Pashtriku.org, 09. 06. 2013 – Magjistër Qemajl Morinës, gjatë studimeve në Kajro në vitet 1977-78, kur në Kosovë shënohej 100 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i lindi ideja dhe shfrytëzoi rastin e përshtatshëm që të hulumtojë një pjesë të shtypit arab – gazeta që botoheshin në Egjipt – dhe të vjelë shkrimet që i referoheshin Lidhjes shqiptare të Prizrenit. Unë e përgëzoj për idenë dhe për rezultatet që ka arritur dhe dëshiroj që këtë rrugë të autorit Morina ta ndjekin edhe kuadro të tjera prej nesh, të cilët gjenden në studime anekënd botës.
Ma. Qemajl Morina qysh në vitin 1978, me kumtesën e paraqitur në konferencën shkencore ndërkombëtare që iu kushtua njëqindvjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, e cila u mbajt në Prishtinë, i dha sinjal opinionit shkencorë shqiptarë se në Egjipt po fshihet një lëndë me interes për historinë shqiptare, kurse tash pas tri dekadash, me përkrahjen e Bashkësisë Islame të Kosovës, i jep opinionit shkencor e kulturor shqiptarë një vepër të rrallë: “Lidhja Shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian” (1878-1881).
Kjo vonesë ka ndodhur si me porosi. Rastisi të realizohet në një moment kyç për Kosovën. Rrethanat aktuale në planin e politikës ndërkombëtare që i përjeton sot populli shqiptar, sidomos ai në Kosovë, ka shumë ngjashmëri me rrethanat e para njëqind e tridhjetë vjetëve. Pikëpjekjet dhe pikëdallimet le t`i shqyrtojnë ekspertët me kompetencë për historinë, politikën dhe diplomacinë shqiptare.
Dallimi thelbësor të cilin duhet përmendur këtu, sipas mendimit tim, është fakti se gjatë kësaj periudhe 100 vjeçare, pjesa dërmuese e botës së qytetëruar konstruktive janë bindur se në Kongresin e Berlinit, 1878, popullit shqiptarë iu bë padrejtësi e madhe. Ata sot janë vënë në përkrahje të popullit shqiptar dhe kanë vendosur që ta korrigjojnë gabimin e para një shekulli.
Në këtë vepër të Mr. Qemajl Morinës, hulumtuesit e historisë kombëtare gjejnë një pasqyrë të qartë se si është reflektuar një ngjarje shumë e madhe në një vend shumë të largët gjeografikisht për shqiptarët, por të afërt për shumë aspekte tjera. Ta theksojmë faktin nga i cili del edhe një pyetje.
Shqiptarët qysh në fillim të shekullit 19 u bënë faktor qeverisës në Egjipt. Në kohën e tyre fillon pikërisht në Aleksandri shtypi i përditshëm në gjuhën arabe. Tash hulumtuesve tanë u mbetet të përgjigjen, a thua në ato gazeta mos ka vepruar, në prapavijë, ndonjë Sami Frashër, sikur që ishte rasti me gazetat e Stambollit Terxhuman-i shark dhe Terxhuman-i hakikat?[1]
Fakti tjetër është se tani më bota arabe përmes disa shkrimeve të botuara në shtypin e Libanit kishin mësuar se te populli shqiptar kishin vëllezërit e tyre edhe për kah përkatësia islame. Këtë e kanë theksuar disa herë edhe në Al-Ahram.[2]
Të shpresojmë se organet kompetente shkencore e kulturore të Kosovës do të mendojnë edhe për këtë dhe do të nxisin e të përkrahin hulumtimet në këtë drejtim.
Libri, Lidhja Shqiptare e Prizrnit në shtypin egjiptian 1878-1881, një titull, i cili sipas mendimit tim do të ishte më i plotë sikur të ishte shtypi arab egjiptian,[3] përkundra faktit se kjo është e qartë në brendi të veprës, përbëhet nga tri pjesë:
Boshti i kësaj vepre është: Çështja shqiptare në shtypin egjiptian. Pasojnë:
Shtojca 1, shtojca 2, dhe përmbyllet me literaturën ndihmëse që ka përdorur autori gjatë mbarështimit të kësaj vepre. Në pjesën kryesore, së cilës i prinë parathënia e autorit, f. 5-7, dhe vazhdojnë temat kryesore e këtij libri, shihet se Egjipti nuk kishte korrespondent të vetin në këto vise, por shërbehej me burimet e shtypit dhe agjencive informative nga Evropa: Vjena, Parisi, Londra dhe Stambolli, si: La korespondans, Korespondans vest, Leurop de politik, Viene Cajtung, Terxhumani hakikat, Al havadith, Elbstrolvid, Times, Rojters, Il Mesaggero, etj.[4], Është interesant fakti se disa herë e kanë shfrytëzuar edhe gazetën zyrtare Kosova.[5] Në librin e Morinës shohim se si janë reflektuar ato informata në shtypin e Kajros, në gazetat Alvakai al Misrijje dhe al-Ahram. Përmes këtyre organeve të shtypit arab në Egjipt, lexuesi i botës arabe përcillte ngjarjet që ndodhnin në një vend, për ata të largët gjeografikisht- në Evropë, konkretisht ngjarjet e mëdha që reflektonin padrejtësitë e mëdha që i bëheshin një populli, në numër jo aq të madh, por me emër të madh në këtë pjesë të Evropës – shqiptarëve.
Nga kjo vepër e Qemajl Morinës, sa për ilustrim, do të sjellim disa citate, pçr të cilët mendo se janë në funksion të informimit më të plotë për studiuesit dhe hulumtuesit shqiptar.
Al-Ahram, me 29 janar 1880, ndër të tjera thoshte: “…shqiptarët me këto veprime dëshirojnë t ia bëjnë me dije Evropës se pa rregullimin e çështjes së tyre në mënyrë të drejtë nuk do të ketë qetësi në këtë pjesë të Evropës. Çështja shqiptare është me rëndësi të veçantë. Traktati i Berlinit mund të shqyrtohet dhe të bëhen ndryshime në të, e koha ka ardhur që shtetet e mëdha duhet ta kenë parasysh këtë.”
Gazetat arabe të Egjiptit Vakai Misrijje dhe al-Ahram, kjo e dyta vazhdon edhe sot, duke filluar prej vitit 1876, të cilat i ka hulumtuar Ma. Qemal Morina,[6] për periudhën e ngjarjeve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit, 1878-1881, me informatat që sillnin dhe frymën që u jepnin atyre informacioneve, e mbanin zgjuar ndërgjegjen e lexuesit arab se në Ballkan një po¬pull i vogël,
”…Afër një milion shqiptarë… kërkojnë më shumë të drejta nga Traktati i Shën Stefanit, pasi që populli shqiptarë është popull shumë i vjetër dhe ata i meritojnë t`i gëzojnë të drejtat sikurse bullgarët.”
Dhe vazhdon:
“…ata janë tepër të revoltuar për lëshimin e një pjese të tokave të tyre nën sundimin bullgar me ndihmën e Rusisë… Bullgarët nuk janë në gjendje të përdorin armët, por pas tyre fshihen 100.000 ushtarë rus.[7]
Në faqet e al-Ahramit, lexuesi arab, siç po shihet gjatë periudhës më dramatike të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kishte informacione për tëra ngjarjet që ndodhnin me tokat shqiptare. Ishte i informuar për pazarllëqet që bëheshin me Plavën e Gucinë, me Ulqinin, Hotin e Grudën, etj. Gazetat arabe inkurajonin opinionin shqiptarë që të vazhdojë kërkesat për zgjidhjen e çështjes shqiptare, sepse “… populli shqiptar sot nuk është ai i djeshmi, populli shqiptarë është zgjuar dhe është pjekur, posedon armë moderne, të cilat i kanë ardhur pa pritur, ata janë ngritur në kryengritje me vepra jo me fjalë…”[8]
Në pjesën e dytë, f. 125, vjen:
Shtojca 1. Artikuj të botuar në të përditshmen Rilindja. Këta artikuj janë botuar në vitin 1979, në të përditshmen Rilindja dhe paraqesin një vazhdimësi të informacioneve, të cilat i kanë parapri veprës së Ma. Qemal Morinës, të cilën sot e ka në dorë opinioni shqiptar. Këta artikuj janë në shërbim të njohjes së popullit shqiptarë në opinionin arab, jo vetëm për situatën politike por edhe për atë gjuhësore. Profesor Hasan Dada lidhur me gjuhën shqipe thotë: “Çështja e kësaj gjuhe të habit. Qëndroi me mijëra vjet si ishull gjuhësor në mes të dy popujve më të qytetëruar dhe perandorive më të mëdha…. kur motrat e saj janë qit në pluhurin e harresës, ajo dëgjohet në tokat shqiptare të Siujdhesës Ballkanike…[9]
Disa nga këto informata i gjejmë edhe në pjesën e parë.
Në pjesën e tretë, f. 153, vjen:
Shtojca 2. Faksimile të artikujve të botuar në “El-Ahram” dhe “Vekai Misrijje”.
Këtu jepen faksimilet e gazetave që ka hulumtuar autori i kësaj vepre. Me këtë ia shton vlerën shkencore kësaj vepre, sado që janë të ndara nga teksti i përkthyer në gjuhën shqipe.
Në fund, vjen Literatura, për të cilën mendoj se në rast ribotimi do të ishte mirë që autori Morina të ketë parasysh një radhitje më korrekte.[10] Gjithashtu ka mundësi që këtë literaturë ta pasurojë me informacione bibliografike të cilat i referohen pasqyrimit të ngjarjeve të Lidhjes shqiptare të Prizrenit në periodikun e kohës.[11]
Vepra e Ma. Qemajl Morinës, Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian 1878-1881, është një vepër e rrallë për studiuesit e historisë, sidomos për historianët e periudhës së gjysmës së dytë të shekullit 19, dhe jo vetëm për historianët.
Kjo vepër mund dhe duhet t`u shërbejë edhe qarqeve diplomatike shqiptare, sidomos sot kur në qendrat vendosëse botërore zhvillohet një aktivitet sikur ai i viteve 1878,[12] për zgjidhjen përfundimtare të statusit të Kosovës, nga e cila zgjidhje varet jo vetëm e ardhmja e popullit shqiptarë, por e tërë rajonit.
Përfundim
Unë shpresoj, dhe këtë shpresë e mbështes në potencialin hulumtues real që disponon sot Kosova, për këtë fushë, se institucionet shkencore e kulturore të Kosovës do të bëjnë më tepër se deri tash, për hulumtimin dhe vjeljen e kësaj lënde të çmueshme nga orienti për historinë kombëtare. Sot kur, vetëm në Kosovë, falë fryteve të orientalistikës shqiptare ka dhjetëra kuadro – e në hapësirën shqiptare ka edhe më shumë – është një obligim historik i këtij brezi, që hulumtimet në hapësirën arabe: Kajro, Liban, Damask e gjetiu, ku ka mbet i mbuluar nga pluhuri i historisë një pasuri e madhe për kulturën shqiptare, të mos i lejë në fatin e hulumtimeve individuale. Ma. Qemajl Morina me këtë vepër ka arrit që me një botim të veçantë nga kjo fushë të vejë një gurë i cili peshon rëndë në themelet e këtyre hulumtimeve, që është për lakmi dhe për urime. Institucionet kompetente të Kosovës, besoj se do të jenë më ekspeditivë dhe do të veprojnë në përputhje me rrethanat dhe detyrat që parashtrohen në këtë drejtim, ngase koha bën punën e vet. Për këto hulumtime duhen më shumë hulumtues. Botuesi, “Dituria Islame” që vepron në kuadër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës meriton çdo respekt për këtë realizim të suksesshëm. Mbetet të shpresojmë se kjo veprimtari nuk do të mbetet me kaq.
———————
Bibliografia:
[1] Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, I, Prishtinë, 1981, f. 405, Feti Mehdiu, Lidhja shqiptare e Prizrenit në Terxhuman-i Shark, fusnota 2.
[2] Ma. Qemal Morina, Lidhja shqiptare e Prizrenit në shtypin egjiptian, 2006, Prishtinë, f. 18. (në vazhdim vetëm: Ma. Qemal Morina, Lidhja…)
[3] Ky përcaktim është më i saktë nga arsyeja se në Egjipt janë botuar edhe gazeta në gjuhë të tjera.
[4] Shih: Ma. Qemal Morina, Lidhja…, f. 29, 53, 56, 116, etj.
[5] Po aty, f. 53.
[6] Krahaso faqe 13, me artikullin: Feti Mehdiu, Disa të dhëna të shtypit arab për Lëvizjen kombëtare shqiptare, Kosova, nr. 5, 1976, Prishtinë, f. 177, fus. 1., sipas të cilës duket se në faqe 13 është përvjedhur gabimisht viti 1875.
[7] Ma. Qemal Morina, Lidhja…, f. 18.
[8] Po aty, f. 37.
[9] Po aty, f. 140.
[10] Duhet respektuar radhitja sipas A-b-c-së, të cilën gjë autori, me siguri nga shpejtimi nuk e ka vërejtur.
[11] Ma. Qemajl Morina i referohet me shumë korrektësi veprës Konferenca shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. I, II, Prishtinë, 1981 dhe ka përmend disa nga ato kontribute, por do të ishte me interes sikur të evidentoheshin edhe kontribut: “Srpske novine” mbi Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Lëvizja Kombëtare Shqiptare në shtypin e Malit të Zi, Lidhja Shqiptare e Prizrenit në Terxhuman-i Shark, Jehona e Lidhjes së Prizrenit në të përkohshmet shqipe, 1878-1912, Trajtimi i autonomisë së Shqipërisë në shtypin kroat, dhe ndonjë tjetër që trajton tematikë të ngjashme me këto.
[12] Në zhvillimet e sotme ka një dallim thelbësor në raport me ato të para njëqindetridhjetë vjetëve. Asokohe ishin në skenë forcat me oreks gllabërues të trojeve shqiptare, kurse sot ka dashtë Zoti që të jenë në skenën politike botërore forca të cilat angazhohen për zgjidhjen e drejtë të problemit shqiptarë, me qëllim të korrigjimit të padrejtësive kundër shqiptarëve në të kaluarën dhe për hir të stabilizimit në rajon.