GLAUK KONJUFCA: TË DEMASKOHET POLITIKA MAQEDONASE KUNDËR SHQIPTARËVE

(Prishtinë, 04. 05. 2012) – Ka një kohë të gjatë, tashmë disa vite, që shteti i Maqedonisë po e ndërton një strategji kundër autoktonësisë, demografisë, identitetit kombëtar, kulturës, zhvillimit ekonomik dhe të drejtave kolektive e individuale të shqiptarëve atje.Sot, 11 vite pas përfundimit të luftës në Maqedoni, është vështirë të thuhet se çka kanë shqiptarët më shumë që s’e kanë pasur para luftës. E vetmja gjë që kanë ndryshuar janë elitat politike në pushtet. Por gjendja ekonomike e popullit, të drejtat e tij, nuk është se janë përmirësuar ndjeshëm.
     Sa ishin në luftë, shqiptarët ishin në pikën e tyre më të fuqishme. Çdo vit që ka kaluar, populli shqiptar ndjehet më pak i fuqishëm, gjithnjë me më pak mundësi për të projektuar kushtëzime, dhe më shumë të drejta.

_______________________________

HESHTJA E BDI – PDSH-se!!!!

________________________________

     Akademia i quan shqiptarët ardhacakë. Qeveria e shlyen identitetin e shtëpisë së Gonxhe Bojaxhiut; ndërton kishë ortodokse në kalanë ilire të Shkupit; bën decentralizim të atij lloji që shqiptarët ta humbin kontrollin demografik të qyteteve, apo që, përmes krijimit të komunave të reja, qytetet si Gostivari ta humbin lidhjen fizike me Shqipërinë. Kurse Shkupi po getoizohet.
     Tash pushteti maqedonas, në njërën anë po i diskriminon shqiptarët në arsim, punësim, ekonomi dhe shpërndarje të buxhetit, orientim të investimeve etj., kurse në anën tjetër po i mbyll sytë përpara bandave kriminale të cilët rrahin shqiptarë dhe ushtrojnë veprime e thirrje fashiste kundër tyre.
     Para disa ditësh, atje u vranë pesë qytetarë maqedonas. Ky akt ndodhi pas vrasjes së dy shqiptarëve nga Gostivari nga ana e një polici maqedonas. Dikush po investon në Maqedoni për eskalim tensionesh. Kujt i konvenon kjo gjë? Në fillim, qëndrimi zyrtar i shtetit të Maqedonisë për vrasjen e pesë shtetasve maqedonë, ishte që të mos i kontribuohet tensioneve etnike nëpërmjet paragjykimit të përkatësisë dhe motiveve të vrasësve.
     Por ajo që nuk po paragjykohet me deklarata, po paragjykohet me një fushatë arrestimesh të egra të shqiptarëve nga ana e policisë. Vetëm para tri ditësh u arrestuan 12 shqiptarë, prej tyre edhe një plakë 60 vjeçe, që jeton e vetme në shtëpi.
     Shpjegimi zyrtar i ministrisë së brendshme ishte kn – kemi arrestuar shqiptarë radikalistë islamistë. Në këtë mënyrë, jo vetëm po paragjykohet krimi, por këtij krimi po tentohet t’i jepet karakter fetar terrorist. Përderisa terrorizmin e qartë të strukturave të Beogradit ndaj Selver Haradinajt dhe familjes së tij po e vënë në dyshim, aktit kriminal të vrasjes së maqedonasve që s’dihet kush ivrau, po i jepen konotacione të radikalizmit islamik i cili qenka shqiptar.
     Qëllimi është ky:
     Së pari të thuhet se të pesë qytetarët u vranë nga shqiptarët.
     Së dyti se këta shqiptarë janë terroristë islamikë.
     Së treti se të vetmit shqiptarë të pakënaqur janë radikalë islamistë.
     Së katërti që kështu lufta kombëtare e shqiptarëve atje kundër shtypjes të kthehet në luftë fetare.
     Së pesti që çdo kërkesë apo demonstratë e shqiptarëve për më shumë te drejta dhe kundër shtypjes të kualifikohet si automatikisht terroriste.
     Dhe që pastaj, lufta konkrete dhe e patolerueshme politike kundër shqiptarëve, të kamuflohet nën luftën e përgjithshme globale kundër terrorizmit, të cilës prijnë ShBA-të.
     Ky plan maqedonas me sherr duhet të demaskohet nga politika jonë. Politikanët tanë qeveritarë është mirë që, ashtu sikurse e kanë dënuar aktin e vrasjes së pesë maqedonasve, ta dënojnë edhe këtë fushatë persekutimesh të shqiptarëve.
     Po ashtu duhet të kundërshtohet përpjekja e dëmshme për ta kthyer luftën e shqiptarëve për më shumë të drejta kombëtare në komplote të shpikura terroristësh islamikë.
     Si dhe të demaskohet përpjekja maqedonase që shtypja ndaj shqiptarëve të paraqitet si luftë e konsensusit global kundër terrorizmit islamik.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura