Pashtriku.org, 13. 07. 2013 – Cabinet of High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy and Vice-President Catherine ASHTON – (E nderuara Zonja Catherine Ashton, (Baronesh e Upholland-it të komunës Lancashire, Angli) – Më lejoni t’ju drejtohem me këtë letër të hapur si një qytetar i Europës së Bashkuar dhe në emër të diasporës shqiptare. Preokupimi im personal, i cili bashkohet me atë të shumicës së bashkombësve të mij, të shpërndarë në tërë teritoret e Europës dhe jashtë saj, ka të bëj me perspektivën akoma të paqartë të zgjidhjes së problemeve të kombit shqiptar, të cilat janë të trashëguara nga shekulli i kaluar si pasojë e qëndrimeve dhe vendimeve arbitrare të fuqive të mëdha europiane ndaj popullit tonë.
Duke qënë se vitet e fundit ju jeni implikuar aktivisht në politikën europiane dhe keni marr përsipër vendosjen e paqes në rajonin tonë dhe në mënyrë të veçantë zgjidhjen e konfliktit sërbo-shqiptar në Kosovë, më lejoni të besoj se i keni kryer detyrat dhe e keni pasuruar kulturën tuaj me njohuritë e nevojshme historike mbi këtë rajon, aq të lënduar dhe aq të ngarkuar me ngjarje makabre, ku viktimë e përhershme ka qënë populli ynë martir.
Ju informoj se unë, si shumë intelektualë të tjerë shqiptarë, e njoh mirë historinë e popullit tim, të vëndit tim. Kam lexuar dekretin e Sulltan Hamitit (1905 – 1908) për ndalimin e gjuhës shqipe dhe djegjen e librave të shkruara në gjuhën tonë. Vrasjet e shumta të mësuesave dhe priftërinjve shqiptarë të komanduara nga Patriarkana e Athinës në atë kohë. Kam lexuar dëshmitë e Edith Durhan (1908 – 1910) për mizorit sërbo-malazeze gjatë pushtimit të Malësis shqiptare në veri. Lexova para disa kohësh reportazhin e shkruar nga Trocki, publikuar në 1912, mbi masakrimin e shqiptarëve nga ushtria dhe hordhitë kriminele sërbe gjatë luftës ballkanike, ku përshkruhej në detaje mënyrën se si 250.000 viktima të pafajshme humbën jetën për të vetmen arsye se ishin shqiptar. Kam lexuar mbi spastrimin etnik të krahinave shqiptare në Nish (Kosove) dhe Greqi, ku qindra mijë shqiptarë u detyruan me forcë të lënë tokat e tyre dhe të shpërngulen në Turqi. Po kështu, lexova dokumente dhe kujtime për genocidin grek në tokat shqiptare të Çamërisë. Unë i kam të freskëta akoma kujtimet familjare për shpërnguljen tonë nga tokat e të parëve, nga qyteti im Filat (sot në Greqi). Fatkeqsisht as sot nuk e di ku ndodhen eshtrat e gjyshërve të mi, që tu vë një lule tek varri. Ndoqa nga afër më 1999 dëshmitë e refugjatëve kosovarë për krimet e bëra nga bandat kriminele sërbe, të cilat sot po doni tu jepni amnisti. Rrëfimet rrënqethëse të fëmijve që mbetën pa prindër, të cilët në vënd që të na këndonin për gëzimet e jetës, kënduan para nesh mallkime dhe vaje. Na treguan për kriminelat që jua hoqën të qeshurën fëminore dhe jua zëvëndësuan me lotë. Këto janë vetëm disa fakte që po i përmënd nga memorja, por nëse doni të dini të vërtetën ashtu siç është, pregatituni të lexoni biblioteka të tëra dhe tonelata me dokumenta që ju i ruani në arkivat tuaja akoma të pahapura.
Bismarku na quajti nocion gjeografik (1878), një grup diplomatësh në Londër (1913), vendosën të na ndajnë tokat në disa shtete fqinjë. Në Versaj (1919), fuqitë e mëdha vendosën të heshtin për shfarosjen e organizuar të kombit tim në tokat tona të dhuruara prej tyre fqinjëve tanë. Sot po këto shtete europiane po na ndalojnë të ëndërojmë për bashkimin e copave të mbetura të vëndit tim. Vetvetiu më lindin shumë pyetje për ju, ja vetëm disa prej tyre:
– Pse ju nevoitet dhe sa do vazhdojë kjo histori kaq e përgjakshme?
– Akoma nuk po e kuptoni se ne jemi një popull që mbijeton dhe nuk zhdukemi dot kollaj?
– A jeni e sigurt se do ketë paqe në Ballkan pa i mbyllur këto konflikte me drejtësi?
– Përse doni të krijoni plagë të reja, duke mos na përfillur dhe duke na diskriminuar si komb i marrë nëpërkëmb?
– Përse nuk doni të dëgjoni zërin e popullit shqiptar, që u ngrit i revoltuar kundër marveshjes tuaj dhe amnistimit të kriminelave?
– Përse na mohoni të drejtat që ju i gëzoni në vëndin tuaj?
– Pse na rekomandoni heshtjen, kur popuj të tjerë nuk pushojnë së foluri për fatkeqsitë e tyre historike dhe ju organizoni memoriale për to?
Do desha shumë të dëgjoja nga ju, se drejtësia nuk është specifike vetëm për ju dhe nuk ju takon juve në mënyrë ekskluzive. Ndërkohë me veprimet tuaja po thoni të kundërtën. Dua tju bëj thirrje, me këtë rast: – ndaloni së akuzuari indirekt viktimat shqiptare për faktet e kryera nga xhelatët e tyre. E drejta për të qënë Sovran i takon çdo kombi, prandaj mos krijoni konfuzion, duke barazuar pakicat etnike me shumicën dërmuese të një populli, që jeton në tokat e tij stërgjyshrore. Sinqeritetin që ju ja rekomandoni të tjerëve, duhet ta aplikoni vet përpara, përndryshe askush s’do ju besoj.
Ju quani sukses marrveshjen Daçiç-Thaçi (19 Prill 2013), e instrumentuar pikërisht nga ju, por protestat e popullit në Kosovë treguan gjë tjetër. Nëse një qeveri e koruptuar pranon diktatin tuaj, mos kujtoni se kjo vlen dhe për popullin e saj. Pse kaq privilegje për shtetin e Sërbisë në dëm të popullit shqiptar? Kaq nevojë të madhe dhe urgjente e keni të merrni në gjirin tuaj këtë klikë kriminele, e cila bashkëpunoi me Millosheviçin, dhe sot nuk pranon as tu kërkoj falje popujve, viktimave të tyre? Cili është qëllimi i juaj final dhe i atyre, që ju përfaqsoni, lidhur me të ardhmen e popullit tonë që akoma s’ka shëruar plagët e vjetra dhe shumë të reja po i hapni?
E nderuara zonjë, më lejoni t’ju transmetoj opinionin, jo vetëm timin personal, se ndërhyrja juaj në historinë aktuale të popullit tonë nuk do mbetet pa pasoja dhe ju duhet të jeni e ndërgjegjëshme dhe përgjegjëse për këtë. Dua tju kujtoj se ju po luani me fatin e një populli, duke i shkatuar fatkeqsi në ardhmëri. Duke konservuar padrejtësitë dhe arbitraritetet historike ndaj popullit tonë, ju po hyni në faqet e zeza të memorjes tonë kolektive. Shqetësimi juaj falls dhe i përkrahësve tuaj, për të drejtat e kontrabandistave sërb dhe amnistia që ofroni ndaj krimit të organizuar në rajonin e Mitrovicës, dëshmon se sa të pasinqert jeni ndaj popujve të vegjël dhe na tregoni me këtë mënyrë, se sa të diskriminuar do jemi ne, po të guxojmë ti bashkohemi strukturës tuaj politike europiane.
Këshilla ime është të mos dëgjoni vetëm politikanët e koruptuar shqiptar, por të masni rahjen e pulsit të masave të gjëra të popullit tonë, i cili sa vjen dhe po bëhet më i ndërgjegjshëm ndaj manipulimit që po ndodh në politikën europiane, dhe ju po e drejtoni atë. Ky qëndrim diskriminues pseudo-europian, që po mbani ndaj çështjes shqiptare, do ketë për pasoj efektin bumerang. Zellit tuaj politik, për të mos marrë parasysh kërkesat e natyrshme të kombit shqiptar, për të ndërhyrë në vazhdimsi me arbitraritet dhe duke diktuar zgjidhje të momentit, të cilat ruajnë statukuonë e konflikteve, ne do i përgjigjemi me rezistencë dhe protesta në rritje, duke demaskuar demagogjinë që ju përfaqsoni.
Shpresoj që mandati juaj në politikën europiane të përfundoj sa më shpejt, në mënyrë që dëmi që ju po na shkaktoni të jetë sa më i pakët. Njëkohësisht, shpresoj që interesat gjeo-strategjike apo ekonomike të fuqive të medha, të cilat ju po mbroni, të kthejnë kahjen dhe të mos drejtohen në vazhdimsi kundër kombit të lashtë shqiptar. Dëshiroj të shpresoj gjithashtu, se dikur paqja në Ballkan do vendoset, por vetëm pasi të zgjidhen drejt problemet e ngurtësuara të shkaktuara jo nga ne, por nga paraardhësit tuaj, dhe të cilat ju me kokfortësi po mundoheni ti përjetsoni.
Ju lutem mos më gjykoni me standartin tuaj prej politikani, kujtoni që dikur keni qënë dhe ju si mua, njëri i thjeshtë pa poste dhe obligime, pjestare e popullit tuaj. Mundohuni të gjykoni simbas ndërgjegjes tuaj të pastër, nëse e keni ruajtur akoma atë. Para se të jepni një opinion për këtë letër që po ju drejtoj, vihuni në vëndin tim, dhe pranoni se egziston dhe mendimi ndryshe nga pozicioni i juaj zyrtar. Sot unë, duke qënë në prag të pensionit dhe larg vëndit tim, i përmalluar dhe i hidhëruar pamasë, po ju ndjek nëpërmjet internetit me vëmëndje, në çdo hap që bëni në dëm të kombit tim. Ju siguroj se nuk do të hesht sa të kem jetë.
Së fundi, unë e di se jeni në pozicion të vështirë dhe nuk shihni një rrugëdalje të situatës, prandaj po ju ofroj një zgjidhje të ndershme: Jepni dorheqjen, kthehuni nga keni ardhur, që të shpëtoni atë çka ka mbetur nga zonja fisnike Ashton e dikurshme, para se të merrnit përsipër pazarllëqet politike pan-europiane. Besoj se keni grumbulluar para mjaftueshëm nga rroga e majme, me të cilën jeni shpërblyer këto vite, ku kam kontribuar dhe unë me taksat që kam paguar.
Nuk ma bën zëmra tju uroj suksese, por si njëri, ju uroj shëndet të mirë dhe pension të rehatshëm.
Dr.Eng.Perparim Demi
Bukuresht – 08. 07. 2013