NË URËN MBI RONË
(Apo koha kur i vrisnin yjet)
Shkruan: Xhafer Shatri
Lajmi erdhi i mjegulltë. Flitej për rrethimin e dy shqiptarëve në Prishtinë dhe për vrasjen e tyre, por akoma nuk dihej për emrat. Ankthi i dilemës nuk zgjati shumë: një cingërimë telefoni dhe qenia, dhoma, qyteti, çdo gjë u mbush me llahtar: Bëhu i fortë! Parmbrëmë, në një rethim kanë mbetur të vrarë Rexhepi dhe Nuhiu…
U përpoq të përmbahej, të qëndronte disi. Por ishte e pamundur sepse dhoma, banesa ishin tepër të vogëla për ta përballur dhimbjen kosmike. Doli në rrugë dhe eci për një kohë të gjatë në muzgun e qytetit të huaj. Qielli ishte ngjyrë gri. Pas një kohe e vërejti se ndodhej në njërën prej urave që i lidhte të dy pjesët e qytetit, në le Pont de la Machine. Në atë urë zakonisht qëndronte një sakat me të dy këmbët e këputura dhe i binte një flaute që sa herë e dëgjonte ia ndezte flakë mallin e Vendlindjes.
As vetë nuk e dinte se si e kishte kaluar distancën 9 kilometërshe nga banesa deri në mes të asaj ure të shkretë. Këmbët apo diçka tjetër e kishin sjellur deri aty. Binte një shi i hollë që u ngjante lotëve të njeriut të kredhur në një det pikëllimi. U mbështet në parmakët e urës dhe shikoi poshtë hapësirën ku Liqeni i Lemanit kthehej në lumë: poshtë rridhte Rona, ndërsa bedenat e Urës përpiqeshin t’i përballojnë valët e furishme dhe gjamët e shtypjes që ia jepte Liqeni lumit në rinisje. Ishte një ujë me shkumbë, që i rrahte shtyllat mbajtëse me tërbim. Ndejti aty një kohë të gjatë, i zhytur në pellgun e dhimbjes dhe vetmisë. Nuk e hetoi as kur u ndal shiu dhe as kur u ndalën tingujt e flautës… Erdhi në vete kur një dorë ndruajtazi e preku në kurriz. U kthye beftas dhe fare pranë e pa sakatin që e shikonte me dy sy plot dhimbje e lutje.
Excusez-moi, mais je ne peux pas vous voir si triste et si seul sur ce pont… (Më falni, por nuk po mund t’ju shoh kaq të trishtuar e kaq të vetmuar mbi këtë urë…)
Dhe pa pritur përgjegje nisi t’i flasë se: megjithatë jeta, nganjëherë, është edhe e bukur… a më sheh mua? Tash 20 vjet jam pa të dy këmbët. Pata shkuar atëherë në një mision të CCICR (Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq) në Afrikë dhe shkelja mbi një minë me la sakat. Kur u ktheva, pa dalur ende nga spitali, edhe gruaja, edhe fëmija edhe shtëpia ime ndërruan zot… E kisha tepër të vështirë dhe, më beso, rruga e parë që bëra si sakat më solli mu mbi këtë urë, por u përmbajta sepse jeta, megjithatë, herë pas herë, është edhe e bukur. Prandaj mos e merr aq ngushtë… Ka shumë vjet që pjesën më të madhe të kohës e kaloj mbi këtë urë, jo për tjetër, por që përmes tingujve të flautës t’ua zvogëloj njerëzve trishtimin…
E shikoi me vëmendje tek fliste, tek fliste me aq dhimbje e mirëkuptim. Kishte ardhur duke ecur në duar që nga gjysma e urës dhe një njeriu aq zemërmadh nuk mund të mos i tregonte se nuk është prishur me gruan, as me familjen, as me punëdhënësin, se nuk e kishte ndërmend të hidhet në valët e rrëmbyera të Ronës, por se po i pëlciste zemra për Dy Njerëz që i kishte vrarë shteti, e të cilët i donte më shumë se askënd tjetër në këtë botë të padrejtë e në këtë jetë të papërsëritshme e mizore.
I foli për njërin prej tyre që e kishte njohur 12 vjet më parë në një konvikt studentësh në atdheun e tij të robnuem, se si ai u bë shpejt për të më shumë se vëlla, se si pas një kohe ishin betuar në një Flamur për të mos e tradhtuar kurrë njëri-tjetrin, se si e kishin sfiduar, pa iu dridh çerpiku, njërin prej shteteve më të fuqishme komuniste të kohës tonë, se si kishin përpiluar e shpërndarë trakte së bashku, se si i kishte ndarë fillimisht arrestimi e pastaj se si ishin ritakuar dikund në një burg të vjetër, prej nga kishin planifikuar të iknin, se si i kishin ndarë e transferuar nëpër burgje të tjera, në momentin kur thyemja e pashmangëshme e burgut ishte vetëm çështje netësh… I foli se sa i zoti e sa i bukur ishte ai, sa serioz, sa i vendosur e i përkushtuar ishte, sa shumë e kishte dëmtuar vendin e tij të robnuem vrasja e tij e planifikuar. I foli gjatë e me bindje për të si për njërin prej njerëzve më të zotët që i kishte lindur e rritur ndonjëherë ajo tokë e kredhur në dhimbje, terror e dhunë…, i foli për aftësinë, guximin dhe burrërinë e tij të pashoqe…, i foli gjithashtu për trishtimin që ia thellonte shpresa përgjithmonë e humbur për një ngrykmarrje të gjatë me të…
…
… i foli pastaj, me një frymë, edhe për një djalë të njomë, të hijshëm e të gjatë si lis, me të cilin ishte takuar në shkretëtirën e fillimmërgimit në një peron të shkretë të stacionit të trenit, i foli për një sokol të vërtetë që ishte personifikimi më i qashtër i djalërisë se një kombi në njërin prej udhëkryqeve më të mëdha të historisë së tij. I tregoi se si ai kishte shkuar me mision në Kosovë, se si kishte arritur t’i lidhë me qindra fije të këputura të shpartalluara nga terrori i një shteti modern, se si kishte shkuar atje, në flakë e enë prush, me bindje se më mirë është të vdesësh atje ballë për ballë me pushtues se sa të dergjesh e të përcëllohesh nëpër mërgim. I foli për letrat e tij plotë kurajo e besim në fitore, i foli për shkathtësitë e tij të jashtëzakonshme, për faktin se ishte ndër njerëzit e rrallë që ngrihej në pesë të mëngjesit dhe nuk flente kurrë para orës 24, se si rrinte me orë të tëra mbi librat, se si ishte njëherit Atdhetar i përsosur, Njeri dhe Poet, se si nga e gjithë qenia e tij buronte një dëlirësi e pashoqe…
…
… kah fundi nisi t’i flasë se sa fatkeq e i pikëlluar ndihej pas lajmit të zi për vdekjen e tyre…, i foli se si kjo ishte ndër vrasjet më të rënda në historinë e një kombi, se sa shumë ishin dëmtuar përpjekjet për liri dhe të të gjithë atyre që ishin të përfshirë në to…, i foli se si shpresonte se ata, pas dekonspirimit, do të dilnin jashtë, se si ai do të shkarkohej nga një barrë e padurueshme detyrimesh të gjithëllojshme dhe më në fund do t’i përkushtohej i tëri asaj që e kishte ëndërruar gjithë jetën: leximit dhe shkrimeve…, i foli si askujt tjetër, për pikëllimin e pakufijshëm në të cilin e kishte kredhur vrasja mizore e shokëve të tij.
Ia përsëriti dhe njëherë se në urë nuk e ka qitur mendimi në vetëvrasje, por dhimbja për shokët, dhimbja e pafund për ata pa të cilët e ndiente vetën pa gjymtyrë, pa zemër, pa tru, pa shpirt…
Shiu filloi të bie sërish, një shi i imtë e i ftohtë dimri që t’i shponte edhe eshtërat.
…
E mori Paul-in për krahësh dhe shkuan te ulësja e tij nën strehën e ngrehinës ngjitur për urë. Kur u ulën, Paul e mori flautën dhe nisi të luajë Requiem-in e Mozartit. I binte flautës mrekullisht. Kur e mbaroi, e pyeti sakatin tjetër që posa kishte mbetur pa krahë: Si i kishin emrat shokët tu?
Rexhep Mala e Nuhi Berisha.
Te lutëm m’i shkruaj emrat e tyre në këtë copë letër… E kur janë vrarë?
Parmbrëmë.
Sa vjeç ishin?
Rexhepi 33 vjeç ndërsa Nuhiu 23 vjeç!
Mon Dieu, mon Dieu! Do të mendoj dhe do të këndoj shpesh për ta…
Ajo që luajta ishte për Rexhepin e Nuhiun kjo që po luaj tash është për ty, për Kosovën dhe për fitoren që do të vijë një ditë patjetër.
Dhe ia mori Bolero-s së Ravelit.
Shiu dhe lotët ishin bërë bashkë.
E në urë, në këtë mbrëmje të mugtë janari, tashmë ishin vetëm dy njerëz, njëri pa këmbë e tjetri pa krahë, ndërsa Rona rridhte tëposhtë me tërbim.
Uji i saj kishte marrë ngjyrë të murme, në të përgjakur, sikur të vinte nga larg, atje nga dheu i shqiptarëve.
Gjenevë, 13 janar 1984