Prishtinë, 21. 04. 2013 – Fjala e Glauk Konjufcës në seancën e jashtëzakonshme parlamentare, Raportimi i Kryeministrit për tekstin e Marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë) – Deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Sot ndodhemi përballë marrëveshjes më të dëmshme për sovranitetin dhe shtetësinë e Republikës sonë që prej përfundimit të luftës më 1999. Jemi dëshmitarë se që nga marsi i vitit 2011, kur filluan negociatat e padrejta me Serbinë, Qeveria e Hashim Thaçit i hyri një procesi të koncesioneve të pandalshme. Por këto kompromise të vazhdueshme u kurorëzuan me një marrëveshje të turpshme për Kosovën, e cila nëse do të kalojë apo jo varet plotësisht nga ndërgjegjja dhe përgjegjësia juaj.
Kur shkoi në negociata kryeministri na premtoi se do t’i shpërbënte strukturat e Serbisë në veri.
Po ai u kthye me një marrëveshje që i amniston dhe i legalizon vrasësit e Enver Zymberit, dhe dhjetëra shqiptarëve tjerë nga strukturat kriminale të Beogradit prej shkurtit të vitit 2000 e deri sot. Kur filluan negociatat, Kryeministri tha ‘do t’i kthej të pagjeturit’. Por na e solli një marrëveshje e cila na e humb edhe një pjesë të territorit. Kur filluan negociatat Hashim Thaçi tha se do ta përfshinte çështjen e luginës së Preshevës, dhe të drejtat e shqiptarëve atje.
Jo vetëm që nuk e bëri këtë gjë, por i tradhtoi edhe shqiptarët e veriut të Kosovës.
Kur shkoi në negociata kryeministri ynë na tha se Serbinë do ta detyronte t’i paguante edhe reparacionet e luftës. Por u kthye në Kosovë me një marrëveshje që strukturave të Serbisë t’jua paguajmë edhe rrogat. Ky është një kryeministër që me këtë marrëveshje e ka shitur shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Cili kryeministër shqiptar mund ta pranojë një marrëveshje që në një pjesë të Kosovës ta ndajë pushtetin me Serbinë? Cili politikan shqiptar do t’ia pranonte Daçiqit kërkesën që FSK-ja të mos guxojë të jetë prezente në një pjesë të territorit shtetëror?
Zonja dhe zotërinj,
këtë gjë mund ta bëjë vetëm një njeri dhe askush tjetër.Vetëm ai që për pushtet personal i bën të gjitha. Që nuk njeh kufij. Që nuk njeh interesa të popullit dhe nuk njeh gjak dëshmori. Që nuk e njeh vuajtjen dhe sakrificat aq të mëdha të shqiptarëve që ta kenë më në fund një shtet të tyre normal larg ndikimit të Serbisë. Këtë mund ta bëjë vetëm një person që është maja e korrupsionit në Kosovë.
Por unë nuk çuditem më së shumti me Kryeministrin tonë, sepse e di që, siç e thotë populli, ai i ka shitë drutë moti. Nuk çuditem as me deputet e komanduar të cilët e kanë dorëzuar integritetin e tyre në momentin që janë zgjedhur përmes manipulimit të votave nga strukturat parapolitike të PDK-së. Unë sot dëshiroj t’i jap vetes të drejtë ta shpreh indinjatën time të thellë lidhur më dy partitë të ashtuquajtura opozitare, LDK-në dhe AAK-në të cilat dje e pranuan këtë marrëveshje skandaloze. Prandaj nuk po e kursej veten aspak nga të qenit i ashpër në kritikën time.
Prej ditës së djeshme këto dy parti le të mos e quajnë më veten opozitare. Ky është dorëzim i ligë para Hashim Thaçit, i cili po ju mban nën sqetull sa herë po ia do qejfi. Dje dëgjuam Vjosa Osmanin e cila ishte skeptike për marrëveshjen, kurse një ditë pas partia e saj e pranon marrëveshjen. Dje, Ahmet Isufi del e thotë se kjo marrëveshje do të na i ndryshojë ligjet, kurse partia e tij është e gatshme edhe për këtë çmim. Pra, që Daçiqi të na i ndërrojë ligjet e Republikës sonë. Kjo është e pahijshme. Si mund ta bëni vallë një gjë të tillë së paku përpara atyre që iu kanë votuar për ta sfiduar Qeverinë.
Qytetarët sot e presin bashkimin e opozitës që ta shpëtojë interesin qytetar dhe shtetëror të Kosovës nga pangopësia dhe mbrapshtia e kësaj Qeverie aktuale, e jo që t’i bëhemi krah asaj kur po e shet Kosovën. Edhe sa gabime, që po ju kushtojnë qytetarëve të Kosovës, duhet t’i bëjë kjo Qeveri që ju të bindeni se tash është çasti që ajo të ikë? A ka moment për juve që të thoni se bashkimi për ndryshim është më urgjent sesa pazaret me këtë kryeministër?
Unë po ju bëj edhe një herë thirrje deputetëve të këtij Kuvendi, por sidomos atyre që i thonë vetes opozitarë, që të mos e pranojnë një marrëveshje që i vendos themelet e autonomisë për veriun. Nëpërmjet këtyre vendimeve, mund të bëheni pjesë e legalizimit të ndarjes së Kosovës.
Kosova duhet të jetë një, dhe jo e ndarë në dy asociacione etnike. Në policinë dhe strukturat e Kosovës nuk kanë vend strukturat kriminale të Beogradit. Gjyqësia e Republikës së Kosovës është një: ne duhet të jemi kundër ndarjes së gjykatave dhe gjyqtarëve në baza etnike. Do të shpresoj në zgjimin e ndërgjegjes tuaj deri në momentin e fundit.