KRYENGRITJA E VITIT 1910 SIPAS DISA RAPORTEVE KONSULLORE
Nga Hasan BELLO
Në muajt e parë të vitit 1910 pasi xhonturqit konsoliduan pushtetin e tyre politik, menduan se kishte ardhur koha për ta eliminuar një herë e mirë nacionalizmin shqiptar. Kjo u vu re me miratimin e një sërë ligjesh, të cilat synonin rekrutimin e përgjithshëm në malësitë shqiptare; vendosjen e taksave të reja, mbledhjen e taksave të prapambetura; ligji për çetat dhe klubet kombëtare, etj., reforma me karakter centralizues.1 Një politikë e tillë ngjalli pakënaqësi të madhe në mesin e popullsisë shqiptare, ndërsa Qeveria osmane i konsideroi këto si reagime kundërrevolucionare, të cilat synonin rikthimin e Abdylhamidit II. Por, situata e krijuar nuk lidhej aspak me një kërkesë të tillë. Ajo kishte lidhje me gjendjen e vështirë ekonomike dhe mungesën e vëmendjes së qeverisë xhonturke ndaj viseve shqiptare.2
Raportet shqiptaro-xhonturke u acaruan edhe për shkak të qëndrimit ndaj alfabetit latin. Pikëpamjet e partisë “Bashkim dhe Përparim” (“Ittihat ve Terakki”), të cilat ajo i bëri të njohura rreth një muaji, përpara se të shpallej Kushtetuta, lidhur me çështjen e përdorimit të gjuhës, ishin se: në shkollat fillore shtetërore mësimi përveç se në turqisht do të zhvillohej edhe në gjuhën që flitej nëpër vilajete; në shkollat e ndërmjetme zhvillimi i mësimit në gjuhën turke ishte i detyrueshëm, ndërsa gjuha lokale do të lihej me zgjedhje; hapja e shkollave private do të ishte e lirë, me kusht që ato të ishin nën kontrollin e shtetit.3 Por, kjo politikë hasi në kundërshtimin e plotë të popujve të ndryshëm në Perandorinë Osmane. Ajo u konsiderua si një politikë e cila synonte haptazi turqizimin e kombësive joturke.4 Mosmbajtja e premtimit nga xhonturqit për vendosjen e gjuhës amtare nëpër shkolla, shkaktoi zhgënjim të madh tek shqiptarët. Situata u acarua sidomos pas vendosjes së detyrueshme të gjuhës osmane në shkollat e ciklit të ndërmjetëm. Ky akt, u perceptua nga etnitë e ndryshme si faza e parë e procesit të turqizimit dhe shkaktoi një valë të madhe zemërimi.5
Kjo politikë bazohej në një dhunë të strukturuar që në themel të saj kishte si objektiv kryesor procesin e unifikimit dhe të nënshtrimit të të gjithë popujve të Perandorisë Osmane. Mirëpo, këto masa me karakter centralizues ngjallën kundërshti tek shqiptarët, të cilëve u ishte premtuar se pas Revolucionit Xhonturk do të gëzonin një status të avancuar. Kjo pakënaqësi fillimisht u shpreh nga deputetët shqiptarë në Parlamentin osman. Por, elita politike xhonturke, në vend që të merrte në konsideratë problemet e parashtruara nga këta deputetë, ndoqi taktikën e dhunës. Ajongarkoi disa nga komandantët më të njohur të ushtrisë osmane për të shtypur dhe çarmatosur popullsinë shqiptare. Një ekspeditë e tillë hasi në qëndresën e shqiptarëve. Brenda një kohe të shkurtër kryengritja përfshiu të gjitha trevat. Arsye kryesore e kësaj kryengritje sipas konsullit bullgar në Shkup, ishte shpërfillja e kërkesave të paraqitura nga shqiptarët nëpërmjet delegatëve të tyre. Ato kishin të bënin me mospagimin e taksave dhe rekrutimin e detyrueshëm.6 Në disa qytete u shpall gjendja e jashtëzakonshme. Një numër i konsiderueshëm forcash osmane u transportua me tren nga Selaniku dhe Shkupi në drejtim të Kosovës dhe Shqipërisë së Veriut.7 Një nga komandantët e ekspeditës, Xhavit Pasha, i cili në këtë periudhë ndodhej për inspektim në qarkun ushtarak të Shkupit, kërkoi nga komanda dërgimin e 30 batalioneve, të cilat sipas tij duheshin dislokuar në Kosovë të paktën për dy vite. Ai kërkoi gjithashtu t’u jepej e drejta për të shtypur kryengritjen me çdo mjet, duke rivendosur qetësinë.
Në komitetin xhonturk të Shkupit mbizotëronte pikëpamja se tani ishte momenti më i përshtatshëm për shtypjen e kryengritjes shqiptare.8 Por, kjo fushatë nuk rezultoi aq e lehtë për forcat osmane. Kjo u vu re edhe nga fakti se brenda një kohe të shkurtër kryengritësit arritën të thyenin disa batalione osmane dhe të kapnin si trofe një numër të konsiderueshëm topash. Ndërkohë në ndihmë të ekspeditës ndëshkuese vazhdimisht mbërrinin përforcime dhe furnizime (ushqime, armë dhe municione).9 Në Kosovë dërgoheshin reparte të tilla ushtarake, në të cilat nuk kishte ushtarë me kombësi shqiptare, sepse sipas konsullit bullgar në Shkup, ata paraqisnin rrezik të kalonin në anën e kryengritësve.10
Ndërsa, humbjet e ushtrisë osmane ishin evidente për diplomatët e huaj, ato të kryengritësve shqiptarë ishin krejtësisht të pakuptueshme. Kjo, sipas tyre, vinte për shkak se kryengritësit si të vrarët ashtu edhe të plagosurit i merrnin me vete, duke ngjallur panik dhe mungesë informacioni tek forcat kundërshtare.11 Numri i ushtarëve osmanë me origjinë shqiptare që kishin kaluar në krahun e kryengritësve kapte shifrën e 160 personave.
Kjo tregon se në radhët e ushtrisë osmane diversioni dhe dezertimi përbënte një problem shqetësues dhe, njëkohësisht një avantazh të madh për kryengritësit shqiptarë.12 Sipas konsullit bullgar të Shkupit, ndryshimi radikal i ligjeve në trevat shqiptare e kishte bërë Qeverinë osmane të reflektonte. Kryengritja kishte shërbyer si një përvojë negative për ta detyruar Stambollin që të gjente rrugët më të përsosura për zbatimin e ligjeve dhe reformave centralizuese për Shqipërinë.13 Sidoqoftë, Qeveria osmane kishte hyrë në një spirale nga e cila nuk po dinte që të dilte dot. Kjo vihej re edhe nga fakti se pavarësisht humbjeve të mëdha, çdo ditë nga Shkupi në drejtim të Kosovës transportoheshin trupa të shumta osmane.
Përqendrimi i tyre bëhej në Ferizaj dhe në Prizren, me qëllim që rrezja e kryengritjes të mbahej nën kontroll dhe e dyta, të mbrohej Gryka e Kaçanikut e cila lidhte Fushë Kosovën me Shkupin.14
Pasi mbërriti në Prishtinë kryekomandanti i trupave osmane Shefqet Turgut Pasha, u drejtoi shqiptarëve një thirrje ku vinte në dukje se ushtarët osmanë po vinin në viset shqiptare jo si armiq, por si vëllezër për të vendosur rendin dhe sigurinë publike. Ai ftoi të gjithë shqiptarët që të mos dëgjonin agjitatorët dhe armiqtë e Perandorisë, por të ulnin armët dhe t’u bindeshin ligjeve të shtetit. Në këtë thirrje nuk flitej aspak për çështjen e mbledhjes së armëve, taksave apo rekrutimit të detyruar ushtarak. Kjo, sipas konsullit bullgar në Shkup, ishte një taktikë e Shefqet Turgut Pashës,15 por që për fat të keq, të Perandorisë Osmane e të kryengritësve, nuk pati asnjë efekt. Përkundrazi, tregoi hapur se Stambolli dhe Komiteti Xhonturk, nuk kishte nxjerrë konkluzionet e duhura për zgjidhjen e çështjes shqiptare.16
Ndërkohë aksionet e kryengritësve shqiptarë të drejtuar nga Idriz Seferi, të mbledhur në Kaçanik, vazhduan pandërprerë goditjen e trupave osmane. Dështimet e njëpasnjëshme e detyruan Shefqet Turgut Pashën që t’i drejtohej Stambollit për ndihmë. Ndërsa, Shtabi i Përgjithshëm e udhëzoi kategorikisht, që për momentin, të manovronte me trupat që kishte në dispozicion. Një qëndrim i tillë e vendosi në pozitë tepër të vështirë ekspeditën osmane. Kryengritësit shqiptarë kishin kapur Grykën e Kaçanikut dhe pikat strategjike, duke ndërprerë lidhjet e Korpusit III osman me shtabin dhe duke penguar depërtimin dhe transportimin e trupave osmane në drejtim të zonave kryengritëse. Ky pozicionim tregoi aftësitë luftarake dhe organizative të Idriz Seferit e të drejtuesve të tjerë shqiptarë. Ai bëri që zhgënjimi i komandantëve të shkolluar osmanë, se kryengritësit shqiptarë do t’i shtypnin brenda vetëm pak ditëve, të konfirmohej plotësisht.17
Në funksion të mbledhjes së ndihmave dhe forcave kryengritëse, një grup shqiptarësh nga Gjilani në ditët e para të prillit 1910 u nisën drejt Shkupit. Një aspekt tjetër i këtij misioni ishte puna agjitative që ata duhej të zhvillonin. Kjo për shkak se në mesin e popullsisë, për ta sabotuar, nga autoritetet lokale osmane, kryengritja ishte interpretuar si e nxitur nga jashtë dhe antikushtetuese.18
***
Diplomatët austro-hungarezë konstatonin se lëvizja kryengritëse në Kosovë ishte konsekuencë e politikës xhonturke kundrejt shqiptarëve dhe zinte fill që në Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, në të cilin u ishte njohur privilegji i çlirimit nga të gjitha taksat shtetërore, me përjashtim të katër tatimeve kryesore që parashikonte sheriati. Një rol po aq negativ kishin luajtur ekspeditat e dështuara të Xhavit Pashës, të cilat kishin forcuar unitetin ndërmjet shqiptarëve dhe kishin zgjuar tek ata ndjenjën e hakmarrjes. Ndërsa, autoritetet lokale osmane me qëndrimin e tyre të papajtueshëm kundrejt alfabetit shqip me germa latine, nuk kishin bërë gjë tjetër veçse e kishin ndezur zjarrin e kryengritjes akoma dhe më shumë. Një element tjetër i rrezikshëm që ndikoi në acarimin e situatës në viset shqiptare ishte represioni i pamëshirshëm i oficerëve osmanë. Me të drejtë, diplomatët austro-hungarezë theksonin se konceptet osmane të së drejtës nuk pajtoheshin me të drejtën zakonore shqiptare. Ndjekjet dhe gjyqet ushtarake drejtoheshin kundër krerëve me influencë dhe çarmatimit të popullsisë.19
Më 13 maj 1910, zëvendëskonsulli francez në Shkup, Kalvini, i raportoi Ministrisë së Punëve të Jashtme se pas tre ditë luftimesh me forcat shqiptare, ushtarët e Shefqet Turgut Pashës kishin arritur të pushtonin grykat e Shtimes dhe Carralevës që kontrollonin rrugën kryesore nga Ferizaj në Prizren. Ndërsa, kryengritësit shqiptarë ishin tërhequr në luginën e ngushtë malore të Drenicës. Numri i saktë i tyre mbetej i pakonfirmuar për diplomatin francez, por duke marrë në konsideratë 20 batalione dhe bateri të Shefqet Turgut Pashës, ai duhej të ishte tepër i madh. Pavarësisht taktikave dhe disproporcionit të forcave, ushtarët osmanë kishin hasur në vështirësi të jashtëzakonshme. Kjo, jo vetëm për shkak të terrenit të thyer malor. Kështu, një oficer osman i shkruante një shokut të tij në Shkup se ata luftonin kundër një armiku të padukshëm që shfaqej në një pikë, sulmonte, pastaj zhdukej menjëherë dhe shfaqej në një pikë tjetër. Kjo bëri që në mesin e ushtarëve të plagosur osmanë të përhapej legjenda, për shkak të disfatave të shkaktuara nga kryengritësit, se ata ndihmoheshin nga oficerë të huaj. Por, kjo hipotezë hidhej poshtë nga zëvendëskonsulli francez në Shkup. Ai e pranonte se kryengritësit luftonin sipas një plani të paracaktuar, sipas një taktike shumë të ngritur, e cila presupozonte një drejtim të mençur. Megjithatë, nuk kishte asnjë të dhënë se kjo realizohej nga drejtues të huaj, por nga vetë drejtuesit shqiptarë të kryengritjes.Kryengritësit ishin të vendosur për t’i rezistuar forcave osmane.
Ata kishin zhvilluar mbledhje në të gjitha anët dhe kishin dhënë besën për të hequr dorë nga gjakmarrja deri në muajin tetor. Ndërsa, morali i trupave osmane, si rezultat i kësaj qëndrese, vinte duke rënë. Oficerët ishin të pakënaqur me Shefqet Turgut Pashën dhe midis tyre kishte mospajtime të shumta.20 Serbia e inkurajoi Qeverinë osmane lidhur me masat ushtarake që po ndërmerrte në drejtim të inkursioneve dhe ekspeditave ndëshkuese ndaj kryengritësve shqiptarë. Ajo i premtoi xhonturqve mbështetje të plotë dhe se nuk do të bënte qoftë edhe lëvizjen më të vogël të trupave në kufi me krahinat shqiptare.21
Komandanti i ekspeditës ndëshkuese osmane Shefqet Turgut Pasha i deklaroi konsullit austro-hungarez të Shkupit se kishte ardhur koha që stabilizimi i situatës politike në viset shqiptare të Kosovës, i shtyrë disa herë, të merrte fund. Për këtë ishte mobilizuar një numër i konsiderueshëm forcash, të cilat do të marshonin në mbarë Kosovën. Ndërsa, me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme do të ngriheshin gjykata ushtarake, për të ndëshkuar kryengritësit. Ai planifikonte se luftimet mund të zgjasnin 15 ditë dhe pastaj situata do të stabilizohej. Kjo do t’i hapte rrugën edhe çarmatimit të popullsisë. Shefqet Turgut Pasha mendonte se jo një popull që mban armë, por një popull i stërvitur për përdorimin e tyre mund ta garantonte Perandorinë Osmane nga jashtë.
Ndërsa, vjelja e tatimeve të prapambetura do të bëhej hap pas hapi, pasi situata e rëndë ekonomike, nuk e favorizonte një masë ekstreme. Në funksion të kësaj politike, Qeveria osmane, kishte planifikuar të hapte në Kosovë dhe Shqipërinë e Veriut, 200 shkolla. Ajo mendonte se konsolidimit të ndjenjës fetare të popullsisë shqiptare i duhej kushtuar rëndësi më e madhe. Oficerë të shkolluar nga korpusi I dhe II do të silleshin për të shërbyer në viset shqiptare. Kjo do t’i shërbente stabilizimit të situatës dhe krijimit të raporteve më të mira mes popullsisë vendase dhe ushtrisë. Në gjykimin e Shefqet Turgut Pashës revolucionarët e djeshëm ishin dhe revolucionarët e sotëm. Prandaj, sipas tij, energjia e autoriteteve ushtarake duhej të drejtohej kundër parisë, që nën maskën e nacionalizmit, ndiqte interesat e veta personale. Këta, sipas Shefqet Turgut Pashës, ishin edhe shkaktarëtkryesorë të kryengritjes. Ai mendonte se paria e viseve shqiptare e cila kishte gëzuar një status të privilegjuar në periudhën e Abdylhamidit II, tani duhej eliminuar dhe barazuar në aspektin social-politik me popullin e thjeshtë. Kjo tregon se drejtuesit xhonturq kishin mangësi të theksuara për sa i përket njohurive mbi strukturën sociale të popullit shqiptar.
Nga ana tjetër sipas konsullit austro-hungarez të Shkupit, Shefqet Turgut Pasha kërkonte të hynte në kontakt me disa prijës lokalë për t’i bindur ata se zbatimi i reformave i shërbente njësoj si Perandorisë ashtu edhe vetë shqiptarëve. Në vlerësimin e diplomatëve austro-hungarezë mbizotëronte pikëpamja se interesat vitale të Perandorisë Osmane nuk ishin në Azi, por në Evropë. Prandaj, stabiliteti dhe qetësia e kësaj zone do t’i jepte shtetit osman mundësinë për t’u zhvilluar në paqe. Kjo vihet re edhe në deklaratën që Shefqet Turgut Pasha i bëri konsullit austro-hungarez se “një prishje e hapur me shqiptarët duhet evituar me të gjitha mjetet”. Por, në praktikë ai ndoqi një qëndrim të kundërt. Shefqet Turgut Pasha bëri të gjitha përpjekjet, duke përdorur dhunën, me qëllim për të vendosur autoritetin e munguar të Qeverisë osmane, para se shqiptarët të bashkoheshin në rezistencën e përbashkët.22
Ai ishte i vendosur të zbatonte me çdo kusht direktivat e marra nga Stambolli për të nënshtruar kryengritjen, duke shpresuar që brenda një kohe të shkurtër të fuste në dorë Idriz Seferin dhe Isa Boletinin. Por, në bisedat e zhvilluara me diplomatët austro-hungarezë, Shefqet Turgut Pasha deklaronte gjithashtu se dinte ta çmonte mirë vlerën e madhe të popullit shqiptar.23
Shefqet Turgut Pasha u largua nga Kosova pasi trupat osmane morën Gjakovën dhe Pejën. Kjo u shoqërua me çarmatosjen e popullsisë shqiptare dhe vendosjen e rendit publik. Kurse organizimi dhe nënshtrimi i zonave malore u vendos që të bëhej vitin e ardhshëm.24 Shtypja e kryengritjes së vitit 1910 krijoi një situatë të qetë, por të demoralizuar në mesin e popullsisë shqiptare. Kjo për shkak se drejtuesit e kryengritjes u nënshtruan, një pjesë u arrestua, ndërsa pjesa tjetër u dërgua në Shkup për t’u internuar në krahina të largëta të Anadollit. Kështu, një nga krerët kryesorë të Pejës, Zenel beun, e arrestuan në Stamboll dhe e dërguan në Prizren ku u gjykua nga Gjyqi Ushtarak, pastaj e dërguan në Shkup si të internuar. Kryetari i fisit të Berishës, Ahmet bej Gjakova, u arrestua, pastaj u lirua pasi pranoi të nënshtrohej. Rasim agai nga Luma me gjithë familjen prej 18 personash u dërgua i lidhur në Shkup; e njëjta gjë i ndodhi edhe Mustafa Litës. Kryetarin e fisit të Kabashit, në sanxhakun e Prizrenit, Rustem Kabashin, e varën. Sulejman Batusha, kryetari i fisit të Gashit, në krahinën e Gjakovës, nuk mundën ta arrestonin për shkak se së bashku me një numër luftëtarësh u arratis në zonat e thella malore ku forcat osmane e kishin të pamundur të depërtonin. Isa Boletini, i krahinës së Mitrovicës, u arratis në Podgoricë të Malit të Zi. Hasan Hysen Budakova, i krahinës së Prizrenit së bashku me 6 luftëtarë u arratis në Leskovc të Serbisë. Ndërsa, një nga drejtuesit kryesorë të kryengritjes, Idriz Seferi, u arratis në zonat malore dhe kërkoi të nënshtrohej, me kusht që t’i garantohej jeta. Në raportet e diplomatëve francezë konfirmohet fakti se kontradikta kryesore e parisë shqiptare me Qeverinë osmane ishte politika centralizuese e regjimit xhonturk. Prandaj, kërkohej që këto masa të shoqëroheshin me investime publike siç ishte ndërtimi i rrugëve, shkollave dhe hekurudhave të cilat mungonin plotësisht. Nga diplomatët francezë Kosova konsiderohej si një vend i pasur me pyje dhe minerale, por që fatkeqësisht shfrytëzimi i tyre ishte lënë pas dore. 25
_______
Literatura:
1 Şeyhülislam Cemaleddin Efendi, SiyasiHatıralar (1908-1913), Istanbul: Tercüman, 1978, s. 58-61.
2 Ahmet Bedevi Kuran, Inkılap Tarihimiz ve Jön Türkler, Istanbul: Kaynak Yayınları, 2000, s. 367.
3 Tarık Zafer Tunaya, Türkiye`de Siyasal Partiler, c.I, Istanbul: Iletişim, 2015, s. 34-35.
4 Ilay Ileri, “Batı Gözüyle Meşrutiyet Döneminde Osmanlı Hükümetlerinin Dil ve Eğitim Politikalarına Karşı Tepkiler”, OTAM (Ankara Üniversitesi, Osmanlı Tarihi Araştırma ve Uygulama Merkezi Dergisi), sayı: 18, 2005, s. 214.
5 Mustafa Ergün, II. Meşrutiyet Devrinde Eğitim Hareketleri, 1908-1914, Ankara:Ocak Yayınları, 1996, s. 483-484.
6 Centralen Derzhaven Istoriceski Arhiv, (më tej: CDIA) Dokumente bullgare, (sipas përkthimeve që ndodhen në AIH), H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 21.03.1910.
7 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 22.03.1910.
8 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 23.03.1910.
9 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 25.03.1910.
10 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 26.03.1910. 11CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 29.03.1910.
12 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 31.03.1910.
13CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 02.04.1910.
14 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 05.04.1910.
15 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 09.04.1910.
16 Thirrja drejtuar popullit shqiptar përmbante edhe një dozë të konsiderueshme “religjioze”. Aty theksohej se disa individë kishin guxuar të ngriheshin “kundër ligjeve të Zotit, predikimeve dhe ligjeve të profetit, kundër ligjeve që ekzistojnë sot në shtetin tonë”, CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 10.04.1910.
17 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 12.04.1910.
18 CDIA, në AIH, H-10, Raport i konsullit bullgar të Shkupit për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Sofje, Shkup, 13.04.1910.
19 Haus und Hof Staats Archiv, Wien, Politisches Archiv, Albanien (më tej: HHSt.A.PA.A.), në AIH, Vj. 20-5-528, Raport i konsullit austro-hungarez në Shkup për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkup, 16.04.1910.
20 Archiv du Ministere des Affaires Etrangeres, Paris, (më tej: AMAE), në AIH, F.71. Raport i zëvendëskonsullit francez në Shkup, Kalvini, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shkup, 13.05.1910, fl.73-75.
21 AMAE, në AIH, F.71.Raport i ministrit francez në Beograd për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Beograd, 25.05.1910, fl.7.
22 HHSt.A.PA.A., në AIH, Vj. 20-7-799, Raport i konsullit austro-hungarez në Shkup për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkup, 10.05.1910.
23 HHSt.A.PA.A., në AIH, Vj. 20-15-1515, Raport i konsullit austro-hungarez në Shkup për Ministrinë e Punëve të Jashtme në Vjenë, Shkup, 05.06.1910.
24 AMAE, në AIH, F.71.Raport i zëvendëskonsullit francez në Shkup, Kalvini, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shkup, 15.06.1910, fl. 88.
25AMAE, në AIH, F.71.Raport i zëvendëskonsullit francez në Shkup, Kalvini, për Ministrinë e Punëve të Jashtme, Shkup, 26.10.1910. fl.84-85
___________
Hasan BELLO
SUMMARY
REBELLIONOF THE YEAR 1910 IN THE OPTICAL OF DIPLOMACY
The uprising of 1910 was the result of repressive politics that the Ottoman government, led by the Union of Forces and Progress, attended the Albanian population. This policy was based on a structured violence that at its core had the main objective of the process of unification and subordination of all peoples of the Ottoman Empire. But these measures of central character stirred up controversy with the Albanians, who were promised that after the Revolution Xhonturk would enjoy an advanced status. This dissatisfaction was initially expressed by the Albanian MPs in the Ottoman Parliament. But the Jewish political elite, instead of considering the problems posed by these deputies, followed the tactic of violence. For this task, she commissioned some of the most well-known Ottoman Army commanders, for the purpose of suppressing and disarming the Kosovo Albanian population. Such an expedition encountered the resistance of the Albanian population. Serious battles took place between the two sides, among which the famous figures of the time emerged.The Albanian-Ottoman confrontation did not go unnoticed by the diplomacy of European and Balkan countries. In their archives there is a considerable amount of documentation that allows us to shed light on various aspects of the 1910 Uprising. Certainly in this documentation is noticed the subjectivity, the bias, but there is also lack of abundant information or cold analysis of the eye of diplomacy. What characterizes these sources is the fact that in all the reports prevails the conclusion that what pushed Albanians toward the uprising was xhundur repression.
(Burimi: INSTITUTI I HISTORISË “ALI HADRI” – PRISHTINË – KOSOVA 43 / 2018 – PRISHTINË, Faqe 72 – 79)