Kumanovë, 13. 05. 2013 – Meqenëse ditëve të fundit në vendlindjen time kishim disa akademi përkujtimore, kam shprehur rastin që dëshmorëve të lirisë e të kombit shqiptar t’ia përkushtoj një shkrim, si shenjë nderi për familjet dhe të bëmat e tyre. Në kuadër të këtij shkrimi, do të përfshij dëshmorët e kombit shqiptarë nga Kumanova që ranë për lirinë e atdheut dhe trojeve autoktone shqiptare. Lufta e vitit 2001 në Republikën Maqedonisë i solli në dëm të madh shqiptarët e kësaj ane, më konkretisht shqiptarët e Komunës së Likovës ngase në vend të këngëve të bilbilave, dëgjonim vetëm armë, minahedhëse, barot e gjithçka tjetër që Sllupçanin e pamposhtur, Orizaren, Mateçin, Hotlën e Vaksincën i bëri përplot pluhur e tym
Megjithëkëtë, në këto treva gjithë shekullore shqiptare asnjëherë nuk iu kthye pushka vëllait, por iu drejtua armikut dhe falë djemve tanë dhe bijave të kombit shqiptar arritëm që sot të kemi krenarinë e Kumanovës dhe të krenohemi se çka bëmë për shqiptarinë, normalisht me ndihmën e vëllezërve tanë nga Kosova, Shqipëria, mbase edhe nga qytetet tjera shqiptare që janë në kuadër të Republikës së Maqedonisë.
Falë kontributit të Komandat Ismet Jasharit – Kumanovës, kemi dhe mbërthehemi prej një respekti të lartë nga vëllezërit tanë shqiptarë nga Kosova, ngase Ismet Jashari ishte dhe do mbetet figura më e pashlyeshme dhe e pastër shqiptare duke kontribuar me gjymtyrë e me jetë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dashuria e tij për atdheun ishte një dashuri shumë e madhe, se të lësh kurbetin me gjitha kushtet më të mira që mund t’i ketë një njeri, mbi të gjitha ta lësh familjen anash dhe të kthehesh në qendër çështjen e Kosovës vërtetë është shumë e vështirë. Mjafton vetëm një analizë e shkurtër që të bëjë lexuesi apo të paramendojë sikur ai të ishte në vendin e tij, se si është të lësh anësh familjen dhe t’iu kundërpërgjigjesh një forcës së madhe ushtarako-policore serbe.
Njashtu vepruan dhe të gjithë veprimtarët e shquar shqiptarë të të gjithë trevave shqiptare, por në kuadër të kësaj teme unë do të shpalos të gjithë veprimtarët të cilët u njësuan për t’iu përballur armikut sa më fortë që mundej, por kërkoj dhe ndjesë nga lexuesit që ndoshta të gjithë kontribuuesit e çështjes kombëtare nuk do të mund t’i përmendi.
Dëshmorët dhe martirët kurrë nuk duhen të harrohen, ato janë sakrifica e një kombi që nesër ia sjell brezit të ri djepin e lirisë. Nuk mund të harrojmë sakrificën dhe mundin e Abdyl Mexhid Shahinit i cili si një i ri apo fëmijë në moshën 13 vjeçare u armatos dhe u rreshtua kundër armikut me pushkë në dorë. Athua vallë pse e bëri këtë? Pse fëmijët e tjerë nuk bënë? Jo, ndoshta dhe të tjerët e bënë po Zoti deshi që kështu të jetë, që ky trim në lulen e rinisë të jep shpirt duke e mbrojtur vatanin. Abdyl Mexhid Shahini nga dashuria që kishte si fëmijë për futboll, ndërroi jetë me dresë të K.F. Bashkimit, që sot ne duhet të mburremi me të dhe duhet të jemi krenarë. Nuk mohohet dhe veprimtaria e Agim Rufatit që lindi më 01.08.1961 në fshatin Sllupçan – i cili ishte një ndër të parët në përgatitjet e “Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare” dhe me atë zemër të madhe që kishte ra si dëshmorë në këtë luftë. Po ashtu, s’mundemi të mohojmë dhe të anashkalojmë veprimtarinë e Agim Zenunit nga Kumanova, e të Arif Ibrahimit nga fshati Llopat që ranë dëshmorë në fshatin Sllupçan.
Bashkëfshatar tjetër i Arif Ibrahimit ishte edhe Arsim Bajrami, i cili iu bashkua emblemës së UÇK-së dhe la pas tij dy fëmijë jetim Blerinën që kishte vetëm 1 vjet dhe Arsimen që kishte vetëm 1 muaj.
Roli dhe veprimtaria e të ndjerit Beqir Sadikut nuk duhet të harrohet, ai si një njeri kombëtar dëshmoi dhe luftoi për shqiptarinë që kishte në zemër. Gjatë luftës së Kosovës nga rrëfimet që kam arritur ti marr, Beqir Sadiku së bashku me dy shokë të tij të tjerë niset për në Kosovë për t’iu bashkangjitur forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që t’i kundërvihet forcave shoviniste e sllave serbe. Por, për fat të keq në vendkalimin Stançiq zihet nga policia serbe dhe rrihet e malltretohet. Megjithatë, nga mosha e re që kishte fatmirësisht lirohet dhe kthehet ne Sllupçan. Me kthimin e tij në Sllupçan pas ca kohe ishte dhe pjesëmarrës në luftën e UÇPMB-së që aty do të marrë dhe nofkën si Sllupçani. Me rritjen e numrit të ushtarëve të brigadës 113 “Ibrahim Fejzullahu”- në Shushajë të Epërme, zona operative e Preshevës ai do të jetë i angazhuar si eprorë ushtarak. Njashtu me fillimin e luftës së vitit 2001 në Maqedoni më gjegjësisht në vendlindjen e tij në Sllupçan do ti bashkohet UCK-së ku dha maksimumin për lirimin e trojeve gjithë shekullore shqiptare dhe më në fund ai në orën 10:00 më 22 qershor të vitit 2001, në spitalin e improvizuar ushtarak të Likovës do të jep dhe frymën e fundit.
Një kumanovar tjetër që ra si dëshmorë ishte dhe Faik Ibrahimi që iu bashkua forcave shqiptare që luftonin dhe më tej pas çlirimit të Kosovës.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare në përbërjen e saj kishte edhe burrëresha të cilat ranë heroikisht nga dora e armikut, ndër to ishte edhe Gjylsere Sahiti nga Kumanova që ra si heroinë e kombit shqiptarë.
Dëshmorët e tjerë që ranë për lirinë e atdheut ishin dhe: Harun Kasumi nga fshati Sllupçan, Hasip Emërllahu nga fshati Hotël, Haxhi Remzi Osmani nga Sllupçani, Iljasa Mehmeti nga fshati Mateç, Isa Ahmeti që ishte një veprimtar tjetër i shquar UÇK-s që është nga fshati Hotël, i ndjeri Jetullahu nga fshati Nikushtaku, Llokman Neziri nga fshati Hotël, Mevludin Mehmeti nga Mateçi, Mexhid Hamidi nga Runica-fshat në malsinë e Karadakut të Kumanovës, Nezir Demiri, Ramiz Demiri, Sali Latifi nga fshati Hotël, Zaim Zeqiri nga fshati Vaksincë dhe Shenasi Ibrahimi.
Shenasi Ibrahimi punonte si autoelektricist që kishte punëtorinë e tij. Gjatë vitit 1998 Shenasiut bastiset në shtëpi me pretekst gjoja për armëmbajtje pa leje. Shenasi Ibrahimi tregoi heroizëm të madh ushtarak në vijën e parë të frontit në hyrje të fshatit Sllupçan. Në ditën e rënies së tij si dëshmorë, u zhvillua një sulm i ashpër ushtarako-policore maqedonase nga pjesa tjetër e hyrjes së fshatit apo siç vendasit e quajnë Bregu i Bardhë, ku në këtë betejë Shenasiu ra heroikisht më 08.06.2001 në orën 14:15min.
Prandaj, të rijnë e të reja, gra, fëmijë e pleq, shkencëtarë e politikanë-dëshmorët nuk duhen të harrohen, por për ta duhet të punohet vazhdimisht që mundin e tyre dhe djersën e tyre që bënë për ne, nuk duhet t’iu hedhim poshtë.
Kumanova së bashku me Likovën ka me çka krenohet, përpos tani me disa bijë tanë, të cilët këto rajone i trajtësuan në vende muze ku mjaftuaka dy tri vargje fare pa shihje dhe udha e mbar i qoftë për në zona të tjera, ku flitet për ekonomi, punësim, sport e të ngjashme. Vërtetë, pasi unë e shkrova artikullin dhe rastësisht bisedova me një mik timin duke ia treguar titullin “Kumanova një kala e pamposhtur shqiptare” ai më tha shtoja edhe këtë, “dhe e mposhtur prej shqiptarëve”! Kjo është e vërtetë, sepse e vërteta jonë e hidhur këtë gjë me besnikëri të plotë është duke e rrëfyer. Sidoqoftë, le ta pleksin politikanët tanë e shoqëria jonë djersën dhe gjakun e pjesëmarrësve dhe të rënëve me jetësimin e asaj për të cilën luftuan dhe tek pastaj fusha e futbollit do të mund të shihet me të gjitha pjesët përbërëse të saja!
Për atë ekziston dhe historia dhe puna e një historiani të mirëfilltë është që të shkruaj, të shkruaj dhe vetëm të shkruaj realitetin se çka u bë në Kumanovë, Shkup e Tetovë, si ndodhi ngjarja në Gostivar, Dibër, Strugë e Kërçovë.
Me gjithë krenari duhet të mburremi jo vetëm për dëshmorët e kësaj ane por dhe të gjithë trevave shqiptare kudo që ranë heroikisht për liri e për pavarësi.
Prandaj, me këtë poezi të mrekullueshme këtë shkrim do e përmbyll që lexuesi qoftë i arsimuar apo i paarsimuar të kuptojë se për kombin e vet dhe truallin e vet duhet të punohet, që familjet e dëshmorëve kurrë mos të zemërohen.
Mos më prek në tokë e në vdekjen time
Mos më prek në palcë e në mjaltë…
Kur isha un në vijë të frontit, ti s’ishe as thërrime
S’ishe, as vezë, s’ishe as baltë
Unë që dikur isha në vijë të frontit
E shkau më pinte gjakun me pambuk
– Ti, pandershëm u ngjite majë fronit
Dhe fëmijët e mi sot heqin pa bukë!
Unë s’e shijoj dot aromën e lirisë
Ti po më vret, siç më vrau shkau
Për mua është e ftohtë Ditë e lirisë
Kur sot e keqja po më vjen nga “vëllai”!