Nga Asllan Muharremi
Shpërngulja në rrethin e Malmos
Pranverën e vitit 1987, gjersa po bëja përpjekje për të gjetur një banesë dhe punë në afërsi të Malmos, krejt papritur, më telefonoi Ismet Bicaj. Ismeti më njoftoi se sapo ishte kthyer nga një vizitë në Zvicër, me ç’rast, e kishte takuar Sami Dërmakun, i cili e kishte njoftuar se jetoja në Suedi dhe nëpërmjet tij më kishte dërguar të fala. Ismeti ma dha numrin e telefonit dhe shprehu dëshirën që në të ardhmen t’i vazhdonim kontaktet. Në fund të bisedës, unë i tregova Ismet Bicajt, se isha i interesuar për t’u shpërngulur nga Stokholmi, diku në jug të Suedisë.
Të nesërmen Ismet Bicaj më mori përsëri në telefon dhe më tha se kishte biseduar me punëdhënësin e tij dhe nëse vazhdoja të isha i interesuar, mund të filloja punën menjëherë. Unë e falënderova për interesimin dhe u tregova i gatshëm të udhëtoja ditët e afërta në Malmö!
Të nesërmen e kam kontaktuar Entin e Inkuadrimit dhe e kam njoftuar se kam gjetur një mundësi punësimi.
Disa ditë më vonë kam udhëtuar nga Stokholmi dhe me ndihmën e Ismet Bicajt kam krijuar marrëdhënie pune në Saab Scania AB në Arlöv.
Mirëpo, meqë unë e kisha planifikuar udhëtimin tim në Shqipëri, me punëdhënësin u morëm vesh që punën ta filloj me 4 gusht.
Disa ditë pas kthimit tim nga udhëtimi në Shqipëri, u shpërngula në Arlöv, në banesën e Ismet Bicajt dhe nisa punën me 4 gusht si montues në SAAB Scania.
Shpërnguljes në jug të Suedisë dhe punësimit iu gëzova shumë. Isha i kënaqur që isha njohur edhe me Ismet Bicajn. Mirëpo qysh gjatë qëndrimit në Stokholm, nëpërmjet Xhafer Dumishit isha njohur edhe me Imer Baqajn nga Drenishta e Deçanit dhe Hasan Rrahmanin nga Podujeva. Me të dy mora kontakt.
Në Malmö banonte edhe Sabri Novosella, por marrëdhëniet tona ishin të tendosura dhe kishte kohë që nuk kishim kontakte me njëri-tjetrin.
Gjatë takimeve me Imer Baqajn mësova për kontaktet e tij me Jusuf Gërvallën – nëpërmjet letrave dhe bisedave telefonike – si dhe për vizitën që i kishte bërë Bardhosh Gërvalla, gjatë qëndrimit të tij në kampin e refugjatëve në Itali. Imer Baqaj fliste me krenari për bisedat telefonike dhe letërkëmbimin që kishte pasur me Jusuf Gërvallën.
– Unë vetëm po prisja se kur do të vijë Bardhi apo ndonjë shok i tij dhe do të ma sillte një pasaportë që të largohesha nga Italia, por fatkeqësisht para ardhjes së tij erdhi lajmi se UDB-a jugosllave na i vrau shokët tanë, – më tha në një rast Imer Baqaj.
Edhe takimet me Hasan Rrahmanin ishin shumë mbreslënëse. Hasan Rrahmani, kishte bërë një rrugëtim të gjatë nëpër Turqi dhe Europë gjersa ishte vendosur në Malmö.
Gjatë një takimi me Hasan Rrahmanin mësova se ai kishte qëndruar një kohë në rrethin e Shtutgartit, se gjatë asaj kohe ishte takuar Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe kishte qëndruar në shoqëri me rrethin e shokëve të tyre.
Hasan Rrahmani i kujtonte me dhembje të madhe ditën kur e kishte marrë lajmin e vrasjes së Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës:
‒ Së bashku me Naim Haradinajn kishin shkuar tek vendi i punës së Bardhit, me qëllim, që pas mbarimit të punës, së bashku me te, të shkonim në banesë tek Jusufi. Duke pritur, para Zyrës, aty arrin Misin Mavraj nga Munihu, i cili, i përlotur, na njoftoi se natën që shkoi, ishin vrarë Jusufi, Bardhi dhe një shok i tyre!
Gjatë një takimi tjetër, duke më folur për qëndrimin e tij në rrethin e Shtutgartit dhe për takimet e kontaktet që i ka pasur me Jusuf dhe Bardhosh Gërvallën, Hasan Rrahmani më ka njoftuar edhe për pjesëmarrjen e tij në një përpjekje për futjen e organit “Zëri i Kosovës” në Kosovë, e cila përputhej me kohën kur edhe Xhafer Durmishi dhe Bahtir Haradinaj ishin nisur nga Kosova për Bled të Sllovenisë:
‒ Një ditë dhjetori të vitit 1981, Bardhi më njoftoi se ishte duke e kërkuar Hysen Spahiun dhe më pyeti se mos e kisha parë ndokund? Meqë unë i thashë se nuk e kisha parë, së bashku me Bardhin e kemi kërkuar Hysen Spahiun nëpër disa adresa të ndryshme në rrethin e Shtutgartit. As disa bashkatdhetar, që i takuam dhe pyetëm, nuk dinin se ku ndodhej Hysen Spahiu!
Në atë rast Bardhosh Gërvalla më ka pyetur:
‒ Hasan, a je i gatshëm të udhëtosh në Kosovë dhe ta futësh brenda “Zërin e Kosovës?
‒ Po, i gatshëm jam ‒ i thashë Bardhit.
Të nesërmen, së bashku me Bardhosh Gërvallën dhe M. G., jemi nisur nga Untergruppenbachu në drejtim të Austrisë. Gjatë rrugës, Bardhi na i ka ndarë detyrat. M. G. do të zbriste nga makina e Bardhit në Stacionin e Trenit në Vilah të Austrisë dhe do ta merrte trenin në drejtim të Rozenbachut. Detyra e tij ishte ta vëzhgonte kontrollimin e udhëtarëve nga ana e policisë jugosllave. Në Stacionin e Rozenbachut, M. G. do të dilte e qëndronte në dritare, të vagonit që do të kontrollohej nga policia kufitare jugosllave . Në do ta prisnim në Stacionin e Trenit në Rozenbach dhe do t’i vendosnim në vagonin ku do të qëndronte M.G dy çanta me organin e “Zërit të Kosovës”.
Kështu edhe bëmë. M.G e lamë në Stacionin e Trenit në Vilach dhe ne e vazhduam rrugën, me makinë, në drejtim të Stacionit të Trenit në Rozenbach. Aty e pritëm ardhjen e trenit.
Treni arriti në Rozenbach dhe ne po e kërkonim me sy se në dritarën e cilit vagon ndodhej M.G. Udhëtarët zbritën nga treni dhe ne nuk po e shihnim askund M.G. Atëherë, Bardhi më tha të hynim në tren dhe të nisesha i vetëm me bagazhet për Kosovë. Dy çantat me Organin, i vendosëm brenda në vagon. Para se të nisej treni, Bardhi më pyeti edhe njëherë se a isha ende i gatshëm të udhëtoja, i vetëm? Pasi mori përgjigjen time se unë isha i gatshëm, i pyeti përsëri disa udhëtarë shqiptarë se a ishte kontrolluar vagoni në të cilin gjendeshim? Njëri nga udhëtarët u përgjigj: “Jo ende nuk është kontrolluar”! Bardhosh u mendua pak. Pas pak më tha t’i merrnim çantat e të zbrisnim nga treni.
I morëm çantat dhe zbritëm nga treni. Edhe më tutje po e kërkonim M.G.
Treni u nis. Pas pak, e pamë se edhe M. G. kishte zbritur nga treni. Bardhi i tha edhe atij të vinte me ne në makinë. I vendosëm çantat në makinë dhe u nisëm në drejtim të Untergruppenbachut. Rrugës nga Rozenbachu gjer në Shtutgart, Bardhi nuk e tha asnjë fjalë. Me asnjë fjalë të vetme nuk e qortoi M.G. Pas ndarjes me M.G-në, dhe kthimit në Untergrupenbach, Bardhi m’i dha njëqind marka gjermane…”
***
Me Ismet Bicajn, nga fshati Vrellë e Istogut, punonim në të njëjtën ndërmarrje të prodhimit të automjeteve, SAAB-SCANIA në Arlöv. Gjatë dy muajve të qëndrimit në banesë të tij, ne u bëmë shokë të pandashëm.
Me ndihmën e Ismet Bicajt fillova edhe kontaket me Shoqatën Kulturore Shqiptare “Kosova” në Malmo, por edhe me shumë bashkatdhetarë dhe veprimtarë që banonin në Malmo me rrethinë si dhe u kyça në aktivitet e politike dhe kulturore të bashkatdhetarëve tanë.
Udhëtimi i dytë i Shyqëri Imerit në Suedi
Në nëntor të vitit 1987, nga shokët e krahut të Xhemajl Pllanës dhe Ferki Morinës (edhe kësaj radhe lidhja mbahej nëpërmjet vëllait tim Shaban Muharremi) vije përsëri në Suedi, Shyqëri Imeri, i cili gjatë javës sa qëndroi tek unë në Arlöv, më njoftoi me veprimtarinë e shokëve në Kosovë si dhe m’i përcolli qëndrimet e tyre lidhur me çështjet e shtruara gjatë takimit të kaluar në Stokholm. Gjithashtu unë e kam njoftuar për gjendjen e krahut të Lëvizjes sonë në emigracion, për qëndrimin e shtetit shqiptar lidhur me veprimtarinë tonë politike, sidomos në emigracion. Nëpërmjet Shyqëri Imerit shokëve ua kam përcjell qëndrimet e mia personale lidhur me veprimtarinë e tyre në Kosovë, sepse ç’është e vërteta Organizata jonë politike në Evropën Perëndimore ishte shkapërderdhur dhe nuk ishte aktive në veprimtarinë e saj politike.
Shyqëri Imerin e kam njoftuar edhe për vizitën time në Shqipëri dhe përshtypjet e mia atje. Më duhet të them se nuk kam qenë i sinqertë me shokun tim dhe nuk ia kam shprehur zhgënjimin e madh që më kishte kapluar pas vizitës në Shqipëri. Nuk doja që edhe ai dhe shokët të përfshiheshin nga zhgënjimi im!
Bashkëpunimi me Shoqatën Kulturore Shqiptare “Kosova” në Malmo
Nga shokët dhe bashkatdhetarët tanë jam njoftuar për historikun e Shoqatës “Kosova”, e cila deri vonë kishte qenë një Shoqatë e Lidhjes së Shoqatave Jugosllave. Nga përvoja kisha mësuar se shoqatat e mërgimtarëve, Jugosllavia i kishte shndërruar në çerdhe agjentësh të UDB-ës dhe veprimtaria aty duhet bërë me kujdes të madh. Për hir të pjesëmarrjes së mërgimtarëve duhej vepruar me qëllim të mbajtjes gjallë të kulturës shqiptare si dhe ndihmuar çështjen tonë kombëtare me aq sa mund të ndihmohet në rrethana të tilla veprimi.
Në Malmo banonin një numër relativisht i madh shqiptarësh. Një pjesë e madhe e shqiptarëve ishin mërgimtarë të viteve 60-70-ta, por kohëve të fundit vërehej një rritje e numrit të mërgimtarëve të rinj.
Nga Ismet Bicaj dhe bashkatdhetarët tjerë kam mësuar për historikun e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova” në Malmö.
Nuk kishte kohë të gjatë që veprimtarët shqiptarë në Malmö e kishin shkëputur Shoqatën Kulturore Shqiptare “Kosova” nga Lidhja e Shoqatave Jugosllave që vepronin në Suedi.
Për shkak të dhunës dhe represionit policor serbomadh, numri i shqiptarëve që shpërngulej nga Kosova sa vinte e shtohej.
Me shtimin e shqiptarëve në Suedi dhe Malmö, shtohej edhe aktiviteti i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Kosova”. Dalëngadalë lokali i ShKSh “Kosova” nuk ishte më vetëm një vendtakim i shqiptarëve, por edhe një qendër e rëndësishme kulturore dhe politike shqiptare. Në lokalin e ShKSh “Kosova” krahas aktiviteteve kulturore zhvillohej edhe një veprimtari e fuqishme në mbështetje të luftës së popullit shqiptar për liri. Një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim kanë dhënë edhe seksionet e ndryshme që kanë vepruar në kuadër të ShKSh “Kosova”, si seksioni i të rinjve që merrej me muzikën shqiptare, ekipi i futbollit, Radio “Kosova” dhe revista letrare “Dëshira”. Gjithashtu në gjirin e ShKSh “Kosova” janë organizuar demonstrata në përkrahje të kërkesave të popullit në Kosovë dhe është afirmuar çështja shqiptare tek opinioni suedez në Malmö dhe më gjerë në Suedi.
Gjatë angazhimit tim pranë veprimtarisë së ShKSh “Kosova”, veç të tjerash, jam ngarkuar me detyrën e kryeredaktorit përgjegjës të Radio Kosovës. Lidhur me veprimtarinë e Radio Kosovës kam bashkëpunuar me shumë veprimtarë si Ibrahim Egriu, Ramadan Osmani, Imer Baqaj, Ismail Rugova, Haxhi Haxhija, Bajram Kabashi e të tjerë.
Në kuadër të Shoqatës “Kosova” publikohej edhe revista letrare e Klubit Letrar “Jusuf Gërvalla” e cila bashkonte në gjirin e saj shumë letrarë që jetonin dhe vepronin në Malmö dhe më gjerë. Revista “Dëshira” është redaktuar nga Hajdin Abazi (kryeredaktor), Samir Hajdari, Ymer Vokshi (Imer Baqaj), Shenasi Ahmedi dhe veprimtarë të tjerë.
Fal bashkëpunimit të Hajdin Abazit me Shoqatën “Kosova” dhe revistën “Dëshira” gjithashtu ka pasur edhe bashkëpunim të kohëpaskohshëm edhe me Shoqatën “Liria” e cila ishte një shoqatë shqiptare e formuar nga aktivistë të “Lëvizjes Popullore të Kosovës”. Gjatë kontakteve të mia me Hajdin Abazin dhe veprimtarët tjerë të Shoqatës “Liria” jam përpjekur në afrimin e këtyre dy shoqatave të cilat shpeshherë ishin të ndikuara nga rrymat politike që vepronin edhe në emigracionin tonë.
(VIJON)
© Pashtriku.org
_______________________________
RRUGËTIMI IM NË RADHËT E LNÇKVSHJ-së (41)
Nga Asllan Muharremi
hey there and thank you for your info – I’ve definitely picked up something new from right here.
I did however expertise some technical points using this site,
as I experienced to reload the website a lot of times previous to I
could get it to load correctly. I had been wondering if your hosting
is OK? Not that I’m complaining, but slow loading instances
times will often affect your placement in google
and could damage your quality score if advertising and marketing with
Adwords. Well I’m adding this RSS to my e-mail and can look out for much more of your
respective exciting content. Make sure you update this again very soon.