Kumanovë, 26. 09. 2013 – Para ca ditësh në Prishtinë, u promovua libri «Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë» me autore Fetnete Ramosajn. Autorja e cila është mjaft e njohur, vjen nga Deçani, Republika e Kosovës, e dalluar mjaft me pjesëmarrjen e saj aktive në lëvizjet ilegale dhe gjithëpopullore në Kosovë, si dhe mbi të gjitha si zëdhënëse e UÇK së për zonën operative të Dukagjinit. Autore e një sërë fejtonesh, shkrimesh publicistike, recensuese, lektore e disa librave historik, publicistik dhe çështjeve të sigurisë, është më shumë se autore, është më shumë se kjo, është rrëfim në vete. Të marrësh dhe ti shfletosh librat e saja «Pa apologji 1 dhe 2» që të rrënqethin trupin, me krimet dhe masakrat e forcave serbe në Kosovë, kërkon guxim, e Fetnetja me guximin e saj për të botuar këto libra të kësaj natyre, e posaçërisht me librin e fundit, dëshmoi se vlen për të thënia e N. Chomskyt, që ka të bëjë me përgjegjësinë e intelektualit për të folur të vërtetën, (reliteti shqiptar) si dhe për të demaskuar gënjeshtrën ( serbe). Libri i kësaj autore më rastisi t`a lexoja para ca javësh, si dhuratë nga një mik i imi, idolatrues i librave dhe i shkencës.
Me një precizitet dhe saktësi të llojit të veçantë, autorja në librin e saj guximshëm i rreket temave që duhet të diskutohen dhe merren parasysh nga strukturat qeveritare dhe shtetërore, ndërsa me shpalosjen e shumë fakteve dhe gjërave, që lexuesi nuk ka pasur kurrë mundësi t`i dëgjojë dhe t`i dijë, dëshmon se përpos që është studiuese serioze është edhe patriote. Ngase nuk mëtohet demokracia pa patriotizëm, thjesht ajo është boshe pa të. Ndërsa pa demokraci nuk realizohen kombet.
Libri i saj « Organizatat ekstremiste serbe në Kosovë » përpos që është libër me përmbajtje dhe informacione tejet të duhura, ka edhe rëndësi historike. Historia për shoqërinë, është sikurse kujtesa për individin. Ky libër është histori për shoqërinë shqiptare gjetiu, por është edhe kujtesë për atë se deri ku është i zhytur shteti serb, prej krijimit të tij, respektivisht në ç`masë të krimit dhe terrorit. Autorja përmes librit të saj tenton të evitojë amnezinë që na ka kapluar ne si komb, duke humbur kujtesën e asaj se çka na ka ndodhur, si dhe duke tentuar të na e rikthejë kujtesën, ngase komoditeti dhe komforditeti i pushtetit na ka shpërfytyruar duke na krijuar neurozë si shoqëri, si intelektualë e si komb.
Libri i saj më i ri ndahet në 3 kapituj. Kapitulli i parë flet dhe pajis me informacione lexuesin mbi historikun dhe veprimtarinë e organizatave ekstremiste serbe, respektivisht organizatat si : « Crna Ruka » (Dora e Zezë), « Narodna Odbrana » (Mbrojtja popullore), « Bella Ruka « (Dora e bardhë). Krijimi i këtyre organizatave terroriste serbe, të institucionalizuara dhe me ndikim direkt në qeveritë serbe të cilit do qoftë spektri politik, flasin qartë se kush promovon dhe sponzorizon terrorizmin, cili shtet në gjenet e veta përbëhet nga terrori dhe terrorizmi, që më pas ky terrorizëm i institucionalizuar edhe në kuluaret qeveritare, diplomatike e kështu me radhë të promovojë në harkun kohor prej 168 vjetësh 24 programme serbe që parashohin detajisht shfarosjen e shqiptarëve në Kosovë dhe viset tjera.
Duke lexuar më tej librin, lexuesi në Kapitullin e dytë ndeshet në aspektin kronologjik me formimin e një sërë organizatave terroriste serbe, që janë edhe më tej aktive në Serbi, e sidomos në Kosovë dhe që janë element potencial destabilizues për rajonin dhe më gjerë. Në këtë kapitull flitet për Lëvizjen Çetnike serbe gjatë Luftës së dytë botërore, për veprimtarinë e klubit të Rankoviçit (armikut të përbetuar të shqiptarëve), për aktivitetet e shoqatave ekstremiste serbe dhe malazeze, si dhe të gardave vullnetare dhe njësive paramilitare në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë.
Kapitulli i tretë i cili njëkohësisht është edhe më i gjati, flet në përpikshmëri për veprimtarinë e organizatave ekstremiste serbe nga viti 1999 e gjer në vitin 2012. Lexuesi ndeshet me një përshkrim të detajuar të strukturave udhëheqëse dhe formacioneve vepruese të Ushtrisë Çlirimtare serbe, lidhjeve të Drejtorisë së gjashtë të sigurimit shtetëror serb me këtë ushtri, me rolin e formacionit tmerrues « Rojat e urës ». Në libër ndeshim edhe me emra të drejtuesve të këtyre organizatave, e shumë prej tyre edhe drejtues të lartë në politikë, të lidhur direkt me strukturat kriminale mafioze dhe terroriste serbe, të cilët kanë marrë pjesë në krime dhe masakra mbi popullatën civile shqiptare. Vlen të përmendet rasti i Oliver Jovanoviqit i cili sipas informatave në këtë libër del të ketë marrë pjesë në masakrat mbi shqiptarët në Mitrovicë, ndërsa sot i veshur me petkun e politikanit, ec lirshëm dhe bredh pa iu trembur syri. Më tej ndeshim me rolin e formacionit paramilitar « Tigrat », rolin e SOAP-it (Lëvizjes Çlirimtare antiterroriste serbe), rolin e Gardës së Car Llazarit, Gvozdeni Pukit (Regjimentit të hekurt), veprimet terroriste të organizatës « Beli Orlovi » (Shqiponjat e bardha) e kështu me radhë. Poashtu në libër pasqyrohen edhe në mënyrë të detajuar organizatat klerofashiste dhe neofashiste serbe (lexo : këtë e pohon edhe shkrimtari serb me prejardhje hebreje, FILIP DAVID), me bekimin direkt të udhëheqësve kishtarë dhe klerikëve serb. Lëvizjet e njohura si : Srpski Narodni Pokret 1389, Obraz, Delije, Grobari, Nacionalni stroj, Krv i cast, Rasonalisti e kështu me radhë flasin për lidhjet direkte të klerikëve të kishës serbe, si dhe figurave politike serbe me elemente terroriste, mafioze dhe kriminale, të cilat struktura përpos këtyre aktiviteteve kanë zhvilluar dhe zhvillojnë një luftë të paparë ideologjike, propagandistike dhe psikologjike për dominimin e idesë serbomadhe në Ballkan e më gjerë. Këto organizata dhe formacione të mbështetura nga qarqet shtetërore serbe : ushtarake, politike, informative, policore dhe fetare në vazhdën e aktiviteteve të tyre që prej krijimit e deri më sot, synim kryesor e kanë elementin shqiptar dhe shfarosjen e këtij elementi, me inspirim nga doktrina e Naçertanijes së Garashaninit, e botuar së pari nga Dr. Dragosllav Stranjakoviq më 1939, ndërsa si propozim i dhënë nga pansllavisti çek Frontishek. A. Zach nga Brho i Moravisë, e deri tek programet më aktuale me performime tjera, por me substratin e njejtë me atë të Grashaninit. Këto organizata që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës, në vazhdën e veprimeve ekstremiste destruktive ndaj Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, kanë një shtrirje shumëdimensionale në hapësirën e Kosovës, duke minuar pavarësinë dhe stabilitetin e këtij shteti në fazën e foshnjërisë, e deri tek shfaqja e tyre si operatorë që prodhojnë kriza dhe tensionojnë situata saherë që i duhet Beogradit edhe më gjërë.
Figurat monstruoze serbe si Arkani (tanimë i vdekur), si dhe figura të tjera që edhe më tej janë gjallë dhe veprojnë aktivisht, me bekim nga priftërinjtë, gardat e tyre terroriste i kanë themeluar nëpër manastire (lexo : rasti i themelimit të Gardës vullnetare serbe nga Arkani në manastirin e Pokajnicës më 11.10.1990), pra duke e hyjnizuar luftën e tyre si luftë të shenjtë, në emër të ortodoksizmit pan sllav. Ndërsa të habit fakti i mobilizimit të një numri të madh të serbëve në këto organizata, të cilat sollën 4 luftëra në Ballkan dhe dëme të pariparushme, dhe me një gjenocid që nuk ishte parë që nga Lufta e dytë botërore. Numri i veteranëve serb të luftës sipas Ministrisë së mbrojtjes është 500 000 persona, ndërsa sipas grupeve të veteranëve është deri edhe në 700 000, pra kësisoj mund të konkludohet se në ç`farë shkalle është i induktuar populli serb nga këto organizata terroriste, eminenca gris të shtetit serb.
Libri i autores Ramosaj përpos aktiviteteve të terroristëve serb, flet edhe për veprimet e spiunëve shqipfolës si Selim Goxhufi, Xhafer Beiqi, spiuni shqiptar që punon për Serbinë me inicialet S.G. e kështu me radhë. Zaten pushtuesi nuk mund të ketë sukses nëse nuk shtrin dorën pëmres tradhëtarëve në realizim të qëllimeve.
Përmes këtij libri shohim se si edhe më tej organizatat ekstremiste dhe terroriste serbe janë aktive, promovojnë edhe më tej apetitet serbomëdha, secilën ditë e më shumë, duke mos kursyer mjete e metoda për arritjen e qëllimit, përfshirë edhe thirrjet për ndarje të Kosovës, që përbëjnë rrezik permanent për destabilizime dhe luftëra të reja, jo vetëm në rajon por edhe më gjerë. Si shembull për këtë jepet edhe rasti i Lëvizjes Çetnike serbe, e cila që nga 27 korriku 2009 ka hapur shkollë për çetnikë në Bosnjë e Hercegovinë, nën drejtimin e vojvodës Sinisha Vuçiniq nga Beogradi, me synimin për 10 vjet të nxjerrin 100 000 çetnikë të rinj të moshës 16-22 vjeç.
Kumti i këtij libri, përpos atij informativ, historik, i ngjyrosur me motive të çështjeve të sigurisë, ka edhe mesazhin e tij të syçelësisë, që t`i mbajmë sytë hapur dhe të mos ngutemi me iluzionin se Serbia është demokratizuar dhe është denacifikuar, por përkundrazi se ajo është edhe më tej sponzore e terrorizmit, duke minuar paqen rajonale dhe më gjerë, duke promovuar politikën e fajkonjëve (njerëzve që duan luftë dhe terror si zgjidhje të vetme).
Autores Fetnete Ramosaj i dëshiroj suksese në punën e saj të vyeshme, ndërsa libri i saj është një aureolë që ndryshon viskozitetin (gjendjen statike) të shkencës dhe institucioneve relevante shqiptare, të zhytura në pellgun e flagjelacionit, duke mos përkrahur studiues(e) serioz(e) si autorja në fjalë, si dhe libra serioz si libra në fjalë.
(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist i rregullt)