Në 27 vjetorin e Betejës së Pashtrikut (14 dhjetor 1998 – 14 dhjetor 2025)
NЁ SHTUTGART U SHЁNUA 27 VJETORI I BETEJЁS SЁ PASHTRIKUT DHE U PROMOVUAN TRI LIBRA TЁ GJENERAL KUDUSI LAMЁS

Nga Muhamet Hoxhaj, Shtutgart – më 7 dhjetor 2025
Mbrëmë në Shtutgart të Gjermanisë u mbajt një takim përkujtimor kushtuar Betejës së Pashtrikut dhe ngjitjes në piedestal të pavdekësisë së Komandant Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçi – dhe 41 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së). Salla ishte e mbushur përplot me mërgimtarë që kishin ardhur nga shumë shtete të Europës, në mesin e tyre edhe shumë luftëtarë të asaj beteje të lavdishme, veteranë të tri luftërave, si dhe aktivistë të shumtë të idealit kombëtar, të cilët me praninë e tyre e bënë mbrëmjen një gur të rëndë kujtese.

Ky aktivitet u organizua nga Instituti i Kujtesës Kombëtare Shqiptare në Stuttgart, nën udhëheqjen dhe angazhimin e palodhur të ish-Konsullit Imer Lladrovci, i cili prej vitesh është një nga zërat më të zellshëm të ruajtjes së historisë sonë kombëtare.
Në këtë tubim u përmend me nderim të veçantë figura e Mujë Krasniqit – Komandant Kapuçit, i cili i frymëzoi një brez të tërë luftëtarësh me disiplinën, karakterin dhe vendosmërinë e tij të hekurt. Ai mbetet simbol i UÇK-së, i kurajës së pashterrshme dhe i dashurisë së pakushtëzuar për lirinë.
Mes dëshmorëve të rënë në këtë betejë u përmend edhe emri i bashkëfshatarit dhe komshiut tim, Mevlan Tefik Hoxha – një djalë i ndershëm, i qetë në shpirt, por i pamposhtur në besimin për liri. I rritur me virtytin e përgjegjësisë ndaj atdheut, Mevlani iu bashkua radhëve të para të UÇK-së me devotshmëri të pastër, duke u bërë shembull i një brezi që lirinë e kërkoi me zemër e me gjak. Rënia e tij në ditën e betejës së Pashtrikut është një plagë që dhemb në kujtesë, por njëkohësisht një krenari e pashlyeshme për familjen, fshatin, shokët dhe gjithë kombin. Ai jeton sot si dritë e pashuar e pavdeksisë e sakrificës shqiptare.

Në qendër të mbrëmjes qëndroi prezantimi i librave të Gjeneralit Kudusi Lama – vepra që nuk janë vetëm shkrime, por dëshmi të pashlyeshme të përvojës së luftërave, të dilemave të komandantëve dhe të sakrificës së ushtarëve që u përballën me vdekjen për t’i dhënë jetës kuptim. Faqet e këtyre librave mbajnë aromën e barutit, dhimbjen e humbjeve, krenarinë e betejave dhe dritën e fitores.
Mbrëmja u përmbyll me shfaqjen e një dokumentari përkujtimor “Shtegut të lirisë”, i cili riktheu në ekran dramat, heroizmat dhe momentet vendimtare të betejës së Pashtrikut. Imazhet e sakrificës, zërat e luftëtarëve dhe rrëfimet e gjalla prekën secilin të pranishëm, duke e kthyer sallën në një tempull të kujtesës.
Ishte një natë ku historia u ngrit në këmbë, ku trashëgimia e çlirimtarëve u nderua me respekt të thellë dhe ku çdo zemër shqiptare e ndjeu fuqishëm se, rruga drejt lirisë nuk u shpjegua kurrë me fjalë, por u shkrua me gjak. Dhe pikërisht për këtë, sot dhe gjithmonë, ne mbetemi krenarë, falënderues, mirënjohës dhe të përulur para sakrificës së këtyre burrave që i dhanë kombit tonë nder të përjetshëm.
Të paçim me jetë Gjeneral që na ruan të shkruar Epokën e Lavdishme të UÇK-së.







© Pashtriku.org