AHMET QERIQI: TË BURGOSURIT POLITIKË, KËTA DINJITARË TË LIRISË QË KANË MBETUR NË MËSHIRË TË KOHËS!

Prishtinë, 31. 10. 2012 – (Skandaloze: 90% e të burgosurve politikë i përkasin klasës së varfër!) – Të burgosurit politikë janë idealistë të përjetshëm, janë dinjitarët e lirisë, të cilët morën pjesë në të gjitha lëvizjet çlirimtare të kohës. Ata, me jetën dhe veprën e tyre e kanë mbajtur gjallë aspiratën për liri e bashkim, me qëndrimin e tyre të paepur kanë hapëruar guximshëm drejt lirisë, duke mos kursyer asgjë, madje as jetën e tyre. Liria dhe pavarësia e Kosovës ishte aspirata e tyre, e cila në një masë edhe është realizuar, falë, në radhë të parë, kontributit të tyre dhe të gjitha shtresave liridashëse të vendit.
1. Të burgosurit politikë,…
Të burgosurit politikë, sintagmë me të cilën identifikohen veprimtarët e rezistencës aktive kombëtare në Kosovë e më gjerë, idealistët dhe luftëtarët për lirinë e Kosovës dhe bashkimin e trojeve etnike, janë kategori e veçantë sociale, e cila në vazhdimësi është lënë dhe ende po lihet jashtë trajtimit institucional. Edhe tani, 13 vjet pas çlirimit të Kosovës dhe 4 vjet pas shpalljes së pavarësisë, kjo kategori e dinjitarëve të lirisë ka mbetur në mëshirë të kohës, larg ndihmesës dhe trajtimit meritor, për vitet e tyre të rënda dhe me pasoja të thella shëndetësore, që kanë kaluar gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Fajtorë, për këtë gjendje të tyre të rëndë e të vështirë, e cila vështirësohet dita ditës për shkak të moshës dhe viteve që po ikin, janë Qeveria e Kosovës, Presidenca dhe Kuvendi, sepse këto tri institucione nuk do të ishin kështu si janë dhe këtu ku janë pa kontributin e të burgosurve politikë, pa luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pa derdhjen rrëke të gjakut për liri.
Edhe pse Kuvendi ka aprovuar ligjin për zhdëmtimin e të burgosurve politikë, fakti se fillimi i realizmit të projektit është lënë pa afatizim të caktuar, tregon një papërgjegjësi të pafalshme të zyrtarëve, që janë të ngarkuar për ta realizuar këtë projekt.

Më 11 shtator 1945, Prokurori Publik i Kosovës e Metohisë Ali Shukriu ka ngritur një aktakuzë “Nr.P.99/45” kundër anëtarëve të “KNDSH’së” në Prizren me rrethinë, ndërkaq nga data 20 -27 shtator 1945 në Gjykatën Popullore Krahinore në Prizren u zhvillua një proces gjyqësor. Kryetar i trupit gjykues ishte Hivzi Sylejmani, anëtarë: Kolë Shiroka dhe Qamil Brovina, ndërsa sekretar i këtij procesi ishte caktuar Mustafa Biqaku. Ky trup gjykues, në emër të “popullit të Jugosllavisë” i shpalli fajtor, për “…tradhëti ndaj popullit dhe atëdheut…”: Halim Spahiun, Tahir Dedën, Rexhep A. Kabashin, Rifat Krasniqin, Sefidin Ahmetin dhe Kajtaz Ramadanin, të cilët u denuan me VDEKJE – PUSHKATIM, ndërkaq anëtarët tjerë të kësaj organizate u denuan me burgim të rëndë prej 1 – 17 vjet. (Kryeredaktori i pashtriku.org)

………………………………………………

Në të gjitha vendet ku kanë sunduar regjimet komuniste e diktatoriale, të dënuarit dhe të persekutuarit për bindje politike janë zhdëmtuar në forma të ndryshme materiale e financiare, por në Kosovë ende nuk ka lëvizur asgjë në këtë drejtim, në radhë të parë për shkaqe burokratike e oportuniste.
Shkaktarë për ngecjen e këtij procesi janë edhe të burgosurit politikë, të cilët me tërheqjen dhe mungesën e imponimit, e cila lidhet me respektin që ata kanë për lirinë e Kosovës dhe institucionet e saj, nuk janë fare të zëshëm për realizmin e kërkesave të tyre, ndërsa ishin tejet të zëshëm në kërkesat e tyre kundër shfrytëzimit kolonialist të Kosovës dhe në luftë për çlirim nga robëria, ku ata nëpër burgjet me famën më të keqe të Jugosllavisë, kanë lënë vitet më të mira të jetës së tyre dhe ku kanë marrë sëmundje e dëmtime të shëndetit, me pasoja të rënda për ardhmërinë e tyre jetësore.
Institucionet duhet të kenë para sysh gjendjen e të burgosurve dhe nuk duhet të lejojnë që ata, kërkesat e tyre të drejta t’i realizojnë përmes presionit, në rrugë, me protesta, sepse protesta e tillë do të ishte fyerja më e rëndë që do t’ iu bëhej institucioneve, të cilat mjerisht në shumë raste janë treguar imunë ndaj kërkesave të ligjshme të veteranëve të luftës, të pensionistëve e kategorive të tjera sociale, të patrajtuara apo të pak trajtuara.
Të burgosurit politikë janë idealistë të përjetshëm, janë dinjitarët e lirisë, të cilët morën pjesë në të gjitha lëvizjet çlirimtare të kohës. Ata, me jetën dhe veprën e tyre e kanë mbajtur gjallë aspiratën për liri e bashkim, me qëndrimin e tyre të paepur kanë hapëruar guximshëm drejt lirisë, duke mos kursyer asgjë, madje as jetën e tyre. Liria dhe pavarësia e Kosovës ishte aspirata e tyre, e cila në një masë edhe është realizuar, falë, në radhë të parë, kontributit të tyre dhe të gjitha shtresave liridashëse të vendit.
Kosova, në krahasim me numrin e banorëve, ka pasur më së shumti të burgosur politikë nga të gjitha vendet e Evropës. Sot, në Kosovë jetojnë mijëra të burgosur të moshës prej 35 deri në 90 vjet dhe asnjëri prej tyre nuk është zhdëmtuar, as është trajtuar në raste të sëmundjeve të rënda, apo intervenimeve kirurgjike, për veç në raste të caktuara kur këta të burgosur ka rastisur të jenë zyrtarë të lartë nëpër institucione.

……………………………………………………….

Sipas një analize që kam bërë, duke u bazuar në të dhëna të publikuara të herë pas hershme në shtyp dhe në medie, duke komunikuar me ish të burgosur, kam arritur në përfundim se vetëm 10 % e familjeve të të burgosurve politikë i përket klasës së kamur, të mesme, ndërsa rreth 90% i përket klasës së varfër, në këtë mes një përqindje e tyre i përkasin edhe varfërisë ekstreme, e cila jeton me ndihma sociale, 85 euro në muaj.
Një numër krejt i vogël i të burgosurve bën pjesë në institucionet qendrore dhe vetëm tre prej tyre janë kryetarë në komuna: Shukri Buja në Lypjan, Smajl Latifi në Rahavec dhe Rasim Selmanaj në Deçan. Përveç kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi, ish i burgosur politik, në Kuvend janë edhe 13 deputetë nga radha e të burgosurve: Azem Syla, Adem Grabovci, Nait Hasani, Ahmet Isufi, Xhavit Haliti, Njazi Idrizi Rexhep Selimi, Albin Kurti, Flora Brovina, Hydajet Hyseni, Ilmi Reçica, Halit Krasniqi, Ramiz Lladrovci. Në Qeverinë e Kosovës, bën pjesë vetëm një i burgosur politik, ministri i Arsimit, Ramë Buja dhe dy-tre zëvendësministra.
Një numër i të burgosurve politikë punon në arsim, në shëndetësi dhe në administratën shtetërore, ndërsa shumica dërrmuese mbijeton duke punuar punë të ndryshme, në firma afariste, në punë bujqësie, në sigurim objektesh, punë krahu etj. Një pjesë e konsiderueshme e të burgosurve politikë jeton në mërgatë. Ata nuk ballafaqohen me probleme ekonomike, por kanë probleme dhe dilema të tjera ekzistenciale, meqë bijtë dhe bijat nuk iu kthehen në Kosovë, ndërsa ata tërë jetën ia kanë kushtuar Kosovës dhe çlirimit të saj. Familjet e tyre ballafaqohen me asimilim të qetë dhe gradual, në vendet ku jetojnë.
Disa të burgosur politikë vuajnë nga sëmundje të ndryshme kronike, si pasojë e qëndrimit të gjatë nëpër burgje, në izolim shumëvjeçar dhe në trajtim special. Gjendja e tyre nga viti në vit përkeqësohet në mungesë të trajtimit adekuat mjekësor dhe në mungesë të mjeteve financiare për trajtim shëndetësor. Shumica syresh ballafaqohen me sëmundje kardiovaskulare, të mushkërive, sëmundje të veshkave, disa syresh me trauma dhe sëmundje shpirtërore.
Disa dhjetëra të burgosur politikë, për shkak të pasojave nga burgu, edhe pse kanë krijuar familje pas lirimit nga burgu, nuk kanë trashëgimtarë. Ata nuk kanë as mundësi materiale për intervenime speciale mjekësore në këtë drejtim, meqë intervenimet e tilla janë të kushtueshme.
Nuk është i vogël numri i të burgosurve politikë, të cilët asnjëherë nuk janë pranuar në punë dhe aktualisht jetojnë me ndihma sociale.
Shoqëria jonë deri tani nuk ka ndarë bursa apo kredi shkollimi për fëmijët e të burgosurve politikë.
Kjo kategori sociale duhet të zhdëmtohet sa më parë.
Nuk duam të besojmë se zvarritja bëhet me qëllim që disa preja atyre, që janë të moshuar të vdesin dhe në këtë mënyrë të kursehet buxheti i Kosovës. Nuk duhet harruar faktin se kanë kaluar 13 vite prej çlirimit të Kosovës dhe ne e dimë sa ish të burgosur kanë vdekur gjatë kësaj periudhe kohore. Nëse, për shkaqe burokratike lejohet të pritet edhe për 10 vjet të tjera, sikur po ndodh në Shqipëri, atëherë edhe zhdëmtimi e humb kuptimin e vet, por jeta dhe sakrifica e tyre për lirinë e Kosovës, kurrë nuk do të humbet. Ajo do të mbetet si mallkim historik në ndërgjegjen a atyre që kanë pasur mundësi të bëjnë diçka për ta dhe nuk kanë bërë.

……………………………………………………

2. Pjesëmarrja e të burgosurve Politikë në formimin e konsolidimin e grupeve ilegale
Pavarësisht dilemave se kush e formoi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, është i ditur dhe i pamohueshëm fakti se të gjitha lëvizjet çlirimtare qysh prej themelimit të NDSH-së e deri të UÇK-ja i kanë themeluar dhe i kanë drejtuar idealistët, të burgosurit politikë, të cilët nuk i theu burgu por i kaliti shpirtërisht (përveç në raste të veçanta). Prej vitit 1963 kur filloi veprimtarinë LRBSH-ja në krye me idealistin, Adem Demaçi, i cili asokohe sapo ishte liruar nga burgu e deri te UÇK-ja, kreu i Lëvizjes në të gjitha etapat e rezistencës aktive ka qenë nga radhët e të burgosurve politikë. Po përmendim vetëm disa emra veprimtarësh të njohur, drejtues të organizatave atdhetare çlirimtare si: Adem Demaçi, Fazli Graiçevci, Ramadan Shala, Ahmet Haxhiu, Metush Krasniqi, Rexhep Abdullahu, Kadri Halimi, Ali Aliu,Hazir Shala, Azem Beqiri, Kadri Osmani, Selman Berisha, Hilmi Rakovica, Osman Dumoshi, Kadri Kusari, Sabri Novosella, Xhafer Shatri, Hydajet Hyseni, Gani Syla, Jakup Krasniqi, Mehmet Hajrizi, Nezir Myrtaj, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zijah Shemsiu, Shaban Shala, Gani Koci, Ali Lajçi, Murat Musliu, Bajram Kosumi, Salih Lajçi, Selman Lajçi, Martin Çuni, Rexhep Maqedonci, Fehmi Lladrovci, Ismail Haradinaj, Hasan Ukëhaxhaj, Afrim Zhitia, Fahri Fazliu, Bahri Fazliu, Bajrush Xhemajli, Kadrie Gashi, Ajshe Gjonbalaj, Gjylë Krasniqi, Saime Isufi, Myrvete Dreshaj, Rifat Kafexholli, Halil Alidemaj, Remzi Ademaj,Behajdin Allaçi, Myslim Dobruna, Fadil Vata, Çerkin Peci, Abdullah Tahiri, Ali Ajeti, Emin Krasniqi, Nazmi Hoxha, Basri Musmurati, Xhemajl Fetahu, Ramadan Pllana, Jashar Salihu, Mustafë Shyti, Ruzhdi Hajdini, Muhamet Rugova, Njazi Kadriu, Halil Selimi, Isa Demaj, Zymer Neziri, Skënder Ibishi, Hysen Gega, Jashar Aliu, Behxhet Shala, Gani Krasniqi, Bilall Kryeziu, Meriman Braha, Afrim Morina, Adem Salihaj e shumë të tjerë, që u dënuan si drejtues të grupeve militante me kërkesë për çlirim dhe bashkim kombëtar.

……………………………………………………………

3. Të përndjekurit politikë
Në mesin e veprimtarëve që kishin rënë ndesh me regjimin okupator, ose që kishin vepruar ilegalisht për krijimin e grupeve të rezistencës shquhen edhe shumë idealistë, të cilët në një moment të caktuar ishin larguar nga Kosova, jo për të shpëtuar veten, por për të vazhduar aktivitetin në shtetet demokratike të Evropës, ku ata vepronin dhe e manifestonin hapur qëndrimin e tyre politik. Në këto radha qysh në vitet 70 të shekullit të kaluar janë shquar: Kadri Zeka, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Ibrahim Kelmendi, Sabri Novosella, Xhafer Shatri, Hysen Gega, Ramadan Pllana, Avdullah Prapashtica, Agron Rrahmani, Emrush Xhemajli, Fahredin Tafallari, Hasan Mala, Kadri Abdullahu, Skënder Durmishi, Gafurr Elshani, Zijah Shemsiu, Sami Kurteshi, Xhavit Hoxha, Fazli Veliu, Azem Syla, Pleurat Sejdiu, Mustafë Xhemajli, Saime Isufi, Jashar Salihu, Agim Mala, Muamer Shabani, Hasan Mala, Bilall Sherifi, Ramadan Avdiu, Sabri Kiçmari, Ali Ahmeti, Halil Selimi, Xheladin Gashi, Ibish Neziri, Bardhyl Mahmuti, Nufri Lekaj, Rexhë Ibërdema, Sahit Krasniqi, Hasan Ukëhaxhaj, Murat Jashari, Kadri Rexha, Shaqir Shaqiri, Mehmet Bislimi, Shefit Xhaferi e të tjerë. Më gjerësisht shfleto “Historiku i LPK-së”.
( Sqarim. Është shumë e gjatë lista e drejtuesve të grupeve ilegale, ndërsa për këtë shkrim të shkurtër kam shënuar emrat e disa prej udhëheqësve të grupeve. Në shkrimin e zgjeruar, do të shënohen të gjithë udhëheqësit e grupeve patriotike në Kosovë.
4. Të burgosurit politikë pjesëtarë të Lëvizjes Paqësore
Edhe në Lëvizjen pacifiste të Ibrahim Rugovës, të burgosurit politikë i kanë ndërtuar imazhin kombëtar e politik kësaj lëvizjeje, e cila, në vitin 1989 me rastin e fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, ishte konvertuar nga ish Lidhja Komuniste Jugosllave në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Inkuadrimi në radhët e kësaj partie i të burgosure politikë u bë një kohë të gjatë pas themelimit, meqë në vitin e parë të themelimit ishte përjashtuar mundësia që të burgosurit të bëheshin pjesëtarë të kësaj lëvizjeje. Duke qenë se kreu i saj vepronte mbi platformën e një Lëvizjeje të përgjithshme të shqiptarëve të Kosovës, disa të burgosur politikë, të cilët asokohe po liroheshin nga burgjet iu bashkuan kësaj partie, e cila, në parim ishte e hapur për të gjitha shtresat ideologjike, madje edhe për të gjitha komunitetet e Kosovës, meqë kishte programin e një partie qytetare. Në momentin e caktuar, kur dalja publike e UÇK-së, në vitin 1997, sfidoi LDK-në dhe politikën e ashtuquajtur paqësore, të burgosurit politikë u larguan, disa syresh edhe u dëbuan nga radhët pacifiste. Një pjesë prej tyre iu bashkuan radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke u bërë pjesë e krahut politik, por edhe ushtarak të luftës. Nga radhët e të burgosurve politikë janë shquar për kontributin e tyre, në drejtim të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe aktiviteteve të tjera politike e shoqërore: Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Selatin Novosella, Skënder Kastrati, Ramë Buja, Isa Kastrati, Jakup Krasniqi, Adil Pireva, Ali Lajçi, Hysen Abazi, Gani Koci, Zenun Gjoci e të tjerë.

………………………………………………..

5. Të Burgosurit Politikë pjesëmarrës në aksionin e Pajtimit të Gjaqeve (2 shkurt 1990 – 17 maj 1992)
Edhe në Aksionin për Pajtimin e Gjaqeve, i cili ka vepruar prej 2 shkurtit të vitit 1990 deri më 17 maj të vitit 1992, dhe të cilin e ka iniciuar profesori i nderuar, Anton Çetta, kanë marrë pjesë emra të njohur të Lëvizjes së rezistencës, ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë e më gjerë. Ata me kredibilitetin e tyre, qëndrimin që kishin mbajtur nëpër burgje kundër regjimit okupator, treguan gatishmëri t’ i përgjigjeshin atij aksioni, i cili kishte për qëllim të pajtonte familjet shqiptare, që ishin në armiqësi për shkak të vrasjeve e apo zënkave të ndryshme.
Në këtë aksion, nga të burgosurit politikë kanë marrë pjesë: Sami Peja, Muhamet Pirraku, Zymer Neziri, Ramadan Shala, Afrim Morina, Sherif Konjufca, Avdi Kelmendi, Selatin Novosella, Ali Lajçi, Myrvete Dreshaj, Selman Lajçi, dëshmor, Sali Lajçi, Brahim Dreshaj, Hysen Dreshaj, Isë Nikçi, Adem Salihaj e shumë të tjerë.
6. Pjesëmarrja e të burgosurve Politikë në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës, më vonë LPK-ja përbëhej kryesisht nga të burgosurit politikë, të cilët për t’ i ikur represionit të regjimit serb kishin migruar në vende të ndryshme të Evropës dhe vepronin ilegalisht. Nga bërthama e parë e UÇK-së në grupin e Drenicës, disa prej të cilëve kanë mbajtur burg, ndërsa shumica janë dënuar në mungesë me komandantin legjendar, Adem Jashari janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar nga regjimi i Milosheviqit: Adem Jashari, Ilaz Kodra, Besim Rama, Avni Nura, Jakup Nura, Fadil Kodra, Nuredin Lushtaku, Rafet Rama, Sami Lushtaku, Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Sahit Jashari, Zenun Kodra, Ali Januzi dhe Idriz Asllani, të gjithë të dënuar me burg në kohëzgjatje prej 10 deri në 20 vjet burg).( PP. nr. 139/96 nga data 4. 10.1996 me datën 6.10. 1996).
Në luftën e UÇK-së, në organizimin dhe konsolidimin e radhëve, nga mesi i të burgosurve politikë janë shquar: Azem Syla, Komandant i SHP të UÇK-së, Jakup Krasniqi, Zëdhënës i SHP të UÇK-së, Adem Demaçi, zëdhënës i Përgjithshëm, zyra e UÇK-së, në Prishtinë, Ramë Buja, anëtar i SHP të UÇK-së, Idriz Hyseni, shef i Logjistikës në SHP të UÇK-së, Sokol Dobruna, sektori i Drejtësisë, SHP i UÇK-së, Fehmi Lladrovci, dëshmor, Komandant i Zonës Operative së Drenicës, Shukri Buja, komandant i Zonës Operative të Neredimes, Naim Maloku, anëtar i SHP të UÇK-së, Shaban Shala anëtar i Shtabit në Drenicë dhe shef i Drejtorisë së Informimit, Ferat Shala, komandant në njësitin Pëllumbat, në Drenicë, Remzi Ademi, dëshmor, i emëruar Komandant i Zonës Operative të Pashtrikut, Qamil Ilazi, (dëshmor), komandant i Brigadës 162, “Agim Bajrami”, Zona Operative e Neredimes, Salih Lajçi Komandant i Brigadës “Rugova”, Selman Lajçi, (dëshmor), Avdullah Tahiri (dëshmor), Ahmet Isufi, Shemsi Syla dhe Hilmi Ramadani në Zonën Operative të Karadakut, Isa Kastrati, Rrahman Dini, Nexhmi Llumnica, ( të tre dëshmorë) në Zonën Operative të Llapit, Sadik Halitjaha, në Zonën Operative të Pashtrikut, Mehë Uka (dëshmor) në Zonën Operative të Shalës, Fitim Selimi, mjek i luftës në Zonën e Pashtrikut. Et-hem Çeku, epror në Zonën Operative të Dukagjinit, Sejdi Veseli, epror i Brigadës 153 në Zonën Operative të Llapit e të tjerë.
Kanë ndihmuar luftën me logjistikë dhe janë angazhuar prej shtabit mu për këtë qëllim: Basri Musmurati, Selatin Novosella, Skënder Kastrati, Isë Kastrati, (dëshmor) dhe disa të ish-burgosur të tjerë.
7. Të burgosurit politikë, gazetarë dhe reporterë të luftës:
Me rastin e themelimit të Radios-Kosova e Lirë dhe të Agjencisë Kosovapres, nga SHP i UÇK-së, më 13 nëntor të vitit 1998, në këtë dy institucionet të rëndësishme informative janë inkuadruar:
Ahmet Qeriqi, përgjegjës i Radios Kosova e Lirë, Nezir Myrtaj, redaktor dhe komentues i zhvillimeve politike, Martin Çuni, redaktor dhe reporter në terren, Nusret Pllana, folës, zgjedhës i muzikës dhe fotoreporter, Berat Luzha, përgjegjës i Agjencisë Kosovapress, Ismet Sopi, reporter e TVSH-së dhe i agjencisë Kosovapress, Isa Krasniqi, përgjegjës i teknikës, Qemal Aliu, gazetar, Kosovapress.
Reporterë dhe gazetarë të luftës në 7 zonat operative nga radhët e të burgosurve politikë: Xhavit Bajraktari, (dëshmor), Hyrë Emini, (dëshmore), Sheqir Zeneli, Besim Baraliu, Ilaz Kadolli, Murat Musliu, Gani Koci, Sabit Gashi, Salih Lajçi, Ismet Cakiqi, Shemsi Syla, e të tjerë.

Në Kampin e Goli Otokut – Korrik 1984:
Nga e djathta në këmbë: Muhamet Krasniqi, Ilaz Selmani, Fatmir Zekolli, Shemsi Leci, Naser Selimi, Fatmir Ahmetaj, Ibrahim Kryeziu dhe Skënder Hyseni. Nga e djathta ulur: Nazmi Shaqiri, Remzi Lushi, Afrim Bllacaku, ? Qafleshi, Ismail Kryeziu, Nexhmedin Kelmendi, Et’hem Çeku, dhe Xhavit Mustafa. Të shtrirë: Bedri Tupella dhe Sheradin Berisha.

……………………………………………..

8. Dëshmorët e UÇK-së, pjesëmarrës të demonstratave të vitit 1981 dhe të dënuar politikisht
Në biografitë e dëshmorëve të kombit, prezantuar në 14 vëllimet e botuara deri tani të monografisë “Feniksët e lirisë” vërehet se një pjesë e madhe e dëshmorëve, të cilët në vitin 1981 kanë qenë pjesëmarrës në demonstrata e protesta, prej moshës 17 vjeçare e më të moshuar, kanë rënë me armë në dorë në frontet e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mesin e të rënëve ka edhe shumë dëshmorë të cilët kanë mbajtur vite të tëra në burgjet e ish-RSFJ-së, por edhe pas shpërbërjes së saj. Ky fakt jep për të kuptuar se në vitin 1981 ishte kalitur ideja e rezistencës aktive dhe ata të rinj, që asokohe kishin marrë pjesë në demonstrata dhe kishin bartur mbi supe dhunën e represionin barbar serb, jo vetëm që nuk ishin penduar, jo vetëm që nuk kishin ndërruar bindjet e tyre, por e kishin përforcuar bindjen se vetëm me armë dhe kundërvënie të përgjithshme e të fuqishme mund të dëbohej nga Kosova regjimi shtypës e kolonizator i Beogradit. Përveç kësaj, shumica dërrmuese e të rënëve për çlirimin e Kosovës u përket familjeve atdhetare, mbi të cilat ishte ushtruar represion sistematik nga regjimi okupator jugosllav, si në aksionin e armëve të vitit 1955-1956, në demonstratat e vitit 1968, 1981 dhe më vonë në vitin 1989, 1990.
Nga radhët e të burgosurve politikë, gjatë luftës së UÇK-së, të prezantuar në monografinë “Feniksët e lirisë” (2-14), kanë rënë në altarin e lirisë:
Adem Jashari (i dënuar politik), Abdylgafurr Luma, Avdullah Tahiri, Agim Bajrami, Agim H. Ramadani, Agron Rrahmani, Agush Gjoci, Ahmet Hoxha, Ahmet Kaçiku, Asllan Fazliu, Avni Saraçi, Bahri Fazliu, Bajram Sylejmani, Behajdin Allaçi, Beqir Meha, Danush Kurtaj, Dritan Zeneli, Elez Geci, Eset Maloku, Faik Ukëhaxhaj, Fehmi Lladrovci, Gafurr Loku, Gursel Sylejmani, Hamdi Sejdiu, Haradin Bajrami, Harun Aliu, Haxhi Haxha, Hyrë Emini, Ibrahim Oruçi, Ilir Konushevci, Imer Alushani, Imer Krasniqi, Imer Shala, Isa Havolli, Isa Kastrati, Jakup Agushi, Jetë Hasani, Jetullah Islami, Kadri Kokollari, Mejdi Dalloshi, Maxhun Berisha, Mehdi Bytyçi, Mehmet Mustafa, Mustafë Llapashtica, Mustafë Shyti, Nagip Cacaj, Nexhmi Llumnica, Njazi Azemi, Qamil Ilazi, Remzi Ademaj, Remzi Demolli, Rexhë Qorraj, Rrahman Tafa, Sejdi Sejdiu, Sejdi Shala, Selman Lajçi, Shaqë Avdia, Shaqir Berisha, Skënder Maraj, Smajl Jashari, Sokol Elshani, Tefik Raka, Tefik Zymberi, Ujkan Nikçi, Xhavit Bajraktari, Xhemajl Rexha, Xhevat Berisha, Zahir Pajaziti.
Nga radhët e të burgosurve politikë: Zijah Shemsiu, Besnik Restelica, Januz Zeneli, Enver Topalli, Rexhep Bislimi, janë vrarë në burgje), Ukshin Hoti trajtohet i zhdukur, mjeku Hafir Elshani, i zhdukur, Xhavit Haziri i zhdukur…
Edhe shumë dëshmorë të tjerë, pjesëmarrës në protestat e demonstratat e vitit 1981 e më vonë, kanë qenë të dënuar për kundërvajtje politike në afate të ndryshme kohore, ose kanë qenë pjesëmarrës aktivë në to dhe janë ndëshkuar fizikisht, disa syresh nuk janë dënuar me burg për shkak të moshës së tyre të mitur.

_____________________
Literatura:
1. Aktgjykimi i Gjykatës së Qarkut të Prishtinë,PP. nr. 139/96 nga data 4. 10.1996 me datë 6.10. 1996).
2. Lëvizja Popullore e Kosovës, historiku, internet.
3. Jakup Krasniqi: Kthesa e Madhe, Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
4. Feniksët e lirisë 2-14. Prishtinë, 2002-2012.
5. Arkivi i luftës i Radios-Kosova e Lirë I II III. Prishtinë, 2009.
6. Selatin Novosella, Kosova 1964. Prishtinë, 1994.
7. Skënder Zhitia, UÇK- Zona Operative e Llapit, Prishtinë, 2008.
8. Hasan Hasani, Të pavdekshmit e Dukagjinit, Pejë, 2002.
9 Hajrush Kurtaj: Lufta e UÇK-së në Zonën Operative të Neredimes, Prishtinë, 2012.
10 D. Muhamet Pirraku: Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare për Faljen e Gjaqeve 1990 – 1992.
11. Aktakuza ( PP. nr. 139/96 nga data 4. 10.1996 me datën 6.10. 1996).
– Autori ëshët drejtor i Radio Kosova e Lirë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura