BUDA

BUDA

Nga Xhelal Zejneli

Në sanskrit (indishte e vjetër) Budë do të thotë i ndriçuar). Thuhet se ai ka qenë themelues i budizmit. Budizmi është religjion i përhapur në Azi (Indi, Kinë, Kore, Japoni etj.). Emrin e ka marrë nga kinse themeluesi i tij – legjendari Buda. Budizmi ka lindur në Indi në shekullin VI para K. Mëson për barazinë e njerëzve, për dashurinë ndaj të afërmit, për durimin dhe për të hequr dorë nga të gjitha kënaqësitë, për arsye se kënaqësitë janë të lidhura me vuajtjen. Qëllim më të lartë të jetës e konsideron nirvanën, domethënë shuarjen, asgjënë, zhdukjen, ngase rilindja(reinkarnimi) sjell vuajtje të reja.

*   *   *

Buda (Buddha, nofkë për Siddhart ose për Gautam, rreth 560 para K. deri në 480 para K.) ka qenë udhëheqës religjioz dhe filozof. Duke u dhënë pas të menduarit religjioz, ka hequr dorë nga pasuria dhe nga familja, i shkoi vendit nga skaji në skaj duke e rrëfyer mësimin e vet. Tezat themelore të mësimit burimor të Budës përmbajnë “katër të vërteta të çmueshme”: për dhimbjen, për origjinën e dhimbjes, për ndërprerjen e dhimbjes dhe për rrugën e tetëfishtë që çon në ndërprerjen e dhimbjes. Tezat e Budës janë ruajtur në formë bisede dhe dialogësh të quajtur sutta.

Sipas Budës, jeta është vuajtje, dhimbje: “Ja, kjo është e vërteta e çmueshme për vuajtjen: Lindja është e dhimbshme, mplakja është e dhimbshme, sëmundja është e dhimbshme, vdekja është e dhimbshme, bashkësia me atë që s’e do është e dhimbshme, ndarja nga personi që e do është e dhimbshme dhe dëshira që nuk plotësohet është e dhimbshme.”  Sipas Budës, njeriu është “trashëgues i veprave të veta”, kurse qëllimi i fundit i dijes është eliminimi i dhimbjes duke u çliruar prej prangave të ngjarjes.

Nirvana (ose nibbana, shuarja) është negacion i çdo vullneti për jetë, abstenim nga çdo kënaqësi për arsye se ato detyrimisht ndërlidhen me vuajtjet. Ajo (nirvana) arrihet me mundimin moral “të notimit kundër rrjedhës së lumit”. Por Buda nuk ka thënë se çdo trans medoemos duhet të jetë i mirë. Transi duhet të ketë qëllim të drejtë siç është çrrënjosja e dëshirës. Prandaj Buda i ka fisnikëruar edhe ushtrimet e jogës duke thënë se edhe këto fuqi të mbinatyrshme mund të përvetësohen vetëm duke praktikuar drejtësinë dhe mençurinë. Për këtë arsye ai ua kishte ndaluar nxënësve të vet që, për t’u shquar, të bëjnë çudira. Kështu sepse vetëm përvetësimi i fuqive të mbinatyrshme nuk jep kurrfarë epërsie shpirtërore.

Nirvana është gjendje e përsosmërisë më të lartë, është gjendje pa dëshira, kurse Buda e karakterizon si “as qenie, as mosqenie, as qenie-dhe-mosqenie, as jo-qenie-as-mosqenie”.

Filozofia pesimiste e tij ka pasur jehonë edhe në rrethin evropian të ideve, si për shembull te filozofi gjerman Artur Shopenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860) dhe te filozofi gjerman Paul Dojsen (Paul Deussen, 1845-1919) i cili ishte shok i Fridrih Niçes (1844-1900). Dojseni (Deussen) e quante Shopenhauerin philosophus christianissimus (filozofi më i krishterë).

Në planin social dhe etik, Buda predikonte barazinë midis njerëzve dhe çohet kundër kastave të vjetra brahmanike. Ai i refuzon edhe ritualet edhe asketizmin religjioz. Virtyt është të jesh i mëshirshëm dhe vetëmohues. Kushtet për virtyte nuk kanë të bëjnë me gjërat e jashtme.

“Midis një fisniku dhe një katundari nuk ka dallim të madh për arsye se që të dy janë të papërsosur. Rëndësi ka vetëm të jetuarit me nder”.

Buda nuk kërkon vetëm kryerjen e detyrës, por transformimin e tërë qenies. “Nuk janë të mëdhenj ata që shkëlqejnë si Solomoni në famën e vet, ata që janë të fortë me trup dhe mendjemëdhenjtë. Pa qenë modest, pa qenë mëshirues dhe pa dashuri, jeta në thelb nuk është veçse vdekje.”

Shpesh dhe kundër mësimit të tij, më vonë sekte të ndryshme budiste humbin në asketizëm, në misticizëm dhe në formalizmin e ritualeve religjioze. Në këtë mënyrë lihet mënjanë fryma filozofike dhe sociale e mësimit të tij dhe në plan të parë vihet besimi i verbët te “zoti Budë” që arrin kulmin te Divijavadani:

Filozofi indian Sarvepali Radakrishnan thotë: “Qielli do të bjerë me hënën dhe me yjet, toka mund të ngrihet me malet dhe me pyjet e veta, oqeanet do të thahen, por fjalët e Budës nuk mund të jenë gabim” .  

Shënim: Sarvepali Radakrishnan (Sarvepalli Radhakrishnan, 1888-1975) filozof dhe shtetar indian, profesor në fakultetet indiane në Çikago dhe në Oksford; kryetar i Republikës së Indisë në vitet 1962-68. Është autor i veprës “Filozofia indiane I”.Nga pozitat e filozofisë neohinduiste mbështeste universalizmin dhe liberalizmin, kurse në personalizmin specifik gjente elemente thelbësore për zgjidhjen e raportit midis individit dhe kolektivit, lirisë dhe domosdoshmërisë, racionales dhe irracionales. Sipas tij, “synim i njeriut duhet të jetë jeta shpirtërore integrale”. Sipas tij “Njerëz të ndryshëm e shohin shpirtëroren në mënyra të ndryshme, disa nëpërmjet krizave të jetës morale, disa të tjerë nëpërmjet dyshimeve intelektuale, kurse të tretët nga tendenca emocionale për t’u përsosur. Të vërteta janë vetëm të vërtetat e shpirtit ndaj jeta e njeriut duhet të fisnikërohet në dritën e tyre”. Sipas tij, humanizmi nuk mund të jetë monopol i botës perëndimore. Kur India dhe Kina i kanë zbatuar parimet humaniste, Evropa Perëndimore ndodhej në kohën e gurit

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura
Read More

GJEOPOLITIKË…

Berlin, qershor 2022 GJEOPOLITIKË… (Mbim dhunën e vizave) Nga Rexhep Kasumaj Kisha lexuar herët mbi gjeopolitikën e Polonisë…