profesor Eqrem Çabej. Ishte 8 gushti, datë të cilën nuk e harrova asnjëherë. Për mua ishte e papritur, prandaj në botën time shpirtërore filluan të radhiten si valët e detit ligjëratat e tij mbi gjuhësinë indoevropiane. Si mund të mos ishte dhembje krejtësisht e veçantë, meqë edhe “kalibri” ynë e shihte jo vetëm si princ i gjuhësisë shqiptare, por edhe i shkencave albanologjike. Ndërkaq, vendi që ia “akreditonin” pasuniversitarët e Prishtinës u tumir disa herë nga ata që ia kishin takatin asaj pune. Prandaj, nuk mund të mos i citoj dy nga ajo vistër vlerësimesh supreme. Indoeuropianisti i njohur Herrman M. Öllberg në In memoriamin e tij, ndër të tjera, thekson: “Të flasësh për rezultatet shkencore të të ndjerit, do të duhej të gjesh fjalën e duhur për këtë personalitet, në të cilin bashkohen të gjitha fijet e albanologjisë së viteve 1930-1980. Kushdo që punon në fushën e gjuhësisë ballkanike duhet t’i ketë parasysh studimet e tij dhe të merret seriozisht me to.”  Po vazhdojmë me të dytin: “Disa vjet më parë na kishte takuar të përpiqemi e të bëjmë një analizë pak a shumë të përimtuar të punimeve shkencore që albanisti shqiptar kishte vënë në ndërtesën e gjuhësisë shqiptare duke prekur pothuajse të gjitha degët e shkencave albanologjike. As ne atëherë, as ndokush tjetër, më herët a më vonë, nuk kemi arritur ta zbërthejmë veprën e albanologut shqiptar në një mënyrë që do të kapte vlerën e këtij studiuesi si në gjerësinë dhe thellësinë e saj.”

Është krejt e kuptueshme se të papërsëritshmit shndërrohen në referenca të paskajshme. Se Eqrem Çabej ndër të paktit e atyre përmasave, lexuesi mund të bindet duke e shfletuar qoftë edhe veprën “Bibliografia e profesor Eqrem Çabejt 1929 – 1981” e hartuar nga Prof. Jup Kastrati dhe e botuar në Prishtinë më 2003 nën përkujdesjen e prof. Begzat Baliut dhe veprën e studiuesit të sapocekur: Bibliografi e studimit të veprës së Çabejt në Kosovë 1952 – 2002, Prishtinë, 2002. E para mund të mos jetë e plotë, meqë, përkundër përkushtimit të jashtëzakonshëm, studiuesi mund të mos i ketë rënë në gjurmë ndonjë titulli për ta radhitur në zërat e tij. Ndërkaq, për të dytën tregon harku i saj kohor…

I

Të nesërmen, me një kushëri që pat ardhur për t’i sjellë familjes së vet artikuj ushqimor, zbrita në rrafsh për t’i përcjellë nderimet që do t’i bëheshin profesorit në Shqipëri e Kosovë, me rastin e shkuarjes së tij në amshim. Unë në bjeshkë e Ismaili në Gjermani, me porosinë e Jusuf Gërvallës, që ia kishte sjellë Nazmiu. Gjatë atyre ditëve sa qëndroi në Gjermani e kishte njoftuar për ato që i kishim arritur në Kosovë. Ismaili u kthye me udhëzimet e reja, ndër të cilat, më e rëndësishmja ishte përpjekja për të gjetur atdhetarë që do t’i bashkoheshin organizatës, jo vetëm në Komunën e Deçanit, por anekënd Kosovës. Ndërkaq, Naimi, djali i tij i madhi, kthehet në vendlindje duke sjellë dy aparate komunikimi (Toki – voki), një palë dylbi dhe jo më pak se 300 ekzemplarë të “Lajmëtarit të Lirisë”. Në shenjë respekti për heroin, po e citoj fillimin e fjalës së tij për numrin e parë të revistës: “Kemi nderin që, në kushte jashtëzakonisht të vështira të ilegalitetit, të dalim para lexuesit shqiptar me një revistë të përdymuajshme revolucionare, që e kemi emërtuar “Lajmëtari i Lirisë”. Shpresojmë se nëpërmjet këtij Organi do t’ia dalim me sukses të bëhemi zëdhënës të aspiratave revolucionare të djalërisë shqiptare të Kosovës, e cila nuk e ndal dot luftën për çlirim nga robëruesi i egër jugosllav dhe për bashkim  me Shqipërinë.” 

Kishte filluar viti i ri shkollor, prandaj i bindur se do të më gjejë në Gjimnaz, Ismaili e çeli derën e bibliotekës. Kësaj radhe përshëndetja ishte përtej të zakonshmes, sepse kishin kaluar më tepër se dy muaj që nuk ishim parë. E mori me mend pse u ngrita për të dytën herë, prandaj më tha: Ulu nja dhjetë minuta e pastaj i pimë kafetë dhe vazhdoi: brenda shtatorit duhet ta mbajmë mbledhjen e “Komitetit” e meqë Drita punon në Prishtinë, po propozoj që të dielën e fundit të këtij muaji të takohemi në stacionin e autobusëve në Gjakovë, midis orës 10 – 11, e pastaj vendosim së bashku ku do të vazhdojmë. Për të mos lënë kurrfarë paqartësie, shtoi: Ty dhe Avdullahut u mbetet detyra që cili të mundet ta lajmërojë Dritën (Jashari i kishte kapërcyer dy muaj në shërbimin ushtarak). Pasi e sigurova për të gjitha, Ismaili duke u ngritur në këmbë më tha: kafetë i paguan në Gjakovë. Në hollin e Gjimnazit u takuam me  Emrush Lokajn. Derisa thaçjanët i shkëmbenin pyetjet e përgjigjet e rëndomta se si e kishin kaluar verën, ndonëse i kishin mbetur edhe pak ditë, m’u duk e udhës që edhe unë t’ia zgjas dorën Ismailit. Sikur të më kishte lexuar mendjen, e bëri atë që unë sapo e kisha vendosur. Me Emrushin u kthyem në sallën e arsimtarëve. Të nesërmen e lajmërova Avdullahun për të më sipërmet. E gjetëm zgjidhjen që ta lajmërojmë edhe Dritën…

Pasi u bashkuam të katërtit në periferi të qytetit, u ulëm në një livadh dhe ia filluam punës. Ismaili e dinte që atë e prisnim, prandaj, ia filloi: Në përpjekje për ta shfrytëzuar kohën sa më racionalisht, tha, po i bie shkurt: Sot duhet t’i përcaktojmë përgjegjësitë që janë të precizuara me statusin e Organizatës. Menjëherë ndërhyri Avdullahu duke theksuar se ndoshta po e merr fjalën pa rend, por në  këtë rast propozimin shpresoj se nuk do të ma kontestoni: Për funksionin e Kryetarit e të sekretarit të “Komitetit”, duke e ngritur dorën në drejtim tonin, merruni vesh ju të dy. Prej meje e Dritës mos pritni ndihmë. Nënteksti i atyre 4-5 fjalëve ishte shumë domethënës, prandaj pas një heshtjeje të shkurtër nuk kisha si të mos vazhdoja: Duke iu drejtuar Avdullahut i thashë se propozimin tënd po e çoj edhe një hap më tej: Duke e llogaritur mbështetjen tënde e të Dritës unë po propozoj që Ismailin ta zgjedhim Kryetar të “Komitetit të Vendit”. Ismailit nuk i dhamë mundësi ta thotë asnjë fjalë. Përsëri Avdullahu: edhe për sekretar s’kemi pse të zgjatemi, duke e drejtuar dorën në drejtimin tim. Avazi i mëparshëm e vazhdova unë: E për arkëtar, kush tjetër, përveç matematikanit…

Tani radhën e kishte Ismaili, i cili, duke e konsideruar një formalitet për besimin që ia dhamë e kapërceu duke theksuar se tash për tash detyra jonë kryesore është që të gjejmë bashkëmendimtarë edhe përtej komunës sonë, në mënyrë që organizata të shtrihet anembanë  Kosovës. Duhet t’i shfrytëzojmë rrethanat politike të ditëve tona (aludonte në bashkëpunimin midis Kosovës dhe Shqipërisë që zhvillohej në të njëjtat përmasa edhe pas vdekjes së Titos), për ta ngritur sa më lart vetëdijen kombëtare të të gjitha shtresave. Këtë segment e përfundoi duke theksuar se të mësipërmet i ceka vetëm në cilësinë e njërës nga porositë që na janë dhënë, ndonëse i kam njoftuar se këtë veprimtari jemi duke e zhvilluar shumë kohë më përpara se të arrijmë këtu ku jemi. E përcaktuam edhe shumën mujore për anëtarët e Lëvizjes, sepse veprimtaria e saj kërkonte edhe mjete financiare.

Në fund, na tha se e kam një njoftim dhe një porosi: Për “Komitetin” që e formuam në qershor është njoftuar edhe Shqipëria, e cila është pajtuar me përcaktimet e tij politike, respektivisht LNÇKVSHJ, për realizimin e aspiratave kombëtare. Ishte një njoftim vërtet i papritur, por edhe inkurajues. I papritur vetëm në aspektin kohor, sepse ende nuk ishin bërë tre muaj nga dita kur e përuruam “Komitetin”. Megjithatë, nuk kishim çka të themi, përveç se ta shprehim kënaqësinë dhe të inkurajohemi me tërë qenien tonë fizike e mendore në zhvillimin e veprimtarisë që sapo e kishim filluar. Bindjen time se ajo që iu kishte kumtuar Ismailit ishte e vërtetë, m’u duke sikur e pashë të shkruar 28 vjet e tre muaj pas tyre: “… Pjesa më e madhe e dokumenteve janë krijuar dhe administruar nga aparatit i KQ PPSH-së dhe sidomos nga disa nënstruktura të këtij aparati gjigand për të cilat nuk është folur kurrë. Nuk është fjala për sektorin e Kosovës, që dihet se ekzistonte pranë udhëheqjes së lartë të PPSH-së. Krahas këtij sektori, vepronin edhe disa nënstruktura, si sektori special, që kishte për qëllim të mbante lidhjet me organizatat ilegale në Kosovë.”

Ndërkaq, duke m’u drejtuar më tha se porosia është për ty: “Një punim për revistën “Lajmëtari…” kërkohet prej teje”. I premtova… U shpërndamë me shpresë se synimet do të përpiqemi për t’i realizuar, me gjithë vështirësitë që do të na shoqëronin. Menjëherë u përqendrova rreth premtimit të dhënë, për arsye se përveç një punimi të shkurtër, që nuk u botua, prandaj po e kapërcej, por më poshtë do t’i kthehem, sepse e ka një histori, asgjë nuk kisha publikuar. Pas shumë hamendësive vendosa t’u bashkohem të tjerëve me një In memoriam modest për profesor Eqrem Çabejn me pseudonimin, që më ra hise më 28 qershor në shtëpinë e Ismailit. Para disa viteve, studiuesi Begzat Baliu m’i dërgoi dy veprat e cekura më lart, prandaj po e shfrytëzoj rastin që ta falënderoj edhe publikisht. Duke shfletuar veprën e tij, më befasoi me këmbënguljen për të gjetur gjithçka ishte shkruar për veprimtarinë e kryedijetarit shqiptar, e kishte kontrolluar edhe shtypin e ilegales. Në numrin rendor 233, f. 86 të  Bibliografisë së studiuesit të sapocekur lexuesi, përveç të mësipërmeve dhe të ndonjë të dhëne tjetër, që po e kapërcej, i gjen  edhe dy fragmente që i ka shkëputur nga punimi im:

Vdiq vigani i dijes shqiptare

„Historia e gjuhëve është historia e popujve që i flasin a i kanë folur”

Në gusht të këtij viti, shkencat albanologjike dhe kultura kombëtare shqiptare në përgjithësi, pësuan një humbje të madhe. Lajmi i hidhur për vdekjen e profesor Eqrem Çabejt i tronditi thellë jo vetëm bashkëpunëtorët dhe miqtë e tij të shumtë, po edhe punonjësit e tjerë shkencorë, pedagogët, studentët, nxënësit dhe mbarë popullin shqiptar.

Vdekja e këtij biri të shtrenjtë të kombit tonë u prit me pikëllim të madh edhe në Kosovë, si në të gjitha trevat shqiptare. Shumë punonjës të shkencës e të arsimit, studentë e të tjerë, e kanë pasur fatin e bardhë t’ia lexojnë e t’ia studiojnë veprën, po edhe të njihen personalisht me profesorin e nderuar, i cili vinte në mesin tonë që të përgatiste studentët për punë shkencore në fushën e studimeve albanologjike. Po, pikërisht në çastet më të vështira, kur u desh ta pranojmë faktin e hidhur se prof. Çabej nuk jetonte më dhe kurrë më nuk do të vinte mes nesh, mendja na ka shkuar te mendja e tij madhore, e cila përbën kulmin e të arriturave shkencore në fushën e albanologjisë, i kapërcen kufijtë e dijes kombëtare dhe hyn në radhën e monumenteve të shkëlqyera të gjuhësisë ballkanike dhe indoevropiane në përgjithësi. Dhe pikëllimi ia ka lëshuar në ato çaste vendin mburrjes.

Eqrem Çabej  lindi në Gjirokastër, në gusht të vitit 1908. Mësimet e para i mori në vendlindje, kurse shkollimin e mesëm dhe studimet e larta i vazhdoi në Austri. Në Grac e në Vjenë ai i dëgjoi ligjëratat e Paul Kreçmerit dhe të Norbert Joklit, dy nga gjuhëtarët më të shquar të asaj kohe. Së andejmi, i pajisur me dije të madhe, prof. Çabej u kthye në atdhe. Në Shqipërinë feudalo – borgjeze, që përjetonte çaste të vështira mjerimi e prapambeturie nën këmbët e mbretit, ai u strehua në vatrat e atëhershme të arsimit shqiptar – në Shkodër dhe në Gjirokastër. Këtu ia filloi me zell të madh punës së tij shkencore, e cila do të vijë duke u rritur për një gjysmë shekulli rresht. Në Shqipërinë e sapoçliruar profesor Çabej e filloi punën në Institutin Pedagogjik dyvjeçar, ku përgatiti kuadro për nevojat e arsimit kombëtar. Një kohë të gjatë punoi në Institutin e Shkencave e më 1957 në Universitetin e Tiranës. Disa vjet rresht dha kontribute të çmueshëm në Institutin e Gjuhësisë dhe të Historisë. Kur Partia e Punës vendosi të themelohej Akademia e Shkencave dhe kështu të realizohej ideja e kahershme e Samiut, prof. Çabej u zgjodh anëtar i rregullt i saj. Ndërkaq, institucioni më i lartë shkencor i vendit e zgjodhi anëtar të Presidiumit. Për rezultatet e jashtëzakonshme në fushën e shkencave albanologjike dhe për kontributin e çmueshëm në fushën e arsimit kombëtar para e pas çlirimit, Presidiumi I Kuvendit Popullor i RPS të Shqipërisë i dha prof . Çabejt titullin e lartë “Mësues i Popullit”.

Ky burrë i shtrenjtë i dijes shqiptare tërë jetën ia kushtoi shkencës dhe kulturës kombëtare dhe na la trashëgim një vepër monumentale me karakter enciklopedik. Përveç shkrimeve me interes për kritikën letrare, për historinë e letërsisë, folklorin, etnografinë, historinë e të tjera, Eqrem Çabej trajtoi e zgjidhi çështje nga më të rëndësishmet në të gjitha fushat e gjuhësisë: ortografi e fonetikë, filologji e gramatikë, dialektologji e fjalëformim, leksikografi e leksikologji dhe onomastikë e etimologji e sidomos në historinë e gjuhës. Për t’u marrë me probleme kaq të larmishme e kaq të ndërlikuara, i dha dorë përgatitja e jashtëzakonshme teorike në fushën e gjuhësisë dhe njohja me themel e shqipes dhe një morie gjuhësh të tjera indoevropiane.

Vetëm përshkrimi, qoftë edhe në vijat më të përgjithshme, i veprimtarisë së tij shkencore kërkon faqe të tëra dhe paraqet vështirësi jo të vogla. Përveç punimit me titull “Studime italo-shqiptare”, të cilin e shkroi gjermanisht e mbrojti për disertacion doktorate më 1933 para Paul Kreçmerit  dhe Norbert Joklit , në fazën e parë të krijimtarisë (periudhën gjysmëshekullore të veprimtarisë së Eqrem Çabejt, studiuesit e ndajnë në dy faza: e para në vitet 1929 – 1945 dhe e dyta 1945 – 1980), dijetari ynë botoi, ndër të tjera, edhe këto vepra e studime: “Doke e zakone e adete të shqiptarëve” (gjermanisht), “Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe”, “Për gjenezën e literaturës shqipe”, “Marrëdhëniet e rumanishtes dhe shqipes”, “Kulti dhe vijimi i hyjneshës Dijana në Ballkan”, “Greqishtja e re dhe shqipja”, “Atllasi gjuhësor shqiptar”, si dhe një varg artikujsh për problemet e letërsisë gojore dhe të shkruar (Bibliografi e prof . Eqrem Çabejt, Studime gjuhësore V, Prishtinë). Kështu, ai ngriti dhe trajtoi probleme jo vetëm gjuhësore, por edhe historiko-letrare e etnografike. Që me 1936, në veprën “Elemente të gjuhësisë”, Çabej filloi t’i dalë zot tezës se shqipja e ka prejardhjen nga ilirishtja dhe këtë tezë me punë të pareshtur gjatë disa dhjetëvjetëshave ai e përforcoi vazhdimisht duke sjellë në dobi të saj argumente shkencore të pakundërshtueshme. Pikërisht, profesorit tonë të nderuar, duhet t’ia dimë për nder provën se populli ynë përbën njësi etnike dhe kulturore – historike në trevat e banuara sot prej tij, provë që, sikundër të gjitha rezultatet e tjera shkencore të Çabejt, nxirret prej burimesh të shumta shkencore dhe mbështetet fort pas përgatitjes së jashtëzakonshme shkencore të autorit.

Origjinës së shqipes dhe problemit të autoktonisë së popullit tone në viset e banuara sot prej tij, dijetari ynë iu kushtoi kujdes të veçantë. Duke trajtuar këto dy çështje kapitale, të cilat – siç thoshte edhe vetë prof Çabej – për ne shqiptarët, përveç interesit shkencor, kanë edhe rëndësi të madhe nacionale, ai dëshmoi se ishte atdhetar i rrallë. Por, duke përfillur në mënyrë të pashembullt ndershmërinë e domosdoshme për një shkencëtar të vërtetë, Eqrem Çabej kurrë nuk i lejoi vetes të rrëmbehet nga emocioni patriotik aq sa ta cenojë sadopak të vërtetën shkencore në dobi të historisë sonë, siç kanë vepruar shumë dijetarë në dëm të popullit tonë. Duke punuar me dekada në këtë fushë, prof. Çabej konstatoi se populli shqiptar është autokton në viset ku jeton në ditët e sotme – që nga koha e lashtë greko – romake – dhe se shqipja është bija e ilirishtes. Profesor Eqrem Çabej e përtrollisi tezën se shqiptarët gjëja qenkan të ardhur në viset e tyre të sotme (madje në një kohë të vonë, për mendimin e ndonjë shkencëtari si Vajgandi) dhe vërtetoi shkencërisht se territori i sotëm shqiptar jo vetëm që nuk paraqet zgjerim të trojeve shqiptare po, përkundrazi, tokat e shqiptarëve vazhdimisht vetëm janë ngushtuar deri në minimizim gjatë shekujve. Kështu, me nëntekstin e fuqishëm të veprës së vet, prof. Eqrem Çabej e qortoi me domethënie të thellë Evropën imperialiste, e cila, në shekullin e kaluar dhe në këtë shekull (një herë në Kongresin e Berlinit, në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, pastaj në Konferencën e Londrës, pas Shpalljes së Pavarësisë dhe, sidomos pas Luftës së Dytë Botërore), ka prurë vendime kriminale ndaj një populli të lashtë heroik, duke ia copëtuar tokën për hir të orekseve të qarqeve shoviniste të shteteve fqinje ballkanike. Duke e transponuar në lëmin e shkencës albanologjike këtë çështje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare, prof . Eqrem Çabej, krahas mprehtësisë së jashtëzakonshme shkencore, dëshmoi edhe ndjenjën e tij të lartë patriotike.

Dijetari ynë i madh e studioi në mënyrë të thelluar e të gjithanshme edhe monumentin më të vjetër të shqipes së shkruar – “Mesharin” e Gjon Buzukut . Duke u mbështetur në gjuhën e kësaj vepre, ai arriti t’i ndriçojë me saktësi dhe invencion të rrallë shkencor fazat më të vjetra të historisë së shqipes. Nga ana tjetër, në bazë të veçorive të gjuhës së “Mesharit”, prof. Çabej arriti në përfundim se – në kulturën kombëtare shqiptare – Buzuku duhet të ketë pasur medoemos paraardhës, meqë gjuha e tij është “prodhim edhe i një zhvillimi të mëparshëm të shkrimit dhe i përpunimit të këtij shkrimtari…”. Kështu, ai provoi se tradita e shkrimit të shqipes është së paku për dy shekuj më e vjetër se sa është e dokumentuar në shkallë të gjerë në veprën e Buzukut. Dhe ky rezultat i punës së ndritur të Eqrem Çabejt konsiderohet me të drejtë një nga të mbërrimet më të mëdha të ne në fushën e gjuhësisë. Më në fund, vetë puna në këtë vepër të Buzukut, të cilën edhe e transkriboi dhe e transliteroi, duke e përgatitur kështu botimin e saj kritik, profesor Çabejn e ngrit në sferat më të larta të dijes. Në këtë mënyrë ai i dha fFilologjisë shqiptare një kryevepër, me të cilën hapet epoka e re e studimeve në këtë fushë. Eqrem Çabej, duke e krahasuar gjuhën e teksteve të vjetra me të folmet e ngulimeve shqiptare jashtë atdheut, konstatoi se ndarja dialektore e shqipes nuk ka moshë të madhe dhe se në kohën e Buzukut dallimet mes gegërishtes dhe toskërishtes kanë qenë më të vogla e më të pakta se sa sot. Ky përfundim ka rëndësi shumë të madhe jo vetëm për dialektologjinë historike të shqipes, por edhe për vetë historinë tonë kombëtare.

Njësimi i gjuhës letrare dhe drejtshkrimi i saj, çështje shumë të rëndësishme të kulturës sonë kombëtare, ia kanë tërhequr vazhdimisht vëmendjen Çabejt. Përveç kumtesave dhe diskutimeve të shumta rreth këtyre çështjeve, këtë e dëshmon edhe fakti se ai qe zgjedhur vazhdimisht, pas çlirimit, anëtar komisionesh për hartimin e drejtshkrimit të shqipes, duke përfshirë edhe Drejtshkrimin më të ri, i cili shënon një faze të re në kristalizimin e gjuhës sonë letrare.

Kontribut të madh dha profesor Eqrem Çabej edhe në fushën e leksikografisë sonë. Ai hartoi bashkë me shokë, ose redaktoi një varg fjalorësh, tipash të ndryshëm, që janë botuar prej vitit 1947 e këndej. Po, vepër monumentale e tij mbetet “Studime etimologjike në fushë të shqipes”, në të cilën ai punoi më se tridhjetë vjet. Më mirë se kudo, te kjo vepër shihet se ç‘njohuri të thella kishte Çabej nga fusha e gjuhësisë indoevropiane. Duke e korrigjuar Majerin dhe një varg studiuesish të tjerë, gjuhëtari ynë provoi se shqipja, ndryshe nga mendimi i disa studiuesve, ka një fond shumë më të gjerë fjalësh indoevropiane, d.m.th. autoktone. Ai vërtetoi se një shumicë fjalësh, që në shkencën e gjuhësisë më herët konsideroheshin fjalë të gurrës latine, i përkasin fondit autokton të shqipes. Nuk është vendi të radhiten këtu të gjitha problemet e shtruara dhe rezultatet e arritura me “Studime etimologjike në fushë të shqipes”. Thuaja se mjafton të vihet në dukje që një vepër e llojit të tillë u mungon shumë kombeve me traditë më të gjatë kulturore. Prandaj, mund të thuhet pa ngurrim se “Studime etimologjike në fushë të shqipes” është një kryevepër jo vetëm në fushën e shkencave albanologjike, por edhe një monument i rrallë në lëmin e gjuhësisë indoevropiane përgjithësisht.

Rezultatet shkencore nga rrafshet e gjuhësisë, profesor Çabej i kumtoi, përveç se në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në atë të Prishtinës a në ndonjë universitet tjetër të Evropës, edhe në shumë kongrese të shkallës ndërkombëtare. Punimet e tij janë botuar në një varg publikimesh shkencore të vendit dhe të botës së jashtme dhe ato janë përkthyer e aprovuar nga gjuhëtarë eminentë të mjediseve të ndryshme të Evropës. Vdekja e profesor Eqrem Çabejt na la pa njërin nga mendjet më të ndritura dhe figurat më të mëdha të shkencës sonë kombëtare. Dhe ne mbesim të pikëlluar për mungesën e tij. Por, përjetë do të përulemi me nderime e dashuri para trashëgimisë kolosale, kulturore, që na la ky vigan i dijes, dhe para kujtimit të personalitetit të tij të ndritur.

II

SHTRIRJA

Derisa mendoja për t’i zgjedhur dy nga të mundshmit që nuk do të hezitonin për t’iu bashkuar Lëvizjes, u përballa me një të papritur në njërën nga mbrëmjet e gjysmës së dytë të tetorit, në fund të qytezës së  Deçanit më doli përpara një i panjohur. Më përshëndeti duke m’u drejtuar me emër e mbiemër. Duke e ditur se nuk e njihja, më tregoi se kush ishte: Unë jam Xhavit Hoxha nga Juniku, më tha, dhe shtoi jam i vëllai i Lumnies, që e keni pasur nxënëse. Jam profesor në gjimnazin “Hajdar Dushi”. Për të ma shtuar kureshtjen më tha se unë të njoh jo vetëm nga motra, por edhe nga disa të tjerë. Derisa ecnim ngadalë në drejtim të Carrabregut, vetëm e dëgjoja, por, ç’është e vërteta, edhe mendoja se çdo të më  rezultonte nga ai takim krejtësisht i  papritur. Duke llogaritur se unë prisja që të kuptoja se pse ma kishte “zënë pritën”, e zbërtheu enigmën, që unë s’e merrja me mend: Po të lajmërohem me porosi të Jashar Salihut, jemi shokë që nga vitet e studimeve. Tri ditë para se të shkonte ushtar erdhi në Junik që të përshëndetemi po edhe t’i vinim pikën nismës sonë: Ai është “Shigjeta” më tha e unë jam “Pushka”, a jam i qartë?  Po, i thashë. Disa hapa i takonin heshtjes. I propozova që pas dy ditësh të takoheshim në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend. U përshëndetëm dhe hipi në autobus për në Junik. Të nesërmen e njoftova Avdullahun dhe vendosëm që pasdite të shkojmë në Gllogjan. Pasi e njoftova Ismailin,  i shkëmbyem mendimet e domosdoshme dhe erdhëm në përfundimin e pashmangshëm që Xhavit Hoxha gjatë  atij viti së paku të jetë “hallka” ime. Ismaili e mbylli me urimin “të paska ra shi në kallamboq!”, po t’i mos prit që edhe ndonjë tjetër të lajmërohet vetë… Me Xhavitin u takuam ashtu qysh ishim marrë vesh. Ia thashë ato, që shihej se i priste. Prandaj i urova punë të mbarë dhe u përshëndetëm.

Në ato ditë vendosa që t’i “cokas” në derë Muhamet Haklajt, i cili në bisedat e karakterit të përgjithshëm nacional me ndonjë ndërhyrje të rrallë dëshmonte se nuk ishte indiferent ndaj çështjes kombëtare. Një ditë në mes të faqeve të “Rilindjes” e vendosa nr. e parë të “Lajmëtarit të Lirisë”. E krijova rastin që të dalim së bashku nga Gjimnazi, dhe pa arritur në qendër ia dhashë “Rilindjen”, duke e bërë me dije se edhe një tjetër e kishte brenda faqeve të saj. Në javën vijuese e ndamë një pjesë të kohës për ta lexuar e pastaj bisedojmë për mbresat. Pas tri katër ditësh ma solli ashtu qysh e kishte marrë. E gjejmë rastin për ta ndërruar ndonjë fjalë – më tha. Sa arrita ta “blej”, m’u duk se ishte befasuar po edhe entuziazmuar.

Ndërkohë na kishte arritur edhe nr 2 i “Lajmëtarit…”. I bishtnoja që  të mos uleshim për të parin pa ia dhënë edhe të dytin… Edhe sot po ta jap “Rilindjen” e tjetër ditë blije – i thashë. E kuptoi se kishte diçka brenda faqeve të saj… Ma vonoi pak më shumë se të parin. Atë ditë që ma ktheu u nisëm rrugës sipër Gjimnazit. Ndonëse e shihja të entuziazmuar, nuk kisha si të mos e pyesja për mbresat. Ndonëse përgjithësuese, përgjigjja e tij më nxiti që ta marr hapin vendimtar, duke iu drejtuar në emër i thashë, kësaj radhe do të flas “pa dorëza”. A je i gatshëm të bëhesh pjesë e Lëvizjes? Materialeve që i ke lexuar unë s’kam çka t’u shtoj. Mos është shumë një javë që të jap përgjigje,më pyeti. Jo, i thashë. U ndamë në qendër – ai për Isniq e unë për Carrabreg. Pasi ma kumtoi vendimin që e kishte marrë e urova dhe e porosita që ta zgjedhë një emër të ri. Pas dy ditësh, më tha: E kam pagëzuar veten “Korabi”. E gëzofsh – i thashë, ia paske qëlluar. Na shkoftë puna mbarë!

Siç e kam theksuar edhe më lart, njëra nga porositë kryesore që Ismaili i kishte marrë nga Jusufi, gjatë kohës sa qëndroi në Gjermani, ishte zgjerimi i mëtejshëm i radhëve në strukturën e Organizatës. Prandaj, në tetorin e tetëdhjetës, më “provokoi” me pyetjen se a mund ta gjejmë edhe ndonjë fidai tjetër në Gjimnaz. I dukeshim pak të katërtit që na njihte se për të pestin, Muhamet Haklajn, nuk dinte gjë, prandaj më shkoj mendja se dikujt ia kishte vënë syrin. Nuk mund të them se jo. E filloi me kodër pas bregut duke iu referuar bisedave që i bënim pa protokoll në bibliotekë dhe, më në fund, i ra trup e shkurt: Me sa kam vërejtur,  mendoj se edhe Emrush Lokaj mund të kontribuojë. Ti çfarë mendimi ke? Pa e vu me asnjërin në kandar, se s’kisha pse iu përgjigja – sikur ne. Atëherë, çka po pret? Pyetjen e mbështjelli me shaka. – U “çarta” edhe unë: veç n’u shqefsha! – E unë? ma ktheu. Pas këtij dialogu të kripur me shaka iu kthyem çështjes së ngritur. Meqë e kisha radhën, vazhdova: së pari, strukturën një plus dy e kam përfunduar, po më ndërpreu prapë me një tis të hollë shakaje: Ti e ke filluar me një plus tre, prandaj nuk prish punë nëse e grabit edhe një. Po theksoj se lexuesi i kujdesshëm mund të vërejë pa vështirësi se Ismaili s’kishte rënë nën tre asnjëherë. Së dyti, vazhdova, po të propozoj që të bisedosh me Dinën, se me sa di unë ende është duke gjurmuar. Dhe, së treti, nuk jam më i afërt e as më i largët se Dina me Emrush Lokajn.

Se i përkiste një familjeje atdhetare, ia tregova një episod, pjesë e të cilit isha edhe vetë. Emrushi i ftoi arsimtarët e Gjimnazit, nuk e di sa kemi qenë, por jo më pak se gjysma, për një darkë, përmes së cilës e shprehte respektin ndaj institucionit, pjesë e të cilit ishte bërë para një muaji… Pa u ngjitur në odë, morëm vesh se aty ishte mysafir Kadri Kusari me Shefqet Vokshin. Pjesa dërmuese u step, po ç’të bënte?! Hymë në odë, Adem Dobraj nuk u ngushtua fare, përkundrazi, u gëzua, meqë i ra hise të ulej pranë profesorit atdhetar, ligjëratat e të cilit për gjuhë dhe letërsi shqipe i kishte dëgjuar kur ishte nxënës i Gjimnazit. Por jo të gjitha, sepse ai u arrestua me Hyda Dobrunën  e të tjerët si njëri nga udhëheqësit e degës së Gjakovës, e cila ishte pjesë e Organizatës, që i printe Adem Demaçi.

Shumica e kolegëve rrinin si në ferra, ndonëse nuk u mungonin improvizimet. Se kur e pata dëgjuar emrin e Kadri Kusarit e kam thënë, por kur e shihja nga afër ndjeja kënaqësi të veçantë. E kur u njoftuam, ndonëse ishim brenda katër mureve në kazamatin e Nishit, se ishte ndarë nga jeta pikëllimi ishte i pashmangshëm. Prandaj, meqë më parë, para se të pranohej në Gjimnaz, nuk e njihja Emrushin e as ndokënd tjetër të familjes së tij; por atë natë e kuptova se ajo ishte një qerthull atdhetarie, sepse Kadri Kusari nuk ia shkelte gjithkujt derën e oborrit, por, thënë më ndryshe, shumëkush as do t’ia hapte.

Për ta mënjanuar këmbënguljen e Ismailit ia tregova një rast, që kishte të bënte me protagonistin për të cilin bisedonim. Numri 2 i Lajmëtarit bredhte në Gjimnaz e përtej tij, prandaj i kishte rënë në dorë edhe Emrushit. Një ditë,duke shkuar në orët e mësimit, më thotë: Ia kishin nisur punës… – E pyeta se për çka e kishte fjalën. Ma përmendi Organin e sapocekur… duke m’i thënë ato tri-katër fjali, por nuk mund t’i  fshihte as emocionet… Aktrimin e mbylla me pyetjen se a mund të ma sjell, ndonëse dy ekzemplarë i kisha në bibliotekë. Më premtoi… pas këtij rrëfimi, Ismaili e kuptoi se ajo “lëndë” nuk ishte për mua, sepse para pak ditësh isha sjellë sikur nuk dija asgjë për ato që m’i kishte thënë… Prandaj, mbeti që Ismaili t’i drejtohej Dinës e ai t’i drejtohej Emrushit. Dhe Dina pati sukses se veç e kishte gjetur Emrushin të përgatitur për bashkëpunim.

Po para se me Emrush Lokajn, Dina kishte filluar bisedat me një mik shtëpie: Familja Xhaferaj nga fshati Raushiq, Komuna e Pejës, me familjen Ahmetaj kishin miqësi të dyfishtë – i kishin marrë e dhënë njëra – tjetrës: Motra e Dinës ishte e martuar për axhën e Sylës e një bijë e tyre ishte e martuar me njërin nga të afërmit e Dinës. Prandaj, vizitat reciproke, për të mos thënë se ishin të shpeshta, nuk ishin as të rralla. E Dina, kur shkonte te miqtë u fliste shpesh për të kaluarën e popullit tonë, duke i theksuar dimensionet e çështjes kombëtare. Nga të pranishmit që e përcillte me më vëmendje ishte Syla, i cili edhe e mbështeste vazhdimisht. Derisa mikut ia “rrihte rrathët” pak më ngadalë, me Emrushin i kishte rënë trup e shkurt. Asnjëri nuk kishte shkrepur, nuk e di a ka qenë rastësi apo sugjerim, megjithatë, nuk është fort e rëndësishme, po për Dinë Ahmetin, Emrush Lokaj ishte “Drini 1”, e Sylë Xhaferaj “Drini 2”. Janë pseudonimet e dy protagonistëve që Dinë Ahmeti i përvetësoi. Duhet shtuar se është me rëndësi edhe faktori kohë, të dy protagonistët janë bërë pjesë e Lëvizjës pasi kanë shpërthyer demonstratat marsit. Nuk mund të mos shtoj se miku i Dinë Ahmetit e kishte paguar anëtarësinë për katër muaj… Sylë Xhaferaj dënohet me 60 ditë burg e Fabrika e Baterive ku kishte punuar 18 muaj, ia kishte paguar gjysmën e pagës. Për fund, po shtoj se për të mësipërmet jam mbështetur në të dhënat e protagonistit.

Edhe Avdullahut, vjeshta dhe dimri i patën kapërcyer pa e zgjedhur hallkën e dytë, qysh synonte së paku si të parën. Ndërkaq, në pranverën e vitit ’81, me gjithë rrethanat e papritura me të cilat përballeshim, e kishte vendosur që t’i japë fund. Ia kishte propozuar anëtarësimin në Lëvizje Zade Kuçit – motra e Dritës. Ashtu qysh kishte shpresuar, Avdullahu nuk qe kthyer duarthatë. Për ta bindur se do të punojë, ia kishte dhënë edhe pseudonimin – “Shota”… Meqë anëtarësimi i Emrushit dhe i Zades në Lëvizje ishte bërë pak kohë para se të ndodhte arrestimi i Komitetit të Deçanit, të dytë pas arrestimit dhe marrjes në pyetje janë lënë të lirë. Theksoj se Emrushi, edhe pse nuk u burgos, gjatë tërë dekadës mbeti i anatemuar.

Në bazë të propozimit që ia bëra, Drita, në disa faqe, përveç të tjerave, e ka pasqyruar veprimtarinë e vet në cilësinë e anëtares së “Komitetit”. Prandaj, unë vetëm po e rishkruaj: “Në  aktakuzë, kur u burgosa, më 10 maj 1981 më identifikuan si Shkurtë – Dritë Kuqi. Ç’është e vërteta, në zyrën e vendit në Junik jam e regjistruar Shkurtë, por të gjithë më thërrasin Dritë. Vendlindja ime është Juniku, i cili shtrihet rrëzë “Bjeshkëve të Nemuna.”Ai përshkohet nga Ereniku, lumi që e ka burimin në një nga tre liqenet, që gjenden aty ku fillon Gjeravica, maja më e lartë në Kosovë. Ballë për ballë me faqen jugperëndimore të saj shtrihet madhështore Bjeshka e Sylbicës në Shqipëri, ku nëna ime, Rabija, i ka ruajtur lopët kur ka qenë fëmijë. Më vonë e martuar me Kosovarin Ramadan, babanë tim, i ka qepur mbulesat e jorganëve në një lëndinë para stanit në Erenik, Bjeshkën e Junikut. Afërsisht për një orë mund ta “kapje” kufirin e të zbrisje poshtë në bjeshkën e fëmijërisë së nënës sime. Por, atëherë  e kishim rreptësisht të ndaluar.

Duhet të jesh e lindur në Junik për ta adhuruar atë përjetësisht. Juniku ka diçka të veçantë që të bën për vete; Kullat, disa prej tyre të meremetuara, disa në gërmadha, të kthejnë prapa  në kohë, ndoshta në kohën e Dukagjinëve të lashtë. Në një nga këto kulla, në më të njohurën, në kullën e Avdyl Hoxhës, i vrarë nga çetnikët serbë, ka lindur babai i Xhavit dhe Edmond Hoxhës. Njëri i burgosur politik, në grupin ku bëja pjesë edhe unë, e tjetri, Edmondi – hero i Kosovës. Shkolla fillore në Junik, e mban me krenari emrin e tij, kurse qendrën e fshatit e zbukuron shtatorja e këtij djali fisnik, i cili me rënien e tij i dha jetë Kosovës.

Kur u rrita aq sa për të kuptuar se shqiptarët në Jugosllavi trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë, pata vendosur, atëherë nuk e dija si e kur, për të bërë diçka për vendin tim. Për të qenë “kundër”, gjithmonë isha, jo vetëm unë, por e tërë familja e sidomos babai im Ramadan Malë Kuqi, të cilit, mbaj mend, motra e madhe, Hasimja ia lexonte “Rilindjen” nën dritën e llambës së vajgurit. Baba ishte shumë i mençur dhe i mprehtë në mendime. Asnjëherë nuk fliste diçka pa e shoqëruar me ndonjë anekdotë ose  fjalë të urtë. Fakti që pesë çikat e tij i shkolloi duke filluar nga vitet e 60-ta tregon se sa përparimtar  ishte. Baba për mua ishte burim i vërtetë dhe i pashtershëm atdhedashurie.

Mbrëmjeve të ftohta dimërore, rreth shporetit me dru, babai rrëfente plot ngjarje të dhimbshme të periudhës së Rankoviqit. Sikur në tërë Kosovën, edhe në Junik serbët e malazezët kanë kryer krime të llahtarshme. Pak më vonë, babai udhëtonte në kohë, për t’u ndalur në vitin 1924 kur shqiptarët, sikur përpara e edhe më pas, disa luftonin për Shqipëri e disa të tjerë për Serbi. Ishte koha e “Zonës  Neutrale të Junikut” kur babai, atëherë djalë i ri, e kishte takuar Azem Bejtën.  Me babën pajtoheshim në të gjitha çështjet, veç për një jo: çdo të mërkurë Radio- Tirana e jepte emisionin Teatri në mikrofon. Fatkeqësisht, koha e transmetimit përkonte me “Zërin e Amerikës”. Kuptohet, kush kë e dëgjonte dhe unë ngulja këmbë në timen: Radio-Tirana në vendin e parë. Njëherë babai më tha me përkëdhelje: “Hajt, budallica e babës, me dashtë Amerika e bombardon Shqipninë me thasë me miell”. Kush ka menduar atëherë se pas tri dekadash ajo do ta bombardonte jo Shqipërinë po Serbinë.  Ah! Sikur ta kishte përjetuar këtë babai?! Njerëzit si babai im, baba Sabit (vjehrri im), e vëllai i tij Qemajl Kastrati e shumë e shumë të tjerë, e mbajtën Kosovën shqiptare që të mos ngrysej një ditë sllave. “Të  guxosh është kusht i përparimit”, thotë Viktor Hygo. “Të guxosh”, gjithnjë i frymëzuar nga Hygo është kusht i çlirimit të një populli. Nëse në plotëninë e këtij mendimi bëjnë pjesë aksionet që e realizojnë atë qellim, si domosdoshmëri, atëherë, mund të thuhet, pa hamendje, se veprimet që u ndërmorën prej demonstratave të vitit 1981 e deri në realizimin e lirisë, sollën të  arritura, që shumëkush në verën e largët  të 1980-s nuk i ka parashikuar se do të ndodhnin kaq shpejt.

2

Kah fundi i pranverës së vitit 1980 u bëra anëtare e Lëvizjes Nacional Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi. Pas kësaj e formuam “Komitetin e Vendit” më 28 qershor 1980, në shtëpinë e atdhetarit të njohur Ismail Haradinaj në Gllogjan. Familja e Ismail Haradinajt, siç u dëshmua edhe gjatë luftës së UÇK-së, po edhe në atë kohë kur e formuam Komitetin, ishte vënë e tëra në shërbim të çlirimit të Kosovës. Haradinajt e Gllogjanit rreshtohen krenarë pranë familjeve të njohura shqiptare, që e bënë Kosovën të lirë.

Veprimtaria  jonë në Lëvizje qe bukur e shkurtër, sepse udbashët shqiptarë ishin shumë të zellshëm në nuhatjet e çdo veprimtarie atdhetare. Pas marsit dhe prillit të 81-s, shumë grupe ilegale u zbuluan. Ashtu ndodhi edhe me grupin tonë. Më 10-11 maj 1981 i tërë “Komiteti i Vendit” dhe shumë anëtarë të Lëvizjes u arrestuan; por faza e parë e programit, që ishte ngritja e vetëdijes kombëtare, sidomos te të rinjtë dhe shtrirja sa më e madhe e Lëvizjes, u realizuan në një farë mase.

Duhet vënë në pah patjetër faktin se në program theksohej se në momentin që do të arrihej qëllimi i Lëvizjes, d.mth bashkimi i tokave shqiptare nën Jugosllavi me tokën amë, Shqipërinë, pushonte së ekzistuari çdo aktivitet i anëtarëve të saj dhe i lihej popullit që të vendoste, përmes votës së lirë, për organizimin politik të vendit. Kjo e dëshmon më së miri largëpamësinë dhe vizionin e qartë për të ardhmen të  formuluesit të tij, Jusuf Gërvallës.

Detyra e parë që u caktua nga “Komiteti” ishte shtrirja sa më e gjerë e Lëvizjes, e cila do të bëhej përmes organizimit në treshe. Menjëherë mendja më vajti te dy persona: te Hidajete Shabani, tash Dermaku dhe Haxhi Haxhija. Të parën e kam pasur shoqe të studimeve; që të dyja kemi studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Prishtinë. E dija që mund t’i besoja plotësisht, shpesh bisedonim për gjendjen e shqiptarëve në Jugosllavi, por ajo që na lidhte më së shumti ishte dashuria e flaktë për Shqipërinë.  Hidajetja është rritur në një familje atdhetare në Përlepnicë të Gjilanit dhe kjo pasqyrohej më së miri në formimin e saj. Babai i saj, Hysen Shabani, një atdhetar i njohur, shquhej si poet autodidakt. Propozimin për t’u bërë anëtare e Lëvizjes, në radhë të parë në anën e Anamoravës, s’do t’ia besoja askujt tjetër pos asaj. Për këtë isha më së e bindur dhe pranimi i saj i menjëhershëm e vërtetoi këtë. Hidajetës nuk i ngritën aktakuzë por e dënuan në një mënyrë tjetër: Ajo nuk kishte të drejtë të jepte mësim në asnjë shkollë.

Haxhi Haxhiun e njihja përmes motrës sime, Zades, e cila e kishte shok klase në gjimnazin “Vëllezërit Frashëri” në Deçan. Isha e informuar se familja e tij ishte e njohur për rezistencën e saj ndaj serbëve. Për këtë arsye kjo familje ishte e ndjekur dhe e përndjekur nga Jugosllavia e vjetër dhe e re. Në mes të tjerash, Haxhiu ishte vëllai i vogël i oficerit Hamit Haxhiu, të cilin udbashët jugosllavë, ashtu si edhe shumë ushtarë të tjerë, i helmuan në vitin 1990. I këtij trungu familjar ishte edhe Jashar Salihu, anëtar i “Komitetit të Vendit” për Deçan dhe një nga shtyllat më të forta të UÇK-së. Ishte punë me rrezik burgosjeje të pranoje të angazhoheshe në një lëvizje ilegale, e sidomos në ato vite kur udbashët shqiptarë ishin në kulmin e veprimtarisë së tyre.

3

Sidoqoftë, një ditë vjeshte të vitit 1980 e takova Haxhiun në Deçan dhe  me atë rast biseduam për padrejtësitë që i bëheshin Kosovës dhe shqiptarëve. Mendoj se nuk duhet për të ndenjur duarkryq përpara kësaj gjendje, e Haxhiu pajtohej plotësisht me këto dhe isha më së e bindur se po t’i propozoja në atë moment do të pranonte. Megjithatë, i thashë që të takoheshim edhe një herë. Herën tjetër, ishte ai që propozonte që të gjenim forma të angazhimit konkret për të gjitha ato që kishim diskutuar. Atëherë ia shpalosa idenë e angazhimit në Lëvizje, të cilën ai e pranoi menjëherë. Haxhiu kishte ardhur në takim i përgatitur mirë, sepse, posa ia shpjegova mënyrën e veprimit brenda Lëvizjes e që ishte, përveç të tjerash, gjetja e pseudonimit, ai menjëherë e propozoi për vete pseudonimin “Shpejton vala”. Atëherë më pat pëlqyer, edhe tash më pëlqen shumë ky pseudonim. Nga ana ime e kisha marrë me vete një kopje të Programit, një të Statutit dhe një numër të gazetës “Lajmëtari i Lirisë”, e cila botohej në Shtutgart të Gjermanisë nën drejtimin e Jusuf Gërvallës. Në aktakuzën tonë i përmendin Hidajeten dhe Haxhiun, por kundër tyre nuk u ngrit asnjë akuzë, që do t’i dërgonte në burg. Ndërkohë, Haxhiu vajti në ushtri. Të gjendesh në shërbimin ushtarak e ta dinë të gjithë se je anëtar i një lëvizjeje ilegale në Kosovë, sidomos pas ’81- s, do të ketë qenë  një situatë shumë e rëndë për Haxhiun. Më ka thënë se është munduar të jetë sa më i qetë, të ketë kujdes etj, etj. Si duket, shërbimi sekret ushtarak ka pasur urdhër “ta lërë të qetë” derisa ta mbarojë shërbimin ushtarak, sepse posa e ka kryer atë, Haxhiun e kanë burgosur dhe dënuar me 1 vit burg si pjesëtar i Lëvizjes. Më vonë, më 1985, është dënuar edhe njëherë me tre vjet burg, kësaj radhe për këndimin e këngës “Moj Shqypni mos thuj mbarova!” dhe për materiale të ndryshme nga Shqipëria të gjetura në shtëpinë e tij.

Djaloshi i atëhershëm, Haxhi Haxhiu, nga fshati Botushë i Gjakovës, fshat i reve të bardha, siç kishte dëshirë ai ta quante, ia fali Kosovës rininë e tij, që një ditë ajo të zgjohej e lirë. Ndërkaq, Hidajeten nuk e burgosën, sepse struktura e atëhershme e udhëheqjes jugosllave nuk dëshironte që të dilte në opinion se Lëvizja ishte shtrirë në tërë Kosovën.

Ishte 10 maji i vitit 1981. Një ditë përpara ndodhesha para një dileme: të nesërmen, d.m.th. më 10 maj, do të merrja pjesë si kujdestare e një klase të gjimnazit “Xhevdet Doda”, paralelja e ndarë në Hajvali, në një mbledhje me prindër. E vetmja pikë e rendit të ditës ishte diferencimi nga demonstratat e marsit e të prillit. Ç’të bëja?! Isha pjesëmarrëse në demonstrata; bile njëherë e pata takuar një nxënës timin nga Hajvalia, Mustafën, i cili i shtynte gypat e pusetave me diametër 1 metër, nga Halla e Sporteve drejt e në tanket serbe të stacionuara në udhëkryqin te Mensa e Studentëve. T’i gjykoja demonstratat dhe të tregohesha “diplomate” apo mos t’i gjykoja dhe të përjashtohesha nga puna? Këtë dilemë ma hoqën qysh herët në mëngjesin e 10 majit, pa vajtur ende në Hajvali, dy punonjës shqiptarë të Sigurimit, të cilët më arrestuan në banesën e motrës sime, Mejremes e burrit të saj – Rexhep Goçit, në të cilën banonim me qira. Më vonë, në burgun hetues të Mitrovicës frikësohesha për ndonjë pasojë, që do të mund ta kishte kunati, sepse ai ishte mbajtës i familjes. Pas burgut, më ka treguar se e kanë marrë në biseda informative disa herë.

4

E vërteta e serbëve për Kosovën është e përgjakshme; e vërteta jonë është e vetmja e vërtetë, edhe pse “Gjaku shqiptar po shkon, gjaku shqiptar po shkon”. Këto janë fjalët e fundit të De Radës së madh në shtratin e vdekjes dhe kjo qe tema e fundit e hartimit, që ua shkrova në tabelë nxënësve në Hajvali, si profesoreshë e gjuhës shqipe. Kush e ka përjetuar marrjen në pyetje në hetuesi e di sa fuqishterrëse është, por punonjësit e Sekretariatit të Punëve të Brendshme në Pejë, në përgjithësi kanë pasur sjellje korrekte ndaj meje. Gjatë hetuesisë, në një moment në dhomë hynë dy persona. Shpejt e kuptova se njëri ishte shqiptar e tjetri serb. Më duket se thanë se janë të Federatës. Për një çast, shqiptari doli nga dhoma, kurse serbi pa një pa dy ma dha një flakareshë, që më qitën sytë xixa. “Ti e reja e Sabit Kastratit – a?”, më tha në serbishte. Sabit Kastrati ishte burrë që zor ia gjeje shoqin në Kosovë. Aqo është edhe babai i heroit Isa Kastrati, i cili, pas 11 vjet burg të  rëndë, iu bashkua UÇK-së duke dëshmuar kështu se ai me të vërtetë e deshi Kosovën. Sabit Kastrati ishte pjesëtar i familjes së shquar Kastrati të Hogoshtit në Komunën e Dardanës. Kjo familje bashkë me shumë familje të njohura e përbëjnë bërthamën e qëndresës së shqiptarëve nëpër shekuj dhe pa të cilat Kosova nuk do të ishte këtu ku është  sot. Më vonë, ai, me të cilin u fejuam dhe u kurorëzuam në burg, më ka treguar se inspektori shqiptar ishte Muharrem Dana, që e kishte marrë në pyetje disa herë edhe atë.

Nga gjykimi më ka mbetur parasysh pamja e Ismail Haradinajt. Në sallën e gjyqit të parin e thirrën atë. Çmimin e tërë organizimit të “Komitetit të Vendit” në kuadër të Lëvizjes e pashë që e kishte “paguar” ky atdhetar i vërtetë dhe ky frymëzues i brezave të tërë. Më dënuan 6 vjet, shkalla e dytë ma përgjysmoi dënimin. Pas daljes nga burgu u martuam Aqo e unë; kësaj here me dasmorë. Të dielën e 31 korrikut të vitit 1984 u martova, të nesërmen më vdiq babai në një aksident komunikacioni. U bë e madhe vdekja e tij nga ana e pushtetit të atëhershëm, kurse për familjen tonë qe më të vërtetë e dhimbshme e tragjike. U bë e madhe vdekja e tij, sepse dy herë radhazi RTP-ja e atëhershme e dha lajmin se si kishin vajtur për t’i shprehur ngushëllime irredentistes së njohur, domethënë mua, sekretari i atëhershëm krahinor për marrëdhënie me botën e jashtme – Ismail Berisha, që e kishim kushëri, dhe junikasi Lush Isufaj, i cili ishte kryetar i Komunës së Deçanit në atë kohë. Megjithëse vazhdonte koha e diferencimeve dhe familja jonë ishte e diferencuar, personat e cekur më lart kishin vendosur për të ardhur për ngushëllime. Guximin e tij, Ismail Berisha e pagoi me përjashtim nga puna. Edhe Aqon e përjashtuan nga puna, sepse ishte solidarizuar në mendime me mua, por nuk e ka shprehur. Kështu shkruan në vendimin për përjashtim. Kjo ishte më së e vërtetë dhe ai ishte solidarizuar me këto ide edhe përpara njohjes me mua, po ligjërisht ata nuk kishin të drejtë. Kot e kishin, nuk mund ta përkulnin as Aqon e as familjen e tij. Ashtu siç më ka shoqëruar gjatë tërë kohës së burgut, ashtu më shoqëron në jetë bashkëmendimtari, bashkudhëtari, bashkëshorti im, Aqif Kastrati.

Definicioni i lirisë, sipas fjalorit frëngjisht “Le Liberte Dictionnaire d’ aujourd’ hui” Paris 1985 është “ La Liberte fondement du devoir, de la responsabilite, de la morale.” (Liria themeli i detyrës, i përgjegjësisë, i moralit).  

(VIJON)

© Pashtriku.org

—————————————–

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (9)

GRUPI „SHQIPONJA”

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura