Tiranë, 17. 06. 2013 – (Punimi i botuar nga Atkinson dhe Gray në revistën e njohur shkencore “Nature”, në vitin 2003) – Rilindja shqiptare e shekullit të nëntëmbëdhjetë u karakterizua nga një forcim i fuqishëm i ndjenjës së identitetit kombëtar, ndjenjë e cila u mbështet dhe me daljen në dritë asokohe të mjaft të dhënave të reja shkencore të karakterit historik dhe gjuhësor mbi origjinën e kombit shqiptar. Kontribut të veçantë në këtë fushë kanë dhënë studiues të njohur të asaj kohe si Thunmann, Hahn e të tjerë të cilët evidentuan origjinën ilire të popullit shqiptar si dhe origjinalitetin e gjuhës shqipe, duke u bazuar në radhë të parë në studimet mbi këtë gjuhë, si dhe në rizbulimin e shkrimeve të historianëve të antikitetit si Polibi apo Ptolemeu.
Pas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, studimet e mëtejshme gjuhësore dhe albanologjike të studiuesve shqiptarë dhe të huaj si Shuflaj, Xhuvani, Çabej, Demiraj e të tjerë pasuruan të dhënat shkencore mbi origjinën autoktone të popullit shqiptar, por gjithmonë duke u bazuar në metodat klasike siç janë studimet gjuhësore apo gjetjet arkeologjike. Por origjina indoeuropiane e shumicës së gjuhëve të kontinentit europian e bën deri diku të vështirë identifikimin e qartë të origjinalitetit të një gjuhe të veçantë duke pasur parasysh prejardhjen e largët të përbashkët të tyre. Po kështu, mungesa e dokumentimit të shkruar të gjuhës shqipe para shekullit të pesëmbëdhjetë vështirëson identifikimin e vazhdueshmërisë historike të saj.
Me gjithë kontributin historik të rilindësve tanë, si dhe të albanologëve të shquar vendas dhe të huaj, nuk kanë munguar studiues të tjerë, si Georgiev, Russu apo Shramm të cilët, bazuar në argumente të tjera gjuhësore dhe historike, kanë hedhur teza mbi një migrim të vonshëm të shqiptarëve në trojet ku ata jetojnë aktualisht. Në këtë kontekst paraqitet nevoja e evidentimit të fakteve dhe metodave të reja shkencore, të cilat do të shërbenin si argumente shtesë për vërtetimin e autoktonisë së popullit shqiptar në trojet e tij.
Trungjet e përbashkëta dhe degëzimet e veçanta të gjuhëve indoeuropiane, të punuar nga Atkinson dhe Gray.
Gjuha shqipe si një degë e veçantë në trungun e gjuhëve indoeuropiane
Studimi i origjinës së idiomave gjuhësore, duke përdorur programe kompjuterike të modeluara sipas metodologjisë të studimeve gjenetike, ka bërë të mundur që duke u nisur nga krahasimi i një numri prej të paktën 200 fjalësh bazë nga çdo gjuhë, të mund të përcaktohet pema e diferencimit të gjuhëve indoeuropiane. Ky punim, i botuar nga Atkinson dhe Gray në revistën e njohur shkencore “Nature”, në vitin 2003, arriti të evidentojë trungjet e përbashkët dhe degëzimet e veçanta të gjuhëve indoeuropiane dhe e ka përcaktuar gjuhën shqipe si një degë e veçantë në trungun e gjuhëve indoeuropiane, e cila është ndarë nga gjuhët e tjera të paktën 4000 vjet përpara.
Studimi vërteton origjinalitetin e gjuhës shqipe, por nuk rrëzon dot përfundimisht tezat e mohuesve të autoktonisë shqiptare që përpiqen të argumentojnë një migrim të vonshëm të shqiptarëve në trojet e tyre duke bartur me vete dhe gjuhën e tyre.
Në këtë aspekt, studimet e fundit imunogjenetike të kryer nga autorë shqiptarë mbi krahasimin e shumëllojshmërisë së gjeneve të sistemit gjenetik HLA midis popullatave shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe popullatave të tjera europiane (Sulcebe et al, në: International Journal of Immunogenetics, gusht 2009 dhe qershor 2012) kanë nxjerrë në pah fakte origjinale, të cilat hedhin një dritë të re mbi autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.
Sistemi HLA është një sistem gjenesh, të cilat drejtojnë përgjigjen imunitare të organizmit dhe që karakterizohen nga një shumëllojshmëri e madhe brenda species njerëzore në mënyrë të ngjashme me grupet e gjakut, por me një ndryshueshmëri qindra herë më të madhe. Kjo shumëllojshmëri është specifike për çdo popullatë, por njëkohësisht paraqet karakteristika të përbashkëta për rajone gjeografike të veçantë.
Të dhënat e mbledhura mbi shumëllojshmërinë e sistemit HLA në popullata të ndryshme janë të shumta, pasi ato kryhen dhe për qëllime studimore në fushën e transplantove, gjë që përbën një avantazh të këtij sistemi në krahasim me sisteme të tjera gjenetike për të cilat të dhënat janë më pak të plota.
Ato kanë bërë të mundur që nëpërmjet krahasimit të variabilitetit të shpeshtësive të gjeneve të sistemit HLA në popullata të ndryshme të llogariten dhe distancat gjenetike midis këtyre popullatave. Duke u nisur nga këto distanca është bërë i mundur krijimi i hartave gjenetike për të gjithë kontinentet dhe rajonet gjeografike të përfshira në ta.
Studimi i kryer me gjenet e sistemit HLA në popullatat shqiptare
Projekti HLA-NET në kuadrin e programit COST të Bashkimit Europian, ku marrin pjesë dhe kërkues nga vendi ynë, ka hartuar së fundmi harta të tilla për të gjitha rajonet e botës dhe në veçanti të Europës. Një karakteristikë e veçantë e këtyre hartave është fakti se distancat gjenetike midis popullatave janë përgjithësisht në përpjesëtim të drejtë me distancat gjeografike. Kjo duket qartë në Europë ku evidentohet një gradient vektorial i distancave gjenetike me drejtim veri-perëndim/juglindje, si dhe një dallim gjenetik i popullatave që kanë migruar nga Azia në Europë në veri të Alpeve nga ato poshtë Alpeve europiane. Del gjithashtu në pah fakti se si rregull, popullatat fqinje kanë afërsi më të madhe gjenetike në krahasim me ato më larg gjeografikisht.
Kjo vjen jo vetëm për arsye të përzierjeve gjenetike të zakonshme midis popujve të afërt, kushteve të përbashkëta klimatike dhe epidemiologjike, por dhe të historisë së përbashkët të migrimit dhe të formimit të kombeve fqinje. Këtu diferencohet populli bask i cili është më larg gjenetikisht në krahasim me popujt e tjerë fqinj gjë që i dedikohet historisë autoktone shumë të lashtë dhe jo indoeuropiane të tij.Nga studimi i kryer me gjenet e sistemit HLA në popullatat shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, të krahasuara këto me popullatat e tjera europiane dhe ballkanike, mund të nxirren shkurtimisht disa konkluzione interesante:
Së pari, distanca gjenetike midis dy popullsive shqiptare, asaj në Shqipëri dhe në Kosovë është e papërfillshme, provë kjo e unitetit gjenetik të popullit shqiptar kudo ku ai jeton.
Së dyti, në rajonin ballkanik diferencohen dy grupe popullatash kryesore: një grup i përbërë nga popullatat greke, shqiptare, bullgare dhe maqedonase, si dhe një grup tjetër ku marrin pjesë popullatat serbe, boshnjake dhe kroate. Popullatat që bëjnë pjesë në secilin nga këto dy grupe kryesore kanë një ngjashmëri shumë më të madhe brenda grupit se me çdo popullatë të grupit tjetër. Është interesant fakti se këto ndryshime të konstatuara në gadishullin ballkanik janë më të spikatura në krahasim me rajonet e tjera të Europës Qendrore, Veriore ose Veriperëndimore ku nuk vihen re diferencime të tilla megjithëse këto rajone shtrihen në sipërfaqe më të gjëra se rajoni ballkanik.
Së treti, midis popullatës shqiptare kosovare nga njëra anë dhe popullatës serbe nga ana tjetër, ndryshimet në distancat gjenetike janë të dukshme dhe statistikisht sinjifikative. Kjo shkon në kundërshtim me rregullin e përgjithshëm të lidhjes së ngushtë të distancave gjenetike me ato gjeografike siç vihet re dhe në hartën e Europës Qendrore dhe Juglindore ku tregohen distancat gjenetike të popujve të kësaj zone nga popullata kosovare që është përdorur si pikënisje në llogaritjen e këtyre distancave. Ndërsa pema filogjenetike e popujve të këtij rajoni e llogaritur nga distancat gjenetike midis tyre është hartuar nëpërmjet programit “Neighbor-Joining” në mënyrë të ngjashme kjo me programet kompjuterike të lartpërmendura që studiojnë diferencimin e gjuhëve duke i nisur nga ndryshimet midis fjalëve me të njëjtin kuptim të tyre.
Këto fakte shkencore të bazuara në studime gjenetike të kryera në ADN-në e popullatave aktuale mbështesin tezën e autoktonisë së shqiptarëve të ngritur fort nga të parët tanë rilindës. Lind pyetja legjitime: Mos vallë historia e pellazgëve si një popull i lashtë parahistorik në trevat ballkanike ka një bazë të vërtetë?
Kemi të drejtë të ngremë hipotezën se ndryshimet aktuale gjuhësore, kulturore apo fetare midis popullatave shqiptare, maqedonase dhe bullgare janë thjesht shtresëzime të mëvonshme dhe këto popuj kanë një substrat të lashtë të përbashkët gjenetik iliro-trakas? Ndoshta jo më kot si Maqedonia e Aleksandrit të Madh, ashtu dhe Epiri i Pirros, janë konsideruar nga të parët tanë si troje të paraardhësve të shqiptarëve të sotëm.
Fakte të reja shkencore, të bazuara në metodologjitë moderne të biologjisë molekulare
Nga ana tjetër, afërsia gjenetike e popullatave shqiptare me ato greke konfirmon autoktoninë e lashtë të këtyre dy popujve fqinjë në këto troje. Në qoftë se teoritë e “mohuesve të autoktonisë” mbi migrimin e vonshëm të shqiptarëve do të ishin të vërteta atëherë midis popullatave shqiptare dhe atyre greke ndryshimet gjenetike do të ishin të dukshme, ashtu siç ndodh me popullatën serbe.
Është interesant fakti se të dhënat e studiuesve shqiptarë janë konfirmuar së fundmi dhe nga një studim i kryer nga gjenetistë amerikanë (Ralph dhe Coop, Universiteti i Kalifornisë, korrik 2012). Këta studiues, duke përdorur gjithashtu metoda të biologjisë molekulare (të ndryshme nga sistemi HLA), kanë arritur në konkluzione të ngjashme me studiuesit shqiptarë.
Një impakt direkt dhe praktik i këtyre gjetjeve të reja është dobia e krijimit të regjistrave kombëtarë dhe ndërkombëtarë të dhuruesve të qelizave bazë gjakformuese, (staminale) si dhe të organeve për rajonin ballkanik. Duke pasur parasysh afërsinë gjenetike të popujve që banojnë në këtë rajon, këta regjistra do të ishin shumë të vlefshëm për të vënë në dispozicion të të sëmurëve që kanë nevojë për transplante, dhurues pa lidhje gjaku me ta, por të përshtatshëm nga ana imunogjenetike.
Ndërsa nga këndvështrimi i origjinës gjenetike të popullatave mund të themi pa hezitim se këto fakte të reja shkencore, të bazuara në metodologjitë moderne të biologjisë molekulare, si dhe në përdorimin e programeve të sofistikuara kompjuterikë konfirmojnë tashmë vërtetësinë e “thirrjes së të parëve” tanë rilindës mbi lashtësinë e gjuhës shqipe, si dhe autoktoninë e popullit shqiptar në trojet e tij.
– Autori është Shef i Shërbimit të Imunologjisë në QSUT “Nënë Tereza” në Tiranë