GJOKË DABAJ: KURSI ILEGAL I PROFESOR ADNANIT (POEMË)

Pashtriku.org, 22. 05. 2013 –
1.
Profesor Adnani është njëri prej më të njohurvet inxhinierë elektrikë të Shqipërisë. Nuk ka projekt termocentrali, nga ata që shkurt u thuhet TEC, ku ai të mos jetë nënshkruar. Nga ata që shkurt u thuhet TEC! Nuk ka projekt hidrocentrali, nuk ka projekt, ku ai të mos e ketë vënë dukshëm pjesën e vet të diturisë. E gjithë kjo, kur i kujtohet, i duket aq e largët, sa nuk do të kundërshtonte fare, nëse dikush papritur do t’i thoshte: Profesor! Ti je 200 vjeç!

2.
Në dhomën e tij të gjumit, në një bar-bufe-bibliotekë, nga ato të “Misto Mames”, si dhe në të gjitha hapësirat bosh të dhomavet, rrinë të stivosur disa kuintalë nga projektet që ai i ka punuar me përkushtimin më sublim e me dashurinë më të madhe, qysh në vitet plot ëndrra të studimevet, dhe gjithë jetën, pa pushuar asnjëherë. Shumica janë në atë farë biblioteke, por ka edhe mbi komo, edhe në komo brenda, edhe në raftin e rrobavet.
3.
Ka pirë ujë me grushta në gjithë burimet e Shqipërisë. Që nga Devolli e Vjosa, Shkumbini, 2 Drinat e Mati, deri te më të çuditshmit, ku zënë fill kokë më kokë Vardari e Morava, dhe ka bërë projektet e hidroshfrytëzimit gurrë më gurrë e përrua më përrua. Vetëm hidrocentralesh të vegjël i ka 236 projekte, skicë për skicë e vizë për vizë, të gjithë për t’u zbatuar, krejt gati!
4.
Pastaj, ka studiuar, ndonëse nuk ka mundur të shkojë në Hollandë, të gjitha strukturat, madje edhe ato mekaniket, të elektrocentralevet me erë. Ka shkuar në Qafëbull dhe në Plan të Bardhë. Është endur nëpër Milot e Laç, me një xhakaventë lëkure, e veshët mbuluar nën ndonjë kokore, nga ato që mbanin ushtarakët, ata që u pëlqente shumë vetja, kur jepnin komandë.
5.
Po ky s’kish prirje për të komanduar. Ky digjej veç nga 1 dëshirë: Ta shihte Shqipërinë të mbuluar me dritë. Bëri studime edhe për shfrytëzimin e Diellit. Shkoi edhe në Kosovë më se 1 herë dhe mbajti ligjërata në Universitetin e Prishtinës mbi mundësinë e mrekullueshme për t’u ndriçuar të gjithë qytetet tanë edhe me lignit.
6.
Por tash, kur u detyrua të mblidhet në shtëpi, e pa veten, jo si në pension, por si të zhytur në një pellg uji të ndotur. Ish pellgu i pakënaqësisë së familjarëvet, kryesuar nga e shoqja, që e kish emrin Vasilikë. 2 djem të rritur, rrotull 40 vjeç, por që nuk shkonin fare në punë. Ata patën vendosur (Adnani s’e dinte arsyen), që, o do të merrnin një rrogë mbi 1 milion lekë të vjetër, o s’kishin për të zënë punë me dorë. Ky ish vendim i tyre i prerë, i palëkundshëm, dhe pikë!
7.
Adnani e pa gjendjen të vështirë. Fillimisht u ngushtua shumë, aq sa gati e ndjeu veten si të frikësuar, se mos një ditë sëmurej edhe nga zemra. Me 2 pensione nuk mund të mbahej familja: 2 djemtë burra, gruaja dhe ai! Donin përditë lekë e nuk sillnin pothuaj asgjë në shtëpi. Djemtë kishin dalë nga 5-6 vjet edhe përjashta, dhe tash ishin kthyer që andej. E kishin prurë nga një veturë të bukur, por, për veturat duheshin paguar përvit taksat e siguracioni dhe donte, ditë për ditë, naftë, goma, vaj, filtra e bateri, makina. Por donin edhe vetë çunat përditë pare, sepse, me sa dukej, ata bashkëjetonin qytetit me ca femra.
8.
Kështu që, një ditë prej ditësh, Adnani e çeli një kurs privat për studentët e elektroteknikës dhe i mblodhi shumë shpejt 4 grupe studentësh. Punonte me ta në 4 njëqindminutësha. E kish shndërruar në klasë mësimi dhe në laborator dhomën e pritjes. Një gjysmë milioni lekë të vjetër në muaj iu sigurua ashtu familjes, po prapë nuk shihte ndonjë kënaqësi të madhe në sytë e Vasilikës.
9.
Për 10 dasma në vit që bënte farefisi, 1 milion lekë dhurata u duheshin. Ndërsa në shtëpi të tyre, siç dukej, shije dasme as që do të provohej. Rreth 30 qoka të tjera, nga 10 mijë. Dikujt i lindte foshnjë, dikujt i vdiste dikush. Kish ardhur një kohë, kur në asnjë vizitë duarbosh nuk shkohej. Kolltuqet u deshën ndërruar, po para se të bliheshin kolltuqe të rinj, ish e domosdoshme të shtrohej shtëpia me pllaka të mira, mundësisht spanjolle.
10.
Me njërën nga femrat pat bashkëjetuar 5 vjet djali i vogël, i dyti. Ata rronin gati si të martuar. U lindi edhe një fëmijë. Por, siç pritej, u fut sakaq grindja midis tyre. Nëna e fëmijës e hodhi në gjyq të jatin e fëmijës… Profesor Adnanit iu desh të paguante edhe një rrogë mujore për nipçen. Në vend të të birit, ndonëse s’e kishin thënë ashtu as Zoti, as gjyqi.
11.
Një mbrëmje, njëri nga frekuentuesit e kursit, më i keqi i krejt grupit, u çua e tha, lirshëm, pa turp, pa ndrojtje, pa fijen e frikës: “E di ti, profesor?! Unë i kam të qarta të gjitha këto që na ke shpjeguar. Të gjitha i di! Por mua më intereson një fushë tjetër e elektroteknikës.” “Pa hë?!” Ia bëri Adnani i çuditur. “Unë dua të mësoj SI VIDHET elektriku!” Adnani u step. U mendua ca çaste dhe tha: “Është kurs tjetër ai, more djalë.” “Sa bën?!” “60 mijë!” “Kur të vij?” “Mbas ores 21.”
12.
Të nesërmen, në orën 9 të darkës, i erdhën 4 dhe i vunë mbi tavolinë nga 60 mijë. “Po, kam bërë shaka, more çuna!” “Shaka, pa shaka, tani ne duam të na e bësh kursin!” Ish tamam sasia që duhej të paguante për të nipin… Por çudia më madhe ndodhi pak ditë më vonë. Në KURSIN E VJEDHJES SË DRITAVET u regjistruan, ilegalisht, mëse 40 kandidatë. Dhe Adnanit, papritur, iu dhjetëfishua puna.
13.
Mënyrën, se si vidhet korenti, kuptohet, Adnani e dinte më mirë se kushdo. Ndonëse pa e paguar kursin, në dhomën-klasë filloi të rrijë edhe vetë Vasilika. Në muajin tjetër, faturistja e pa sahatin, e mrekulluar: “Moj, zonja Vasilikë!” Thirri. “Pse s’ka lëvizur prej vendit kjo?!” Vasilika doli me një 10-mijëshe në dorë dhe tha: “Merri e mos u ndiej!” Faturistja, sa s’thirri edhe më shumë: “Ia paske bërë edhe ti marifetin?! Më rëntë pika!”
14.
Grupi i faturistëvet, gjoja pa ditur për njëri-tjetrin, u gjend ato net, në të hyrë të dimrit, bashkë me kursantët e tjerë, i gjithi në kursin e dritëvjeshësvet… Adnani u thoshte kursantëvet natë për natë: “Bijtë e mi! Ky është shkatërrimi i shtetit! Kjo që po bëj unë me ju, do të më çojë në burg një ditë!” “Hiç mos u merakos, o profesor! Shteti ynë as që e ka mendjen te ti e te unë!” E ngushëllonte ndonjëri kursantësh. Me një cinizëm, krejt të lakuriqtë dhe krejt të thatë!
15.
Por, kur i pa faturistët, ulur njëri këtu e njëri atje, e hapi fletoren, i pa emrat e tyre të regjistruar, dhe parapagimet të gjithë në rregull, atij vetëvetiu i doli pyetja: “Po ju, përse keni ardhur?! Apo doni të mësoni si kapen vjedhësit duke vjedhur?!” “Jo!” tha një grua, “Ne na duhet ky zanat më shumë se të gjithëvet, që t’i mësojmë popullit mënyrat … për ta dredhur.”
16.
2 djemtë, tani, pa bërë kurrfarë pune, arritën të blejnë secili apartamentin e vet. Ata u shpërngulën atje, me gratë e tyre bashkëjetuese. (Ky i dyti, pat gjetur diku një tjetër.) Adnani e vazhdonte kursin, nga ora 7 e mëngjesit deri në mesnatë. Kish 9 grupe kursantësh, me nga 20. Kuptohet, netët pa drita u shtuan në Shqipëri, por ai tashmë kish blerë një gjenerator dhe e kish dritën më se të mjaftueshme, për kurset.
17.
Një ditë prej ditësh, Vasilika kish marrë 2 punëtorë, dhe i vuri të çonin kuintalët e letravet poshtë, në kazanët e mbeturinavet. Ish vepra e jetës e profesor Adnanit! Kuintalët me letra! Kuintalët e kryevepravet!.. Ai ishte ulur te shkallët dhe po qante… Qau gjithë ditën… Erdhi ora e kursit. “Nuk jam fort mirë.” U tha. “Sot shkoni në shtëpi!” Pas 2 ditësh, u muar vesh që profesori kish vdekur. Kish shumë kohë që e kish numëruar veten mes të vdekurvet.
Durrës, 20 gusht 2007 Gjokë Dabaj

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura