ALBIN KURTI: DORËZIMI I PAVARËSISË ME MARRËVESHJE

Pashtriku.org, 01. 06. 2013 – Nga marrëveshja në marrëveshje. I këtillë është bërë dialogu Thaçi-Daçiq. Midis Qeverisë sëKosovës dhe asaj të Serbisë nuk ka më dialog në mungesë e si mungesë të marrëveshjes por ka marrëveshje të njëpasnjëshme. Një marrëveshje, disa marrëveshje, shumë marrëveshje, edhe më shumë marrëveshje për zbatimin e këtyre marrëveshjeve. Thaçi e Daçiq nuk po dialogojnë më – ata po merren vesh, madje shpejt e kollaj, si asnjëherë më parë dhe ashtu siç askush nuk ka mundur ta (para)mendojë. Fjala dialog është zëvendësuar me fjalën marrëveshje.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë që retroaktivisht mund të konstatojmë se dialogu teknik e politik para 19 prillit 2013 paska qenë mosmarrëveshje. Vetë dialogu ishte marrëveshja kryesore që tash është proliferuar në këtë inflacion të marrëveshjeve të pandërprera për gjithçka ndërkohëqë Kosovës po i mbetet pakçka prej shtetësisë e pasurisë së saj. Dialogu ishte marrëveshja kryesore meqenëse aty u morën vesh që Serbia të mos kushtëzohet; dhe, u morën vesh që do tëmerren vesh veçse për çështjet e brendshme të Kosovës. Prandaj, ishte kjo marrëveshje kryesore ajo që edhe mundësoi marrëveshjet e tjera por edhe i imponoi ato.
Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe kjo tjetra për zbatimin e saj qartazi po shpiejnë te ndryshimi i shumë ligjeve në Kosovë e jo te ndryshimi i Kushtetutës në Serbi. Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi po e konsideron normale Kushtetutën e Serbisë dhe jonormale ligjet në Kosovë. Po normalizohet shteti i Serbisë brenda Kosovës dhe Kosova brenda Kushtetutës së Serbisë. Varësia aktive e Kosovës nga Serbia po përkthehet në pavarësi të Asociacionit / Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Serbia nuk po e pranon pavarësinë e Kosovës përgjatë marrëdhënies me të, andaj tash Kosova po e pranon autonominë e serbëve. Marrëdhënia me Serbinë që s’na njeh jashtë saj po e normalizon Serbinë brenda nesh.

Sipas marrëveshjes për zbatimin e marrëveshjes së parë të 22 majit 2013, Serbia na tregon vetëm se kë prej zyrtarëve të saj dëshiron ajo që ta fusë në sistemin institucional të Kosovës, ndërkaq Kosova ua jep atyre aministinë dhe ua hap pozitat e postet përkatëse. Gjithçka organizohet sipas parimit etnik e territorial dhe për strukturat paralele shtetërore të Serbisë qëjanë jo vetëm ilegale, por edhe kriminale e armiqësore, tash do të paguajmë vetë ne nga buxheti i Republikës së Kosovës. Pavarësia e Kosovës e shpallur para më shumë se pesëvjetëve nuk po përdoret për ta bërë Kosovës sovrane e me integritet territorial por, përkundrazi, për ta legalizuar e forcuar Serbinë përbrenda Kosovës.
E, megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk po mjaftohet me qëndrimin dhe vendimet e saj në favor të Serbisë. Ajo synon që t’i vulosë ato në shtetin e Kosovës prandaj është paralajmëruar qëmarrëveshjet do të vijnë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës. Kështu, Kuvendi po instrumentalizohet nga Qeveria si organ ku legjitimohen tendencat e saj anti-demokratike, anti-kombëtare e anti-shtetërore. Demokracia po përdoret kundër kombit, shtetit dhe vetëdemokracisë. Kuvendi aktual ka aq shumë deputetë të pazgjedhur nga pozita të cilët nuk duan që Kuvendi të zgjedhë. Por, Kuvendi i Kosovës ka edhe aq shumë deputetë të tjerë nga opozita që e pranojnë Qeverinë si zgjedhë. Qeveria e Kosovës është kushti për Serbinë brenda Kosovës, mirëpo këta deputetë brenda Kuvendit janë mundësia për këtë Qeveri.
Kur para një viti e morën pushtetin në Serbi Nikoliq, Daçiq e Vuçiq, kishte të atillë në Kosovëqë thoshin se më mirë është që tani radikalët dhe nacional-shovinistët e kanë pushtetin atje sesa ta kenë atë demokratët dinakë si Tadiqi që i preferon edhe perëndimi demokratik. Mirëpo, ata mbase do të jenë befasuar me Thaçin i cili i ka rehabilituar politikanët kriminelë të luftës (të familjes së Milosheviqit e Sheshelit) duke pranuar kërkesat e aspiratat e tyre.
Tanimë Thaçi po shihet si politikan i huaj për Kosovën edhe për faktin që diskutohet se a do tëmundet që Kuvendi ta ndal marrëveshjen (përmes mosratifikimit të saj) sepse Qeveria s’mban aspak, asgjë dhe asnjëherë kur duhet të mbrohet Republika e Kosovës, interesi i vendit, vullneti i popullit e pavarësia e shtetit. Thaçi është bërë zëri i Serbisë në Kuvendin e Kosovës që s’po bëhet dot zëri i shqiptarëve.
Po qytetarët shqiptarë të Kosovës, pse ata kryesisht e zakonisht po heshtin? Si bëhet qëmynxyra politike me pasoja afatgjate e cila po e pllakos Kosovën po has në heshtjen e qytetarëve? Në fakt, duket se kjo është vetë përgjigja më parë se pyetja. Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq dhe plani i zbatimit për të janë aq të këqija saqë e vetmja mundësi t’ia dalësh disi me to është që thjesht të mos i besosh e të heshtësh për to. Vetëm duke menduar se këto nuk janë të vërteta, vetëm duke mos i besuar ato, arrin të mos përjetosh thyerje nervore. Kushedi, ndoshta pikërisht këtë gjë po e bëjnë jopak qytetarë të Kosovës. Dihet që njerëzit nëKosovë përgjithësisht janë pasivë por jo edhe indiferentë. Duket që tash gjërat janë aq keq saqë s’mund të mbetesh kurrsesi pasiv pa e instaluar me forcë indiferencën brenda vetes. Dhe, më tej, kjo indiferencë mundësohet vetëm si mosbesim i verbër ndaj shqisave tua të shikimit e dëgjimit.
28 maj 2013
Albin Kurti

* * *

Edhe unë jam Kosovë, edhe unë dua komunë

Ka marrë hov dukuria e kërkesave për komuna të reja në Kosovë. Fshatra më të mëdha me fshatra më të vogla përreth aspirojnë të shndërrohen në komuna. Kombinohen argumentet historike e gjeografike me ato administrative. Dekada më parë kishte komuna që tash janë fshatra që duan të ribëhen komuna; fushat, kodrat, malet e lumejtë shpesh sajojnë tërësi gjeografike për të cilat duket e natyrshme të shndërrohen në entitete territoriale e administrative; dhe, banorët e rajoneve të ndryshme duan udhëtime më të shkurtëra dhe shërbime më të shpejta për në qendrën e tyre (të re) lokale.
Mirëpo, cila është shtysa më thelbësore e kësaj dukurie? Prej nga ky zell i qytetarëve që shprehet edhe në argumente gjithnjë e më të shumta për komuna të reja? Së pari, padyshim që komunat e Ahtisaarit me shumicë serbe kanë inkurajuar këso kërkesash. Njëmend, kur bën që Parteshi me tre mijë banorë të bëhet komunë, pak çka s’bën të shndërrohet në komunë pastaj. Instalimi i pesë komunave me shumicë serbe si koncesion ndaj Serbisë në bisedimet e Vjenës 2006-2007 ka nxitur që edhe të tjerë që kanë më shumë të drejtë në arsyetim të kërkojnë komuna shtesë. Kur padrejtësia shndërrohet në fakt të kryer, mund të duket se fakte të tjera mund ta zbusin sadopak padrejtësinë ndonëse asisoj legjitimohet ajo. Diskriminimin që e përjetuan si pas çlirimit ashtu edhe pas pavarësisë, qytetarë shqiptarë duan ta kompensojnë. Komunat me shumicë serbe nuk ishin një gjë e drejtë, por meqë u bënë, le të bëhen edhe të tjera me shumicë shqiptare. Pasi që dikush u privilegjua dhe këtu s’paska parime, atëherë le të shkilen ato parime edhe për neve e jo vetëm për serbët. Kështu mendojnë më shumë qytetarë seç mendojmë ne që ata mendojnë kështu. Gjithsesi nga dëshprimi e kanë: njëfarë shpresimi i dëshpërueshëm pas dëshpërimit për shpresat e humbura.
Së dyti, Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe si një koncesion tjetër i madh ndaj Serbisë i ka irituar qytetarët dhe, sërish, duke u sforcuar ideja dhe pushteti i komunës kërkohen edhe komuna të tjera për shqiptarët e nga shqiptarët. Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës njerëzit menduan se tash e ka radhën shteti, por meqë shtetndërtimi u suspendua nga dialogu teknik e politik me Serbinë dhe kryefjala e agjendës qeveritare u bë komuna (me shumicë serbe), edhe shqiptarët duan komuna të tyre. Pra, meqë kauza e sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës u spostua për nga prioriteti karshi krijimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, edhe qytetarët shqiptarë kërkojnë komunat e tyre të reja (dhe mandej mbase për t’u lidhur në një asociacion a bashkësi edhe ata)! Thjesht, në Kosovë, njësi themelore konstituive po bëhet komuna. Ambicia më e lartë në kontekstin aktual politik e ka formën e komunës, jo të shtetit. Dikur shqiptarët donin shtet. Meqë nga kjo ka hequr dorë Qeveria e tyre, tash ai që do diçka do komunë të veten. Kërkesa për pavarësi, për shtet të pavarur e sovran, ka përjetuar metamorfozën në kërkesën për komunë, për komunë të re e të posaçme. Sovraniteti si pronësi politike e publike e gjithë popullit po ia lëshon vendin komunës si pronësi e asaj popullsie të veçantë. Duke qenë se nuk u bëmë dot politikisht pronarë të gjithë përmes shtetit sovran, pason orvatja për t’u bërë pronarë lokalë neve këtu në komunën tonë të re.
Së treti, një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve të Kosovës, mbase pavetëdijshëm, nuk po besojnë më se do të ketë së shpejti zhvillim ekonomik e punësim më të madh e tjetërfare. Sipas kësaj pikëpamjeje, meqë punësim sjellin vetëm pushteti politik dhe burokracia, atëherë le ta rrisim e zgjerojmë atë, le ta sjellim në fshatin tonë. Nuk do të ketë prodhim në të ardhmen e afërt në Kosovë, nuk do të ketë mundësi për punësim në ekonominë që zhvillohet, andaj vendi i punës do të jetë vetëm diku në administratë e në institucione. Kësisoj, më shumë institucione ka kuptimin e vendeve të reja të punës. Me komuna të reja, këto vende pune bëhen tonat këtu (në fshatin tonë që do të bëhet komunë e jona). Punëdhënësi më i madh në Kosovë edhe ashtu është Qeveria dhe kjo do të mund të multiplikohej edhe më tej nëpër komuna, nëpër gjithnjë e më shumë komuna. Puna është burokraci, zyrja është i vetmi vend pune. Të hapësh vende të reja pune do të thotë veçse të hapësh zyra të reja. Kosova është një zyrë e madhe (si figurë komplementare e kandrrës te ‘Metamorfoza’ e Kafkës), ose, një zyrë e madhe me pafund zyra të vogla në të (sikurse te pikturat moderniste të Pushwagner).
Sido që të jetë, kërkesa për komunë nuk e bën komunën. Se cilat fshatra do të bëhen komuna nën pushtetin e kësaj Qeverie varet nga interesi i Qeverisë më parë sesa nga dëshira apo frika e qytetarëve që duan komuna të reja. Cilat fshatra të mëdha me rrethinë do të shndërrohen në komuna të reja me vendime të Qeverisë së Kosovës, më së shumti varet nga ndikimi i një ndryshimi të tillë në votën për PDK-në. Meqë reforma zgjedhore nuk e solli ndarjen në shumë zona me ç’rast partia në pushtet do të rriste peshën e vet përmes manipulimit me kufijtë e zonave (dukuri kjo që njihet me termin ‘gerrymandering’), po kalohet në planin B ku po sajohen komuna të reja për të njëjtin qëllim.
Te shqiptarët në Kosovë po shtohet numri i komunave, kurse te serbët po bashkohen komunat në një Asociacion/Bashkësi. Plani i Ahtisaarit ishte decentralizim mbi baza etnike, Asociacioni/Bashkësia është centralizim etnik serb. Ndërkohë, vazhdon e shtohet decentralizimi përbrenda shqiptarëve me komuna të reja. Më shumë komuna po bëhen në kushtet kur kemi gjithnjë e më pak sovranitet për shtetin dhe gjithnjë e më pak ekonomi për shoqërinë (tash pas marrëveshjes 15 pikëshe Thaçi-Daçiq, pas shitjeve të nisura të KEK-ut, PTK-së e Trepçës). Pra, thua se po ndjehet nga qytetarët që po dështon shteti i Kosovës andaj le ta nxjerrim për vete ndonjë komunë. Disi ngjashëm sikurse tek ai rrëfimi për Nastradinin i cili kur pa që s’i ndalonte dot hajnat që po ia vidhnin shtëpinë para syve, nisi edhe ai të vidhte bashkë me ta shtëpinë e vet (paradoksalisht duke shpëtuar diçka e sadopak kështu).
Qytetarët duan të mbijetojnë edhe më fort teksa ndjehen përherë e më të rrezikuar. Ngulfatjes strukturore nga lart duan t’i përgjigjen me struktura të reja poshtë. Qytetarët e duan një shtëpi të vogël teksa po shembet kjo e madhja. Kushedi, ata (para)mendojnë që streha e vogël mund të shndërrohet në mburojë për copat e strehës së madhe kur ato të zbresin si të çmendura nga qielli.
Prishtinë, 21 maj 2013
Albin Kurti

* * *

Paturpësia

Ndërkohë që po i shesin energjinë dhe telekomunikacionin e Kosovës, përkatësisht KEK-un e PTK-në, në marrëveshjen 15 pikëshe Thaçi-Daçiq thuhet që dialogu politik do të vazhdojë për energjinë dhe telekomunikacionin. Pika 13: “Diskutimet për Energji dhe Telekomin do të intensifikohen dhe përfundohen para 15 qershorit”. Kësisoj, lumi Ibër po bëhet kufi ndërmjet Serbisë hegjemoniste dhe Kosovës së privatizuar, kufi ku takohen Serbia e Daçiqit dhe privatizimi i Thaçit.
Nga okupimi duket se kaluam te privatizimi. Çlirimi ishte një çast. Punëtorëve në KEK që janë te Distribucioni dhe Furnizimi, para disa javëve u ka ardhur një letër që praktikisht i fton ta pranojnë korporatën Limak-Çalik si pronar të ri. Teksti që e nënshkruan punëtorët quhet ‘Formulari i deklarimit të punëmarrësit për bartjen e kontratës së punës nga KEK në KKDFE’. Aty thuhet që punëtori me emrin e mbiemrin e tij, pozitën dhe numrin e caktuar personal e atë të punës, me kontratën e filan date e me filan numri, deklaron se “nëse, si pjesë e procesit të shthurjes apo privatizimit të mandatuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me vendimin 04/36 të datës 17.09.2008, dhe vendimin 03/38 të datës 02.10.2008, KEK-u bën bartjen e afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit në Kompaninë për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KKDFE), dhe posedoj kontratë valide të punës me KEK-un në kohën e transferit, përmes kësaj pajtohem me transferin e kontratës së punës në KKDFE me kushtet dhe termet e njëjta pa ndonjë njoftim tjetër shtesë.” Pasojnë data, vendi dhe nënshkrimi i punëtorit. Në vitet ’89, ’90 e ’91 kur shqiptarët dëboheshin masivisht nga puna, atyre ju vinte një këso letre që i pyeste nëse e pranojnë Serbinë, përkatësisht udhëheqjen e re si rezultat i masave të dhunshme!
E kemi parë qysh privatizimi shpunëson e varfëron. Në rastin më të mirë të thonë që vendet i punës të ruhet edhe për tri vjet të tjera pas shitjes. Por, çfarë të bëhet mandej? Ku të shkojnë punëtorët pas atyre tri vjetëve? Apo, ndoshta, të presin liberalizimin e vizave si zëvendësim për azilin politik në vitet e ’90-ta?!
Varfëria dhe papunësia janë bërë tiparet themelore sociale të Kosovës. Shumica dërrmuese e popullsisë janë ose të varfër ose të papunë. Njëmend ka të papunë që s’janë të varfër, por ama ka edhe të varfër që s’janë të papunë. Dhe, numri i të varfërve që janë të punësuar është shumë më i madh sesa i të papunëve që s’janë të varfër.
Shtrenjtimi i përgjithshëm i çmimeve e sidomos ai i artikujve ushqimorë, rritja e shpenzimeve me rritjen dhe shtimin e familjeve, pjekuria e të rinjëve që i bashkohen korpusit të të papunëve, të gjitha këto, përbëjnë trysninë mbi ata që tashmë janë të punësuar me paga të ulëta ose të mesme. Kjo trysni i hedh të punësuarit e këtillë me shpejtësi nën pragun e varfërisë. Ata me shumë vështirësi e kanë gjetur një vend pune të cilin tash kollaj mund ta humbin. Nuk punojnë për t’u ngritur por për të mos rënë duke u përjashtuar, andaj durojnë edhe çfarëdo shfrytëzimi shtesë e poshtërimi të përditshëm.
Sigurisht që papunësia është problem themelor ekonomik në Kosovë, mirëpo edhe punësimi vetvetiu nuk ta siguron daljen nga varfëria. Paga e ultë apo mesatare me të cilën duhet ndihmuar edhe anëtarë të tjerë të familjes (edhe kur nuk shoqërohet nga borxhi prej ndonjë kredie me kamatë të lartë) paraqet konditë të mjafueshme për ta garantuar varfërinë. Pra, teksa të varfërit s’gjejnë dot punë, të punësuarit s’është aspak e thënë të mos jenë të varfër. Kur varfërohesh sadopak në perëndim kjo do të thotë shumë, mirëpo jo edhe në Kosovë ku mbretëron mjerimi dhe pragu përcaktues nuk është ai i jetës së dinjitetshme por i mbijetesës së zhveshur.
Paqen e brishtë sociale në Kosovë e mirëmbajnë dy faktorë – njëri ekonomik e tjetri kulturor. Faktori ekonomik janë dërgesat e bashkëatdhetarëve tanë nga e gjithë bota për familjet e të afërmit e tyre. Me atë gjysëm miliardi euro në vit që hyn në Kosovë ne blejmë kryesisht mallra të importit duke i nxjerrë me shpejtësi ato para jashtë vendit. Kështu, remitancat e zvogëlojnë varfërinë pa e zvogëluar papunësinë. Vetëm orientimi dhe realizimi i prodhimit do ta zvogëlonte papunësinë. Mërgata e cila dikur ishte vetë mundësia për luftën çlirimtare, tani është shndërruar në kushtin e paqes sociale në Kosovë. Nëse dje s’do të kishte luftë pa mërgatën, sot nuk mund të ketë paqe pa mërgatën.
Faktori kulturor është turpi i të varfërve. Mjafton të endesh rrugëve të cilitdo qytet apo fshat të Kosovës dhe po komunikove, e nganjëherë edhe vetëm po shkëmbeve shikimin me cilindo të varfër, sakaq e kupton se turpi atij ose asaj ia mund indinjatën. Të varfërit gjithesi janë të zemëruar por edhe më shumë se kaq ata ndjehen të turpëruar për gjendjen e tyre. Kjo është arsyeja pse të varfërit në Kosovë më parë vrasin veten sesa dikë tjetër. Turpi i vetëdiciplinon të varfërit në Kosovë. Dhe, të tjerët aq shumë mësohen me këtë gjë saqë të varfërit që janë përplot pezm e pa fije turpi disi shpallen, dhe mandej edhe duken, si të çmendur. Ata që janë të zemëruar e të gatshëm të shpërthejnë janë të rrezikshëm për rendin e gjërave. Për të mos u parë shkaqet politike dhe socio-ekonomike ata patologjizohen dhe shpallen të sëmurë. Ata s’mund të kenë arsye (sic.), prandaj trajtohen si iracionalë kërcënues.
Në Kosovën e mbërthyer nga korrupsioni qeveritar, pazaret me Serbinë dhe privatizimi i publikes, njerëzit e varfër gjithsesi janë të ndershëm. Të pasurit në Kosovën e varfër do të duhej të ndjenin turp e jo të varfërit. Shumica e milionerëve në Kosovë janë në një mënyrë apo tjetër të lidhur me regjimin në fuqi, kështu që turpi i të varfërve është dyfish i gabueshëm e i dëmshëm. Vuajtja e zemërimi është i të varfërve, kurse turpi duhet të jetë i të pasurve. E jo turpi i të varfërve, ndërsa keqardhja (në rastin më të mirë) e pezmi (në rastet e tjera) i të pasurve.
Prandaj, të varfërit janë gjithmonë më zemërgjerë. Nga ajo pak që kanë, japin një pjesë dhe e masin atë me këndvështrimin e pranuesit dhe s’iu duket gjë e madhe ajo që dhanë. Në anën tjetër, të pasurit edhe kur japin shumë më tepër, kjo gjë është shumë më pak sesa në rastin e mëparshëm, porse ata e masin kontributin e tyre me thjerrëzën e pranuesit të varfër dhe ju duket se bënë një gjë madhështore. Filantropia është privatizim i solidaritetit.
Po, pra, të varfërit e paturpshëm (të punësuar o të papunë). Aty, dhe me ta, merr hov zgjidhja për të gjithë.
* * *

Asociacion (me Bosnjen) / Bashkësi (për ndarje)

Duke dialoguar Thaçi e Jahjaga me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës në Bruksel, përfunduam me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe së cilit nuk i përzihen dot në çështje të brendshme as Thaçi e as Jahjaga. Pikat e para të marrëveshjes, pra pikat 1 dhe 2, e kodifikojnë këtë gjë. Pika 1 thotë që “ Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim”. Ndërkaq, pika 2: “Bashkësia/Asociacioni do të themelohet përmes statutit. Shpërbërja e tij mund të bëhet vetëm me vendim të komunave pjesëmarrëse. Do të ketë garanci ligjore përmes ligjit të zbatueshëm dhe ligjit kushtetues (përfshirë rregullën për shumicën prej 2/3).”
Pra, si për zgjerimin, po ashtu edhe për shpërbërjen e Asociacionit / Bashkësisë vendos vetë Asociacioni/Bashkësia. Asociacioni/ Bashkësia është praktikisht çështje e (brendshme e) vetvetes. Nëse Presidetja ose Qeveria e Kosovës i përzihen atij, atëherë menjëherë do të futet aty edhe Serbia, përkatësisht Presidenti e Qeveria e saj, pasi që ky Asociacion/Bashkësi u sajua e u themelua prej të dy kryeministrave, Thaçit e Daçiqit, e jo vetëm prej kryeministrit të Kosovës. Kur kësaj i shtojmë faktin se në pikën 2 nuk thuhet ligji i Kosovës por ‘ligji i aplikueshëm’ dhe nuk thuhet Kushtetuta e Kosovës por ‘ligji kushtetues’, rreziku është aq i madh saqë nuk është më, thjesht, vetëm rrezik: e keqja nuk është një keqe e mundshme me gjasë të shtuar – e keqja e shtuar është tashmë këtu.
Për të qenë të saktë, është edhe ca më keq se kaq. Thaçi e Jahjaga, në fakt, mund të përzihen në punë të brendshme të Asociacionit /Bashkësisë, mirëpo vetëm për t’ia rritur edhe më shumë kompetencat atij, ashtu siç e thotë pika 5, por jo edhe për t’ia zvogëluar ato (sic.). “Asociacioni/Bashkësia do të ushtroj kompetenca të tjera shtesë siç mund të delegohen nga autoritetet qendrore”, thuhet në pikën 5. Kësisoj pamundësohet prapakthimi dhe Asociacioni /Bashkësia do të mund të forcohet edhe më tej në të ardhmen por jo edhe të dobësohen në ndonjë mënyrë. Ndryshimi lejohet vetëm në njërën kahje – të këqijat mund të shtohen por jo edhe të pakësohen. Kur kemi parasysh që Thaçi së fundmi u deklarua edhe për dy mandate shtesë për ulëset e rezervuara për pakicat në Kuvendin e Kosovës (në kundërshtim me Planin e Ahtisaarit dhe Kushtetutën), nuk do të jetë e çuditshme që ai edhe do t’i delegonte kompetenca të tjera Asociacionit/Bashkësisë.
Pa dyshim që Asociacioni/Bashkësia do të jetë shumë më i fuqishëm karshi Thaçit e Jahjagës seç janë Qeveria e Kuvendi i Kosovës. Nëpër institucionet e Republikës, mediet e shtypura e elektronike dhe në ligjërimin publik në përgjithësi, do të flitet jo vetëm për Qeveri e Kuvend të Kosovës, por për Qeveri e Kuvend të Kosovës si dhe për këtë Asociacionin /Bashkësinë. Dyshja Qeveri-Kuvend do të bëhet treshe Qeveri-Kuvend-Asociacion/Bashkësi. Më tutje, në Asociacion/ Bashkësi s’do të ketë shqiptarë, së paku jo me të drejtë vetoje, kurse në Kuvend e Qeveri do të ketë serbë me të drejtë vetoje për ligjet me rëndësi jetike. Kështu, varësia e dikurshme e Kosovës nga Serbia për të qenë, zëvendësohet me varësinë e Kosovës nga Asociacioni/ Bashkësia (dhe nga Serbia) për të funksionuar. Dhe, asimetria e jashtme Kosovë-Serbi përkthehet në asimetri të brendshme Kuvend e Qeveri me Asociacionin/ Bashkësinë.
Marrëveshja 15 pikëshe Thaçi-Daçiq tërheq me vete një mori grupesh punuese e grupesh mbikëqyrëse për zbatimin e marrëveshjes nga Brukseli. Lidhja Beograd-Prishtinë zgjerohet e thellohet duke u institucionalizuar e legalizuar. Grupet punuese e mbikëqyrëse për zbatimin e marrëveshjes i afrojnë Kosovën e Serbinë drejt raportit federativ. Në anën tjetër, formimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe e federalizon Kosovën përbrenda duke ia kundërvënë Prishtinës kryeqytetin paralel të veriut të Mitrovicës. Asociacioni i këtillë në Kosovë është asociacion i Kosovës me Bosnjen. Bashkësia e këtillë në Kosovë nuk është bashkim i Kosovës por ndarje e saj për së brendshmi. Për Bosnjen e paraluftës dikur thuhej të jetë një Jugosllavi e vogël. Për Kosovën tash mund të thuhet se po bëhet një Bosnje e pasluftës e vogël.
Me dialogun politik në Bruksel dhe marrëveshjen atje po shkilet Kushtetuta e Kosovës dhe jo ajo e Serbisë. Asociacioni/Bashkësia e komunave me shumicë serbe paraqet autonomi pa pavarësi, mirëpo edhe varësia e Asociacionit/Bashkësisë sigurisht që do të jetë më e madhe nga Beogradi sesa nga Prishtina. Ndërkohë, pavarësia e Kosovës do të jetë pavarësi nga shtetet që na njohën (sidomos pavarësi nga ata ishujt e largët), mirëpo jo edhe pavarësi nga Serbia (sidomos jo pavarësi nga Serbia).
Prishtinë, 7 maj 2013
Albin Kurti

* * *

Deklarimi jashtë rendit të ditës i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, më 2 maj 2013

Deputetë tëKuvendit të Kosovës,
Dialogu politik në Bruksel midis Thaçite Daçiqit, nga qeveria e Kosovës argumentohet edhe me nevojën për integrimin e serbëve të Kosovës. Në fakt, saherë që kemi pasur bisedime e negociata midis Kosovës e Serbisë janë përdorur serbët e Kosovës: nga Prishtina zyrtare kinse për integrimin e tyre, kurse nga Beogradi zyrtar kinse për mbrojtjen e tyre. Qeveria e Kosovës flet për integrimin e serbëve që të jetë sa më e pranueshme nga faktorët ndërkombëtarë dhe t’ua zbusë zemrën atyre që ia kanë dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ndërkaq, Qeveria e Serbisë flet për mbrojtjen e serbëve në Kosovë për ta rritur hegjemoninë e vet, me ç’rast serbët lokalë janë mjeti për territor dhe pasuri natyrore e jo anasjelltas. Kësisoj, oportunizmi i Prishtinës bëhet komplementar me hipokrizinë e Beogradit.
Integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm është integrimi shoqëror e joai institucional. Për integrimin institucional do të mund të thuhej se është i nevojshëm por kurrsesi i mjaftueshëm. Integrimi institucional është integrim i përfaqësuesve të erbëve dhe jo i serbëve. Prandaj, integrimi i kufizuar tek ai institucional është i brishtë.
Kujtojeni p.sh. rastin e Oliver Ivanoviqit i cili për tetë vjet rresht ishte integruar në institucionet e Kosovës por e dimë se ku është sot dhe çka bën atje. Integrimi institucional është elitar, është integrim i elitës. Përmes këtij integrimi diku mirëmbahet e diku edhe prodhoh etelita por nuk integrohet komuniteti.
Integrimi institucional është integrim prej lart-poshtë. Kosova ka nevojë për integrim prej poshtë-lart. Integrimi prej lart mbetet lart dhe nuk mbërrin poshtë. Integrimi prej poshtë arrin edhe lart. Integrimi prej lart-poshtë është koniuktural. Integrimi prej poshtë – lart është demokratik. Dhe, mbi të gjitha është shoqëror, është integrim në shoqëri. Ne i përkasim kombeve të ndryshme por jemi në të njëjtën shoqëri.
Megjithatë, kur them integrim shoqëror nuk mendoj te seminaret, konferencat e trajnimet e OJQ-venëkohën e pasluftës por te barazia si vlerë e synim, shteti i së drejtës dhe zhvillimi ekonomik i bazuar në prodhim. Integrimi është çështje e barazisë dhe jo çështje e tolerancës. Në fabrika dhe universitete thuretshoqëria. Sepse aty krijohet solidariteti i punëtorëve dhe bashkëpunimi I studiuesve akademikë.
Jufalemnderit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura