HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (7) 

STATUTI I LËVIZJES NACIONAL – ÇLIRIMTARE TË KOSOVËS

Neni I

Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës (LNÇK), lufton për çlirimin e të gjitha viseve shqiptare të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nanën Shqipëri, gjegjësisht për krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtarë. Për t’i realizuar këto qëllime të larta punon në përgatitjen e masave të gjera popullore, punëtore, fshatare dhe inteligjencien përparimtare (nga të cilat doli edhe vetë), që në momentin e duhur të ngrihet në mënyrë të organizuar në Luftën Nacional Çlirimtare, të realizojë qëllimet dhe dëshirat e përhershme të popullit shqiptar për të cilat lufton që nga kohërat e largëta në mënyrë të organizuar që nga Lidhja Shqiptare e formuar në Prizren, e udhëhequr nga heroi kombëtar, Abdyl Frashëri.

Neni II

LNÇK – ja është organizatë politike, patriotike dhe revolucionare e përkohshme, ashtu që me realizimin e qëllimeve të parapara me nenin I të këtij Statuti, si e tillë pushon së vepruari.

Neni III

LNÇK-në e udhëheqin Komiteti Qendror (KQ) i LNÇK-së dhe Komitetet e Qarqeve dhe Komitetet e Vendeve, të cilat janë të varura prej KQ-së të LNÇK-së.

Neni IV

Anëtar i LNÇK-së mund të jetë çdo shqiptar dhe shqiptare që e pranon këtë Statut, i plotëson kushtet e parapara me këtë Statut, e vë interesin e kombit mbi interesin e vet dhe të familjes dhe i përmbahet me përpikëri këtij Statuti.

Neni V

Anëtari i LNÇK-së  duhet ta japë betimin me këtë përmbajtje: “Betohem në Flamurin e Kombit Shqiptar dhe japë besën shqiptare se do t’i vë të gjitha aftësitë e mia fizike, mendore dhe morale në shërbim të LNÇK-së, e cila lufton për çlirimin e të gjitha trojeve shqiptare, të robëruara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Nanën Shipëri, gjegjësisht për krijimin e shtetit shqiptar brenda kufijve të vet kombëtarë. Do të jem shumë i lumtur në qoftë se e kam fatin dhe nderin me u flijua për çështjen e madhe të kombit tim “

Neni VI

Anëtari i LNÇK-së duhet të jetë i gatshëm t’i përgjigjet Lëvizjes në çdo kohë, në çdo vend, pa marrë parasysh të gjitha rreziqet që vijnë nga kryerja e asaj detyre dhe duhet gjithnjë të punojë, të mendojë dhe të jetojë me Lëvizjen.

Neni VII

Anëtari i LNÇK-së duhet të jetë konspirativ në çdo vend; për veprimtarinë e tij patriotike dhe revolucionare nuk bën të dijë askush, as familja më e ngushtë, as shoku më i ngushtë, që nuk është anëtar i LNÇK-së, ose që nuk mban lidhje direkte me të.

Neni VIII

Anëtari i LNÇK-së duhet të jetë i ngritur ideologjikisht dhe vazhdimisht të punojë për ngritjen ideologjike, duke studiuar historinë dhe letërsinë e popullit shqiptar, materialet e Lëvizjes dhe çdo gjë që botohet në Shqipërinë e lirë dhe të pavarur.

Neni IX

Anëtari i LNÇK-së duhet të punojë vazhdimisht për përgatitjen ushtarake duke lexuar literaturë ushtarake, gjatë ushtrimeve paraushtarake, gjatë kryerjes së obligimit ushtarak dhe në çdo mënyrë që i vjen përdore.

Neni X

Anëtari i LNÇK-së duhet të punojë në organizimin e anëtarëve të rinj. Personi, para se të pranohet si anëtar i LNÇK-së duhet t’i plotësojë këto kushte: 1. Të jetë shqiptar; 2. Anëtari i LNÇK-së, që e pranon anëtarin e ri, duhet ta njohë atë së paku tre vjet ose nëpërmes të ndonjë shoku që e njeh shumë më parë e në hollësi; 3. T’i ketë njëzet vjet e më tepër; 4. Të mos jetë ish-i dënuar për vepra politike (Kjo për ata që nuk kanë qenë të dënuar); 5. Të mos jetë emigrant nga Shqipëria.

Neni XI

Anëtari i LNÇK-së duhet të ndihmojë Lëvizjen edhe materialisht, sipas nevojave të Lëvizjes dhe mundësive të veta.

Neni XII

Anëtari i LNÇK-së duhet të jetë kritik dhe autokritik.

Neni XIII

Organ i LNÇK-së është “Zëri i Kosovës”.

Neni XIV

LNÇK-ja do të pranojë ndihma morale dhe materiale për të cilat do të jetë shumë mirënjohëse, por asnjë ndihmë të kushtëzuar nuk do ta pranojë.

Neni XV

Anëtari që tradhton LNÇK-në, në një mënyrë ose në një tjetër, vetveten e dënon me vdekje.

Neni XVI

Anëtari i LNÇK-së që kryen vepra brutale, si ndaj ndonjë personi të kombit të vet, ashtu edhe ndonjë pjesëtari të popujve të tjerë, duke i shkelur normat morale dhe etike të popullit tonë, dënohet sipas nenit 15 të këtij Statuti.

Neni XVII

Anëtari i LNÇK-së që vepron në ndonjë shtet tjetër, nuk bën t’i cenojë interesat e atij shteti. Në qoftë se e bën një gjë të tillë, dënohet sipas nenit 15 të këtij Statuti. 

——————-

Burimi: Selatin Novosella: Metush Krasniqi – personalitet unifikues i Lëvizjes Kombëtare, Prishtinë, 2011 f. 372/376.

Sqarim: Statuti i Organizatës Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, e cila, fillimisht, kishte vepruar si Lëvizja Nacional Çlirimtare e Kosovës, është marrë nga dr. Ethem Çeku, i cili atë e kishte marrë në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë, në sektorin F. 14 /AP KS, D I)

(VIJON)

© Pashtriku.org

_______________________________

HASAN UKËHAXHAJ: KOMITETI I DEÇANIT – LNÇKVSHJ (8)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura