Pashtriku.org, 21. 03. 2013 – Të gjithë tashmë dinë për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë; shpërthimin e demonstratave, arrestimin dhe burgosjen e shoqeve dhe shokëve tanë; ndrydhjen e zjarrit tonë revolucionar që shpërtheu në tërë Kosovën gjatë muajve mars e prill të këtij viti. Pas ngjarjeve të 11 marsit, 26 marsit dhe të fillimit të prillit, kur konvikteve tona u vinte akoma era helm të gazit lotsjellës, të pushkëve dhe automatikëve, nuk kishte më gjendje mësimi e qetësie për ne. Për çdo natë tuboheshim para konvikteve dhe kërkonim shoqet e shokët tanë të vrarë e të burgosur; thërrisnim parulla dhe brohorisnim për republikën tonë. Mirëpo kërkesat tona nuk përfilleshin. Aktivistët e Lidhjes Komuniste që qëndronin më të gatshëm se kurrë për të vepruar, ishin në lëvizje të vazhdueshme; por edhe ne kishim vendosur që pa realizimin e kërkesave tona, të mos qetësoheshim.
Përpjekjet e kujdoqoftë për qetësimin tonë ishin të kota. Edhe për krijimin e një gjendjeje normale në konvikte, ishte e pamundur. Situata po ashpërsohej nga dita në ditë. Ne ishim të vendosur të mos shkonim në ligjërata. Po përgatitej të shpërthente përsëri revolta jonë. Dhe nga kjo frikë, universiteti u mbyll, duke na larguar kështu edhe ne studentëve një muaj para afatit të rregullt nga konviktet (pikërisht në gjysmën e muajit maj të ’81’shit), me shpresë se do të «mblidhnim mend» dhe t’i harronim shpejt ato ngjarje të përgjakshme. E kush s’do të çuditej nga një paramendim i tillë anormal?! E si mund të harronim gjakun e shokëve e shoqeve tona të derdhur rrugëve të Prishtinës; si mund të harronim shokët e shoqet tona të arrestuara ; ata të cilët kishin lënë bangat e zbrazëta në fakultet ?! Gjithçka ndoshta mund të harronim, por ato ngjarje nuk do t’i harronim kurrë!
Dhuna policore serbe…
Atë vit na vranë, na burgosën e gjakosën, na zgjatën «pushimet» për një muaj më shumë, por për çudi (gjë që s’kish me ndodhur kurrë deri atëherë) për ne ishin siguruar edhe autobusë special, të cilët do të na bartnin nga konviktet deri në qytetet apo fshatrat tona. Lëre se vinin autobusët, por ata na barnin gratis. Shumëçka na dhanë atë pranverë të përgjakshme falas: plumba, helm, shqelma, grushta, kërbaçë, fyerje, sharje, burgje, varre… e edhe autobusë!
Tri ditë rresht autobusët po bartnin studentët. Unë shkova e fundit t’i mblidhja plaçkat që i kisha në dhomë. Me mua ishin edhe dy shoqe që kishin ardhur për të më ndihmuar. Arritëm para konvikteve. Ç’të shihje! Heshtje varri. Para konvikteve qëndronte një veturë policie e gatshme për arrest. „Aktivistët“ aty-këtu i drejtonin studentët për në theqafje, në mënyrë që të mos u linin hapësirë të silleshin rreth konvikteve ose fakulteteve. Të shkonin ku të donin, ama ku të donin, vetëm larg e më larg vatrës së zjarrit.
Desha të hyja bashkë me shoqet në konvikt, mirëpo „rojtari“ të cilin nuk e kisha parë kurrë, nuk më la të hyja, ashtu siç kisha hyrë gjatë tërë vitit. Bile ky „rojtar“ më kërcënoi se nëse do të bëja fjalë, nuk do të më linte të hyja fare dhe se konvikti ishte mbyllur dhe s’lejohej të hynte njeri brenda. Megjithatë, unë këmbëngula se do të merrja plaçkat e mia dhe ai nuk rezistoi më por u zbraps. Më kërkoi librezën e konviktit dhe letërnjoftimin. Shoqet që ishin me mua, nuk i la të hynin. Më dha me vete një shoqëruese (shërbëtore), e cila me përtesë të madhe m’i hapte dyert njërën pas tjetrës. S’më dukej ai konvikt që kisha njohur për katër vjet me radhë. Ai ngjante me një burg të vërtetë.
Me një burg ku orë e çast dëgjohet tringëllima e vrazhdë dhe e rëndë e çelësave të ashpër, tek hapin e mbyllin dyert. Shërbëtorja u mërzit duke hapur e mbyllur dyert, sa në një çast shpërtheu nga inati: «Sikur t’i kishin mbushur lira këto konvikte, e kanë frikë se mos ua merr kush!» E shkreta nuk kuptonte, se këto konvikte kishin mbajtur brenda tyre njerëz me vlera më të mëdha se sa lirat e saj!
Hyra në dhomë. Dhoma ishte e shkretë. Shoqet e dhomës kishin mbledhur plaçkat dhe ishin larguar… Nuk isha përshëndetur me to… Nuk na lanë kohë të përshëndeteshim….E ku e dija unë se do të ndahehsha nga shoqet në atë mënyrë?!… Secila nga to më kishte lënë një gjë të vogël në shenjë kujtimi, sepse nuk i dihej jetës…
Mblodha plaçkat dhe shumë e mërzitur dola nga konvikti. Autobusi po na priste. Na urdhëruan të largoheshim sa më parë nga këtu. Kishin frikë se mos shpërthente prap ndonjë shkëndijë revolte. Hipëm në autobus. Për çudi nuk njihnim asnjërin nga studentët. Një shoqe imja nuk deshi të hynte në autobus nga frika se nuk na shpiente në qytetin tonë. I thashë me zë të rreptë dhe nga zemërimi që më kishte kapluar në ato çaste: «Hyr e mos bë fjalë, se s’kanë ku na çojnë përveçse në Kosovë!» Ajo u bind. Hipi pa bërë fjalë në autobus. Autobusi u nis. Unë ktheva kokën prapa të vështroja konviktet e mbetura shkret.
Në oborrin e atyre konvikteve, ku kishim kaluar atë pranverë me netë të tëra pa gjumë; aty ku kishim filluar demonstratën e madhe të 26 marsit; aty ku ishim përleshur me ushtri e polici speciale; aty ku shoqet e shokët tanë kishin lënë dorën, këmbën, syrin e veshkët; aty ku gjaku ishte derdhur lumë; aty ku agimet na kishin gjetur zgjuar… tani oborri dukej si një varr i vërtetë; si një varr i lënë në harresë dhe mbi të pa mëshirë shkel këmbë e huaj… Ndërsa qëndrimi i veturës së policisë në oborrin e konvikteve, ishte shenja më domethënëse për çdo njeri se çdo lëvizje ishte nën kontroll, se diçka kishte ndodhur, ose pritej të përsëritej në atë oborr…
* * *
Pati edhe të atillë që u mashtruan se duke na larguar nga konviktet, çdo gjë do të përfundonte me kaq, por e patën gabim: lufta veçsa kishte filluar…
Saime Isufi, Maj 1981