Pashtriku.org, 24. 03. 2013 – XI. 1. ÇLIRIMI I FJALËS NGA KONVENCIONET – Moikom Zeqo hyri “tepër rrëmbyer” në fushën e poezisë siç shprehej Filip Ndocaj në “kritikën” e tij ndaj poetëve të rinj në janar të vitit 1972.1 Veçoria e këtij poeti të ri ishte poliedriciteti dhe befasia e materialit poetik të tij, që ky autor e bëri pjesë të shprehjes të pashmangshme. Pavarësisht nga motivet mbi të cilat ndërtoi poezinë ky poet (ato erotike, mitologjike, urbane), poetika që ndoqi, e drejtoi më së shumti te çlirimi i fjalës nga kuptimi konvencional. Kjo poezi e sublimuar nga figuracioni i mitologjisë antike, përshkohet nga etnopsikika me një theks qytetës dhe studentor duke ravijëzuar kuptime të reja simbol si: “Salloni kozmetik”, “vallëzimi alba”, “Lulet elektrike”, “programet televizive” etj. Këtë medium Zeqo e ka trajtuar së pari si burim informacioni, dhe do ta bëjë pjesë të interkomunikimit të këtij brezi të fillim viteve ’70, të ballafaquar virtualisht me qytetërimin perëndimor si kontribut përveçse artistik por edhe për “europianizimin” kultural.
Moikom Zeqo e transferon së pari në poezinë tonë këtë atmosferë duke përcjellë mesazhet e tija poetike të ndikuar nga ky medium i ri dhe “paqësor”. Në këtë mënyrë ky trajtim pacifist i poezisë përfshirë nga një tis erotizmi teknologjik u bë pjesë e “avangardës” së poetëve modernë të asaj kohe.
Dr.Moikom Zeqo
Shprehja poetike e Zeqos është kritikuar për interpolimin e një informacioni të tepërt të fushave të shkencave apo të trajtimeve të etnogjenezës apo përrallave si në rastin të cilit i referohet Dritëro Agolli për ta goditur si koleg por me anë perifrazimesh e analogji hermetike edhe nga ky i ndikuar nga shpërthimi që deshi ta verë nën fre, duke u instrumentalizuar nga diktatura:
“Një vajzë e vogël me një shamizë gjetheje
Hirushja e dytë e përrallave të harruara.”2
që këto lloj vjershash do t’i quante në raportin e tij “Kundër ndikimeve të huaja në poezinë tonë” si “pjesë leksionesh”.3
Në poezinë e Zeqos përtreten pikëpamje arketipore të Gustav Jungut si në shembullin e poezisë “Vendlindja e nënës” por edhe simbole biblike si “fëminia e mollëve”:
“Zog fluturo më ço përtej ditës së lindjes,
Përtej fëminisë sime
Që u bë fëminia e saj e gjetur.
Në një moshë tjetër
………………………………..
Gjer tek fëminia e mollëve
Mos vallë dhe nëna
Lindi prej rrënjëve të tyre?”4
Në poezinë e tij shfaqen konceptet e “tërësisë”, idetë e neomarksistëve, Nerudës, Sartrit dhe sidomos mekanicizmat hermetike të Salvatore Quasimodos që dominonin në vitet ’70 skenën letrare botërore, të cilat në të vërtetë shprehnin ftohtësinë e botës industriale e “kapitaliste” ndaj problemeve të njeriut dhe humanitetit në përgjithësi.
Strukturimi i poezive tek Zeqo kryhet me një mori motivesh, thuajse “pindarike” që shëtisin me lehtësinë më të madhe nga tema në temë, brenda një poezie apo një strofe të vetme, aq më tepër kur ai ia njohu shpejt në talentet e tij të shfaqura dhe karakter dinamik por edhe i qortueshëm për “izmat” e tij. Por agregati i tij kulturor i reflektuar në reportazhe si “Bukuroshja e Durrësit” dhe poezi u akuzua si “antropomorfik e narcizist” që mund t’i rëndonte edhe më tej afinitetet me poezinë moderne, qoftë hermetike apo simboliste europiane, si ndjekës i Pol Valerisë me “La mere, la mere” (deti-deti).
Shenjestra ndaj këtij autori u shoqërua edhe me “vlerësime” të bashkëkohësve si Roland Gjoza, Xhaferr Martini etj.5 Edhe Zeqo s’kish si të shkonte kundër traditës europiane, kur poetët pësojnë ndikime, sidomos në të ritë e tij, siç shprehej Ungaretti, pasi edhe ai nuk kishte sesi t’i shpëtonte kësaj prirjeje. Moikom Zeqo ishte një zë unik, – madje në Kosovë kishte plagjiatët e tij, – për ndërthurjen e argumenteve me karakter mitologjik apo edhe duke përdorur si material poetik terma të shkencave historike dhe të arkeologjisë apo edhe të ndonjë shkence natyrore. Duke i ndërkallur me guxim termat e mitologjisë, shkaktoi një reagim nga Institucionet e poezisë së kohës, mbi të gjithë të kritikëve, si Filip Ndocaj, Razi Brahimi apo edhe të Dritëro Agollit që kishte tjetër repertor të njohjes, pasi ai i përkiste shkollës së distancuar “folklorike”.
XI. 2. DRURËT “POPULLORË”
Moikom Zeqo në poezinë e tij, ka lënë gjurmë të “një lloj ars poetica” të tij ku i kundërvihet folklorizmit e ruralizimit të arteve, madje shprehjet e tij e të Frederik Reshpes do të dallojnë letraritetin e tyre, p.sh. Zeqo i quante “drurët Popullorë” në poezinë “Vendlindja e nënës”6 poezi e cila u kritikua, mbase nga mungesa e repertorit të kritikëve nuk u quajt aluzion biblik, pasi metafora e mollës = mëkati origjinar, biblik, gabimi i Evës. Por nuk ka munguar repertori i kritikës që ka përkapur ç’mitizimin e fjalës “popullore”,7 të cilën autori e ka përcjellë si “inflacion” si shpërdorim, duke i dhënë një funksion simbol, përhapjes së mëkatit të dashurisë së ndaluar biblike. Ky mesazh është përsëritur dy herë në poezinë “Vendlindja e nënës”, si edhe te poezia “Rozafa” duke përbërë kështu një repertor të ri, të përcjellë nga ky poet në sistemin letrar:
“Që del nga themelet e kështjellës çdo natë.
………………………
Metaforë popullore prej guri”
Gjithashtu në këtë sekuencë grotesku, Frederik Reshpja shkruante: “Poeti popullor Dritëro Agolli”, duke i dhënë nuanca bufonerie, epitetit “popullor”. Çlirimi i kuptimit simbol, ra në sy të kritikës e cila i parapriu plenumit IV- të K.Q., u bë agresive gjatë Plenumit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe dha konkluzione dëmtuese për poezinë “hermetike” dhe poetët që e lëvruan. Këtyre poetëve nëpërmjet masave administrative ua ndaluan botimin apo u dëbuan në provinca si Faslli Haliti, Xhevahir Spahiu e Moikom Zeqo, ndërsa Frederik Reshpja do të burgosej. Prej tyre Thanas Dino e humbi përgjithmonë angazhimin aktiv si shkrimtar, ndërsa Fatos Arapit iu botua vetëm një libër në Prishtinë gjatë viteve ’70 pas “Më jepni një emër”, përmbledhja poetike “Fatet”, Rilindja, Prishtinë 1979.
XI.3. ANTROPOMORFIZMI DHE PANTEIZMI
Duke u nisur nga baladat sikurse te “Kënga e Serafina Topisë” të Jeronim De Radës, do të ishte më e thjeshtë përqasja e etnofolklorit të kthimit të vajzës në “bajame” nga dashuria e humbur, nga fataliteti i ndarjes:
“E besa i sosej s’prirej ndonjë anie:
Sa një menatë papritmas n’atë zall
Nga helmi mori e u bë bajame e hollë”8
dhe kështu po të shihej shndërrimi në plep, (Moikom Zeqo); në lis “lisi është babai im” Rudolf Marku poezia: “Lidhjet e mia me natyrën”; në banane Thanas Dino: “Një mëngjes”; në pemë të madhe në poezinë “Jeta” të Xhevahir Spahiut, në një transfigurim të njohur edhe nga baladat shqiptare. Por kritika i stigmatizoi këto poezi, për trajtim të simbolit, narçizizmit, antromorfizmit, të abstraksionit figurativ dhe hermetizmit të pafalshëm. Kështu gjykonte Dritëro Agolli, që s’e shihte veten te poezia e mendimit, por tashmë interesimi ynë shënon kronologjinë, shkallëzimin e ngjizjes te këta shkrimtarë të këtij motivi, ose të drejtën e “përparësisë”.
XI.4. FOREST AGE, “MUAJI I PYJEVE”
Se në ç’pikë jeta e tyre është shërbyer përmes koncepsioneve danteske të shpërndërrimeve ku pikëllime të padefinuara t’i kthejë në pemë simbol, kaçuba alla Pier Della Vigna, që ishte kthyer shpirti në kaçube, që ia shkëlveshnin udhëtarët poetë, Virgjili dhe Danteja, në një jetë vegjetative, infernale, ndonëse duke i dhënë blerimin e amshuar, duke e rifutur njeriun në ciklin panteist të natyrës apo të një Ferri të fshehur mes “muajve të pyjeve” që mund të rievokojnë te Moikomi “The forest age”, periudhën e pyjeve që endet para epokës së gurit përsa i përket humanitetit. Koha e përshkruar nga Zeqo, e rikthen këtë epokë ku njeriu gjuante dhe gjuhej njëkohësisht nga egërsirat ku e vetmja mbrojtje ishte forca fizike. Forcë të cilën e drejtonte brenda fisit një person i vetëm që kishte fatalitetin e jetës e vdekjes, të flakjes së shpirtrave njerëzorë në humbëtirat e pyjeve të pasosur. Këto shpjegime kulturologjike e shqetësonin me kumtet e tyre pllakosëse diktaturën, që ishte prani e vazhdueshme në agregatin kulturor “të masave”.
Impresionizmi i Zeqos, shtuar me trajtesat e dendura mitologjike e bënë atë një autor modernist, por sulmi ndaj tij nuk u mendua dy herë nga kritikët, për mungesë repertori kulturor, në “hermetik” vetëm për shkak të abstraksioneve dhe metonimive të tij, të befta apo metaforave që thyenin tabu. Rifunksionalizimi i historisë biblike e antika që ishte kthyer në vëmendjen e leximeve dhe të shpërfaqjes së tyre në një “poezi mendimi” krahas abstraksionit ashtu si edhe Viktor Qurku që e vlerësonte subjektin lirik si një “Platon”. Shtresimi i “evropianizimit” të artit te këta autorë dhe te poezia e Fatos Arapit, u vu re edhe nga kritika e regjimit që e quajti prirje armiqësore.
Marrë nga libri “Hermetizmi në letërsinë shqipe” të Leka Ndojës, PAKTI, 2012 f. 107-112.
_________________
Bibliografia:
1. Ndocaj Filip: “Me poetët e rinj”, “Nëndori”, Nr. 1, janar 1972, f. 32. Kjo kritikë shprehet se Moikom Zeqo jepte shpresa në vëllimin e parë të tij “Vegime të vendlindjes” (1968), ndërsa për vëllimin e dytë “Qyteti Feniks” e quan: “vjershërim zhurmues, deklarativ, që përpiqet me figura të kurdisura të mbulojë zbrazëtirën e mendimeve e mungesën pothuajse të përgjithshme të frymëzimit”. Po aty f. 32-33.
2. Zeqo, Moikom: “Vendlindja e nënës”, “Drita”, nga cikli poetik, 10 shtator 1972, f. 10.
3. “Gjëja e parë që bie në sy është se një shumicë poezish ka zhvendosur jetën, po tërhiqet pas legjendave, pas mitologjisë, pas Hirushes së përrallës, pas piramidave të lashta, pas eposit të lashtë. Në përgjithësi ka një tërheqje jashtë mase pas antikitetit. Këto janë gjithfarë vjersha shpjeguese, shkollareske, që të kujtojnë, në një farë mënyre, leksionet”. Cit. nga Agolli, Dritëro, “Kundër ndikimeve të huaja në poezi” (Diskutim në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve), “Nëntori”, Nr. 5, maj 1973, f. 12-13.
4. Zeqo, Moikom: “Vendlindja e nënës”, “Drita”, nga cikli poetik, 10 shtator 1972, f. 10.
5. Gjoza, Roland: “Drita”: Nuk jam i një mendimi me Xhafer Martinin, që thotë në shkrimin e tij kritik “Disa probleme të poezisë”, se ciklin me poezi të Moikom Zeqos, botuar në gazetën “Zëri i rinisë”, e karakterizon lëvizja si diçka më vete. Për mendimin tim ky është cikli më interesant i autorit, në të cilin lëvizja ndihet së brendshmi në funksion të meditacionit dhe buron më tepër nga konteksti brenda për brenda figurës.
Poetët e rinj po bëjnë një punë të kujdesshme me leksikun dhe veçanërisht me fjalën, si materialin bazë. Në dukje poezia ngjan si një zgjedhje me kujdes e fjalëve. Pra fjala në poezi ka specifikën e saj. Natyrisht me fjalën nuk kuptojmë zgjedhjen e saj në mënyrë mekanike, sepse kjo do të na shpinte në formalizëm, puna e kujdesshme dhe këmbëngulëse me fjalën, ka një kuptim më të gjerë, ajo lidhet drejt për drejt me zbulimin sa më estetik dhe të qartë të përmbajtjes në poezi.
6. Op, cit.
7. “Çdo të thotë poeti me “Me drurët popullorë të mollëve?!”… Kjo figurë e përdorur kështu banalizon kuptimin e vetë fjalës “popullor”. Prençi, Mexhit: “Kundër ndikimeve të huaja në poezi” nga “Diskutim në L.Sh.A.”, “Errësimet dhe problemi i figuracionit”. “Nëntori”, 5, maj 1973. f. 28.
8. De Rada: “Serafina Topia”, Libri I, “Përgjigje e Sarafinës” v. 4-6, në tekstin «Komentari i letërsisë », Tiranë 2011, f. 40.
___________
Për autorin:
Leka Ndoja ka lindur në Tiranë në vitin 1962. Ka kryer studimet e larta në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës, dega Gjuhë-Letërsi në fillim të viteve 90. Ka punuar si gazetar dhe skenarist në TVSH në vitet 1993-2002. Nga viti 2004 drejton “Qendrën e Studimeve Ndërshqiptare”. Ka botuar rreth 50 ese kulturologjike dhe “Traktatin e artit inteligjent”. Ka botuar tre vëllime me poezi; “Rrezja e territ” 1993, “Zaret u hodhën” 1996, “Këngët barbare” 1999, romanin “Motel El Salvador” 2002. Ka përgatitur librin “Vox populi” të Zef Malës 2002. Nga përkthimet, ka sjellë së pari vëllimin antologjik “Pambarimi” të G. Ungarettit, (Çabej 1997), si dhe ka botuar në revistat letrare cikle poetikë nga Xhon Kits, Karduçi, Montale, Quasimodo, Marinetti, Papini, Ted Hjuz, Masters, Hini etj. Ka përkthyer nga anglishtja dhe ka botuar librat albanologjikë “Shqipëria, çelësi kryesor i Lindjes së Afërme’ të Kristo Dakos 2003, “Epiri” N.G.L. Hammond QSN 2004, “Kanuni shqiptar” Margaret Hasluck 2005. Ka përgatitur komentarin e Skartacinit mbi veprën Komedia Hyjnore të Dante Alighierit përkthyer nga i ati Mark Ndoja…