(Pashtriku.org, 10. 03. 2013) – Agron Ҫalliku ka lindur në dhjetor 1962 në Shijak, ku ka kryer shkollën fillore e të mesme. Ka mbaruar studimet e larta në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të filologjisë, dega Gjuhë – Letërsi, si dhe Institutin e Restaurimit të Veprave të Artit. Ka realizuar mjaft shkrime në shtypin periodik, në fushën politike. Ka botuar katër libra me poezi dhe një libër në prozë: “Mister, “Më thërret një zë i largët”, “Me vdekjen në dorë të ecësh”, “Shënime çasti” (libër në prozë) dhe “Unë jam dhimbja” është libri i tij i pestë. Në 50 vjetorin lindjes së Agron Ҫallikut, (më 23 dhjetor 2012), në ambientet e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Tiranë, u bë promovimi i pesë librave të tij. Në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor, (si dhe në gazmedin e tij familjar – në 50 vjetorin e ditëlindjes së tij) ishim ftuar bashkë me Islam Thaqin dhe Gjokë Dabajn. Më këtë rast portali pashtriku.org, boton parathëniet e librave: “Me vdekjen në dorë të ecësh” dhe “Shënime çasti”.
Parathënie e librit: “Me vdekjen në dorë të ecësh”
FATI I NJERIUT DHE POETI ME FAT
Agron Çalliku, në dyzimin e shpirtit me trupin, nuk e ka të përcaktuar kufirin, në tiparet e artistit me atë të veprës së tij, ku ky kufi është krejt i zbehtë, në fatin e njeriut me atë të poetit ai nuk duket fare. Thonë se rruga nga do të ecë njeriu, së bashku me ngjyrën e syve apo të flokëve, aftësitë fizike, mënyrën e të folurit e të tjera, janë përcaktuar 40 ditë para se ai të lindë. Po sikur ta dinte nëna se ç’fat do të kishte Agroni në jetë, a do ta priste, si çdo nënë, me padurim lindjen e tij dhe a do të lumturohej, ashtu siç është lumturuar, duke i vënë një emër ilir? Po le t’i lemë hamendësimet! Fakt është që Agron Çalliku është ndeshur që herët dhëmb për dhëmb me jetën. Ka rendur nëpër rrugët e saj për të gjetur lumturinë, qetësinë, mirëqenien, dashurinë, të drejtën dhe në fund në stacionet e këtyre rrugëve i janë përplasur në fytyrë dyert e rënda të zhgënjimeve. Është trishtuar doemos. I ka therur shpirti patjetër. Loti i ka ardhur në cep të syrit dhe ai e ka gëlltitur hidhësinë dhe kripën e tij. Dështimet dhe iluzionet pas ëndrrave dhe projekteve i kanë zënë pusi në çdo hap që ka hedhur.
Por a është dorëzuar para tyre njeriu me emrin Agron? Zhgënjehet, kush thotë po. Ja tek është ky njeri: më shumë stoik, më shumë këmbëngulës për sfida, më i përmalluar për dashuri dhe ndjenja të mira prindërore, vëllazërore, miqësore, më idealist për qëllime fisnike ndaj të tjerëve. Por, gjithsesi, i ashpër me padrejtësinë, kurdoherë që mund t’ia kenë bërë atë, syçelë ndaj ligësive, ngado që t’i kenë ardhur ato; nga “miqtë” apo të panjohurit, nga lart a nga poshtë, nga “pusht-shteti” a nga “mileti”, madje edhe nga ata të një gjaku e të një qumështi! (Si mundet që makutëria për të pasur atë që nuk i takon dhe për të grabitur atë që nuk e ka, njeriu të bëhet antinjeri?!) Dhe pikërisht në këtë natë të errët zhgënjimesh ai ka gjetur një dritëz, në këtë stinë shterpë deri në humbjen e shpresës ai ka gjetur një syth për të ushqyer shpirtin. E kjo dritëz ka qenë poezia, ky syth ka qenë krijimi. Pikërisht në këtë çast fati i njeriut ka gjetur poetin me fat. Në rërën zhuritëse të shkretëtirës jetë, Agroni ka gjetur oazën e fjalës së shkruar, në savanin e borës ai ka gjetur ngjyrën e ndjenjës poetike për të ngashëryer, por edhe për të kënduar, për të rënkuar, por edhe për të ironizuar me të ligën. “Një njeri mund të ketë një të keqe, apo dy të këqija, por që të mbajë mbi vete të tëra qëllimet monstruoze dhe t’i shfaqë ato me tërë forcën e tij, kjo do të thotë që në brendinë e këtij “njeriu” është rrënjosur dëshira për të shkatërruar të tijtë për të fituar pasuri në shkëmbim të moralit, i është rrënjosur lakmia të rritet e të vdesë i mbuluar në pasuri të bërë me fëlliqësirë.” – shkruan Agroni. Dhe ai që lexon këto radhë, natyrisht gjen diku thellë në ndërgjegjen e vet atë arsye e ndjenjë njerëzore që duhet ta ketë secili prej nesh në këtë botë.
Nga ato që thamë më lart dhe duke lexuar gjithçka që deri tani ka botuar Agroni, na krijohet bindja se ai më shumë se sa ka lindur si poet, është bërë i tillë. Gjithsecili prej nesh ka të drejtë të arsyetojë, se nëse Agroni do të kishte një tjetër jetë, larg padrejtësisë, pabesitë, ligësive dhe hienave të së keqes, ai do të ishte bërë mbase një këngëtar lirik që do të shpërndante në eter një zë të këndshëm për shpirtin njerëzor. Por ja, që jeta e tij është e ngarkuar me drama dhe dhimbje, me strese e tronditje të pazakonta, ndaj prej penës së tij del një letërsi e ngarkuar me emocione të forta dhimbjeje e vuajtjesh.
Libri “Me vdekjen në dorë të ecësh” që kemi sot në dorë, me katër ciklet e tij, është një himn gjëmimtar për padrejtësitë njerëzore, për shtrembërimin e moralit para makutërisë për pasuri. Dashuria e dhembja, zhgënjimi dhe malli, ironia dhe trishtimi në poezitë e këtij libri përqendrohen në një ngashërim të brendshëm, që duket si shkaku i një tërmeti të fuqishëm njerëzor, i cili është dhjetëra ballë më i fortë se tërmetet e dheut. Libri të rrëmben me thjeshtësinë dhe mjeshtërinë e të shkruarit e njëherësh të bën për vete me ato emocione të fuqishme që të shkakton me motivet e tij. Në vargjet e tij të lira dhe njëherësh të organizuar me një ritëm e figuracion në funksion të ideve, djeg një mall për njerëzit e dashur që janë larg, ndrit dashuria e madhe për njeriun, rebelohet sarkazma për mostrat, që mbi gjithçka venë lakminë për pasuri, në këto poezi heroi lirik (në këtë rast, vetë autori) ngashëren fuqishëm. Vini re, ngashërehet e tronditet brenda vetes pa shqetësuar të tjerët me fatin e tij të mbrapshtë. Por ajo që duhet vënë në dukje patjetër, është se ky ngashërim në poezitë e tij nuk përcjell pesimizëm e fatalizëm te lexuesi, përkundrazi ajo përçon forcë dhe kurajë për ta kapërcyer e përballuar të keqen. Poeti i këtyre poezive dhembjen e vet nuk e bën dhembje të tjetrit, përkundrazi, plaga në trupin e tij, në vend që të përçojë te tjetri (në rastin tonë, te lexuesi) pikëllim, tragjedi, mëshirë, përkundrazi ajo rrezaton dritë fisnikërie, mesazh për të thënë se jeta edhe kështu është e bukur dhe duhet jetuar, brenda lirisë që të takon, pa sulmuar kufijtë e lirisë së të tjerëve, se vështirësitë e saj duhen përballuar me gjithçka kemi prej njeriu brenda vetes, me arsye, dashuri, besim. Me fjalë të tjera, ky ngashërim ngjall shpresën se përtej mundit është shpërblimi, se përtej dramës është happy end-i, se përtej plagës është buzëqeshja.
Dhembjen e mbledh kudo,
shpirtra lehtësoj!
fjalën e keqe s’e them dot,
nesër e harroj.
dashuria kur kam ftohtë, më ngroh,
më bën të fluturoj
egërsitë s’më mundin,
me butësi do t’i sfidoj!
Janë disa nga vargjet në poezitë e tij. Më qartë se kaq nuk ka se si të jepet ideja, se njeriu duron më shumë se guri, prandaj asnjëherë nuk humb shpresa e tij, se e nesërmja do të ketë fytyrën e lumturisë. Në fund të fundit, në këtë zgrip mes së mirës dhe së keqes, mes së qeshurës dhe rënkimit, mes triumfit dhe disfatës ecën jeta. Dhe ky është kuptimi filozofik, mesazhi që na përcjell poeti Agron Çalliku edhe në këtë libër. Lexojeni dhe shpresoj të më jepni të drejtë! (Përgatitur nga: Demir Gjergji)
Parathënie e librit: “Shënime çasti”
SHKRIMTARI SI NJOHËS I THELLË I SHPIRTIT TË NJERIUT
“Librat e Agron Çallikut janë një befasi. Sa herë ai boton, ti gjendesh përpara shkrimeve që më shumë se çdo gjë janë radiografi të shpirtit njerëzor. Penda e tij është një kamera e fshehtë, që ngulmon të zbulojë thellësitë e njeriut por edhe të grupimeve të mëdha e të veçanta njerëzore, siç ndodh shpesh me librin që ju sot e kini në dorë. Si kineast i vjetër, kam parë gjithmonë te shkrimet a poezitë e Çallikut, ajo çka fshihet prapa tyre: shpesh një brengë, një dhimbje, një hall por më shpesh akoma dashuria për të mirën njerëzore pse jo edhe vuajtjen. Sepse shkrimtari vuan. Ai ka përreth shumë njerëz të këqij që i stigmatizon, i vë në kryq dhe i zbulon lakuriq. Ai di të ndajë estetikisht bukur të mirën nga e liga. Në këtë kuptim ai është një filozof i konvertuar në shkrimtar. Që të kapësh thelbin, shumë shkrime i lexon me kënaqësi për së dyti. Prapa një proze që në dukje është e thjeshtë e me një mendim që secilit nga ne mund t’i vijë në kokë fshihet shpesh një dramë e tërë shpirtërore, ashtu si fsheh nën ujë pesë të shtatat e pamjes së tij. Ky shkrimtar asnjëherë nuk operon jashtë kohës dhe hapësirës. Përkundrazi, shpesh është mes nesh, gati sikur e kemi pranë për të na treguar të fshehtat e pushtetit, të së keqes që udhëton në krah tonë por ne nuk e shohim. Akoma më interesant është ai në kujtimet personale. Secili nga ne mund të ketë kujtime të tilla, por Çalliku di të nxjerrë përgjithësime filozofike për të gjithë. Vizioni i këtij shkrimtari filozof është tepër i prekshëm, gati makabër në përshkrimin e ngjarjeve të hidhura të jetës. Libri i ri i tij është si një film mozaik, ku çdo “gur” është vendosur me kujdes në të tërën për të krijuar tablonë e madhe të Shqipërisë së sotme dhe të njeriut, herë-herë të pafuqishëm përballë krimit dhe mashtrimit, të vendosur në të” – shkruan kineasti i njohur Ylli Pepo.
……………………………………………………….
TIRANË, 23. 12. 2012: NË 50 VJETORIN E LINDJES SË AGRON ҪALLIKUT
Shkrimtari dhe historiani Gjokë Dabaj.
Arkeologu Neritan Ceka.
Shkrimtari Agron Ҫalliku.
Gjokë Dabaj, Agron Ҫalliku dhe Sheradin Berisha.
Pesë librat e Agron Ҫallikut.
==================================
Përgatiti: Kryeredaktori i pashtriku.org, Sheradin Beisha, 10. 03. 2013)