BESIM R CENGU: VETVRASJA E BENERXHIUT TË KALKUTËS(SINOPS)

Tiranë, 09. 05. 2013 – Një poezi të mrekullueshme poeti i madh turk Nazim Hikmet i ka kushtuar Benerxhiut të Kalkutës. Benerxhiu qe në krye të protestave të popullit indian kundër pushtuesve anglez në mesin e shekullit të XX.
***
Kur ai u bë realisht i rrezikshëm si frymësues i popullit të vet, anglezët e futën në burg. Turmat e irrituar pothuajse u tërbuan.
Kërkonin lirimin e prijësit të tyre. Por kolonizatorët anglezë nuk u tundosën nga këto protesta.
Oshëtiu e gjithë India asokohe nga thirrjet e brohoritjet për lirimin e Benerxhiut.
Prapë anglezët nuk u tundën.

***
Kalun ditë, javë e muaj.
***
Turma filloi të zbehë entuziazmin. Numri i pjesëmarrësve filloi të bjerë. Thirrjet filluan të jenë apatike, pa frymë, pa entuziazëm, pa ngjyrë… Shumë prej protestueve u kthyen në shtëpitë e tyre të demoralizuar. Benerxhiu ishte në burg, por mendjen e kishte te turma.
– Ajo e ka mendjen tek unë, – thoshte me vete dhe ky mendim i jepte forcë dhe energji. E kishte fjalën për popullin.
Kështu disa vjet… Thurte ëndrra, përpilonte në mendjen e tij fjalime eksituese, zgjidhte fjalë të bukura dhe elokuente për të mbajtur frymën e turmës gjallë.
Por turmës dalëngadalë, ditë pas ditë, muaj pas muaji e vit pas viti i dolën probleme të reja… kishte shqetësime të tjera, halle e derte të tjera të paparashikuara… Koha para saj kishte shtruar të tjera aspirata.
***
Shumë ujë politik kishte kaluar poshtë urës…Të gjitha këto kishin nxjerrë në skenë të tjerë njerëz, të tjerë politikanë e prijës që i përshtateshin karakterit e tempit të kohës. Rrjedhimisht Benerxhiu kishte mbetur në breg të Lumit të Rrëmbyeshëm politik. Psikologjia e turmës kishte ndryshuar në përputhje me problemet e kohës, psikologjinë e saj, evolimin e natyrshëm të psikologjisë së shoqërisë indiane.
Benerxhiu në burg ëndërronte dhe ëndërronte…
– Turma po më pret mua, – thoshte, po më pret ta drejtoj për të realizuar qëllimet dhe aspiratat…
***
Më në fund erdhi koha e shumëpritur e daljes prej burgut…
Gjithë natën s’e zuri gjumi nga përplasja e mijëra planeve që thurte truri i tij për ditën e parë në liri. Shihte në gjendje jermije mizëri njerëzish, thirrje paterike, britma deri në histeri, flamuj që valëviten në të gjithë Indinë për daljen e tij.
– Në gjendjen time do të jenë edhe të gjithë indianët, – mendonte. Nuk ka gjumë në Indi. Sytë e indianëve do të jenë te dera nga do të dal unë, – thoshte me vete. Nga unë, Benerxhiu i Kalkutës që kam pushtuar zemrat e mendjet e tyre magjikisht.
***
Erdhi dita.
Dera e burgut u hap me vërtik.
Benerxhiu më në fund doli jashtë mureve të errta ku kishte qëndruar për shumë vjet.
U shashtis.
Askush nuk ishte jashtë.
Madje si për ironi as era nuk fryente për të lëvizur ndonjë gjethe të rënë…
Ndjeu gropë si hon i zi në zemër.
Një zë i ndrojtur si i buruar nga fundi i dheut sikur e frikësoi. Vuri re mikun e tij të vjetër, bashkëluftëtarin me të cilin kishte luftuar heroikisht.
– Benerxhi, dole?
– Ku është turma, ku është populli indian, populli im i dashur ku është, – pyeti i trumhasur.
– Në punën e vet, Benerxhi, në hallet e tij të përditshme.
– Po pse nuk është këtu për të më pritur?!
– Atyre u kanë dalë të tjerë për t’i udhëhequr. Ti tashmë nuk je, Benerxhi. Ke qenë udhëheqës e prirës i asaj kohe. Tani janë të tjerë…
Benerxhiu u zbeh.
Iu duk sikur kishte dalë nga varri dhe po ecte ashtu si një meit.
***
Të dy heshtën. Ashtu në heshtjen e llahtarshme shoku i priu në një dhomë të cilin ia kishte zënë me qera.
Pushoi pak. U ngrit duke ecur kuturu nëpër dhomë.
Nxorri kokën në dritare. Flladi i pasdites sikur e bëri pak mirë. Mori forcë dhe iu drejtua bashkëluftëtarit:
– Ke armën me vete?
– E kam, – tha miku i tij.
– Ma jep pak, – i tha dhe shtoi: – më paska marrë malli ta prek me dorë. Shoku ia dha.
– Të shkoj të blej diçka për të ngrënë, – e pyeti shoku.
– Mirë do të ishte, – ia ktheu Benerxhiu.
Shoku doli shpejt.
Sapo zbriti dy-tri shkallë u dëgjua një krismë.
Pa frymë shoku i luftës ktheu mbrapsht dhe hapi derën me vërtik.
Benerxhiu kishte vrarë veten…

===============================
LEXONI POEZINË E NAZIM HIKMET, KUSHTUAR BENERXHIUT TË KALKUTËS:

VETVRASJA E BENERXHIUT TË KALKUTËS
BENERCİ KENDİNİ NİÇİN ÖLDÜRDÜ?


– LEXONI KETU – 
http://www.siir.gen.tr/siir/n/nazim_hikmet/benerci_kendini_nicin_oldurdu.htm

…………………………………………………….

KOPERTINA E LIBRIT…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura