BESIM R.CENGU: ‘KURPALËT’ E AGIM SPAHIUT, MONOGRAFI ME VLERË HISTORIKE DHE LETRARE

(Tiranë, 11. 01. 2013) – “E gjithë lavdia dhe historia e botës do të ishte futur në varrin e harresës, sikur njerëzit të mos kishin shpikur ilaçin që e ka emrin libër”, – ka thënë një njeri i shquar. Monografia e poetit Agim Spahiu është nga ky lloj ilaçi që nuk e lë një prej evenimenteve më pikante të historisë së trevave tona të futet në varrin e historisë.
Dalja në dritë e monografisë “Kurpalët” ka dy të veçanta esenciale:
Së pari, vlerësohet një faqe e ndritur e historisë tonë.
Vë në vendin e vet kontrubutin e fisit të famshëm të Kurpalëve të krahinës së lavdishme të Hasit.
Lartëson kullën e tyre legjendë, simbolin e qëndresës dhe fortesë shekullore e papushtueshme tradicionale nga pushtuesi.

Poeti Agim Spahiu

Së dyti, kemi rastin fatlum të përkujtojmë mikun tonë të paharruar, Agim Spahiun, krijuesin e talentuar e vizionar. Ndër më të mirët e brezit të vet e përtej tyre. Të themi disa fjalë miradije për këtë krijues, artist të shquar e mbi të gjitha njeri meritor, i cili me veprën e vet, edhe në të ardhmen, do të hedhë dritën larg në të gjithë botën shqiptare.
E sigurisht, kjo dritë do të rrezatojë shumë gjatë në vetëdijen tonë historike dhe letrare.
Me monografinë e tij “Kurpalët”, ndër të vetmet vepra në prozë të autorit (ka shkruar edhe dy drama “Të gjithë arbër” dhe “Karafilët” (1984), del e qartë si drita e diellit ideja, se vlerësimi i historisë tonë është një domosdoshmëri.
Nxjerrja në dritë e të vërtetës është një virtyt njerëzor e intelektual.
Dhe, mbi të gjitha, një obligim shkencor e patriotik i historianëve.
E pse jo dhe artistëve të mirëfilltë.
Si në rastin e poetit Agim Spahiu.
Kulla e Kurpalëve, si kështjellë e pamposhtur e si “pikë vrojtimi”, kishte destinacionin që jo vetëm të ishte shtëpi “robësh”, ku lindin, rriten dhe edukohen breza e breza me atdhedashurinë e patriotizmin.
Ajo është shkollë e traditës ku mëkohen me civilizimin e një populli të lashtë njeriu i saj që lind e gjallon.
Përpiqet t’i japë kuptim jetës së tij.
Lufton të mbrujë dinjitetin e trashëguar. Ta pasurojë e ta çojë më tej atë.
Prandaj kjo kullë është burim i pashtershëm lufëtarësh, para së gjithash.
Se mbi të gjitha është ekzistenca.
Eksistenca deri në tragjedi.
Deri në trishtim.
Deri në dhimje.
Kurti, Nika, Dervishi, Syla, Sejdia, Zymer Fazlia e Hazir Syla, Avdia, Bajram Sylë Kurpali, e i gjithë brezi që vjen më vonë.
Të gjithë luftëtarë deri në përmasa homerike.
Familjarë e burra si te eposi i kreshnikëve.
Mentar të urtë e të durueshëm.

Hazir Kurpali

Poeti Agim Spahiu, tash në rolin e një monografi, e ka patur shumë të vështirë të përshkruajë këtë histori të Kurpalëve. Eposi i tyre dhe i kullës simbol, i qëndresës dhe i vendosmërisë të njohur të malësorëve të këtyre anëve, përbën një specifikë historike.
Autori poet, në një rol të ri artistik, nuk ka patur problem vetëm ndërtimin e konstruktimin e librit.
Por edhe kronologjizimin e ngjarjeve dhe portretizimin e një sërë luftëtarësh, që buronin nga ky trung i pashtershëm.
Secili nga këta patriotë, përbën profil më vete.
Jetë më vete.
Legjendë më vete.
Histori më vete…
Dervishi, Sejdiu, Syla, Zymeri, Haziri, Avdia, sidomos Bajrami, janë portrete historikë e konkretë kryemëvete. Kanë tiparet e tyre të veçanta. Veprimtaritë e tyre jo të njëllojta. Anipse kishin vetëm një qëllim të përbashkët; shporrjen e hasmit e ruajtjen e dinjitetit shqiptar.
Secili prej tyre ka rëndësinë e vet.
Vendin e vet.
Kohën e rrethanat e veta.
Specifikën kur veproi e luftoi secili prej tyre.
Autori, duke qenë poet i talentuar, edhe monografinë për këtë fis me tradita të thella atdhetare, e ka shkruar në formën e një proze poetike.
Të këndshme.
Të rrjedhshme në të lexuar.
Mbresëlënëse…
Kjo mënyrë çasjeje, i ka dhënë autorit lëndë të pafund për të paraqitur të plota figurat sipas një kronologjie të saktë historike në kontekstin e kohës. Por edhe plota në planin artistik.
Kulla të kujton kështjellat e njohura shqiptare, simbole të qëndresës dhe ruajtjes së identitetit.
Shumë interesant është vendi ku është zgjedhur të ndërtohet kulla e Kurpalëve.
Si në legjendat shqiptare.
Kujtoni përshkrimin e rrethanave në monografi dhe komandantin austro-hungarez, kur rreth vitit 1916, do t’u japë këshillën banorëve të kësaj kulle: “Hiqeni këtë shtëpi e shtyjeni më tutje, në thellësi, se këtu vetëm telashe keni. Ju djeg dhe ju përcëllon llava e luftës”. E Dervishi i përgjigjet: “Ne kemi mbirë nga toka bashkë me gurët, lisat e shkëmbejtë, bash në këtë vend, e për me luejt shtëpinë, duhet me luejtë krejt toka. Djemtë e mi, Kurpalët, ti, i pret, por ata kanë rrënjët aty, nën piramidë, e dalin si lulet në behar”.
Kullën më shumë e ndërtuan gratë e fëmijët nën drejtimin e Sejdisë.
Sepse burrat ishin pikaderdhë në në ballin e kryengritjeve të asaj kohe.
Dikush prej tyre luftonte në Plavë e Guci.
Disa kurpalë të tjerë luftonin në Shtimje.
E një pjesë tjetër e tyre në Hot e Grudë.
Kësisoj kjo kullë, nuk ngjasonte me një shtëpi banimi. Më shumë qe një institucion që lindte e skaliste lufëtarë. E pastaj nëpërmjet tyre përhapte pareshtur nëpër historinë tonë të vështirë patriotizëm dhe atdhedashuri.
Muzeu i gjallë dhe dëshmia e përpjekjeve të kësaj kulle ishte trupi i stolisur i Bajram Sylës. I stolisur me tetëmbëdhjetë plagë në trup(!).
Që prej vitit 1906, e deri në periudhën e revolucionit të vitit 1924, ai kishte marrë nga një plagë në vit.
Kulla e Kurpalëve, nga ana tjetër, ruajti rolin e lidhjes dhe veprimit të përbashkët të gjithë patriotëve të asaj kohe që luftonin për vetësi e sovranitet.

Kulla e Kurpalëve

Në këtë kullë, hynin e dilnin si në shtëpinë e vet Sulejman Vokshi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Molla Haxhi Zeka, Azem Galica e plot patriotë të tjerë. 
Këtu, në këtë çerdhe patriotësh, përpunoheshin planet e detajuara.
E menjëherë të nesërmen e fillonte zbatimi konkret i tyre.
Trimave e burrave ç’ka s’u ndodh.
Nuk thonë kot se rrufeja qet në lisin e gjatë.
Kështu koka e cilitdo prej Kurpalëve blihej me flori. Aq shumë flori sa nuk ia priste mendja kurrkujt.
Hasmi, cilido që të jetë ai, vuri shuma të mëdha për t’i eleminuar pjellën e Kurpalëve.
Pa marrë para sysh se cilin.
Vetëm të jetë pjellë e tyre.
Cilido.
Edhe nipat, stërnipat, kastranipat… Vetëm të mos ekzistojë fara e tyre.
Vini re me kujdes në çdo rrjesht të librit, se si përshkruhet historia e Zymer Fazlisë të plagosur. Pritet në besë prej probatinit të vet, Abdulla Sahiti. Ishte afërmendsh që pushtuesi do të paguante tradhëtarët (të cilët ne shqiptarëve, përdreq, nuk na kanë munguar asnjëherë).
Është rast i veçantë në krejt ngjarjet dramatike shqiptare historia e kullës së Kurpalëve.
Rrallë herë nëpër udhët e vështira të historisë tonë, një kullë të ketë nxjerrë kaq shumë luftëtarë.
Vetëm Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i dha gjashtë luftëtarë: Sylën, Muslinë, Isufin, Hysenin, Ahmetin e Hajdarin.
Vetëm një artist-poet si Agim Spahiu, mund të përshkruajë kaq emocionalisht epikën e qëndresës së trimave të Kurpalëve kur ishin të rrethuar.
Për të shuar etjen, therën pëllumbat, e me gjakun e këtyre shpendëve që janë simbol i paqes, shuan zhuritjen e tyre (!).
Ç’farë akti!
Ç’t’i bësh!
Ky është realiteti ynë.
Tragjik deri në ekstrem.
Përpjekje për mbijetesë deri në sublimitet…
Në monografinë “Kurpalët” janë burra të besës deri në fatalitet. Trima e patriotë, që respektojnë deri në ekstrem traditën e tyre.
Të qenit shqiptar e konsiderojnë privilegj dhe krenari deri në ekstazë.
Se kështu ishin edukuar që në pikën e parë të “tamblit” të gjirit të nënës.
Të nënës kreshnike.
Të nënës luftëtare.
Të nënës edukatore.
Historia e Hysenit, njërit prej kurpalëve, kur u arrestua në vitin 1909 dhe kërkoi leje me të drejtë kthimi, është një ngjarje që të kujton aktin e madh të Ago Ymerit që mban besën.
Jo vetëm kaq.
Kurpalët edhe si aktivitet patriotik e pjesëmarrje aktive në historinë e ashpër shqiptare, edhe si paraqitje fizike, përfaqësojnë malësorin tipik. Kreshnikun e ditëve tona të këtyre trevave.
Trim.
I prerë.
Fjalëpak.
Bujar.

Kulla e Rexhë Bajraktarit në fshatin Letaj

Kemi parasysh dialogun preciz e kuptimplotë në mes valiut Halil Beu dhe Hazir Sylës:
– Nga je, – pyeti valiu.
– Në Letaj brita për herë të parë, por djep i të parëve të mi është Merturi.
– Çfarë shkolle ke?
– Shkollën e pushkës, – i përgjigjet Haziri.
Edhe Bajram Syla, këndon para vendimit me varje pa njohur tutën.
Kështu shkoi jeta e tij.
Pa e ditur se ç’ish tuta.
Nuk e njohu deri në vdekje.
Dhe kur të gjithë prisnin varjen e tij, ai kishte mundur të arratisej. Se kishte ende shumë për të bërë për vendin e vet.
Shkurt, Bajram Sylë Kurpali qe shqipe mali.
Agim Spahiu, ka shfytëzuar dokumente e fakte historike.
Ka gjurmuar shumë edhe tek bashkëkohësit.
Këto burime për ndriçimin e jetës e aktivitetit të tyre e kanë armatosur atë me plot fakte reale që sigurisht e plotësojnë edhe më shumë monografinë.
Është nga të parat monografi artistike.
Libri monografik “Kurpalët”, është një vlerë e madhe e historisë tonë.
Por edhe e artistike.
Jo vetëm e Hasit, Kukësit e Kosovës.
Por e gjithë Shqipërisë.
Ndërsa Agim Spahiu, me këtë vepër, ka treguar se është jo vetëm poet i madh.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura