RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (37)

Nga Asllan Muharremi

Në Francë

      Pas një qëndrimi tre-katër javor tek Hafiz Gagica në Shtutgart dhe qëndrimit disaditorë tek Ismail Hoxha në Saarlouis-Roden, me ndihmën e këtij të fundit, kam kaluar në Francë.

     Në Francë kam qëndruar në shtëpi të Ibush Bytyçit, që ishte me prejardhje nga Ferizaj dhe që banonte, prej vitesh, së bashku me familjen e tij në Limeil Brevannes rrethi i Parisit.

      Shtëpia e Ibush Bytyçit ishte një nga pikat më të rëndësishme të LRSShJ-së në rrethin e Parisit. Familja Bytyçi kishte strehuar me dhjetëra veprimtarë të LRSShJ-së dhe vazhdonte t’i ndihmonte të gjithë ata që kishin nevojë për mbështetje, qofshin veprimtarë apo të strehuar rishtazi në rrethin e Parsit.

      Po në atë mes gjendej edhe Ymer Berisha, i cili gjithashtu kishte bërë përpjekje maksimale për strukturimin e Degës së LRSShJ-së në Francë.

  • Ibush Bytyçi me shoqen e tij dhe Xhevat Bislimin

Në shtëpinë e familjes së Ibush Bytyçit jam njohur me  Xhevat Halitin, që kishte strehim politik dhe banonte në të njëjtin qytet. Xhevat Haliti ishte nga fshati Orllan, që shtrihej buzë Liqenit të Batllavës, pas mbarimit të Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, gjatë demonstratave të vitit 1981, bie në sy të policisë dhe detyrohet të largohet nga Kosova. Gjatë takimeve që kam pasur me të në Limeil Brevannes më kanë lënë përshtypje shumë të mira modestia dhe atdhedashuria e zjarrtë e Xhevat Halitit.

    Pak para largimit tim nga Franca, kam pasur një takim me një përfaqësues të Ambasadës Shqiptare. Ky ishte takimi im i parë me një diplomat shqiptar, pas takimit që kisha pasur me Ibrahim Qavollin në Stamboll. Gjatë takimit që zgjati dy-tre orë, biseduam  rreth veprimtarisë sonë në Zvicër e në mënyrë të veçantë rreth organit “Zëri i Kosovës”, që redaktohej dhe udhëhiqej nga Xhafer Durmishi. Qëndrimi i diplomatit shqiptar ishte po ai që e kisha dëgjuar edhe nga shokët tjerë. Nuk pëlqehej vazhdimi i nxjerrjes së organit “Zëri i Kosovës” në Suedi.

     Pas takimit, për mua, gjithçka ishte e qartë: shteti shqiptar ishte kundër vazhdimit të daljes së organit “Zëri i Kosovës” që e nxirrte krahu ynë. Edhe kësaj radhe qëndrimi i shtetit shqiptar motivohej me “përçarjen” që po i shkaktonte masës së mërgimtarëve dalja e dy organeve!

    Ndjehesha shumë i zhgënjyer më këtë qëndrim të përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Megjithëkëtë isha i bindur se vija politike që kishte ndjekur “Zëri i Kosovës”, që botohej në Suedi, ishte e drejtë dhe plotësisht në përputhje me interesat dhe përpjekjet e popullit tonë për liri dhe barazi në kuadër të Federatës Jugosllave. Mirëpo, fatkeqësisht kjo punë nuk shihej kështu nga shteti shqiptar dhe këtu qëndronte e keqja!

     Ndonëse isha i bindur se vija jonë politike ishte e drejtë, unë nuk mund t’i mbyllja veshët dhe sytë pas një qëndrimi të tillë të shtetit shqiptar. Edhe më tutje mendoja se shteti shqiptar duhet ta gjykojë më drejtë se unë këtë çështje dhe se veprimtaria jonë duhej të zhvillohej në përputhje dhe bashkërendim me interesat edhe të shtetit s hqiptar, se ne nuk duhet të bëjmë veprime që janë në kundërshtim me këto interesa.

      I “dërmuar” shpirtërisht nga biseda me përfaqësuesin e Ambasadës Shqiptare në Paris dhe qëndrimet e tij lidhur me veprimtarinë politike në emigracion dhe sidomos rreth daljes së “Zërit të Kosovës”, shokëve në Zvicër, Gjermani dhe Suedi u kam propozuar që ta ndërpresim daljen e “Zërit të Kosovës” dhe të mendojmë për krijimin e shoqërive patriotike apolitike e cila pastaj do të nxirrte ndonjë organ apo revistë të saj! Propozimin tim e kam motivuar se dalja e organit po shkakton “përçarjen e masave” në radhët e mërgatës sonë…

     Letra ime dhe propozimi i saj është kundërshtuar nga shokët Xhafer Durmishi, Haxhi Berisha, Elmaz Ademi dhe Demë Mustafaj. Shokët e kanë quajtur propozimin tim “historik” “absurd” dhe të papranueshëm. Në dy letra që kam marrë: një nga Xhafer Durmishi dhe një tjetër nga Elmaz Ademi, Haxhi Berisha dhe Demë Mustafaj është treguar vendosmëria e shokëve për vazhdimin e daljes së “Zërit të Kosovës” dhe është kundërshtuar propozimi im. Shokët me argumente të shumta e kanë mbështetur domosdoshmërinë vazhdimit të daljes së “Zërit të Kosovës” dhe vazhdimin e veprimtarisë sonë në shërbim të lirisë.

      Përkundër faktit se unë kisha dal me propozimin për ndërprerjen e “Zërit të Kosovës” që botohej në Suedi, qëndrimin e shokëve e konsideroja të drejtë.  Unë e dija se ata besonin, ashtu si unë, se vija  jonë politike ishte e drejtë. Këtë e kisha dëgjuar nga shokët, por këtë e kishte shprehur edhe shoku ynë, Xhafer Durmishi, nëpërmjet shkrimeve të tij në “Zërit të Kosovës”.

      Mirëpo, për mua, kjo nuk ishte e mjaftueshme, sepse qëndrimi i shtetit shqiptar peshonte më rëndë se sa drejtësia e qëndrimit tonë! Unë mendoja se nuk ishte e mjaftueshme që vetëm ne të kishim drejtë, sepse mendoja se të drejtë në punën tonë duhej të na jepte edhe shteti shqiptar. Edhe më tutje mendoja se diplomatët shqiptarë na “mbanin në grusht” dhe mund të na e “ndalnin” frymën kur të dëshironin! Mjaftonte ta takonin një nga shokët tanë dhe brenda pesë minutave, në të gjithë botën, të përhapej “lajmi” se ky apo ai shok ishte i dyshimtë, i çuditshëm e të tjera. Diplomatët shqiptarë mund të na bënin hero, krye-hero e të na çonin në kupë të qiellit, jo vetëm ne që ishim me mendje e shpirt me ta, por edhe ata që me të vërtetë ishin kundër luftës së drejtë të populli tonë për barazi, liri dhe çlirim!  Gjithnjë e më shumë më shkonte mendja e “mbrapsht” se shteti shqiptar na trajtonte ne siç ia donte “pazari i ditës” dhe se “çmimi i vlerës” sonë ishte në përputhje me interesat e politikës ditore shqiptare!

     Unë për vete po e kuptoja gjithnjë e më shumë se kështu si po sillej me ne, diplomacia shqiptare, ishte sjell edhe ndaj Sabri Novosellës, Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe shumë e shumë veprimtarëve të tjerë, prandaj duke mos dashur të mos bëjë asgjë që nuk e pëlqente shteti shqiptar, unë pata dal me propozimin që ne  “t’i dorëzojmë” armët! Unë për vete nuk gjeja forcë e as energji të bëja diçka që nuk i pëlqente shtetit shqiptar.

      E kisha dëgjuar edhe nga Sabri Novosella qëndrimin e diplomacisë shqiptare edhe ndaj Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës.  E  kisha dëgjuar edhe qëndrimin e shtetit shqiptar, para përplasjes sonë me Xhafer Shatrin. E njihja qëndrimin që kishte mbajtur shteti shqiptar menjëherë pas daljes së numrave të parë të “Zërit të Kosovës” në Suedi, por po e dëgjoja qëndrimin e tanishëm, pas numrit të tetë, që ishte krejtësisht i ndryshëm! Kisha përshtypjen se diplomatët shqiptarë ne na shikonin edhe si mundësi, edhe si pengesë edhe si vëllezër edhe si armiq…! Kjo po më shqetësonte shumë!

    Mirëpo unë kisha dëgjuar nga shokët se Sabri Novosella, gjatë ditëve të qëndrimit tij në banesë të Haxhi Berishës në Zvicër, shpeshherë, gjatë vizitave në banjë, ishte dëgjuar duke lëshuar të shara me zë të lartë në adresë të “bandës kriminale të Tiranës”, por pas kthimit në dhomën e ditës shokëve u kishte thënë: “Rroftë Partia e Punës dhe shoku Enver!” Gjithashtu nga shokët kisha dëgjuar se Jusuf Gërvalla ishte përlotur pas takimeve me diplomatë të shtetit shqiptar. E kisha kuptuar gjithashtu se as Xhafer Durmishi nuk i takonte me entuziazëm të madh diplomatët shqiptarë. Vallë kah t’ia mbanim, pyetja vetën? Ngado që mendja më thoshte, të nisesha, shikimin e mbaja kah Shqipëria. Nuk kishte alternativë tjetër.  Edhe unë vazhdoja të thirrja “Rroftë Partia e Punës dhe shoku Enver!”  

     Megjithëse i kisha “dorëzuar  armët” nuk e kisha ndërmend t’i ndërprisja kontaktet e me shtetin shqiptar. Kah dreqi t’ia mbaja?! Të gjitha dyert e botës më dukeshin të mbyllura! Askush nuk na e qante hallin tonë!  

                                        ***

    Pas kalimit të serishëm në Gjermani dhe qëndrimit disaditor në Shtutgart tek Hafiz Gagica, me ndihmën e Ali Ademit nga fshati Pestovë e Vushtrrisë, që ishte një veprimtar i shquar i Lëvizjes në Hamburg të Gjermanisë dhe jetonte e punonte aty prej shumë vitesh, u nisëm për Suedi. Nga Hamburgu në Kopenhagë kaluam pa asnjë problem. Ali Ademi ia dorëzoi konduktorit të trenit në Hamburg dy pasaporta dhe kur erdhën policia kufitare daneze ne ishim “shtrirë për të fjetur”. Ata vetëm e hapën derën e kabinës dhe sapo panë se ishin duke fjetur dy udhëtarë  e mbyllën derën dhe shkuan më tutje. Të nesërmen në mëngjes, pak pa arritur në Kopenhagë, Ali Ademi ju drejtua konduktorit dhe i mori pasaportat tonë. 

     Nga Danimarka në Suedi unë hyra pa pasaportë. Në vendkalim u rreshtova pasë turmës së pasagjerëve që zbritën nga trageti Kopenhagë – Malmo dhe pa e ditur se ai rresht ishte vetëm për nënshtetasit e vendeve Skandinave kalova në Suedi pa më pyetur njeri. Ali Ademit në rreshtin e të huajve ia kërkuan pasaportën dhe u takova përsëri me të brenda në territorin suedez.

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________________

RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (38)

Nga Asllan Muharremi

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura