Durrës, 16. 10. 2013 – Në një shkrim të mëparshëm solla disa argumente, ku vërtetohej që shteti grek i sotëm nuk është një shtet demokratik. Studiues dhe vëzhgues të tjerë mund të sjellin me qindra fakte dhe shembuj të tjerë. Jo më larg se dje e pamë nënkryetarin e njërit prej parlamentevet shqiptarë, zotin V.Dule, me vijat dhe me ngjyrat e flamurit grek në kravatë. Kur do të mund të shikojmë një nënkryetar të parlamentit grek, udhëheqës të një partie të atjeshme, shqiptare apo arvanitase, që të dalë në media me ngjyrat e flamurit shqiptar dhe me shqiponjën e zezë 2-krerëshe në kravatë? Ja! Edhe ky është një prej argumentevet të shumtë që Shqipëria është shumë më e përparuar në demokraci se sa Greqia. Prandaj edhe detyra jonë si komb është që t’i ndihmojmë forcat demokratike greke për ta demokratizuar vendin e tyre.
Gjëja e parë që duhet të bëjnë forcat demokratike të Greqisë, është që t’u jepen ortodoksëvet shqiptarë dhe arvanitë të atjeshëm të gjitha të drejtat nacionale që u takojnë. Kjo është puna e tyre më e ngutshme. Përndryshe, forcat e të quajturit “Agimi i Artë” do të vazhdojnë t’i quajnë shqiptarët një popull mysliman dhe do të organizojnë revansh kundër shqiptarëvet, ashtu siç kanë bërë paraardhësit e tyre.
Në qoftë se forcat demokratike greke nuk do të arrijnë ta ndalin këtë mësymje të racistëvet të sëmurë grekë, ata racistë të sëmurë, nga ana e tyre, do t’i frymëzojnë e organizojnë vetë shqiptarët e atjeshëm ortodoksë kundër bashkëkombësvet të vet myslimanë. Këto janë gjëra që duken. S’është nevoja të mundohemi shumë për t’i zbuluar.
E njëjta gjë ka ndodhur, jo shumë kohë më parë, edhe në krahun tjetër të kombit tonë. Sërbët kanë nxjerrë në avangardën e antishqiptarëvet pikërisht disa (jo disa, por shumë) shqiptarë të sllavizuar. Ata shqiptarë të sllavizuar, që e dinin se të parët e tyre kanë qenë arbanasë, një pjesë e mirë e tyre sot malazezë, viheshin në provë dhe viheshin në garë kush do ta shprehte më me duf urrejtjen ndaj kombit prej të cilit e kishin prejardhjen. E kam pasqyruar një fragment të kësaj dukurie në romanin tim “Krizis arhivara”.
Tash, nëse forcat përparimtare greke nuk do t’i dalin përpara kësaj marrëzie, duke e ngritur në piedestalin që i takon pjesën ortodokse shqiptare, e cila ka aq shumë meriata për çlirimin e Greqisë, krahu tjetër, ai i verbëri, do të arrijë deri atje, sa ta përçajë keqas krerjt kombin grek.
Nuk do ta tepronim, nëse do të bënim një paralelizëm historik me një ngjarje më shumë se tragjike në botën greke, këtu e 25 shkeuj më parë. Shkak, ose më mirë të themi: kazus (casus) për Luftën e Peloponezit u bënë Durrësi dhe Korfuzi. Ajo luftë vëllavrasëse midis Spartës dhe Athinës filloi në vitin 431 p.e.s. dhe nuk diti të pushojë më për shumë dekada, duke e derdhur rrëke pas rrëkeje gjakun e helenëvet.
Grekët e sotëm nuk duhet t’i lejojnë vetes një luftë tjetër “të Peloponezit”, ku prapë, për shkak, për kazus, të përdoren shqiptarët. Lidhur me këtë çështje, unë nuk them: Mendoj unë. Lidhur me këtë çështje unë them: Është kështu si po ju them unë:
E vetmja rrugë për ta futur Greqinë në demokraci të mirëfilltë, është që kombit grek t’i bëhet e qartë praktikisht se: NË SHTETIN GREK SHUMICA E SHQIPTARËVET, PËRFSHIRË ATY EDHE ARVANITËT, NUK JANË MYSLIMANË, POR JANË ORTODOKSË.
A do të mund të kryhet ky revolucion në mentalitetin e grekëvet të sotëm, këtë do ta tregojnë vitet që vijnë.
======================
– GJOKË DABAJ –
NË SHTETIN GREK NE KEMI NJERËZIT TANË, T’I KËRKOJMË DHE T’I BËJMË MIQ
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=2005