Flet Hydajet Hyseni
RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (IV)
Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |
JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)
Jeta Rexha: Zoti Hydajet, qitash noshta kishim mujtë me folë pak taman për vitin ‘81, kur ju edhe jeni burgosë.
Hydajet Hyseni: Po isha njëri nga pjesëmarrësit, njëri nga aktorët e ‘81-shës, po vetëm njëri nga ata. Unë atëherë sapo isha kthyer nga Zvicra, dhe ishim marrë vesh që Lëvizja që kishte filluar të vazhdonte, dhe ne t’përpiqeshim që ajo t’vazhdonte. Po t’përpiqeshim me aq sa kishim mundësi e ndikim, që ajo të ishte e pjekur, e përmbajtur, dhe të ishte në funksion të gjithë procesit, që sipas nesh do të zgjaste, për zgjidhjen e çështjes t’pazgjidhur të Kosovës. Prandaj ne synonim që t’kishim ndikimin tonë n’ato procese, pa përjashtuar të tjerët. Në pranverën e vitit ‘81, dolën edhe ma shumë n’sipërfaqe formacionet që atëherë vepronin në Kosovë. Dhe ishin disa të tilla. Ne ishim njëri nga ato formacione. Fillimisht grupe quheshim, pastaj organizata, me synimin që bashkarisht t’përbënim një Lëvizje unike. Dhe ishim në proces t’këtij bashkimi. Me disa prej tyre kishim vendosë kontakte, sidomos gjatë qëndrimit në Zvicër e Gjermani. Kishte bërë një punë kolosale atje Kadri Zeka, që ishte praktikisht bashkë me Jusuf Gërvallën, e të tjerë… Bardhoshin, e të tjerë. Ishin promotorët e bashkimit, që po dizenjohej në njifarë mënyre, po formësohej.
Unë kisha qëndruar një kohë në Zvicër, shtatë-tetë muaj, të vitit ‘80-‘81, dhe po ashtu edhe unë kam qenë i angazhuar në këtë proces. Synimi ynë ishte që t’bashkoheshim me t’gjitha grupet e organizatat, varësisht prej natyrës që kishin ata. Me ata që do t’kishim më shumë përkime, ngjajshmëri, edhe në vision, edhe n’orientime, edhe n’mënyrën e organizimit, të bashkoheshim në një rreth më të ngushtë. Kurse me të tjerët, të mund t’bashkoheshim edhe në një rreth ma të gjerë veprimi. Me synimin që t’bënim një bashkim gjithëpopullor, si një Lëvizje gjithëpopullore, me nji program që për ne ishte zgjidhje e drejtë, e përfundimtare e çështjes t’pazgjidhur shqiptare. Por me nji mundësi që rrugës edhe të kishim disa periudha strategjike, të kalonim nëpër disa stacione. Dhe, n’këtë kuadër e shihnim edhe kërkesën t’cilën e kishim plasuar me kujdes, edhe gjatë vitit ‘80, për nevojën e barazimit edhe n’status, edhe n’gjithçka të Kosovës me Republikat e tjera, edhe t’popullit të Kosovës me popujt tjerë, në hapësirën e ish-Jugosllavisë. E konsideronim këtë si të nevojshme dhe të mundshme për periudhën që kalonim. Strategjikisht na dukej se ishte më e përshtatshme. Kështu edhe doli! Por pa hequr dorë nga insistimi për zgjidhje t’drejtë e t’qëndrueshme të çështjes shqiptare.
Në vitin… në pranverën ‘81, edhe ndodhi ky bashkim. Ndodhi madje edhe një mobilizim në Lëvizje, edhe e nji pjese t’madhe të atdhetarëve, të rinjëve, atdhetarë t’devotshëm, të guximshëm, sakrifikusë, që nuk kishin qenë t’organizuar. Problemi ishte pastaj si të menaxhohej e gjithë kjo energji. Kjo pastaj edhe solli në nji mënyrë njifarë rënie të rregullave, të konspiracionit, të diciplinës, dhe solli edhe për pasojë burgosje t’shumta. Ç’është e vërteta, ishim të vetëdijshme se kjo do t’ndodhë. Ishim t’vetëdijshëm se mund t’na godiste edhe personalisht. Por mendonim se duhej t’paguar qoftë edhe kjo taksë, edhe ky tagër, vetëm që ne t’kalonim rubikonin, dhe t’bashkonim Lëvizjen. Pastaj kishim besimin që ajo do t’ecte përpara. Në nji mënyrë, kjo edhe ndodhi. Por, Lëvizjes i kushtoi shumë.
Unë isha në demonstratën e ‘81-shës, me një prill, dhe pas saj kalova prapë në ilegalitet. Falë edhe ndihmës së disa demonstruesëve, veprimtarëve, falë edhe kujdesit të familjarëve që na strehuan natën e nji dhe dy prillit. Madje, n’mesin e t’cilëve mua m’ka ndodhur të jem në nji familje që ishte turke me kombësi. Po që qe shumë bujare. Na ofroi gjithçka që patë, ishte shtëpiaplotë. Kur e pa se po rrezikohemi, na thane, “Po hyjnë po kontrollojnë shpi n’shpi, prandaj bëni si t’bëni çare.” Po nuk na denoncoi, nuk na pengoi, e tjera. Madje kemi marrë vesh ma vonë se kishin pasë dikënd që edhe paskish punuar në Punë të Brendshme. Po qe krijuar një frymë gjithandej, vërtetë positive.
Ka pasë madje raste… një shok i imi, që gjatë protestës, pas ndërhyrjes brutale të policisë… se ne e kaluam këtë pjesë, që është pjesa kryesore… kishte marrë… se kishte edhe fëmijë në demonstratë, dhe sulmi ishte brutal, pa dallim… dhe për t’shpëtuar merr një fëmi dhe hynë nëpër oborre të shtëpive që ishin atje dhe nji familje iu thotë,më doli një grua, dhe serbisht po më thoshte, thotë, “Ku po e çon fëminë…” thotë, “leje këtu, do ta kqyri si nana e tij. Mos ki dert!” Thotë, “Po ku guxoja ta lë në duar e një familje që fliste serbisht. Por ajo doli dhe më ofroi.” Ka pasë edhe shembuj të tillë.
Urrejtja që ma vonë u mboll sidomos te pakica serbe, ishte nji efekt i politikës e propagandës speciale kundër Lëvizjes. Por nuk ishte atëherë n’masën e qytetarëve. Sepse objektivisht, nuk kishte asgjë kundër qytetarëve, të cilësdo kombësi. Dhjetëra mijëra protestues kanë qenë ato ditë në qendër të Prishtinës edhe në qendër të qyteteve tjera. Po flas aty ku kam qenë unë. Po s’ka pasë asnji parullë anti-serbe. S’ka pasë… anti-serbe në kuptimin kundër qytetarëve serbë, kundër identitetit, kundër kulturës, kundër gjuhës, kundër t’drejtave t’tyre. Jo! Ishte kundër Serbisë. Kundër Serbisë, po! Po kështu ka qenë gjithkund, lexoni edhe shtypin e kohës! Nuk ka pasë urrejtje ndërnacionale, ka pasë urrejtje ndaj regjimit. Dhe, kjo ishte letër e rëndësishme e Lëvizjes sonë, prandaj u investua shumë për ta demonizuar këtë.
Lëvizja Studentore e filloi si një protestë sociale, që kishte edhe n’sfond kërkesa politike, po nuk dolën n’plan t’parë me 11 mars. Dhe studentët kishin arsye t’shumta për t’protestuar, edhe si studentë për shkak të pozitës së tyre sociale ekonomike, kushteve që ishin dukshëm ma të liga se sa të moshatarëve t’tyre. Por kishin edhe si qytetarë të Kosovës, dhe rinia gjithmonë prinë n’këto procese. Po ndërhyrja e policisë me dhunë, dhe sidomos përpjekja për demonizimin, diskreditimin e tyre, duke i quajtur rrugaçë, vandalë, prishës t’rendit, e tjera, e shtoi mllefin edhe ma shumë. Sidomos ndërhyrja brutale me 26 mars, edhe me njësi speciale, sidomos kundër studenteve, studenteshave protestuese, e tjera. Krijoi një mllef pastaj n’gjithë popullatën. Dhe prandaj natyrshëm erdhi ai mllef i grumbulluar dhe shpërtheu pastaj me 1 e 2 prill, dhe u kthye praktikisht në nji kryengritje gjithpopullore.
Po se çfarë ishte karakteri i tyre më së miri flasin parullat e tyre. Ishin parulla të karakterit kombëtar, se kërkoheshin t’drejta e liri kombëtare. Po ishin parulla të karakterit demokratik sepse edhe ato kërkesat e karakterit kombëtar e demokratik, ishin të natyrës demokratike. Edhe ishte shprehje më e mirë e aspiratave që kishin qytetarët e Kosovës. Për shembull, kërkesa, “Duam Barazi!” “Duam Punë!” “Çmimeve Stop!” “Trepça punon, Kosova… Trepça punon, Beogradi ndërtohet!” “Kosova është e jona, Kosova e kosovarëve!” Kosova është e jona edhe n’kuptimin si kombinati Trepça, sepse ishte atëhere pasuria e madhe e thëngjillit edhe e energjisë, “Kosova” quhej. Po edhe ishte Kosova si territor, “Kosova është e jona, Kosova e kosovarëve!” Pastaj t’burgosurit politikë të kthehen në Kosovë, “Jemi jugosllavë…” më falni, duhet ta korigjoni atë, “Jemi shqiptarë, jo jugosllavë! Jemi shqiptarë dhe asgjë tjetër!” Dhe kërkesa të ngjajshme.
Por nuk kishte ndonjë kërkesë që është shprehje e urrejtjes ndaj cilitdo popull, cilitdo kolektivitet, cilësdo identitet, gjuhë, kulturë, ose diçka t’ngjajshme. Nuk ka pasë as veprime t’kësaj natyre. Prandaj ishte një Lëvizje par ekselancë demokratike, dhe ishte par ekselancë e padhunshme. Dhjetëra mijëra protestues nuk kanë bërë asnjë dam. Nuk është plagosur askush para se t’ndërhynte policia. Një dhunë pastaj ka ardhë, një revoltë, pasi ka ndërhyrë policia në mënyrë brutale. Sidomos… edhe në rastet e mëparshme me 11 mars e 26 mars, por sidomos me 1 prill, kur u mbush gjithë sheshi i Prishtinës.
Po premtohej se do të bëheshin bisedime, se do të ftohej një grup i demonstruesëve, për t’biseduar me ta. Dhe atëherë, pa asnji paralajmërim, edhe pse n’masë kishte pleq, gra, fëmi, shpërthyen bombat me gaz lotsjellës, krisma armësh… Ndoshta jo t’gjitha n’mish, edhe n’ajër, po ishte një tmerr i vërtetë. Unë isha njëri nga pjesëmarësit, dhe njëri nga oratorët e demonstratave të ‘81-shës. Falë kujdesit të tjerëve që ishin, ndonji që m’njihte, disa s’më njihte, se edhe isha i lodhur, megjithate u evakuova në nji nga shpitë e afërta dhe qëndrova deri n’mëngjes, dhe prej aty pastaj, përsëri me fat nëpër midis… si t’thushë, të patrullave t’policisë që ishin gjithandej, çuditërisht, megjithate arritëm të shpëtojmë, të tërhiqemi.Dhe, pastaj kam kaluar në ilegalitet edhe gjashtë muaj, ose ma shumë, shtatë muaj, dhe jam arrestuar në dhjetor të vitit ‘81.
Unë nuk mund tani ta krijoj tablonë e vërtetë të asaj kohe. Por ishte një gjendje vërtetë e papërshkrueshme. U shpall gjendje e jashtëzakonshme, u vendos orë policore, filloi një luftë totale kundër gjithçkaje që ishte shqiptare, rinia ndiqej e burgosej gjithandej, diskreditohej me format ma të vrazhda dhe me etiketat ma të rënda, imteligjenca po ndiqej, po përjashtohej nga puna, po bllokoheshin shkollat, universitetet, institucionet, po kontestohej gjithçka që ishte arritur, po demonizohej gjithçka që ishte shqiptare, po vëzhgoheshin e po kontestoheshin edhe figurat slave, madje edhe kolaboracioniste. Ishte nji luftë totale anti-shqiptare. Kishte ardhur n’shprehje atje që shqiptari vërtetë është vetëm shqiptari ose i vrarë, ose i burgosur.
Dhe, në këto kushte, ishte e rëndë të jesh edhe jashtë burgut, pale më të jesh në duart e policisë të atëhershme speciale. Është e dhimbshme që ne nuk kemi arritur ta përshkruajmë ferrin e burgut shovinist. Por,është vërtetë i papërshkueshëm! Unë kam kaluar nja katër pesë muaj në nji gjendje izolimi, që e quanin ata, “vendmbajtje në vend të veçantë.” As nuk e dije ku je ndonjëherë, dhe as nuk e dije çfarë dite është. Sepse s’kishe asgjë! S’kishe asnji mundësi kontakti. Ishte një veçim i plotë. Dhe ishin vetëm hetuesit që ndërroheshin, dhe marifetet, ustallëqet që kishin perfeksionuar ata me decenie… Tek pas nja pesë, gjashtë muajsh, kam pasë kontaktin e parë me gjykatës hetues, e avokat sipas detyrës zyrtare, për t’cilin edhe nuk e dije a është e vërtetë që është gjykatës, a është avokat, a ç’është? Në fund të fundit, dukej sikur s’kishte asnji randësi! Asnji kontakt me familjen, as me askënd tjetër.
Pozita ime ishte veçanërisht e rëndë sepse vija pas katër-pesë vjet, ose… aty dikund, ilegaliteti. Dhe, ishte koncentruar… si t’thushë, nji presion i jashtëzakonshëm (ofshanë). Ishte nji presion i vazhdueshëm, i tmerrshëm, n’cilin burgun do ta dëshiroje, sepse n’burg do t’kishe një periudhë kur je me t’burgosur, dhe po t’mund të shkëmbenje fjalë me ta, t’merrje vesh çka po ndodhë, t’dije se jo ç’po ndodhë vetëm me ty, po ç’po ndodhë me vendin, ç’po ndodhë me familjen tënde, me Lëvizjen tënde, me shokët tu. T’gjitha këto natyrisht ishin t’pamundshme n’atë… Dhe shoqëroheshin me një luftë… si t’thushë, me një përpjekje speciale për të të shartuar bindje jo reale për zhvillimet, për gjendjen, dhe jo pa pasoja bëheshin këto gjithmonë.
Pas një kohe të mbajtjes nëpër objekte të tilla, që ma vonë i kemi verifikuar në njifarë mënyre, se kanë qenë të Sigurimeve Shtetërore, një kohë në Shkup, një kohë… ata thoshin në Sarajevë, po mund t’ketë qenë në Beograd dikund, dhe më kthejnë dhe më vendosin për nji kohë në Leskovc, pastaj në Prishtinë. Dhe fillon nifarë si procedure gjyqësore, hetimore, pas pesë gjashtë muajsh, por në nji gjendje shumë të rënduar. Dhe pas kësaj më dërgojnë në CZ [Centralni Zatvor], ku më bajnë muaj të tërë, në pjesë të… si e quanin ata, “Burgut hetues të CZ-së.” Ishte Burgu Qendror i Beogradit, burg i tmerrshëm. Dhe, nji kohë pastaj në Klinikën Psikiatrike të Burgut t’Beogradit, në t’cilin mbaheshin edhe njerëz që konsideroheshin se janë t’papërgjegjshëm, t’paaftë për t’u gjykuar. Dhe nji kohë, mua më kishin vendosur në këtë status, që ishte një tmerr i llojit t’veçantë. S’kam dëshirë shumë t’i kujtoj ato çaste. Kam dëshirë edhe njëherë po t’kem mundësinë t’i hedhë në letër, t’shkruaj. Por vërtetë, është diçka nga ato që janë parë nëpër filma të ndryshëm të Luftës të Dytë Botërore nëpër kampet naziste, herë në filma të ndryshëm për revolucionarë të pas Revolucionit Francez, dhe gjendja n’cilën janë sjellë ata.
Ajo që ishte edhe ma e rëndë ishte bindja se n’gjendje t’tillë mbaheshin shokët t’tu, shumë prej tyre ma t’ri se ne. Shumë prej tyre, në njifarë mënyre, t’burgosur edhe në saje të ndikimit që kishim pasur ne. Ajo që na bënte krenarë dikur, kur ata vepronin me aq guxim, me aq pasion, na bënte pastaj të ndjeheshim keq për fatin që po përjetonin. Kishte të ri që takonim nëpër burgje, që ishin fare t’ri, t’njomë. T’u dersinte n’burg mustaku si t’thushë, rriteshin n’burg. Dhe ata duhej t’i hapnin gjoksin UDB-së jugosllave, që ishte tmerr. Jo veç për Kosovën, po për t’gjithë hapësirën e ish-Jugosllavisë, madje edhe më gjerë.
Ka qenë nji periudhë e rëndë edhe për familjet tona. Dënimi nuk ishte vetëm individual, po praktikisht dënohej gjithë familja. Unë për një kohë të gjatë të burgut tim, kam pasë bindjen se e gjithë familja ime ndodhej n’burg. Kështu m’ishte thënë, dhe kështu m’ishte krijuar bindja n’forma t’ndryshme, e shkresa, e tjera, që m’i hidhnin përpara. Ndonjëherë edhe me zëra t’fëmive që ose improvizoheshin, ose inskenoheshin atje, e tjera, dhe kishe bindjen se e gjithë familja është… mbahet në burg. Kishte pasur edhe raste kur janë burgosur familje. Kanë burgosur edhe familjarë t’mi, ma vonë kam marrë vesh.
Dhe ishte presion ndonjëherë edhe me… jo vetëm me ekzekutim personal tandin, për t’cilin edhe mund t’pajtoheshe, mund edhe të e shpërfillje, por shkohej tutje. Të të kërcënonin, të të bindnin se do t’shkatërronin edhe gjithë familjen, dhe gjithçka që e ke përtej. Madje, edhe përtej kësaj! Do t’shkatërronin edhe emrin e, sakrificën e, gjithçka. T’gjitha këto, ishin ma t’randa ndonjëherë sesa dhuna fizike. Izolimi i plotë, lënia me vetveten, ndikimet e presionet e jashtme, që t’mbushin pastaj me halucinacione, nganjiherë kthehen në torturë edhe ma t’randë se çfardo torture fizike, shpirtërore.
Prandaj kjo tortura shpirtërore, ishte torturë vështirë e mbushshme me diçka. Mund të mbushej vetëm me ëndrrën për lirinë, me bindjen në ndershmërinë tande, të Lëvizjes tande, në drejtësinë e Lëvizjes tande t’cilës i përket, dhe eventualisht në nji përpjekje shpirtërore për ta imagjinuar t’ardhmen. Për t’besuar se ajo do t’vijë një ditë, dhe për ta ëndërruar jo vetëm popullin tënd dhe vendin tënd të lirë, por edhe njerëzit e tu të lirë. Edhe vetveten ndonjëherë! Ndonjiherë kur e shoh veten sot, them, “E shikon diçka nga ato andrrat që i shihja, dhe s’besoja që do t’i realizoja. Megjithate diçka po realizoj!” Dhe është ni satisfaksion i jashtëzakonshëm.
Pas viteve të para të hetimeve, pastaj ka pasë nifarë çlirimi të vogël. Do të thotë, mund të lexoje diçka, mund t’ishe me dikend n’burg. Unë jam mbajtur nja tre vjet, kështu diçka, plotësisht i izoluar. Tek ma vonë pastaj, kam qenë në një dhomë me ndonjë t’burgosur. Dhe ajo ishte ndryshim i madh. Atëherë edhe mundtë punonim diçka, të lexonim diçka, të shkëmbenim edhe literaturë, të shkëmbenim ndonji mendim. Dhe për mua ka qenë periudhë po ashtu shumë e randësishme, dhe njifarë mënyre rilindëse.
Kam qenë në burg me figura shumë të respektuara, si Halil Alidemën, Ali Lajçin, Bajram Kosumin, Gani Kocin, e shumë shokë t’tjerë, ma vonë në burgje të hapura. Dhe filluam pastaj edhe të mbushnim boshllëkun e burgut me jetën tonë, me ëndrrat tona, me idealet tona. Edhe me krijimtarinë tonë. Ndonjiherë edhe me forma t’ndryshme të komunikimit, të organizimit, e tjera. Dhe e gjenim pastaj këtë të realizuar tamim siç thoshte Balzaku në një roman t’tij, për burgun si boshllëk të tmerrshëm, dhe për faktin se mund t’mundet burgu, ky boshllëk, vetëm duke e mbushur me shpirtin tend, me ëndrrat tua, me botën tënde shpirtërore. Edhe rinia e Kosovës e atëhershme, për mua… po e heq vetveten prej saj, po flas për ata që ishin ma t’ri sesa gjenerata ime, është heroike edhe nga ky aspekt. Jo vetëm që kishte bërë kthesën historike n’pranverën shqiptare të ‘81-shës, si edhe ato mëparshmet, por edhe kishte arritur ta mundë burgun, me shpirtin e vet, me unitetin e vet, me solidaritetin e vet.
Mua parasysh tash më dalin… ta zamë burgun e CZ-së, kur vinin eprorë ushtarakë e policorë, figura t’shquara, edhe ministra e tjerë. I hapnin dyert, i përplasnin dyert, dyer kolosale t’mëdha, ushtonte gjithçka. Edhe i bënin ato me qëllim që njeriu të konsiderohej i vogël, i pafuqishëm… të tmerrohej. Dhe, vinin pastaj zyrtarët, si prej nji botë tjetër. Dhe shihje pastaj djaloshin fare t’ri, t’lodhur, asht e lëkurë. Ndonjëherë t’sëmurë, ndonjëherë me mushkëri t’sëmura, dhe që drejtonte trupin, e hidhte gjoksin përpara {e ngreh gjoksin dhe kokën përpara}, kqyrte drejt në sy. Dhe kur i thoshin, “Për çka je?” thotë, “Për veprimtari politike.” “Çka ke ba, neni kaq, kaq, kaq… A pendohesh për to?” Thotë, “Jo!” “Si?!” “Jo!” thotë, “jemi n’drejtën tonë.” Dhe i thoshte pa i bërë syri tërr. Njëri, tjetri, kështu me radhë, dhe e shihje pastaj sikur ajo madhështia e imponuar teatrale e tyre, në njifarë mënyre, t’dukej sikur kalamendej, dobësohej, edhe nuk ishte ajo… thyhej ajo… si t’thushë, ai miti i madhështisë së pushtetit represiv e tjera, para shpirtit të disa djelmoshave fare të rinj. Shumë prej tyre që kanë mbetur edhe sot me pasoja të rënda shëndetësore, fizike, e tjera. Unë e kam… si t’thushë, debolezzë11 atë brez.
————-
Hydajet Hyseni / Pjesa e Katërt, Intervistë
VIJON …
_____________________________
Flet Hydajet Hyseni
RRUGËTIMI IM NË LËVIZJEN TONË KOMBËTARE – VIDEO (V)
Prishtinë | Datë: 7 qershor, 2015 |
JETA REXHA (INTERVISTUESJA), RINA KRASNIQI (KAMERA)