PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / SIGURIA KOMBЁTARE … (12)

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / SIGURIA KOMBЁTARE … (12)

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

Siguria kombëtare dhe psikologjia e luftës kundër luftës

Mjaft refleksione të mbritura deri në këtë fazë të këtij botimi, terheqin vëmendjen se nga analizat teoriko – praktike të përvojave të deritanishme nga luftrat dhe konfliktet e dekadave të fundit, opsionet e ndryshme mbi rreziqet dhe kërcënimet, angazhimet e shtetit shqiptar në mjaft veprimtari koalicionesh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe tendencat për të aderuar në strukturat e NATO-s, na orientojnë që të shtrijmë trajtimet edhe në fushën e sigurisë kombëtare. Këto cështje delikate nuk kanë për të mbetur brenda një hapsire të caktuar për hir të “statucuo”-së që dëshirojnë të ruajnë strukturat europiane në Ballkan.

Trajtimi dinjitoz i tyre është një rrugë e sigurtë për të mbajtur qëndrime “pro dhe kundra”. Ky konstatim nuk është i lehtë për tu pranuar dhe trajtuar, aq më tepër kur pranojmë se cështja shqiptare në Ballkan, deri tani, është disi e injoruar përball qëndrimit të fqinjve dhe komunitetit europian. Është kjo një arësyet që duhet të pranojmë se nuk është e lehtë të trajtosh probleme të tilla, të cilat lidhen me të tashmen, por mbi të gjitha me të ardhmen e zhvillimeve që mund të marrin problemet e sigurisë kombëtare.

Ka shumë politologë dhe analistë, brenda dhe jashtë Shqipërisë, që e trajtojnë tashmë cështjen e sigurisë në Ballkan të lidhur ngushtë me zgjidhjen e cështjes kombëtare shqiptare, biles ata pretendojnë se pa zgjidhjen e kësaj të fundit, në këtë gadishull nuk do të ketë qetësi. Është kjo arësyeja që, sic do të trajtojmë edhe më poshtë, cështjet e sigurisë në Ballkan janë cështje në vijën e zjarrit.  Reagimet e fundit të faktorit shqiptar në terren, ndonëse në simptoma demokratikisht jo fort të këndëshme e jo fort të pranueshme, janë sinjale sfidash për të ardhmen. Ndoshta është kjo një nga arësyet, që të tentojmë të trajtojmë disë cështje të sigurisë Kombëtare për t’i ardhur në ndihmë opinionit, qoftë dhe minimalisht në rrafshin informati mbi këto cështje.  

   Termi “siguri” nuk është i panjohur për opinionin shqiptar. Duke marrë shkas nga niveli i diskutimit të çështjeve të tilla delikate në fushën politike dhe mediatike, së fundi për faktin e daljes në dritë të problemeve etnike, teritoriale, të ruajtjes së vlerave kulturore, të pranisë së mundëshme të bazave ushtarake dhe problematikave që shfaqen herë pas here në çështjet e sigurisë kombëtare, duke krijuar një angazhim të politikës sonë në rajonin ballkanik, është e nevojëshme të dimë diçka më shumë për të qënë më të pranueshëm në mendimet tona në këtë fushë.

Njohja në thelb e koncepteve bazë të sigurisë prej lidershipit politik, specialistëve dhe opinionit, shmang keqinterpretimet që mund të ndodhin në polemikat institucionale e mediatike në këtë fushë. Njohja dhe trajtimi i tyre në publik nuk ka të bëjë me individualitete, por me paraqitjen e asaj ç’ka është esenciale për një çështje kaq të rëndësishme.

Mund të ketë shumë kritika mbi ato ç’ka janë thënë deri tani, por tashmë ajo që është bërë nuk ç’bëhët më. Interes paraqet fakti se si trajtohen problemet e sigurisë kombëtare, kur përball politikës dhe ekspertëve shtrohen probleme delikate vendimarrjes së përmasave historike. Është e nevojëshme që në planin e brendshëm dhe atë rajonal të mos bëjmë të njëjtat gabime të historisë sonë. Megjithëse nuk ka vend për paralele të tilla, mosmarrveshjet në marrdhëniet e institucioneve kushtetuese vendimarrëse, tërheqin vëmëndjen se në çështjet e Politikës se Sigurimit Kombëtare institucionet dhe ekspertët nuk janë aq të vëmëndëshëm ndaj shanseve që ofron shpesh klima politke ndërkombëtare dhe ajo rajonale. Efektivisht, veprimi i ndjesive të psikologjisë së luftës kundër luftës në mjedisin shqiptar, do ta bëjë atë më të ndjeshëm për tu integruar në të gjitha nismat që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë në rajon e më gjërë. 

Problemet e sigurisë janë bërë me kohë fushë përgjegjësie e institucioneve më prestigjoze të shtetit. Fushat e bashkëpunimit për të shfaqur mendimet brenda të drejtës kushtetuese sot janë të hapura. Ato duhet të jenë publike për ta kthyer vendimarrjen në një çështje gjithpërfshirëse. Kjo tendencë, nuk mund të vlerësohet si një përpjekje intelektuale për “mbrojtjen e identitetit ose sovranitetit”, por ky mendim bëhet më komod për vlerat klasike të tij, ç’ka shprehet në pjesmarrjen e gjërë në diskutim të të gjithë spektrit politik, terheqjen dhe përpunimin e mendimit edhte të faktorit politik shqiptar në Ballkan, të cilët për një çështje tjetër nuk do ta merrnin mundimin të debatonin. Vlerat shumëdimensionale të çështjeve të sigurisë, tregojnë për shkallën e “reagimit dhe të mbrojtjes” që u bëhet atyre nga individët e veçantë, subjektet politike dhe institucionet e shtetit. 

   Opinioni publik shqiptar në këto çështje, shpesh është i dominuar nga një dilemë disi befasuese, “…cila është shkalla e emancipimit politik të politikanëve që duhet të mendojnë drejt dhe përball kontestimeve të lëshojnë pe” në zgjidhjen pa komplikacione të çështjeve të tilla kaq të rëndësishme…”? Kujt i hyjnë në punë debatet jashtë instutucioneve nëpërmjet ekraneve televizive? Kujt i hyjnë në punë përjashtimet ekstreme të alternativave dhe subjekteve të ndryshme?  Është rasti që autoriteti dhe vlerat e institucioneve të shprehin vullnetin e tyre të mirë në çështje kaq të rëndësishme. Njohja e çështjeve të tilla dhe koncepteve bazë të problemeve të “sigurisë me bazë bashkëpunimin”, do të na mundësojë një orientim më të saktë të prespektivës së qëndrimeve që duhet të mbajmë.

Në këtë kontekst, do të na interesonte më shumë për opinionin e gjërë fakti se, si trajtohen sot problemet e sigurisë në kushtet e një situatë “të ndezur”, apo të situatave të tjera të pritëshme, jo më shumë se si do ta zgjidhë, bie fjala, Iraku “hallin e vet”, por se si do të trajtohen këto çështje në interesat e shtetit dhe të kombit shqiptar për të ardhmen e afërt dhe të largët. Megjithatë përkohësisht le të mbetemi secili në bindjet e veta.

Konceptet teorike mbi sigurinë do ti shikojmë edhe më gjërë. Kjo bëhet më komode në vlerat e dukëshme akademike dhe klasike të saj, kur kalon në struktura shumëdimensionale, që tregojnë shkallën e “mbrojtjes”, nisur nga përmasat dhe vlera e “sigurisë së brendëshme” e deri tek vlerat e “sigurisë globale”. Janë këto terma, të cilat në përgjithësi garantojnë sistemet ndërkombëtare të sigurisë në kompleksin e tyre. E thënë më qartë dhe thjeshtë, për t’u kuptuar ky problem nga individë që kanë pak informacion për çështje të sigurisë, koncepti bazë i sigurisë më bazë bashkëpunimin, i konkretizuar në veprimtaritë politike, diplomatike, ekonomike dhe së fundi ushtarake, është përdorimi kompleks i mjeteve për arritjen e objektivave të vendosura. Megjithatë nuk do të merremi në kuptimin e plotë teorik të problemit, sepse janë të shumta trajtimet që bëhen në fushën e sigurisë.

Do të na interesonte që problemin ta shtronim në formën e disa pyetjeve, “…. kush e ka në dorë heqjen e mundësive të shpërthimit të konflikteve…”? “…Sa është shkalla e emancipimit politik të atyre që duhet të veprojnë dhe “të lëshojnë pe” në zgjidhjen e padrejtësive…”?

   Në këtë çështje për t’i dhënë një drejtim teorik afër realitetit do të merremi pak me studjuesin e talentuar Arnold Volfers. Duke ju referuar përcaktimit të tij, dëshiroj të dalë në përfundimin se a është e saktë analiza që ai parashtron? Analiza e tij reflekton pa dashje në dy varjante, së pari në mungesën e kërkcënimeve dhe së dyti në vlerat e fituara. Atëhere, cilat janë raportet midis këtyre dy termave në kohë dhe në hapsirë? Kush avancon pa ndërhyrjen apo “trainimin” e politikës? Kur ndërhyn politika në mbështetje të sigurisë, kush frenohet më parë dhe pse? Çfarë metode na rekomandon skema e rrathëve koncentrikë të prof. Kohen dhe si duhet t’i kuptojmë ato?

Unaza e parë: Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në territorin e vet dhe në kufijtë e tij (siguria individuale), unaza e dytë: Mbrojtja (mbështetja, shtrirja) e paqes dhe e stabilitetit  në hapsirën e përgjithëshme të tyre (siguria kolektive), unaza e tretë: Mbrojtja e ndërsjelltë (e dyanëshme) nga agresioni i jashtëm (mbrojtja kolektive), unaza e katërt: Siguri aktive e stabilitetit në rajonet e tjera ku konfliktet mund të kërcënojnë sigurinë e përgjithëshme me ndihmën e mjeteve politike, informative, ekonomike dhe në rast nevoje edhe ushtarake  (shtrirja e stabilitetit)

   Në skemën spjeguese të prof. Riçard Kohen mbi paraqitjen e katër rrathëve koncentrikë, që përfaqësojnë sistemin e sigurisë me bazë bashkëpunimin, është e kuptueshme se, në bërthamën e tyre fokusohen shtetet liberal demokratke. Analistët mendojnë dhe janë të bindur se monitorimi dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut, në kuptimin e gjërë të këtij nocioni, mund tu besohet vetëm shteteve liberal demokratike. Në fakt, për ne shqiptarët kjo është disi më e prekëshme në rastin e luftës në Kosovë. Në këto kushte dhe në rastin konkret askush nuk ka të drejtë të paragjykojë “…bashkëpunimin praktik dhe transparencën…” midis shteteve, të cilët marrin përsipër dhe shpesh arrijnë të realizojnë problemet e sigurisë me bazë bashkëpunimin. Cilat janë mënyrat dhe mjetet më efikase për të qënë të sukseshëm në këtë pikë delicate të sigurisë?

NATO dhe shtetet liberal – demokrate. Shtetet liberal demokrate shpesh dallojnë për konsensusin dhe vendimarrjen në çështjet e sigurisë. Në rastet më ekstreme të konflikteve, pavarësisht nga kontradiktat, balancat, mospërputhjet e interesave, në fund të fundit, këto grup shtetesh e kanë gjetur formulën e bashkimit dhe të bashkëpunimit për të realizuar përdorimin kompleks të mjeteve në arritjen e objektivave të vendosura. Kjo panoramë u shfaq në rastin e Bosnjes, Kosovës, Kuvajtit dhe tentoi të shfaqej në kushtet e arritjes së konsensusit për të ndëshkuar regjimin iraken.

Qëndrimi i disa shteteve liberal demokrate të Europës përball vendimit amerikan për ndëshkimin e Irakut nuk është aspak befasues, sikundër nuk është befasues pranimi i definicioneve amerikane e angleze me vonesë nga ana e tyre. Aktualisht ka shumë shtete brenda termit “siguri” që janë plotësisht të “lexueshëm” në qëndrimet e tyre ndaj krizave dhe konflikteve, ashtu sikundër janë edhe shumë të tjerë që nuk “nxitojnë”, që nuk “vrapojnë” për të qënë të parët. Në kushtet e një analize të tillë është me vend të pyesim, “…Çfarë e nxitonte Shqipërinë që të deklarohej në mbështetjen amerikane kundër Irakut më përpara se bie fjala, Gjermania, Italia, Franca, Danimarka, Japonia, Koreja, Kina apo edhe shumë shtete të tjerë…?!! Ndoshta është e udhës që në momente të tilla të ketë përmbajtje, të ketë kërkesa dhe të arrijnë të dominojnë vendimet në mbështetje të interesave kombëtare përball veprimeve të sigurisë së përgjithëshme. Gjithësesi, në opinionin e brendshëm politik ato duhet t’i nënshtrohen një lloj konsensusi më të gjërë.

   Ka një tendencë sot: NATO aktualisht ka ftuar dhe fton antarë të rinj nga vendet e Europës juglindore dhe lindore për tu antarësuar me të drejta të plota. Kjo është një nismë e pranueshme dhe e dëshirueshme nga shumë vende aspirantë, njëri prej të cilëve është edhe Shqipëria. Deri këtu nuk kemi ndonjë vërejtje për atë ç’ka bëhet, por duam të kujtojmë për atë ç’ka nuk bëhet dhe që rri përherë e “varur” mbi kokën e antarëve dhe aspirantëve. Ballkani ka shumë probleme, a do të pranohet infiltrimi pa zgjidhjen e tyre? 

Për sa më sipër kuptojmë se, unaza e jashtëme e sistemit të “sigurisë” të zotit Kohen paska “probleme” dhe nuk duket aq e qartë në vlerat e saj në horizont. Po kështu, “realizimi i stabilitetit” aq i përfolur, me sa duket nuk është shumë bindës dhe i sigurtë, apo më saktë, nuk është sa duhet efektiv. Orientimi në sensin pozitiv i japin sistemit të sigurisë me bazë bashkëpunimin pamjen liberale dhe idealiste për të ardhmen, por në fakt vetëm pamjen, sepse përmbajtja rezulton ndryshe. Çfarë kërkojnë organizatat luftarake baske ETA në në gadishullin iberik, çfarë kërkojnë IRRA në Irlandën e Veriut, çfarë kërkon “17 Nëntori” në Greqi? Ky shëkëlqim i rremë i këtij idealizmi përball kërkesave të sigurisë edhe brenda vet shteteve liberal demokrate, ndonjëherër nuk ngroh askënd vetëm se plotëson në mënyrë të përgjithëshme imazhin e politikës europiane.

Megjithatë në kohën e sotme duhet të pranojmë se NATO paraqitet si sistemi i vetëm efektiv i modelit të sigurisë me bazë bashkëpunimin. Kjo nuk është teorike, megjithatë, siç do të shikojmë edhe më poshtë, ka pikat e saj “të dobta”, për të cilat “të fortët” duhet të mendojnë më shumë për të qënë në një mendje me “të fortët” për problemet e sigurisë në botë. E themi me bindje këtë pasi në këtë botë të papërsosur, gjithësesi, shtete antare të NATO-s kanë të drejtë të quhen mbrojtës të sigurisë individuale, që është strumbullari i sistemit të sigurisë nëpërmjet bashkëpunimit, por jo në hapsirat e dëshirueshme prej kombeve dhe popujve të tjerë në të gjithë botën. Kjo është një piknisje për të menduar se psikologjia e luftës kundër luftës ka filluar të veprojë institucionalisht.

Në kushtet e këtij trajtimi do ta vazhdojë këtë “ngacmim” me një moment disi “ters”, duke e shtrirë në disa pyetje dhe kërkesën për përgjigje ndaj tyre. Atëhere: Kush na e jep të drejtën që të përdorim dhe të shfryrtëzojmë energjitë dhe mobilizimin e të tjerëve dhe të arrijme deri aty sa të kërcënojmë edhe globin? Unë gjykoj se njeriu është shumë i vogël përballë madhështisë dhe bukurisë së Botës, ashtu sikundër pranojmë se mbi 6 miliard njerëz janë një “njeri i madh” që unë nuk besoj se ky lloj njeriu nuk e do veten e tij dhe do t’i lejojë të tjerët të bëjnë si të duan me të. Atëhere kush janë këta që imponojnë, kush janë këta njerëz të vegjël që duan të bëhen “të medhenj”? Kështu, kërcënon sot Sadami vendet përreth, po a janë në një mendje me të të gjithë irakenët? Milosheviçi e ktheu Kosovën në geto gjaku, po a ishin vallë të gjithë serbët në një mendje me të? U nënshkrua marrveshja e Ohrit, po a janë dakort të gjithë shqiptarët me të? Shkatërrohen kullat binjake dhe sulmohet Amerika nga terroristët islamik, po a janë të gjithë myslimanët në botë dakort me këtë luftë të shpallur?  

Në kontekstin e këtyre pyetjeve të pambarimta që burojnë nga historia botërore edhe problemet e sgurisë dhe të psikologjisë së luftës nuk janë fare kaq të thjeshta. Në këto çëshjte ende jemi larg idealizmit. P.sh. Kina mund ta pushtonte brenda një jave Taivanin nëqoftëse rrotull tij nuk do të vigjëlojnë aeroplanmbajtëset amerikane. Mos vallë këto janë arsyet që analistët rekomandojnë rrathë të tillë koncentrikë dhe që padashur përcaktojnë kufij të sigurisë? Po me të tjerët çfarë do të bëhet në të ardhmmen?

Në këto kushte mos vallë ka një mospërputhje ose “mungesë sinqeriteti” midis termit “siguri globale” dhe “sigurisë me bazë bashkëpunimin”, duke shtuar ineteresin e shteteve liberal demokrate për qetësitë rajonale në kufijtë e kësaj sigurie? Në fakt sipas një filozofie të popullit tonë ne dimë se “…kur zjarrit bie në fshat të jesh i bindur se ai do ti afrohet edhe shtëpisë tënde…” dhe në këtë çështje asnjëherë nuk duhet menduar “…larg nga vetja ime…”. Përvoja e ngjarjeve të 11 shtatorit në Amerikë është një rast unikal që nuk do komente.  Në kushtet e këtij lloj idealizmi dhe liberalizmi njëkohësisht, përse në shumë pika të botës ngjarjet kanë marrë në të kundërt si dhe në dekadën e fundit në Ballkan? Mbase dhe politika botërore dhe ajo rajonale duhet të jetë më e sinqertë dhe transparente….

Psikologjia e luftës dhe çështja kombëtare shqiptare. Megjithatë, duke vënë në bazën e konflikteve të ndodhura në botë përfundimet e shumë personaliteteve të fushave të ndryshme edhe në rastin e skemës rekomandive të zotit Kohen, pa frikë mund të rekomandohej një rreth tjetër koncentrik, midis atij të tretë dhe të katërt, pra midis “mbrojtjes kolektive” dhe “sigurimit të stabilitetit”. Tendenca mund të jetë një përcaktim për rolin e nacionaliteteve dhe ndoshta balancave fetare, si çështjet më të diskutueshme dhe problematike në kufijtë e shteteve të “sistemit të sigurisë”.

Në fakt, nisur nga disa trajtime të çështjeve të sigurisë në kanalet mediatike, pa shumë njohuri dhe kompetencë profesionale, mund të trajtohen disa probleme të sigurisë “disi ndryshe”. Duhet të na interesojë së tepërmi fakti, se si mund të “shtrydhet” kjo teori në interes të çështjes kombëtare shqiptare, në kushtet e kërkesave të zgjidhjes përfundimtare të saj dhe të elementëve të sigurisë në rajon. Është kjo arsyeja kryesore, që në trajtimin klasik të çështjes të mos na jepet rasti për të kaluar në tendencat e intelektualëve të ndryshëm, thjesht “për të mbrojtur doktoraturë”, por të ndalemi më në hollësi e detaje për një sërë çështjesh, që kanë të bëjnë me situatën në rajonin tonë të trazuar dhe që “flasin” vetë përball mediokritetit dhe heshtjes së qëllimshme të “specialistëve” të politikës, që na kanë ngopur deri tani me dokrrat e tyre në “interes të çështjes sonë kombëtare”.!! I “lexueshëm” është ky fakt edhe në rajonin tonë.

Atëhere po i referohemi disa pyetjeve më konkrete në lidhje me çështjen shqiptare dhe problemet e sigurisë në Ballkan:

  • Kush është konsultimi në vend të konfrontimit?!!! (përse lejohet ky i fundit edhe kur paracaktohet që do të ndodhë?)
  • Ku qëndron bindja në raport me trembjen, që shpesh bëhet për sanksione apo mospërkrahje në rast të “lajthitjes” së politikës kombëtare, për këdo qoftë?
  • Ku është transparenca përballë lidhjeve e marrveshjeve të fshehta shpesh në kurriz të palëve, pa marrë parasysh se kush është fitimtari dhe kush është humbësi? Çfarë tregoi Marrveshja e Ohrit?!!
  • Pse i shmanget problemit politika në Europë, në vend që të orientohet drejt korrigjimit të padrejtësive të vjetra në kurriz të shqiptarëve?
  • Pse nuk ka bashkëpunim me faktorin politik shqiptar në përgjithësi, por shpesh kryhen manovra, duke nxitur veprime të veçuara të politikanëve shqiptarë?

Mund të shtrohen edhe pyetje të tjera, por gjykojmë se edhe kaq janë të mjafta për një çështje të tillë. Nisur nga disa përkufizime që do t’i quanim “të shumëllojta”, jo në rangun e definicioneve por të diskutueshme, jemi të bindur dhe besojmë se shumë shpejtë, “siguria” do të bëhet objekt intrigues për shumë intelektualë në Shqipëri.

Kjo është një nevojë e kohës, për të sqaruar pozicionet e mjaft subjekteve politike në opinionin e gjërë shqiptar, brenda dhe jashtë Shqipërisë administrative. Ky rivlerësim ka të bëjë me “administrimin” e ndjenjave kombëtare të popullsisë, më shumë se tetë milionshe, në gadishullin e trazuar dhe më gjërë, për të bindur veten dhe të tjerët, se kush jemi ne, çfarë kërkojmë ne, çfarë na mungon ne, dhe ku duam të arrijmë ne.

Ruajtja e stabilitetit në përgjithësi në rajone të ndryshme me “temperaturë të lartë”, është një mëkat i politikës me pasoja të rënda për të ardhmen. Për këtë mëkat shqiptar do të mundohemi të flasim në këto rreshta dhe se si ai e ka çuar sot çështjen kombëtare shqiptare në një udhëkryq, jo me katër drejtime sipas zotit Kohen, por me një mori drejtimesh orurzeza, ndoshta të pa shpresë.

Në këtë çështje në dukje teorike, një nga pikat më të nxehta duket se mund të jetë shikimi i problemit në kontekstin e hapsirave që krijohen nga ky sistem sigurie për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan, e cila aktualisht është, pse jo, një vullkan që pritet nga momenti në moment të shpërthejë atë ç’ka mban përbrenda dhe të shkaktojë për faj të të tjerëve tragjedi të reja. Qëndrimi ndaj kësaj cështjeje nuk i shërben psikologjisë së luftës kundër luftës, por nxitjes drejt luftës.

Kështu, nisur nga përvojat e konflikteve në trevat shqiptare, në fundshekullin e kaluar e deri në ditët e sotme, kemi kuptuar se kërkesat e popullsisë shqiptare dhe e shumë subjekteve politike të tyre, janë thellësisht demokratike dhe të bazuara totalisht në dokumentet kryesore të organizmave vendimarrëse botërore dhe europiane siç janë OKB-ja, Këshilli i Sigurimit, Bashkimi Europian, OSBE-ja, Akti Final i Helsinkit, Karta e Kombeve dhe marrveshjet e ndryshme të NATO-s.

Në këto shumë të përfolura organizma ndërkombëtare, kur nuk të dëgjon kush atëhere çfarë duhet bërë? Kush do të na e japë përgjigjen më qetësusese që ne shqiptarët të bindemi dhe “të rrijmë urtë”, me shpresë se edhe për ne do të vijë një ditë që ta ndjejmë veten zot në tokën tonë? Ne ende jemi skeptik për të besuar se, sot do të dalë kush dhe do të na thotë, se ne kemi të drejtë dhe se e drejta do të vendoset në vend. Teoritë e “mosndryshimit të kufijve” për ne shqiptarët, kur kjo ndodh në segmente e në shtete të tjerë, të paktën në Europë, është tejet zhgënjyese dhe revoltuese.

Në këto kushte, shqiptarët sot dominohen jo rrallë nga dilema të fuqishme dhe shumë tronditëse. Në këtë kontekst, është me vend që të futemi disi në vlerat reale të rrathëve koncentrikë të zotit Kohen. Atëhere: Çfarë do të bëj NATO nëse shqiptarët dalin nga kufijtë e rrathëve koncentrike vetëm për faktin se askush nuk jep shpresë për rregullimin e padrejtësive historike?     A do të pranojë NATO të futet me forcën e armëve të saj për të shuar konfliktet e mundëshme në Ballkan në kurriz të shqiptarëve? A do të munden shqiptarët të përfitojnë vetëm nga qënia e tyre brenda këtij rrethi? Në këto kushte, a duhet të mendojmë se edhe shqiptarët do të kenë shanse ndonjë ditë që të bëhen antar të këtij rrethi me të drejta të plota? Vështirë se shqiptarët mund të pranojnë këtë “çorbë të prishur” të gatuar nga politikanët europianë dhe ajo Ballkanike.

   Atëhere cila mund të jetë rruga e zgjidhjes?

   Të thellojmë analizën më tej. Në shekullin e 18-të filozofi Emanuel Kant, theksonte në artikullin e tij, “Në paqen shekullore” se, “…e drejta ndërkombëtare duhet të formohet në bashkimin federativ të shteteve të lira…”. Më intrigon pjesa e dytë e këtij përkufizimi, duke më nxitur të bëj një pyetje të drejtëpërdrejtë, “…po a e ndjejnë veten të lirë më shumë se 8 milion shqiptarët në Ballkan sot, pas një shekulli e gjysëm të vlerësimeve të filozofit Kant?! Nëse zoti Kant do të ishte gjallë dhe do të polemizonte me politikanët e sotëm të Europës, me siguri ai do të nervozohej me abuzimet teorike të tyre në çështjet e sigurisë dhe të zhvillimeve të psikologjisë së luftës. Në çdo rast zjarri në botë mbetet zjarr dhe pasojat e tij, sot ose nesër, do të kenë efekte negative edhe për ne që themi “…shyqyr që është larg prej nesh…”. 

Një pikë kulmore tjetër që duhet vlerësuar nga politika europiane për çështjen shqiptare, është fakti që në dekadën e fundit janë zhvilluar tre luftra në trevat shqiptare dhe ne e dimë mirë rezultatin e trajtimit të arritjeve të tyre nga kjo politikë.

A mendon Europa se në këto tri luftra diçka ka ndodhur në psikologjinë e një populli, që ende po jep sinjale të mospajtimit dhe të mospëlqimit të zgjidhjeve “alla europiance”, gjithmonë në kurriz të shqiptarëve?

Mund të jetë një opsion politik shumë i gabuar (të paktën për angazhimin dhe bashkëpunimin që kanë shfaqur shqiptarët deri tani) i organizmave politike europiane, që shqiptarët do të bëhen gati për tu futur në Bashkimin Europian, duke u thënë se, ende janë shumë larg, kur angazhimet konkrete europiane në rajon, veçanërisht për çështjet ekonomike janë të mangëta. A nuk është kjo një arsye, që ne të mendojmë se politika europiane loz me politikën shqiptare, duke përfituar nga situata e brendshme gjithmonë shpërthyese?

Pyejte të tilla mund të ketë shumë, por dhe kaq janë të mjaftueshme për tu future në thellësi të psikologjisë që dominon sot në një komb, që e ndjen veten të nëpërkëmbur sot e shekuj të tërë më parë.

Në pamje të parë politika e sotme shqiptare ruan një formë “moderne” të pajtimit në përgjithësi me atë çka thonë dhe rekomandojnë të mëdhenjtë e Perëndimit. Madje, shpesh e bëjnë këtë pa qenë nevoja e rekomandimeve!! Ajo lundron në këtë lloj “sigurie”, nën kritikat e herëpashershme të njërës palë mbi tjetrën, pa kurrfarë ndrojtje se, po ajo palë dikur ka bërë të njëjtat gabime, apo kjo palë për interesa të veta nuk ka pyetur se “ka prerë thika në mish të huaj”. Përgjithësisht, me gabimet trashanike që janë bërë në një dekadë të tërë, ne kuptojmë se ende politika vuan pasojat e një psikologjie mashtrimi dhe aspak ndershmërie vetëm për interesa pushteti.

Në konteksin e analizës më të thellë të problemeve të sigurisë dhe të psikologjisë së luftës, dallojmë disa veçori specifike shqiptare, të cilat duhet të jenë pika referimi për politikën e mbrapshtë shqiptare. Kështu:

  • Marrveshjet midis kundërshtarëve shpesh janë injoruar ose tentohet drejt këtij qëndrimi. P.sh. marrveshja e Kumanovës dhe rezoluta mbi Kosovën, marrveshja për Kosovën Lindore dhe po kështu marrveshja e Ohrit. Përse duhej diktati i bashkësisë ndërkombëtare që serbët dhe maqedonasit të bindeshin?
  • Cila ishte dhe është edhe sot tendenca e mosbindjes së tyre? Kush i nxit të mos binden dhe pse vetëm kur “shtrëngohen” ata ulen?
  • Çfarë tregon metoda e tensionimit dhe e ç’tensionimit të situatës herë pas here në kurriz të shqiptarëve?
  • Cila është viktima në këtë mes dhe kush i vuan pasojat e nacionalizmit të shfrenuar sllav?
  • Cilët janë ata që e konceptojnë veten brenda sistemit të sigurisë dhe mund t’i dalin në krah agresorit?

Këto janë dilema dhe paradokse të një politike të vjetëruar, me një fasadë të çjerrë dhe të zymtë, që nuk reflekton prosperitet por “shtyrje”, deri në kufijtë e nënshtrimit dhe të harresës. Por kjo situatë gjykojmë, se nuk duhet të ketë as nënshtrim dhe as harresë, sepse kjo politikë që ndiqet është tërësisht nxitëse për të bërë të kundërtën. Politika europiane duhet të kujtohet se, në historinë shqiptare ka një lëvizje shumë të zgjuar të periudhës së Rilindjes sonë Kombëtare dhe ajo quhet Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Rilindasit tanë e shkrinë jetën e tyre dhe pasurinë për ta bërë Shqipërinë të bashkuar dhe kjo është e shkruar, e vërtetuar dhe nuk ka nevojë aspak për mendimin e ndryshkur të akademikëve nacionalistë fqinjë, të cilët gjithë jetën tonë i kemi mbajtur në kurriz.

Këto trajtime brenda logjikës së ftohtë të faktëve të pakundërshtueshme historike na cojnë në një pikë tjetër të nxehtë. Çfarë tregon ekzistenca e dy formave të rekomanduara me shumë bujë, “siguria kolektive” dhe “mbrojtja kolektive” për ne shqiptarët?

Në konceptin e dytë na duket se të paktën formalisht këtu e kemi gjetur veten edhe ne. Kështu na kanë thënë politikanët europianë!! Shteti shqiptar në kohën e luftës në Kosovë me të drejtë u përfshi brenda termit të “mbrojtjes kolektive”, përball një agresioni të mundshëm të ushtrisë serbe. Pas përfundimit të luftës kjo situatë sigurisht që pushoi së funksionuari.

Gjatë konfliktit në Maqedoni midis shtetit sllav dhe shqiptarëve etnikë ndodhi ndryshe, megjithëse qëndrimi politiko – diplomatik i shtetit shqiptar ishte i hapur dhe fort i “lexueshëm”. Nga pala sllavo –  maqedone vinin akuzat njëra pas tjetërs, duke bërë që këto akuza shpesh t’i besonin edhe ata që na kishin futur nën ombrellën e “sigurisë kolektive”.

Kur u kthyen në vlera të kundërta qëndrimet shqiptare brenda një kohe kaq të shkurtër?

A thua se nuk ishte ai shtet që vuri në dispozicion të NATO-s gjithçka në Shqipëri, në interes të operacioineve të saj antiserbe?

Përse vallë Trojka Europiane gjatë ecejakeve të shumta në Shkup, besoi në këtë farsë shpifjesh të ndyra antishqiptare dhe gatoi Marrveshjen e Ohrit?

Përse marrveshja u stimulua brenda shtetit maqedon?

Mos vallë faktori politiko – ushtarak shqiptar nuk ishte palë?

Mos vallë zoti Solana me shokë menduan për një çast se, “… boll përfituan shqiptarët, tani duhet të rrijnë urtë..”. A mund të vendoset një popull në rresht?

Pse nuk tentohej drejt një zgjidhje përfundimtare, apo “…tërhiq e mos e këput, si gjithmonë…”

Atëhere të përfshirë brenda kësaj teorie para shqiptarëve sot shtrohet një dilemë e fuqishme: A duhet të mbështetemi ne në këtë teori, e cila është atribut i vendimeve të organizatave të fuqishme ndërkombëtare apo duhet të orientohemi drejt NATO-s, e cila nuk ka në përbërje të saj kundërshtarë të shqiptarëve? A duhet t’i drejtohemi OSBE-së, e cila përfshin edhe kundërshtarët tanë të çështjes shqiptare apo të mbështetemi tek SHBA?

Këto dilema janë efektivisht vepruese, por përfundimisht nën veprimin e stresit politik dhe të qëndrimit antishqiptar të fqinjve tanë, rrugët e zgjidhjes duhet të jenë të qarta dhe të palëkundëshme, duke shfrytëzuar hapsirat e teorisë së “sigurisë kolektive”. Në politikën e organizmave ndërkombëtare, veçanërisht në Europë, nuk duhet të trajtohen popujt dhe kombet si “..ca të nënës e ca të babës…”. Përse në vitin 1950 OKB-ja ndërhyn kundër Koresë së Veriut edhe pse në Këshillin e Sigurimit, ish Bashkimi Sovjetik e bojkotoi mbledhjen? Përse në vitin 1990 OKB-ja, nën flamurin e saj, angazhon një koalicion prej 13 shtetesh dhe arrin të çlirojë Kuvajtin prej irakenëve?

Atëhere: Pse në vitin 1998 dhe 1999 OKB-ja nuk ndërhyn dhe nuk ndërmerr asnjë hap në mbrojtje të popullit në Kosovë, por rrinte e bënte sehir një genoncid të paparë të fashistit Milosheviç, vetëm e vetëm se gjoja çështja shqiptare e Kosovës na “…qënka një çështje e brendëshme e Serbisë…”?!! Nuk besojmë se do të kishte paradoks më të madh të politikës në fundshekullin modern, në kurriz të një populli, siç ndodhi në Kosovë.

Çfarë e pengoi OKB-në të zbatonte parimet e saj për liritë dhe të drejtat themelore të njeriut? Nuk besojmë se këtu kemi të bëjmë me zbatimin rigoroz të të drejtës së kombeve. Koha vërtetoi se kjo ishte një farsë dhe dështim i termit “siguri kolektive”.

Shqiptarët, siguria dhe psikologjia e stabilitetit në rajon. Për të qënë më bindës në teoritë e servirura, por që në fakt nuk kanë gjetur zbatim në rastin e fenomenit shqiptar në Ballkan, do t’i referohemi përsëri rrathëve të tjerë koncentrikë të zotit Kohen. Nuk jam në kundërshtim të tyre për vlerat rekomandive, por do të mbetem në mendimin shqiptar të cështjes.

Do të fillojmë me “sigurinë individuale”, ose më saktë një përcaktim sipas ish ministrit të jashtëm Kanadez, Eksuorsi, “siguria personale”. E trajtuar si forma elementare e “sigurisë me bazë bashkëpunimin”, a duhet të besojnë shqiptarët në këtë përcaktim? A janë respektuar të drejtat e tyre deri tani?

Ndryshimet që ndodhen në dhjetvjeçarin e fundit në Kosovë, Kosovën Lindore dhe në pjesën shqiptare të Maqedonisë, nuk ishin rejdhojë e respektimit të të drejtave të njeriut nga kjo teori, por vetëm e luftës së armatosur të shqiptarëve për t’i kërkuar ato. Mbi këtë definicion nuk ka ekuivoke dhe mendime variant.

Vallë për politikën europiane dhe për interesat shqiptare kjo duhet të ishte rruga e vetme për të garantuar “sigurinë personale” të shqiptarëve?

Atëhere përse nuk u veprua ndryshe dhe sa është e mundur të ndodhë kjo në të ardhmen në raste të tjera? Vështirë se mund të arrihet gjë me rrugën e servirur nga kjo teori.!!

Të kalojmë në versionin e rrethit të dytë koncentrik, “realizmi dhe shtrirja aktive e stabilitetit”. Në aparencë një term shumë bindës. Sipas përcaktimit mendohet se, kombi shqiptar i coptuar në pesë shtete, i dhunuar historikisht në sigurimin e të drejtave të tij, ndodhet aktualisht në kufijtë e hapsirës të territorit të sistemit të sigurisë dhe të stabilitetit me bazë bashkëpunimin.

Në kushtet e zhvillimeve të zgjidhjes së çështjes shqiptare, ndoshta varjanti i zgjedhur mund të përbëjë një kërcënim për sigurinë e antarëve të këtij sistemi, mund të përbëjë në vetevete një rrezik serioz. Sipas përcaktimeve të teoricienëve të sotëm, analistë të krizave dhe konflikteve, “rolin e faktorëve destabilizues mund ta luajnë si konfliktet midis shteteve ashtu edhe thyerja në masë e sigurisë individuale në shtetet fqinje”. A vlen kjo e krahasuar me ato që ndodhën në Kosovë në vitet 98 dhe 99 e më vonë në trevat e tjera shqiptare? Argumentet në të kundërtën nuk janë aspak bindës.

Duke analizuar këtë teori, atëhere duhet të themi pa frikë, se të katër rrathët koncentrikë të zotit Kohen mbi modelin e “sigurisë me bazë bashkëpunimin”, “paskan probleme”. E konceptojmë kështu sepse aktualisht ky sistem nuk po gjen zbatim në rekomandimin e rrugëzgjidhjeve të besueshme të çështjes kombëtare shqiptare. Me sinqeritet duhet t’i themi autorit se, në studime të tilla teorike që kanë vlera për të gjithë botën, (nënkupto: vlera rekomandive) ne nuk duhet t’i besojmë vetëm për këtë, sepse jemi shqiptar dhe dëshirojmë që ta shikojmë zbatimin e kësaj teorie edhe në plotësimin e interesave të kombit tonë.

Në trajtimin e çështjeve të tilla në këtë botim ka një të vërtetë që, problematika është shumë e gjërë dhe ndoshta disi e vështirë për tu asimiluar. Megjithatë, e vendosur në sfondin e zgjidhjes dhe ardhmërisë së interesave kombëtare, gjykojmë se mund të bëhet i kapshëm në idetë e tij. Atëhere, ku është pozicioni i Shqipërisë sot dhe çfarë psikologjie dominon në mendimin shqiptar për zgjidhjen e çështjeve të tilla delikate ?

Shqipëria është antar i OKB-së, nënshkrues i Aktit Final të Helsinkit dhe një vend aspirant për tu pranuar në NATO dhe në Bashkimin Europian. Ajo është përfshirë në shumë nisma në rajon e më gjërë dhe tenton drejt institucioneve prestigjoze europiane, drejt nismave me bazë sigurie, por gjithësesi këto janë përpjekje, sepse shumë prej tyre janë të pa institucionalizuara.

Dikur si antar i Traktatit të Varshavës, Shqipëria ishte e përfshirë në mbrotjen kolektive të tij dhe sot pas përfundimit të luftës së ftohtë, e ndjen se ka probleme në fushën e sigurisë. Sot në mjedisin shqiptar ekziston ideja dominante mbi ekzistencën e sistemit të sigurisë dhe lidhjen e tij me çështjen kombëtare shqiptare.

Rreth kësaj ideje në opinionin shqiptar kudo, si rrjedhojë e prezencës së NATO-s në rajon, ka tendenca krejt pacifiste jo të bazuara, duke u fokusuar në sigurinë vetëm të ekzistencës ose jo të një agresori me rrezik kërcënimi të drejtëpërdrejtë të interesave të shtetit shqiptar. Mjaft analistëve, që trajtojnë çështje të tilla për mungesë të informacionit, ndoshta nuk janë me faj për ato që publikojnë gjithandej. Megjithatë, këtë çështje delikatë është e udhës ta shikojmë në dy aspekte të saj:

Së pari, duhet të pranohet në opinionin e brendshëm ideja, se qysh nga Lidhja e Kombeve, Konferenca e Londrës, Traktati i Shën Stefanit e deri tek OSBE-ja, politika ndërkombëtare të paktën të ketë transparencën dhe të kërkojë ndjesë për padrejtësitë e bëra në imazhin e vlerave të liberal demokracisë në çështjen shqiptare dhe të garantojë mbështetje të plotë për zgjidhjen në ardhmëri të çështjes kombëtare shqiptare. Një projekt zgjidhje të pranuar deri tani nga palët në rajon nuk ekziston, por ende veprohet në forma të ndryshme, duke shfrytëzuar në mënyrë të pandërgjegjëshme gjëndjen ekonomike të shtetit shqiptar. Kjo është pabesi dhe mungesë sinqeriteti në një bashkësi demokratike.

Nismat në rajon, marrveshjet dhe teoritë që qarkullojnë për sigurinë, ende nuk janë fort të qarta dhe nuk e garantojnë këtë, për faktin se, për herë të parë në historinë e saj, pas një shekulli, Shqipëria ndeshet me një fenomen të ri, që jep shpresë. NATO, nën inisiativën diplomatike dhe ushtarake të SHBA-së, ndërhyn ushtarakisht në pjesën më të dhimbëshme të historisë shqiptare, duke realizuar çlirimin e Kosovës nga zgjedha dhe genoncidi serb.

Ky veprim politiko – ushtarak ndërkombëtar, hedh bazat e një sistemi të plotë sigurie në rajon dhe në kufijtë e aleancës, por nuk zgjidh çështjen shqiptare në Ballkan dhe stimulon psikologjinë e luftës në rajon. Vlerësoni deklaratat dhe kërkesat e qeverise serbe sot për ardhmërinë e Kosovës dhe gjykoni se sa të garantuar do të jemi nesër, kur Kosovën ta marrin në dorë forcat e ndërhyrjes së shpejtë të Bashkimit Europian. Atëhere, çfarë do të ndoshë në të ardhmen?!!

Së dyti, Politika europiane dhe ajo e brendëshme, duhet të vlerësojnë maksimalisht se, Shqipëria ende ka probleme serioze të sigurisë individuale, të cilat janë premisa të forta për destabilizim në rajon e më gjërë.

Ende duhet të pranojmë se, shpesh në Shqipëri është lëkundur rendi kushtetues, ç’ka tregon se askush nuk ka garanci se kjo mund të mos ndodh përsëri. Çmund të ndjejnë e të thonë shqiptarët kur dëgjojnë nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë deklarata të tilla si, “…unë do të bashkëpunoja edhe me Djallin, vetëm e vetëm që të rrëzoja atë apo këtë qeveri…”. Një papërgjegjshëmri politike ekstreme, tronditëse, drithëruese, aventureske, që ka si reagim një papërgjegjshmëri institucionale, (të qeshura dhe tallje, në një kohë  kur njerzit s’kanë të hanë bukë dhe pastaj grushta e shqelma sikur të jemi në arenat romake të gladiatorëve). Vallë a mund të ketë siguri me njerëz të tillë?!!! Psikologjia e konfliktit është tërësisht një bazë e sigurtë e psikologjisë së luftës. Armët ende janë nëpër duar.

Siguria, gjithashtu lidhet me problemet e mprehta që Shqipëria ka me pronën, me çështjet sociale të akumuluara, më papunësinë masive, me ekzistencën e koridoreve të trafiqeve ndërkombëtare dhe me përmasat që po merr mafia dhe krimi i organizuar. Stanjacioni herë pas here në ecurinë e reformave, e rëndon me tej klimën politike dhe të sigurisë. Të gjitha këto, na bëjnë të djersijmë dhe të ndjejmë “të ftohtë” edhe në stinët e nxehta dhe të na vijë turp për këtë klasë politike delirante dhe të papërgjegjëshme që kemi, kur mendojmë se kjo mungesë e sigurisë individuale nuk është aspak në interes të çështjes sonë kombëtare.

Këto dy drejtime të rëndësishme dhe fakti që sot kombi shqiptar është i coptuar, e bëjnë politikën të mendojë se, Shqipëria dhe shqiptarët përball situatave të mundëshme shpërthyese duhen vlerësuar seriozisht si faktor stabiliteti në rajon e më gjërë. Nëse dikush mund të rekomandojë për të tjerët çështje të sigurisë, kur probleme të tilla i ka të zgjidhura në kombin e vet, atëhere edhe ne do të dëshironim shumë të jetonim në të njëjtat kushte sigurie.        

Ka ardhur koha që në strategjinë e realizimit të aspiratave të kombit shqiptar në Ballkan, vec të tjerash, të realizojmë një sistem sigurie më fleksibël, i cili të jetë në thelb një pasqyrim i tëre elementëve që zgjedhin rrugët më të mundëshme dhe të pranueshme politiko – diplomatike e ushtarake përball faktorit të brendshëm dhe atij ndërkombëtar. Fleksibiliteti mund të realizohet në rrafshin teorik dhe praktik, duke ndjekur parimet dhe normat më të pranueshme e të aternueshme në çdo kohë, në raport me ndryshimet e mundëshme të situatave politiko – ushtarake në Ballkan.

Kjo strategji nuk duhet “kyçur” në “virgjërinë dhe ndershëmrinë” e pasqyruar në korrnizat e dokumentit “të bardhë” të shtetit shqiptar. Kur fqinjët tanë kanë mbajtur qëndrime të kundërta me komunitetin ndërkombëtar për hir të interesave të tyre, ata nuk janë nisur nga fakti se “çfarë do të thonë të tjerët”, por janë mjaftuar me arësyen e ftohtë se, si do që kanë ndryshuar qëndrimet e tyre në të ardhmen, ajo që ka qënë pikënisja e çështjeve do të mbetet deri në fund “çekani dhe gozhdët” e qëllimeve të tyre strategjike.

Rasti i luftës në Kosovë dhe qëndrimi i shtetit grek tashmë janë të njohura.  Tashmë kemi mësuar se, në kuadrin e sistemit të sigurisë në bazë bashkëpunimi, shtetet e veçantë nganjëherë duhet të sakrifikojnë interesat e tyre kombëtare ose të fusin në to korektimin për realizimin e qëllimeve të tyre afatgjata. Shteti shkon në këtë linjë, sepse llogarit që interesat e përgjithëshme të të gjithë anëtarëve kanë për ta rëndësi më të madhe se sa detyrat afatshkurtra.

Këto elementë luajnë rol të rëndësishëm në realizimin e suksesit të çdo sistemi sigurie në bazë bashkëpunimi. Kështu, në kohën e krizës së Kosovës 1999, Qeveria Greke ndoshta pa dëshirë, nuk ishte dakort me vendimin e NATO-s për fillimin e bombardimit ndaj shtetit të Serbisë. Qeveria Greke dalëngadalë u bind për drejtesinë që bllokimi i konsensusit për çështjen e dhënë në perspektivën afatgjatë mund t’i shkaktonte humbje NATO-s dhe në këtë kuadër dhe sigurisë e prosperitetit të Greqisë. Mungesa e konsensusit midis NATO-s, jo vetëm për çështje të rëndësishme, në rezultat të fundit do të çonte në humbjen të interesave kombëtare të Greqisë, të cilat mund të referoheshin si përpjekje të ruajtjes së lidhjeve tradicionale ekonomike, kulturore e politike me Serbinë. Në fund të fundit përball efekteve të “të dy zjarreve” politika dhe diplomacia greke i përmbushi të dy detyrimet dhe çuditë e asaj kohe nuk zgjatën shumë. Të tjera zhvillime dhe angazhime janë ndjerë, të cilat nuk i kanë zbehur aspak marrdhëniet greko – serbe.

Me përvoja të tilla “elastike”, skena e politikës dhe diplomacisë botërore është e mbushur plotë. Nuk ka arësye që politika shqiptare të zgjedhi ende rrugë “të pashkelura”. Ajo nuk besojmë se do t’i duhet të bëjë më shumë se sa të tjerët.

Kur vjen momenti për të goditur objektivat e çështjes kombëtare shqiptare në Ballkan, atëhere aleancat e vjetra ringjallen dhe futen në një proçes të çuditshëm bashkëpunimi, që është për tu pasur zili. Gjithsesi një gjë mbetet e palëkundshme. Ngjarja e luftrave të fundit në Ballkan i kanë treguar këtyre aleancave, se tashme faktori shqiptar nuk mund të përfaqësohet vetëm nga politika e ditës e shtetit administrativ shqiptar, por ajo ka marrë vlera më të gjëra. Ky realitet mund të jetë një nga sfidat më të rënda, por mund të jetë edhe një nga shanset më të mira për të ndihmuar çështjen shqiptare në Ballkan e më gjërë.

Nuk është aspak e habitëshme dhe e papranueshme se një ndërkombëtarizim i tillë në rrugët demokratike, mund të jetë një nga elementët më thelbësorë dhe të pranueshëm të sigurisë me bazë bashkëpunimin në Ballkan, duke e hequr atë nga “vija e zjarrit”. Kjo mund të jetë një nga sfidat më spektakolare në erën e re të politikës që duhet ndjekur, për të çuar në vend padrejtësitë. Drejtohuni vullnetit të popujve në rrugët dmokratike. Nëse ndodh kështu interesat me siguri kanë për të qënë jo vetëm të palëkundura, por me një hapsirë më të gjërë bashkëpunimi. Nuk është e njëta gjë që shqiptarët të mund të përjetojnë në të ardhmen “një psikologji tmerri pa fund dhe të synojnë të çoroditur drejt një fundi të tmerrshëm”. Këtë nuk do ta dëshironin shqiptarët, këtë nuk do ta dëshironte as Ballkani e as Europa.

Pra nuk mund të arrihet më mirë siguria ndërkombëtare dhe ajo në rajonin tonë, nëse parimi bazë i marrëdhënieve ndërkombëtare do të mbetet përherë e drejta e më të fortit, i cili në çdo rast mund të shfrytëzojë në maksimum të drejtat e tij “demokratike”. Në sfondin e diversiteteve kulturore, etnike, racore, fetare e në tërësi gjeopolitike të popujve të Ballkanit, a nuk do të ishtë më mirë që të bëhej një marrëveshje e përbashkët mbi rregullat dhe parimet që do të rregullonin të gjitha padrejtësitë dhe hap pas hapi të krijohej klima e bësimit se diçka do të bëhej edhe në këtë drejtim?

Nëse gjithkush do të qëndrojë në pozitat e veta, atëhere përse dhe shqiptarët të mos zënë pozicionet e tyre. Kush ka interes, që për çështjet e sigurisë individuale e kolektive, vërtet në Ballkan të ekszistojë “një siguri në vijën e zjarrit”?!! Ndoshta ky mund të jetë qëllimi më i mirë, i cili mund të artikulohet gradualisht për tu bërë pjesë e qënsishme e politikës rajonale e më gjërë. Kush do ta bëjë këtë?

Ka ardhur koha që politika europiane në Ballkan duhet të jetë shumë më elastike se sa e kalkuluar “tërhiq e mos e këput”. Në të kundërt, gjithkush duhet të mendojë se një sistemi i tillë i modeluar sipas mendjes “fikse e më të ndritur” të politikës europiane, duke i drejtuar kërkesat e shqiptarëve në veshin e shurdhër, mund të jetë një politikë e tipit totalitar, mbështetur në të drejtën vetëm e më të fortit. Cilin model totalitar do të pranojmë në këtë hapsirë, atë të llojit “demokratik”, të llojit “euro”, të llojit fetar, të llojit territorial, të supermacisë etnike, të dhunës kulturore, “të daljes në det apo të mbylljes në mal” etj. Cilin do të preferonim, në rastin më të keq ose më të favorshëm, ne shqiptarët, atë të sigurisë apo atë të pasigurisë dhe cila personifikon realisht rreziqe për ne? Është disi e vështirë që t’i jepet përgjigje kësaj pyetjeje. Ndërkohë, siç po vërtetohet përherë e më shumë, agresioni gradual në të gjitha fushat i fqinjve tanë, ndaj çështjes kombëtare shqiptare, po realizohet duke shfrytëzuar “mashën shqiptare”.

(VIJON)

© Pashtriku.org

——————————–

PSIKOLOGJIA E LUFTËS KUNDËR LUFTËS / DISA PЁRFUNDIME (13

NGA SULEJMAN ABAZI (Komandanti i Divizionit të Tiranës – ’98 – ‘99 – Kujtime

https://pashtriku.org/psikologjia-e-luftes-kunder-luftes-disa-p%d1%91rfundime-13/

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura