Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XVI)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba
-76-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 28 korrik 1981
I nderuar Charles,
Kosova: emigrimi i serbëve dhe malazezëve
Përmbledhje
1. Në nivel zyrtar, është rritur shqetësimi për emigrimin e serbëve dhe malazezëve nga Kosova dhe për këtë është ngritur një komision hetimor. Megjithatë, deri tani nuk është bërë pothuajse asnjë progres në analizimin e shkaqeve të këtij emigrimi e aq më pak në marrjen e masave për ta parandaluar atë. Implikimet e ndryshimeve të shpejta demografike në Kosovë dhe përreth saj mbeten shqetësuese.
Detaje
2. Në letrën time për ju të datës 17 qershor përshkruhet shqetësimi zyrtar për shkallën e emigrimit të serbëve dhe malazezëve nga Kosova. Më 14 korrik, Kuvendi i Kosovës caktoi një Komision prej 16 anëtarësh për të hetuar sa më shpejt shkaqet e kësaj lëvizjeje dhe për t‘i raportuar ato. Gazeta “Politika” e datës 27 dhe 28 korrik kishte dy ngjarje ku përshkruheshin vështirësitë që po kalon Komisioni në ndjekjen e këtij ekzaminimi.
3. Problemi i përgjithshëm i emigrimit nuk është nënvlerësuar nga autoritetet e Kosovës. Në mbledhjen e Komisionit më 24 korrik, Dushan Ristiç, kryetar i Kuvendit të Kosovës, tha se “emigrimi i serbëve dhe malazezëve nga Kosova përfaqëson një prej çështjeve më të rënda politike që kemi ndeshur në ndërtimin e shoqërisë sonë vetëmenaxhuese socialiste”. Sidoqoftë, duket se që prej demonstratave të marsit dhe prillit është rritur numri i njerëzve që aplikojnë për dokumentacionin e rregullt në pritje për t’u larguar nga Krahina; vetëm në Prishtinë dhe Mitrovicë rreth 800 njerëz ishin aktualisht në procesin e largimit dhe 300 ishin larguar realisht nga Mitrovica që prej demonstratave, por nuk dihej vendndodhja e tyre. Megjithatë, siç e bëjnë të qartë raportet e gazetës “Politika” përpjekjet për të zbuluar shtrirjen e përgjithshme të emigrimit dhe për të identifikuar shkaqet e “presionit” deri tani kanë qenë tepër të pasuksesshme. Të gjitha komunitetet lokale dhe organizatat bazë të punës në Kosovë, është kërkuar që të raportojnë deri më 15 korrik se kur dhe pse personat kanë emigruar, por edhe dy javë pas afatit të dhënë duket se nuk është bërë asnjë raport i vetëm. Pjesa më e madhe (por jo të gjitha) e komunave kanë ngritur së paku komitete për të shqyrtuar problemin dhe për të studiuar kërkesat e reja për emigrim.
4. Gjithsesi, siç edhe demonstruan disa nga diskutimet e Komisionit më 27 korrik, do të jetë shumë e vështirë në mos e pamundur që Komisioni të vlerësojë tablonë e përgjithshme në lidhje me emigrimin. U zbulua se 2,750 njerëz ishin larguar nga Ferizaj gjatë dekadës së fundit, por që nuk ishin përcaktuar arsyet e tyre. 600 njerëz ishin larguar nga Suhareka por (supozohej si e pamundur) asnjë prej tyre nuk e kishte bërë këtë për shkak të presionit. U paraqitën analiza të tjera lokale. Megjithatë, raporti i gazetës “Politika” e bëri të qartë se informacionet e përftuara deri tani ishin të fragmentuara dhe jo të besueshme. Një gjë e tillë nuk është shumë e çuditshme, duke marrë parasysh mungesën e prakticitetit në ndjekjen dhe marrjen në pyetje të njerëzve që ishin larguar nga Krahina dhe hezitimin e kuptueshëm të disa prej atyre që ishin në proces largimi për të bërë akuza të cilat mund të merreshin si “nacionaliste”. Për më tepër, siç citohej në ekstraktin e marrë nga “NIN” (shkresa ime e referuar), “presioni” mund të marrë një larmi formash delikate ose jo aq delikate; kështu, mundësitë që Komisioni të jetë në gjendje të përpilojë analiza të hollësishme janë, për të mos thënë aspak, të pakta. Me gjithë vërejtjen e Husein Prekazit, kryetar i Komisionit, se nuk duhet nxituar në përgatitjen e konstatimeve pasi shkaqet ishin komplekse dhe spekulimi për këtë “çështje delikate” kërkonte përgjigje të kujdesshme, vetë Kuvendi i Kosovës duhet të shqyrtojë problemin e emigrimit në tetor dhe të ofrojë “një përgjigje të plotë”.
5. Rastësisht, në diskutimet e raportuara disa folës tërhoqën vëmendjen në efektet e dëmshme që sjell për ekonominë e Kosovës emigrimi i teknikëve dhe punëtorëve të kualifikuar. Punëtorët serbë që aplikonin për vende pune ishin refuzuar vetëm për arsye gjuhësore. Largimi i ekspertëve dhe teknikëve është përshkruar si një “humbje e pariparueshme”.
Komente
6. Edhe nëse eventualisht përcaktohet se pas shumë shkaqeve të emigrimit të serbëve dhe malazezëve nga Kosova është “presioni”, nuk mund të bëhet shumë në klimën aktuale politike në këtë Krahinë për të ndaluar largime të tjera ose në të vërtetë, për të ndryshuar trendin. Praktikisht, do të ishte shumë e zorshme që njerëzit të parandalohen fizikisht për të mos u larguar nëse jeta për ta është bërë e patolerueshme në Kosovë; megjithatë deri tani nuk ka pasur sugjerime të ndjeshme për trajtimin e akteve të shumta të vogla të vandalizmit apo kërcënimeve anonime që mesa duket vazhdojnë (shpesh të kryera nga fëmijët). Ndërkohë, ndryshimet thelbësore demografike po vazhdojnë me ritme të shpejta. Siç përmendet në letrën time për ju, dërguar javën e kaluar, mbi ngjarjet nacionaliste në Maqedoni (paragrafi 2), kohët e fundit ka pasur një lëvizje të konsiderueshme të shqiptarëve nga Kosova për në krahinën e Tetovës. Deri kur të marrim statistika më të plota të popullsisë nga Censusi, nuk mund të dallojmë se deri në çfarë mase kanë qenë të ngjashme ndryshimet gjetkë në Maqedoninë Perëndimore dhe Serbinë Jugore, por është e sigurt të supozojmë se balanca e popullsisë në këto pjesë të Jugosllavisë po zhvendoset mjaft shpejt për shkak të normave të ndryshme të lindjes dhe lëvizjes reale të popullsisë. Kushdo do të pyeste nëse rregullimet aktuale kushtetuese do të jenë në gjendje që t’i qëndrojnë tensioneve afatgjata që këto zhvillime paralajmërojnë.
I Juaji,
C. G. Crawford
-77-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 28 korrik 1981
I nderuar Charles,
Kosova: Universiteti i Prishtinës
Përmbledhje
1. Autoritetet e Universitetit të Prishtinës kanë trajtuar gjatë dy muajve të fundit shumë probleme aty. Janë mbajtur mbledhje të shumta në mes fakulteteve dhe disa profesorë janë pushuar. Janë identifikuar praktika të mësimdhënies rastësore. Është ndërprerë bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës. Komunitetet lokale janë bërë përgjegjëse për studentët e tyre. Gjithashtu, janë përmirësuar objektet e studentëve. Rifillimi i studimit në tetor do të jetë një test i rëndësishëm për kontrollin e përgjithshëm të autoriteteve në Kosovë.
Detaje
2. Në letrën time për ju të datës 10 qershor (paragrafët 4-8), është identifikuar shtrirja e vështirësive me të cilat përballet Universiteti gjigant në Prishtinë dhe më pas kam raportuar emërimin e rektorit të ri (letra ime për ju e datës 15 korrik, paragrafi 6). Gjatë qershorit dhe korrikut autoritetet krahinore dhe të Universitetit janë marrë shumë me identifikimin e abuzimeve dhe përgatitjet për vitin e ri shkollor; gjithashtu, në një konferencë për shtyp më 27 korrik Rektori i ri, dr. Minir Dushi, vlerësoi progresin e bërë deri tani (përmbledhja ime ndalet në raportet e gazetës së sotme “Politika” dhe “Borba”).
Praktikat e dobëta të mësimdhënies dhe përjashtimet nga LKK-ja.
3. Dr. Dushi raportoi se aktiviteti politik i kohëve të fundit në Universitetin e Prishtinës ka qenë “i gjallë”, me mbledhje pothuajse të përditshme në të gjitha fakultetet e ndryshme për të trajtuar problemet individuale në lidhje me çështje të tilla si politika e kuadrove, bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës, bursat dhe tekstet shkollore. Është zbuluar një shumëllojshmëri e praktikave të këqija të mësimdhënies; në veçanti, lektorët as që janë shqetësuar për t’u paraqitur në leksione dhe në vend të tyre kanë dhënë periudha përsëritjeje. Një gjë e tillë nuk do të ndodhë në të ardhmen. Akoma më keq, disa lektorë kanë ofruar ide nacionaliste në klasat e tyre (për të mos përmendur “historicizmin dhe romanticizmin kombëtar”) dhe në këtë drejtim dy profesorë janë pushuar dhe përjashtuar nga LKK-ja, ndërkohë që është përjashtuar gjithashtu edhe sekretari lokal i LK-së së Organizatës së Rinisë. Aktualisht është vënë në dispozicion një shifër e saktë e popullsisë së studentëve (letra ime e datës 10 qershor, paragrafi 5): 28,608 studentë ishin regjistruar aktualisht në nivelet e ulëta apo të larta (siç do të kujtoni, vlerësimet e mëparshme të popullsisë së përgjithshme studentore ishin shumë më të larta – kjo shifër e re mund të heqë studentët me kohë të pjesshme).
4. Më 24 qershor gazeta “Politika” ka raportuar diskutimet e Këshillit të Universitetit, të datës 23, qershor ku u zbulua se gjatë vitit të fundit ishin larguar nga universiteti 64 mësues dhe asistentë serbë dhe malazezë (nga stafi i përgjithshëm mësimdhënës prej rreth 1,000 të tillë), megjithëse ishte pohuar se asnjë prej tyre nuk ishte larguar për shkak të “presionit”. Gjithashtu, ishin punësuar lektorë të pakualifikuar. Është rekomanduar që vendet e stafit mësimdhënës të shpalleshin në shtypin kombëtar në vend që të paraqiteshin vetëm në Kosovë. Ndërkohë që thuhej se dr. Dushi nuk i ka diskutuar këto pika, ai tha se ishte mjaft e vështirë për të plotësuar vendet e ofruara për studentët për vitin e ardhshëm akademik. Kishte kërkesa veçanërisht të ulëta në lidhje me mësimet e ofruara në gjuhën serbo-kroate për një sërë lëndësh; gjithsesi, “raundi” i dytë i procesit të regjistrimit pritej që të jepte rezultate shumë më të mira në këtë drejtim.
Bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës
5. Gjatë javëve të fundit gazeta “Politika” kishte një numër të madh artikujsh në lidhje me bashkëpunimin kulturor me Tiranën, normalisht me të dhëna sipas të cilave vërshimi i “bashkëpunimit” nga Shqipëria në Jugosllavi ishte në mënyrë të konsiderueshme më i madh se vërshimi në drejtim të kundërt, dhe më 24 korrik gazeta “Politika” raportoi një mbledhje të Këshillit të përbashkët të universiteteve jugosllave në të cilën Universiteti i Prishtinës u kritikua ashpër sepse lejoi zhvillimin e një marrëdhënieje të njëanshme të papranueshme me Universitetin e Tiranës. Në konferencën e tij për shtyp, dr. Dushi njoftoi se ishte pezulluar bashkëpunimi me Universitetin e Tiranës deri kur të krijoheshin kushte të reja.
Përgjegjësia e autoriteteve lokale
6. Siç është raportuar (në letrën time të datës 10 qershor, paragrafi 8), autoritetet lokale janë bërë përgjegjëse për kontrollin e studentëve në krahinën e tyre. Konferenca për shtyp e dr. Dushit zbuloi se ishin dërguar pranë autoriteteve lokale listat e studentëve që ishin akuzuar për kontrollin e sjelljes së studentëve të tyre në demonstrata. Disa komunitete e kishin bërë këtë detyrë me zell, por të tjerat jo. Në një mënyrë a në një tjetër “studentët e kësaj vjeshte të cilët janë të papërshtatshëm moralisht dhe politikisht, nuk do të lejohen të studiojnë. Universiteti ka hartuar kritere të reja për regjistrimin, bursat dhe akomodimin në konvikte. Çdo komunitet do të verifikojë përshtatshmërinë e studentëve të vet”. Gjithashtu, në një mbledhje të Komitetit Krahinor të LKK-së më 25 korrik, u deklarua se “ishin vënë në zbatim shumë forma të ndryshme të punës ideologjiko-politike që përfshinin nxënësit, studentët, prindërit dhe mësuesit” si një kontribut për një vit të ri të suksesshëm akademik.
Kushtet e jetesës së studentëve
7. Në përfundim, dr. Dushi raportoi se janë marrë masa të ndryshme për përmirësimin e kushteve të jetesës në Universitet. Kishte përfunduar një konvikt i ri për 1,500 studentë dhe konviktet e tjera ishin rinovuar, ishte vënë në efiçencë një radio stacion dhe ishte rritur numri i pajisjeve të shërbimit në mensën e studentëve. Mbetet për t’u parë nëse këto përmirësime do të lehtësojnë mjaftueshëm presionin në fakultetet e Universitetit, veçanërisht në konviktet e mbushura me studentë.
Komente
8. Nga Beogradi nuk është e lehtë të vlerësohen këto lëvizje që po bëjnë autoritetet e Universitetit për të kapërcyer shpërdorimet e përhapura administrative dhe akademike që janë zhvilluar gjatë viteve 1970. Padyshim do të duhet shumë kohë për të çrrënjosur të gjitha ekseset nacionaliste në një institucion kaq të madh në të cilin, padyshim vazhdojnë rivalitetet gjuhësore dhe kulturore; gjithashtu niveli i bashkëpunimit me përpjekjet “për të diferencuar” dhe promovuar vetëkritikën e rëndësishme ndryshon sipas fakulteteve. Gjithsesi, përmbajtja (dhe toni) e raporteve të shtypit sugjerojnë se rektori i ri po fillon të bëjë përparime dhe se janë në proces përgatitje të shumta me qëllim që rikthimi i studentëve në tetor të mos çojë në trazira të tjera. Meqenëse këto përgatitje përfshijnë jo vetëm Universitetin, por edhe zinxhirin e komandës së Partisë dhe Qeverisë deri në nivel lokal, shtrirja e suksesit të tyre do të na ndihmojë për të vlerësuar se si ka vijuar reagimi i përgjithshëm i autoriteteve të Kosovës ndaj trazirave të marsit dhe prillit.
I Juaji,
C. G. Crawford
-78-
Konfidenciale
J C R Gray Esq Ambasada britanike
Departamenti Sovjetik dhe i Evropës Lindore Beograd
Zyra e Jashtme dhe e Komonuelthit 31 korrik 1981
I nderuari Charles,
Kosova: situata e sigurisë
1. Në letrën time të datës 28 korrik për Alan Montgomery kam përmendur se Ambasada amerikane këtu ka arritur të rregullojë që dy nga nëpunësit e saj konsullorë të kalojnë në Kosovë përmes rrugës nga Maqedonia për në Mal të Zi. Amerikanët më kanë vënë në dispozicion një kopje të raportit të këtyre dy nëpunësve (përshkruar në raport si “Nëpunës i Ambasadës – Emboffs”). Raporti është tejet i gjatë dhe nuk ndryshon pothuaj aspak nga përmbledhja e shkurtër që kam bërë në letrën e përmendur më lart. Sidoqoftë, po ju dërgoj një kopje bashkangjitur kësaj letre në mënyrë që të merrni një tablo të plotë të situatës.
I Juaji,
T. J. Clark
Raport i nëpunësve të Ambasadës – Emboffs
2. Përmbledhje/koment i datës 24 korrik; dy punonjës të Ambasadës amerikane bënë vizitën e tyre të parë në Kosovë që prej trazirave të pranverës aty, duke kaluar në Kosovë me makinë personale nga Maqedonia për në Mal të Zi me miratimin e qeverisë. Kalimi ndodhi pa vështirësi dhe nëpunësit e ambasadës ndaluan për një kohë të shkurtër në Prizren, Deçan dhe Pejë. Duket se tani po lejohen kalimet për qëllime turistike: jeta në zonat rurale dukej normale; qytetet ishin të mbushura me aktivitete; megjithatë, prezenca e policisë ishte e madhe, veçanërisht në Ferizaj dhe në Manastirin e vjetër serb të Deçanit. Forcat ushtarake ishin më pak të dukshme. Gjatë vizitave të shkurtra në Tetovë, një qytet i Maqedonisë në kufi me Kosovën, nëpunësit e Ambasadës vunë re tension të konsiderueshëm duke përfshirë shenja të mundshme të trazirave të fundit si dhe një prezencë të madhe të policisë speciale dhe trupave ushtarake.
3. Përshtypja mbizotëruese e nëpunësve të Ambasadës për Kosovën – mbi bazën e pranueshme sipërfaqësore të kalimit të shpejtë me automobil – është ajo e një vendi të pushtuar. Megjithëse qytetet e Kosovës që duket se gëlojnë nga jeta dhe biznesi janë përsëri në rrëmujë, të habit prezenca e policisë – në rrugët që çojnë në qendrat kryesore, në rrugë, në bashkitë e mëdha dhe qendrat e komunikimit, në monumentet kulturore dhe në transportin publik. Kjo prezencë flet qartë për situatën atje. Mbetet për t’u parë se sa do të vazhdojë kjo situatë më gjatë. Fundi i përmbledhjes dhe komentit.
4. Nëpunësit e Ambasadës kaluan Kosovën me automjet personal, më 24 korrik, ku kërkesa e tyre për të kaluar ishte pranuar nga qeveria më 21 korrik (telegrami i referuar). Kalimi u bë nga Shkupi, Maqedonia për në Bijelo Polie, Mali i Zi përmes Kaçanikut, Ferizaj, Suharekë, Prizren, Gjakovë, Deçan dhe Pejë. Punonjësit e Ambasadës ndeshën në një postbllok të policisë 8 km në veri të Shkupit para se të hynin në Kosovë. Policia rrugore jugosllave kontrolloi të gjitha automjetet që hynin dhe dilnin. Pas paraqitjes së dokumenteve të SFPJ-së që autorizonin kalimin, policia i lejonte nëpunësit e Ambasadës që të vazhdonin rrugën. Policia ishte jashtëzakonisht e sjellshme. Vlen të përmendet se nuk kishte prezencë ushtarake në këtë pikë apo pika kontrolli që kontrollonin hyrjen në Kosovë nga Mali i Zi që ndodhet 5 km në jug të Bijelo Polie (në Mal të Zi). Policia në këto pika kontrolli mbante vetëm armë brezi. Megjithatë, nëpunësit e Ambasadës vunë re se forca të policisë speciale të armatosura me armë automatik ishin vendosur në pikat e rrugëve që çonin në kalimin e komuniteteve më të mëdha, d.m.th. Ferizaj, Prizren, Suharekë etj., megjithëse këto forca policie nuk u panë se ndalonin qarkullimin. Organet e sigurisë jugosllave u dukën të qetë për udhëtimin e nëpunësve të Ambasadës. Nuk u vu re ndonjë mbikëqyrje e tyre, me gjithë kalimin nëpër disa zona – të tilla si Ferizaj – e cila sipas raportimit të shtypit jugosllav, shfaq ende probleme.
5. Aktualisht duket se po lejohet kalimi për qëllime turistike pa shoqërues në Kosovë, pa lejen e policisë (udhëtimet zyrtare ende kërkojnë leje). Siç raportohet në telegramin e referuar, më 23 korrik u njoftua se tashmë lejohet “turizmi i organizuar” (d.m.th. turnetë) për në Kosovë. Gjatë kalimit të tyre gjashtorësh, nëpunësit e Ambasadës vunë re se rreth 100 makina të huaja – afërsisht 70% e tyre ishin të Gjermanisë Perëndimore. Shumë prej tyre, ndoshta një e treta, duket se i përkisnin punëtorëve sezonalë (gastarbeiters) që ktheheshin nga punët verore për në Kosovë. Në lidhje me udhëtimet turistike, drejtori i qendrës kulturore amerikane në Shkup, shprehet se është në dijeni të faktit që disa turistë amerikanë kanë kaluar Kosovën gjatë dy javëve të fundit dhe që një grup amerikan i valles popullore ka marrë lejen për të udhëtuar nga Kosova për në Mal të Zi, më 18 korrik. Përpara se të bëhej udhëtimi duheshin marrë dokumentet përkatëse nga policia. Nëpunësit e Ambasadës pyetën gjithashtu në agjencinë e udhëtimit në Titograd, më 26 korrik, për mundësinë e një udhëtimi të huaj turistik për në Kosovë. Atyre iu tha se turistët e huaj lejoheshin aktualisht të kalonin në Kosovë duke përfshirë rrugën përmes Prishtinës për në Maqedoni dhe se kjo mund të realizohej pa marrë më përpara “dozvola” (leje) nga policia.
6. Kosova rurale. Fshati i parë nga rruga jep përshtypjen se jeta është relativisht normale aty. Nëpunësit e Ambasadës panë shumë njerëz që punonin në fusha dhe kujdeseshin për kafshët e fermave. Disa kultura janë duke u korrur. Fshatrat janë plot jetë; në disa prej tyre, tregjet fshatare ishin të mbushura me banorë lokalë dhe prezenca e forcave të sigurisë përfaqësohej zakonisht vetëm nga një polic. Në fshatrat shqiptare, u vu re se policët ishin shqiptarë.
7. Aktiviteti ekonomik. Edhe qytetet në të cilët kaluan punonjësit e Ambasadës dukej se kishin shumë gjallëri. Restorantet, kafenetë dhe mëngjesoret ishin të hapura në çdo lokal, përfshirë Ferizaj. Për shembull, nëpunësit e Ambasadës hëngrën drekën në një lokal të vogël në Prizren dhe kaluan pranë disa lokaleve të tjera të cilat po ashtu zhvillonin biznes aktiv. Bisedat me vendasit në Prizren dhe Pejë treguan se kinematë ishin hapur përsëri. Po kështu, ndërmarrjet e mëdha industriale dukeshin se funksionin dhe nëpunësit e Ambasadës vunë re vazhdimin e ndërtimit të disa komplekseve shumë të mëdha industriale, veçanërisht afër Suharekës.
8. Situata e sigurisë. Në përgjithësi ka një prezencë të shumtë të policisë në këtë pjesë të Kosovës megjithëse madhësia e saj ndryshon nga njëri vend në tjetrin. Për shembull, në Ferizaj policia speciale e armatosur me armë të tipit AR kontrollon hyrjen për në qytet dhe patrullon rrugët e qytetit në grupe që përbëhen prej dy dhe tre vetash. Në mënyrë të ngjashme policia speciale e armatosur me armë të tipit AR apo mitralozë, ruan zyrën postare të qytetit, stacionin e energjisë elektrike dhe një institucion të paidentifikuar në qendër të qytetit. Në periferi të qytetit, ndërtesa e re e bashkisë është rrethuar nga tela me gjemba dhe shihen bunkerë të ndërtuar prej thasësh me rërë. Ushtarët e JNA-së që mbajnë helmeta dhe armë të tipit AR ruajnë sigurinë e kësaj ndërtese. Përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës panë një transportues të blinduar që dallohej nga ngjyrat e policisë speciale dhe disa kamionë të mëdhenj ushtarakë të parkuar në kompleksin e ndërtesës.
9. Në përgjithësi, nëpunësit e Ambasadës dalluan një model të aktivitetit të policisë: policia speciale që mbante armë të tipit AR ishte vendosur në ruajtje të zyrave postare, ndërtesave të qeverisë bashkiake, stacioneve të energjisë elektrike, stacioneve hekurudhore dhe të autobusëve dhe ndonjëherë të ndërmarrjeve industriale (nëpunësit e Ambasadës vunë re masa të ngjashme sigurie në Mal të Zi, Ivangrad dhe Rozhajë). Gjithashtu, në komunitetet më të mëdha policia speciale dhe lokale patrullonte rrugët në grupe prej dy vetash. Në Pejë, disa mbanin mitralozë; në vendet e tjera të vizituara, nëpunësit e Ambasadës vunë re se si policia lokale dhe ajo speciale mbanin vetëm armë brezi dhe shkopinj. Në Prizren milicia lokale që mbante vetëm armë brezi patrullonte shumë rrugët me automjete dhe në këmbë. Aty, dukej se milicia kontrollonte gjithashtu edhe vendet e tubimeve publike: ndërkohë që nëpunësit e Ambasadës hëngrën drekë në një lokal të vogël, një milic hyri dhe kontrolloi nga afër të pranishmit në mëngjesore. Por në shumë fshatra, veçanërisht në ato që dukeshin se ishin shqiptare, shpesh policia nuk ishte e dukshme. Megjithatë, në fshat nëpunësit e Ambasadës panë policë që hipnin në autobusët lokalë dhe autobusët ndërmjet qyteteve, veçanërisht në rrugën midis Ferizaj dhe Prizrenit.
10. Policia speciale është vënë gjithashtu për të ruajtur monumentet kulturore. Në Manastirin serb të Deçanit që është në gjysmë të rrugës midis Prizrenit dhe Pejës, ishin në shërbim forca të policisë speciale që mbanin mitralozë. Përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës vunë re ushtarë të JNA-së, të armatosur rëndë me veshje lufte që patrullonin rrugën pranë këtij Manastiri (i cili është afër kufirit me Shqipërinë). Ndërkohë që nëpunësit e Ambasadës vizituan Manastirin, një grup prej gjashtë ushtarësh të armatosur rëndë dhe me helmeta kaluan në zonën përreth Manastirit. Në të kundërt, në Patriarkanën e vjetër Ortodokse Serbe në Pejë, patrullonin vetëm policë të forcave speciale të armatosur rëndë dhe nuk shihej asnjë ushtarak.
11. Prania ushtarake. Në pjesën jugore dhe perëndimore të Kosovës ka prezencë ushtarake, por kjo prezencë nuk duket se është aq e madhe. Nëpunësit e Ambasadës panë një automjet ushtarak të rastit në rrugë, një autokolonë të vogël që përbëhej ndoshta nga një njësi komunikimesh midis Suharekës dhe Ferizaj dhe disa grupe ushtarësh të paarmatosur që shëtisnin në Prizren dhe Pejë. Garnizonet ushtarake në këto qytete duket se ishin relativisht të boshatisura. Në këtë drejtim, një maqedonas nga Bitola i tha nëpunësve të Ambasadës se njësia e djalit të tij, e cila ishte transferuar nga Bitola në Prizren menjëherë pas shpërthimit të trazirave aty, ishte zhvendosur më pas në Prishtinë dy muaj më parë.
12. Duke gjykuar nga prezenca e ushtrisë në Deçan, JNA-ja kishte një rol sigurie në këtë pjesë të Kosovës. Sidoqoftë, në përgjithësi duket se forcat e policisë speciale dhe lokale janë përgjegjëse për ruajtjen e rendit publik, veçanërisht në qytete ku ushtria mesa duket do të vihet në dispozicion për të ofruar çdo lloj mbështetjeje që mund të jetë e nevojshme si dhe për të garantuar sigurinë e monumenteve kulturore të rëndësishme serbe dhe ndoshta për të patrulluar fshatin.
13. Maqedonia. Duket se ka tension në rritje midis shqiptarëve dhe maqedonasve në zonën e Tetovës dhe Shkupit. Nëpunësit e Ambasadës kaluan më 22 dhe 23 korrik në Maqedoninë perëndimore dhe vunë re armiqësi të konsiderueshme kundër shqiptarëve në mesin e një numri të madh maqedonasish që ata takuan: nga një person i kontaktuar, atyre iu tha se “nëse ata (shqiptarët) duan luftën, ne do t’ua japim”. Një person tjetër u tha se “e vetmja gjë e mirë e krijuar nga shqiptarët është marka Skënderbeg”. Për më tepër, duket se policia maqedonase po merr masa të forta për të prapësuar aktivizmin shqiptar dhe për të kontrolluar lëvizjen e shqiptarëve me qëllimin e qartë për të kufizuar “nacionalizmin dhe irredentizmin shqiptar” në këtë pjesë të Maqedonisë, veçanërisht në Tetovë. Në Shkup, një e njohur studente australiane e cila ka shumë lidhje me komunitetin lokal shqiptar tha se kishte parë mbrëmjeve shtimin e kontrolleve të identifikimit nga ana e policisë në Shkup me synimin për të zbuluar shqiptarët jorezidentë. Ajo gjithashtu u tregoi nëpunësve të Ambasadës se kishte qenë personalisht dëshmitare kur shqiptarët i kishin ulur nga autobusët që udhëtonin për në Maqedoninë Lindore. Të njohurit shqiptarë të nëpunësve të Ambasadës hezitonin të diskutonin mbi situatën e tyre në Shkup, por treguan se shqiptarët ishin më mirë ekonomikisht tani në Kosovë sesa në kryeqytetin e Maqedonisë.
14. Qyteti i Tetovës, në veriperëndim të Shkupit dhe afër Kosovës, dukej veçanërisht i tensionuar. Tetova është një qytet ku më së shumti mbizotërojnë shqiptarët; ky fakt u bë tejet i qartë për nëpunësit e Ambasadës kur kaluan aty më 22 dhe 23 korrik, pasi në asnjë moment gjatë kalimit të tyre në Kosovë ata nuk vunë re kaq shumë njerëz të të gjitha moshave që mbanin qeleshe të bardhë e cila ishte bërë mënyra kryesore që meshkujt shqiptarë të manifestonin kombësinë e tyre nga njëra anë, dhe nga ana tjetër ishte bërë burim provokimi për nacionalistët serbë dhe maqedonas. Prezenca e policisë në Tetovë ishte e ngjashme me atë të vënë re në qytetet e Kosovës, pra shumë e madhe. Për më tepër, kur nëpunësit e Ambasadës kaluan përmes Tetovës gjatë mbrëmjes së datës 23 korrik, ata dalluan ushtarë të armatosur rëndë me veshje lufte të cilët ruanin (duke përfshirë disa të vendosur në çatinë e ndërtesës) klubin e ushtrisë në qendër të qytetit në dukje të posa fortifikuar (me thasë me rërë); përveç kësaj, nëpunësit e Ambasadës vunë re se pjesa më e madhe e xhamave të klubit ishin thyer, gjë që tregonte se aty kishin ndodhur trazira. Në përfundim, gjatë largimit nga Tetova atë mbrëmje, nëpunësit e Ambasadës ndeshën një pikë kontrolli të milicisë që ishte pikërisht jashtë qytetit në rrugën për në Shkup. Një ditë më parë aty kishte pasur një pikë kontrolli midis dy qyteteve. Policia i kontrolloi të gjithë njerëzit që qarkullonin në të dyja drejtimet, por i lejoi nëpunësit e Ambasadës që të kalonin pasi u panë dokumentet e tyre diplomatike. Koment: treguesit e jashtëm të tensionit në Tetovë sugjerojnë se ekziston mundësia që aty të ketë trazira të tjera të cilat në fakt mund të provokohen nga masat e ashpra të sigurisë të miratuara nga autoritetet maqedonase, të shoqëruara me një valë të madhe të nacionalizmit maqedonas.
Benson
-79-
Vetëm për përdorim zyrtar
Raport analize i FBIS
5 gusht 1981
Zhvendosja e ekuilibrit etnik të Kosovës: Kërcënim i mundshëm për stabilitetin e Jugosllavisë
Hyrje
Aftësia e Jugosllavisë për të ruajtur paqen në mes grupeve të saj të ndryshme etnike është ballafaquar me një test në Kosovë, njëra prej dy “krahinave autonome” në Republikën jugore të Serbisë. Anëtarë të komunitetit shqiptar në krahinë u hodhën në demonstrata në mars dhe prill, duke kërkuar shkëputjen e Kosovës nga Serbia dhe ngritjen e saj në statusin e Republikës. Autoritetet jugosllave hodhën poshtë menjëherë kërkesat e demonstruesve, shtypën trazirat dhe filluan spastrimin e nacionalistëve shqiptarë. Situata në këtë krahinë disa muaj më vonë ka mbetur shqetësuese, dhe nacionalizmi shqiptar vazhdon të kërkojë mbrojtjen e të drejtave të veta sipas rastit.
Shkaku kryesor i tensionit më të fundit ka qenë epërsia gjithnjë në rritje e shumicës myslimane shqiptare në lidhje me pakicat sllave serbe dhe malazeze në këtë krahinë. Kjo mungesë e ekuilibrit etnik është acaruar në vitet e fundit nga shkalla e lartë e lindshmërisë së shqiptarëve dhe emigrimi i serbëve dhe malazezëve nga krahina – një lëvizje që u përshpejtua pas dëbimit në vitin 1966 të shefit serb të sigurisë, Aleksandër Rankoviq, i cili përfaqësonte vijën e ashpër të Titos. Emigrimi, një temë që prej vitesh ka qenë e ndaluar për diskutim publik në Jugosllavi, është ushqyer nga shqetësimet serbe se vazhdimi i zhvendosjes demografike në favor të shqiptarëve të Kosovës, do të dobësojë edhe më shumë qëndrimin e serbëve në rajon. Shqetësimet e Serbisë duket se janë nxitur nga Shqipëria fqinje, e cila mbështeste haptazi kërkesat e demonstruesve.
Këmbëngulja e Serbisë për të mbajtur Kosovën si Krahinë mund të bëhet e pabazë nëse vazhdon zhvendosja demografike. Vazhdimi i statusit të krahinës ka të ngjarë që të provokojë pakënaqësi të reja dhe trazira në radhët e shqiptarëve të Kosovës. Megjithatë, humbja e Kosovës për Serbinë mund të ketë pasoja negative me ndikim të gjerë për ekuilibrin delikat etnik të Jugosllavisë. Ajo mund të nxisë serbët që të kërkojnë status më të lartë në Republika të tilla, si në Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina, ku bashkëjetojnë popullsi të mëdha serbe me grupe të tjera etnike, dhe përfundimisht mund të shkatërrojë politikën e tolerancës dhe barazisë etnike që e ka mbajtur Jugosllavinë të bashkuar deri më sot.
Ky raport shqyrton evoluimin e statusit aktual të çështjes demografike të pasqyruar në medien jugosllave. Diskutimi publik i kësaj çështjeje tregon se presioni nga serbët në vetë Serbinë dhe në Kosovë ka sjellë lëvizjet e para për të trajtuar çështjen e emigrimit, por se natyra e rrënjosur thellë e problemit dhe hezitimi në radhët e zyrtarëve shqiptarë të Kosovës sjell perspektivën që, në rastin më të mirë, zgjidhja të jetë e pasigurt.
-80-
Vetëm për përdorim zyrtar
Raport analize i FBIS
5 gusht 1981
Zhvendosja e ekuilibrit etnik të Kosovës: Kërcënim i mundshëm për stabilitetin e Jugosllavisë
Rezultatet e Censusit te vitit 1981
Nga rezultatet paraprake të censusit të viti 1981, të publikuar në maj në medien jugosllave janë konfirmuar treguesit se balanca etnike e Krahinës së Kosovës është zhvendosur gjithnjë e më shumë në favor të shumicës shqiptare. Censusi tregon se popullsia etnike shqiptare në Kosovë është rritur më shumë se 300,000 që prej vitit 1971, duke shkuar nga 916,168 në 1,227,427. Ky fakt përfaqëson një normë vjetore të rritjes prej 3% – një nga më të lartat në Evropë – dhe një rritje të pjesës së shqiptarëve në popullsinë e krahinës nga 73.7% në 77.5%. Gjatë së njëjtës periudhë, numri i popullsisë etnike serbe ra më shumë se 18,000 nga 228,264 (18.4%) në 209,792 (13.2%). Popullsia malazeze e krahinës, etnikisht e ngjashme me atë serbe, ra gjithashtu, nga 31,555 (2.5%) në 26,875 (1.7%). Kështu, Kosova humbi më shumë se 23,000 serbë dhe malazezë (rënie prej 10%) gjatë dekadës së fundit për shkak të vdekjeve dhe emigrimit.
Ndërkohë që statistikat jugosllave të kombësisë kanë qenë shpesh të debatueshme dhe shifrat e censusit më të fundit nuk përbëjnë përjashtim – për shembull, gazeta e Tiranës “BASHKIMI” ka parashikuar më 10 prill se shqiptarët mund të jenë paraqitur në numër më të vogël se ç’ishin në të vërtetë ndërsa e përditshmja e Shkupit “NOVA MAKEDONIJA” më 15 qershor tha se ata mund të jenë paraqitur në numër më të madh – të dhënat mbi vazhdimin e emigrimit të serbëve dhe malazezëve janë pranuar gjerësisht, veçanërisht në radhët e këtyre dy grupimeve. Gazeta e Kosovës në gjuhën serbo-kroate “JEDINSTVO”, në një artikull të raportuar nga agjencia jugosllave e lajmeve “Tanjug”, më 23 qershor, tha se popullsia serbe dhe malazeze e Bashkisë së Podujevës në verilindje të Kosovës ka rënë rreth tre të katërtat që prej vitit 1961, nga afërsisht 10,000 në 2,860. Po kështu, një raport i Radio Beogradit i datës 25 korrik citonte një zyrtar nga Kosova, i cili tha se kanë emigruar “fshatrat të tërë” me serbë dhe malazezë. Pretendime të tjera serbe dhe malazeze mbi shtrirjen e emigrimit kanë qenë edhe më gjithëpërfshirëse. Në një fjalim përpara Kuvendit jugosllav më 9 qershor, zyrtari malazez Batriq Jovanoviq citoi ekspertët serbë, të cilët pretendonin se Kosova kishte humbur rreth 40% të malazezëve dhe 20 deri në 30% të serbëve të saj gjatë 15 vjetëve që prej largimit të shefit të sigurisë Rankoviq.
Shqetësimi i Republikës Serbe
Zyrtarët serbë kanë shprehur shqetësimin e tyre në rritje mbi zhvendosjen e ekuilibrit etnik të krahinës. Kryeredaktori i Radio Beogradit, Milutin Milenkoviq, theu heshtjen e gjatë publike të Jugosllavisë për çështjen e emigrimit në një koment në radio më 21 prill, ku shprehu shqetësimin për eksodin dhe bëri thirrje që të merren masa për të siguruar se të gjithë jugosllavët mund “të jetojnë dhe punojnë të patrazuar dhe në paqe në çdo pjesë të vendit”. Që atëherë, zyrtarë të lartë të Republikës serbe, së bashku me komentatorë të medies së Beogradit, i kanë bërë presion udhëheqjes së Kosovës për të frenuar presionet nacionaliste shqiptare që fajësohen për emigrimin.
Komenti më i besueshëm serb për çështjen e emigrimit është bërë në një Plenum të Partisë serbe më 6 maj, i mbajtur një ditë pasi Plenumi i Kosovës kishte përjashtuar Kryetarin prej shumë kohësh të Partisë së krahinës dhe kishte transmetuar përhapjen e ndarjeve mbi nacionalizmin shqiptar. Udhëheqësi i Partisë serbe, Tihomit Vllaskaliq, duke folur për emigrimin e jo-shqiptarëve që prej trazirave, u bëri thirrje komunistëve etnikë shqiptarë në Kosovë që të tregonin “saktësi të plotë” për këtë çështje dhe të demonstronin “të njëjtën vendosmëri” kundër nacionalizmit shqiptar që Partia serbe kishte treguar në të kaluarën kundër nacionalizmit serb. Udhëheqësi i njohur serb, Dragoslav Markoviq, ishte më shumë polemizues, duke akuzuar se zyrtarët e Kosovës kishin “fshehur” çështjen e emigrimit dhe duke paralajmëruar se do të ishte “shumë e rrezikshme” nëse emigrimi do të vazhdonte. Sekretari i Partisë serbe, Spiro Galoviq, po ashtu paralajmëroi se vazhdimi i largimit së serbëve dhe malazezëve në fund të fundit do të ishte i dëmshëm për vetë interesat e shqiptarëve etnikë.
Deklaratat vijuese publike të bëra nga zyrtarët serbë dhe komentuesit e medies kanë vazhduar presionin ndaj udhëheqjes së Kosovës. Në një mbledhje të Kuvendit serb më 11 qershor, një zyrtar akuzoi se sistemi penal i Kosovës diskriminonte jo-shqiptarët; një tjetër u ankua se fluksi i kohëve të fundit të serbëve në Serbi po shkaktonte përçarje dhe nxiste nacionalizmin serb. Kryesia serbe kërkoi më 2 korrik që udhëheqja e Kosovës “të mprehte luftën dhe të forconte ligjshmërinë” në analizimin e shkaqeve të emigrimit, një detyrë që kërkonte “punën më të ndërgjegjshme të mundshme”. Gazetat serbe i kanë shtuar benzinë zjarrit, duke raportuar dhunimin e varreve serbe në Kosovë dhe incidente të tjera anti-serbe dhe duke akuzuar Kosovën për diskriminim në shkallë të gjerë ndaj jo-shqiptarëve në politikën e punësimit, gjuhës, shitjen e pronës si dhe në fusha të tjera.
Reagim i ashpër për serbët dhe malazezët e Kosovës
Zyrtarë nga pakicat etnike serbe dhe malazeze të Kosovës, të inkurajuar haptazi nga mbështetja e fuqishme e Republikës serbe, kanë kërkuar gjithashtu që të merren masa për të parandaluar humbjen e mëtejshme të kushtetutave të tyre. Komenti i parë për këtë çështje doli më 5 maj në Plenumin e Kosovës, ku zyrtarët e partisë krahinore Mihajlo Zvicer dhe Llazar Vujoviq transmetuan ankesat e vjetra për statusin e jo-shqiptarëve të Kosovës. Duke nxitur një diskutim të hapur të të gjitha “temave tabu” të mëparshme, Zviceri, që është malazez, u ankua për politikat e kaluara për emigrimin, gjuhët, punësimin dhe bëri thirrje për “vlerësime të plota, të sakta dhe gjithëpërfshirëse” të çështjes së emigrimit. Po kështu, Vujoviq kërkoi “ndalimin efektiv të shovinistëve që po i nxisin njerëzit” të largohen dhe paralajmëroi mbi nevojën për “parandalimin e këtij fenomeni që të mos marrë karakter masiv”. Serbët e Kosovës Gjuro Trboviq dhe Bogolub Nedelkoviq shprehën ankesa të ngjashme në një Plenum të Partisë jugosllave më 7 maj. Trboviq akuzoi nacionalistët shqiptarë për “dhunë fizike”, dhe Nedeljkoviq dënoi “ndjekjen” e jo-shqiptarëve.
Zyrtarë të tjerë serbë dhe malazezë të Kosovës përforcuan shqetësimet mbi emigrimin në javët e ardhshme. Në një Plenum të Partisë së Kosovës më 23 maj, një zyrtar nxiti “luftën kundër çdo përpjekjeje për presion dhe shantazh” që rezulton në emigrim, dhe një tjetër ngriti zërin kundër diskriminimit në punë. Ndërkohë që disa zyrtarë serbë dhe malazezë e kanë trajtuar çështjen e emigrimit si një problem afat-gjatë, Kryetari i Partisë krahinore Petar Kostiq bëri thirrje më 4 qershor për “ndërhyrje urgjente” për të ndaluar eksodin dhe kritikoi pikëpamjen se të drejtat e kombësisë duhet të jepen në përputhje me madhësinë e një grupi etnik. Gazeta e Kosovës “JEDINSTVO”, sipas “Tanjug” të datës 23 qershor, akuzoi se ekzistonte një “hendek” midis “asaj për të cilën është rënë dakord, dhe asaj që po bëhet” në lidhje me çështjen e emigrimit.
Zvarritja e shqiptarëve të Kosovës
Udhëheqja shqiptare e Kosovës në pjesën më të madhe duket se e ka zvarritur çështjen e emigrimit, megjithë premtimet për të marrë masa korrigjuese. Pozita zyrtare e Partisë së Kosovës u shpjegua në një “program veprimi” të miratuar në Plenumin krahinor më 23 maj dhe doli në gazetën “BORBA” të Beogradit më 6 qershor. Ky artikull bënte thirrje që Partia të “vlerësojë dhe analizojë sa më shpejt shkaqet dhe fenomenet e emigrimit serb dhe malazez nga Kosova gjatë dekadës së fundit dhe të përcaktojë detyra specifike në këtë drejtim”. Kryetari i ri i Partisë së Kosovës, Veli Deva i cili u angazhua për këtë politikë më 4 qershor kur e quajti zgjidhjen e çështjes së emigrimit si një detyrë parësore politike, tha se Partia “nuk duhet të pajtohet me një rast të vetëm largimi”, dhe nxiti marrjen e masave “energjike” për të krijuar “një atmosferë të tillë që do t’i japë fund këtij procesi”. Gjithsesi, shumë zyrtarë shqiptarë të Kosovës nuk kanë qenë aspak reagues ose të paaftë ose jo të gatshëm që të trajtonin këtë problem në mënyrë vendimtare.
Njëra rrugë përmes së cilës zyrtarët shqiptarë të Kosovës duket se kanë penguar politikën partiake, ka qenë mosparaqitja e statistikave të emigrimit ose mungesa e ndihmës për të analizuar arsyet e emigrimit. Për shembull, anëtari i Kryesisë së Partisë së Kosovës, Sinan Sahiti, i qortoi më 27 maj autoritetet në qytetin e Ferizaj për mosrespektimin e kërkesës lidhur me të dhënat e emigrimit dhe la të kuptohet se moszbatimi është motivuar politikisht. Një tjetër shenjë e dukshme e rezistencës lokale erdhi kur një zyrtar i Mitrovicës tha hapur më 31 maj se “nuk ekziston asnjë presion për eksod të serbëve apo malazezëve” nga ajo krahinë dhe se çdo emigrim ishte shkaktuar nga faktorë të tjerë. Një mbledhje e Komisionit të Kosovës të formuar së fundmi për çështjen e emigrimit, sipas “Tanjug” të datës 27 korrik, raportonte se shumë Bashki të Kosovës kishin regjistruar me qindra largime. Por, thuhet se disa e mohojnë ekzistencën e ndonjë presioni, dhe disa të tjerë nuk kishin arritur të bënin ndonjë gjë për të gjetur shkaqet e emigrimit.
Disa zyrtarë etnikë shqiptarë duket se po përdorin taktika më të mprehta për të penguar masat në çështjen e emigrimit. Në Plenumin e Kosovës më 23 maj, Kryetari i Partisë Deva raportoi një përpjekje të bërë nga disa zyrtarë të paidentifikuar për zbutjen e problemit, duke u përpjekur, por pa sukses, që të fusnin çështjen e emigrimit të shqiptarëve në programin e veprimit të Partisë. Udhëheqësi i organizatës së Lidhjes Socialiste të Kosovës, Azem Vllasi, duket se ka bërë disa përpjekje për t’ia hequr përgjegjësinë për këtë çështje komunistëve shqiptarë të krahinës. Sipas gazetës “BORBA” e Beogradit më 6 qershor, ai tha se i kishte kërkuar organeve republikane serbe për të kufizuar përkohësisht emigrimin dhe më 24 qershor ai tha në një mbledhje në Beograd se serbët dhe malazezët e Kosovës “nuk duhet të sillen si viktima pasive dhe vetëm të presin aksionin e komunistëve shqiptarë”. Mohimi nga ana e zyrtarëve shqiptarë të Kosovës se emigrimi është shkaktuar shpesh nga “presioni”, është përgënjeshtruar më 7 qershor nga e përjavshmja e Beogradit “NIN”, e cila pohoi se presioni mund të marrë forma shumë të mprehta dhe të ndryshme në mungesë të kërcënimit apo dhunës së hapur.
Mbështetja e Tiranës për demonstruesit
Shqipëria fqinje është përmbajtur në çështjen demografike të Kosovës, mesa duket duke besuar se lëvizja etnike në fund të fundit shkon në favor të saj. Megjithatë, ajo ka zemëruar Jugosllavinë dhe ka nxitur më tej shqetësimet serbe me pikëpamjet e saj të shprehura për aspekte të tjera të situatës. Në një seri artikujsh që fillojnë me një kryeartikull të gazetës “ZËRI I POLULLIT”, Tirana mbështeti haptazi kërkesat “e drejta” të demonstruesve për statusin e Republikës brenda Jugosllavisë, dënoi rolin “brutal” të milicisë serbe në masat e ashpra, dhe akuzoi se shqiptarët e Kosovës janë shtypur politikisht dhe ekonomikisht. Ndërkohë që artikujt pretendonin se nuk kishte asnjë synim për ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë, ato ishin veçanërisht provokative në mbrojtje të së drejtës së Tiranës për të folur për “vëllezërit” e saj shqiptarë jashtë vendit, duke shkuar deri aty sa të pohonin në një kryeartikull të gazetës “Zëri i Popullit” të datës 17 maj se mosdhënia e statusit të Republikës për Kosovën do ta “kthejë këtë plagë në gangrenë”.
-81-
Për përdorim të kufizuar
J C R Gray Esq Ambasada britanike
EESD Beograd
FCO 5 gusht 1981
I nderuar Charles,
Kosova: pasqyrimi në media
Përmbledhje
1. Kritikat e fundit nga një zyrtar Informacioni për Kosovën mbi disa pjesë të shtypit “të Beogradit” për trajtimin e trazirave në Kosovë, kanë nxitur reagime përçmuese nga gazetat e Beogradit, por tërhoqën mbështetje të paparashikuar publike nga disa anë të tjera shtypi tjetërkund në Jugosllavi. Një gjë e tillë ka shkaktuar ‘polemika’ të pahijshme midis publikimeve të ndryshme, ku ‘shtypi i Beogradit’ ka hedhur poshtë me forcë akuzat se pasqyrimi nga ana e tij është goditur nga senzacionalizmi apo nacionalizmi serb. Është shumë herët për të dalluar nëse kjo do të ndikojë në pasqyrimin e thekshëm kombëtar të Kosovës apo në tendencat e përgjithshme në drejtim të lirisë më të madhe të shtypit në Jugosllavi. Por kjo situatë demonstron qartazi se sa lehtë mund të ndizen xhelozitë kombëtare në klimën e vështirë aktuale.
Detaje
2. Në letrat e mia për ju të datës 28 prill dhe 19 maj, kam përshkruar se si trazirat në Kosovë kanë çuar në një debat të gjallë mbi rolin e përgjithshëm të shtypit në Jugosllavi. Raportimi ynë për Kosovën që atëherë ka zbuluar (shpresoj) faktin që shtypi në tërësi, por në veçanti botime të tilla me bazë në Beograd si gazetat NIN, “Politika”, “Politika Ekspres” dhe “Duga”, i kanë ofruar publikut jugosllav që në prill një analizë të gjerë të problemeve të kaluara dhe aktuale në Kosovë. Disa nga zbulimet kanë vënë në siklet me të drejtë grupe të ndryshme të Kosovës dhe ndoshta kanë ndihmuar për të detyruar shumicën e dorëheqjeve të paraqitura nën presion deri tani. Ka pasur ankesa sporadike nga Kosova se ky pasqyrim i fuqishëm i shtypit ka qenë jashtëzakonisht ‘senzacionalist’, pesimist ose edhe dëmtues (shih, për shembull, letrat e mia për ju të datës 10 qershor, paragrafi 10, dhe të datës 17 qershor, paragrafi 3). Por debati në shtyp që ka pasuar vërejtjet e Mustafa Rushitit më 20 korrik, raportuar të nesërmen në gazetën “Politika”, ka pasur implikime më të gjera.
Fjalimi i Mustafa Rushitit
3. Duke hapur një mbledhje të Seksionit të Informacionit të Lidhjes Socialiste të Kosovës të mbledhur për të diskutuar temat dhe jo për të përgatitur një vlerësim përfundimtar, Kryetari i Seksionit, Mustafa Rushiti, kritikoi “gazetat e ndryshme të ilustruara” pasi kishin shkruar në “mënyrë të njëanshme, tendencioze dhe senzacionaliste”, duke mbjellë kështu mosbesim për forcat progresive dhe kombësinë shqiptare në Krahinë. Ndërkohë që gazetat “Oslobodjenje”,“Borba” dhe “Vjesnik”kishin qenë në përgjithësi konstruktive, gazeta “NIN” dhe revista të tjera (për shembull, “Duga” dhe “Ilustrovana Politika”) kishin paraqitur “kritika të përgjithësuara dhe ofensive”. Në veçanti ai dënoi artikullin e Dr. Halit Trnavci në gazetën “NIN” (raportuar në letrën e Terence Clark për Alan Montgomery e datës 13 korrik), por gjithashtu pretendoi se edhe korrespondentët e “Tanjug-ut” në Prishtinë nganjëherë nuk kishin arritur të vlerësonin ndryshimet pozitive që po ndodhnin. Raportimi i fjalimit të tij nga gazeta “Politika”shprehte se këto komente çuan në një diskutim të gjatë, me mosmarrëveshje të shprehura për pika të ndryshme.
Përgjigjet e ‘shtypit të Beogradit’
4. Siç mund ta imagjinoni, publikimet e sulmuara nga Rushiti nuk ishin krejtësisht dakord me konkluzionet e tij. Gazeta “Politika” e datës 25 korrik iu shmang përgjigjes së drejtpërdrejtë duke ribotuar një artikull nga versioni serb i gazetës “Komunist” nga Mirko Arsiq. Arsiq tha se kritika e “disa tendencave negative” në Kosovë pasqyronte në fakt mbështetjen e plotë dhe pa rezerva nga pjesë të tjera në Jugosllavi për të gjitha ato forca në Krahinë që trajtonin çështjen e kundërrevolucionit. Megjithatë, përpjekjet për t’i klasifikuar publikimet si të mira dhe të këqija mbi bazën e raportimit të tyre të përgjithshëm ishin të paprecedente, veçanërisht kur vetë shtypi i Kosovës nuk gjykohej në mënyrë të ngjashme. Ai pranoi se disa artikuj kishin qenë vërtetë të padobishme dhe senzacionaliste, por përgjithësimet e gjera në vend të kritikës së artikujve individualë ishin pavend. “Ky vlerësim i Kryetarit të Seksionit është shumë pranë papërgjegjshmërisë dhe favorizon nacionalizmin shqiptar”.
5. Gazetat “Borba” dhe “Politika” publikuan më pas më 27 korrik një përgjigje të dhënë nga “Tanjug”, e cila bëri komente të ngjashme dhe dënoi përpjekjet “për të ndezur një formë diferencimi brenda sistemit jugosllav të informacionit”. Përpjekje të tilla çuan në “një klasifikim të papranueshëm politik, i cili mund të përmbante përpjekje të fshehta për të përhapur përçarje në shtypin jugosllav”. “Tanjug” shtoi se nëse disa nga korrespondentët e saj kishin pasur vështirësi të gjuhës në Kosovë, ky ishte pikërisht një problem që seksionet e informacionit në Krahinë duhet të kishin ndihmuar për ta zgjidhur.
6. Gazeta “NIN” publikoi komentet e saj më 31 korrik. Ajo tërhoqi vëmendje të veçantë në tre tema të artikullit të Dr. Trnavcit, të cilat e kishin irrituar Rushitin: fakti që indoktrinimi i zgjatur nacionalist në Krahinë ishte toleruar nga një rreth i ngushtë intelektualësh dhe politikanësh; nevoja për një vlerësim shumë më të vendosur të përgjegjësisë personale në nivelin e lartë politik në Kosovë; dhe shkalla e martesave dhe nepotizmit në radhët e qarqeve të larta. Çfarë konstatoi Rushiti “liberaliste” apo të pasaktë në gjithë këtë? Nuk ishte e lehtë të shkruhej për Kosovën, por ishte e nevojshme që të bëheshin hetime të thella të problemeve atje “jo për faktin se dikush duhet të marrë hak ndaj dikujt tjetër, por më tepër për të mbytur kundërrevolucionin akoma pa lindur”. Siç u shpreh gazeta “NIN”, duke ri-lexuar konkluzionet e qarta të organeve më të larta politike në Jugosllavi, “është e vështirë të shmanget përshtypja se ndërkohë ka ndodhur diçka që ka bërë disa zyrtarë dhe medien informative t’i shohin detyrat që lindin nga këto konkluzione nga një këndvështrim tjetër…”.
Mbështetja për Rushitin
7. Sidoqoftë, më 29 korrik gazeta me qendër në Sarajevë “Oslobodjenje” publikoi një pjesë të Kemal Kurspashiq, të cilën gazeta “Politika” e ribotoi të nesërmen. Në fillim të muajit kishte pasur një luftë fjalësh midis redaktorit të gazetës “NIN” dhe asistent/kryeredaktorit të gazetës “Oslobodjenje”, i cili, së bashku me një redaktor të RTV Zagrebit kishte kritikuar pasqyrimin që gazeta “NIN” i kishte bërë çështjeve të ndryshme në Kosovë (veçanërisht emigrimit të serbëve dhe malazezëve); por Kurspahiq i vuri në një kontekst më të gjerë kritikat e Rushitit ndaj ‘Beogradit’. Ai kërkonte të dinte pse disa botime ishin të gatshme të kritikonin të tjerët në emër të lirisë së shtypit, por nga ana tjetër, “tregonin dhëmbët e tyre” ndaj njerëzve që i kritikonin ato. Ai tha se shumë pjesë nga fjalimi i Rushitit përmendnin realisht punën e medies në Kosovë por që komentuesit i kishin injoruar ato. Për më tepër, të njëjtët njerëz që kishin hedhur poshtë klasifikimet e përgjithshme të shtypit jugosllav po kërkonin që një procedurë e tillë të zhvillohej në Kosovë. Ndërkohë që të gjithë ishin bërë një në dënimin e kundërrevolucionit në Kosovë, “ne nuk mund të një mendjeje për rolin e informacionit në aksionin politik kur në të njëjtën kohë ekzistojnë artikuj dhe gazeta që janë më të angazhuara me regjistrimin e shpërthimeve nacionaliste sesa me përpjekjet pozitive për normalizimin e tyre”. Ekzistonte një implikim i dukshëm në fjalët e Kurspahiq se nacionalizmi serb ishte pas sulmeve të ‘shtypit të Beogradit’ ndaj Rushitit.
8. Dukej se ishte shumë vonë që gazeta NIN të reagonte, por gazeta “Politika Ekspres” e datës 29 korrik nuk u tërhoq nga kritikat e saj në trajtimin e atyre që kërkonin të sulmonin “mediet e tjera të popullit”. Artikulli citonte se shtypi në Serbi mbante përgjegjësi të veçantë për kanalizimin e Kosovës prej një dekade si Krahina që ishte përpjekur të shmangte rolin e saj si pjesë përbërëse e Serbisë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt Federatës, duke bllokuar në këtë mënyrë përpjekjet e Serbisë për të ndjekur politika të përgjithshme në të gjithë Republikën në tërësi. Në luftën e informacionit brenda Serbisë ka pasur suksese dhe gabime, por tendenca më e fundit në drejtim të vëzhgimit të “medieve të tjera të popullit” ka qenë alarmuese. “Këto kritika mesa duket janë të lidhura nga një fije e padukshme, meqenëse pak a shumë të gjitha në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, synojnë të jenë në qendër të vëmendjes të të ashtuquajturit shtypi ‘serb’ ose ‘i Beogradit’, duke mbajtur të fshehur anën e errët të qëllimeve të tyre”. Natyrisht, nëse (siç ishte e nevojshme) shtypi në Serbi është përfshirë veçanërisht në problemet e Kosovës, logjikisht kishte më shumë të ngjarë që të bënte më shumë gabime; por ishte e rëndësishme që kritika praktikisht të njëjta për Serbinë të vinin nga Shqipëria, e cila kërkonte të tregonte se ‘problemi i Kosovës’ ishte krijim serb.
9. Kjo përmbledhje irrituese por inteligjente e debatit të Bozidar Bogdanoviq, asistent redaktor në gazetën “Politika Ekspres”, provokoi nga ana e tij shkrimin e një letre çuditërisht të paqartë të Milan Uzelac, Sekretar i Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës, ku Bogdanoviq akuzohej se kishte krijuar përçarje “në një mënyrë të ashpër dhe të papranueshme” dhe se kishte përdorur “logjikë të çuditshme” për të ndarë përgjegjësinë mbi ngjarjet në Kosovë midis së kaluarës dhe të tashmes. Gazeta “Politika Ekspres” publikoi më 4 gusht një letër “thjesht sepse Shoku Uzelac ka marrë përsipër të drejtën për të folur në emër të Kryesisë së Aleancës Socialiste të Bosnje-Hercegovinës. Ndryshe, shpjegimet dhe argumentet e tij nuk janë në një nivel të tillë që të lejojë zhvillimin e një dialogu me vlerë”.
Përpjekje për pajtim?
10. Pas shkëmbimeve të tilla të hidhura, gazeta “Politika”botoi më 2 gusht një artikull të Slavoljub Gjukiqit, ku përpiqej të qetësonte gjërat. Ai tha se defektet në raportimin e Kosovës ishin lehtësisht të korrigjueshme, “por është shumë më e vështirë që të mbushen disa çarje, të cilat po krijohen në shoqërinë tonë dhe po përhapen në mënyrë alarmuese”. Ndarjet në shtyp që pranonin vlerat bazë të Jugosllavisë ishin të menaxhueshme, por “dashur pa dashur shtypi Republikan po transformohet në një forum të interesave krahinore. Një gjë e tillë ka një çmim të lartë dhe pasoja të dhimbshme politike”. Lexuesit e zakonshëm mund të mendojnë se mosmarrëveshjet midis shtypit në Republika të ndryshme pasqyronin qëndrime të ndryshme të udhëheqësve të tyre politikë, “një gjë më se serioze”. Beteja kundër nacionalizmit “nuk fitohet me fjalë por me punë të përditshme të lodhshme në të cilën mbizotërojnë përgjegjësia dhe ndjenja e përbashkët”. Javët në vazhdim do të tregojnë nëse ky apel për bashkimka funksionuar.
Pasojat e kësaj politike
11. Vetë Rushiti duket i padruajtur. Në një mbledhje të Konferencës së Lidhjes Socialiste të Kosovës më 31 korrik (raportuar më 1 gusht në gazetën “Borba”) ai kërkoi falje për faktin se gazetarëve nuk u ishin afruar lehtësirat e duhura të përkthimit në mbledhjen e mëparshme, por përsëriti kritikat e tij (këtë herë me shembuj që nuk i dha gazeta “Borba”) dhe tha se komentet e “Tanjugut” ishin “plot me insinuata”, ndërsa pjesa e Arsiqit “fliste vetë”. Kryetari i Lidhjes Socialiste Azem Vllasi tha se Sekretariati i Informacionit nuk duhej të përfshihej në argumentime nëse një artikull i dhënë ishte apo jo i dobishëm. Mendimet personale ishin jashtë temës në fjalë. Një mbledhje e Kryesisë do të kryente në kohën e duhur një vlerësim të plotë të çështjeve të informimit në lidhje me Kosovën.
12. Ndërkohë që pasqyrimi nga ana e shtypit është përgjithësisht më i dobët në korrik dhe gusht, realisht nuk është e mundur të dallohet nëse të gjitha këto argumente do të ndikojnë në analizën për Kosovën. Gazeta “NIN” duket se vazhdon si zakonisht, por një deklaratë pothuajse e pacipë e Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës se “bashkëpunimi me Universitetet e huaja, veçanërisht me atë të Tiranës, ka qenë i suksesshëm, i denjë dhe shumë i dobishëm”, është raportuar drejtpërdrejt në gazetën “Politika” pa komentin hokatar që ka shoqëruar deklarata të tilla deri tani. Kjo deklaratë u raportua po ashtu me qetësi në TV, duke e lënë në dorë të audiencës që të nxjerrë konkluzionet e veta. Për më tepër, shtypi ‘i Beogradit’ ka përdorur padyshim ekspozimin e shprehjeve nacionaliste në Kosovë për të zmadhuar rolin e tij në Jugosllavi. Në aspektin afatgjatë, mund të pritet që shprehitë e kriticizmit të mprehtë dhe kërkesës për analizë të përftuar në këtë zonë të zbatohen tjetërkund, kështu që do të ishte tejet pa vend nëse ky kundër-sulm nga Kosova do të çonte në një reduktim të gjithanshëm, të vetë-imponuar ose ndryshe, në gatishmërinë e shtypit për t’u vënë në krye të denoncimit të korrupsionit dhe paaftësisë.
Komente
13. Në këtë debat jam ndalur në detaje sepse në mënyrë të tërthortë ilustron qartë disa nga problemet kryesore me të cilat Serbia (dhe Jugosllavia) po përballet në trajtimin e çështjes së Kosovës. Fakt kryesor është se për një dekadë e më shumë Kosova shfrytëzoi boshllëqet në marrëdhëniet kushtetuese të saj me Serbinë dhe fitoi një gjendje praktikisht të pavarur në të cilën grupi udhëheqës i bashkuar i Kosovës ishte në gjendje të kryesonte, praktikisht në mënyrë të padiskutueshme, një rritje të qëndrueshme dhe të fshehtë të ndjenjës nacionaliste shqiptare. Nëse duhet të shmanget një krizë e madhe kushtetuese në Jugosllavi, Serbia duhet të rifitojë njëfarë kontrolli të konsiderueshëm mbi Kosovën duke rishpallur kompetencat e saj dhe duke siguruar se udhëheqja lokale nuk do të dalë jashtë kontrollit. Padyshim, duke ndjekur një objektiv të tillë, Serbia do të bjerë në kundërshtim me vetë Kosovën nga interesat vetjake aty, por po fillon të shikojë sikur këto interesa do të merren me vete në ndryshime të rëndësishme të udhëheqjes që parashikohen të ndodhin sot dhe në të ardhmen. Gjithashtu, Serbia do të duhet të tregojë takt nëse kërkon të shmangë ngritjen e dyshimeve të Republikave të tjera të cilat kanë shqetësime historike për “nacionalizmin serb”. Argumenti më i mirë që ka Serbia, është në thelb i njëjtë me atë të përdorur nga Bozhidar Bogdanoviq në artikullin e gazetës “Politika Ekspres” të cituar më lart: është në vetë natyrën e problemit të Kosovës që Serbia duhet të vihet në krye dhe të adoptojë linjën më të fortë në zgjidhjen e këtij problemi. Është shqetësues fakti se burime të caktuara të rëndësishme të shtypit në Republika të tjera mesa duket, nuk janë të sigurta.
14. Kopje të kësaj shkrese do t’ua dërgoj javën tjetër për departamentet e tjera të FCO.
I Juaji
Charles Crawford
Oficer Informacioni
(VIJON)
© Pashtriku.org
______________________________
Në 43 vjetorin e demonstratave të vitit 1981 në Kosovë
DOKUMENTE BRITANIKE PËR DEMONSTRATAT E VITIT 1981 NË KOSOVË (XV)
Nga Prof. dr. Sabit Syla & Prof. dr. Hamit Kaba