SALIH MEHMETI: KLANI I SURROIT DHE OJQ’të NUK MUND TA DIKTOJNË AGJENDËN POLITIKE

Prishtinë, 13. 02. 2014 – Protestat të cilat për konsum të brendshëm u quajtën studentore, fillimisht u përshëndetën si një përpjekje e çiltër me e ndëshkue anomalinë 20 vjeçare në Universitetin Publik të Prishtinës. Fakti që opinioni në vend është më i ndjeshëm ndaj Universitetit e gjithçka sillet në orbitën e tij, ka të bëjë me përvojën e hidhur historike të shqiptarëve, të cilët përherë u privuan nga institucionet arsimore. Çfarëdo rropatje për me i sfidue anomalitë e Universitetit është e përligjur se zatën, ky institucion që mban primatin për nga numri i studentëve, është vënë qysh kohë në shërbim besnik të realpolitikave ditore.
Për më keq, roli i tij është stërkequr vajtueshëm pasi që ai është bërë një institucion kryekreje surrogat, që përdoret më tepër për me e zbut krizën sociale në vend. Ky surrogatizëm ilustrohet nga fakti që një numër i stërmadh të rinjsh, të cilët në rrethana të tjera do të duhej të ishin pjesë aktive e tregut të punës, janë kryqëzuar në rrjetën e këtij Universiteti. Së këndejmi, është e vetëkuptueshme se cilësia arsimore që përftohet nga ky institucion lë shumëçka për të dëshiruar. Ajo çka prodhohet në mënyrë sistematike është zyrtarizimi i një brezi skajshmërisht gjysmë-analfabet i veshur me një membranë të hollë që quhet ‘diplomë’.
Një gjendje e tillë apokaliptike nuk ka sesi të mos prodhojë pezmatim te një pjesë e emancipuar e të rinjve. Ideale kish me qenë sikur çdo protestë të bulonte nga vetë studentët, meqë kjo revoltën do ta bënte plotësisht autentike. Ajo çka nisi në fillim si një revoltë e disa studentëve, u shpërndërrua në një paradë ku demonstruan muskujt e tyre disa Organizata Jo-Qeveritare (OJQ), të cilat qenë të shpenguara të shtyjnë përpara agjendat e tyre parapolitike. Pa farë droje se gjykimi im do të peshonte nga njëra anë ose tjetra, them se organet e nalta të Universitetit duket se kanë qëllue në shenjë në një pikë: në faktin që revolta nëntë-ditëshe e studentëve ishte më pak studentore e më shumë e yshtur nga jashtë.

Surroi, OJQ’të dhe surrogatizmi institucional i UP’së!

Duket se një pjesë naive e atyre që pëlqenin ta quanin vetën nismëtarë të protestës, rravguan nga qëllimi i tyre parësor. Entuziazmi i tepruar i studentëve topiti shqisën e tyre të rudimentuar dalluese: ata nuk e pleqnuan asnji fije rrezikun që duke pranuar në radhët e tyre OJQ me sfond të dyshimtë, po i hiqnin vulën e origjinalitetit protestës së tyre. Dorëheqja e rektorit, Ibrahim Gashi si dhe titullarëve të tjerë të Këshillit Drejtues duhet vlerësuar si njëfarë suksesi. Në terma simbolik, ajo shënon një betejë të fituar, por jo edhe një luftë të fituar. Këto dorëheqje mund të kenë parandaluar një skenar të frikshëm të zhvillimit të ngjarjeve, që kollajshëm do të zvetënonte në protesta e kundërprotesta e përleshje të ndërsjella.
Por ky trohë sukses u la në hije nga një tjetër zhvillim retrograd. Prej ditës së parë e deri në të mbramën, në radhët e pakta të protestuesve u infiltruan një sërë organizatash jo-qeveritare si dhe Grupi parapolitik KOHA. Ky infiltrim ka përftuar një dimension krejtësisht të ri në këtë hallakamë, ku zëri i profanëve është kryefjalë e ditës. Depërtimi i klanit të Surroit në mesin e protestuesve i vuri dinamitin pandehmës se kjo protestë ishte thjesht studentore. Nuk duhet lanë në harresë fakti që çdo ndërmarrje e klanit të Surroit nuk është tjetër veçse një shfrymje e frustrimit të grumbulluar prej prillit të vitit 2011, që në kalendarin e Veton Surroit ishte një muaj i nemtë. Pikërisht, në javën e parë të prillit të vitit 2011, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i vuri gozhdat e fundit arkivolit të Surroit dhe ëndrrës së tij të këputun në gjysmë për t’u bërë president i vendit. Dëshmia tjetër e Dellit se asokohe ‘Surroi i binte në gjunjë Thaçit për ta bërë president’ ishte goditja tjetër që do ta shafiste për tokë Surroin.
Vitet në vazhdim nuk janë asgjë tjetër veçse përpjekjet e dëshpëruara, e shpesh edhe rraskapitëse të Surroit me e shfrye frustrimin e tij. I deluzionuem në kulm, djali i ish-ambasadorit jugosllav do të përpiqej të imponohej përmes grupit të tij parapolitik ‘KOHA’. Surroit nuk do t’i shkonte huq kjo farë përpjekje: në një kohë kur në vendin tonë krejt agjenda dhe mantra e ligjërimit publik diktohet nga disa pseudo-medie virtuale, Surroi dhe çiftat e tij nuk e kanë fort dert të kursejnë çfarëdo mjeti i cili do ta njëmendësonte mëtimin e tij për t’u faktorizuar. Nuk duhet nënvlerësuar që Surroi si një kafshë e zgjuar politike me sensorët e tij të mbrehtë, e ka të qartë që do të ishte një harakiri sikur të provonte të mësynte në zgjedhje përmes ndonjë partie a organizimi të ri politik. Ai fshikullohet sahat’e dakik nga dështimi epik me partinë e tij në zgjedhjet e vitit 2007 kur nuk arriti as ta kalonte pragun. Djali i ish-ambasadorit jugosllav për të kursyer kohë dhe energji, zgjodhi protestat e studentëve, në të cilat mund të imponohej saora.
Zhvillimi tjetër, komplementar për nga negativiteti, është edhe infiltrimi i Ilir Dedës nga KIPRED-i, një grup individësh që publikisht afishohen si organizatë jo-qeveritare. Është mjaft i pakuptueshëm fakti sesi Vetëvendosja e cila përmes militantëve të saj kishte në dorë frerët e protestës, nuk arriti ta parandalonte infiltrimin e këtyre organizatave jo-qeveritare. Duket se konfliktualiteti dhe antagonizmi midis VV-së dhe organizatave jo-qeveritare është tejkaluar tanimë ose ka qenë veç një farsë e përkohshme. Armiqtë e dikurshëm e gjetën vetën krejt papritmas si aleatë në llogorin kundër Qeverisë. Infiltrimi i të ashtuquajturave organizata jo-qeveritare nuk është çfarëdo ndërhyrje, por një ndërhyrje e ligë dhe e paskrupullt.
Termi ‘organizata jo-qeveritare’ është veçse një eufemizëm i stërholluem për grupet e legalizuara të shërbimeve të huaja informative. E quaj krejt të panevojshme sikur ta citoj pikëpërpikë James Patras, i cili në një dorë artikujsh të mbrehtë vëren sesi OJQ-të janë një kolonë e pestë e imperializmit perëndimor në vendet e sapodalura nga terri i kolonizimit. KIPRED, gurra e financimit të cilit nuk u mësua asnjëherë, është një prej shumë OJQ-ve të shumta që u imponuan me ‘leje të Bajram begut’ në hapësirën jashtë-institucionale në Kosovë. Në të shumtën e herave, ato shtyjnë përpara agjenda që janë në asimetri të plotë me nevojat jetike të qytetarëve të Kosovës.
pjesë e madhe e pseudo-medieve e bënë alamet të madhe pse Ilir Dedës iu çkapurit origjina familjare deri te nëna e tij serbe. Por shumica e këtyre apologjetëve harruan se biografia e Ilir Dedës gjatë këtyre viteve të fundit është plot me zigzage oportunizmi: fillimisht atë e pamë të angazhuar në radhët e FER-it. Pasi që anija e FER-it u përmbyt më keq sesa Titaniku, Deda nuk u ngut si kolegët e tyre të FER-it që shpëtuan në barkat e Vetëvendosjes. Ai do të vazhdonte aktivitetin e tij në OJQ-në e quajtur KIPRED, përderisa kohëpaskohe do t’i ofronte shërbimet e tij si këshilltar i kryetares, Atifete Jahjaga dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi. Për fat të keq, ky tipar ekscentrik i Ilir Dedës nuk u zu në gojë nga pseudo-mediet në vendin tonë. Shumë prej këtyre medieve akuzuan si ‘racistë’ ata që përmenden si fakt nënën serbe të Ilir Dedës. Këto pseudo-medie e këta pseudo-analistë kanë qejf të akuzojnë të tjerët për ‘racizëm’ se zaten është në moralin e këtij vakti të shformësuar të predikohet bashkim-vllaznimi, reminishencë jugosllave që u aktualizua nga UNMIK-u e EULEX-i.
* * *
Që të përmblidhet krejt kjo çka u tha, nismëtarët e protestave me ose padashje e korruptuan pakthyeshëm qëllimin e tyre përmes bashkëpunimit me OJQ-të dhe grupin KOHA. Shembulli i protestave në Tiranë do të duhej të ishte gjedh frymëzues për Vetëvendosjen: protestuesit e rinj në Tiranë teksa protestonin kundër eksperimentimit të armëve kimike të Assadit në territorin e Shqipërisë, nuk lejuan që protesta e tyre të pengohej nga prania irrituese e ish-kryeministrit, Sali Berisha dhe sejmenit të tij, Lulzim Basha. Për protestuesit tiranas nuk ishte e zorshme me u kuptue që si Berisha ashtu edhe Basha gjakonin të zhvatnin kapital politik për ta përdorur më pas kundër Qeverisë së Ramës. E në Prishtinë kjo nuk ndodhi: ishte pikërisht klani i Surroit si dhe disa OJQ, ato që i dhanë një tjetër ngjyrim protestës, për të cilën u mendua se ishte studentore. Sidoqoftë, zhvillimi i vrullshëm i ngjarjeve po i vë në pah qëllimet e në pjese të protestuesve. Gjithçka ka precipituar në një frymë revanshizmi, ku sulmohet e përbuzet secili që nuk u pajtua të njëjtësohej me agjendën e OJQ-ve.

……………………………………

(Ilistrimin e përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org, sh.b)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Postime të Lidhura