XHEVAT BISLIMI: DUA T’I BESOJ KURRË’KURRAVE TË KRYEMINISTRIT

 (Viti, 03. 03. 2013) – Bisedimet me Serbinë janë bërë me të drejtë mollë sherri midis partive politike në Kosovë dhe e kanë ndarë Kosovën dhe kombin shqiptar në dysh: në ata që besojnë te bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë (thonë se nuk ka rrugë tjetër, se ky është interes i Kosovës…) dhe në ata që janë kritikë, dyshuesë dhe të bindur se këto bisedime po bëhen për të zezën e Kosovës, se me këto bisedime në Kosovë po krijohet entiteti serb, autonomia për serbët, etj. Ky dyzim (dualizëm) po shprehet gjithnjë e më hapur edhe në Kuvendin e Kosovës. Këto ditë u shfaq edhe një përplasje e ashpër midis Kryeministrit të Kosovës, Thaçi, dhe opozitës (LDK-së dhe, sidomos Vetëvendosjes). Në përgjigjie të këtyre akuzave dhe kritikave Kryeministri i Kosovës u zotua para deputetëve dhe para mbarë kombit shqiptar se “nuk do të ketë kurrë një republika serbska në Kosovë”, “kurrë nuk do të ketë autonomi për pakicën serbe në Kosovë”, “kurrë nuk do të ketë një Tirol apo Kataloni në Kosovë”, kurrë, kurrë, kurrë… Me thënë të drejtën ky zotim dhe angazhim publik i Kryeministrit nuk mund të mos merret parasysh nga skeptikët dhe kritikët e shumtë të këtij “procesi” jo të lehtë. Vetëvendosja, LDK-ja, AAK-ja… pas këtij përbetimi do të duhej të uleshin me Kryeministrin dhe të merreshin vesh… Nëse Kryeministri tha dhe u betua se “kurrë, kurrë, kurrë…”, atëherë Kuvendi, këto parti, lëvizje, organizata, shoqata dhe mbarë populli shqiptar, kudo qoftë, duhet t’i jap mbështetje të pa hile Kryeministrit dhe institucioneve të vendit që janë angazhuar, sipas Kryeministrit, për ruajtjen dhe garantimin e një Kosove unike, me një sistem kushtetues unik, me një sistem doganor unik, me një sistem unik sigurie, etj.

…………………………………………….

SHTOJCË E PASHTRIKU.ORG

(Kryeministri Hashim Thaçi, në seancën e jashtëzakonshme që u mbajt të premten në darkë, para deputetëve u zotua se kurrë nuk do të ketë: “Republika serbska”, “Tirol apo Kataloni” për serbët në Kosovë, dhe u betua se nuk do t’i kaloj “vijat e kuqe” që janë përcaktuar me Pakon e Ahtisaarit. A në të vërtet – pikërisht është Pakoja e Ahisaarit ajo që (përmes decentralizimit, zonave të mbrojtura, lidhjeve speciale me Serbinë edhe (+) me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel) – krijon etnitetin serb në Kosovë dhe kështu atyre më “Asociacionin e komunave serbe” ju jepen më shumë të drejta se sa ka Tiroli në Itali apo Katalonia në Spanjë! – Kryeredaktori i pashtriku.org)

*   *   *

Megjithatë, nuk është kaq e thjeshtë kjo puna e Kosovës dhe e çështjes shqiptare në Iliri -Ballkan, përgjithësisht. Po të kihet parasysh e vërteta se ishte PDK-ja dhe drejtuesit e saj kryesor që betoheshin e përbetoheshin se nuk do të bisedonin kurrë me Serbinë (pos për kufijtë), se kurrë, kurrë, kurrë…, atëherë vetëvetiu krijohet njëfarë mosbesimi, dyshimi, etj. Sepse, e vërteta është se edhe PDK-ja iu bashkua procesit të bisedimeve në Vjenë pa asnjë kusht dhe, bashkë me LDK-në, AAK-në… pranuan planin e Atisarit për Kosovën, që me pak ndryshime ishte plani i Serbisë për Kosovën, i miratuar në Kuvendin e Serbisë në prill të vitit 2004! Serbia në planin e saj nuk kishte paraparë vetëm pavarësinë e mbikëqyrur. (Nuk po ndalem më gjatë në këtë çështje se kam bërë aso kohe me dhjetra shkrime, por edhe fjalime në Kuvendin e Kosovës). Prandaj, gjatë gjithë këtyre viteve të pavarësisë së mbikëqyrur dhe të kushtëzuar Serbia u angazhua që ta dobësoj sa më shumë këtë pavarësi të mbikëqyrur (kontrolluar) të Kosovës përmes ngritjes dhe fuqizimit të strukturave dhe “institucioneve” të saj në Kosovë (posaçërisht në Veri). Përpjekjet e qeverive dhe institucioneve të drejtuara nga AAK dhe LDK ishin pothuajse zero. Edhe pas shpalljes së Pavarësisë (njëri nga sukseset më të mëdha të pas Luftës dhe të institucioneve të udhëhequra nga PDK-ja) Qeveria dhe institucionet e drejtuara nga PDK-ja nuk bënë gati asnjë përpjekje për shtrirjen dhe vendosjen e sovranitetit në çdo cep e qoshe të Kosovës!! Kjo nuk mund të kuptohet dhe as të falet. Pritja (pavarësisht një million arsyeve që mund t’i gjejnë ata që kishin mandatin dhe përgjegjësinë) që UNMIK-EULEX-i, KFOR-i, ICO-ja… ta zgjidhin çështjen e Veriut ishte një iluzion, që mund t’u lejohet dhe falet adoleshentëve, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rrethanë burrave të shtetit dhe shteteve. Kosova (institucionet e saj shtetërore) krahas pritjes nga “ndërkombëtarët” dhe bisedimeve do të duhej dhe kishin detyrim kombëtar, kushtetues e shtetëror të merrnin masat për çlirimin e Veriut të Kosovës dhe për shtrirjen e sovranitetit në çdo skaj të Kosovës edhe me të gjitha mjetet dhe format tjera “jodemokratike”, legjitime. Po të ishin bërë këto përgatitje dhe po të dëshmohej se Kosova nuk do të lëshoj pe me asnjë çmim në dëm të interesave të saj, se Kosova ishte e gatshme edhe të luftonte për këto interesa (sidomos për shkëputjen e plotë dhe përfundimtare nga Serbia) jam shumë i sigurtë se edhe Serbia, edhe Bashkësia Ndërkombëtare do të tërhiqeshin nga politikat e tyre agresive dhe të dëmshme për Kosovën, por edhe për paqen dhe sigurinë në rajon. Përgatitje edhe për situata “jonormale” nuk po bëhen as sot. Madje as nuk po u shkon mendja këtyre institucioneve se mund të vij një ditë që populli i Kosovës dhe shteti i tij mund të gjendet përballë forcës ushtarake dhe policore serbe. Këto përgatitje nuk po bëhen ndoshta edhe për ta “bindur” popullin e Kosovës se jemi të pafuqishëm, s’kemi ç’bëjmë, s’ka rrugë tjetër përveç bisedimeve, etj.
Plani Atisarit nuk kishte dhe nuk ka hallin e pakicës dhe të kishave “serbe” në Kosovë, por garantimin dhe mbrojtjen e interesave të Serbisë në Kosovë përmes kësaj pakice dhe kishave ortodokse të përvetësuara dhe “serbizuara” me dhunë dhe tash të “legjitimuara” përmes dialogut nga serbët dhe Serbia. E pakënaqur me të arriturat e deritashme me planin e Atisarit, Serbia po këmbëngul që interesat dhe të “drejtatë” e saj në (mbi) Kosovë t’i “legjitimojë” edhe përmes bisedimeve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare! Me planin e Atisarit, por sidomos me bisedimet e reja në Bruksel, Serbia po kërkon dhe po bëhet (Zot mos e bënë!) ortake (hisedare) e “ligjshme” në Kosovë!? Nëse kjo nuk ndodhë, po t’u besojmë përbetimeve publike të Kryeministrit (kurrë, kurrë, kurrë…), unë me të drejtë, por edhe çdo shqiptar, do të duhej të thërrisnim me krejtë fuqinë e zërit: Rroftë Kryeministri, poshtë ata që nuk po i besojnë!
Por, mua më bënë skeptik dualizmi që ka zënë rrënjë në çdo fushë që lidhet me Kosovën shqiptare dhe fatin e saj. Gjatë Luftës Antipushtuese Ҫlirimtare të UҪK-së Kosova ishte ndarë në ata që ishin përcaktuar dhe luftonin me armë në dorë (me një gisht) për çlirimin e Kosovës dhe në ata që ishin përcaktuar dhe angazhoheshin fortë për “çlirimin” e Kosovës me dialog dhe me dy gishta! Edhe në kulmin e Luftës dhe përballjes së kombit shqiptar me forcat fashiste serbe për jetë a vdekje, ata mbetën me “kokëfortësi” në anën e dialogut dhe “dy gishtave”! Ky dualizëm vazhdoi edhe pas lufte. Qeveria e Përkohshme në njërën anë dhe ata që menjëherë iu bashkuan UNMIK-ut, por jo Qeverisë së Përkohshme, pastaj flamuri shqiptar, në njërën anë, dhe “flamuri” i Rugovës, në anën tjetër! Ky dualizëm vazhdon edhe sot në forma dhe mënyra tjera. Dikush me cdo kusht do të bëhet “kosovar” (si dikur “jugosllav”), të tjerët (shumica absolute) qëndrojnë shqiptarë dhe përpiqen për ribashkimin dhe fuqizimin e kombit shqiptar. Dualizmi i imponuar nga kumarët e djeshëm të Jugos-Serbisë dhe kumarët e sotëm të UNMIK-EULEX-it shfaqet edhe në sheshin dhe rrugën qendërore të Prishtinës. Heroi i Kombit, Zahir Pajaziti, dhe Ibrahim Rugova në fotografi (përfaqësues i denj i dialogut, marrëveshjes dhe bashkëpunimit me Serbinë). Pak më tutje HEROI Kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, dhe monumenti i Ibrahim Rugovës! Pastaj, gjuha shqipe (93 %) e barabartë me gjuhën serbe (5%) në Kosovë! Ky dualizëm shprehet edhe me komunat serbe, pastaj me simpatinë e shumicës absolute të shqiptarëve për Evropën dhe Amerikën, nga njëra anë, dhe thirrja e ezanit me megafona në një mijë e më shumë xhami në të njëjëtën kohë dhe lutjet e ceremonitë tjera fetare në gjuhën arabe, si në arabistan! Krejt në fund, nëse nuk e kam tepruar, uroj dhe lutem, si shumica absolute e shqiptarëve, që ky dualizëm mos të finalizohet edhe me krijimin e dy entiteteve, atij shqiptar dhe të tjerëve, në njërën anë, dhe atij serb, në anën tjetër. Prandaj, unë do të doja që t’i besoj Kryeministrit edhe pas përfundimit të bisedimeve me Serbinë, nëse do të përfundojnë një ditë. Po të isha në vendin e tij më mirë do të bisedoja edhe njëqind vjet, por ama me pushkën plotë, nëse nuk ka rrugë tjetër, se sa të bëja lëshime të reja, përtej planit të Atisarit, lëshime që do të destabilizonin sistemin tonë të sigurisë, sistemin tonë kushtetues, tërësinë tokësore të Kosovës, stabilitetin ekonomik, etj. Në këso rrethanash, nëse nuk ka rrugë tjetër, dorëheqja është faqja e bardhë. Nuk është vetëm Kosova dhe kombi shqiptar që ka nevojë për Bashkimin Evropian. Madje, madje, po të shikohet mirë e mirë, më shumë nevojë ka Evropa për një Kosovë, për një çështje shqiptare të zgjidhur dhe për një komb shqiptar të konsoliduar në Iliri-Ballkan, që do të garantonte paqen, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit dhe të vetë Evropës. Megjithatë, dua t’i besoj Kryeministrit dhe kurrë-kurrave të tij…
– Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura