MEHMET HAJRIZI: VEPRIMTARI VETMOHUES, XHEMAJLI BERISHA

Prizren, 6 prill 2019: (Fjalë në akademinë përkujtimore, me rastin e 30-vjetorit të rënies së veprimtarit, Xhemajli Berisha. Prizren, më 6 prill 2019)
E dashur familje Berisha
Të nderuar pjesëmarrës të kësaj veprimtarie përkujtimore
Zonja dhe zotërinj

Si sot tridhjetë vjet më parë, nën tortura mesjetare të regjimit pushtues, i pushoi zemra veprimtarit, profesorit të ri, poetit dhe birit të dashur të kësaj treve e të gjithë Kosovës, Xhemajli Berishës. Kanë kaluar kaq vite, por siç është thënë me të drejtë, heronjtë, ashtu si veprat e artit, duken më të mëdhenj nga largësia e kohës
I rritur në Arbanë të Prizrenit legjendar, i edukuar në një familje atdhedashëse dhe bashkëkohës i shumë veprimtarëve të lirisë së atdheut, lexues i pasionuar dhe njohës i historisë së kombit të vet, Xhemajliu nuk mund të shikonte anash me indiferencë fatin prej robi të popullit dhe të Kosovës së tij të dashur. Ai mori pjesë aktive në shumë demonstrata, duke filluar nga ajo e 11 marsit të vitit 1981, (1) për të aderuar pastaj edhe në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës. (2)
Gjatë viteve të veprimtarisë çlirimtare të Xhemajliut, gjendjen në Kosovë e karakterizonin politika koloniale e pushtuesit, përndjekjet policore e mjerimi ekonomik i popullsisë, në njërën anë dhe zgjimi kombëtar shqiptar, ndërgjegjësimi, sidomos i rinisë për të rezistuar në mënyrë të organizuar kundër shtypjes dhe shfrytëzimit të huaj, në anën tjetër.

Në fillim të viteve tetëdhjetë Kosova ishte në krizë ekonomike dhe e diskriminuar thellë brenda Federatës jugosllave. Le të kujtojmë vetëm faktin e pranuar edhe nga vetë institucionet jugosllave që produkti shoqëror për banor në Kosovë, nga 34% të vlerës mesatare jugosllave më 1969, kishte rënë në 28%, më 1979. E megjithatë pikërisht kjo periudhë, madje edhe sot konsiderohet nga ndonjë titostalgjikë, si e barazimit të plotë të Kosovës me republikat jugosllave!
Kosova e pasur dhe e varfër njëkohësisht, me vetëm 4.2 për qind të sipërfaqes dhe 7.1 për qind të popullsisë jugosllave, përmbante mbi 10% të të gjitha pasurive natyrore të Federatës.
Shqiptarët shfrytëzoheshin e diskriminoheshin, por edhe ndiqeshin nga të gjithë mekanizmat represivë të pushtuesit. Vetëm gjatë vitit 1980, në Kosovë u zhvilluan 553 procese gjyqësore politike. (3)
Kryengritja e vitit 1981, nuk arriti të materializonte aspiratën dhe programin e saj, por e shtyu planin serbomadh për suprimimin e autonomisë dhe siguroi vazhdimësinë e Lëvizjes Kombëtare deri në Luftën Çlirimtare të UÇK-së.
Pas vitit 1981, me gjithë përndjekjet dhe terrorin që ushtroi regjimi pushtues, në Kosovë lindën dhe u zhvilluan hovshëm dhjetëra organizata të Lëvizjes Kombëtare, të cilat e bënë të pakthyeshme rrugën drejt fitores dhe lirisë e pavarësisë së Kosovës.
Xhemajli Berisha, tashmë intelektual i formuar, ishte figurë revolucionare e rëndësishme në këtë Lëvizje. I pasionuar pas librit dhe dijes, përveç bibliotekës së tij të pasur, shfrytëzonte gjerësisht edhe bibliotekat publike, literaturë të ndaluar dhe shtypin klandestin shumë të pasur, që lexohej dorë më dorë në radhët e organizuara të Lëvizjes dhe ndër qytetarë. (4)

Xhema, siç e quanin shpesh të afërmit dhe miqtë, ishte i ndërgjegjshëm se veç vullnetit e guximit për veprimtari praktike, duhej edhe dituria dhe mendja e kthjellët për ta projektuar e siguruar perspektivën e rezistencës. Sipas dëshmisë së bashkëveprimtarit Xhevat Zekaj, Fehmi Lladrovci, njëri ndër drejtuesit e shquar të veprimtarisë çlirimtare, kërkonte që Xhemajliu të ruhej pa rënë në sy të UDB-së. (5)
Xhamajliu megjithatë nuk e ruante shumë veten, sepse vepronte jo vetëm në konspiracion të thellë, por edhe hapur me nxënësit e tij, me kolegët mësimdhënës dhe me qytetarët gjithandej. Ai kishte rreth shumë të gjerë shokësh e miqsh, sepse ishte shumë i shoqërueshëm, i dashur dhe i kujdesshëm me të tjerët, prandaj gëzonte respektin e tyre. Njerëzit, thonë, çmohen nga lartësia e shpirtit, nga gjerësia e mendjes dhe bukuria e pamjes. Xhemajliu i kishte të gjitha bashkë.
Xhema ynë lexonte shumë, por edhe shkruante, poezi, tregime, ndonjë shkrim publicistik dhe mbante ditar. Duke pasur parasysh gjendjen e Kosovës në fillim të viteve tetëdhjetë, kur shpërtheu demonstrata e 11 marsit të vitit 1981, ai në ditar shënonte me një bukurshkrim të rrallë: “Në një situatë të tillë s’do mend se është e paevitueshme demonstrata.”
Disa nga poezitë e tij i botoi në përmbledhjen “Kësi lotësh s’kanë derdhur sytë e mi”, por punime të tjera kanë mbetur në dorëshkrim. Ai shkruante poezi, por edhe i interpretonte bukur ato, si të ishte aktor profesionist.
Zhvillimi dhe zgjerimi i radhëve të rezistencës së organizuar në Kosovë po bëhej në kushte të rënda të përndjekjes sistematike policore. Gjatë dhjetë vjetëve pas Kryengritjes së vitit 1981, regjimi pushtues vrau 183 shqiptarë, prej të cilëve 16 fëmijë dhe plagosi 616 të tjerë. (6) Vetëm në gjashtë vitet e kësaj periudhe u dënuan veprimtarët e tetë organizatave dhe 88 grupeve çlirimtare në Kosovë. (7)
Në zbatim të të ashtuquajturit “Libri i kaltër”, një dokument serbomadh për Serbinë unitariste, hartuar më 1976 dhe të Memorandumit të Akademisë serbe të Shkencave të vitit 1985, satrapi Milosheviq po i përgatiste zhvillimet tragjike për suprimimin e autonomisë së Kosovës.
Lëvizja Kombëtare në këtë gjendje të re dhe shumë të rrezikshme për fatin e Kosovës, ishte e konsoliduar dhe në krye të detyrës. Në anën tjetër minatorët e Kombinatit “Trepça” më 1989 u mbyllën thellë në zgafelle, duke bërë grevë në mbrojtje të Kosovës.

Veprimtari Xhemajli Berisha rezistoi hapur kundër ndryshimeve kushtetuese, duke mbrojtur fitoret e Kosovës të arritura me përpjekje dhe gjakun e bijve të saj.
Më 23 mars 1989, Serbia arriti dhunshëm ta suprimonte autonominë e Kosovës. Atë ditë pranvere shpërthyen sërish demonstrata të fuqishme, me ç’rast u vranë 29 veta. (8) Rezistenca vazhdoi dhe deri në fund të prillit, në altarin e lirisë ranë edhe 71 të tjerë, midis të cilëve edhe Xhemajli Berisha. (9)
Xhemajliu hyri madhërishëm në radhën e dëshmorëve të LPK-së, e të Kosovës, bashkë me veprimtarët e shquar, si Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zijah Shemsiu, Xhemail Blakaj e Ali Ajeti, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu, Bedri Sokoli e Nesimi Elshani, Besim Latifi e Arif Seferi, Tahir Lush Berisha e Hasan Ramadani etj. Ata, sikur edhe dëshmorë të tjerë, u bënë shembull frymëzimi për veprimtarët që ndoqën rrugën e tyre.
Duke pasur parasysh dëshmorët e shumtë që ranë gjatë këtyre viteve në Kosovë, nëna e Xhemajliut, Mihrije Berisha thoshte: “As lumi nuk i mbanë lotët e nënave”.
U derdh shumë gjak dëshmorësh dhe lot nënash, por armiku u shporr e Kosova nuk rënkon më nën pushtimin e huaj, kurse fëmijët e saj lindin dhe rriten në liri.
I përjetshëm qoftë kujtimi për dëshmorin, Xhemajli Berisha!
_______________________
Fusnotat:
1 Xhevat Zekaj, Rrëfim për veprimtarin e çështjes Kombëtare, Xhemajli Berisha
2 Sheradin Berisha, Pashtriku.org, 12 mars 2015
3 Feriz Hoti, Shqipëria dhe shqiptarët në arkivat dhe shtypin gjerman, Nurnberg 1996, f. 122.
4 Xhevat Zekaj, Rrëfim për veprimtarin e çështjes Kombëtare, Xhemajli Berisha
5 Po aty
6 Dr. Pajazit Nushi, Fenomenologjia e dhunës ushtarake-policore në Kosovë në vitet 1981-1992, Tiranë, 1996 f. 283, 285.
7 Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Organizata dhe grupe ilegale në Kosovë 1981-1989, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003, f. 33
8 Feriz Hoti, Shqipëria dhe shqiptarët në arkivat dhe shtypin gjerman, Nurnberg 1996, f. 118.
9 Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Botimi i tretë, Prishtinë, 2011 f. 431

_____________
Referencat:
1. Feriz Hoti, Shqipëria dhe shqiptarët në arkivat dhe shtypin gjerman, Nurnberg 1996
2. Noel Malcom, Kosova një histori e shkurtër, Koha, Botimi i tretë, Prishtinë, 2011
3. Dr. Pajazit Nushi, Fenomenologjia e dhunës ushtarake-policore në Kosovë në vitet 1981-1992, Tiranë, 1996.
4. Dr. Sabile Keçmezi-Basha, Organizata dhe grupe ilegale në Kosovë 1981-1989, Instituti i Historisë, Prishtinë, 2003
5. Sheradin Berisha, Pashtriku.org, 12 mars 2015
6. Film dokumentar: “Veç ditëlindje kanë dëshmorët”
7. Hajrije Berisha, Historik i shkurtër për jetën dhe veprën dëshmorit, Prof. Xhemajli Berisha
8. Xhevat Zekaj, Rrëfim për veprimtarin e çështjes Kombëtare, Xhemajli Berisha
9. Lebit Murtishi, kujtim për dëshmorin Xhemajli Berisha, 14.09.2008, Bernë
10. Mehmet Hajrizi, Histori e një organizate politike dhe demonstratat e vitit 1981, Toena, Tiranë, 2008.
11. Yje të pashuar (Video-incizim)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura