RINA ҪELA GRASSET: JO HARRIMIT! DY DEKADA ME SHQIPTARËT E FRANCËS!

Lion, 20. 01. 2015 – Me kalimin e kohës harrimi mbulon fillimisht datat, pastaj emrat, pastaj kronologjinë… Duke kaluar gojë më gojë historitë ndryshojnë konturet, n…gjarjet treten në muzgun e kujtesës, bisedat fillojnë me “A të kujtohet ?” ose “Thonë se një herë e një kohë…” Dhe vjen një ditë kur kujtesa shuhet me njeriun si flaka kur nuk ka më oksigjen. Ç’mbetet prej saj ? Një legjendë që mbulohet nga hiri i kohës… Patrick Modiano, nobelisti francez i letërsisë, me të drejtë shkruan: “Është detyra e shkrimtarit, para faqes së bardhë të harresës, të sjellë fjalët e fshira përgjysëm, si ajzbergët e humbur që shkasin tutje sipërfaqes së oqeaneve.”
Me durim, vullnet e këmbëngulje Abaz Pllana i ka vënë vetes për detyrë të mbledhë këto copa kujtese të shpërndara për t’i transformuar në një vepër që t’i rezistojë kohës e harrimit. Këtë gjë ai e filloi në librin e tij të parë “Shpresa për gjyshin” ku nxjerr nga thellësitë e kujtesës copëza të jetës së gjyshit të cilit i ka trashëguar emrin. Emrin, besën dhe atdhetarinë! Atë gjysh që humbi diku burgjeve të Serbisë për faj të patriotizmit të tij, Abaz-nipi ia ktheu përjetësisë, duke i dedikuar një libër jetës së tij të këputur përgjysmë.

Po në vazhdën e kësaj detyre që i ka vënë vetes, që të luftojë kundër harresës, Abaz Pllana mblodhi e seleksionoi për vite të tëra dokumentet e veprimtarive të Shoqatës Shqiptare në Lion në librin “Dy dekada me shqiptarët e Francës”. Ai shkroi kujtimet me bashkatdhetarët e tij, me të cilët arriti të krijojë një copëz atdhe në mërgim. Nga Shoqata Shqiptare Fan Noli tek Shoqata Shqiptare Iliria, nga lokali në Vaulx en Velin në manifestimet në Rambouillet, lexuesi ndjek hap pas hapi organizimin Shqiptar në Lion, por më shumë se kaq.
Ai përjeton gëzimin e nxënësve që mësonin gjuhën shqipe;
– dasmat e gëzimet e anëtarëve,
– dhembjen për humbjen e shokëve të shtrenjtë,
– solidaritetin e jashtëzakonshëm ndaj njëri-tjetrit,
– emocionet kur ndiqnin me ankth në televizor krimet në Kosovë;
– lotët e transformuar në forcë për të manifestuar në zemër të Parisit;
– sakrificat e atyre që jepnin gjithçka për t’iu përgjigjur fondit “Vendlindja thërret”,
– heroizmin e atyre që lanë familjen për të luftuar kundër kriminelëve.

Kohët e luftës me armë në dorë mbaruan me shpalljen e pavarësisë në Kosovë. Por organizimi shqiptar në Lion pati të gjitha arsyet për të ekzistuar. I orientuar ndaj një “lufte” tjetër, diplomatike këtë herë, ai synoi të ndryshojë opinionin për shqiptarët dhe të shërbejë si vektor i transmetimit të vlerave më të mira të kulturës shqiptare pranë shoqërisë franceze.
Njëzet vite të organizimit shqiptar në Lion e në Francë sot nuk mund të harrohen. Falë librit të Abaz Pllanës, i bën të përjetojë gjithkujt kohën e shkuar, atë kohë që na shërben si far për të ardhmen. Për ne, për fëmijët tanë, për ata që do të marrin pishtarin e këtij organizimi e që do të na zëvendësojnë një ditë.
Një proverb thotë: “Boja, edhe e zbehtë, vlen më shumë se një kujtesë e fortë.” Falë bojës së fortë me të cilën është shtypur ky libër, lufta, përpjekjet, sakrificat, puna e palodhur e bashkatdhetarëve shqiptarë në Lion e Francë nuk do të bien kurrë në harrim. Faleminderit Abaz!

(Rina Çela Grasset – [email protected])

Shoqëria Shqiptare ILIRIA pjesa e parë

Shoqëria Shqiptare ILIRIA pjesa e dytë 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura