PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (7)

Pashtriku.org, 10. 05. 2015  -Ishte e çuditshme se si pak kohë pas Konferencës së Parë të Vendit erdhi S.V.Tempo, dhe, me një arrogancë e prepotencë të paparë, deshi të hidhëte poshtë gjithë vijën e Partisë sonë. Si, duket, udhëheqja e PKJ-së nuk ishte e kënaqur ngaqë Bllazho Jivanoviqi nuk mundi ta kryejë si deshën ata rolin që i kishin caktuar, prandaj dërguan Tempon me “vërejtje” e “kritikë” ,me planin për “Shtabin ballkanik”, për të futur në një thes “federativ” Shqipërinë, Bullgarinë e Greqinë. Vërejtjet dhe propozimet e tij absurde e arrogante nuk mund t’i pranonim dhe u grindem e u ndamë keq me të si unë edhe Miladini. Që në këtë kohë ai përpunoi Koçi Xoxën dhe e nxiti për prapaskena kundër udhëheqjes së shëndoshë të Partisë sonë, por Tempoja s’kishte kohë që të ndalej më shumë në Shqipëri , se kishte plane “të mëdha” dhe me komunistet grekë e bullgarë .
Pikërisht në këtë periudhë nisi të shfaqej konflikti i ashpër midis nesh dhe udhëheqjes së PKJ-së e që më pas erdhi gjithnjë duke u acaruar. Ky konflikt në fillim dukej sikur shkaktohej nga personat e dërguar, siç qe rasti me Tempon në verën e vitit 1943 apo Velimir Stojniqit e Nijaz Dizdareviqit në verën e vjeshtën e 1944-së, por koha do të vërtetonte se rrënjët dhe synimet e konfliktit ishin shumë më të thella, të paramenduara prej kohësh e tepër armiqësore
Më vonë shton autori se si i kujtohet Hoxhës ”Që, në kohën kur Miladini u urdhërua të kthehej në Kosovë, para se të ndahej nga ne, duke shëtitur unë dhe ai u ngjitëm në kodrat e Odriçanit, e, duke biseduar, ai më tha: Taras, dëgjo, këta , Stojniqi dhe Dizdareviqi, janë armiq. Vetëm në mos u pjeksha dot me Titon, se këta dhe të gjithë ata që i kemi luftuar së bashku, do ti demaskoj” .
Por, shpejt ne do të bindemi që vetë udhëheqja jugosllave, me Titon e Rankoviqin në krye, ishte dora që i kishte përgatitur e i kishte dërguar te ne, për veprimtari antiparti e antishqiptare, Mugoshët, Vukmanoviqët, Stojniqët e të tjerë. Dhe më pas, kur tradhtia e tyre doli sheshit, fabrikuan “libra të bardha” e broshura, artikuj e “kujtime”, një propagandë të tërë false e të ndyrë për të detyruar opinionin që të besojë se ata kanë krijuar këtë e atë, se ata e bënë këtë e atë, shkurt, ata na e paskan bërë diellin të dalë mëngjeseve në Shqipëri .
Këta flasin shumë për të dërguarit jugosllavë, të cilët erdhën për herë të parë nga Kosova në Shqipëri në gjysmën e dytë të vitit 1941, por nuk përmendin një fakt real: qysh në pranverën e 1939-të më 1940, por sidomos pas prillit 1941, kur hynë italianët në Kosovë, nga Shqipëria u dërguan në Kosovë një numër i komunistëve, me origjinë nga ato anë, por që prej kohësh ishin bërë këtu komunistë e vepronin këtu si komunistë. Ata dhanë një kontribut për organizimin e Partisë dhe të LNÇ-së në Kosovë e gjetkë , shumë prej tyre dhanë jetën në zjarrin e luftës.
Po kështu në vitin 1941, por edhe më pas, nga Shqipëria shkuan në Kosovë e në krahina të tjera me popullsi shqiptare në Jugosllavi, dhjeta e dhjeta mësues shqiptarë . Ne, komunistet e atëhershëm, duke shfrytëzuar këtë rast legal, u përpoqëm dhe mundëm të futnim në përbërjen e atyre që u dërguan në Kosovë elementë patriotik e revolucionarë, shumë nga shokët, miqtë e simpatizantët e grupeve tona komuniste, e më pas, të Partisë Komuniste që krijuam. Ata me porosinë tonë dhanë atje një kontribut të ndjeshëm, duke përkrahur e duke u hedhur aktivisht në luftën antifashiste të popullit trim kosovar, vëllezërve tanë të një gjaku .
Dihet edhe kjo e vërtetë shton autori se: njësi të tëra të Ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, me urdhër të Shtabit tonë të Përgjithshëm, që në ditët e para të tetorit 1944, kur akoma s’qe çliruar plotësisht Shqipëria, vazhduan luftën heroikisht në Kosovë, kurse pas çlirimit të vendit, brigada të tjera të ushtrisë sonë ( dy divizione: V dhe VI ), vazhduan luftën edhe në viset të tjera të Jugosllavisë, krah për krah me njësit e partizanëve kosovarë e të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë. Disa qindra prej partizanëve tanë dhanë jetën në Kosovë, në Mal të Zi, në Sanxhak e në Bosnje ku luftuan .
Terrenin e falsifikimeve të ardhshme ata e përgatitën qysh më 1945. Jo shumë kohë pas çlirimit të Kosovës Miladin Popoviqin e vranë prapa krahëve njerëzit e UDB-es, sepse ishte shprehur për të drejtën e popullsisë shqiptare në Kosovë për vetëvendosje. Për këtë kemi bindje dhe fakte të plota jo vetëm nga bisedat që bënim me Miladinin, kur ishte në Shqipëri, por në Arkivin e Komitetit Qendror të Partisë sonë kemi dokumente që flasin qartë për këto pikëpamje të komunistit internacionalist, Miladin Popoviqit. Pas kësaj njerëzit e Titos trumbetuan se vrasjen gjoja e paskësh bërë… një shqiptar kosovar! Dhe ku? Mu në tavolinën e punës, në shtëpinë që ruhej nga partizanë jugosllavë! E gjithë kjo farsë kriminale qe organizuar, pra, me cinizëm më të madh nga Titoja me Rankoviqin dhe shokët e tyre, në mes të të cilëve edhe Dushan Mugosha, për të fshehur gjurmët e tradhtisë së tyre karshi nesh. Njeriu, që ata e urrenin dhe e vranë, sepse ai s’mund të pajtohej me veprën e tyre armiqësore ndaj komunizmit, i vunë dekoratën e heroit të popujve të Jugosllavisë. Ky veprim u shkon vetëm banditëve të tillë, për të cilët populli thotë: “Të vrasin natën e të qajnë ditën” përfundon shkrimin.

4. 4. Aktualiteti jugosllav dëshmon të kundërtën –

Në një punim që le mbresa për gjendjen aktuale në Jugosllavi, është edhe teksti me titull “Dëshmi e kalbëzimit të “vetëadministrimit” titist”. Aty thuhej se ka kohë që propaganda në Jugosllavi po bënte një zhurmë shurdhuese rreth Kongresit të ashtuquajtur të “vetëadministrusve”, që ishte mbajtur kohët e fundit në Beograd . Në fjalimet e krerëve si dhe në komentet e shumta që kishin mbushur faqet e shtypit jugosllav, e kishin ngritur në qiell “rendësin e madhe” të këtij kongresi, i cili cilësohej si “ngjarje e madhe”, “ e jashtëzakonshme”, bile edhe “historike”! Si zakonisht në raste të tilla, kjo zhurmë u shoqëronte edhe me himne e ditirambe plotë absurditet e monotoni kushtuar Titos e “vetëadministrimit”, “vëllazërim- bashkimit” e “mosangazhimit” etj,,, Në këtë punim autori paraqiste gjendjen e mjeruar në ekonomin jugosllave, dështimet e shumta që ndodhnin në te . Ngase edhe vetë pjesëmarrësit e kongresit dëshmonin një gjë të tillë. Kishte kohë që në Jugosllavi flitej e shkruhej me të madhe për të ashtuquajturën “punë e bashkuar” dhe ligjin e saj, për “pozitën dominuese të punëtorëve në të”, për “ zotërimin e riprodhimit nga punëtorët”, për “ndarjen sipas punës” etj. Se çfarë ishte gjendja e vërtetë në këtë fushë, tregon më së miri gjendja e vështirë dhe gjithnjë më e padurueshme, në të cilën ndodhën masat punonjëse, tregon edhe ajo që u tha në Kongres. Edhe vetë Mika Shpilaku, që kishte paraqitur referatin kryesor, ishte detyruar të pranonte se “ në dekadën e shkuar… tjetërsimi i të ardhurës nga punëtorët edhe më tej ka ngelur dominues” , kurse shumë delegatë punëtorë kishin theksuar hapur se puna e mundi i tyre ishte shfrytëzuar në mënyra të ndryshme, të hapura e të fshehta.

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, 10 korrik 1982: Nga e djathta në të majtë – Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Gani Sylaj, Nezir Myrtaj dhe Berat Luzha. Ky është grupi i parë prej 19 anëtarëve të OMLK’së. Në foto mungon Hydajet Hyseni, i cili nuk u paraqitë në gjykim me arsyetimin e Trupit Gjykues se ai është i sëmurë. Drejtuesit e grupit protestuan, duke e bërë të pamundur mbajtjen e seancës së parë, sepse ëshët dyshuar se Hydajeti është vrarë. (Shënim i editorit të pashtriku.org, sh.b)

Edhe vet Stane Dollanci në referatin që kishte paraqitur, ishte detyruar të pranonte se sistemit i delegimit, “marrë në tersi, nuk ka arritur rezultate të kënaqshme dhe kishte pasur ngecje në punën e tij”, kurse delegatët tjerë në diskutimet e tyre, kishin folur edhe më hapur për “ mosfunksionimin e sistemit të delegimit”, për “ pjesëmarrjen formale e simbolike dhe hapësirat e ngushtuara për vendosjen e punëtorëve”, për “ mungesën e çdo kontrolli punëtor dhe pamundësinë që punëtori të thotë fjalën e vet dhe të ndikojë në vendosjen e çështjeve më të rëndësishme”, për “disproporcionin e madh në mes të asaj që thuhet e asaj që bëhet, në mes të normativës dhe reales”. Ishte domethënës fakti që edhe në këtë kongres gjoja të punëtorëve shumica dërmuese e delegatëve ishin jo punëtor, por burokratë e funksionar të rangjeve të ndryshme” përfundon autori.
4.5. Krizat ekonomike në Kosovë
Në artikullin e Nezir Myrtës “Thellohet kriza ekonomike e Kosovës thuhet se vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 1981, në Kosovë ishin regjistruar mbi 1,4 miliardë dinarë humbje më shumë se gjatë gjithë vitit të mëparshëm. Në krahasim me një vit më parë, në maj të këtij viti çmimet u rritën 52,6%, kurse kostoja e jetesës 53,4%. Gjatë pesë vjetëve të ardhshme, supozohej se punë dot kërkonin mbi 180 mijë të papunë të rinj. Ndërsa u zhvillonte “më shpejt “ apo po ngecte edhe më shumë Kosova. Të tëra këto autori i kishte paraqit në shkrimin “Thellohet kriza ekonomike në Kosovë”.Në fushatën e gjerë propagandistike që po bënin pushtetarët jugosllavë rreth demonstratave të Kosovës, po flitej me të madhe edhe për gjoja sukseset që ishin arritur në ekonomin e Kosovës gjatë muajve të parë të vitit 1981, e sidomos gjatë kohës së demonstratave që u bënë . Në këtë mënyrë, ata donin të thoshin se klasa punëtore, jo vetëm që nuk mori pjesë në këto greva e demonstrata , po përkundrazi ajo i kishte dënuar ato dhe mobilizuar që të punonin edhe më tepër, bile edhe ta tejkalonin planin e prodhimit.
Gjatë katër muajve të parë po të njëjtit vit (1981), prodhimi industrial, sipas të dhënave që jepnin, pushtetarët ishte rreth 3% nën shkallën e planifikuar. Në shumë degë të ekonomisë e në ndërmarrje të mëdha si “Trepça”, “Kosova” etj, nuk po arriheshin as për së afërmi rezultatet e parashikuara .
Veçanërisht të rëndë e bënin gjendjen në ekonomin kosovare humbjet e mëdha financiare, të cilat, siç shkruante “Rilindja”, vetëm për 3 muajt e parë të vitit, ishin shtuar jo më pak se 1,4 miliard dinar. E që ishin më të mëdha se të gjitha humbjet që ishin regjistruar gjatë vitit të mëparshëm, shumica dërmuese e të cilave ishin akoma të pambuluara. Pjesa më e madhe e këtyre humbjeve , ashtu si edhe më parë, shënonte në degë kryesore të ekonomisë, në industri , xehetari, ndërtimtari etj.
Nga propaganda serbomadhe bëhej zhurmë e madhe edhe rreth të ashtuquajturit “nacionalizëm ekonomik”, i cili , sipas asaj , qenka prezent edhe në Kosovë. Mirëpo faktet tregonin se ekonomia e Kosovës , më pak se çdo ekonomi tjetër në Jugosllavi, ishte e mbyllur në vetvete. Mallrat e firmave jugosllave bënin gara konkurruese në tregjet e Kosovës në një kohë që mallrave kosovare u kufizohet plasim në tregjet e tjera, dhe, si pasojë e saj, depot e ndërmarrjeve kosovare mbusheshin me stoqe të shumta . Firma e ndërmarrje të të gjitha republikave të Jugosllavisë kishin hapur anë e këndë Kosovës, qindra njësi të tyre tregtare, kurse ndërmarrjet kosovare detyroheshin ti mbyllnin shitoret e tyre edhe në Kosovë.
Vështirësi të shumta i kishin dal Kosovës për plasim të mallit të saj në tregjet e jashtme. Shumë mallra kosovare, që dot mund të eksportoheshin në tregjet e jashtme , grabiteshin me çmime fare të ulëta nga borgjezia jugosllave, e cila pastaj nxirrte prej tyre fitime të mëdha. Dihej nga të gjithë se prodhimet e “Trepçës”, firmat jugosllave i marrin me çmime shumë të ulëta, që s’u afroheshin çmimeve reale në tregun botëror, kurse energjinë elektrike, që prodhohej në Kosovë, kosovaret e paguanin më shtrenjtë se sa e paguanin atë në republikat jugosllave . Për sigurimin e lëndëve të para dhe të teknologjisë nga jashtë, Kosovës i jepnin fare pak leje e deviza, kurse vështirësi e pengesa të shumta administrative nxirrnin asaj edhe në fushën e eksportit . Në kushte të këtilla, nuk ishte çudi që vetëm gjatë 4 muajve të parë të vitit deficiti tregtar të arrihej edhe në mbi 1,6 miliardë dinar.
Në gjendje më të mirë nuk ishte as tregu i brendshëm në Kosovë, i cili kishte kohë që ishte boshatisur. Para demonstratave ishte vështir të gjeje edhe artikujt më të domosdoshëm për jetesë, si miellin, kripen, sheqerin, detergjentet etj. Gjatë kohës sa zgjatën demonstratat dhe menjëherë pas tyre, furnizimi i tregut sikur ishte përmirësuar. Pse kishte ndodhur kjo kështu? Nuk ishte ndier më mungesa e mallrave, ishte thyer ajo krizë, apo ato ditë u punua “ me vullnet të pathyeshëm” dhe u prodhua më tepër që të ketë edhe për Kosovën. Jo, kishte ndodhur kështu, për hir se borgjezia jugosllave dhe krerët e saj u gjenden në pozitë të rëndë dhe mungesat në treg e rëndonin edhe më shumë gjendjen në Kosovë. Këtë e dëshmon më së miri edhe ajo që ndodhi më pas. Atëherë që lufta sikur u qetësua pak, dollapët e shitoreve ishin zbrazur përsëri, anarkia e kaosi në treg po vazhdonin. Populli i Kosovës nuk gjente sheqer as për ilaç, në kohën që sheqeri i tij eksportohej jashtë Jugosllavisë apo dërgohej nëpër republikat jugosllave. Vetëm në dhjetor të vitit 1980 nga fabrika e sheqerit në Pejë ishin dërguar në Itali jo më pak se 1533 tonë sheqer . Kështu veprohej edhe me millin, vajin e produkte të tjera.
Një rritje e paparë gjatë muajve të parë të vitit 1981 shënonin edhe çmimet e mallrave dhe të shërbimeve të ndryshme. Në fund të majit të po të njëjtit vit ato ishin 52,6% më të larta se në majin e vitit të mëparshëm. Si pasojë e kësaj edhe kostoja e jetës , ishte shtuar si asnjëherë më parë, duke e bërë edhe më të padurueshme jetën e masave punonjëse. Në krahasim me dhjetorin e vitit 1980, në maj të një viti më vonë, ajo ishte shtrenjtua për 23,8%, kurse në krahasim me një vit më parë-53,4% .
Se sa ishte zhvilluar “me shpejt” Kosova, tregonte edhe fakti se më 1978 pjesëmarrja e Kosovës në popullsinë e përgjithshme të Jugosllavisë ishte rreth 7%, kurse pjesëmarrja e saj në të ardhurat kombëtare të Jugosllavisë, vetëm 1,9%. Ndërsa në vitin 1953 prodhimi shoqëror i Kosovës për një banor ishte 46,1% nën mesataren e Jugosllavisë, më 1979 ai kishte rënë në gjithsej 28%, kurse gjatë dy vjetëve të fundit, ai kishte zbritur edhe më shumë. Gjatë pesëvjeçarit që kishte shkuar, ekonomia e Kosovës jo vetëm që nuk ishte zhvilluar 60% më shpejt se mesatarja jugosllave , siç planifikohej , por përkundrazi, ajo mbeti për 50% nën këtë mesatare , konstaton autori.
Pas ngjarjeve të fundit (1981), Kosovën e vizitonin funksionarë e grupe të ndryshme punuese nga Serbia e Jugosllavia. Të gjithë ata i “preokuponte” gjendja e vështir në të cilën ndodhej ekonomia e Kosovës dhe u angazhonin për “zhvillimin e saj sa më të shpejt”! Por, se çka i kishte preokupuar ata në të vërtetë, se çfarë zhvillimi të Kosovës dëshironin ata, tregonte më së miri potencimi nga të gjithë ata i nevojës së intensifikimit të eksploatimit të mëtejshëm të thëngjillit dhe pasurive të tjera.
Gjendja edhe ashtu e rëndë në ekonominë e Kosovës, e kishte rënduar edhe më tepër përballimi i shpenzimeve për policinë, UDB-en dhe ushtrinë okupuese, që ishin dyndur në Kosovë pas demonstratave.
Në këtë numër të revistës prezantohen edhe dy poezi, ngase gjerë më tani në këtë revistë nuk hasim në to, me gjasë anëtarët e redaksisë nuk e kishin parë të arsyeshme që të botonin poezi, se populli shqiptar u ballafaqonte me problemet që ishin të rënda dhe shumë të mëdha por edhe për faktin që nga “Liria” ishte botuar përmbledhja në poezi “Këngët e lirisë”. Këto poezi, kishin përmbajtje patriotike. Poezia e Hydajet Hysenit “Zemra speciale” ka 7 strofa me një rimë të përkryer. E tërë poezia i kushtohej demonstratave studentore të vitit 1981. Po i prezantojmë vetëm ca vargje: /Por, s’na trembni, këlyshë të Drazhës/ Ju të etur gjarpinj të gjakut/ Na jemi bijtë e Mic Sokolit,/ Motra e vëllezër të Emin Durakut, për të vazhduar me vargjet:/Armë e çelik- e dimë- ju keni/ keni tanke e avionë/ Po grushti i ynë i bashkuar/ Është më i fortë se çdo atom. Dhe poezia tjetër e Hydajet Hysenit: “Të gjithë shqiptarët –Mic Sokola”,po ashtu ka përmbajtje patriotike, që në një mënyrë të shkëlqyer shkruan për trimëritë e djemve dhe vashave që morën pjesë në demonstrata, dhe pa iu frikuar fare armikut dhe as tankeve të tyre, vërsulen mbi ta e mitraloz dhe mu nga kjo del dhe titulli i poezisë se të gjithë shqiptaret janë Mic Sokola.: Kam parë birin e Kosovës/ Tankut para si i doli/ Para grykës hapi gjoksin/ Sokëllin si Mic Sokoli, për të vazhduar :Kam parë vajzat e Kosovës/ Kam parë nëna shamizeza/ Qëndronin përballë dushmanit/ Si Shotë Galica e Mine Peza.
4. 6. Vrasja e Viktor Emanuelit të III-të
Në shkrimin e Nasho Jorgaçit “Atentat kundër perandorit”, autori shkruante për aksionin që e kishte marr rinia shqiptare për vrasjen e Emanuelit të III-të , perandor i Italisë. “Në prill të vitit 1939, Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, duke kryer një agresion barbar kundër vendit. Me këtë akt ajo synonte të realizonte ambiciet e saj imperialiste për ta kthyer Shqipërinë në një koloni të saj të përhershme. Në atë kohë rezistenca e popullit shqiptar kundër zaptuesve fashist ishte në rritje. Anëtarët e grupeve komuniste ishin hedhur në veprime konkrete, çetat e para kryengritëse ishin organizuar në krahina të ndryshme të vendit: kurse patriotët- punëtorë, fshatarë e intelektualë përparimtar zhvillonin një rezistencë gjithnjë në rritje kundër masave kolonizuese e shkombëtarizuese që kishin ndërmarrë fashistet në të gjitha fushat e jetës. Në këtë situatë shumë të rëndë, kishte dal nga radhët e tyre, si shprehës i aspiratave liridashëse të gjithë patriotëve e të masave të gjëra , i riu punëtor 21 vjeçar Vasil Laçi , i biri i një familjeje të varfër nga katundi Piqeras i bregdetit të Sarandës, i cili kishte shti me revole kundër perandorit fashist në Tiranë, ndërsa po largohej nga Shqipëria. Jeta e vështirë, padrejtësitë e shumta, robëria dhe skamja e kishin detyruar të riun që të ngre revolen në kreun e okupuesit dhe ata që e njohën nga afër Vasilin, tregonin, thotë autori i këtij shkrimi se nën ndikimin e faktorëve, ndodhi tek ai një zgjim i shpejtë i ndërgjegjes politike, kishte nisur procesi i formimit të tij si luftëtar kundër pushtuesve fashistë. Kjo e tëra shpjegon atë ndjenjë të fuqishme patriotike që u zgjua te Vasili e që u rrit e u shtua gjatë javës që mbreti udhëtonte nëpër Shqipëri. Ai i kishte ndjekur me kujdes lëvizjet e “korteut” mbretëror, duke mposhtur në heshtje zemërimin e përgatitjes shpirtërisht për aktin e tij heroik. Atentatin që bëri Vasil Laçi (në kohën kur ndodhi), pati jehon të madh në Shqipëri e në arenën ndërkombëtare. Akti i tij ishte bërë shembull frymëzimi në luftën e madhe Antifashiste të popullit, e cila me themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, në nëntor 1941, ishte shndërruar në luftë të organizuar revolucionare që shpuri në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe e bëri popullin zot të fateve të tij, kështu thotë autori i shkrimit .
4. 7. Letrat e hapura të mërgimtarëve tanë
Nuk ishin të rralla letrat që iu dërgoheshin mërgimtarëve tanë në mërgim nëpër mes të shtypit ilegal. Në këtë frymë është e shkruar nga Kadri Zeka, edhe kjo letër që iu dedikohet punëtorëve tanë në mërgim.”Të dashur vëllezër,” fillonte letra, “Një mjet i rëndësishëm në duart e armiqve tanë shovinistë për sllavizmin e tokave shqiptare, ka qenë dhe mbetet shpërngulja e shqiptarëve nga trojet e veta shekullore. Titistët, këta armiq të përbetuar të popullit tonë, si erdhën në fuqi, kurdisën plane të reja për ta ngritur në sistem këtë politikë. Atyre nuk iu mjaftuan marrëveshjet e konstruktuara të Jugosllavisë Monarkiste me Turqinë për dëbimin e shqiptarëve dhe vendosjen e tyre në shkretëtirat e Anadollit, por arritën marrëveshje të reja me reaksionin turk, për dërgimin në Turqi të kontingjenteve të reja të shqiptarëve. Sipas statistikave që japin vetë administrata jugosllave, del se regjimi antipopullor i Titos i kishte dëbuar me dhunë e presione qindra mijëra shqiptarë në shkretëtirat e Anadollit e gjetkë. Më vonë, kur shovinistet serbomëdhenj iu bë e pamundur një formë e tillë, e vrazhdët, e shpërnguljes së shqiptarëve, ata shpikën një formë të re, më të rafinuar, atë të emigrimit ekonomik, që në fakt nuk ndryshon nga e para. Skamja dhe mjerimi i madh thotë autori i letrës “ papunësia e presionet që ushtroi pushteti, kushtëzuan që kurbeti për popullin tonë të bëhet një fenomen masiv. Sot janë të pakta ato familje që nuk kanë së paku një anëtar të mërguar. Kështu njerëzit tanë u detyruan të shiten tek kapitalistet e huaj, të shkojnë e të mëkëmbën ekonominë gjermane… Kurbeti është një plagë e vjetër e popullit tonë. Për të tregohen rrëfimet më rrëqethëse e këndohen këngët më të trishtuara. Ne, vëllezërit dhe motrat tuaja në Kosovë, jemi të vetëdijshëm për gjendjen tuaj të vështirë e jetën e rëndë që bëni… Për çdo ditë bijtë e Kosovës marrin valixhet në duar, përshëndetën me njerëzit e vet me lot në sy e me dhembje të thellë, përshëndetën me prindërit që, ndoshta, nuk do ti shohin kurrë më të gjallë, me gratë që pran burrave mbetën të veja, me fëmijët që mbetën jetim , ndonëse me babin gjallë. Përshëndetën me vatrën e tyre të dashur , me tokën e lumin, me malin e fushën , e cila nuk bleron për ta, me burimet pranë të cilëve kanë kaluar ditët e bardha të femërisë, përshëndetën me varret e të parëve, përshëndetën se është punë që nuk i dihet. Gjakpirësit titist nuk harrojnë të organizojnë edhe “pritje” për punëtoret e mërguar kur këta vijnë për pushime. Në këto farë “pritjesh”, udëbashët e shumtë i kërcënojnë punëtoret të mos shoqërohen me punëtoret e vendeve ku punojnë, të mos solidarizohen me ta e të mos organizohen në sindikata, të mos lexojnë ndonjë revistë shqiptare e të mos e dëgjojnë radion e Tiranës etj. Për të gjitha këto raste, kërcënoheshin udbashët, ne do ju burgosim e t’ju marrim pasaportat. Në vend, që, sipas “lirive” e “demokracisë” së madhe, të interesohen për kushtet e rënda të jetës e të punës së punëtorëve tanë të mërguar, titistet kujdesën që punëtoret tanë të prishen e të degjenerohen sa më shumë. Të humbin çdo ndjenjë kombëtare e progresive. Për këtë qëllim, titistet kanë ngritur si këpurdhat pas shiut, klubet e ashtuquajtura të punëtorëve, ku shfaqin filma pornografikë, që sjellin nga Jugosllavia, organizojnë në këto klube koncerte me hipik nga Jugosllavia, shpërndajnë gazeta e revista të degjeneruara, që titizmi i ka me bollëk .
5. “LIRIA”, NR. 6. PËRMBYLL NJË VEPRIMTARI TË SUKSESSHME TË INFORMIMIT ILEGAL
5. 1. Dënime drakoniane për demonstruesit shqiptarë

Sikurse edhe numrat e tjerë të revistës ilegale “Liria” edhe ky numër trajtonte tema të nxehta aktuale politike të kohës të cilat pasuan pas ngjarjeve të vitit 1981. Revistës që në fillim i printe punimi i Nezir Myrtës, anëtar i Komitetit Drejtues të Organizatës, me titull “Dënimet e rënda nuk mund ta frikësojnë popullin tonë” që përcillej me një grafikë e Hydajet Hysenit, që paraqiste të rinjtë shqiptar në proceset e ndryshme gjyqësore. Autori i shkrimit, e që për lexuesit ngelte ende i panjohur, në mes tjerash shkruante “Një valë e egër dhune e terrori ka shpërthyer kudo në Kosovë, pas demonstratave dhe grevave të këtij viti. Çetniket e Beogradit e këlyshët e tyre tradhtarë, nuk u mjaftuan vetëm me vrasjen e dhjeta bijve e bijave te popullit, por vazhduan valën e masave të egra ndaj popullit e rinisë sonë me pushime nga puna, largime nga shkollat e fakultetet, burgosjet e dënime të rënda.
Me të drejtë opinioni botëror, po i vlerësonte masat drakoniane si të papara, pas Luftës së Dytë Botërore. Masa të tilla të egra populli i ynë nuk mbante në mend as nga koha e kralëve të Jugosllavisë, as gjatë pushtimit nazifashist dhe as gjatë kohës së zezë të xhelatit Rankoviç. Për më shumë se një muaj mjetet jugosllave të informimit jepnin njoftime të përditshme për proceset e shumta gjyqësore që u zhvillonin në Kosovë.
Në ato procese të pambarimta u dënonin punëtorët, fshatarët, studentët, nxënësit, intelektualët , policët e ushtarët. Numri i të gjithë të dënuarve politik shqiptarë ishte vështirë të dihej, meqë shtypi jugosllav, nuk i publikonte dhe e zvogëlonte numrin e tyre. Sipas vetë shtypit jugosllav, gjatë më shumë se 30 proceseve gjyqësore që u zhvilluan, u dënuan me burgim të rëndë gjerë në 15 vjet jo më pak se 245 veta . Mesatarja e dënimeve të shqiptuara arrinte në më shumë se 8 vjet, kurse po të llogaritën s,bashku, del se vetëm të dënuarve të cilëve emrat iu kishin publikuar iu shqiptuan më shumë se 2ooo mijë vjet burg të rëndë . Kur këtij numri ti shtohej edhe numri (sigurisht i zvogëluar) prej 600 vetave të dënuar gjoja se për kundërvajtje dhe numri i madh i atyre që presin të dalin para gjykatave të okupatorit, atëherë mund të shihen përmasat e vërteta të kësaj fushate të egër e të paparë .
Edhe gjatë proceseve gjyqësore, në shënjestër të shovinistëve ishte vu në mënyrë të veçantë në shënjestër inteligjencia shqiptare dhe sidomos arsimtaret e gjuhës shqipe, historisë, marksizmit e lëndëve të tjera shoqërore. Ata u akuzuan dhe po akuzoheshin se gjoja paskan nxitur romantizmin nacional, se i paskan indoktrinuar nxënësit me nacionalizëm e dogmatizëm, se i paskan edukuar ata, me ideologji të huaj për “vetëqeverisjen“ etj…etj Shovinistet serbomëdhenj nuk ishin ngopur me masat që kishin ndërmarrë kundër inteligjencies shqiptare . Sipas tyre nuk mundet të qetësohej gjendja , deri sa nëpër shkolla e fakultete të jepnin mësim ata arsimtarë, nxënësit e të cilëve kishin marr pjesë në demonstrata, pra po kërkohej hapur që të largoheshin e dënoheshin të gjithë arsimtaret e ndershëm e patriotë.
Në shumë shkrime të shtypit jugosllav thuhej vazhdimisht se klasa punëtore dhe fshatarësia nuk kishte marr pjesë në demonstrata dhe i kishte dënuar ato. Mirëpo, fakti se në mesin e të dënuarve ,ishin jo pak por dhjeta punëtorë e fshatarë, tregonte se demonstratat e pranverës ‘81, nuk ishin demonstrata vetëm të nxënësve e studentëve por kjo dëshmonte për pjesëmarrjen e tyre masive, në lëvizjet e këtij viti dhe për rolin e rëndësishëm që patën ata në to .
Se sa e egër dhe e paskrupullt ishte kjo fushatë shoviniste, tregonte qartë edhe mbushja e burgjeve me vajza e djem të rinj, që ende nuk e kishin filluar mirë jetën dhe dënimet e rënda që po iu shqiptoheshin atyre iu ndërpritnin hovin rinor. Vetëm në vendet më fashiste, mundë të dënoheshin të miturit, me dhjetë e më shumë vjet burg, vetëm pse kishte shkruar një parullë apo një vjershë ose pse kishte kërkuar kushte më të mira jetese, liri e të drejta që garantoheshin edhe me kushtetutë. Për të fshehur fytyrën e tyre të vërtetë para opinionit jugosllav dhe atij botërorë, shovinistet jugosllav nuk e kishin publikuar fare dënimin e një numri të madh të të miturve. Vetëm në grupin që u dënua për çarmatosjen e njësisë speciale të policisë së Beogradit u dënuan dhe nuk u publikuan fare emrat e jo më pak se 16 nxënësve .
Të gjitha proceset gjyqësore të atij viti u mbajtën me dyer të mbyllura, pa praninë e as të familjarëve të të akuzuarve, kurse Tanjugu, që ishte i vetmi burim informatash, nga këto farsa nuk njoftonte fare opinionin me deklaratat e të dënuarve. Shumë nga gjykimet u bënin natën dhe të dielave, kurse trupat gjykues ishin krejtësisht anonime ose të sjellë nga Beogradi. Ndërtesat e gjykatave ishin të rrethuara nga një numër i madh policësh të armatosur gjerë në dhëmbë, të cilët kishin bllokuar edhe rrugët për rreth .
Shovinistet shpiknin e trillonin gjithçka të keqe kundër të rinjve tanë të dënuar. I quajtën “nacionalistë”, ”shovinistë”, “reaksionar e kundërrevolucionar”, njerëz që ia donin të keqen popullit shqiptar, dhe që dënoheshin nga ai vet etj… Në këtë mënyrë, ata donin të mashtronin opinionin e painformuar në Jugosllavi e botë, por ata vetë e dinin se populli i ynë, jo vetëm që nuk i dënonte bijat dhe bijtë e vetë trima e besnik, por i përkrahte dhe i mbështeste ata me të gjitha forcat. Kjo edhe ishte arsyeja e vërtetë pse gjykimet u bënin me dyer të mbyllura dhe nuk ishte arsyeja se mungonin sallat e mëdha, mungesë e karriqave e “arsye” të tilla qesharake.
Edhe përkundër dënimeve të shumta që u bënë dhe masave të egra që u ndërmorën ndaj popullit, në qarqet e ndryshme shoviniste, çdo ditë po ngriheshin zërat të tërbuar të atyre që ishin ende të pangopur me atë që ishte bë. Me anë të të ashtuquajturit “diferencim”, ata po orvateshin të ruanin vazhdimësinë e fushatës së dhunës dhe terrorit.
Për të justifikuar masat e tyre të egra shoviniste jugosllave, i kualifikonin demonstratat si armiqësore, madje edhe si përpjekje për kundërrevolucion dhe shpikëshin lloj- lloj parullash e kërkesash të cilat as që ishin përmendur në demonstratat. Sipas asaj që thoshin pushtetarët, delte se populli shqiptarë paska dashur të përmbysë pushtetin, duke u “armatosur” me gurë, shkopinj e çekanë. Me “fakte” të tilla, ata donin të akuzonin popullin për “kundërrevolucion”, por akuzat e tyre ishin jo vetëm naive , por edhe qesharake. Çdo njeriut të logjikshëm do të dinte se me gurë e shkopinj, nuk do të përmbysej një pushtet që mbrohej, me ushtri e polici të armatosur gjerë në dhëmbë. Nga ana tjetër , me gjykimet që u zhvillonin, doli se në demonstratat që u bënë, pati parulla për kushte më të mira të jetesës, për lirimin e të burgosurve , për heqjen e policisë së huaj e për shndërrimin e Kosovës në Republikë, parulla kundër plaçkitjes së pa mëshirshme të pasurive, kundër diskriminimit të gjithanshëm, ndaj popullit shqiptar në Jugosllavi etj, por jo parulla e kërkesa për Kosovën e pastër etnike e Shqipërinë e Madhe, kundër popujve jugosllav e për dëbimin e tyre nga Kosova, e parulla tjera të trilluara nga vetë shovinistet, me qëllim që ti jepnin tjetër karakter demonstratave dhe luftës sonë. Mbi parulla të tilla të fabrikuara ishte mbështetur dhe kualifikimi që i kishin bërë demonstratave udhëheqja jugosllave, prandaj ai edhe ishte krejtësisht i pa bazë.
Me dënimet e shumta dhe me masat tjera represive shovinistet serbë dhe shërbëtoret e tyre shqiptar, mendonin se do ta frikësonin e do ta mposhtnin popullin heroik dhe bijat e bijtë e tij trima. Mirëpo, ata ishin bindur dhe për çdo ditë po bindeshin se në këtë mënyrë ata po i bënin vetes varrin. Me qëndresën e tyre burrërore, thoshte autori i shkrimit “shokët tanë të burgosur, u kallën tmerrin armiqve edhe duke qenë të lidhur me pranga e zinxhir, kurse populli po e vazhdonte luftën e filluar me vendosmëri më të madhe”. Këtë të vërtet po detyroheshin ta pranonin edhe vetë autoritetet jugosllave . Në një mbledhje të udhëheqjes kosovare, ishte theksuar se gjyqet që po organizoheshin po quheshin gjyqe tradhtarësh, kurse aktiviteti, me gjithë masat e marra që po vazhdonte me forcat edhe më të mëdha. Nga ana e tij njeri nga udhëheqësit jugosllav kishte theksuar se duke iu dhënë dënime të rënda të rinjve, ne po i bëjmë ata heronj para rinisë dhe popullit, kurse në Kuvendin e Kosovës ishin ngritur zëra dhe kishin kundërshtuar hapur dënimet e rënda që iu shqiptuan pjesëmarrësve të demonstratave .
Dënimet drakoniane që iu shqiptuan shqiptarëve, nuk tregonin forcën e madhe që i kishte kapluar ata, por tregonin dobësinë dhe kalbëzimin e regjimit gjakatarë. Ata nuk e kishin frikësuar dhe nuk do ta frikësonin kurrë popullin e pamposhtur. Ai do të luftonte me vendosmëri, për realizimin e kërkesave të të tija të drejta dhe krahas kësaj ai do të luftonte edhe për lirimin e bijve dhe bijave të dënuara padrejtësisht.
5. 2. Fisnikërimi i revistës
Po në faqen e tret të revistës “Liria”, ilegalët botonin edhe poezi, që kishte frymën patriotike dhe që iu kushtohej shokëve në burgjet jugosllave. Autor i kësaj vjershe ishte Hydajet Hyseni. Në poezinë “Letra e të burgosurit”, autori shkruante se edhe pse ishte në qelinë e errët e të vetmuar të burgut, i izoluar dhe i vetmuar, ai shprehte krenarin e vet dhe se asnjëherë nuk ndjente vetmin ngase edhe aty shoqërohej dhe i epnin shpresë këngët e lirisë. Autori rrëfente se aty ka tortura të papara, por ato nuk e mposhtin, nuk e përkulin ,nuk e thyenin dhe më parë pranonte që të vdiste se sa ti epte shokët dhe ta shesë atdheun. Po ashtu në strofën e katërt thoshte se “Një mijë herë po të bie / Do të ngritëm përsëri / Prapë do të hidhem / Në luftë për liri.” Me këtë poezi autori na dëshmon për sakrificën dhe vetëflijimin për lirin që do ta bënte deri në realizimin e dëshirave të tija dhe të popullit të vet.
5. 3. Flamuri simbolizon kombin
Në vazhdim botohet një artikull tjetër i Hydajet Hysenit “Jetën e japim – flamurin se japim”. Pas demonstratave studentore që ndodhën në Kosovë në pranverën e vitit 1981, në Kosovë kishte filluar një fushatë e paparë kundër çdo gjëje që frymonte shqip. Andaj, armiqtë e përbetuar të popullit shqiptar, pa hezituar ia kishin mësyrë si shumë herë më parë gjatë historisë- në flamurin kombëtar. Ai flamur iu kishte penguar dhe po i pengonte, andaj mënyra më e mirë për ata ishte që ta ndryshonin ,pasi se nuk kishin mundur ta zhduknin nga sipërfaqja e dheut. Në atë kohë ishin mbajtur shumë e shumë mbledhje e takime të autoriteteve udhëheqëse, ishin bërë shumë e shumë debate, ishin bërë shumë e shumë diferencime në emër të flamurit. Autori i shkrimit duke e parë këtë rrezik të heqjes së flamurit, kishte shkruar këtë artikull ku thoshte se:” Me revanin e tyre të çmendur antishqiptar , shovinistet jugosllav, kanë zgjatur kthetrat e tyre të përgjakura, edhe drejtë flamurit tonë të lavdishëm. Kundër Flamurit tonë kombëtar u ngritën njëri pas tjetrit ngritën ujqërit shovinist dhe duke kërcëlluar dhëmbët ulërin kundër flamurit tonë kuq e zi. Herë nga Nishi, herë nga Cetina, herë nga Shkupi, herë nga Prishtina, dëgjohen britmat histerike “Flamuri shqiptar është shovinist e irredentist”, “Ai është flamuri i Shqipërisë dhe i Enver Hoxhës”, “ai po i indoktrinon shqiptaret me nacionalizëm e dogmatizëm”, “T’iu ndryshojmë shqiptarëve flamurin kuq e zi”, “T’ua ndalojmë fare atë flamur të mallkuar me shqiponjë”, “flamuri i tyre duhet të jetë flamur trengjyrësh i Serbisë” etj…shkruan autori. Autori në këtë shkrim e thoshte edhe një të vërtet të hidhur se ky rast nuk ishte i vetmi në historinë shqiptare, ngase ata gjithmonë ishin munduar ta asimilonin e zhduknin një popull të tërë, duke e mbajtur të robëruar në shtëpitë e tyre.” Çetnikëve të rinj të Serbisë, Maqedonisë e Malit të Zi, edhe më parë ua kishte vrarë sytë flamuri i kuq e i zi, por tani thoshte autori “Ata po mendonin se u ka ardhur koha për tu vërsulur, përsëri kundër tij, ashtu siç bënë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore.” Autori iu përkujton se po me këtë flamur kuq e zi, partizanët shqiptar të Kosovës, Maqedonisë e Malit të Zi luftuan dhe u vranë gjatë epopesë së lavdishme të luftës antifashiste Nacionalçlirimtare, të bindur se pas përfundimit të saj, do të fitonin edhe ata lirinë e ëndërruar në shekuj. Por, shovinistet e rinj jugosllavë për ti “shpërblyer”, për kontributin e madh që dhanë në luftë, e pushtuan përsëri popullin tonë martir, e ndanë dhe e copëtuan siç deshën ata, e vranë e rrahën dhe e masakruan përsëri, ia ndaluan edhe flamurin. U deshtë përsëri shumë luftë e gjak, shumë vjet burgje, vuajtje e tortura, që në tokën e Kosovës, të valonte përsëri flamuri i ynë kuq e zi . Dhe ja tani, pas sa vitesh , lugetërit rankoviqist, po zgjasin përsëri duart e tyre, të përgjakura drejtë flamurit tonë.
Duke shpresuar se kështu do ta robërojnë më lehtë popullin shqiptarë, shovinistet po e quajnë flamurin tonë, flamur të Enver Hoxhës e të Partisë së Punës, por edhe ata e dinin mirë se nën këtë flamur kishin luftuar stërgjyshërit tanë jo më pak por 5-6 shekuj më parë…Me qëllim që ta justifikojnë disi këtë ndërmarrje të pashembullt shoviniste, shovinistet jugosllav po detyroheshin dhe po e përdornin edhe ndonjë shqipfolës që me gojën e vet të kërkojë ndalimin e flamurit tonë. Po këtë kërkesë absurde, flasin edhe letrat e shumta që boton shtypi jugosllav, te nënshkruara nga emra të trilluar shqiptar e që siç është vërtetuar më se një herë, janë të nënshkruara nga vet shovinistet serbomëdhenj. Ja deri ku mund të shkojë ligësia e logjikës shoviniste, duan ta bindin opinionin jugosllav dhe atë botëror se kërkesa për heqjen e flamurit shqiptar na qenka “kërkesë” dhe “ dëshirë” e vetë shqiptarëve. Po kush është ai naiv që mund të besojë marifeteve të tilla.

LIRIA – DHJETOR 1981, Nr.6.

Autori vetë shtron pyetje dhe vetë përgjigjet “Nuk ka popull në botë, që dot dëshironte e kërkonte ti hiqej e ndalohej flamuri i tij, simboli i qenies së tij. Jo, këtë nuk mund ta bëjë askush dhe sidomos nuk mund ta bëjë kurrë shqiptari që flamurin kuq e zi e ka gjënë më të shtrenjtë, shqiptari që nëpër shekuj, siç thotë kënga: “ vritej e pritej për flamur, armiqtë hiq e ai vure…”
Legjendat thonë se dikur flamuri i të parëve tanë dikur ishte i bardhë , siç ishin të bardha edhe veshjet, plisat dhe zemrat e tyre. Kishin ardhur bajlozët e zinj dhe deshën ta shkelin flamurin e Arbrit, që simbolizonte bardhësi, paqe e çiltërsi… dhe në vend të tij, të ngrinin në kështjellat tona flamuj të zinj, pushtues. Që flamuri arbëror të mos binte në kthetrat e zeza të armiqve zaptues, luftëtari arbëror, gjatë një beteje e kishte qarë gjoksin e tij dhe e kishte futur aty, flamurin arbëror. Pas betejës, dy shqiponja të maleve tona e kishin nxjerrë flamurin e arbrit prej gjoksit të luftëtarit trim dhe duke e mbajtur ne dy skaje fluturuan lartë në qiellin arbëror. Bijtë e shqipeve e panë flamurin e tyre që ishte skuqur nga gjaku i luftëtarit, i kishin parë shqiponjat që e kishin valëvitur krenare atë flamur të përgjakur dhe këtë pamje pastaj i kishin dhanë flamurit të tyre.
“Legjenda ishte legjendë “ thoshte autori, mirëpo e vërteta ishte se flamuri ishte fituar dhe ishte mbrojtur me gjakun e atyre bijave dhe bijve të këtij trualli, të cilët në furtuna të stuhishme që kalonte atdheu, e mbanin atë në gjokset e tyre të zjarrtë, aty pranë zemrës. Sa gjak shqiptari ishte derdhur për këtë flamur, sa luftëra e beteja të përgjakshme ishin bërë nën këtë flamur, sa trima luftëtar ishin betuar para këtij flamuri , të skuqur me gjakun e të parëve të tyre,sa bijë të popullit ishin kalbur dhe po kalbeshin edhe sot për këtë flamur…! Flamuri i ynë i kuq me shqiponjën dy krenare, ishte përjetësuar edhe në këngët më të bukura të popullit, ishte kënduar në vargjet më të zjarrta të poetëve tanë, ishte qëndisur me qëndismat më të bukura të vajzave e nuseve shqiptare, ishte gdhendur në dru, ishte skalitur në hekur e gur… flamuri i ynë ishte gdhendur e skalitur thellë në zemrat tona, prandaj edhe nuk mundet të hiqet kurrë, por pa i skuqur zemrat tona” thoshte autori i shkrimit .
Ndërsa, për ndryshimin e flamurit që flitej në qarqet udhëheqëse të pushtetit autori po ashtu kishte të njëjtën përgjigje: “Po këtë përgjigje ka populli i ynë flamur-dashtë, për të ndryshuar flamurin tonë dhe për ti shtuar si shtesë atij ndonjë simbol jugosllav. Populli i ynë i kishte të qarta qëllimet e errëta dhe tepër të rrezikshme që fshiheshin pas kësaj kërkese shoviniste, sado që në pamje të parë ajo paraqite si çështje jo edhe aq të madhe. Në flamurin kombëtar autori thoshte se “ është gjaku, që kanë derdhur brezat në altarin e lirisë, është amaneti i tyre i shenjët, është fati i brezave që do të vijnë, prandaj nuk lejojmë kurrfarë loje me të. Ashtu siç bëri copë- copë sëpatë e Liktorit që fashistet italianë u munduan t’ia ngjitnin flamurit tonë, populli i ynë nuk do të lejonte askënd t’ia prekë flamurin e tij të lavdishëm, nuk do të lejonte kurrfarë arnimi të flamurit të tij, kurrfarë shenje tjetër në fushën e flamurit përveç shqiponjës dykrenore dhe yllit të kuq vezullues. Flamuri i ynë nuk ishte dhe nuk do të jetë kurrë flamur i larmishëm. Flamuri shqiptar ishte dhe dot mbetet për jetë kuq e zi .
Flamurin tonë e kishim fituar me gjakun tonë, e kishim mbrojtur me gjakun tonë dhe po të jetë nevoja, jemi gati ta mbrojmë përsëri me gjakun tonë”, përfundon shkrimin autori që i tërë shkrimi i ngjan një lloj betimi dhe kërcënimi që i përcillet armikut shekullor.
5. 4. Aktualiteti në faqet e revistës
Veç artikujve që kanë përmbajtje politike në revistë jepen edhe informata, që vijnë nga Podujeva dhe njoftohet opinioni i gjerë për përleshjet në mes policisë serbe dhe qytetarëve të Podujevës. Njoftimi mbante titullin “Përleshjet në mes policisë serbe dhe qytetarëve në Podujevë” shkruar nga Nezir Myrtaj. Policia serbe e cila po qëndronte në Kosovë, që prej fillimit të pranverës së këtij viti, njoftonte artikullshkruesi, përveç sjelljeve të saja banditeske ndaj popullit të pafajshëm po bënte në mënyrë të vazhdueshme provokime të shumta, bile duke e sulmuar atë edhe fizikisht. Përveç disa rasteve që njiheshin në të cilat kjo polici, kishte sulmuar familje dhe individ të ndershëm, siç ndodhi në Prekaz, në Prishtinë, Gjakovë etj… Para një kohe kishte shkaktuar edhe përleshje në mes pjesëtarëve të kësaj policie dhe një familjeje në Podujevë. Shefki Hasani, punëtorë në Shtëpinë e Kulturës në Podujevë, duke pushuar në hotelin “Besiana”, papritur iu ekspozua provokimeve të disa policëve, të cilët po ashtu ndodheshin aty. Policët serbë kishin tentuar ta rrahin dhe ta arrestonin Shefkiun, mirëpo ai me shkathtësi dhe forcë i kishte goditur ata dhe kishte arritur që për një kohë ti shpëtonte arrestimit . Të alarmuar nga ky aksident, patrullat e policisë, të armatosur gjerë në dhëmbë kishin filluar rrugën për në shtëpinë e Shefkiut, në mënyrë që të marrin “hakun”. Në këto njësi kishte shkuar edhe vetë komandanti dhe inspektori i policisë. Një lagje e tërë në Podujevë ishte rrethuar nga policia serbe, kurse disa prej tyre kishin hyrë në shtëpinë e Shefkiut. Ishte ngritur në këmbë e gjithë familja: dy vëllezërit, nëna, dhe motra e Shefkit. Në përleshje e sipër midis policisë së armatosur dhe familjes duarthatë ishin lënduar shumë policë e veçanërisht komandanti i tyre i cili ishte goditur për vdekje. Pas gjithë kësaj drame që kishin shkaktuar korbat serbe, familja Hasani ishte arrestuar e tëra. Ky akt i ulët i kishte revoltuar gjithë qytetaret e Podujevës e mbar Kosovës por njëherë ishte edhe një mësim i mirë, për të gjithë ata që mësynin ti poshtërojnë e robërojnë vatrat shqiptare. ë këtë faqe bëhej edhe prezantimi i orarit të Radio- Tiranës, dhe në cilën ore mund të dëgjoheshin lajmet dhe programet kulturo-argëtuese.
5. 5. Lavdi dëshmorëve
Në shkrimin e Berat Luzhës “Lavdi o ju trima, që ratë për atdhe” , autor ishte një i burgosur politik- Berat Luzha i cili shkruante për ngjarjet e marsit të vitit 1981,dhe për dëshmorët që kishin rënë në ato ditë të rënda të Kosovës. Në mes tjerash ai thoshte “Rinia e Kosovës edhe kësaj radhe nuk i duroi hordhitë shoviniste, të marrin nëpër këmbë nderin dhe dinjitetin kombëtar, të shkelin në vatrat tona dhe të ç’nderojnë motrat dhe nënat tona. Ajo u prek në sedër nga veprimi i poshtër dhe i pabesë i çetnikëve të Beogradit në konviktet e studentëve me 26 mars. Ajo u përlesh fytafyt me komandoset special të policisë së huaj, të ardhur këtu për të shfryrë dufin prej shovinistëve të pashiqëve, mihajlloviqëve, herleviqëve mbi popullin e pafajshëm. Nga kjo përleshje me hienat shoviniste , të cilët bënë terror të zi, masakrime e persekutime në masë, u plagosën, u vranë e u burgosën mijëra të rinj kosovar, lulja e rinisë sonë heroike .
Nga terrori që u ushtrua mbi ata, shumë prej tyre edhe gjetën vdekjen, por një gjë është e ditur se ata dhanë jetën për të drejta e liri, por populli është mirënjohës për këtë, respekton dhe vlerëson punën e tyre, për këtë edhe nuk do t’iu harroj kurrë. “Ju nuk e gëzuat edhe këtë pranverë të mbushur me plotë ngjarje e me plotë vlime revolucionare”, por janë populli që kujton heroizmin tuaj. Pas një shkrimi të gjatë autori përfundon duke thënë se “Pushoni o shok, pushoni të qetë, se ratë me nderë. Pushoni të qetë se hakun do tua marrë populli. Çështja për të cilën ratë, ju shokë të dashur është e drejtë dhe patjetër do të triumfojë. Rrugën që filluat ju. Ne do ta vazhdojmë, prandaj pushoni, se nuk keni vdekur, në zemrat tona do të jetoni gjithmonë. Pra lavdi o ju trima që ratë për atdhe”  Në një faqe të veçantë të revistës bëhet prezantimi i një pjesë të fjalimit të Enver Hoxhës në Kongresin e Tetë të PPSH-së, e cila ka të bëjë për Kosovën dhe ngjarjet e marsit të vitit 1981. Shkrimi titullohej me titullin ”Shoku Enver Hoxha për Kosovën” , në këtë shkrim në mes tjerash thuhej se “ Problemi i shqiptarëve që jetojnë në tokat e tyre në Jugosllavi, nuk është problem i një “minoriteti”, i ardhur apo i vendosur diku në një zonë “ vakum” si emigracion ekonomik, as i shkaktuar nga dyndja e Perandorisë Osmane dhe as nga rritja e natyrshme demografike e shqiptarëve që i shqetëson Maltuset e rinj serbomëdhenj. Shqiptaret në Jugosllavi përbëjnë një etni, një popull të formuar në shekuj, që ka historinë, gjuhën, kulturën e vet, një popull autokton, të cilin, siç dihet, e copëtuan dhe e shkëputën nga mëmëdheu i vet fuqitë e mëdha imperialiste dhe ia aneksuan Jugosllavisë. Këtë askush nuk mund ta fsheh. Çdo interpretim tjetër është arbitrar, është një falsifikim i rëndë e i dëmshëm i historisë” përfundon citati. Për të vazhduar se “ Mëmëdheun e etnisë shqiptare populli shqiptar nuk ia la as pushtuesve fashist, as askujt tjetër që ta përcaktonte. Shqiptaret kanë luftuar pa pushim e në shekuj kundër armiqve të egër e shumë më të mëdhenj në numër për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe vetë ekzistencën e tyre”. (VIJON…)

PROF.DR.SABILE KEҪMEZI-BASHA: REVISTA ‘LIRIA’ ZËDHËNËSE E REZISTENCËS KOMBËTARE (8)
http://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=3996

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura