BEHXHET Sh.SHALA(*): FISET POLITIKE DHE POLITIKA FISNORE NË NËNQIELLIN SHQIPTAR!

Prishtinë, 23. 03. 2013 – Profolizimi deri në tjetërsim – Shqipëria si “Piemont“ i shqiptarizmës ka një dyzinë të partive politike. Shumica deklarohen si të djathta, një numër i vogël si të majta dhe gjithashtu një numër edhe më i vogël deklarohen si puro kombëtare! Mirëpo, shumica e tyre origjinën apo ngjizjen embrionale politike e kanë Partinë e Punës së Shqipërisë të konvertuar në Parti Socialiste të Shqipërisë. Pra, babain politik e kanë të majtë ndërsa nënën në disa raste e kanë të djathtë! Partitë puro kombëtare, të vjetra si Balli Kombëtar, Legaliteti etj., dhe kjo e reja si Aleanca Kuq e Zi për çudi nuk bashkëpunojnë ose e bëjnë këtë fare pak me një parti e cila deklarohet si kombëtare por me orientim europian, me Partinë Demokratike që sundohet nga doktori i Tropojës, Sali Berisha. Për ta dëshmuar përcaktimin kombëtar, sidomos para zgjedhjeve në Shqipëri dr.Berisha ua premtoi shtetësinë shqiptare blanko të gjithë shqiptarëve të botës! Të cilën pastaj e përshtati pas “këshillës“ së miqve ndërkombëtarë. Pastaj, gjithashtu për ta dëshmuar kombëtaren e tij rehabilitoi figurat që më së shumti e kanë dëmtuar politikisht dhe kombëtarisht Shqipërinë dhe shqiptarët siç ishte rasti i rehabilitimit të ortakut të tij, mbretit analfabet dhe shfarosësin e shumicës së patriotëve shqiptarë, Ahmet bej Zogollin! Mos të flasim pastaj se sa dëme ekonomike i bëri Shqipërisë dhe Kosovës duke favorizuar bizneset serbe dhe duke shkelur ato kosovare dhe shqiptarëve të tjerë të ndarë dhunshëm në gjashtë shtete. Dhe shumë margaritarë të tjerë politik siç janë ndërhyrja dhe përçarja e shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Luginën e Preshevës dhe në Kosovë. Artin e politikës e ka shndërruar në art të mbajtjes së pushtetit, si Robert Mugabe. Sundimi mbi 20 vjeçar nuk ka të bëjë fare me demokracinë. Mbetja me çdo çmim në pushtet nuk është aspak demokratike! Sali Berisha, në fund të karrierës së tij po i kthehet origjinës politike. Shinjellit të Enver Hoxhës nga edhe ka dalë, si disident i konvertuar brenda një jave!

Sala – Topi dhe Edi!

As Edi Rama nuk është ndonjë demokrat që do të hyjë në librat ku mësohet për një demokraci të mirëfilltë. Edhe ai është një diktator i vogël, me trup të madh i veshur me kostum të politikanit modern. Ka një përparësi të madhe ndaj doktorit sepse shquhet me një retorikë shembullore që është një plus i madh gjatë komunikimit me masa. As ky nuk e ka mendjen ta lë pushtetin por do ta mbajë atë me çdo kusht! Ana tjetër e Sali Berishës. Këta të dy kanë hyrë në politikë me brekë të shqyera, ndëra do të dalin si milionerë. Me kostume Versaçe, këpucë Prada dhe mbathje sigurisht firmato! Në kohën kur pjesa më e madhe e elktoratit është shndërruar në kategori sociale!
Ilir Meta është varianti Daçiq në Shqipëri. Shërben si një përcaktues për formimin e qeverisë. Pa pasur skrupuj moral fare. E ka çmimin e tij dhe deri tash e ka fituar. Kryesisht nga Saliu. I majtë politikisht, i djathtë karrierist!
Kreshnik Spahiu e ka vështirë të forcohet me folk – patriotizëm. Ndoshta, pasi po del për herë të parë në zgjedhje edhe mund ta kalojë 12%. Votat ia uli komisionari Fyelli dhe ambasadori Arvizu që ia zbutën patriotizmin dhe nacionalizmin duke e shndërruar në një ndjekës të integrimeve europiane! Sikur ata para tij! Ndoshta, zgjedhja më e mirë aktualisht për Shqipërinë është Bamir Topi. Me një bagazh intelektual, integritet moral dhe përvojë politike si ish president i Shqipërisë. Shpresoj të fitojë jo më pak se 15% të votave. Emërues i përbashkët është se edhe në Shqipëri liderët partiakë janë në fakt kryepleq të fiseve të dikurshme. Dhe sundojnë me ligjet e Vatikanit. Të mbesin në pushtet deri në vdekje. Sikur Papa i Vatikanit.
Kosova është rast sui generis
Kosova është vend i mundësive të mëdha. Vend i mundësive të pakufishme! Ku njeriu brenda natës bëhet ministër dhe vërtet mendon se është ministër! Ku analfabeti bëhet me tituj shkencorë dhe ku intelektuali me injorancën dhe servilizmin e tij shndërrohet në shërbyes civil të një politikani matrapaz! Ku ekonominë e shtetit e udhëheqin hajdutët e mëhallës dhe ku postet ndahen si në bahçe të babës! Ku ata që i kanë shërbyer Jugosllavisë dhe Serbisë janë shndërruar në mbrojtës të pavarësisë! Ku vota e një sms-i vlenë më shumë se 500.000 votues! Edhe këtu kemi shumë parti. Thuaja sa në Shqipëri. Dhe, thuaja të gjitha deklarohen si të djathta sepse duan të jenë si partritë demokratike dhe republikane. Orientimi tjetër politik, ai i majtë për to është fyes ndonëse të gjitha e kanë burimin nga e majta e Titos apo e Enverit! Organizimi politik i partive politike në Kosovë është tipik organizim fisnor. Në krye të tyre është ose Shefi, Lideri, Taraku, Fideli, Baci nga Mareci, Knjaz Milloshi, Sulltan Sylejmani ose Amkademiku! Të gjithë kanë jetëgjatësi politike sikur rusët e Siberisë që kanë thyer rekorde botërore për jetëgjatësi. Por karriera politike e tyre nuk përcaktohet nga vota në Kosovë por nga vota në Bruksel dhe Vashington. Këta, për dallim nga politikanët në Shqipëri përdorin fjalor më të artikuluar sipas standardeve demokratike dhe rrallë fyejnë. Fjalët hajn, kriminel, bandit janë shprehje e edukatës politike dhe familjare! Kosova ka mbetur pa opozitë! E kanë lënë pa opozitë! Dhe duket se nuk do të ketë opozitë shpejt. Madje, shumë herë nuk dihet kush është në pozitë e kush në opozitë! Janë ngatërruar leshrat krejt. Janë bërë EULESH vendor! Më nuk është kriter se a je për Kosovën dhe qytetarët e saj por a je për dialog a kundër tij?! A je me amerikanë apo kundëramerikan?! A je me Ahtisarin e me Rasim bugarin?! Këto janë metodat më efikase dhe më të shpejta për eliminimin e armiqëve politik në Kosovë! Prandaj, shumica e atyre këndesëve e ulin zërin posa ta shohin fotografinë e Baroneshës Ashton apo të ndonjë zyrtari amerikan! Mos të flasim nëse e dëgjojnë zërin e tyre. U shkonë shurra vadë! E patë diskutimin në Kuvendin e Hajkobillës e që po kontrabandohet si Kuvend i Kosovës për formimin e komisionit ad -hoc për rastin Kiçina. Nga më shumë se 80 deputetë që votuan pro, pas pauzës dhe shigjetave ndërkombëtare mungoi kuorumi. Vërtetë jemi rast sui generis. E mbrojtëm pavarësinë institucionale. Kur kanë ta votojnë ndonjë ligj, me sugjerimin e ndërkombëtarëve apo për sigurimin e kuorumit fillon gjuetia e deputetëve për të votuar. Madje, ka raste kur i nxjerrin nga WC ende pa e kryer nevojën fiziologjike ( terminologji shkencore se jo mahi), pa i veshur pantollonet, duke u pikuar shurra deri në karrikën e deputetit! E mahnitshme, romantike, sensuale dhe origjinale !
Maqedonia dhe Etiopia
Enda pa përfunduar lufta në Maqedoni midis maqedonasve dhe shqiptarëve e që nuk zgjati as dy vjet të plota, filloi lufta midis shqiptarëve e cila nuk ka përfunduar deri më sot dhe se duket as që ka ndërmend të përfundojë meqë palët armiqësore ndërshqiptare janë barrikaduar dhe po shtiejnë kundër njëra – tjetrës me artilerinë më të rëndë verbale. Duket se më e madhe është armiqësia midis shqiptarëve sot se ajo midis maqedonasve dhe shqiptarëve në kohën e luftës! Mentalitet tipik fisnor i të bërit politikë! Paradoks i llojit të vet. Gruevski i ngulur në kryqin e madh mbi Vodno po e bënë bilansin e viktimave shqiptare! Dhe po fiton vota duke i fituar zgjedhjet. Me këtë sjellje shqiptarët, jo që nuk do t’i fitojnë votat në Maqedoni por as votat e ruajtësve të deveve në Etiopi !
Lugina e Preshevës dhe Veriu i Kosovës
Serbët në Veri të Kosovës nuk po i pranojnë institucionet e Kosovës. As ato të EULESH-it. Madje as ato të Serbisë. Prandaj edhe nuk do ta kenë fundin e mirë. Nuk po e pranojnë as autoritetin e Avni Kastratit në Veri ndonëse ai u tha shkoqur se: ”ja sam predsednik Mitrovice“. Ata mendonin se është ndërkombëtar dhe se ka ardhur nga një shtet tjetër! Serbët në Veri po ngrejnë barrikada në rrugë dhe pengesa tjera. Për të penguar ardhjen e policëve të Kosovës dhe doganierëve të Kosovës. Edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës po bllokojnë rrugët! Për të penguar policët dhe xhandarmerinë e Serbisë. Prandaj e bllokuan rrugën për Gjilan! Rrugën që i lidhë me Kosovën!
Mbase jam edhe injorant pasi Thaçi po thotë ashtu
Të gjithë neve që kemi mendim ndryshe për problemin e Veriut kryeministri i Kosovës po na quan injorantë! Mund të jetë edhe ashtu! Nuk jam hidhëruar aspak! Uroj ta kem gabim dhe të mos dalin parashikimet e mia! Uroj që në këtë bastore politike me rezultate të trukuara kryeministri Thaçi të dali fitues. Unë ende kam rezerva. Nuk njoh rast që në një dialog të sponsoruar nga referët ndërkombëtarë, njëra pale të dali fituese. Ndryshe, cili është atëherë kuptimi i dialogut?! Pse duhet të marrin vendime të rënda të dyja palët?! Pse, sipas ambasadorit amerikan në Beograd të dyja palët duhet të japin nga pak që të arrihet një marrëveshje?! Në këtë seks negociator, me shumë ngulitje që nuk japin kënaqësi por më shumë shkaktojnë trauma, rezultatet nuk do të shihen menjëherë! Pavarësisht se çka i servohet opinionit! Rezultatet do të shihen më vonë. Pas një shtatëzënie të stërzgjatur! Atëherë do të shohim frytin e këtyre negociatave! Dashtë Zoti të lind një fëmijë i shëndoshë!
I erdhi radhë edhe “të birit“ të meçkës së Beogradit të më bëjë të qeshë duke më thënë: ”Behxhet je shumë pesimist dhe ogurzi në analizat tua. A po e sheh se më në fund edhe ne ia futëm Serbisë…Pecin“. Mund të ketë të drejtë! Ne ia futëm Serbisë Pecin (Lulzim ambasadorin) por kam frikë se mos po na futë Serbia neve diçka më të madhe se Pecin!
(*) Behxhet Sh. SHALA, Veteran i Luftës së UÇK-së nga Zona Operative e Bllacës, me nofkën Komandant për shpëtim të bythës i dekoruar me Urdhër për Trimëri dhe Patriotizëm nga Komandanti i Zonës, gjeneral – lejtnant i Brigadës së XXVI të UÇK – VJ, Azem Vllasi, kryetar për verifikimin e kandidatëve për status të veteranit!)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura