Ç’DOMETHËNË ECJE PËRPARA?

Ç’DOMETHËNË ECJE PËRPARA?

Nga Saimir Lolja

Ç’domethënë të keshë, të dishë, të ngjitesh, të zbresësh, të përparosh, nga  e deri ku? Deri ku është kufini për këto dhe a mbeten të njëjtë qëllimet për to? Sepse njeriu vjen lakuriq në këtë jetë dhe ikën po lakuriq nga kjo botë. Rrjedha në kohë e shoqërive njerëzore ka ngjitjet (zhvillimet), kthesat, zbritjet (rrënimet). Ajo është e pa ndërprerë dhe gjithmonë ndryshe edhe në gjatësi kohe nga copëza e shkuar e ngjashme. Çdo copëz e historisë njerëzore është pasojë edhe e copëzës së ngjashme të shkuar edhe e ndikimeve të reja. Katër periudhat e përsëritshme të historisë njerëzore janë:

1) Kohët e vështira krijojnë njerëz të fuqishëm.

2) Njerëzit e fuqishëm krijojnë kohë të mira.

3) Kohët e mira krijojnë njerëz të dobët.

4) Njerëzit e dobët krijojnë kohë të vështira.

Pra, përparim ose ecje përpara do të thotë ose ngjitje ose zbritje.

Njeriu përparon për nga jashtë vetvetes por jo për nga brenda sepse instinktet, emocionet dhe organet trupore nuk i ndryshojnë. Për nga jashtë, atij i ndryshon veshja, vendi dhe kushtet e jetesës, pamja, ushqimi, gatimi, kimikatet, veglat dhe makinat që përdor, tingujt që dëgjon, çfarë sheh dhe prek, dhe rrjedhimisht qëllimet, botënjohja dhe botëkuptimi.

 DIJA – A i nevojitet njeriut dije dhe të kuptojë që të ecë përpara? Sa dhe deri ku? Sepse me një rreth të vogël e një të madh vërtetohet matematikisht se sa më shumë të dihet aq më shumë dallohet se nuk dihet. Nëse njeriu di shumë por s’i kanë vlerë kohore apo përdorimi ose s’ia kërkojnë ose s’i janë të frytshme ose janë të rrezikshme apo të tepruara, atëhere për të është sikur nuk di. Shumë nga ajo sasi s’ka për t’u përdorur ndonjëherë, ndonëse i shërben vetëm mendjes për një kuptim më të gjërë e më të thellë. Shekulli XXI tregon se njohuria dhe zgjuarsia e shoqërisë janë rritur shumë, me shpejtësi të madhe dhe frikshëm, veçanërisht pas vitit 2000.

USHQIMI – A i nevojitet ushqim i mirë njeriut të mendojë dhe të ecë përpara? Nëse ushqimi nuk ësht natyral, njeriu bëhet shëndetlig dhe trupi i tij kalbet nga brenda dhe sëmundje të padëgjuara lindin. Kur ushqimi është natyral edhe shoqëria dhe raca shoqërore përcillet e fortë në brezat e rinj. Përndryshe trupi i njeriut fillon të kundërveprojë jo natyralisht për të tretur ushqimet jo natyrore. Shembull i shtrembërimit të natyrës është rasti i sëmundjes të quajtur i lopës së çmendur, e cila ndodh ngase lopës i jepet ushqim proteinik për tu rritur shpejt në peshë ndërkohë që lopa është barngrënëse prej natyre. Mendja e lopës çmendet sepse nga barngrënëse që e ka krijuar natyra duhet të kthehet në mishngrënëse.

SHTETI – A i nevojitet njeriut një makinë të ecë përpara?Përgjatë historisë, qytetërimet e përparuara janë bërë dhe quhen të tillë sepse kanë patur ose e kanë me cilësi të lartë organizimin e shoqërisë, makinën shtetrore, sigurimin e shtetit, domethënë shtetin. Një shtet i organizuar dhe siguruar mirë punon si një makinë e vetëdijshme dhe mbarëvajtja e tij ka në themel parimin një vend për çdo gjë apo njeri dhe çdo gjë apo njeri në vendin e vet. Një qytetërim nuk ka nevojë të jetë doemos një komb i organizuar në shtet, sepse qytetërimi ka nevojë të punojë makina e tij (shtetrore, gjuhësore, artistike, ndërtuese, prodhuese, tregtare, shtypëse, vjelëse, ushtarake) pavarësisht se kush ia bën punën.

MORALI – A i nevojitet shoqërisë njerëzore një moral që të jetë e qëndrueshme dhe të ecë përpara? Ka shumë fjalë për të përshkruar veglat, makinat, teknologjitë dhe ka pak fjalë për të përshkruar ndjenjat. Moral domethënë mbarëvajtje e një grupi shoqëror nëpërmjet peshores çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe. Morali është i brishtë sepse lidhet drejtpërsëdrejti me ndjenjat njerëzore. Prandaj keqdashësit godasin moralin e trashëguar dhe fetë i kryejnë krahmarrje mendjes pikërisht nëpërmjet linjës ndjenja-morali-ndjenja.

Morali ësht përgjegjësi ndaj shoqërisë dhe prandaj i ve kufi dëshirave apo marrive vetjake. Ai është natyror dhe edukues sepse njerëzit kanë lindur prej natyrës dhe duhet të ndjekin ligjet e saja për njerëzit dhe jo për kafshët apo robotët. Tani ka më shumë elektronikë e teknologji dhe njëkohësisht më shumë mendje të lehta, të rinuara apo të shuara, gjë që ka shkaktuar marramendje të madhe dhe dëmtim në moralin natyror të turmave njerëzore. Tani kryhen klonime organike dhe prodhohen robotë, të cilët janë pa moral, pa ndjenja e qëllim njerëzor, përdoren për të zëvendësuar njerëzit dhe nuk shprehin ngjitje (zhvillim) por zbritje (rrënim) të shoqërisë njerëzore.

Pra, një QYTETËRIM që të ngjitet, ta mbajë veten lart dhe të zgjerohet duhet të ketë themele të qëndrueshëm. I tillë domethënë të jetë i fuqishëm, i pasur, i gatuar dhe pjekur mirë, zotërues i sipërfaqes toksore ku shtrihet, diplomatik me vendet e tjera. Kështu ai mbron pasuritë dhe jetët e qytetarëve, pronat e njerëzve dhe shtetrore, pasuritë natyrore dhe të fshehtat e vendit. Me këto ai i jep paqe, siguri e qetësi qytetarëve të tij. Si rrjedhim, amigdala trunore, e cila kujdeset për kujtesën, vendim-marrjen dhe përgjigjen emocionale, nuk është e acaruar dhe nuk e fut njeriun në gjendje paniku “thik apo ik”. Ashtu të pa friksuar, qytetarët bëjnë paracaktime afatgjata të jetëve familjare e punëve të tyre dhe i shërbejnë sinqerisht vendit. Themelet e një qytetërimi të qëndrueshëm janë:

1) Një ide moralizuese e hartuar mbi një gjuhë të veçantë. Për shembull, perandoria romake lindi kur u fut në përdorim gjuha latine në vitin 27 p.e.s. Në raste të tjera, bie fjala, u krijuan kisha të cilat filluan spërkatjen e gjuhëve kishtare mbi popullatat që kishin apo futnin në vathat e tyre. Ideja moralizuese i jep udhë ndjekësve dhe bindje popullatës, dhe bën të mundur parashikimin e sjelljes shoqërore të turmave. Fetë meslindore, indiane apo kineze janë shembuj të qëllimit nënshtrues dhe bindës ndaj perandorive dhe jo pëlqimit paqësor të perëndive. Arbër-Shqiptarët e kanë gjuhën natyrore Shqipe dhe idenë e Besës, e cila të jep shpëtim, është një besim mbi një virtyt me kuptim të saktë, dhe i ndihmon të tjerët ta mbartin Besën e të udhëhiqen prej virtytit.

2) Një ndërtesë familjare e vidhosur mirë dhe me trashëgimi, e cila i jep qëllim lindjes së fëmijëve dhe punëve jashtë familjes. Njerëz pa qytetërim të dukshëm ka, por qytetërim pa njerëz nuk ka.

3) Një makinë zyrtarësh me sasinë dhe cilësinë e duhur për të mbrojtur shtetin dhe zbatuar detyrat nga lart-poshtë.

4) Një rrjet shkollimi dhe edukimi cilësor që të përballojë të tashmen dhe të aftësojë brezat e rij.

5)] Një shoqëri e ndarë në shtresa të ndërvarura ku ngjitja nuk dhurohet por arrihet me punë sipas meritës, vlerës që shton dhe ndershmërisë.

6) Aftësia për të zgjidhur nyjet, veçanërisht ato të mëdha si, bie fjala, furnizimi me ujë pa ndërprerje të çdo familjeje, vendbanimi dhe toke bujqësore.

7) Mbrojtja ushtarake e vendit, e cila edhe edukon brezat e rij me rregullat në jetë.

8) Kanunet ligjore të cilët vendosin çdo njeri dhe që në vendin e vet kujdesen me pa anshmëri për rendin dhe sigurinë shoqërore.

Si përfundim, zhvillimi kërkon të kuptohet si ndryshim përmirësues dhe jo përmbysje (revolution, ang.) dhe të kihet vullnet për ta kryer e udhëhequr atë ndryshim. Në fund të fundit, lind pyetja: A duhet përparimi të sjellë paqe, bashkim, begati, harmoni e jetë të përbashkët më të mirë? Ngjitja (zhvillimi) ësht e mirë kur këmbët prekin tokën, kur qytetërimi është i qëndrueshëm, kur njerëzit e jetojnë gëzueshëm ngjitjen, punojnë për të, shpërblehen mirë. Ata duan të binden se e ardhmja e tyre do jetë më e mirë, e qetë, e sigurtë, me kushte jetese të mira, me rrugë të qarta të ecjes përpara, dhe se mbrojtja e pronës dhe punës së tyre nuk do ndërpritet.

Prandaj zhvillimi është e duhet të jetë i përkufizuar si liri mendimi e veprimi midis të drejtës për të ecur para dhe përgjegjësisë për me e ruajtur jetën e mirë të të gjithëve. Klonimi, robotët, bombat ideologjike, kimike, biologjike e atomike ndonëse shprehin aftësitë e mendjes njerëzore shkaktojnë rrënimin e qytetërimit dhe njerëzimit. Prandaj disa pyetje do mbeten të përjetshme: Ku shkohet duke ecur përpara? Çfarë ësht ma mirë? Deri ku është ma e mira dhe pasja më shumë? Ç’domethënë të jetosh mirë dhe më mirë? Si kafshë apo si njeri?

————————

LIROJ / ÇLIROJ, DY FJALË TË KUNDËRTA

https://pashtriku.org/liroj-cliroj-dy-fjale-te-kunderta/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura